
Po ju sjellim lutje për gjumë, thuajse të gjitha që janë gjetur në hadithe të sakta.
Lutje për gjumë
(1) Hazret Hudhejfa Ibni El-Jamani r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur shtrihej për të fjetur, bënte këtë lutje:
O Allah! Me emrin Tënd vdes dhe ringjallem.[1]
Nuk ka strehë dhe nuk ka shpëtim nga Ti përveç Teje
(2) Hazret Bara’ Ibni Azibi tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi një njeriu këtë lutje për ta bërë në kohën e gjumit dhe i tha: Nëse vdes gjatë natës kur e ke bërë këtë lutje, do të vdesësh me natyrshmëri të pastër dhe nëse do ta bësh këtë lutje në mëngjes, do të gjesh mirësi e bekime:
O Allah! Ty ta dorëzova veten time. Nga Ti e drejtova fytyrën time. Te Ti e solla çështjen time. Te Ti u mbështeta duke shpresuar e duke u druajtur ndaj Teje. Nuk ka strehë dhe nuk ka shpëtim nga Ti përveç Teje. Besova në librin që ke zbritur dhe në profetin që ke dërguar.[2]
Pastroni shtratin para se të flini
(3) Hazret Ebu Hurejrah r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Kur të shkoni në shtrat, pastrojeni një herë atë dhe bëni këtë lutje para se të flini:
Me emrin Tënd, o Zoti im, shtrihem dhe po me emrin Tënd do të çohem. Nëse do të ma mbash shpirtin, mëshiroje, e nëse do të ma kthesh, mbroje atë ashtu siç i mbron robërit e Tu të sinqertë.[3]
O Allah! Të kërkoj shëndet
(4) Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. i tha një njeriu të bënte këtë lutje kur të shkonte në shtrat dhe i tregoi se këtë lutje ai e kishte mësuar prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:
O Allah! Ti ma krijove shpirtin dhe Ti do të ma marrësh. Për Ty është edhe vdekja e tij, edhe jeta e tij. Nëse do ta ringjallësh, mbroje e nëse do t’i japësh vdekje, fale atë. O Allah! Të kërkoj shëndet.[4]
“Lavdi Zotit!” Një lutje për gjumë
(5) Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur shkonte në shtrat, bënte këtë lutje:
Lavdia është e Allahut që më mjaftoi, më strehoi, më ushqeu dhe më dha ujë për të pirë. Lavdia është e Allahut që më dha mirësi, mirësi me bollëk, më fali (gjëra të ndryshme) e më fali pafund. Lavdia është e Allahut në çdo rrethanë. O Allah! O Zoti, Sunduesi dhe i Adhuruari i çdo gjëje! Më mbro nga zjarri![5]
Faqen e mbështeste në dorën e djathtë
(6) Nëna e besimtarëve, Hazret Hafsa r.a., thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur flinte, faqen e mbështeste në dorën e djathtë dhe bënte tri herë këtë lutje:
O Allah! Shpëtomë nga ndëshkimi Yt ditën kur do të ringjallësh robërit e Tu.[6]
O Allah! Vetëm Ti e largon skamjen dhe mëkatin.
(7) Hazret Aliu r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., para se të flinte, bënte këtë lutje:
O Allah! Kërkoj mbrojtjen e fytyrës Sate të nderuar e të fjalëve të Tua të përsosura nga dëmi i çdo krijese, koka e së cilës është në dorën Tënde. O Allah! Vetëm Ti e largon skamjen dhe mëkatin. O Allah! Ushtria Jote nuk mposhtet, premtimi Yt nuk mbetet i papërmbushur. Shenjtëria e askujt nuk bën dobi përballë shenjtërisë Sate. I Shenjtë je Ti me gjithë lavdinë Tënde.[7]
O Allah! Më fal mëkatin dhe më mund djallin
(8) Hazret Ebul Ez’her r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., para se të flinte, bënte këtë lutje:
Me emrin e Allahut u shtriva. O Allah! Më fal mëkatin dhe më mund djallin, më mundëso të përmbush detyrën dhe më bëj të jem në parinë e lartë (të engjëjve).[8]
[1]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab ma jekulu idha anama.
[2]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab ued’il-jedil-jumna, tahta khadil-jumna.
[3]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab tavudh uel-kirat endan-neum.
[4]. Muslimi, Kitabudh-dhikr, bab ma jekulu endan-neum.
[5]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu endan-neum.
[6]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu endan-neum.
[7]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu endan-neum.
[8]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu endan-neum.