Kalifi i Mesihut të Premtuar dënon thirrjen e Muftiut Kryesor të Arabisë Saudite për shkatërrimin e kishave
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kalifi i Mesihut të Premtuar dënon thirrjen e Muftiut Kryesor të Arabisë Saudite për shkatërrimin e kishave

Hazret Mirza Masrur Ahmedi: Deklarata të tilla nuk kanë asnjë lidhje me mësimet e Islamit

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmedi ka dënuar sot komentet që i atribuohen Muftiut Kryesor të Arabisë Saudite Shejh Abdul Aziz bin Abdullah, në të cilat ai deklaroi që ishte e nevojshme për të shkatërruar të gjitha kishat në Arabinë Saudite dhe në vendet arabe përreth.

Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“U trondita dhe u pikëllova shumë kur mësova që Muftiu Kryesor i Arabisë Saudite ka bërë thirrje për të shkatërruar të gjitha kishat e rajonit, sepse kjo deklaratë e tij është tërësisht kundër mësimeve të Islamit dhe absolutisht duhet të dënohet.

Kurani Famëlartë ka thënë shumë qartë që nuk duhet të ketë aspak dhunë në çështjen e fesë. Kjo do të thotë që çdo njeri është i lirë të ndjekë fenë që do dhe posedon të drejtën të adhurojë kë të dojë. Kur kjo çështje bazohet në mësime kaq të qarta, atëherë si është e mundur që të ashtuquajturit autoritarë të fesë Islame të mund të lëshojnë ndonjë vendim për të shkatërruar qoftë një kishë, e të mos flasim për të gjitha kishat?

Lidhur me mbrojtjen e të gjitha vendeve të adhurimit, Kurani Famëlartë deklaron:

“Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njeri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtetë, Allahu e ndihmon atë që e ndihmon Allahun. Allahu është vërtetë i Fortë dhe i Plotfuqishëm.”

(El-Hexh 22:40-41)

A nuk është i qartë Kurani i Madhërishëm?! Çfarë kuptimi kanë fjalët e lartpërmendura të Kuranit?!

Jeta e Profetit të shenjtë Muhammed (paqja qoftë mbi të) është e mbushur me shembuj se si ai mbrojti gjithmonë lirinë e fesë dhe adhurimit. Vetëm një shembull do t’ju jap këtu. Një herë, një delegacion i krishterë nga qyteti Naxhran kishte ardhur në Medinë dhe Profeti i shenjtë (paqja qoftë mbi të) me gjithë gëzim u kishte dhënë leje për të adhuruar në xhaminë e tij, në mënyrën e tyre dhe jo duke qëndruar në drejtim të Qabesë, por në drejtim të Lindjes, siç ishte metoda e tyre.

Ne gjejmë që Profeti i shenjtë (paqja qoftë mbi të) kaloi gjithë jetën e tij duke predikuar paqen, tolerancën dhe drejtësinë. Kështu që, nuk mund të ketë ndonjë konkluzion tjetër, përveçse të themi se ajo çka ka thënë Kryemuftiu, është plotësisht e padrejtë dhe tregon mungesë të plotë të të kuptuarit të fesë Isame nga ana e tij.

Ne, Xhemati Musliman Ahmedia, ndjekim mësimet e vërteta të Profetit të shenjtë Muhammed (paqja qoftë mbi të) dhe kështu dëshirojmë, sigurisht edhe përpiqemi vazhdimisht, që bota të mbushet me paqe dhe liri fetare për të gjithë njerëzit e saj.

Në vitin 2010, një gazetë shumë e famshme amerikane kur kërkoi mendimin tim që nëse xhamia a propozuar në Zonën Zero, në Nju Jork, duhet të ndërtohet apo jo, atëherë, duke iu përgjigjur thashë që nëse jepet leje për të ndërtuar xhami atje, atëherë Xhemati Musliman Ahmedia do të dëshirojë që atje të ndërtohet edhe një kishë, një sinagogë, një tempull dhe nga një faltore e feve të tjera, sepse vetëm kjo do të tregonte unitetin e vërtetë në shoqëri dhe përgjigja ime ishte bazuar në mësimet reale dhe të vërteta të fesë Islame.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem