2 : 32 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • وَ عَلَّمَ اٰدَمَ الۡاَسۡمَآءَ کُلَّہَا ثُمَّ عَرَضَہُمۡ عَلَی الۡمَلٰٓئِکَۃِ ۙ فَقَالَ اَنۡۢبِـُٔوۡنِیۡ بِاَسۡمَآءِ ہٰۤؤُلَآءِ اِنۡ کُنۡتُمۡ صٰدِقِیۡنَ ﴿۳۲﴾
    2 : 32 Ai ia mësoi Ademit të gjithë emrat e më pas ua paraqiti ato (krijesa) engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, po qe se e thoni të vërtetën!”
    Shpjegime

    Ademi a.s. që jetoi rreth 6000 vjet më parë, besohet nga shumë njerëz se është njeriu i parë i krijuar nga Zoti në planetin e Tokës. Megjithatë, kjo pikëpamje nuk vërtetohet nga Kurani. Bota ka kaluar nëpër cikle të ndryshme krijimi e qytetërimi, dhe Ademi a.s., paraardhësi i racës së tanishme njerëzore, është vetëm lidhja e parë në ciklin e tanishëm, dhe jo njeriu i parë në krijimin e Zotit. Është thënë shumë për vendin ku lindi Hazret Ademi a.s. ose ku u rrit si Profet. Mendimi popullor është se ai u vendos në xhenet (jashtë Tokës), por më vonë u dëbua prej tij dhe u vendos diku në Tokë. Fjalët e këtij ajeti “në tokë”, e hedhin poshtë këtë pikëpamje, madje vërtetojnë se Hazret Ademi a.s. jetoi në Tokë dhe po këtu Allahu e ngriti si Kalif, pra profet të Tij. Kështu, ai ishte Profeti i parë i njerëzimit. Lexoni edhe 7:12.

    Fjala emrat mund t’u referohet shumë gjërave, për shembull: (1) realiteteve të sendeve, (2) emrave të gjuhës arabe, (3) atributeve që nuk kishin engjëjt, (4) emrave të Profetëve që do të lindnin nga soji i Ademit. Engjëjt nuk i dinin këta emra dhe kur Ademi ua përmendi, ata u befasuan. Ideja e engjëjve që “ai do të derdhë gjak” duket e vërtetë në lidhje me ardhjen e Profetëve, por jo sipas vështrimit të engjëjve. Ata e dinin se nëse do të caktohej ndonjë mëkëmbës i Zotit në tokë, do të derdhej gjak, por nuk e dinin se kjo nuk do të ndodhte për fajin e Profetit, por për fajin e kundërshtarëve të tij. Një kuptim tjetër është që Zoti e njohu me Emrat e Vetë që quhen esmaul-husna (59:25), pasi engjëjt nuk mund t’i ndiqnin shumë nga atributet e Zotit, kurse njeriu po, dhe si i tillë ai bëhet mëkëmbës i Tij në tokë. Pra, engjëjt janë një krijesë që nuk kanë vullnet të lirë dhe ata bëjnë vetëm atë që u urdhërohet (66:7), kurse njeriu ka lirinë e zgjedhjes, gjë që e bën të mundur t’i pasqyrojë emrat ose atributet e Zotit më shumë sesa engjëjt (lexoni edhe 2:31). Shkurt, Zoti së pari i dha Ademit lirinë e zgjedhjes dhe kapacitetet e nevojshme për t’u njohur me emrat e Zotit, e më pas i dha edhe dijen rreth emrave të Tij dhe e udhëzoi.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp