Rëndësia e namazit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
rendesia namazi

Kur’ani i Shenjtë në shumë ajete përmend namazin dhe rëndësinë e tij, madje faljen e tij si veti e një besimtari të vërtetë.  Në fillim të sures el-Bekare thuhet:

ذَٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ. الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِالْغَيْبِ وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ

(Dhālikel-kitābu lā rejbe fīhi huden lil-muttekīn. El-ledhīne ju’minūne bil-gajbi we jukīmūnes-salāte we mimmā rezaknāhum junfikūn)
Ky është Libri. Nuk ka mëdyshje në të. Është udhëzim për të druajturit. Që besojnë në të padukshmen, falin namazin dhe shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë”. (Sure el-Bekare, 2:3-4)

Namazi na ndihmon të largohemi prej mëkateve, na mundëson të drejtohemi kah Allahu, të bëjmë punë të mira dhe kështu dalëngadalë ai na pastron dhe na bën të dëlirë. Dhe jo vetëm kaq. Namazi e afron njeriun me Allahun. Namazfalësi përpiqet t’i imitojë Zotin e Madhërishëm në atributet e Tij të bukura dhe ai vazhdimisht zhvillohet nga një qenie e ulët dhe materiale në një qenie të lartë fisnike, gjersa bëhet rob i vërtetë i Allahut. Këtë cilësi të dalluar Kurani i Shenjtë e përmend me këto fjalë:

اتْلُ مَا أُوحِيَ إِلَيْكَ مِنَ الْكِتَابِ وَأَقِمِ الصَّلَاةَ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَلَذِكْرُ اللَّـهِ أَكْبَرُ وَاللَّـهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ

(Utlu mā ūhije ilejke minel-kitābi we ekimis-salāte innes-salāte tenhā ‘anil-fahshāi wel-munkeri we ledhikrull-llāhi ekber wAll-llāhu ja’lemu mā tasne‘ūn)
Recitoje atë që të shpallet prej Librit dhe fal namazin. Sigurisht, namazi ndalon nga imoraliteti dhe vepra e shëmtuar. Dhe përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe. Allahu e di atë që bëni”. (Sure el-‘Ankebūt, 29:46)

Në të vërtetë, namazi është ndër adhurimet kryesore që mundëson pastrimin e zemrës dhe të shpirtit. Pikërisht me anë të namazit mund të krijojmë një lidhje të gjallë me Allahun. Kurani i Shenjtë thotë:

إِنَّ الَّذِينَ يَتْلُونَ كِتَابَ اللَّـهِ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَأَنفَقُوا مِمَّا رَزَقْنَاهُمْ سِرًّا وَعَلَانِيَةً يَرْجُونَ تِجَارَةً لَّن تَبُورَ. لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَيَزِيدَهُم مِّن فَضْلِهِ إِنَّهُ غَفُورٌ شَكُورٌ

(Innel-ledhīne jetlūne kitābAll-llāhi we ekāmus-salāte we enfekū mimmā rezaknāhum sirr-ren we ‘alānijeten jerxhūne tixhāreten len tebūr. Lijuweffijehum uxhūrehum we jezīdehum min fadlihi innehu gafūrun shekūr)
Sigurisht, ata që recitojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe shpenzojnë fshehtas e haptas nga ajo që ua kemi dhënë, shpresojnë një tregti që nuk falimenton kurrë. Që Allahu t’ua japë plotësisht shpërblimet e tyre dhe t’u shtojë edhe nga bekimi i Tij. Sigurisht, Ai është Falës, Mirënjohës”. (Sure Fātir, 30-31)

Përjetimi i namazit, sipas Profetit të Shenjtë s.a.v.s., është arritja më e lartë shpirtërore në jetën e besimtarit. Kjo arritje është edhe esenca e adhurimit të Allahut. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. thotë:

Namazi është miraxhi i besimtarit”.

Duhet ditur që lutja dhe namazi i sinqertë asnjëherë nuk shkojnë kot. Nga kjo përvojë shpirtërore besimtarit herë-herë i lotojnë për dashurinë ndaj Allahut, duke i krijuar një ndjenjë lumturie në zemër. Këto përvoja janë shenja të gjallërimit të namazit, që ai është kuptimplotë dhe i frytshëm. Përndryshe, formaliteti nuk mjafton dhe nuk i sjellë dobi njeriut. Formaliteti nënkupton bindjen para një urdhri, por pa e mbartur me vete sinqeritetin e zemrës. Për këtë arsye, ai që e ka filluar faljen e namazit rishtazi, duhet ta ketë parasysh këtë qëllim fisnik të namazit dhe vazhdimisht të përpiqet ta gjallërojë namazin.

Namazi ndërthur në vete të gjitha aspektet e përulësisë dhe të nënshtrimit. Namazfalësit qëndrojnë në rreshta (safe) prapa imamit, duke treguar respekt të plotë ndaj Zotit.

Namazfalësit që rreshtohen mbas imamit, duhet të ndjekin çdo lëvizje të imamit sipas thirrjes së tij. Thirrja për çdo lëvizje është All-llāhu Ekber – Allahu është më i Madhi, përveç thirrjes kur imami qëndron drejtë pas ngritjes nga rukūja – kur në vend të All-llāhu Ekber, ai thotë Sami’All-llāhu limen hamideh që do të thotë: Allahu e dëgjoi atë që e lavdëroi Atë. Me këtë thirrje, të gjithë ndjekësit (muktedij a xhematlij) ngrihen nga rukūja dhe qëndrojnë drejt në këmbë dhe thonë: Rabbenā we lekel-hamd, hamden kethīren tajjiben mubāreken fīhi që do të thotë: O Zoti ynë! E Jotja është Lavdia! Lavdi e shumtë, e pastër dhe e bekuar!

Sinqeriteti dhe përulësia janë esenca e namazit. Allahu i Madhëruar thotë:

قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ. الَّذِينَ هُمْ فِي صَلَاتِهِمْ خَاشِعُونَ

(Kad eflehal-mu’minūn. El-ledhīne hum fi salātihim khāshi‘ūn)
Ngadhënjyen besimtarët, të cilët përgjërojnë në namazet e tyre”. (Sure el-Mu’minūn, 23:2-3)

Ndërsa Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka thënë:

Ai që përulet një gradë ndaj Allahut të Madhërishëm, për shkak të kësaj edhe Allahu e ngre (jerfe’hull-llāhu) atë një gradë” (Sunen Ibn Māxheh, kitāb “Ez-Zuhd”, hadithi nr. 4175).

Folja arabe refe‘a në këtë hadith do të thotë ‘ngritje’. Kuptimisht nuk do të thotë se Allahu i Madhëruar e ngrit besimtarin fizikisht në qiell, por Allahu i jep besimtarit një status të lartë shpirtëror. Modestia e vërtetë arrihet vetëm duke u përqendruar në atributet e Allahut. Kur madhështia e Tij e pakufishme e mbulon dikë, ai vetvetiu ndihet i përulur.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp