- خَتَمَ اللّٰہُ عَلٰی قُلُوۡبِہِمۡ وَ عَلٰی سَمۡعِہِمۡ ؕ وَ عَلٰۤی اَبۡصَارِہِمۡ غِشَاوَۃٌ ۫ وَّ لَہُمۡ عَذَابٌ عَظِیۡمٌ ٪﴿۸﴾2 : 8 Allahu ua vulosi zemrat dhe dëgjimin, dhe mbi sytë e tyre ka perde. Për ta është ndëshkim i madh.Shpjegime
Kurani i Shenjtë qartazi ka shpjeguar se kjo vulosje në zemrën e njeriut që ia bën Zoti, shkaktohet nga veprat e njeriut, sepse kur njeriu bën një veprim të caktuar, edhe ligji i Zotit vepron duke shkaktuar rezultatin e veprimit të njeriut. Duke përmendur shkaqet e një vulosjeje të tillë, në një ajet tjetër thuhet: “Por kur ata bënë shtrembëri, Allahu ua shtrembëroi zemrat…” (61:6). Kjo pikërisht quhet vulosje në zemër. Por Zoti ynë nuk është i tillë që të mos ia heq këtë vulosje, përkundrazi, Ai ka treguar në Kuran edhe metodën, të cilën duke e përdorur, njeriu mund ta largojë këtë damkë, siç thotë: “(dijeni) se ndaj atyre që pendohen, Ai është shumë Falës” (17:26; 3:87-90). Përveç kësaj, organet që njeriu nuk i përdor për një kohë të gjatë, ose i keqpërdor, dalin jashtë funksionit. Mohuesit që përmenden këtu, kur u ballafaquan me të vërtetën, kanë refuzuar t’i vënë në funksion zemrat, dëgjimin dhe shikimin e tyre, rrjedhimisht i kanë humbur këto aftësi.