42 : 52 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • وَ مَا کَانَ لِبَشَرٍ اَنۡ یُّکَلِّمَہُ اللّٰہُ اِلَّا وَحۡیًا اَوۡ مِنۡ وَّرَآیِٔ حِجَابٍ اَوۡ یُرۡسِلَ رَسُوۡلًا فَیُوۡحِیَ بِاِذۡنِہٖ مَا یَشَآءُ ؕ اِنَّہٗ عَلِیٌّ حَکِیۡمٌ ﴿۵۲﴾
    42 : 52 Nuk është e mundur për një njeri që Allahu t’i flasë atij, përveçse me anë të shpalljes ose mbrapa një perdeje ose atij t’i dërgohet (prej Allahut) një i dërguar (pra, engjëll), i cili i shpall atij me urdhrin e Tij për çfarë të dojë Ai. Sigurisht, Ai është shumë i Lartë, shumë i Urtë.
    Shpjegime

    Komunikimi me Zotin ka tri lloje: Vahji a ilhami (shpallja), ëndrra dhe keshfi (vizioni). Vahji është ai që zbret pa ndonjë medium në zemrën e pastër të Profetit. Ky komunikim është më i qarti dhe më dritëploti. Lloji i dytë i komunikimit me Zotin është ëndrra dhe ajo vjen me ngjyra dhe kompleksitet. Ëndrra ka nënkuptime dhe figurshmëri. Siç i Dërguari i Allahut s.a.v.s. një herë pa dy byzylykë në të dyja duart e tij të bekuara, ose një herë tjetër pa që duart më të gjata ishin të njërës prej bashkëshorteve të tij, ose pa lopën etj., dhe i interpretoi. Pra, ky lloj komunikimi në përgjithësi kërkon interpretim. Lloji i tretë i komunikimit me Zotin është keshfi (vizioni) dhe ai bëhet në formë shëmbëllimesh, qoftë në pamjen e Xhibrailit a.s. ose të ndonjë engjëlli tjetër ose të diçkaje tjetër.

    Ky ajet praqet praktikën e përhershme të Zotit, pa e kushtëzuar me të kaluarën. Por komunikimi i gjatë dhe i plotë siç është shpallja, është i kushtëzuar me ndjekjen e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Pra, komunikimi me Zotin në të gjitha format e lartpërmendura kurrë nuk ndërpritet për njerëzit që janë shërbëtorë të Pejgamberit s.a.v.s. dhe të Islamit, kurse komunikimi që mund të sillte një Sheriat të ri apo një profetëri të pavarur është i ndërprerë përgjithmonë.

    Hadithet tregojnë komunikimin Hyjnor dhe mrekullitë jo vetëm të Profetit s.a.v.s., por edhe të sahabëve të tij. Falë komunikimit me Zotin, Hazret Omeri r.a. u njoftua se si mund të shmangte rrezikun Saria me gjithë ushtrinë e tij, dhe më pas zëri i Hazret Omerit – O Sarije, ngjitu malit! Malit! (Ja Sarije, el-xhebel! El-xhebel!), fjalë të cilat ai i shqiptoi në Medinë, përmes një fuqie të padukshme u dëgjuan nga Saria që gjendej shumë larg nga Medina. (Muhammed ibn Xherir et-Taberi, “Tarikh”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Kutub el-’ilmijje”, Bejrut 2012, fq. 553-554.) Pra, Zoti i njoftoi ata përmes ilhamit (shpalljes) së Tij.

    Por mjerisht një pjesë e muslimanëve të sotëm e mohojnë këtë bekim të Zotit. Çudi, kërkimi në natyrën e njeriut nuk u sos, sepse njeriu edhe sot ka të njëjtën etje për të kërkuar dhe njohur Zotin, por e kanë sosur komunikimin me Zotin duke i vënë kapak Burimit të Pashtershëm të njohjes së Zotit! Keqardhje për muslimanët e tillë, të cilëve iu mor buka në gjendje urie dhe iu mor uji edhe pse janë të etur! Por kjo nuk është e vërtetë. Kurani ka treguar shumë herë që në umetet e mëparshme njerëzit e thjeshtë, qofshin edhe gratë, kanë komunikuar me Zotin përmes shpalljes, andaj, nuk ishte e mundur që muslimanët e sinqertë, duke qenë ndjekës të umetit më të mirë dhe Profetit më të mirë, të privoheshin nga ky bekim. Lexoni edhe 41:31-32.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp