39 : 24 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • اَللّٰہُ نَزَّلَ اَحۡسَنَ الۡحَدِیۡثِ کِتٰبًا مُّتَشَابِہًا مَّثَانِیَ ٭ۖ تَقۡشَعِرُّ مِنۡہُ جُلُوۡدُ الَّذِیۡنَ یَخۡشَوۡنَ رَبَّہُمۡ ۚ ثُمَّ تَلِیۡنُ جُلُوۡدُہُمۡ وَ قُلُوۡبُہُمۡ اِلٰی ذِکۡرِ اللّٰہِ ؕ ذٰلِکَ ہُدَی اللّٰہِ یَہۡدِیۡ بِہٖ مَنۡ یَّشَآءُ ؕ وَ مَنۡ یُّضۡلِلِ اللّٰہُ فَمَا لَہٗ مِنۡ ہَادٍ ﴿۲۴﴾
    39 : 24 Allahu zbriti fjalën më të bukur, një Libër që ka (ajete me) ngjasime (dhe që) përsëriten shpesh; nga ai u rrëqethet trupi atyre që i frikësohen Zotit të vet, pastaj u zbuten lëkurat dhe zemrat nga kujtimi i Allahut. Ky është udhëzimi i Allahut, me të cilin Ai udhëzon kë të dojë. Dhe atë që Allahu e cilëson të devijuar, nuk ka më udhëzues për të.
    Shpjegime

    Forma më e plotë dhe më shprehëse e shpalljes Hyjnore është ajo që është në Kuran. Në këtë ajet Kurani përshkruhet si kitaben muteshabihen, “një libër me ngjasime”, gjë që tregon se Kurani e ka si veti shumëkuptimësinë, por për këtë, duhet që ajetet ta mbështesin njëra-tjetrën, pasi ato janë të ngjashme. Nëse e studion Kuranin me këtë metodë, nuk gjen dot asnjë kontradiktë a mospërputhje në asnjë ajet të tij. Kjo natyrisht përbën një nga përsosmëritë e tij të paimitueshme. Një tjetër përsosmëri e Kuranit qëndron në faktin se ai ka përdorur metafora, alegori, simbole dhe të gjitha metodat e ligjërimit që sot njihen edhe si format letrare, për t’ia mësuar njeriut sa më qartë mesazhin Hyjnor. Kjo ia shton shumë bukurinë dhe shprehësinë duke siguruar njëkohësisht edhe kuptime të shumta në sa më pak fjalë. Po kështu, Kurani në këtë ajet u quajt methanije, “e përsëritur”, që nënkupton se Kurani përshkruan parimet bazë të besimit në mënyrë të përsëritur dhe në forma të ndryshme, që të theksojë rëndësinë, domosdoshmërinë dhe qëllimin e tyre. Kjo fjalë gjithashtu ka kuptimin që disa nga mësimet e Kuranit ngjajnë me ato të Librave të mëparshëm Hyjnorë, mësime të cilat janë të patjetërsueshme dhe të përsosura në domethëniet e tyre. Për sa i përket ndikimit të Kuranit, ky ajet pohon që lexuesit e tij së pari pushtohen nga madhështia e Zotit të tyre, ndikim i cili pasqyrohet në lëkurat e tyre, dhe më pas ata fillojnë të kenë druajtje ndaj Tij, saqë duke lexuar alarmimet e Tij dhe duke parë shenjat e Madhështisë së Tij, rrëqethen nga frika e mospëlqimit të Tij. Andaj, përpiqen natë e ditë për t’iu nënshtruar Atij. Kur ky nënshtrim u bëhet pjesë e qenies së tyre, lëkurat dhe zemrat e tyre drithërohen, dhe ata me mish e me shpirt jepen pas Zotit në atë mënyrë, që përmendja e Allahut fillon të rrjedhë si ujë në shpirtin e tyre. Atëherë ata zbatojnë çdo porosi Hyjnore me lehtësi, pa pasur asnjë pengesë në kokë dhe pa ndier asnjë barrë në kraharor. Pra, Allahu i Madhërishëm ua ndërron tërë frikën dhe të gjitha brengat me një kënaqësi të veçantë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp