Biri i premtuar: Profecia dhe personi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Biri i premtuar: Profecia dhe personi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Dje ishte 20 shkurt, dita që mban rëndësi të veçantë në xhemat, në lidhje me profecinë rreth birit të premtuar. Në këtë profeci, Mesihu i Premtuar alejhiselam kishte paralajmëruar për lindjen e një djali, i cili do të ishte i dëlirë, fisnik dhe i pajisur me mjaft veti të larta. Në xhumanë e kaluar kisha folur rreth shenjave të Mesihut të Premtuar alejhiselam, dhe meqë xhumaja e sotme vjen menjëherë pas 20 shkurtit, andaj kam vendosur të diskutoj rreth kësaj profecie, të cilën Mesihu i Premtuar alejhiselam ka quajtur një shenjë madhore. Duke iu përgjigjur kundërshtarëve, ai shkruan:

“Ndonëse ju ngrini akuza, është përtej aftësisë njerëzore që dikush të bëjë një profeci të tillë. Këtu nuk parashikohet vetëm lindja e një djali, por të atij djali i cili do të jetë i pajisur me cilësi të rralla, që do të gëzojë një jetë të gjatë dhe do të lindë gjatë jetës sime. Nëse dikush studion këtë deklaratë me imtësi dhe drejtësi, atëherë nuk i mbetet asnjë dyshim për ta pranuar si shenjë nga Zoti. Nëse keni dyshime, atëherë nxirrni qoftë edhe një profeci që përmban një shenjë të tillë. Duhet të hapni sytë se kjo nuk është një profeci e zakonshme, por është një shenjë e jashtëzakonshme qiellore.”

Meqë qëllimi i ardhjes së tij ishte të provonte vërtetësinë e Islamit dhe madhështinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. anembanë botës. Andaj, duke parashtruar këtë profeci dhe shenjë, ai nuk dëshiron të mëtojë se gjoja ajo mbështeste vërtetësinë e tij, por deklaron se Zoti i Madhërishëm ka shfaqur atë shenjë hyjnore në mbështetje të vërtetësisë dhe epërsisë të Profetit tonë të dashur e të dhembshur Muhammed s.av.s. Ai gjithashtu shkruan se kjo shenjë është më e madhe, më e përsosur dhe më e shkëlqyer sesa të ringjallet dikush nga vdekja. Duke shtjelluar më tej, ai shton se ringjallja është vetëm kaq se të ndahet shpirti përkohësisht nga trupi dhe të rikthehet, siç tregon Bibla rreth Isait alejhiselam dhe profetëve të tjerë. Megjithatë ka mjaft kritika edhe për saktësinë e tyre. Edhe nëse e pranojmë ringjalljen e dikujt nga vdekja, kjo nuk i sjell asnjë dobi botës. Ndërsa këtu fal bekimeve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Zoti i Madhërishëm duke pranuar lutjen time, ka premtuar që do të më bekojë me një shpirt të bekuar, përmes të cilit do të përhapen bekime të dukshme dhe të padukshme në të gjitha anët e botës.

Ai vijon duke thënë:

“O njerëz! Çfarë jam unë dhe çfarë është e vërteta? Çdokush që më sulmon mua, në të vërtetë tenton të sulmojë prijësin tim, Profetin Muhammed s.a.v.s. Por, ai duhet të dijë se nuk mund të hedhë baltë mbi diellin, përkundrazi balta bie mbi kokën e tij, ia fëlliq sytë dhe surratin dhe e poshtëron dhe e turpëron. Nderi dhe madhështia e të Dërguarit të Allahut nuk do të pakësohet nga armiqësia dhe urrejtja e tij, madje Zoti do ta shfaqë atë më qartë se kurrë. A mund të ndaloni lindjen e diellit në agim? Po kështu a vallë mund t’i sillni dëm diellit të vërtetësisë së Profetit Muhammed s.a.v.s.? Zoti ju largoftë urrejtjet e armiqësitë tuaja.”

Përmes kësaj thirrjeje Mesihu i Premtuar alejhiselam iu drejtua atyre jomyslimanëve të cilët kishin ngritur akuza dhe kritika ndaj Islamit. Megjithatë, si rezultat i kësaj profecie në vitin 1889 lindi ai djalë i premtuar, i cili do të realizonte veprat madhore për vendosjen e epërsisë së Islamit dhe për ngritjen e madhështisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilat do të mbaheshin në mend deri në fund të botës. Madje, edhe të tjerët kanë vlerësuar këto arritje.

Para se të diskutoj gjerësisht arritjet e Birit të Premtuar r.a., mendoj se është në vend që t’ju parashtroj fjalët origjinale të profecisë, që të njohim rëndësinë, madhështinë dhe vlerën e saj.

Mesihu i Premtuar alejhiselam shkroi një njoftim më 20 shkurt 1886 me titullin “Libri Siraxhi Munir i bazuar në shenjat e Zotit të Plotfuqishëm”, dhe i cili u botua në gazetën Rijadi Hind të Amritsarit më 1 mars 1886. Në këtë njoftim shkruhej:

“Ndër këto tri lloj profecish, të cilat do të shënohen hollësisht në këtë libër, profecia e parë lidhet personalisht me të nënshkruarin. Sot më 20 shkurt 1886 ose 15 Xhemadil Evel sipas kalendarit hixhri, shkruhen fjalët e Zotit në mënyrë të përmbledhur, ndërsa me imtësi do të botohen në libër. Insha Allah

Profecia e parë sipas shpalljes së Zotit të Lartësuar. Allahu Mëshirëplotë, Fisnik, i Lartësuar dhe i Madhërishëm, i Cili zotëron fuqi për të bërë gjithçka që do Ai (qoftë i Lavdëruar dhe u lartësoftë emri i Tij), m’u drejtua përmes shpalljes dhe tha:-

“Unë të jap shenjën e mëshirës në përputhje me atë që më kërkove. Kështu që unë i dëgjova përgjërimet e tua dhe të pranova lutjet nëpërmjet mëshirës Sime dhe bekova udhëtimin tënd (të Hoshiarpurit dhe të Ludianës) për ty. Prandaj të jepet shenja e fuqisë, mëshirës dhe të afërsisë Sime. Të jepet shenja e mirësisë dhe të dashamirësisë dhe të dorëzohet çelësi i fitores dhe i triumfit. O Fitues! Paqja qoftë mbi ty. Kështu tha Zoti që ata të cilët kanë lakmi për jetën të lirohen nga kthetrat e vdekjes dhe ata që janë të mbyllur në varr të dalin jashtë dhe që epërsia e Islamit dhe dinjiteti i fjalës së Zotit t’u shfaqet njerëzve dhe që vërtetësia të arrijë me të gjitha bekimet e saj dhe e rrema të arratiset me të gjitha ligësitë e saj. Dhe që njerëzit të kuptojnë se Unë jam i Plotfuqishëm, bëj ashtu, siç më pëlqen dhe që ata të binden se Unë jam me ty dhe që ata të cilët nuk pranojnë qenien e Zotit dhe mohojnë e kundërshtojnë Zotin, fenë e Tij, librin e Tij dhe të Dërguarin e Tij të shenjtë, Profetin e zgjedhur, Muhamed paqja dhe mësira e Allahut qofshin mbi të, të gjejnë një shenjë të qartë dhe që të dallohet rruga e fajtorëve.

Prandaj, gëzohu që do të të jepet një djalë i pashëm dhe i çiltër. (Huzuri shton se Allahu i Lartësuar hoqi çdolloj dyshimi apo hamendje se djali nuk do të lindë në brezin pasardhës, por do të jetë djali i tij). Do të të dhurohet një djalë i ri dhe i bukur. Ky djalë po vjen si msyafiri yt. Emrat e tij janë edhe Emanuel dhe Bashir. Atij i është dhënë fryma e shenjtë dhe është i pastër nga çdo lloj ligësie. Ai është drita e Allahut. I bekuar është ai që vjen prej perëndisë. E shoqëron bekimi që vjen me të. Madhështia, fisnikëria dhe pasuria do ta karakterizojnë atë. Ai do të vijë në këtë botë dhe do t’u shërojë sëmundje shumë njerëzve përmes cilësive të tij të Mesihut dhe bekimeve të shpirtit të shenjtë. Ai është fjala e Zotit sepse mëshira dhe nderi i Zotit e kanë pajisur me fjalën e madhështisë. Ai do të jetë jashtëzakonisht i zgjuar dhe mirëkuptues dhe i butë nga zemra. Ai do të begatohet me dituri të dukshme dhe shpirtërore. Ai do të kthejë tri në katër (kuptimi i këtij nuk është i qartë). Është e hënë, e hëna e bekuar. Djali, kënaqësia e zemrës.

Shumë i lart, fisnik, manifestimi i të Parit dhe të Fundit, manifestimi i së Vërtetës dhe të Lartit; sikur vetë Zoti ka zbritur në tokë. Ardhja e tij është shumë e bekuar dhe do të jetë burimi i manifestimit të madhështisë hyjnore. Vini re, vjen një dritë, dritë të cilën Zoti ka lyer me aromën e pëlqimit të Tij. Ne do të mbushim atë me frymën Tonë dhe ai do të qëndrojë nën hijen e Zotit. Ai do të rritet shpejt dhe do të bëhet mjeti i lirimit të atyre që janë në skllavëri. Fama e tij do të arrijë deri në skajet e botës dhe kombet do të gjejnë bekimin përmes tij. Atëherë ai të ngrihet te vendi i tij në qiell. Kjo është një çështje e dekretuar.

 [Ishtihar (njoftim) 20 shkurt 1886, Mexhmua Ishtiharat (Mbledhja e njoftimeve), vëll. I, f. 100-103, Londër]

Pra, siç kam thënë më parë, se këto ishin ato cilësi dhe atribute të cilat duhet të zotëronte ky djalë, e pastaj kur lindi ky djalë, e gjithë bota dëshmoi sesi ai vazhdoi të shërbente për 52 vjet në krye të kalifatit me veti të tij pakundshoqe. Po të shqyrtojmë jetën e Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit r.a., do të na duheshin libra të tërë për ta mbuluar atë. Nuk mjafton një fjalim apo një hytbe për të trajtuar gjithë jetën dhe arritjet e tij. Në xhemat çdo vit organizohen mbledhje më 20 shkurt, në lidhje me këtë profeci dhe përmbushjen e saj, dhe oratorët dhe dijetarët sipas njohurisë dhe intelektit të tyre. Edhe unë kam prekur disa herë këtë temë. Hazret Kalifi III r.a. dhe Kalifi IV r.a. gjithashtu kanë folur rreth këtyre temave. Megjithatë, nuk mund të themi se jeta e Kalifit II r.a. apo të gjitha aspektet e kësaj profecie janë trajtuar apo janë perceptuar nga të gjithë. Edhe unë dëshiroj të parashtroj disa çështje lidhur me këtë profeci dhe jetën e Musle Maudit r.a. Këto çështje lidhen jo vetëm me temën e profecisë, por edhe me mbresat që njohuria dhe intelekti i tij la jo vetëm tek anëtarët e xhematit por edhe tek ata jashtë xhematit. Fillimisht, dua të paraqes një analizë të shkurtër të librave, fjalimeve dhe ligjëratave të Kalifit II r.a. Asokohe nuk ekzistonte ndonjë sistem të mirëfilltë regjistrimi, andaj disa prej fjalimeve të tij janë ruajtur plotësisht, ndërsa disa të tjerë jo. Ishin kopjuesit që i shkruanin njëkohësisht, dhe disa herë nuk arrinin dot ta ndiqnin atë.

Fondacioni Fadli Umer po boton të gjitha veprat e tij si libra, fjalime dhe ligjërata nën titullin “Envarul Ulum” d.m.th. Rrezet e dijes. Deri tani janë botuar 24 vëllime, të cilat përfshijnë 633 ligjërata, fjalime dhe libra. Sipas projektit të fondacionit, do të botohen gjithsej 32 vëllime. Kështu që numri përfundimtar i ligjëratave arrin pothuaj tetëqind, ndërsa fjalimet dhe librat janë afërisht tetëqind e pesëdhjetë. 24 vëllime janë botuar deri tani, ndërsa nga 25 deri në 29 janë gati për botim. Këto përfshijnë 163 libra, ligjërata dhe fjalime. Kështu që në fund do të mbeten vetëm 3 vëllime të tjera për t’u botuar. Dhe numri i përgjithshëm i librave, fjalimeve dhe ligjëratave arrijnë tetëqind. Sipas listës që kam në dispozicion, fjalimet e xhumasë, të bajrameve dhe ato të mbajtura në ceremonitë e nikahut janë 2076. Fjalimet e mbajtura deri në vitin 1948 janë botuar nën titullin Khutbati Mahmud në 28 vëllime, me 1602 fjalime, ndërsa ato pas vitit 1948 deri në 1959 do të dalin së shpejti në vëllimet 29 deri në 39 me afro 500 fjalime të tjera.

Kjo është një analizë e përmbledhur. Nëse u hedhim vështrim veprave të tij intelektuale, dhe t’i lexojmë të gjitha fjalimet dhe ligjëratat e tij, ato na shfaqen si perla të çmuara të diturisë dhe njohurisë, sikurse janë burime të pashtershme të dijes. Kalifi III r.a. njëherë duke analizuar një aspekt të personalitetit të tij, pra “ai do të përsoset me dije të dukshme të padukshme”, ishte shprehur se vetëm kjo fjali mban botëkuptime dhe studime aq të gjera saqë nuk mund të përfundojë.

Në lidhje me këtë ai ishte shprehur se interpretimi i Kuranit Famëlatë me titullin Tefsiri Kebir është në vetvete një interpretim mahnitës. Çdo person, që të ketë studiuar qoftë edhe një pjesë të tij, duhet të arrijë me doemos në këtë përfundim se nëse dikush nga robërit e Zotit të realizonte dhe të botonte vetëm këtë pjesë të interpretimit të Kuranit, atëherë ky kontribut i tij do të mjaftonte për t’ia siguruar atij vlerësimin dhe nderimin më të madh të asaj kohe. Por, nuk janë vetëm këto, ai shkroi mjaft libra rreth botëkuptimit të Kuranit. Një herë Kalifi III r.a. kishte thënë se Kalifi II r.a. kishte shkruar më shumë se tetë apo dhjetë mijë faqe mbi interpretimin e Kuranit. Vetëm dhjetë vëllimet e Tefisir Kebir-it, pra të interpretimit të Kuranit, përbëjnë pothuaj gjashtë mijë faqe, dhe përveç këtyre janë shënimet rreth sureve, dhe shpjegime të ajeteve që ai trajtoi në raste të ndryshme gjatë fjalimeve të tij.

Sipas analizës së Kalifit III r.a. , ai kishte shkraur më shumë se dhjetë libra dhe artikuj rreth prozës. Tefsiri Kabir pra interpretimi i Kuranit përbëhet nga dhjetë vëllime. Ato mbajnë interpretimin e suresë el-fatihe, el-Bekare, pastaj nga sureja Junus deri tek el-Enkabuti, d.m.th. nga sureja e dhjetë deri në njëzet e nëntë. Pastaj nga suera en-Naba deri në sure en-Naas. Pra, janë gjithsej 59 sure, të cilëve u është bërë interpretimi, dhe ky interpretim shtrihet në më shumë se 6000 faqe, madje edhe ato me një shkrim shumë të vogël. Po të ribotohen ato, sipas standardeve të sotme, do të jenë më shumë se 10 apo 12 mijë faqe. Megjithatë, ribotimi i tij është në vazhdim, dhe së shpejti do të dalë nga shtypi. Pra, në këtë mënyrë atij, i mungojnë 55 sure, të cilat nuk janë shpjeguar, prej 114 sure që gjenden në Kuran.

Ka dhjetë libra rreth prozës. AI shkroi 31 libra rreth çështjeve shpirtërore, moralit dhe besimit Islam. Hartoi 13 vepra rreth jetëshkrimit apo biografisë. Përpiloi 4 punime rreth historisë. 3 libra trajtojnë problemet e jurisprudencës Islame. Para ndarjes së Indisë, ai shkroi 25 vepra e artikuj që merreshin me çështje politike, ndërsa pas ndarjes së Indisë dhe formimit të shtetit Pakistan ai shkroi 9 libra e shkrime për tematikën politike. 15 librat dhe shkrimet e tij trajtojnë çështjen e Kashmirit. Përpos kësaj më shumë se 100 libra apo shkrime shtjellojnë çështje të veçanta të Ahmedijatit apo të lëvizjeve të tjera. Pra, përveç kësaj janë edhe mjaft shkrime të tjera që trajtojnë tema të tjera, dhe kështu ky numër arrin deri në 800.

Kalifi III r.a. ishte shprehur se nëse analizojmë vetëm thënien Ai do të begatohet me dituri të dukshme dhe shpirtërore” atëherë në veprat e tij kolosale, rrezatohen edhe dituri të dukshme si dhe të padukshme. Madje, çdokush që lexoi librin apo shkrimin e tij, u shpreh se ajo çështje nuk mund të shpjegohej më mirë se ai. Ai kur mori udhëheqje politike, atëherë i dha popullit këshilla aq dinjitoze dhe largpamëse, saqë edhe kundërshtari lavdëroi aftësinë e tij të jashtëzakonshme udhëheqëse.

Pra, ky aspekt i jetës së tij kërkon një studim më të gjerë, dhe nuk mund të arrijmë as edhe një për qind të tij. Me fjalë të Kalifit III r.a., vetëm Tefsiri Kebir është i mjaftueshëm për të provuar nivelin e tij të jashtëzakonshëm. Sigurisht këto tefsire parashtruan një metodologji të re për të zbuluar botëkuptime dhe tematika të thella të Kuranit Famëlartë, dhe kështu do të shfaqen meritat e Kalifit II r.a. Dua të paraqes përshtypjet e disa prej intelektualëve.

Nijaz Fatehpuri në një letër drejtuar Kalifit II r.a. shkruan:

“Vëllimi i tretë i Tefsiri Kebirit gjendet para meje, dhe unë e shoh me admirim dhe vlerësim të veçantë. Nuk ka asnjë dyshim se keni krijuar një këndvështrim plotësisht të ri për studimin e Kuranit, dhe ky interpretim sjell një zhanër të ri të llojit të tij, i cili shkrin mrekullisht logjikën e teorinë. Thellësia e njohurisë së tij, shtrirja e gjerë e botëkuptimit, intelekti dhe mendimi i jashtëzakonshëm, metoda e shkëlqyer e argumentimit shfaqen nga çdo fjalë. Unë brengosem me keqardhje, se deri tani isha i panjohur nga këto. Ah sikur të kisha studiuar të gjitha vëllimet e tij. Dje gjatë studimit të sures Hud, m’u kënaq shpirti duke mësuar mendimet tuaja rreth Lutit alejhiselam. Madje jam shtyrë natyrshëm dhe në mënyrë të pavetëdijshme për të shkruar se mënyra si ju keni shpjeguar pjesën ھولاءِ بناتی  d.m.th. këto janë bijtë e mia, që është krejtësisht ndryshe nga komentuesit e tjerë, nuk gjej fjalë për ta lavdëruar atë.  Zoti ju ruajttë.”

Pastaj po ky dijetar Nijaz Fatehpuri në një letërkëmbim tjetër shkruan:

Tefsiri Kebirin e kam pasur gjatë gjithë kohës objektin e studimit tim dhe e kam shfletuar vazhdimisht në darkë. Si e kam gjetur, është një çështje që do përgjigje të detajuar. Megjithatë, shkurt mund të kuptoni se sipas meje, ky është tefsiri i parë në gjuhën Urdu, i cili në përgjithësi arrin të qetësojë mendjen njerëzore. Nuk ka asnjë dyshim se instituti juaj, përmes këtij tefsiri i kanë bërë një shërbim të madh Islamit. Ky shërbim është aq i madh saqë as kundërshtarët tuaj nuk mund ta mohojnë.”

z. Ekhter Urenvi, kryetar i departamentit të gjuhës Urdu në Universitetin e Patna-së, duke rrëfyer ngjarjen rreth prof. Abdul Mannanit ish-kryetar i departamentit të persishtes në këtë universitet, thotë:

“Unë njëra pas tjetrës vëllimet e Tefsiri Kebirit të Kalifit II r.a. i dhashë prof. Abdul Mannan-it ish kryetar i departamentit të gjuhës perse në Universitetin e Patna-së, dhe dekani aktual i Kolegjit të Patnasë. Ai mori aq shumë përshtypje duke lexuar ato, saqë u dha disa prej tyre sheikëve të Medresesë Arabe Shemsul Huda që t’i lexonin, dhe një ditë i ftoi që të diskutonin rreth tyre. Një sheik pohoi se nuk ka asnjë tefsir në gjuhën perse që të krahasohet me të. Prof. Abdul Manani i pyeti: Po, çfarë mendim keni rreth Tefsirëve në gjuhën arabe? Sheikët nuk iu përgjigjën, e pastaj njëri prej tyre tha se të gjitha tefsiret në gjuhën arabe, nuk mund të gjenden në Patna. Një vlerësim a gjykim i drejtë mund të jepet vetëm pas studimit të të gjitha tefsireve nga Egjipti a Siria. Profesori i pyeti rreth tefsireve të vjetra në gjuhën Arabe e tha: Nuk ka asnjë tefsir i cili mund të qëndrojë përballë tefsirit të Mirza Mahmudit. Ju mund të porositni edhe interpretimet bashkëkohore, e pastaj mund të ulemi sërish për të diskutuar rreth tyre. Ata dijetarë të gjuhës arabe e perse mbetën me gojë hapur.

Avokat Sjed Xhafer Husejn dërgoi një shkrim të gjerë në gazetë  Sidki Xhedid, ku ndër të tjerat ai shkroi: Kur përpjekjet e mia për të arritur shtetin Islamik më çuan në burg, atëherë në ditën e tretë m’u dorëzuan arsyet e ndalimit tim në shkrim. Aty shënoheshin fragmentet e fjalimeve të mia të mbajtura gjatë tri-katër viteve të fundit. Isha akuzuar se kam kurdisur plane për të përmbysur shtetin Indian dhe kam tentuar që ta zëvendësojë me qeverinë Islame. Unë isha i çuditur se ku qenkam unë, dhe ku qëndron një akuzë aq e rëndë. Por, dalëngadalë kuptova se çdokush do ta nxirrte po atë mesazh nga fjalimet e mia. Unë ju kam treguar se qeshë një udhëtar i humbur, i cili e dinte mirë destinacionin por ama nuk ishte njohur me rrugën. Qoftë Organizata e Bashkimit të Muslimanëve apo ndonjë Grup tjetër, të gjithë janë në të njëjtën gjendje.

Ditën tjetër fillova të studioja Tefisiri Kebirin, të cilin më kishte dhuruar një shok dhe ai e kishte marrë me veten në burg. Duke lexuar atë, zbulova një Islam plot gjallëri. Aty gjeta gjithçka që kisha kërkuar deri tani. Duke lexuar Tefsiri Kebirin, u njoha për herë të parë me Kuranin Famëlartë. Nuk është e lehtë të lësh botëkuptimin tënd, dhe të hysh në një xhemat, të cilin dijetarët musliman e kanë kthyer në një lugat.  Por, pas shfaqjes së të vërtetës, kush do t’u trembej rreziqeve. Megjithatë, duke rënë në sexhde, u angazhova në lutje se o Zot! Udhëhiqmë në rrugën e drejtë. Kaluan disa muaj në këtë gjendje. Ju them sinqerisht se vendi i sexhdes sime, njomej me lotët. Jam i bindur se lutjet e mia u pranuan sepse bindja ime për vërtetësinë e Ahmedijatit u konsolidua akoma më shumë. Pastaj, i shkrova Mirza Waseem Ahmed sahibit se dua të anëtarësohem në xhemat. Periudhën më të madhe të dënimit, kalova në burgun e Sikenderabadit. Shefi i burgut ishte një musliman me njohuri mjaft të thellë për çështjet fetare. Policia kontrollon gjithë letërkëmbimin e të burgosurve, sepse vetëm pas verifikimit dhe nënshkrimit të tyre, niseshin letrat e të dënuarve. Ndonëse, kjo nuk është e pëlqyeshme, por për shkak të mungesës së guximit, unë u përpoqa që letrat e mia për në Kadijan të mos binin në sy të rojave të burgut.  Organizata e Bashkimit të Muslimanëve gëzon simpatinë dhe mbështetjen e gjerë në Hajderabad. Stafi i burgut, madje të gjithë të burgosurit silleshin me mua me shumë dashamirësi dhe respekt. Meqë askush nuk kishte të drejtë të më takonte mua, përveç rojave të burgut, andaj letrat e mia për në Kadijan dërgoheshin në postë, pa dijeninë e oficerëve. Por, kur vinin përgjigje nga Kadijani, ishte e pamundur që Shefi i burgut ta mos kontrollonte atë. Kur mbërriti formulari i anëtarësimit në Xhemat nga Kadijani, na nxori shumë telashe. Sekreti tashmë u zbulua. Shefi i burgut erdhi për të më takuar dhe kishte formularin e anëtarësimit në dorë. Më tha me shumë dashamirësi se çfarë po bëni ju? Lëreni këtë tefsir të Kuranit. Unë do t’ju sjell tefsirin e Molana Abul Kalam Azadid si dhe të Molana Modudit. Insha Allah do të ndryshojnë mendimet tuaja. Kështu që ai më solli ato tefsire, që realisht ishin përkthime me pak shpjegime. Para se të dërgoja formularin e anëtarësimit, unë i studiova të dyja tefsiret. Nxënësi i Tefsiri Kebirit sigurisht fiton aftësinë për të krahasuar tefsire të tjera dhe t’i kritikojë ato. Unë i thashë shefit të burgut se në këto dy tefsire, këtu përkthimi është i paqartë, në këto vende ai është i pasaktë, ndërsa në këto vende është i mangët. Unë arrita ta bëja këtë sepse, Tefsiri Kebiri kishte edhe fjalorin e Kuranit. لا یمسہ الا المطھرون Pra, vetëm të pastrit mund të rrokin esencën e Kuranit.

Unë kam rrëfyer këtë detaj vetëm me qëllim që të sqaroj në lidhje me ndonjë kritikë të mundshme se përse vonova në anëtarësim. Unë kam studiuar edhe Tefsire të tjera, e pastaj pashë Tefsiri Kebirin. Bëra një krahasim midis tyre, dhe kuptova gjithçka. Pastaj, kur dërgova formularin e anëtarësimit, u angazhova në lutje, se vallë a u pranua bejti im apo jo. Dyshimi im ishte i drejtë. Para se të pranohej bejti im, i nderuar Kalifi më porositi se një mysliman ahmedian ka për detyrë që t’i nënshtrohet shtetit të tij dhe të veprojë në përputhje me ligj. Unë si përgjigje i shkrova se tefisiri i Kuranit nga Huzuri më kanë ngulitur thellë këto çështje në mendjen time. Pas disa ditësh, u njoftova se Kalifi kishte pranuar bejtim tim. Me të marrë vesh lajmin se m’u ishte pranuar bejti, unë rashë në sexhde.

Unë kisha lexuar në Tefsiri Kebirin se Kalifi i cili do të jetë edhe reformator i premtuar, do të lirojë të burgosurit. Unë i kërkova Kalifit që të lutej për lirimin tim nga burgu. Ai u lut se Allahu ju mundësoftë lirim. Kishin kaluar pak ditë, që më liruan nga burgu. Unë jam shembull i gjallë i profecisë rreth birit të premtuar ku shkruhej se “ai do t’u sjellë liri të burgosurve”.

Janë edhe disa intelektualë perëndimorë, Amerikanë apo Europianë, të cilët kanë vlerësuar figurën e tij. A.J. Arbry është një orientalist britanik dhe studiues i njohur i Arabishtes, persishtes dhe shkencës islame. Ai shkruan:

“Ky përkthim i ri dhe interpretim i Kuranit Famëlartë është një arritje e rëndësishme. (Pra, ai po komenton rreth botimit në gjuhën angleze në pesë vëllime) Vëllimi aktual është ndalesa e parë i këtij rrugëtimi. Kanë kaluar pothuaj pesëmbëdhjetë vjet, kur dijetarët studiues të Xhematit Ahmedia në Kadijan hodhën themelin e kësaj pune, e cila vijoi suksesshëm nën udhëheqjen inkurajuese të Mirza Bashirudin Mahmed Ahmedit r.a. Ishte një punë me përmasa gjigante. Pra, të botohej teksti i Kuranit me një përkthim dinjitoz në anglisht, dhe përkthimi i çdo ajeti të shoqërohej me shpjegimin përkatës. Vëllimi i parë që kemi në dorë, përbëhet nga nëntë sure të Kuranit. Në fillim ka një parathënie të gjatë, shkruar vetë nga Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi r.a. Kalifi në këtë hyrje, sqaron se të gjitha shpjegimet përfaqësojnë ato interpretime që themeluesi i Xhematit Mysliman Ahmedia ka parashtruar në librat dhe fjalimet e tij, apo të paraqitur nga Kalifi I apo vetë nga shkëlqesia e tij Kalifi II. Ne mund të themi me plotë bindje se ky përkthim dhe interpretim shprehin denjësisht botëkuptimin e Kuranit sipas Xhematit Musliman Ahmadia.

Nga Siria dr. Anesi, një intelektual arab shprehet se

“Në kërkim të vërtetësisë e diturisë unë kisha lexuar librat dhe tefsiret e një numri të konsiderueshëm dijetarësh, siç janë Sultan el-Arifin, Mehjudin ibni Arabi dhe Muhamed bin Ali el-Hatimi et-Tai etj. Por, ëndjen, shijen dhe kënaqësinë që përfitova në Tefsirin e Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit r.a., nuk e shijova asgjëkund. Unë digjesha nga dëshira për të gjetur shpjegimin e ëndrrave dhe vizioneve që përjetonte shpirti im. Kur lexova Tefsiri Kebirin në portalin e Xhematit, dhe zbulova dritën, vërtetësinë dhe sinqeritetin e Ahmedijatit, të cilat më bënë për veten.

z. Xhemal nga Maroku, i cili kishte një letërkëmbim të gjatë me Kalifin IV r.a., shkruan se gjatë këtij letërkëmbimi xhemati më dërgoi si dhuratë vëllimin e parë të Tefisir Kebirit. Kur studiova atë, dhe e krahasova me interpretime të tjera, mësova si kishin dallim si dita me natë. Nëse këtu paraqitej miniera e njohurive dhe urtësive shpirtërore dhe përmbledhja e esencës së ligjit hyjnor, interpretimet e tjera kënaqeshin vetëm me lëvozhg. Mësimi i këtij tefsiri më paraqiti një imazh aq magjepsës dhe të bukur të Islamit, i cili hyri thellë në shpirtin tim.

Përveç këtyre thënieve, edhe përshtypjet e intelektualëve rreth fjalimeve të tyre, janë gjithashtu dëshmi për njohurinë e tij të thellë. Kalifi II r.a. pas kërkesës së Lëvizjes Letrare të Penxahbit, drejtuesit e së cilës, ishin lidhur me Universitetin e Penxhabit, pranoi të mbante dy fjalime në Lahor. Referati i parë rreth temës “Arabishtja në arenën e gjuhëve botërore” më 31 maj 1934 në Hollin YMCA, në Mall Road, Lahor. Ky seminar u zhvillua nën drejtimin e dr. Berket Ali Kurejshit, dekan i Kolegjit Islamik. Referati zgjati për 90 minuta, dhe audienca e ndoqi me vëmendje e interes deri në fund. Në fund, i nderuar dekani pasi që shprehu falënderimet e tij, u bëri thirrje pjesëmarrësve që të përfitojnë prej këtij referati dhe shpresoi që të zhvilloheshin takime të tilla edhe në të ardhmen. Në audiencë gjendeshin intelektualët e çdo shkolle mendimi apo ideologjie.

Lala Kenver Sejn, Ish-gjykatës i lartë i Kashmirit, dhe pasardhësi i Lala Bhim Sejenit, ishte gjithashtu i pranishëm në atë eveniment. Pas dëgjimit me vëmendje të këtij referati shkencor, mbajti një fjalim të shkurtër falënderimi në gjuhën angleze. Ai tha se jam shumë i kënaqur që dëgjova një referat të jashtëzakonshëm e mjaft interesant në lidhje me rëndësinë dhe epërsinë e gjuhës arabe. Kur erdha këtu për ta dëgjuar këtë kumtim, kujtova se ai do të mbahej në mënyrë arkaike, siç bëjnë të vjetrit tanë. Pra si ligjërojnë ata? Është e famshme se dikush e pyeti një arab, shkakun se pse gjuha arabe është më e arrirë ndër gjuhë të tjera. Ai iu përgjigj se tri janë arsyet që i japin epërsi gjuhës arabe. E para sepse jam arab. Së dyti sepse është gjuha në të cilën zbriti Kurani Famëlartë. Së treti sepse banorët e xhenetit do të komunikojnë në të. E tillë ishte përshtypja ime, para se të vija këtu. Por, referati i mbajtur shquhet për nivelin e tij intelektual dhe filozofik. Unë e siguroj Mirza sahibin, se kam dëgjuar çdo fjalë të tij me përqendrim dhe vëmendjen time të plotë, dhe u kënaqa pamasë. Shpresoj se gjurmët e këtij kumtimi do të mbeten gjatë në kujtesën time.

Sjed Abdul Kadir, zëvendës dekan dhe shefi i departamentit të historisë në Kolgjin Islamik në Lahor, botoi një artikull në gazetën Sunrise Lahore nën titullin: Islami dhe socializmi apo komunizmi. Ai shkroi: Pata nder të dëgjoja ligjëratën e Mirza Bashirudin Mahmed r.a., udhëheqës i Xhematit Musliman Ahmedia. Ashtu sikundër ligjërata të tjera, të mbajtur prej tij, të cilat kam pasur mundësi të dëgjoj, ngjallin ndriçim në përsiatjet intelektuale. Mirza sahibi gëzon aftësi të rralla dhe zotëron imtësisht çdo aspekt të kësaj çështjeje. Andaj, pikëpamjet tuaja janë të denjë për t’u vlerësuar me interesim të veçantë.

Ky libër duhet promovuar edhe në botën e jashtme. Në përgjithësi, njerëzit kujtojnë se ishte Molana Modudi, i cili për herë të parë kishte paraqitur sistemin financiar të Islamit. E vërteta është se Kalifi II r.a. shumë vjet përpara kishte mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm shkencor rreth kësaj teme, dhe tashmë është botuar në një libër. Madje, libri është përkthyer edhe në anglisht. Myslimanët ahmedianë që dinë anglisht jo vetëm që ta lexojnë, por edhe t’ua dhurojnë intelektualëve që kanë interes në sociologji.

Lala Ram Çend Meçenda në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se jam me fat që dëgjova një referat aq të pasur. Jam i lumtur se xhemati Ahemdia po përparon vrullshëm. Në këtë kumtim që ju sapo keni dëgjuar, kalifi ka paraqitur disa çështje mjaft të rëndësishme dhe plotësisht të panjohura deri më tani. Unë personalisht kam fituar shumë nga ky referat. Unë kisha gabim se mendoja që parimet dhe ligjet e Islamit mbrojnë vetëm të drejtat e besimtarëve muslimanë, dhe nuk mendojnë aspak për jo-muslimanët. Ndërsa sot, përmes fjalës së kryetarit të Xhematit Musliman Ahmedia mësova se Islami paraqet parimin e barazisë për mbarë njerëzimin, dhe kjo më ka kënaqur pamasë. Unë u drejtohem miqve të mi jo-mysliman se çfarë ju pengon tani për të nderuar Islamin? Unë u shpreh mirënjohje dhe falënderim kryetarit të Xhematit Musliman Ahmedia, i cili përmes fjalës së tij na ofroi njohuri mjaft të pasur.

Pra, kjo është shfaqja e vetëm njërit prej tipareve të tij përmendura në profecinë e Mesihut të Premtuar alejhiselam, ku përshkruhej se ai do të pajiset me njohuri të dukshme dhe të padukshme. Allahu na mundësoftë ta lexojmë këtë thesar të pasur dije e njohurie. Allahu na mundësoftë që të përfitojmë prej tyre dhe të shtojmë njohurinë dhe diturinë tona.

Sot pas namazit, unë do të udhëheq edhe një xhenaze të njërit prej djemve të Kalifi II r.a., i cili erdhi në jetë nga znj. Sara Begum. I ndjeri quhet Mirza Hanif Ahmedi dhe ndërroi jetë më 17 shkurt në orën nëntë e gjysmë pasdite në Institutin Tahir të Kardiologjisë në moshën 82-vjeçare. Inne lil-lahi ue inna ilejhi raxhiun. (Ne jemi të Allahut dhe tek Allahu do të kthehemi). Ai ishte edhe daja im.

Kishte lindur më 24 mars 1932. Sikundër djemve të tjerë, Hazret Kalifi II r.a. e kishte dedikuar në rrugë të Zotit, andaj edhe të gjitha fazat e arsimit dhe edukatës së tij u realizuan në përputhje me këtë drejtim. Ai ndoqi mësimet fetare në Medrese Ahmedia dhe Xhmiatul Mubashirin. Shkollën e mesme e kreu si një kandidat privat. Përfundoi studimet bachelor në 1958. Në 1962, përfundoi studimet juridike në Kolegjin Juridik të Lahorit, me kusht që nuk do ta praktikonte këtë si profesion. Në 1962, shkoi jashtë Pakistanit për t’i shërbyer Xhematit, dhe nga 1962 deri në 1969 shërbeu si drejtor i një shkolle të mesme në Sierraleon. Ishte një intelektual me intuitë të thellë. Pas një studimi dhe punimi intensiv rreth Kuranit që zgjati njëzet vjet, në vitin 2004 botoi një libër voluminoz me titullin “Mësimet e Mesihut të Premtuar alejhiselam rreth botëkuptimit të Kuranit”, në të cilin përfshiheshin perlat e shkrimeve dhe shpjegimeve të Mesihut të Premtuar alejhiselam në gjuhën Urdu, perse dhe arabe. Po kështu botoi edhe disa vepra të tjera rreth poezisë së Mesihut të Premtuar alejhiselam në gjuhën arabe, perse dhe urdu në një seri të titulluar “Edebul Mesih” (d.m.th. Etika e Mesihut). Edhe kjo është një kryevepër.

Ai u martua në 1959 me znj. Tahira Begum, vajzën e Sjed Zejnul Abidin Ueliullah Shah sahbin, i cili ishte daja e Kalifit IV r.a. Ka lënë pas katër fëmijë. Djali i tij Mirza Sulejman Ahmed jeton në Amerikë, ndërsa tri vajza të tjera, znj. Amatul Mumin Hina është bashkëshortja e dr. Halit Tasnim Ahmedit në Rabuah, znj. Mina Mubarika është bashkëshortja e Mirza Ahsan Ahmedit  dhe një tjetër është martuar me Abdus Sami Farruk Ahmed Khan.

Gruaja e të ndjerit rrëfen se gjatë kohës së tij, u ndërtua departamenti shkencor në Boshehrin e Sierralionit. Gjatë kohës që ky bllok ishte në ndërtim e sipër, i ndjeri mbikëqyrte punime nga afër. Z. Kamar Sulejman sahib, i cili ishte për një vizitë në Sierraleon, më shkroi se njerëzit akoma kujtojnë të ndjerin për shërbimet e tij. Ai kujdesej veçanërisht për mirëqenien e jetimëve, dhe i ndihmonte në fshehtësi. Ai vlerësonte shumë edhe marrëdhëniet miqësore dhe u qëndronte besnik shokëve të tij. Kur një prej shokëve të tij më të ngushtë, ndërroi jetë, ai mori përsipër përkujdesjen e fëmijëve të tij të mitur. Përmbushi miqësinë e tij duke u përmbushur të gjitha nevojat, dhe realizoi edhe dasmat e tyre.

Ndër fëmijët e Kalifit II r.a., ai zotëronte më së mirë gjuhën perse. Kishte studiuar të gjithë librat e Mesihut të Premtuar alejhiselam dhe libri i tij në lidhje me botëkuptimin e Kuranit nuk mund të shkruhej pa pasur një bagazh të pasur njohurish nga veprat e Mesihut të Premtuar alejhiselam. Bashkëshortja e tij më kishte rrëfyer se ai kishte studiuar të gjitha veprat e tij, më shumë se njëzet herë.

Kishte një dashuri të papërshkrueshme me qytetin e Kadijanit. Ndonëse, gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar gjatë tri-katër viteve të fundit, ai deri para dy vjetësh e vizitonte Kadijanin rregullisht. Ai ushqehej me një bindje të pathyeshme në lutje. E bija e tij tregoi se ai i kishte rrëfyer asaj një herë ngjarjen e ndonjërit prej sahabëve të Mesihut të Premtuar alejhiselam, i cili kishte parë një vizion se shkallët e tij shpirtërore ngriheshin gjithnjë e më shumë, ndërsa ai kujtonte se veprat e tij nuk ishin të tilla. Atëherë i thuhet se fëmijët fisnikë që ai kishte lënë pas, gjithnjë i luteshin Zotit për të, dhe prandaj shtoheshin edhe gradat e tij shpirtërore. Prandaj edhe ai i këshillonte fëmijët e tij që të luteshin për të. Allahu i priftë fëmijët e tij në rrugën e mirësisë dhe fisnikërisë. Allahu i plotësoftë lutjet e Kalifi II r.a. nëpërmjet tyre. Kalifi II r.a. i ishte lutur Zotit se pasardhësit e fëmijëve të tij, madje edhe pasardhësit e tyre të jenë amanet tek Allahu, dhe shejtani kurrë mos i afronte dhe ata gjithnjë i jepnin epërsi besimit përballë dynjasë.

Allahu e faltë dhe mëshiroftë të ndjerin Mirza Hanif Ahmed sahibin dhe ia lartësoftë gradat shpirtërore. Zoti u mundësoftë fëmijëve të tyre të përmbushin realisht lidhjen e gjakut me babanë e tyre. Ai kishte një lidhje të veçantë me mua, që ekzistonte edhe para kalifatit, por vetëm se u shtua më shumë pas kalifatit. Megjithatë, në këtë lidhje shfaqeshin vetëm përulësi, sinqeritet dhe besnikëri. Allahu ia lartësoftë nivelet shpirtërore dhe u mundësoftë edhe pasardhësve të tij që të mbeten të lidhur me kalifat.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp