Përurimi i xhamisë në Filadelfia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Përurimi i xhamisë në Filadelfia

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përkthimi i këtij ajeti është:

“Xhamitë e Allahut i popullon ai që beson Allahun, ditën e ahiretit, fal namazin, jep zekatin dhe nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut. Të tillët mund të bëhen ndër të udhëzuarit”.[1]

Elhamdulilah – lavdia është e Allahut që Ai na mundësoi të ndërtojmë xhaminë e parë në këtë qytet dhe sot ajo po përurohet zyrtarisht. Në botë, duke përuruar ndërtesat apo pallatet komerciale, njerëzit shprehin kënaqësi sepse përmes këtyre ndërtimeve ata synojnë fitimet materiale. Por, duke ndërtuar një xhami, ne synojmë vetëm pëlqimin e Zotit, dhe për të fituar pëlqimin e Zotit, duhet t’u përgjigjemi urdhëresave të Zotit, ndër të cilat urdhri më parësor dhe obligimi më i rëndësishëm është adhurimi i Zotit me të gjitha kushtet e tij.

Në Ajetin që kam recituar në fillim, dhe ju kam përmendur dhe përkthimin, Allahu i Madhërishëm ka përshkruar qëllimin kryesor që duhet të kenë besimtarët të cilët duan të ndërtojnë xhami. Sipas këtij ajeti, ata që ndërtojnë xhaminë, gjithashtu mundohen ta popullojnë atë, për ta ruajtur dhe mirëmbajtur atë. Ata besojnë në Allah dhe në Ditën e Ahiretit.

Sigurisht, shumica e njerëzve shprehin bindjen e tyre në Zot dhe në ditën e gjykimit, por Zoti na kërkon ta vërtetojmë bindjen tonë me anë të veprave. Për të manifestuar vepra të tilla, na duhet të dëshmojmë përkushtimin tonë ndaj ngritjes së adhurimit, dhe kjo e fundit mund të realizohet me anë të namazit kolektiv apo me xhemat dhe duke i kushtuar gjithë vëmendjen tonë Allahut të Madhërishëm gjatë adhurimeve tona. Shkrimet dhe shpjegimet e Mesihut të Premtuar a.s. na tregojnë rëndësinë e tyre. Besimtarët që me të vërtetë i lartësojnë namazet e tyre janë ata që u përmbahen rregullisht pesë namazeve të obliguara dhe gjatë adhurimit përqendrohen vetëm në kujtimin dhe madhërimin e Zotit.

Secili nga ne mund të analizojë veten se çfarë përpjekjesh kemi bërë për ta arritur shkallën e ngritjes së namazit. Në këtë kohë materialiste, një shumicë dërrmuese ose e shpërfill dispozitën e namazit me xhemat, dhe nëse vjen në xhami nuk i kushton vëmendje dhe përqendrim gjatë namazeve farz apo sunet. Nëse ne gjendemi në këtë shkallë, mund të vërtetojmë vetë se vallë a jemi ndër ata që Zoti i Madhërishëm ka përshkruar si besimtarë që ndërtojnë xhami dhe e popullojnë atë duke përmbushur obligimet ndaj saj. Më tutje, Zoti na tregon dhe tipare të tjera të këtyre besimtarëve, p.sh. ata paguajnë zekatin, dhe sakrifikojnë pasurinë e tyre si për të përkrahur nevojat e besimit, po ashtu në dobi të krijesës së Allahut. Njerëzit e tillë nuk i druajnë askujt përveç Allahut, dhe i vetmi merak që i brengos ata është që ndonjë veprim i tyre të mos i bëjë ata pre të zemërimit të Zotit e t’i privojë ata nga mëshira dhe dashuria e Zotit. Ata gjithmonë veprojnë duke respektuar këto porosi që Allahu u ka dhënë muslimanëve. Kushdo që veten e konsideron musliman të vërtetë, duhet t’i ruajë këto porosi të rëndësishme. Përgjegjësia që i takon besimtarit musliman nuk është e lehtë, aq më tepër kur kjo xhami tashmë është hapur. Çdokujt që frekuenton në këtë xhami apo është lidhur me të, i janë shtuar përgjegjësi më shumë se kurrë.

Ju duhet të përmbushni detyrën e adhurimit dhe nënshtrimit, po ashtu dhe përgjegjësinë ndaj njerëzve. Duke përmbushur të dyja këto obligime të rëndësishme, mund të hyni në radhën e të përudhurve dhe robërve të dashur të Zotit.

Në ajetin paraardhës, Allahu ka bërë të ditur që mushrikët (idhujtarët) nuk kanë të drejtë të ndërtojnë xhami apo ta popullojnë atë, përderisa zemrat e tyre janë pushtuar nga besnikëria ndaj zotave të rremë, dhe duke qenë të tillë, ata kurrsesi nuk mund të përmbushin detyrën e tyre qoftë ndaj Krijuesit apo ndaj krijesës.

Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Shirku ndahet në disa lloje. Një shirk është i trashë dhe i qartë, në të cilin bën pjesë adhurimi i njeriut, gurit, sendeve të pajetë, forcave, hyjnive të përfytyruara dhe zotave të rremë. Ndonëse ky shirk ekziston edhe sot në botë, por kjo kohë i përket iluminizmit dhe përhapjes së dijes, prandaj arsyeja e vështron këtë shirk me neveri e përbuzje.

Pra, dija ka ndriçuar mendjen njerëzore dhe e ka aftësuar njeriun që ta përjashtojë këtë lloj shirku. Vallë a mund të na bëjnë dëm gurët dhe idhujt?

“Por ka edhe një shirk tjetër, i cili po vepron fshehurazi si zeher dhe po përhapet gjerësisht në këtë kohë. Çfarë është ai shirk? Bindja dhe besimi te Zoti i Madhërishëm po bjerrin, ndërsa njeriu në vend të Zotit po u beson mjeteve të tjera”.

Duke u përqendruar vetëm në punët, tregtitë dhe angazhimet materiale, njeriu është bërë plotësisht i pavëmendshëm ndaj namazit dhe popullimit të xhamisë.

Prandaj, duhet të lutemi përulësisht që o Allah! Na bëj robër të sinqertë dhe shërbëtorë të përkryer. Me të vërtetë, edhe shkalla e besimtarit nuk mund të arrihet, pa pasur mirësinë dhe mëshirën e Zotit.

Nuk duhet të gëzohemi vetëm që kemi arritur të bëjmë një xhami në këtë qytet të Filadelfias, por kur t’i paraqitemi Zotit pas kësaj jete, të na përgëzojnë engjëjt duke thënë që këta robër kishin ndërtuar xhami për hir të Zotit dhe ishin përpjekur të përmbushin detyrat e tyre ndaj saj.

Të tillë janë ata që bëjnë pjesë ndër robërit e udhëzuar, dhe të cilët kanë arritur të fitojnë pëlqimin e Zotit. Ne duhet ta forcojmë këtë mendim, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të gëzojmë mirësitë dhe bekimet e kësaj xhamie në këtë jetë, si dhe mund të mbrojmë besimin e brezave të ardhshëm. Përmes kësaj xhamie, mund të përhapim mesazhin e Zotit në këtë qytet dhe më gjerë. Ne gjithashtu mund të vendosim njëshmërinë e Zotit në tokë dhe të sigurojmë që flamuri i Muhammedit s.a.v.s. të valvitet krenarisht në këtë vend.

Mesihu i Premtuar a.s. duke përmendur qëllimet e ndërtimit të xhamisë, ka shkruar: “Nëse dëshironi të përçoni mesazhin e Islamit dhe mësimet e tij të vërteta në ndonjë vend, atëherë ndërtoni xhami atje. Xhemati ynë ka shumë nevojë të ndërtojë xhami. Xhamia është shtëpia e Zotit. Ndërtimi i xhamisë së xhematit tonë në ndonjë fshat apo qytet, është baza e zhvillimit të Xhematit. Nëse numri i muslimanëve është i vogël në ndonjë fshat apo qytet, dhe duam përparimin e Islamit, atëherë mjafton të ndërtohet një xhami, e Zoti vetë do të grumbullojë muslimanët. Por kjo ka një kusht që ndërtimi i xhamisë të bëhet me nijet të pastër dhe të sinqertë. (Pra ajo të mos bëhet për syfaqësi e dukje) Ajo të bëhet vetëm për hir të Allahut, dhe të mos lejohet asnjë ligësi apo interes personal në këtë punë, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo do të bekohet prej Zotit”.

Ne gjithmonë duhet ta kemi parasysh këtë porosi të Mesihut të Premtuar a.s. Çdo xhami që ndërtojmë dhe çdo sakrificë që ofrojmë për këtë qëllim, duhet të jetë e pastër nga syfaqësia dhe reklamimi, përkundrazi qëllimi ynë themelor duhet të jetë që përmes kësaj xhamie, do të përmbushim detyrën e adhurimit dhe të mbrojmë brezat tona të ardhshme në rrugën e besimit.

Ndërtimi i kësaj xhamie dhe popullimi i saj u kanë shtuar dhe një përgjegjësi tjetër banorëve të këtij qyteti, që ata ta shndërrojnë atë në një qendër të rëndësishme të përhapjes së Islamit. Thuhet që muslimanët kanë 47 xhami apo qendra në këtë qytet, por kjo është e para që është ndërtuar si xhami. Duke ndërtuar këtë xhami, ne nuk synojmë t’u tregojmë banorëve se si është arkitektura apo forma e një xhamie të muslimanëve, por për t’ia shfaqur botës mësimet e bukura dhe paqësore të islamit. Nëse duhet të bëjmë thirrjen e Islamit përmes lutjes dhe ibadetit, tani e tutje duhet ta bëjmë këtë detyrë më shumë se kurrë përmes sjelljeve dhe veprave tona. Përmes shembujve konkret të sjelljes sonë, ne gjithashtu duhet të shtojmë numrin e muslimanëve ahmedianë. Më kanë njoftuar që në përgjithësi përveç dy familjeve, shtëpitë e ahmedianëve ndodhin larg.

Amir sahibi i Amerikës, më ka treguar që kjo xhami është e madhe, si dhe trualli ka një sipërfaqe të konsiderueshme. Nëse përpiqemi, mund të marrim dhe leje për ndërtim afër xhamisë, dhe nëse ndërtojmë disa apartamente a banesë, apo t’i lejojmë ahmedianët për të ndërtuar vetë shtëpi këtu, mund të kontribuojmë në shtimin e numrit të ahmedianëve afër xhamisë. Unë mendoj që kjo është një ide e mirë, që duhet shqyrtuar, dhe nëse është e realizueshme atëherë duhet të përpiqemi për të shtuar numrin e familjeve ahmedianë në afërsi të xhamisë. Nëse ahmedianët vendosen këtu me nijetin e mbushjes dhe popullimit të xhamisë dhe për të promovuar mësimet e bukura të Islamit, atëherë me siguri Allahu do ta bekojë nijetin e tyre dhe do të shtojë numrin e besimtarëve rreth e përqark xhamisë.

Sipas historisë, Hazret Mufti Muhammed Sadik sahibi kishte mbërritur si misionar i parë i Xhematit në Amerikë pikërisht këtu në portin e Filadelfias në vitin 1920. Megjithatë, organet e policisë nuk e lejuan të hynte në vend, dhe mbajtën në arrestim shtëpiak. Aty ndodheshin edhe të burgosurit e tjerë. Përmes përpjekjeve të tij, vetëm brenda dy muajve, 15 persona pranuan Islamin. Sjellja dhe devotshmëria e tij bashkë me lutje të sinqerta i dhanë fruta përpjekjes së tij. Gjatë qëndrimit të tij në ShBA, numri i ahmedianëve në Amerikë kishin arritur pesë deri në gjashtë mijë. Hazret Kalifi II r.a. ishte shprehur që nëse numri i anëtarësimeve do të vijonte me të njëjtin ritëm, atëherë brenda disa dekadave, numri i ahmedianëve arrinte në qindra mijëra. Ndonëse, për shkak të kushteve, rrethanave apo dobësive tona, ajo shifër nuk u arrit dot, megjithatë kemi një mundësi për ta arritur këtë synim, nëse përpiqemi me vullnet të fortë.

Thirrja e Mesihut të Premtuar a.s. kishte mbërritur në këtë qytet gjatë jetës së tij, dhe ai ka shënuar këtë në librin e tij “Brahine Ahmedia”. Ai shkruan:

“Ka dhe shumë britanikë në këto vende, të cilët kanë shprehur vlerësim për këtë xhemat, dhe kanë shfaqur pajtueshmërinë e tyre me të. I nderuar dr. A Xhorxh Bejker, i cili jeton në 404, Siskejhana Avenju, Filadelfia ka lexuar rreth meje në revistën Review of Religions dhe ka shkruar një letër ku është shprehur: “Unë pajtohem plotësisht me mendimin e udhëheqësit tuaj. Ai ka paraqitur Islamin në këtë botë, tamam në atë formë, seç kishte bërë i Dërguari i Allahut s.a.v.s”.

Hazret Mufti Muhammed Sadik sahibi kishte dërguar një raport të veprimtarisë së tij, në të cilën kishte shkruar:

“Kam vetëm pak ditë që kam mbërritur në Amerikë, dhe pavarësisht pengesave dhe vështirësive të mëdha që kam hasur nga disa të krishterë keqdashës, Zoti më ka dhënë suksese të shumta. Elhmadulilah. Lavdërimi është i Allahut. Përmes predikimit tim, deri tani 29 zonja dhe zotërinj kanë përqafuar fenë islame. (Ai pastaj ka shënuar emrat e tyre bashkë me emrat musliman. Pastaj shkruan…) dr. Xhorxh Beker dhe z. Ahmed Andersen kanë mbajtur letërkëmbim me mua për një kohë të gjatë dhe kishin pranuar Islamin qyshkur. Këta dy janë muslimanë të devotshëm, prandaj kam vendosur të shënoj emrat e tyre në krye të listës”. Pastaj ai ka shënuar dhe emrat e anëtarëve të tjerë.

Kam dëgjuar që varri i dr. Xhorxh Bekerit, i cili kishte ndërruar jetë në 1918 këtu në Filadelfia, tashmë është zbuluar. Ndonëse Xhemati Musliman Ahmedia ishte themeluar këtu para njëqind vjetësh, por pas ndërtimit të kësaj xhamie të bukur, xhemati dhe misionari i këtij qyteti duhet të hartojnë plane dhe realizojnë programe me një vullnet të ri, dhe përmes këtyre përpjekjeve duhet të sigurojnë që mesazhi dhe mësimi i bukur i Islamit të përhapen katërçipërisht, dhe ky vend të shndërrohet në vatrën e paqes dhe bukurisë dhe njerëzit të lakmohen për t’u vendosur këtu.

Për sa i përket popullsisë, Filadelfia është qyteti i gjashtë më i madh i Amerikës. Nëse, ne ua përcjellim banorëve të këtij qyteti e jo vetëm, mesazhin e vërtetë të Islamit, jam i bindur që në dashtë Zoti, pasardhësit e tyre do të fitojnë udhëzimin e Zotit e do t’i druajnë Atij, dhe do të bëhen adhurues të Tij të sinqertë, të cilët do ta gjallërojnë këtë xhami.

Çdo xhami që ndërtojmë, na paraqet një sfidë të madhe për të reformuar gjendjen tonë, për të përmirësuar lidhjen me Zotin, për të lartësuar shkallën morale dhe për t’u angazhuar në frontin e thirrjes. Ne kurrsesi nuk duhet të kënaqemi me mendimin që tashmë kemi ndërtuar një xhami. Ne kemi pranuar dhe besuar shërbëtorin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në këtë kohë, i cili duhet të ringjallte Islamin. Ai gjithashtu duhet të asgjësonte të gjitha ato keqkuptime dhe paqartësi që ishin formuar në mendjet njerëzore ndaj Islamit, qoftë nga kundërshtarët apo nga tefsiret e gabuara të dijetarëve të ashtuquajtur. Sot, kjo detyrë na përket neve që duke qenë ndjekësit e Mesihut të Premtuar a.s., që të shfrytëzojmë të gjitha përpjekjet dhe aftësitë tona dhe të lartësojmë shkallët e adhurimit dhe të gjendjes sonë shpirtërore, që të arrijmë pëlqimin e Allahut.

Janë harxhuar 8.1 milion dollarë për ndërtimin e kësaj xhamie, por këto shpenzime mund të quhen të vlefshme vetëm atëherë, kur ne synojmë dhe punojmë për të arritur qëllimin e saj, dhe pavarësisht distancës nga xhamia, mundohemi ta popullojmë atë në namazet e pesë vakteve.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte shkruar që bukuria e vërtetë e xhamive nuk është prej formës dhe arkitekturës së saj, por prej atyre besimtarëve që vijnë me devotshmëri për të adhuruar Zotin, ndryshe ato janë të shkreta dhe të zbrazëta.

Edhe xhamitë që na duken të mbushura prej besimtarëve, sot janë kthyer në vatrën e përçarjes dhe fitnes për shkak të propagandës së klerikëve të ashtuquajtur. Ai shkruan:

“Xhamia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishte e vogël, dhe çatia e saj ishte bërë prej gjetheve të palmës. Kur binte shi, ajo pikonte, megjithatë ajo pati një veprimtari të gjallë. Gjallëria e xhamisë varet prej xhematlijve. Qëllimi i ndërtimit të xhamive është të arrijmë tekva. Prandaj, falja e namazeve me përkushtim e druajtje dhe përpjekje për të populluar xhaminë, janë hapa që e bëjnë të pranueshëm adhurimin tonë, dhe bekojnë thirrjen islame drejtuar jo-muslimanëve.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që çdokush që hyn në xhaminë tonë me qëllim të mësojë diçka të mirë, i ngjan atij që del në xhihad për hir të Allahut.

Në këtë kohë Islami vazhdon të mbetet në shënjestër të akuzave e kritikave të ashpra dhe prej një arsyeve që ka kontribuar në krijimin e këtij mjedisi është shembulli i shëmtuar i disa muslimanëve. Ndërsa objektivi i një besimtari të vërtetë është të mësojë virtytet, t’i praktikojë ato dhe t’i nxisë të tjerët ndaj tyre, dhe kjo sjellja e tij është njësoj sikur po bën xhihad në rrugë të Allahut. Sot, nisja e këtij xhihadi shembullor u përket muslimanëve ahmedianë.

Mesihu i Premtuar a.s. vazhdimisht na ka tërhequr vëmendje ndaj veprave të mira. Ai ka thënë:

“Dëgjoni me vëmendje këtë porosi. Ata që mbajnë një lidhje dashurie dhe bindjeje me mua, me qëllim që të arrijnë shkallën më të lartë të mirëbërësisë, mirëdashjes dhe druajtjes, dhe të largojnë çdolloj ligësie, keqdashje dhe shthurjeje nga vetja e tyre, duhet t’u përmbahen namazeve të pesë vakteve, të mos gënjejnë në asnjë rrethanë, t’i mos i bëjnë dëm askujt me fjalë. Ata gjithashtu nuk duhet të bëjnë asnjë vepër të shëmtuar, madje të mos u shkojë mendje për ndonjë ndyrësi, padrejtësi, mizori apo fitne. Shkurt, ata nuk duhet të shfaqin asnjë veprim apo fjalë të papëlqyeshme, të cilët bëjnë pjesë në të ndaluarat. Ata duhet t’u shmangen të gjitha shtytjeve epshore dhe veprimeve të panevojshme dhe të bëhen robër të pastër, mirëdashës dhe të përulur të Zotit të Madhërishëm. Ata le të rreken që t’u mos mbetet asnjë grimcë helmuese dhe të ushqehen vetëm me dhembshuri ndaj të gjithë njerëzve. Ata duhet t’i druajnë Zotit dhe të ruajnë gjuhën, duart madje dhe mendimet  e tyre të fshehta nga çdo mjet i papastër dhe përçarës. Ata duhet të falin namazet e pesë vakteve me përpikëri të skajshme dhe t’u shmangen çdo mizorie, rebelizmi, shpërdorimi, uzurpimi, ryshfeti, shkeljeje të të drejtave, anësie të padrejtë dhe shoqërie të keqe”.

Të rinjtë duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë këtyre porosive dhe t’u shmangen të gjitha formave dhe trajtave të shoqërisë së keqe. Rinia sot përdor metoda të shumta bashkëkohore siç janë mjete sociale dhe bëjnë biseda të papëlqyeshme. Të gjitha këto bëjnë pjesë në shoqëri të keqe, prandaj ato duhen shmangur.

Një tjetër element i rëndësishëm, të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë është prurja e ahmedianëve nga Pakistani, të cilët kanë ardhur këtu si refugjatë. Një musliman ahmedian nuk duhet të synojë vetëm kënaqësitë dhe dëshirat e kësaj jete, por duhet të brengoset për jetën e ahiretit, sepse të mirat e asaj jete janë të përhershme dhe pashtershme.

Mesihu i Premtuar a.s.  ka shkruar:

“Përderisa Zoti i Madhërishëm mban ditarin e veprave të njeriut, prandaj edhe ai duhet të mbajë ditarin e gjendjes së tij që të reflektojë se çfarë veprash të mira apo të këqija ka bërë ai, dhe të reflektojë se vallë a ka hedhur hapa në rrugën e mirësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të përparojë drejt virtyteve dhe të quhet i udhëzuar para Zotit. Dita e sotme dhe e nesërme të një besimtari nuk duhet të jenë të barabarta. Nëse e sotmja dhe e nesërmja dalin të një jta në peshore, atëherë ai ka dalë në humbje. Njeriu derisa i beson Zotit dhe i mbështetet vetëm Atij, nuk del në humbje.

Ne duhet të ndalemi këtu për t’u reflektuar. Nëse Allahu i Madhërishëm po na bën mirësi, ne gjithashtu duhet të jemi mirënjohës dhe falënderues ndaj Tij. Prandaj, ata njerëz të cilët për shkak të punëve dhe angazhimeve të tyre, janë shkujdesur në adhurimet e tyre dhe në përgjegjësinë ndaj Zotit, duhet të analizojnë veten se çfarë ishte betimi i tyre dhe si janë veprat e tyre. Të sapoardhurit gjithashtu duhet të dinë që duke u lakmuar plotësisht nga shkëlqimi i dynjasë, ata nuk arrijnë përparim por një rënie e tatëpjetë. Përkundrazi, ata gjithmonë duhet t’i japin epërsi besimit përballë të gjitha interesave të kësaj bote, si dhe t’i përgjigjen detyrës ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij nëpër xhami.

Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar:

“Mos harroni që xhemati ynë nuk synon që jeta jonë t’u përngjajnë të tjerëve, të cilët dëshmojnë gojarisht se besojnë, ndërsa nuk u kushtojnë asnjë rëndësi veprave. Fatkeqësisht, kjo është gjendja e muslimanëve. Nëse i pyesim se a janë muslimanë, ata përgjigjen menjëherë se Elhamdulilah, jemi muslimanë. Megjithatë, ata nuk falin namaze, nuk respektojnë kufijtë e sheriatit. Unë nuk dua që edhe ju të dëshmoni vetëm gojarisht, dhe të mos shfaqni asnjë vepër, sepse kjo është sjellje shtinjake. Zoti nuk e pranon këtë mënyrë, prandaj duke parë këtë gjendje, Ai më ka caktuar për reformë. Nëse tani, dikush nuk interesohet për të përmirësuar gjendjen e tij, edhe pse ka lidhur besëlidhje me mua dhe nuk zhvillon forcën e të vepruarit, madje, e quan të mjaftueshme vetëm dëshminë gojore, atëherë përmes kësaj sjelljeje, ai rreket të tregojë se unë kam ardhur pakohë”.

Le të sqaroj dhe njëherë që zhvillimi i veprimit nënkupton përmbushjes së detyrës ndaj Zotit, kryerjes së adhurimit të Tij, respektimin e të drejtave njerëzore dhe përhapjen e mesazhit të Zotit. Ai vijon më tej:

“Nëse përmes sjelljes suaj, ju dëshironi të vërtetoni që ardhja ime ishte e padobishme, atëherë pse doni të mbani lidhje me mua? Nëse dëshironi të keni lidhje me mua, atëherë përmbushni qëllimet dhe synimet e mia, pra të shfaqni sinqeritetin dhe besnikërinë para Zotit dhe t’u bindeni mësimeve të Kuranit Famëlartë, ashtu siç iu bind i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tij. Zbuloni qëllimin e vërtetë të Kuranit dhe zbatojeni atë. Te Zoti, nuk mjafton vetëm një shprehje gojore, pa asnjë vepër a gjallëri. Mos harroni që xhemati që Zoti ka synuar të krijojë, nuk mund të mbijetojë pa vepra. Ky është ai xhemat madhshtor, i cili kishte filluar të ngjizej qysh në kohën e Ademit a.s. Nuk ka ardhur asnjë profet, që të mos ketë alarmuar për këtë thirrje. Prandaj, vlerësojeni këtë dhe vërtetoni me anë të veprave tuaja që me të vërtetë jeni grupi i sinqertëve.

Kjo nuk është një mision i lehtë, madje ai kërkon vëmendje të kujdesshme. Nuk duhet të harrojmë që kjo dynja me shkëlqimin dhe pasurinë e saj nuk është garanci për shpëtimin tonë dhe të brezave të ardhshme. I vetmi mjet, që mund të tërheqë mirësitë dhe bekimet e Zotit në të dyja jetë është lidhja e sinqertë me Allahun dhe zbatimi i urdhrave të Zotit. Allahu mundësoftë secilin prej nesh për të jetuar sipas pëlqimit të Ti.

Në përgjithësi, gjatë përurimit të xhamive, unë mundohem të paraqes pak informacion lidhur me xhami. Trualli për këtë xhami ishte blerë në vitin 2007, dhe punimet ishin nisur pas gjashtë vjetësh në vitin 2013. Për shkak të disa pengesave, të drejta apo të padrejta, puna ka ecur me ngadalësi derisa erdhi kjo ditë që ajo ka përfunduar. Siç kam përmendur më parë që janë harxhuar 8,1 milion dollarë në ndërtimin e saj. Xhemati lokal i Filadelfias ka kontribuar dy milion e 435 mijë dollarë, xhematet e tjera të Amerikës kanë kontribuar një milion e 240 mijë dollar dhe selia qendrore ka dhënë 4 milion e 470 mijë dollarë, Pra, më shumë se gjysma e shpenzimit janë mbuluar nga zyrat kombëtare. Fillimisht ishte siguruar vetëm dy dylym tokë, pastaj i ishte shtuar dhe një dylym tjetër. Në vitin 2015, një fqinj i krishterë kishte dhuruar pronën e tij Xhematit. Ndonëse, ai kishte një interes personal, por gjithsesi Xhemati fitoi atë tokë si dhuratë. Tashmë e gjithë sipërfaqja e xhamisë përbëhet nga katër dylym. Këtu mund të projektohet ndërtimi i pallateve apo apartamenteve. Sipërfaqja e mbuluar e kësaj godine tri-katëshe është 21 mijë e 400 mitër katrorë. Në bodrum ekziston një mensë komerciale. Në katin e mesëm, gjendet një apartament për banimin e misionarit, ndërsa në katin e tretë ndodhen pjesa a xhamisë, zyrat, biblioteka etj. Salla e faljes ka një sipërfaqe prej 5000 mitër katrorësh, e cila ndahet në mënyrë të barabartë midis burrave dhe grave. Xhamia ka një kapacitet prej 350 burrash dhe 350 grash. Po kështu, të dyja pjesë të xhamisë, kanë abdes’hane, tualete dhe kushte të tjera. Përpos kësaj, kjo godinë ka dhe një sallë shumëpërdorimshe me një sipërfaqe prej 6000 mitër katrorësh. Kjo sallë mund të nxë 700 persona. Këtu mund të bëhen dhe lojëra të ndryshme, por ka dhe zyra të xhematit. Në këtë kompleks, hapësira e asfaltuar për parkim ka kapacitet për 46 makina, ndërsa gjithsej mund të mbajë 86 makina.

Allahu e mundësoftë çdo ahmedian për të përmbushur qëllimin e ndërtimit të kësaj xhamie dhe e bëftë një gur të rëndësishëm në promovimin e mesazhit të Islamit në këtë vend.

[1] Et-Teube 9:19

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem