Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Xhamia “Mahmud”, xhamia e Malmos, Suedi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Xhamitë e Allahut i ndërton vetëm ai që beson në Allah dhe në ditën e ahiretit, që fal namazin dhe jep zekatin, që nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut. Mundet që njerëzit e tillë të gëzojnë udhëzimin. (Kurani Famëlartë 9:18)
Janë ata, të cilët nëse do t’u japim pushtet në tokë, do të falin namazin, do të japin zekatin, do të porosisin për mirësi dhe do të ndalojnë nga e keqja. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve. (Kurani Famëlartë 22:42)

Elhamdulillah, sot Allahu i Madhërishëm i dha mundësi Xhematit Ahmedia të Suedisë të ndërtojë xhaminë e tyre të dytë, e cila është quajtur “Xhamia Mahmud”. Të gjithë burrat e gratë, mashaAllah kanë treguar sinqeritet shumë të madh në ndërtimin e kësaj xhamie.

Xhamia e SuedisëKy ishte një projekt i madh, kurse xhemati këtu është i vogël. Për ta, ky me të vërtetë ishte një projekt shumë i madh. Këtu kemi shumë anëtarë të papunë, kemi edhe pleq, fëmijë dhe gra shtëpiake dhe ka shumë pak njerëz që kanë të ardhura. Megjithatë, sakrifica të mëdha nuk kanë bërë vetëm këta të fundit që kanë të ardhura, por edhe gratë e fëmijët. Të gjithë së bashku kanë vendosur një model që provon se si duhet t’i japim përparësi besimit mbi botën, për hir të ndërtimit të shtëpisë së Zotit të Madhërishëm.

Kush është që nuk ka dëshira? Kush është që nuk ka nevoja? Sidomos në këtë kohë, kur bota është e mbushur plot me sendet që të tërheqin jashtë mase që t’i kesh, por habitesh duke parë sakrificat financiare të ahmedianëve.

Nuk është pyetja për të ndërtuar një xhami të vetme. Projektet e ndërtimit të xhamive, të shtëpive të misionit, të blerjes së tokave po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe ka edhe plot shpenzime të tjera që bëhen në çdo vend. Përveç tyre, ata japin kontribute të zakonshme financiare. Ahmedianët që kanë të ardhura relativisht më shumë sesa të tjerët, pasi marrin pjesë në të gjitha këto sakrifica që u përmendën, sakrifikojnë edhe për ata që janë të dobët ekonomikisht dhe që jetojnë në vende të varfra. Ose ahmedianët e vendeve të varfra edhe pse sakrifikojnë shumë sipas mundësive të tyre, por prapë nëse nuk arrijnë të realizojnë projektet e tyre, mbështeten nga ahmedianët e vendeve të pasura.

Kështu që, në Xhematin Musliman Ahmedia, ka plot njerëz, karakteristika e të cilëve është që ata rrinë me padurim që t’u bëhet thirrje për sakrifica financiare dhe ata të shpenzojnë në rrugë të Zotit. Këtë frymëzim ua jep Islami i vërtetë, të cilën, në këtë kohë, shërbëtori i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s. ka fryrë te ta. Ashtu siç Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në kohën e tij kishte shfaqur habinë për sakrificat financiare të anëtarëve të Xhematit, edhe sot habitesh kur sheh sakrificat e tyre. E gjithë kjo është për shkak të bekimit të Zotit të Madhërishëm. Është përmbushja e premtimit që Zoti i Madhërishëm ia bëri Hazret Mesihut të Premtuar a.s. duke thënë: Unë do të të përmbush çdo nevojë që do të kesh.

Për ndërtimin e kësaj xhamie, bashkë me një shtëpi sipër me dy dhoma, zyrat, bibliotekën, kuzhinën, një shtëpi misioni etj. shpenzimet kanë shkuar afërsisht 37.5 milionë krona suedeze ose 3.2 milionë paund britanikë. Punimet në një sallë akoma vijojnë dhe do të bëhen edhe disa shpenzime, që do të jenë 8 ose 10 milionë krona.

Siç dihet, në shumicën e projekteve të Xhematit Ahmedia, një pjesë të madhe të punës bëhet me aksione vullnetare nga anëtarët e Xhematit, duke ulur kështu ndjeshëm koston e ndërtimit. Edhe për këtë xhami, mjaft punë është bërë në mënyrë vullnetare përmes aksioneve. Më kanë njoftuar që anëtarë të ndryshëm të Xhematit natë e ditë kanë punuar këtu dhe për shumë pak kohë shkonin në shtëpi, në mënyrë që të realizohej përurimi i saj në kohë. Megjithatë, ka mbetur një pjesë e punës, siç ju thashë më parë. Kontraktorët e firmave të ndërtimit kur një herë hyjnë në ndonjë projekt, dalin sipas dëshirës së tyre. Organizatorët e këtij xhemati duhet ta kishin llogaritur këtë gjë dhe pastaj të më ftonin.

Allahu i Madhërishëm i shpërbleftë në mënyrën më të mirë të gjithë sakrifikuesit, edhe ata që kanë bërë sakrifica financiare, edhe ata që kanë kontribuar me punë krahu në aksionet vullnetare. Xhamia ka dalë shumë e bukur. Edhe njerëzit kësaj zonës po e lëvdojnë shumë. Para dy ditësh kishin ardhur përfaqësues të medies, të gazetave dhe radiove të ndryshme. Edhe ata më thanë se xhamia është bërë shumë e bukur dhe thanë se ajo e ka zbukuruar edhe zonën në të cilën është ndërtuar.

Disa shembuj të sakrificave financiare që janë bërë për këtë xhami

Do t’ju tregoj disa shembuj për të kuptuar se me çfarë shpirti kanë sakrifikuar anëtarët, fëmijët, të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë e Xhematit.

Një vajzë 11 vjeçe i ka dhënë disa qindra krona, duke thënë se prej një kohe të gjatë i kishte mbledhur nga paratë që i jepnin prindërit, vetëm që t’i jepte si kontribut për ndërtimin e xhamisë.

Një tjetër vajzë 10 a 11 vjeçe erdhi tek Amir sahibi (Presidenti kombëtar i Xhematit) dhe i dha 500 krona për ndërtimin e xhamisë dhe tha se ajo ka pasur dy papagaj, të cilët i shiti dhe e mblodhi këtë shumë. Në këto vende, njerëzit mbajnë me qejf kafshë a shpend shtëpie. Por, vajza ahmediane i dha epërsi shtëpisë së Zotit të Madhërishëm mbi dëshirën për të pasur një kafshë shtëpie.

Realisht, preferenca jonë e parë gjithnjë duhet të jetë kërkimi i pëlqimit të Zotit, gjë që e kuptojnë shumë mirë fëmijët ahmedianë, të cilëve që në vegjëli u jepet mësim i Profetit Muhammed s.a.v.s., që “ai që merr pjesë në ndërtimin e xhamisë, ndërton një shtëpi të tij në xhenet” dhe “vendet më të mira të qyteti janë xhamitë e tij” po ashtu porosia e tij “ndërtoni xhami në fshatra, në qytete dhe në lagje”.

Kjo është arsyeja që ne, muslimanët ahmedianë, përpiqemi të ndërtojmë xhami në çdo vend. Shpesh gazetarët më pyesin kudo që ndërtojmë ndonjë xhami që, përse e keni ndërtuar xhaminë pikërisht aty. Edhe këtu më pyetën. Për këtë çështje, veçantia nuk i përket as qytetit Malmo e as ndonjë vendi tjetër, por kudo që mblidhen pak ahmedianë, e kanë për detyrë të ndërtojnë një xhami, në mënyrë që ta përmbushin detyrën e tyre të adhurimit.

Një vajzë kishte bërë itikaf (adhurim në dhjetë ditët e fundit të ramazanit, duke qëndruar në xhami). Gjatë itikafit, ajo kontaktoi zyrën përkatëse të Xhematit dhe gjithë floririn që kishte i paraqiti për ndërtimin e kësaj xhamie. Sado flori që kishte, për të tjerët ndoshta mund të ishte shumë pak, por ajo ishte e gjithë pasuria e saj, të cilën prindërit ia kishin bërë dhuratë. Duke ia dhuruar këtë flori një përgjegjësi të Xhematit, ajo gjithashtu i kërkoi me këmbëngulje, që prindërit e saj të mos informoheshin për këtë..

Një tjetër vajzë që është edhe “vakifa-e-nau” (e dedikuar nga prindërit përpara lindjes së saj) i dha Xhematit gjithë floririn e saj dhe, po ashtu, kursimet që kishte bërë prej kohe. Të gjitha këto i futi në një qese, la një shënim duke thënë: “Kjo është e gjitha që kam dhe nuk kam ndonjë send tjetër me vlerë që t’i paraqes Zotit për ndërtimin e xhamisë së Tij” dhe këtë shënim ia la të atit, poshtë jastëkut të tij.

Ka nga ato vajza të sapomartuara, të cilat ende nuk e kishin shijuar sa donin dëshirën për të pasur flori pas martesës, dhe të gjithën ia dhanë Xhematit për ndërtimin e kësaj xhamie.

Ka të tjera, bashkëshortët e të cilave kishin bërë premtime të mëdha për ndërtimin e xhamisë, por edhe ato nuk donin të qëndronin mbrapa dhe kështu, edhe ato paraqitën gjithë stolinë dhe kursimet e tyre për ndërtimin e kësaj xhamie.

Dy motra që nuk kishin asnjë mundësi për të bërë sakrificë për ndërtimin e xhamisë, kanë pasur një shtëpi në Pakistan, të trashëguar nga babai. E shitën shtëpinë dhe paratë që morën, që të gjitha i dhanë për ndërtimin e xhamisë.

Një djalë kishte bërë premtim për të dhënë një shumë të madhe për ndërtimin e kësaj xhamie. Një pjesë të asaj shume do ta jepte bashkëshortja e tij. Por, gjatë kësaj periudhe, fatkeqësisht ky çift u nda. Kur përgjegjësit e Xhematit e kontaktuan në lidhje me premtimin që kishin bërë, babai i djalit i njoftoi për ndarjen dhe tha se shumën që i takonte vajzës, ajo vetë duhet ta paguante. Por, djali e kundërshtoi duke thënë se ai e kishte bërë premtimin edhe nga vetja, edhe nga bashkëshortja, dhe ai do t’i paguante të dyja pjesët dhe kështu veproi.

Në botë, ka raste ku shohim që njerëzit nuk u japin grave as atë që është e drejta e tyre dhe edhe brenda xhematit, kur të tillët nuk e pranojnë vendimin e kadasë (gjykatës), ndëshkohen me përjashtimin nga sistemi i Xhematit. Ajo që i takon gruas, duhet t’i jepet. Por ka edhe raste si ky, kur i përmbushin detyrimet e njëri-tjetrit edhe pas ndarjes. Realisht, këta janë të denjë për t’u quajtur besimtarë.

Një djalë i ri i qytetit Malmo, që bënte punë Part Time, premtoi t’i jepte Xhematit 100 mijë krone për ndërtimin e xhamisë, të cilat do t’i paguante për dy vite. Vetëm pas një jave, ai solli gjysmën e parave që kishte premtuar. E pyetën se nga i kishte gjetur të gjitha këto para, sepse dinin se gjendja e tij ekonomike nuk ishte e kënaqshme. Ai tregoi se kishte shitur makinën dhe kishte ca kursime dhe duke i mbledhur ato ia kishte sjellë për ndërtimin e xhamisë. Zoti kaq shumë ia bekoi sakrificën, saqë shumë shpejt ai gjeti një punë me kohë të plotë dhe i dha mundësi të blinte një makinë tjetër, shumë më të mirë sesa që kishte më parë.

Ky shpirt i sakrificës gjendet tek ahmedianët në përgjithësi në çdo vend, jo vetëm këtu. Këtu ju kam paraqitur vetëm disa shembuj.

Parametrat e xhamisë

Do t’ju tregoj shkurtimisht disa parametra të truallit dhe të xhamisë. Projekti i xhamisë ishte nisur që në vitin 1999, kur i ishte bërë kërkesë komunës për të marrë leje ndërtimi. I nderuar Ihsanullah kishte blerë një tokë prej 5 mijë metra katrorë dhe ia kishte dhuruar Xhematit. Ky vend është i dalluar dhe shumë afër nga këtu kalon autostrada kryesore që e lidh Norvegjinë dhe Suedinë me pjesën tjetër të Evropës dhe po kjo autostradë lidh të gjitha qytetet e Suedisë dhe të Norvegjisë. Është një autostradë shumë e ngarkuar dhe që prej aty dallohet ndërtesa e lartë dhe tejet e bukur e xhamisë, duke u dhënë kështu udhëtarëve mesazhin e njëshmërisë së Zotit.

Allahu bëftë që ahmedianët  të përmbushin detyrën e tyre që u ngarkohet pas ndërtimit të xhamisë dhe kjo xhami gjithmonë të mbetet një mjet i fuqishëm i përhapjes së mesazhit dhe të njëshmërisë së Zotit dhe bukuria e saj e vërtetë, e cila në fakt është ndikimi shpirtëror i saj, gjithmonë të përhapë rrezet e saj.

Trualli, në të cilin gjenden ndërtesat e kompleksit, është 2353 metra katrorë. Gjithsej 5 godina janë ndërtuar. Më e madhja prej tyre është pikërisht xhamia, që quhet “Xhamia Mahmud”, e cila është ndërtuar mbi 1494 metra katrorë. Afërsisht po aq metra katrorë është salla e sportit. Përveç tyre, siç ju thashë, ka një shtëpi sipër dhe një shtëpi më vete. Xhamia ka dy salla, njërën mbi tjetrën, përkatësisht për burra e gra. Disa njerëz pyesin se përse e ndani sallën e grave nga xhamia. Kjo xhami është një përgjigje për pyetësit e tillë, në të cilën në të njëjtën godinë kemi salla edhe për burrat, edhe për gratë. Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, në këtë xhami mund të falin 1700 njerëz njëkohësisht, nëse përfshihet edhe salla e sportit. Pra, xhamia ka hapësirë shumë të madhe dhe është detyra e ahmedianëve vendas që të rrisin numrin e tyre dhe ta mbushin këtë xhami. … Keni përgjegjësi që me modelin tuaj t’i largoni keqkuptimet që vendasit i kanë për Islamin dhe t’i ftojini drejt njëshmërisë së Zotit.

Përgjegjësitë tona pas ndërtimit të xhamisë

Banorët dhe qeveria e këtij vendi duke na dhënë leje ndërtimi për xhami, kanë treguar dashamirësinë e tyre ndaj nesh. Tashmë ju keni për detyrë t’ua ktheni mirësinë me mirësi. Prandaj, afrojini sa më shumë drejt Zotit të Madhërishëm. Edhe detyra e ndërtimit të xhamisë përmbushet atëherë kur ta mbushni xhaminë me sa më shumë adhurues të Zotit të Madhërishëm. Ejani edhe vetë për të falur namaz në këtë xhami dhe sillni edhe të tjerët, duke përhapur mesazhin e Islamit në këtë vend. Kjo është ajo që na ka kërkuar Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Ai thotë:

Xhemati ynë, në këtë kohë, ka shumë nevojë për xhami. Xhamia është shtëpia e Allahut. Në fshatin a qytetin ku ndërtohet xhamia jonë, dijeni se është vënë themeli i përparimit të Xhematit atje. Dhe nëse ka ndonjë fshat a qytet, ku nuk ka muslimanë ose ka shumë pak dhe dëshironi ta përhapni mesazhin e Islamit aty, ndërtoni një xhami atje. Atëherë Zoti Vetë do të sjellë muslimanë drejt asaj xhamie, por me kusht që xhamia të ndërtohet me sinqeritet të plotë dhe vetëm për hir të Allahut. Ajo të mos jetë e përzierë me asnjë lloj interesi a keqdashje. Vetëm atëherë Zoti e bekon atë.

Xhemati duhet të ketë xhaminë e vet, e cila të ketë imam të Xhematit tonë, që ta udhëheqë xhaminë, të predikojë njerëzit ejt. Anëtarët e Xhematit gjithë së bashku në atë xhami duhet të falin namaz. Xhemati dhe bashkimi kanë bekime shumë të mëdha.

Këtë porosi duhet ta mbajnë mend ahmedianët e të gjitha vendeve, qoftë të Norvegjisë, qoftë të Danimarkës, qoftë të ndonjë vendi tjetër. Edhe popullimi i xhamisë synon njëshmërinë e Xhematit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Përçarja shkakton urrejtje, kurse në këtë kohë, ka shumë nevojë për bashkim. Gjërat e vogla të njëri-tjetrit duhet t’i tolerojmë dhe t’i anashkalojmë. Nuk duhen bërë paragjykime për gjëra të vogla, sepse ato krijojnë përçarje

Ne kemi bërë bejt në dorën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. që të veprojmë në përputhje me mësimet e Islamit dhe të mos bëhemi si ata, të cilët e kanë harruar Islamin e vërtetë dhe duke u përfshirë në bidate nga më të ndryshmet, kanë rënë në ndasi të thella ndaj njëri-tjetrit dhe kanë harruar vlerat njerëzore. Ndërsa ne duhet të harrojmë interesat tona vetjake dhe të përpiqemi për të arritur pëlqimin e Zotit të Madhërishëm. Duhet të marrim mësim nga të tjerët, që të krijojmë njëshmërinë tonë, duke përforcuar bashkimin ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, ndiqni rrugën që ju ka treguar Zoti i Madhërishëm.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke iu referuar xhamive dhe namazeve, na këshillon:

Zoti i Madhërishëm ka lënë më shumë shpërblim në namazin me xhemat (sesa në namazin individual), sepse namazet me xhemat krijojnë bashkimin. Jemi të urdhëruar të qëndrojmë drejt në namaz, këmbët tona duhet të jenë në një vijë, në mënyrë që të gjithë namazfalësit të llogariten si një trup i vetëm. Edhe porosia për të qëndruar bashkë me njëri-tjetrin në namaz erdhi, në mënyrë që ai që ka më shumë dritë, t’ia transmetojë tjetrit që është më i dobët dhe ta forcojë atë. Të mos mbetet asnjë dallim që mund të krijojë vetëpëlqim ose ego te ndokush.

Kjo ishte edhe dëshira e Mesihut të Premtuar a.s., që vetëpëlqimi dhe egoja të mos ekzistojnë brenda Xhematit dhe të gjithë të bëhen si një shpirt i vetëm. Ai vijon:

Mbani mend! Njeriu ka një forcë, që ai mund të tërheqë dritën shpirtërore nga tjetri. Për ta krijuar pikërisht këtë njësi, jemi të urdhëruar të falim namazet e përditshme në xhaminë e lagjes, të falim një namaz në javë në xhaminë e qytetit dhe të falim namazin e vitit, pra, të bajramit në fushën ku falet namazi i bajramit dhe të gjithë besimtarët e Tokës të bashkohen një herë në vit në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut. Të gjitha këto porosi synojnë njësinë dhe bashkimin. Që nga namazi e deri tek haxhi, synojnë që të gjithë muslimanët të bëhen një popull i vetëm, por fatkeqësisht, përçarja më e madhe sot është te muslimanët.

Pra, është detyra e muslimanëve ahmedianë, që të vendosin standardin e Islamit të vërtetë dhe të përhapin mësimet e vërteta të Islamit përmes modelit të tyre.

Në një vend tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Bukuria e vërtetë e xhamisë nuk është e lidhur me ndërtesën, por me namazxhinjtë që falen me sinqeritet dhe përkushtim të plotë në të. Ka plotë xhami nëpër botë që sot janë të braktisura. Xhamia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishte shumë e vogël. Çatia e saj ishte prej gjethe hurme. Kur binte shi, ajo pikonte. Por bukuria e saj ishte për shkak të namazxhinjtë. Edhe ata që donin botën kishin ndërtuar një xhami në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e cila u rrëzua me urdhrin e Allahut. Ajo xhami u quajt “zirar”, e cila u rrafshua me tokën. Porosia për ndërtimin e xhamive është që ato të ndërtohen mbi bazën e takvasë e devotshmërisë.

Kështu që, sakrificat që kanë dhënë burrat, gratë dhe fëmijët për ta ndërtuar këtë xhami, janë të pashembullta, sidomos fëmijët e pafajshëm që edhe sakrificat i kanë shumë të pastra nga çdolloj dukjeje. Kjo tregon që lutjet dhe mësimet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. na kanë dhënë frymëzimin për t’i dhënë përparësi besimit mbi botën. Dëshira jonë për të ndërtuar xhami, nuk lidhet aspak me çështjet e kësaj bote, por vetëm për të adhuruar Zotin e Madhërishëm, për të kërkuar pëlqimin e Tij, duke ndjekur rrugën e takvasë.

Prandaj, tani që kemi bërë një punë duke kërkuar pëlqimin e Zotit, duhet të shqetësohemi që pas kësaj të mos harrojmë qëllimin bazë të jetës sonë. Le të mos kuptojmë se ngaqë kemi ndërtuar një xhami të bukur dhe këtu mbaron detyra jonë. Realisht, pas ndërtimit të kësaj xhamie fillon detyra jonë kryesore. Këtë gjë të gjithë ata që banojnë këtu duhet ta kenë parasysh.

Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë tha:

“Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të Më adhurojmë Mua!” (Kurani Famëlartë 51:57)

Andaj, gjithmonë duhet të kemi parasysh që kemi nevojë ta përmbushim detyrën e adhurimit, detyrë e cila mund të përmbushet më së miri duke mbushur xhamitë, siç jua kam treguar më parë duke iu referuar një hadithi.

Shikoni pak se sa shumë Zoti i Madhërishëm dëshiron të na dhurojë dashurinë e Tij, të na bekojë përmes mëshirës së Tij! Nëpërmjet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Zoti i Madhërishëm na ka treguar që ai që fal namazin me xhemat duke ardhur në xhami, fiton 27 fish më shumë shpërblim sesa ai që e fal në shtëpi.

Në një hadith tjetër që rrëfehet nga Hazret Ebu Hurejra r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se ai që falet në xhami, fiton 25 herë më shumë shpërblim sesa ai që falet në shtëpinë apo në dyqanin e tij. Kështu është, sepse ai merr abdes në mënyrën më të mirë dhe niset drejt xhamisë në gjendje që vetëm namazi ta nxjerrë atë nga shtëpia për të shkuar drejt xhamisë. Për këtë arsye, çdo hap i tij i siguron një pozitë më të lartë shpirtërore dhe njëherësh i heq një gjynah të tij. Dhe derisa qëndron duke u falur në xhami, engjëjt i kërkojnë Zotit mëshirë për të dhe luten: O Allah! Mëshiroje këtë rob. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu tha se robi llogaritet të jetë në gjendje namazi edhe kur ai është duke pritur që namazi të fillojë.

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ai që shkon në xhami çdo mëngjes e çdo mbrëmje, Zoti i Madhërishëm do t’i bëjë mikpritje në xhenet. Pra, ata që vijnë në xhami, janë mysafirë të Allahut të Madhërishëm.

Le ta falënderojmë Zotin e Madhërishëm për këtë xhami edhe duke dashur njëri-tjetrin më shumë se përpara. Të gjithë ju që banoni këtu dhe të gjithë ahmedianët kudo që banojnë, keni për ta përmbushur edhe këtë detyrë falënderimi.

Kur të shkoni në xhami, përmbushni edhe detyrën e xhamisë. Pas ndërtimit të kësaj xhamie, detyra juaj është që t’u tregoni botës mësimet e Islamit më shumë se përpara. Ashtu siç na ka treguar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që mjeti për të bërë njerëzit muslimanë është edhe ndërtimi i xhamisë. Kjo do të realizohet atëherë kur ne do të veprojmë në bazë të mësimeve të Islamit dhe kur do të përhapim mesazhin e tij tek banorët e këtij vendi.

Njerëzit e këtij vendi, duke e parë xhaminë, patjetër që do të tërhiqen pas kësaj. Siç ju thashë që ndërtesa dhe kupola e saj e shndritshme duket nga larg, edhe nga autostrada, do të tërheqin vëmendjen e njerëzve. Por kjo tërheqje do të jetë për bukurinë e saj lëndore (fizike). Kurse bukuria e saj e vërtetë do të gjendet tek adhuruesit që do të jenë në të. Sakrificat që keni bërë nga një vrull i fuqishëm me rastin e ndërtimit të xhamisë, padyshim janë për të përgëzuar. Disa prej jush, sidomos të rinjtë dhe fëmijët, i kanë bërë këto sakrifica për shkak të përpjekjeve disa vjeçare. Por realisht, koha për të bërë sakrifica të vazhdueshme fillon tani. Bukurinë e jashtme të kësaj xhamie kthejeni në bukurinë shpirtërore dhe kjo ju kërkon përpjekje të vijueshme. Andaj, çdo ahmedian le të zotohet për të mbajtur gjallë bukurinë shpirtërore të kësaj xhamie.

Dy ajetet që kam recituar në fillim, i pari prej tyre është marrë nga sureja Teuba. Përkthimi i tij është:

Xhamitë e Allahut i ndërton vetëm ai që beson në Allah dhe në diten e ahiretit, që fal namazin dhe jep zekatin, që nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut. Mundet që njerëzit e tillë të gëzojnë udhëzimin. (Kurani Famëlartë 9:18)

(Për pjesën tjetër të fjalimit, ju lutemi të ndiqni videon. Faleminderit!)