30 : 31 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • فَاَقِمۡ وَجۡہَکَ لِلدِّیۡنِ حَنِیۡفًا ؕ فِطۡرَتَ اللّٰہِ الَّتِیۡ فَطَرَ النَّاسَ عَلَیۡہَا ؕ لَا تَبۡدِیۡلَ لِخَلۡقِ اللّٰہِ ؕ ذٰلِکَ الدِّیۡنُ الۡقَیِّمُ ٭ۙ وَ لٰکِنَّ اَکۡثَرَ النَّاسِ لَا یَعۡلَمُوۡنَ ﴿٭ۙ۳۱﴾
    30 : 31 Andaj, përqendro vëmendjen tënde për fenë (e Allahut) duke qenë tërësisht i anuar (nga Ai). (Ndiq) natyrën e Allahut në të cilën Ai i krijoi njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin e Allahut. Kjo është feja e qëndrueshme, por shumica e njerëzve nuk dinë.
    Shpjegime

    1) Kjo do të thotë se Allahu i Madhërishëm krijoi njerëzit mbi natyrën e pastër dhe kjo është feja e çdo njeriu në të cilën ai lind. Më vonë, për shkak të ndikimeve të ndryshme, njeriu devijon rrugën. Pra, ky ajet tregon se fëmijët që lindin qoftë te të krishterët, qoftë te hebrenjtë apo te hindutë etj., lindin të pastër e të pafajshëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Çdo fëmijë lind me natyrën e pastër, por prindërt e tij e bëjnë jude, të krishterë, adhurues të zjarrit etj..” (Buhari, nr. 4775).

    2) Feja që ka më të saktë njohjen ndaj Zotit dhe më të bukur adhurimin ndaj Tij është Islami dhe Islamin Zoti e ka lënë në natyrën e njeriut. Zoti e krijoi njeriun mbi Islamin dhe për Islamin. Kjo është feja e qëndrueshme. Kjo do të thotë se Zoti deshi që njeriu me të gjitha aftësitë e tij, ta adhurojë Atë, t’i bindet Atij dhe ta dojë Atë. Pikërisht për këtë arsye, Ai Zot që është i Plotfuqishëm dhe Bujar, njeriut i dhuroi të gjitha aftësitë në përputhje me Islamin. Edhe të krishterët, për shembull, do të pranonin se aty ku nuk është propaganduar Triniteti, Zoti do t’u kërkojë llogari njerëzve për besimin në Njëshmërinë e Zotit e jo për Trinitetin. Pra, besimi në Një Zot është në natyrën e njeriut, dhe ky është Islami. Po kështu, ky ajet tregon se muslimani është porositur të ndjekë të dyja ligjësitë, edhe Librin e shenjtë (Sheriatin) që ka ligje, edhe “librin” e natyrës që është vepër e Zotit, dhe të mos nxitohet për të marrë një vendim të prerë për Librin e shenjtë, pa pasur një dëshmi edhe nga libri i natyrës. Kështu që, muslimani i përsosur është ai që i ndjek të dy “librat” dhe që sheh me të dy sytë. Muslimani i tillë gjithmonë do të jetë në rrugën e drejtë dhe askush nuk mund ta devijojë dot atë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp