Profecia: Ai që më pranon me sinqeritet, do të shpëtojë nga murtaja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
prova imam mehdiu

LibriArka e Nuhut” ose Përforcimi i besimit

بِسْمِ اللہِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِیْمِ                     نَحْمَدُہٗ وَ نُصَلِّیْ عَلیٰ رَسُوْلِہِ الْکَرِیْمِ

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit
Atë e lavdërojmë dhe i dërgojmë salavate të Dërguarit të Tij fisnik

Vaksina e murtajës

vaksina e murtajes shenja e vertetesisePërkthimi: Kurrsesi nuk do të na vijë ndonjë vështirësi, përveç asaj që Allahu ka shkruar për ne. Ai është Miku ynë. Dhe vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.[1]

Duhet të falënderojmë që qeveria e lartë Britanike, duke i bërë mirësi popullit të vet, përsëri dha udhëzimin për vaksinën kundër murtajës dhe mori përsipër një barrë prej miliona rupish për mirëqenien e robërve të Zotit. Në të vërtetë, këtë populli i mençur duhet ta mirëpresë dhe ta falënderojë. Është shumë naiv dhe armik i vetvetes ai që e paragjykon vaksinën. Përvoja ka treguar se kjo qeveri e kujdesshme nuk ka dashur asnjëherë që ne të përdornim ndonjë mjekim të rrezikshëm, përkundrazi, në të tilla raste, ka paraqitur ilaçin pas shumë eksperimenteve dhe vetëm pasi ishte provuar që me të vërtetë ishte i dobishëm.

Prandaj, është e pandershme dhe jo qytetare që t’i veshim qeverisë, e cila shpenzon dhe ka shpenzuar miliona rupi për mirëqenien e njerëzve, dyshimin se ajo po e bën gjithë këtë për një motiv të ulët vetjak. Të pandershëm janë ata të cilët kanë shkuar deri në këtë ekstrem me paragjykimin e tyre.

Pa dyshim, ndër të gjitha masat që ka marrë qeveria e shquar në këtë situatë, më e mira prej tyre është kjo vaksinë. Nuk mund të kundërshtohet kurrsesi fakti se vaksina është një mjet i dobishëm dhe se është detyrë e të gjithë njerëzve të përdorin mjetet që u janë vënë në gatishmëri, në mënyrë që të lehtësojnë detyrën e ndërmarrë prej qeverisë për të mbrojtur jetën e tyre.

Por me gjithë respektin duam t’i themi kësaj qeverie mirëbërëse, që ne do të ishim të parët për ta marrë vaksinën, nëse nuk do të kishim një ndalim qiellor. Ndalimi qiellor është që Zoti deshi t’u tregojë njerëzve në këtë kohë një shenjë të mëshirës qiellore. Kështu që, duke m’u drejtuar mua, Zoti tha:

Do të shpëtojnë nga murtaja ti dhe ai që qëndron brenda mureve të shtëpisë sate, si dhe të gjithë ata që përhumben në ty, duke treguar bindje e nënshtrim të përsosur dhe duke pasur takva[2] të vërtetë; kjo do të jetë një shenjë prej Zotit në këto ditë të fundit, në mënyrë që Unë të bëj një dallim mes popujve; por ai që nuk të ndjek ty plotësisht, nuk është prej teje, dhe ti mos u brengos për të.

Kjo është ajo porosi Hyjnore që më bën mua dhe të gjithë ata që jetojnë brenda mureve të shtëpisë sime, të mos kemi aspak nevojë për vaksinën. Sepse, siç e thashë më lart, shumë kohë më parë, Ai Zot që është Zoti i tokës dhe i qiellit, nga dija dhe kontrolli i të cilit asgjë nuk mbetet jashtë, Vetë më zbriti shpallje duke thënë se Ai do të shpëtojë nga vdekja prej murtajës çdokënd që jeton brenda mureve të kësaj shtëpie, me kusht që ai të hyjë në zinxhirin e Bej’atit duke qenë tërësisht i sinqertë, i bindur dhe i përulur dhe duke hequr dorë nga të gjitha mendimet kundërshtuese.

Gjithashtu, ai nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë mendjemadh, rebel, shpërfillës, kokëfortë dhe vetëpëlqyes përpara porosive të Zotit dhe përpara të Caktuarit të Zotit, dhe të jetojë në përputhje me mësimet e tij. Zoti, duke m’u drejtuar gjithashtu tha:

Në Kadijan në përgjithësi murtaja nuk do të jetë aq shkatërrimtare, sa njerëzit të vdesin si kafshë e të vuajnë nga dhimbjet; dhe, në përgjithësi, të gjithë njerëzit e këtij Xhemati, sado qofshin ata, në krahasim me kundërshtarët, do të jenë të mbrojtur nga murtaja. Por murtaja mund të prekë ata që nuk janë plotësisht të qëndrueshëm në besëlidhjen e tyre ose ata, për të cilët ka një arsye të fshehtë që vetëm Zoti është në dijeni. Përfundimisht njerëzit do të shohin me habi duke krahasuar të tjerët, se ndihma e Zotit është me këta njerëz dhe Ai i ka mbrojtur me mëshirën e Tij të veçantë në mënyrë të pashembullt.

Për këtë që ju tregova, disa mendjelehtë do të çuditen, disa do të qeshin, disa do të më quajnë të çmendur dhe disa të tjerë do të befasohen duke menduar se a ekziston një Zot i tillë, i cili mund të zbresë mëshirën e Tij pa përdorur mjetet e nevojshme. Po! Pa dyshim që ekziston një Zot kaq i Plotfuqishëm, dhe Ai po të mos ishte i tillë, njerëzit që lidhen me Të, do të kishin vdekur për së gjalli. Ai është Fuqiplotë i çuditshëm dhe fuqitë e Tij të pastra gjithashtu janë të çuditshme. Nga njëra anë, Ai i lejon kundërshtarët mendjelehtë t’u vërsulen si qenë miqve të Tij, dhe nga ana tjetër, porosit engjëjt që t’u shërbejnë atyre. Po kështu, kur botën e zë zemërimi i Tij dhe kur llahtaria e Tij gjëmon ndaj keqbërësve, shikimi i Tij i merr në mbrojtje njerëzit e Tij të veçantë.

Po të mos ndodhte kështu, qëmoti do të ishte shkatërruar i gjithë misioni i njerëzve të vërtetë, saqë askush nuk do të mund t’i njihte më ata. Fuqitë e Tij janë të pafundme, por ato u shfaqen njerëzve, aq sa ata kanë bindje. Fuqitë e jashtëzakonshme të Tij u shfaqen atyre që kanë marrë dhuratën e bindjes, të dashurisë dhe të tërheqjes totale ndaj Tij, dhe që kanë shpëtuar nga veset e nefsit të tyre. Zoti bën atë që do. Por për të treguar fuqitë e jashtëzakonshme, Ai zgjedh vetëm ata, të cilët për hir të Zotit i thërrmojnë zakonet e tyre.

Në këtë kohë, ka shumë pak njerëz të tillë, të cilët e njohin Atë dhe besojnë në fuqitë e Tij të çuditshme. Dhe ka plot nga ata që aspak nuk besojnë në këtë Zot të Plotfuqishëm, të cilit i bindet çdo gjë dhe për të cilin asgjë nuk është e pamundur.

Këtu dua të theksoj se nuk është mëkat të marrësh mjekim për sëmundjet si murtaja etj., madje në një hadith përmendet që nuk ka sëmundje, për të cilën Zoti të mos ketë krijuar ilaçin, por unë e quaj mëkat ta bëj të dyshimtë, duke marrë vaksinën, shenjën që Ai dëshiron të shfaqë hapur për ne në tokë. Unë nuk guxoj ta fyej shenjën e Tij të vërtetë dhe premtimin e Tij të vërtetë, duke pranuar injektimin e vaksinës. Po e bëra një gjë të tillë, mëkati që nuk besova në premtimin që Zoti më bëri mua, do të jetë i ndëshkueshëm. Nëse do të përfitoja nga vaksinimi, duhet t’i isha mirënjohës atij mjeku që shpiku recetën e vaksinës, e jo Zotit, i cili më premtoi se do të shpëtojë këdo që gjendet brenda mureve të kësaj shtëpie.

Unë pohoj me largpamësi të qartë se premtimet e Atij Zoti të Plotfuqishëm janë të vërteta dhe shoh të ardhmen sikur ajo të ketë ardhur. Unë e di se qëllimi i vetëm i qeverisë sonë të shquar është të shpëtojë njerëzit nga murtaja dhe nëse në të ardhmen, do të gjente një tjetër mjet më të mirë për të shpëtuar, me shumë gëzim do ta zgjidhte.

Në këto rrethana, është e qartë që metoda që Zoti më ka bërë ta ndjek, nuk është kundër qëllimeve të qeverisë së shquar. Profecia për këtë fatkeqësi të madhe gjendet e shkruar tash e njëzet vjet më parë në librin tim të titulluar “Berāhīn-e Ahmedia”, gjithashtu është i shkruar edhe premtimi për bekime të veçanta për këtë Xhemat. Shikoni librin “Berāhīn-e Ahmedia”, f. 518 dhe f. 519.

Përveç kësaj, Zoti i Madhërishëm e trumbeton këtë profeci se Vetë Ai do t’i shpëtojë nga murtaja njerëzit e sinqertë që jetojnë brenda mureve të shtëpisë sime, të cilët nuk janë mendjemëdhenj përpara Zotit dhe përpara të Caktuarit të Tij dhe se Ai do të tregojë bekim të veçantë mbi këtë Xhemat në krahasim me të tjerët. Mundet që për shkak të dobësisë së besimit, ose të humbjes së veprave, ose për shkak se dikujt mund t’i ketë ardhur koha e vdekjes, ose për ndonjë arsye tjetër që Zoti e di, rrallëkush mund të preket nga sëmundja edhe brenda këtij Xhemati. Megjithatë, raste të rralla nuk mund të quhen të përgjithshme. Gjatë krahasimit gjithmonë shikohet shumica.

Qeveria e shquar të ketë parasysh që, siç dihet edhe nga përvoja, shumë pak vdesin nga ata që marrin vaksinën, në krahasim me ata që nuk e marrin. Dihet që vdekje të rralla nuk ia ulin vlerën vaksinës. Në të njëjtën mënyrë, edhe për këtë shenjë, nëse do të ketë shumë pak raste të murtajës në Kadijan në krahasim me vende të tjera, ose nëse rrallëkush nga ky Xhemat do të ndërrojë jetë nga kjo sëmundje, nuk do t’i ulet vlera kësaj shenjeje. Kjo profeci është regjistruar me përpikëri duke iu përmbajtur Fjalëve të Zotit. Nuk i takon një të zgjuari që para kohe të tallet me çështjet qiellore. Kjo është fjala e Zotit, e jo shprehje e ndonjë fallxhori; kjo buron nga drita, e jo nga hamendja e errësirës. Kjo është fjala e Atij që zbriti murtajën dhe që ka mundësi ta largojë atë. Qeveria jonë me siguri do ta vlerësojë këtë profeci, kur do ta shohë se ç’mrekulli do të ndodhë, se në krahasim me të vaksinuarit, këta njerëz do të jenë më të mbrojtur e më me shëndet.

Sinqerisht ju them të vërtetën, nëse nuk do të realizohet kjo profeci që po publikohet që prej njëzet (20) a njëzet e dy (22) vjetësh, atëherë unë nuk jam prej Zotit. Kjo do të jetë shenjë për të vërtetuar se unë jam prej Allahut, që njerëzit e sinqertë që jetojnë brenda mureve të shtëpisë sime, do të jenë të mbrojtur nga vdekja që shkakton kjo sëmundje dhe i gjithë Xhemati im, në krahasim me të tjerët, do të jetë i shpëtuar nga sulmi i murtajës dhe siguria që do ta kenë ata, nuk do ta ketë asnjë grup tjetër njerëzish dhe, gjithashtu, Kadijanin nuk do ta zërë murtaja në masë shkatërrimtare, me përjashtim të rasteve të rralla.

Eh, sikur këta njerëz të ishin të drejtë e t’i kishin frikë Zotit, atëherë do të shpëtonin patjetër, sepse ndëshkimi në botë nuk zë askënd vetëm për shkak të dallimit të tij fetar, pasi ajo është një çështje që do të gjykohet në botën tjetër. Në këtë botë ndëshkimi vjen vetëm për shkak të ligësive, mendjemadhësive dhe shtimit të mëkateve.

Duhet të keni parasysh edhe faktin se në Kuranin Famëlartë, madje edhe në disa libra të Tevratit, përmendet profecia se në kohën e Mesihut të Premtuar do të ketë murtajë.[3] Për më tepër, edhe Hazret Mesihu a.s. paralajmëroi për këtë në Ungjill, dhe nuk mundet që profecia e Profetëve të dalë e gabuar. Po kështu, nisur nga premtimi i Zotit, kemi për detyrë t’u shmangemi mjeteve që krijon njeriu, që ndonjë armik të mos i atribuojë shenjën e Zotit dikujt tjetër. Megjithatë, nëse Vetë Zoti përmes Fjalës së Tij na mëson ndonjë metodë ose na zbulon ndonjë ilaç, ajo metodë ose ai ilaç nuk do të jenë kundër shenjës, pasi ato janë prej Atij Zoti, prej të cilit është edhe shenja.

Nëse rrallëkush edhe nga Xhemati ynë vdes nga murtaja, të mos mendojë njeri se do t’i ulet vlera kësaj shenjeje. Edhe në kohërat e kaluara, Zoti porositi Musain, Jozueun[4] dhe më në fund edhe Profetin tonë s.a.v.s., që të luftonin me shpatë kundër atyre të cilët e kishin ngritur të parët shpatën dhe që kishin vrarë qindra jetë njerëzish. Për këta Profetë ishte kjo shenjë, në të cilën përfundimisht ata gëzuan fitore madhështore. Në këtë përballje, edhe përkrahësit e së vërtetës u vranë nga dora e armikut, por shumë pak, dhe një humbje kaq e vogël nuk ia uli vlerën shenjës.

Në të njëjtën mënyrë, nëse pakkush prej Xhematit im për shkaqe të lartpërmendura, preket nga murtaja, një murtajë e tillë nuk e zbeh aspak shenjën e Zotit. A nuk është një shenjë madhështore që unë e them në mënyrë të përsëritur se Zoti i Madhërishëm do ta shfaqë këtë profeci në një formë kaq të qartë, saqë asnjë kërkimtar i së vërtetës nuk do të mbetet në mëdyshje dhe do ta kuptojë se Zoti ka treguar mrekulli për këtë Xhemat. Madje, si rrjedhojë e kësaj shenjeje Hyjnore, Xhemati do të shtohet shumë dhe do të përparojë në mënyrë të jashtëzakonshme aq sa do të shihet me habi. Nëse Zoti nuk do të tregojë dallim mes këtij Xhemati dhe xhemateve të tjera, ashtu siç është e parashikuar në këtë profeci dhe siç e kam shkruar edhe në librin tim “Nuzul-ul-Mesih”, atëherë kundërshtarët që deri më tani përherë kanë dështuar, do të kenë gjithë të drejtën të më quajnë gënjeshtar.


[1] Et-Teube 9:51.
[2] Druajtje ndaj Zotit. (Përkthyesi)
[3] Në librat e Biblës si vijon përmendet se do të përhapet murtaja në kohën e Mesihut të Premtuar: Zakaria 14:12, Mateu 24:8 dhe Zbulesa 22:8*.
* Në versionin King James, referenca e Zbulesës është 22:18. [Botuesi]
[4] Në anglisht është Joshua. [Botuesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp