2 : 185 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • اَیَّامًا مَّعۡدُوۡدٰتٍ ؕ فَمَنۡ کَانَ مِنۡکُمۡ مَّرِیۡضًا اَوۡ عَلٰی سَفَرٍ فَعِدَّۃٌ مِّنۡ اَیَّامٍ اُخَرَ ؕ وَ عَلَی الَّذِیۡنَ یُطِیۡقُوۡنَہٗ فِدۡیَۃٌ طَعَامُ مِسۡکِیۡنٍ ؕ فَمَنۡ تَطَوَّعَ خَیۡرًا فَہُوَ خَیۡرٌ لَّہٗ ؕ وَ اَنۡ تَصُوۡمُوۡا خَیۡرٌ لَّکُمۡ اِنۡ کُنۡتُمۡ تَعۡلَمُوۡنَ ﴿۱۸۵﴾
    2 : 185 Janë pak ditë të numëruara. Kushdo që është i sëmurë prej jush, ose që gjendet në udhëtim, le ta plotësojë numrin në ditë të tjera. Ata që kanë mundësi, le të ushqejnë një të varfër si shpagim. Kushdo që bën mirësi shtesë, bën mirë për veten e tij. Dhe nëse agjëroni, kjo është mirë për ju, në qoftë se e dini.
    Shpjegime

    1) Udhëtari që agjëron, dëshiron të fitojë pëlqimin e Zotit me forcën e krahut të tij e jo me bindje ndaj Zotit, kurse besimi i vërtetë qëndron në bindjen ndaj fjalës së Zotit. Kush quhet udhëtar? Çdokush që bën një udhëtim qoftë të vogël apo të madh, por që te njerëzit në përgjithësi quhet udhëtim, është udhëtar. Veprat varen nga qëllimi (Buhari, nr. 1). Kur robi përgatitet, merr çantën a valixhen dhe niset për një rrugë, ai është udhëtar. Urdhri i Kuranit nuk është i bazuar te distanca e udhëtimit, por te termi i përgjithshëm që quhet udhëtim. Dhe meqë prej Zotit kanë ardhur edhe urdhri i agjërimit, edhe lehtësia, atëherë mirësia për robin qëndron në zbatimin e asaj që thotë Zoti.

    2) Në këtë ajet, folja jutikunehu ka të dyja kuptimet: ata që kanë mundësi, po ashtu ata që nuk kanë mundësi, sepse është një folje që në arabisht ka edhe kuptimin pohues, edhe atë mohues. Për këtë arsye, ajeti mund të ketë dy kuptime: (1) ata që nuk mund të agjërojnë për shkak të ndonjë sëmundjeje apo vështirësie të përkohshme, por më vonë mund të bëhen të aftë të agjërojnë, duhet të japin shpagimin, por më pas edhe duhet të agjërojnë; (2) ata që nuk kanë fare mundësi të agjërojnë, le të mjaftohen duke dhënë shpagimin.

    3) Muaji i Ramazanit është shumë i dobishëm për ndriçimin e zemrës. Namazi ia pastron shpirtin dhe agjërimi ia ndriçon zemrën. Pastrim i shpirtit do të thotë që njeriu të fitojë largësinë nga epshet e nefsit amarah (që nxit për të keqen, 12:53) dhe ndriçim i zemrës do të thotë që atij t’i hapet dera e vizionit (e keshfit), në mënyrë që ta shohë Zotin. Agjërimi nuk është vetëm që njeriu të rrijë pa bukë e pa ujë, madje agjërimi ka një përjetim dhe ndikim, që njeriu e kupton nga përvoja. Është në natyrën e njeriut që sa më pak të ushqehet, aq më shumë i pastrohet nefsi, dhe i shtohen edhe forcat për të pasur komunikimin Hyjnor. Me agjërimin Zoti dëshiron që njeriu të pakësojë njërin ushqim, dhe të shtojë ushqimin tjetër, shpirtërorin. Agjërimi gjithashtu është shumë i dobishëm edhe për shëndetin.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp