1 : 5 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • اِیَّاکَ نَعۡبُدُ وَ اِیَّاکَ نَسۡتَعِیۡنُ ؕ﴿۵﴾
    1 : 5 Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
    Shpjegime

    Forma e kohës së kryer të thjeshtë të fjalës na’budu është abede (adhuroi). Sipas fjalorit: “abede Allahe do të thotë iu nënshtrua Allahut, uli kokën përpara Tij, i shërbeu, zbatoi me rregullsi porositë e fesë së Tij dhe pranoi njëshmërinë e Tij” (Akrab). Një kuptim tjetër i fjalës abd është të ndjekësh gjurmët e tjetrit. Në arabisht thuhet tarikun muabbedun [muabbedun vjen nga abd], d.m.th. një rrugë është shkelur kaq shumë saqë është sheshuar nga gjurmët e këmbëve (Lisan el-Arab, zëri: abd). Kështu, ibadet do të thotë që njeriu të largojë çdolloj shtrembësie dhe të rrafshojë “tokën” e zemrës aq pastër, siç e rrafshon dhe e pastron bujku tokën e tij. Pra, edhe robi ka nevojë të pastrojë “tokën” e zemrës nga gurët, të sheshojë vendet e ngritura, dhe ta pastrojë aq shumë, saqë aty të mbetet vetëm shpirti. Ky është procesi i ibadetit për shpirtin. Po këtë pastrim kur i bën pasqyrës, aty sheh fytyrën tënde në mënyrë të pastër. Kur ia bën tokës, ajo lulëzon dhe nxjerr fruta të shumëllojshme. Andaj, edhe njeriu nëse ia bën këtë pastrim zemrës së tij, duke hequr çdo “gur” të panevojshëm, duke rregulluar çdo shtrembësi të saj dhe duke sheshuar çdo ulje-ngritje, ai do të arrijë ta shohë Zotin në pasqyrën e zemrës së tij. Një përkushtim të tillë njeriu mund ta bëjë vetëm për Qenien që zotëron katër atributet e përmendura më lart. Ky është një nga kuptimet e të qenit rob (abd) i Allahut, sepse prej kësaj fjale vjen edhe fjala abd, që në shqip zakonisht e përkthejmë rob. Pra, abdullah: rob i Allahut. Andaj lexuesi duhet të ketë parasysh se rob i Allahut nuk është në kuptimin e të qenit skllav, por në kuptimin që ka fjala ibadet.

    Fjalët, vetëm Ty të adhurojmë, janë vendosur përpara fjalëve, vetëm Ty të kërkojmë ndihmë. Kjo sepse njeriu, pasi të njihet me cilësitë madhore të Zotit, në mënyrë të vetvetishme do të dojë ta adhurojë Atë. Por, siç u tha në komentin e mëparshëm, adhurimi është një proces gjithëpërfshirës dhe jo i lehtë, andaj, ai ka nevojë për ndihmën e Zotit gjatë këtij rrugëtimi.

    Përdorimi i numrit shumës në këtë ajet na tërheq vëmendjen te disa pika: (a) se njeriu nuk është i vetëm në këtë botë, por është pjesë përbërëse e shoqërisë që e rrethon, andaj, ai duhet të ketë dëshirë të rrugëtojë drejt Zotit jo thjesht vetëm, por të marrë edhe familjen, shoqërinë etj., dhe për këtë t’i lutet Zotit; (b) derisa njeriu nuk e reformon mjedisin dhe gjithë shoqërinë e tij, ai nuk është i sigurt.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp