21 : 97 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • حَتّٰۤی اِذَا فُتِحَتۡ یَاۡجُوۡجُ وَ مَاۡجُوۡجُ وَ ہُمۡ مِّنۡ کُلِّ حَدَبٍ یَّنۡسِلُوۡنَ ﴿۹۷﴾
    21 : 97 (Kështu do të vijojë) edhe kur të lirohen Jaxhuxhët e Maxhuxhët dhe këta do të vijnë duke vrapuar nga çdo lartësi.
    Shpjegime

    1) Ajetet 96 – 97: Fjala vendbanim në ajetin 96, u referohet banorëve të vendbanimit. Pra, çdo popull që largohet nga kjo botë, nuk kthehet më këtu. Kurse në ajetin 97 është fjala hatta, që fjalë për fjalë do të thotë gjersa, nuk do të thotë se në kohën e Jexhuxhëve e të Mexhuxhëve, të gjithë popujt e vdekur do të rikthehen në këtë botë, por lidhëza gjersa, siç përdoret në gjuhën arabe në raste të caktuara, nënkupton që popujt e vdekur nuk do të kthehen as në kohën e Jexhuxhëve e të Mexhuxhëve. Në pamje të parë, ata do të tregojnë se gjoja i ringjallin të vdekurit, por të vdekurit e vërtetë kurrë nuk mund t’i ringjallin dot.

    2) Jexhuxhët e Mexhuxhët dhe Dexhalli janë dy emra të ndryshëm, por përfaqësojnë një shoqëri të vetme, e cila në thelb e mohon Zotin, qoftë kategorikisht qoftë me veprimet e veta. Emri dexhall tregon gjendjen fetare të kësaj shoqërie, ndërsa jexhuxh e mexhuxh fuqinë materiale të saj, nëpërmjet së cilës, ajo do të mbizotërojë botën. Siç tregojnë edhe ajetet e tjera të Kuranit, feja e krishterë me dogmat e saj të gabuara, do të ishte mbizotëruese në botë. Kjo shoqëri do ta përdorte pikërisht krishterimin për t’u përhapur në botë. Dexhall fjalë për fjalë, do të thotë mashtrues i madh, rrenacak, ai që e fsheh të vërtetën. Në suren Merjem të Kuranit thuhet se gënjeshtra më e madhe është pikërisht shpifja e atij populli, i cili thotë se Zoti ka një djalë. Në këtë kuptim, emërtimi dexhall tregon aspektin fetar të vendeve që sot duan ta pushtojnë botën. Ndërsa fjalët jexhuxh e mexhuxh janë fjalë të prejardhura nga rrënja exh-xhe dhe exhixhen, që do thotë flakë, afsh i zjarrit, djegie e fuqishme (Lisan el-Arab, zëri ). Ky emërtim tregon se këto vende do të përdornin shumë zjarrin apo energjinë. Makineritë e sotme funksionojnë prej ndonjë energjie, e cila përftohet me lëndë djegëse. Shumica e këtyre makinerive janë shpikur nga vendet perëndimore. Një kuptim tjetër i këtij emërtimi është se kjo shoqëri do të ishte e zgjuar, por njëkohësisht edhe arrogante, sepse sipas Kuranit, arroganca është vetia e zjarrit. Në një vend thuhet se shejtani u tregua arrogant sepse është krijuar nga zjarri. Në hadithe, shpesh është përmendur që në ditët e vona, Dexhalli do ta mbizotërojë botën, ndërsa Kurani në këtë ajet me fjalët “këta do të vijnë duke vrapuar nga çdo lartësi”, dhe shumë hadithe të tjera gjithashtu, pohojnë që Jexhuxhët e Mexhuxhët do ta mbizotërojnë botën. Edhe kjo tregon qartazi se bëhet fjalë për të njëjtën shoqëri, sepse dy grupe të ndryshme nuk mund ta mbizotërojnë botën njëkohësisht. Lexoni edhe 18:100.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp