4 : 35 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • اَلرِّجَالُ قَوّٰمُوۡنَ عَلَی النِّسَآءِ بِمَا فَضَّلَ اللّٰہُ بَعۡضَہُمۡ عَلٰی بَعۡضٍ وَّ بِمَاۤ اَنۡفَقُوۡا مِنۡ اَمۡوَالِہِمۡ ؕ فَالصّٰلِحٰتُ قٰنِتٰتٌ حٰفِظٰتٌ لِّلۡغَیۡبِ بِمَا حَفِظَ اللّٰہُ ؕ وَ الّٰتِیۡ تَخَافُوۡنَ نُشُوۡزَہُنَّ فَعِظُوۡہُنَّ وَ اہۡجُرُوۡہُنَّ فِی الۡمَضَاجِعِ وَ اضۡرِبُوۡہُنَّ ۚ فَاِنۡ اَطَعۡنَکُمۡ فَلَا تَبۡغُوۡا عَلَیۡہِنَّ سَبِیۡلًا ؕ اِنَّ اللّٰہَ کَانَ عَلِیًّا کَبِیۡرًا ﴿۳۵﴾
    4 : 35 Burrat janë kujdestarë të grave për shkak të epërsisë që Zoti u ka dhënë disave prej jush mbi disa të tjerë, gjithashtu, edhe për shkak se ata shpenzojnë nga pasuritë e tyre (për to). Andaj, gratë e sinqerta janë të bindurat dhe ruajtëset, edhe në fshehtësi, të asaj për të cilën Allahu i ka porositur ta ruajnë. Dhe nga ato që keni frikë për rebelimin e tyre, (së pari) këshillojini pastaj lërini të veçuara në shtrat, pastaj (nëse lyp nevoja) ndëshkojini fizikisht. Nëse ju binden, mos kërkoni argument kundër tyre. Sigurisht, Allahu është shumë i Lartë, shumë i Madh.
    Shpjegime

    “Burrat janë kujdestarë të grave”: një kuptim i drejtpërdrejtë është që burrat fizikisht janë më të fuqishëm sesa gratë, në përgjithësi. Në këtë aspekt, nëse burrat nuk bëhen kujdestarë, mundet që gratë të dëmtohen. Së dyti, ata burra janë kujdestarë, të cilët me shpenzimet e tyre i mbajnë gratë e tyre. Kurse ata që jetojnë me të ardhurat e grave, nuk mund të gëzojnë të drejtën të quhen kujdestarë. Zoti nga njëra anë e quajti burrin kujdestar duke i dhënë edhe forcën fizike, dhe nga ana tjetër, e obligoi me shpenzimet ndaj gruas dhe fëmijëve, kurse gruan e porositi që nëse burri përmbush obligimet e tij, ajo ka për detyrë të mbarështojë shtëpinë dhe të ruajë qetësinë shpirtërore, dhe po kështu, në mungesën e burrit, të mos lejojë të dëmtohet nderi i familjes. Kështu që, Zoti i Madhërishëm porosit edhe burrin, edhe gruan të plotësojnë detyrimet që kanë ndaj njëri-tjetrit. Në pjesën e fundit të ajetit sqarohet se nëse jeni kujdestarë të denjë dhe prapëseprapë, gratë tuaja kanë natyrë rebele, nuk ju lejohet t’i ndëshkoni menjëherë, por së pari, duhet t’i këshilloni. Nëse nuk jua pranojnë këshillën, të tërhiqeni nga marrëdhëniet bashkëshortore për një kohë. Nëse prapë nuk zbuten dhe vijojnë të sillen ne rebelim, atëherë keni leje t’i ndëshkoni fizikisht, por, në lidhje me këtë, Profeti Muhammed s.a.v.s. tha: Nuk duhet t’i qëlloni në fytyrë dhe nuk duhet t’i ndëshkoni në një mënyrë që atyre t’u mbetet shenjë në trup (Muslim, nr. 1217). Duke iu referuar këtij ajeti, shumë burra tentojnë të justifikojnë keqtrajtimet dhe mizoritë e tyre ndaj grave të tyre, kurse në të vërtetë, nëse i plotësojnë kushtet e përmendura në këtë ajet, nuk do të lindë fare nevoja për ndonjë ndëshkim fizik. Po të ishte i lejuar ndëshkimi fizik, do të gjenim qoftë një shembull në jetën e Profetit Muhammed s.a.v.s., që ai të ketë ndëshkuar fizikisht ndonjërën prej bashkëshorteve të tij, edhe pse ka pasur raste, kur disa nga gratë e tij kanë shkaktuar mospëlqimin e tij. Madje, Profeti s.a.v.s. shpesh këshillonte: “ushqeje gruan tënde siç ushqehesh, vishe siç vishesh, mos ia shaj fytyrën dhe mos e rrih” (Ebu Davud, nr. 2143). Pak ajete më parë, Kurani i porosit burrat t’i tolerojnë gratë, të bashkëjetojnë me mirësjellje, të anashkalojnë dobësitë e tyre, përveçse nëse bëjnë imoralitet të hapur (4:20). Përveç kësaj, Kurani i siguron gruas të drejtën e ndarjes nga burri, në çdo rast ku ajo sheh të pamundur të vijojë bashkëjetesën me të (2:230).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp