1 : 4 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • مٰلِکِ یَوۡمِ الدِّیۡنِ ؕ﴿۴﴾
    1 : 4 Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
    Shpjegime

    Fjala “din” ka shumë kuptime: shpërblim, shpagim, gjykim, llogaridhënie, sundim, bindje; fe, etj. (Lane). Këto katër atribute të Zotit, pra, Zoti i botëve, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëbërësi dhe Sunduesi i Ditës së Gjykimit janë atribute themelore. Atributet e tjera të Zotit janë shpjeguese të këtyre katër atributeve, të cilat janë si katër shtylla të Arshit (Fronit) të Tij. Renditja e këtyre katër atributeve hedh dritë mbi mënyrën se si Zoti ia shfaq njeriut cilësitë e Tij. Atributi Rabbil-ālemīn (Zoti i të gjitha botëve) nënkupton se Zoti krijoi njeriun, gjithashtu edhe mjedisin e nevojshëm për përparimin dhe zhvillimin e tij. Më pas vepron atributi, Err-Rrahman (i Gjithmëshirshmi), nëpërmjet të cilit, Zoti i dhuron njeriut të gjitha mjetet dhe aftësitë e nevojshme për përparimin e tij moral dhe shpirtëror. Dhe kur njeriu fillon t’i përdorë këto mjete dhe aftësi, të dhuruara prej Zotit, fillon të veprojë atributi Err-Rrahim (Mëshirëbërësi) për të shpërblyer veprat e njeriut. Së fundi, atributi Māliki jeumiddīn (Sunduesi i Ditës së Gjykimit) shkakton rezultatet përfundimtare dhe kolektive të punës së njeriut. Ndonëse llogaria përfundimtare dhe e përsosur do të bëhet në Ditën e Gjykimit, procesi i shpërblimit dhe i ndëshkimit vazhdon edhe në këtë jetë, me ndryshimin që në këtë botë veprimet njerëzore shpesh gjykohen dhe shpërblehen edhe nga njerëz të tjerë, mbretër, sundimtarë, shtete, etj., prandaj këtu gjithmonë ekziston mundësia e gabimit dhe e padrejtësisë. Kurse në Ditën e Gjykimit, Sundimi në mënyrë ekskluzive dhe absolute do të jetë vetëm i Zotit dhe shpërblimi dhe ndëshkimi do të jenë tërësisht në dorën e Tij. Aty nuk do të ketë asnjë gabim, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi dhe çdokush do të shpërblehet më shumë sesa ka punuar. Fjala “Sundues” gjithashtu tregon faktin se Zoti nuk është thjesht një gjykatës që është i detyruar të japë gjykimin e tij në mënyrë rigoroze në përputhje me një ligj të përcaktuar. Duke qenë Sundues, në Ditën e Gjykimit, Ai mund të falë kë të dojë, dhe të ndëshkojë kë të dojë, ku do të mbizotërojë edhe falja, edhe parimi që askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi aspak.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp