1 : 2 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • اَلۡحَمۡدُ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ ۙ﴿۲﴾
    1 : 2 Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve;
    Shpjegime

    Folja rab-be do të thotë, ai administroi një çështje, rriti dikë, zhvilloi e përmirësoi dikë, çoi deri në fund një punë të caktuar, mbajti dikë dhe u kujdes për të. Kështu rab do të thotë, (a) Zot, Mjeshtër, Krijues; (b) Ai që mbështet dhe zhvillon; (c) Ai që krijon diçka dhe e çon shkallë-shkallë drejt përsosmërisë (Mufredat). Në varësi të kontekstit, kjo fjalë përdoret edhe për persona ose qenie të tjera përveç Zotit.

    Fjala el-’ālemīn është shumësi i ālem (botë). Rrjedh prej fjalës ilm, që do të thotë dije. Çdo gjë që vjen në dijeni, përfshihet në ālem. Po kështu, të gjitha qeniet a sendet, me anë të të cilave njeriu mund të njohë Krijuesin, përfshihet në kuptimin e kësaj fjale (Akrab). Shumësi i kësaj fjale nënkupton jo vetëm të gjitha llojet e qenieve ose sendeve të krijuara, por edhe klasat ose kategoritë e tyre. Kur dikush thotë alemul-ins, do të thotë bota e njerëzve, alemul-hajavan do të thotë bota e kafshëve. Fjala ālemīn përfshin jo vetëm Tokën, por të gjithë trupat qiellorë, galaktikat dhe çdo gjë e universit që vjen në dijeninë e njeriut.

    Veç kësaj, fjala ālemīn përfshin të gjithë popujt dhe kombet, të gjitha epokat dhe kohët. Zoti e nisi Kuranin e Shenjtë me këtë ajet edhe për të hedhur poshtë besimin e gabuar të atyre popujve, të cilët e monopolizojnë kujdestarinë e Zotit vetëm për popullin e vet, duke përjashtuar popujt e tjerë nga ndikimi i këtij atributi të Tij, sikur ata të mos jenë fare krijesa të Tij, ose gjoja Ai, pasi i krijoi, t’i ketë lënë përjetësisht në harresë.

    Ky ajet hedh dritë edhe mbi evolucionin. Allahu është Rab i të gjitha botëve, do të thotë se Ai i krijon ato, e më pas i shpie shkallë-shkallë drejt përsosmërisë. Pra, sipas Kuranit, koncepti i evolucionit nuk bie ndesh me besimin në Zot, por përkundrazi. Megjithatë, koncepti që paraqet ky ajet nuk është identik i njëjtë me teorinë e evolucionit që kuptohet nga shumë njerëz sot në botë. Sipas Kuranit, evolucioni e ka një Zot dhe është Ai që krijon dhe bën seleksionimin (28:69), kurse sipas teorisë që paraqesin evolucionistët, krijimin dhe seleksionimin e bën rastësia. Këtë të fundit, ajeti e hedh poshtë duke pohuar se edhe krijimi, edhe seleksionimi po e lavdërojnë Zotin (Rabbin) me anë të përsosurisë së tyre. Ky ajet gjithashtu pohon se njeriu është krijuar për të pasur progres të pambarim, gjë që e tregon kuptimi thelbësor i emrit Rab – që zhvillon diçka shkallë-shkallë drejt përsosmërisë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp