Muslimanët e vërtetë mbrojnë të gjitha vendet e adhurimit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Hazuri gurthemeli xhamia

Më 19 prill 2017, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmed, vendosi gurin e themelit për xhaminë e parë të Xhematit Musliman Ahmedia në Marburg, një qytet universitar në Gjermani. Në fjalimin kryesor të tij, ai shpjegoi mësimet islame në lidhje me integrimin dhe ndërtimin e një shoqërie të harmonizuar. Duke shpjeguar konceptin e parajsës, ai tha se ne mund të përjetojmë parajsën në këtë botë duke manifestuar paqe dhe parime morale. Ai foli gjithashtu për rëndësinë e madhe që Islami i kushton arsimimit të grave për përmirësimin dhe përparimin e shoqërisë. Ky fjalim është përkthyer nga gjuha angleze dhe revista “Pasqyra e Religioneve” merr përgjegjësinë për të gjitha gabimet në përkthim.

Pasi recitoi teshehudin, te‘avvudhin dhe bismilahin, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar (a.t.b.a.) tha:

Së pari, do të doja t’ju përshëndesja me fjalët: Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju) për të gjithë miqtë tanë dhe t’ju jap dhuratën e paqes, harmonisë, dashurisë dhe dhembshurisë. Shikoj se sot, të pranishëm janë një numër i madh i fqinjëve tanë vendas. Fakti që ju keni pranuar këtë ftesë provon se ju jeni njerëz zemërhapur dhe pavarësisht se sa shumë dikush zgjat dhuratën e dashurisë, paqes dhe dhembshurisë, për të tillë njerëz kjo sërish është e pamjaftueshme. Në të vërtetë, vetëm kur ne jemi zemërhapur, kur kuptojmë njëri-tjetrin dhe kur dëgjojmë mendimet dhe pikëpamjet e tona, mund të vendosim paqen dhe harmoninë në shoqëri.

Për këtë, unë jo vetëm që ju shpreh mirëseardhjen me këtë përshëndetje për paqe, por ju përgëzoj për dëshirën e shprehur që të dëgjoni atë që të tjerët kanë për të thënë, gjë për të cilën ju jeni këtu.

Pjesëmarrja juaj sot, në një ceremoni kryesisht fetare për një komunitet musliman që është mbledhur për të hedhur themelet e xhamisë së tyre, provon se dëshironi të kuptoni diçka më tepër nga Islami. Në këtë rast, ardhja juaj nuk mund të jetë për ndonjë përfitim material të kësaj bote.

Natyrisht, shumë prej jush do të mendojnë: “Ne i kemi njohur ahmedianët për një kohë shumë të gjatë, njihemi me veprimtaritë e tyre dhe kemi marrëdhënie të mira me ta, por megjithatë dëshirojmë të marrim pjesë në ceremoninë ku vihet gurthemeli i xhamisë së tyre, për të ndjekur ritet dhe veprimtaritë që kryhen me këtë rast”.

Hazuri perurimi xhamia

[Shenjtëria e tij duke iu drejtuar audiencës në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit për xhaminë e parë të Xhematit Musliman Ahmedia në qytetin universitar të Marburgut në Gjermani. Rreth 150 të ftuar dhe personalitete morën pjesë në këtë event.]

Sidoqoftë, në lidhje me këtë, ju sigurisht jeni të denjë për t’u lavdëruar. Gjithashtu jam shumë i lumtur me ahmedianët vendas që jetojnë këtu, sepse duke ardhur këtu, ata kanë forcuar marrëdhëniet me fqinjët e tyre. Dhe si rezultat i këtyre marrëdhënieve dhe integrimit të ahmedianëve midis jush, ju keni pranuar ftesën e tyre dhe na nderoni në ceremoninë tonë.

Për sa i përket Xhematit Musliman Ahmedia, kudo që ne shkojmë, përhapim mesazhin e dashurisë, dhembshurisë, paqes dhe harmonisë dhe ky është mësimi i Islamit. Amir sahibi (President i Xhematit Musliman Ahmedia të Gjermanisë), përmendi se ne i shërbejmë komunitetit këtu në mënyrë vullnetare në shtëpitë e të moshuarve dhe po ashtu duke u angazhuar në bamirësi të tjera. Shërbimi ndaj krijesës së Zotit është detyrë e çdo personi; është detyra e çdo njeriu të ndihmojë vëllanë e tij pavarësisht nga besimi i tij. Si qenie njerëzore ne duhet të përpiqemi dhe të mësojmë të kuptojmë njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin si dhe të përmbushim nevojat e njëri-tjetrit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë adhurimi i dikujt nuk sjell asnjë dobi. Ja pse Kurani i Shenjtë ka shpallur qartë se ata që vijnë në xhami dhe paraqesin lutjet e tyre por pastaj lëndojnë njerëz, nuk i ndihmojnë të tjerët, nuk kujdesen për jetimët, nuk u shërbejnë të moshuarve nuk ndihmojnë të varfrin, nuk u shërbejnë të tjerëve dhe nuk përhapin paqen, dashurinë, dhembshurinë dhe harmoninë, lutjet e tyre nuk do të pranohen. Në të vërtetë, lutjet e tyre në thelb bëhen mëkatet e tyre. Kështu, Kurani i Shenjtë na urdhëron t’u shërbejmë të tjerëve. Për këtë arsye Xhemati Musliman Ahmedia, që ndjek mësimet e vërteta të Islamit, përpiqet të jetë pararojë në shërbimin dhe ndihmën ndaj të tjerëve.

Kryetari i Bashkisë në fjalimin e tij përmendi universitetin. Për sa i përket edukimit, Xhemati Musliman Ahmedia po luan një rol shumë të madh në përpjekje për të përhapur arsimimin në vendet më të varfra të botës. Por para se të diskutoj se si Xhemati Ahmedia po punon të zgjerojë mundësinë në arsimim, më lejoni të trajtoj një pikë interesante në lidhje me gratë, duke parë se shumë prej të pranishmëve janë dhe kjo tregon se në Xhematin Musliman Ahmedia, gratë janë më shumë të arsimuara sesa burrat. Bëhet fjalë për studentet e universitetit si edhe ato që janë duke marrë arsimim të mëtejshëm në profesione dhe disiplina të tjera. Kjo ndodh sepse kur një grua arrin një arsimim, arsimimi i saj nuk kufizohet vetëm te ajo. Sigurisht, kur burrat dhe gratë kërkojnë arsimim më të lartë dhe pastaj e përhapin atë më tej atëherë në një mënyrë apo tjetër ata i shërbejnë vendit dhe kombit të tyre përmes këtij arsimimi. Megjithatë, në këtë rast, gratë kanë një shtesë domethënëse mbi burrat, sepse pasi një grua plotëson arsimimin e saj, ajo ushqen dhe rrit fëmijët. Dhe ja pse Muhammedi s.a.v.s, Profeti i shenjtë i Islamit, thoshte se parajsa gjendet nën këmbët e nënës, sepse pasi ka marrë arsimimin, e përcjell këtë arsimim te fëmijët e saj dhe në këtë mënyrë i bën ata qytetarë të denjë dhe pasuri të vyer të vendit dhe të popullit të tyre. Kështu, ajo bëhet një mjet që i udhëheq ata në parajsë.

Koncepti i parajsës në Islam është i dyllojshëm. Ka një parajsë që në këtë jetë dhe një tjetër në jetën e përtejme. Dhe parajsa në këtë tokë fillon kur një person bëhet shembullor në karakterin e tij, kur zotëron parime të larta dhe në këtë mënyrë, kur ai adhuron Zotin e Madhërishëm, i trajton vëllezërit e tij dhe njerëzit e tjerë me dashuri dhe dhembshuri dhe nxit paqen, harmoninë dhe qetësinë. Sigurisht një person që përhap dhe nxit paqen, harmoninë dhe qetësinë, jo vetëm që i sjell siguri vetvetes duke u ndierë në një gjendje parajse, por gjithashtu bëhet mjet i krijimit të parajsës për të tjerët në këtë botë.

Hazuri perurimi xhamia

[Shenjtëria e tij vendos tullën e parë të themelit të xhamisë së ardhshme. Me ndërtimin e kësaj xhamie, ai nxit ahmedianët e Marburgut të bëhen fqinj edhe më të mirë se sa më parë dhe të përqendrohen në shërbimin ndaj njerëzimit.]

Nga njëra anë shikojmë ekstremistët që kryejnë akte terroriste, që shkojnë në një klub dhe vrasin civilë të pafajshëm, apo vrasin njerëz me bomba vetëvrasëse, apo krijojnë kaos e çrregullime në vende të tjera. Ne shohim se në disa vende muslimane, vetë muslimanët vrasin njëri-tjetrin dhe kryejnë vrasje edhe këtu në perëndim. Si pasojë, këta njerëz e kanë kthyer botën, të cilën Zoti i Gjithëfuqishëm e ka krijuar si një parajsë, në një ferr dhe për këtë arsye, ata nuk do të jenë të denjë për t’u vlerësuar.

Nga ana tjetër, janë muslimanët e mirë dhe njerëz të tjerë të mirë, qofshin ata të krishterë, hebrenj ose ndjekës të besimeve të tjera, të cilët përpiqen të përhapin paqen, harmoninë dhe dashurinë dhe në këtë mënyrë, me fjalë të tjera, ata e kanë transformuar këtë botë në një parajsë. Siç i përmenda më herët, edhe ata që ndihmojnë të tjerët krijojnë një parajsë në këtë botë. Lutjet e tyre do të pranohen nga Allahu i Madhërishëm dhe janë pikërisht këto lutje që i japin mundësi njeriut të fitojë parajsën në jetën e përtejme.

Siç e kam përmendur tashmë, adhurimi i dikujt nuk mund të kryhet vërtet nëse ai nuk u shërben qenieve të tjera. Aktet e adhurimit të një personi, të cilit i mungon simpatia, mëshira dhe dashuria, nuk kanë dobi. Megjithatë,vetëm ata njerëz që janë paqedashës dhe përhapin dashuri dhe dhembshuri, do të jenë vërtet në gjendje të provojnë jetën e parajsës në këtë botë dhe vetëm ata do të jenë në gjendje të përjetojnë parajsën në jetën tjetër dhe gjithashtu të udhëheqin të tjerët për tek ajo.

Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia tha se ai ka ardhur për të përmbushur dy objektiva të mëdhenj. Së pari, t’i bëjë të njohur njerëzimit Zotin e Madhërishëm, që ata ta adhurojnë Atë dhe të përmbushin të drejtat që Ai ka ndaj tyre. Së dyti, që njerëzimi të respektojë e të nderojë njëri-tjetrin dhe të përmbushin të drejtat respektive. Dikush më pyeti njëherë:

“Si mund ta vendosim paqen dhe harmoninë në botë?”.

Unë iu përgjigja: ”Nëse vërtet dëshirojmë të vendosim paqen dhe harmoninë, atëherë është e domosdoshme që në vend që të kërkojmë të drejtat që të tjerët na detyrohen, duhet të kërkojmë të përmbushim të drejtat që ne u detyrohemi atyre”. Ne mund të përhapim dashuri dhe dhembshuri vetëm kur përpiqemi të përmbushim të drejtat e të tjerëve. Pra kjo është pikëpamja e Xhematit Musliman Ahmedia për sa i përket adhurimit dhe shërbimit ndaj njerëzimit.

Hazuri perurimi xhamia

[Shenjtëria e tij duke iu drejtuar të pranishmëve. Në fjalim, Shenjtëria e tij vuri theksin te rëndësia e arsimimit për gratë, duke qenë se ato edukojnë qytetarët e brezit të ri dhe theksoi se në Xhematin Musliman Ahmedia, gratë janë edhe më të arsimuara se burrat.]

Deputeti i Parlamentit gjithashtu erdhi dhe foli për tolerancën dhe natyrisht, toleranca është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe siç e kam përmendur dhe më parë, vetëm përmes saj ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe mund të jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin. Ka religjione të ndryshme në botë, janë muslimanët, të krishterët, dhe hebrenjtë dhe ne, që jemi muslimanët e vërtetë, besojmë fuqimisht se të gjitha religjionet në zanafillë janë dërguar nga Zoti i Madhërishëm dhe besojmë plotësisht se themeluesit dhe profetët e çdo religjioni ishin njerëz të ndershëm. Ne besojmë te të gjithë profetët dhe themeluesit e shenjtë të të gjitha religjioneve, nga Profeti Adem deri te Profeti i shenjtë Muhammed s.a.v.s. dhe ky është mësimi i vërtetë i Islamit.

Ky është pra mësimi që nxit tolerancë. Asnjë musliman i vërtetë nuk mund të besojë se një fe e caktuar nuk është nga Zoti, apo se themeluesi i saj i shenjtë ishte gënjeshtar, apo të flasë keq për të. Në fakt, Allahu i Madhërishëm u ka mësuar muslimanëve tolerancën gjer atje, saqë në Kuranin e Shenjtë thotë që askush prej jush nuk duhet të flasë keq, as edhe për idhujt që adhurohen, sepse si pasojë adhuruesit e tyre mund të flasin keq për Zotin tuaj. Nëse ata e bëjnë këtë, ju do të ndieni keqdashje për ta dhe kjo do të ndezë çrregullim dhe do të bëjë që ju të intrigoni kundër njëri-tjetrit duke u shkaktuar dëm të tjerëve. Dhe kështu, në vend të dashurisë do të përhapet urrejtja.

Andaj, është detyrë e muslimanit të vërtetë që duke respektuar ndjekësit e të gjitha besimeve dhe duke pohuar besimin e tij te të gjithë profetët dhe të dërguarit, të jetë i vetëdijshëm të mos flasë keq, madje edhe kundër idhujve, që populli i lidh me statusin e shenjtë të Zotit të Madhërishëm, sepse kjo potencialisht mund të shkaktojë konflikt. Pra, këto janë standardet e përhapjes së paqes, harmonisë, dashurisë dhe dhembshurisë që Islami na ka mësuar. Ka religjione të ndryshme dhe zakone të ndryshme. Por Allahu i Madhërishëm ka thënë në Kuranin e Shenjtë se nuk ka detyrim në fe, edhe nëse ne besojmë se Islami është religjioni përfundimtar dhe se të gjitha cilësitë e mira të religjioneve të tjera mund të gjenden në Islam. Muslimani i vërtetë i ndjek të gjitha këto mësime. Siç përmenda më parë, Allahu i Madhërishëm ka deklaruar shumë qartë në Kuranin e Shenjtë se njeriu duhet të besojë te të gjithë profetët. Kështu, kur ne besojmë plotësisht dhe aderojmë në këto parime, tradita të ndryshme dhe religjione nuk mund të krijojnë asnjë ndjenjë urrejtjeje tek cilido prej nesh.

Njerëzit pretendojnë se Islami është një fe e ekstremizmit, një fe e terrorizmit. Por kjo nuk është ajo që na mëson Islami. Ata që kryejnë akte të tilla nuk e kanë kuptuar kurrë Islamin dhe madje nuk e kanë praktikuar atë asnjëherë. Në fakt, vitin e kaluar një gazetar francez udhëtoi në një zonë të pushtuar nga Daesh [ISIS] dhe pyeti disa prej anëtarëve të tij nëse gjithë mizoria dhe padrejtësitë që ata kishin kryer ishin pjesë e mësimeve të Islamit. Shumë prej tyre u përgjigjën se ata nuk e kishin lexuar kurrë Kuranin e Shenjtë dhe nuk kishin dijeni për mësimet e tij. Ata thanë, se gjithçka që dinin është që duhet të bënin ishte të zbatonin urdhrat e udhëheqësve të tyre. Prerjet e kokave, dhuna dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm nuk kanë fare të bëjnë me mësimet e Islamit dhe janë thjesht veprime të tyre personale që i kryejnë me urdhër të udhëheqësve të tyre.

Pra, është e pamundur që Islami të mësojë gjëra të tilla. Pas një periudhe të gjatë persekutimi, Profeti i Shenjtë u detyrua të emigronte nga Meka në Medinë dhe sipas të dhënave historike autentike, jobesimtarët e sulmuan atë edhe atje. Vetëm atëherë Allahu i Madhërishëm dha lejen për muslimanët që të merrnin pjesë në betejë. Megjithatë, në Kuranin e Shenjtë është shpallur gjithashtu shumë qartë që nëse shtypësit nuk ndalohen, atëherë ata janë vërtet armiqtë e besimit në përgjithësi. Është shkruar në një ajet të Kuranit të Shenjtë që nëse dora e shtypësve nuk do të ndalej, asnjë kishë, sinagogë, tempull apo xhami nuk do të mbetej, ku përkujtohet shpesh emri i Zotit dhe ku njerëzit mblidhen për adhurim.

Andaj, ky është mësimi i vërtetë i Islamit për tolerancën dhe bashkëjetesën me të tjerët që i përkasin feve dhe besimeve të ndryshme. Kjo është arsyeja që kudo që ne ndërtojmë xhami, përpiqemi shumë që përpara të përhapim mësimet e vërteta të Islamit.

Unë kam thënë shpesh se ky ajet i Kuranit të Shenjtë që paralajmëron se armiqtë e besimit nëse nuk ndalohen, do të përpiqen ta eliminojnë fenë, na tërheq vëmendjen për faktin se ne si muslimanë ahmedianë jemi të detyruar të mbrojmë jo vetëm xhamitë tona, por edhe kishat, sinagogat dhe shtëpitë e adhurimit të besimeve të tjera.

Kështu që, ne i ndërtojmë xhamitë bazuar në këtë mësim të bukur dhe në këtë koncept të Islamit. Dhe ndërsa është detyrë për ne të mbrojmë xhaminë tonë, ta mbajmë atë të pastër dhe të krijojmë një atmosferë të pastër rreth saj, po ashtu është detyra jonë të mbrojmë edhe vendet e tjera të adhurimit përreth nesh që u përkasin besimeve të tjera, për të krijuar një atmosferë të pastër edhe rreth tyre.

Folësi nga Asambleja Kombëtare shprehu gjithashtu mendimet e tij. Në lidhje me këtë, unë do të doja të thosha se është një gjë shumë e rëndësishme që të gjithë folësit kanë shprehur se anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia janë bërë pjesë vitale e këtij kombi dhe janë integruar plotësisht në shoqëri. Ky është një atribut që duhet ta ketë çdo anëtar i Xhematit Ahmedia dhe në rast se nuk e ka ndokush, do të thotë se ai nuk i ndjek mësimet e vërteta të Islamit.

[Pas marrjes së shtetësisë gjermane, muslimanët ahmedianë kanë obligim fetar për të qenë besnikë ndaj Gjermanisë pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës. Profeti i Shenjtë Muhammed s.a.v.s. ka thënë se besnikëria ndaj vendit është pjesë e besimit.]

Pas marrjes së shtetësisë gjermane, një ahmedian që ka ardhur nga Pakistani, Afrika apo nga ndonjë vend tjetër, duke qenë se është tashmë qytetar gjerman, është detyra e tij të jetë besnik ndaj këtij vendi. Shtetësia e tij e mëparshme ka përfunduar dhe tani ai është një qytetar gjerman. Ata që kanë emigruar nga Pakistani tani janë qytetarë gjermanë dhe janë të detyruar [të jenë besnikë ndaj vendit të tyre], sepse Profeti i Shenjtë i Islamit, Hazret Muhammedi s.a.v.s. ka thënë se dashuria për vendin është pjesë e besimit. Andaj, ky është një parakusht i besimit tonë që në çdo vend ku një ahmedian jeton, ai duhet ta dojë vendin dhe të përpiqet për përmirësimin e tij si dhe të përhapë dhe të propagandojë mesazhin e dashurisë, paqes dhe dhembshurisë tek ai popull.

Nëse praktikojmë në këtë mënyrë, është e pamundur që dikush të ketë rezerva për mësimet e Islamit. Dhe ne ahmedianët përpiqemi të ndjekim këtë mësim si dhe të informojmë botën se ky është mësimi i vërtetë i Islamit dhe se te ne, ata nuk do të gjejnë asgjë veç dashurisë, dhembshurisë dhe tolerancës. Pas ndërtimit të xhamisë, dashtë Zoti, ju do të konstatoni se ahmedianët që jetojnë në këtë zonë, do të përpiqen të përmbushin të drejtat e të tjerëve edhe më tepër se më parë, sepse Profeti i Islamit s.a.v.s dhe Kurani i Shenjtë kanë thënë se fqinjët tuaj kanë disa të drejta ndaj jush, dhe në fqinjësi përfshihen ata që jetojnë pranë shtëpisë suaj, kolegët tuaj të punës madje dhe ata që janë në udhëtim me ju. Çdo ditë, njerëzit udhëtojnë për punë për shumë kilometra në autobusë dhe trena dhe kështu ata konsiderohen të jenë fqinjët tuaj, qofshin ata të njohur për ju apo jo. Profeti i Islamit s.a.v.s. tha se Allahu i Madhërishëm e nxiti aq fuqishëm për dashamirësinë ndaj fqinjëve, saqë ai mendoi se ata mund të përfshihen edhe trashëgiminë e pronës. Pra, ky është statusi i fqinjit në Islam dhe është detyra jonë të përmbushim të drejtat e fqinjëve tanë dhe ne duhet ta plotësojmë këtë detyrë.

Unë shpresoj se kur kjo xhami të jetë ndërtuar, fqinjët e xhamisë sonë si dhe të gjithë fqinjët e atyre që falen në vendet e tyre përkatëse të adhurimit, do të marrin mesazhin e paqes, harmonisë, dashurisë dhe dhembshurisë edhe më tepër se më parë. Dhe dashtë Zoti, ne jo vetëm që do ta shfaqim këtë mesazh të dashurisë dhe dhembshurisë përmes fjalëve tona, por do ta tregojmë edhe me vepra, përmes sjelljes sonë. Në të kundërt, nuk ka dobi as religjioni dhe as arsimimi. Religjioni nuk ka asnjë dobi nëse pasi jemi diplomuar në universitete, kryejmë akte terrori. Feja e vërtetë është ajo që përhap dashurinë dhe dhembshurinë dhe kjo gjendet në mësimet e Islamit. Jam i sigurt se pasi kjo xhami do të jetë ndërtuar, ju do të merrni mesazhin e dashurisë, dhembshurisë, simpatisë dhe vëllazërisë nga ahmedianët e këtushëm, dashtë Zoti.

Ju faleminderit!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp