3 : 8 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • ہُوَ الَّذِیۡۤ اَنۡزَلَ عَلَیۡکَ الۡکِتٰبَ مِنۡہُ اٰیٰتٌ مُّحۡکَمٰتٌ ہُنَّ اُمُّ الۡکِتٰبِ وَ اُخَرُ مُتَشٰبِہٰتٌ ؕ فَاَمَّا الَّذِیۡنَ فِیۡ قُلُوۡبِہِمۡ زَیۡغٌ فَیَتَّبِعُوۡنَ مَا تَشَابَہَ مِنۡہُ ابۡتِغَآءَ الۡفِتۡنَۃِ وَ ابۡتِغَآءَ تَاۡوِیۡلِہٖ ۚ؃ وَ مَا یَعۡلَمُ تَاۡوِیۡلَہٗۤ اِلَّا اللّٰہُ ۘؔ وَ الرّٰسِخُوۡنَ فِی الۡعِلۡمِ یَقُوۡلُوۡنَ اٰمَنَّا بِہٖ ۙ کُلٌّ مِّنۡ عِنۡدِ رَبِّنَا ۚ وَ مَا یَذَّکَّرُ اِلَّاۤ اُولُوا الۡاَلۡبَابِ ﴿۸﴾
    3 : 8 Është Ai që të zbriti Librin në të cilin ka ajete të vendosura, që janë ama e Librit, dhe ka të tjera që janë të figurshme. Ata që kanë shtrembëri në zemrat e tyre, i ndjekin të figurshmet, duke dashur çrregullimin dhe duke kërkuar interpretimin e tyre. Kurse interpretimin e tyre nuk e di askush, përveç Allahut dhe të thelluarve në dije (që) thonë: “E besuam; gjithçka është prej Zotit tonë”. Askush nuk përfiton nga këshilla, përveç të mençurve.
    Shpjegime

    Disa nga ajetet e Kuranit janë të vendosura (muhkemat) në kuptimin që janë të qarta dhe nuk kanë vend për keqkuptime. Por ka disa ajete që janë të figurshme (muteshabihat), ku një lexues mund të gabojë në interpretimin e tyre. Por lexuesi i tillë kur u referohet ajeteve të vendosura, do ta kuptojë gabimin. Në këtë mënyrë, ajetet e vendosura janë quajtur gjithashtu nëna ose baza e Librit. Ajetet e vendosura në përgjithësi trajtojnë ligjin dhe doktrinat e besimit, ndërsa të figurshmet trajtojnë në përgjithësi elemente dytësore të ligjeve, ose përshkruajnë incidente të jetës së Profetëve apo të popujve të ndryshëm në atë mënyrë që ato të shërbejnë edhe si profeci për të ardhmen dhe, si të tilla, shpesh ato kanë edhe idioma dhe gjuhë konotative. Ata që kanë shtrembëri në zemrat, kur i lexojnë historitë e përmendura nga Kurani e që janë përmendur edhe në Librat e mëparshëm, tentojnë t’i kuptojnë duke u bazuar nga ajo që është mitizuar në të kaluarën, duke i harruar ajetet e vendosura të Kuranit, dhe në këtë mënyrë e fshehin meritën e Kuranit, i cili ka treguar të vërtetën e atyre historive. Andaj, ajetet e tilla, pra të figurshmet, nuk duhet t’i interpretoni në atë mënyrë që ato të bien ndesh me ajetet e vendosura. Duhet thënë se prania e gjuhës konotative, ose e metaforave, në ajetet e figurshme duket si në Kuranin e Shenjtë, ashtu edhe në Librat e mëparshëm Hyjnorë. Gjuha e figurshme është domosdoshmëri për të siguruar shumëkuptimësinë me sa më pak fjalë, për t’i shtuar bukurinë dhe elokuencën ligjërimit dhe gjithashtu, siç pohohet edhe në këtë ajet, për t’i vënë në provë njerëzit si nevojë e zhvillimit dhe e përsosjes së tyre shpirtërore. Lexoni edhe 56:80.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp