Zoti thotë në Kuranin e Shenjtë:
“Ata e dinë të dukshmen e jetës së kësaj bote, por janë të pavëmendshëm ndaj ahiretit.”[1]
Përvoja jetësore dëshmon se njeriu ka nevojë të madhe për të gjetur kuptimin e jetës, për një mbështetje metafizike në përballjen e tij me absurdin, me ndjenjën e padurueshme të vetmisë, me trishtimin panikues të një krijese fatprerë, të vdekshme, që nuk mund të jetojë vetëm, por kërkon një pikë mbështetjeje. Shumë njerëz i tmerron vdekja. Dikush thotë: “Tmerrohem kur përfytyroj se trupin tim do ta hanë krimbat”. Dikush tjetër thotë: “Më tmerron dheu që do të më hedhin ditën që do ta lëshoj këtë jetë”. Dikush tjetër thotë: “Nuk e duroj dot ndarjen nga kjo jetë, ndarjen nga fëmijët e mi, shokët, miqtë, pasuria, lavdia, ndarja nga të mirat e kësaj jete”. Një tjetër thotë: “Kur shkoj në ndonjë varrim, ndiej se njerëzit bëhen më të mirë, më të arsyeshëm e më të urtë, sikur marrin diçka nga kuptimi i kësaj jete”. Ka dhe nga ata që nga ky tmerr gati pësojnë depresion dhe kalojnë deri në vetëvrasje. Duke medituar mbi vdekjen, shumë njerëz binden se nuk kanë kuptuar se ç’është jeta? Kjo i shtyn të meditojnë dhe të kërkojnë këtë kuptim. Duke kërkuar, kuptojnë se shkenca ka shkuar deri në thellësitë e gjithësisë dhe në thellësitë e pjesës më të vogël të materies, por nuk kanë kuptuar mirë se çfarë është jeta? Ndoshta këtu fillon pozicionimi shkencë~feja. Ndërsa shkenca zbulon ligjësitë ekzistuese dhe vetitë e materies në funksion të jetës, feja i jep kuptim jetës nëpërmjet përjetësisë.
Është e vështirë të mposhtet argumenti se frika nga vdekja e detyron njeriun që të shpikë dhe të besojë në një fuqi për ta luftuar ndjenjën e absurdit të të jetuarit. Nisur nga kjo, shumë njerëzve u duket si përrallë, si një fantazi boshe, gati si një marrëzi ekzistenca e botës së përtejme dhe janë gati të shurdhër dhe të verbër. Kur fillon e u flet për këtë fushë, verbëria, shurdhëria dhe memecëria njerëzore shumëfishohen. Perdja ndarëse midis dy botëve bëhet gati hermetike dhe e paperceptueshme. Kjo nuk është sëmundje vetëm e kësaj epoke, por e gjithë historia njerëzore ka vuajtur nga ky makth, prandaj edhe librat hyjnorë e kanë theksuar vazhdimisht.
Ai që më fuste në mendime, gjatë leximit të Kuranit të Shenjtë, ishte problemi i ekzistencës së një dimensioni jetësor përtej kësaj që jetojmë aktualisht, e përjetshme, shumë herë më e fuqishme se kjo që jetojmë. Ky është problemi, misteri, meraku, ankthi i qenies njerëzore. Këtu fillon edhe muri, perdja, vija ndarëse midis dy grupimeve të njerëzve. Këtë mister mbi përjetësinë, Kurani e përmbledh me tri ajete:
“Thuaj: Askush në qiej e tokë nuk e di të padukshmen, përveç Allahut. Ata nuk dinë se kur do të ngrihen (pas ringjalljes).
Madje, u ka sosur dija rreth ahiretit; madje, janë në dyshim rreth tij; madje, janë të verbër ndaj tij.
Ata që mohuan thanë: “Ne dhe baballarët tanë kur do të bëhemi dhe, vallë, a do të nxirremi sërish!”[2]
Të qenët “plotësisht i verbër” mbi këtë temë më bën edhe mua të shkruaj pak. Por, një gjë dihet, gjatë leximit të Kuranit përjetësia është e përshkruar gjatë dhe në dy kategori pamore të të jetuarit, të parajsës dhe të ferrit, të dritës dhe të errësirës, të lumturisë dhe të vuajtjes, të cilat janë të lidhura me dy format e të jetuarit në tokë; të atyre që besojnë dhe janë plotësisht të bindur për përjetësinë dhe të atyre që nuk besojnë dhe janë të lidhur vetëm me këtë botë, pa gjetur kuptimin e jetës. Raporti i besimit në përjetësinë është raporti mbi lirinë e vërtetë dhe lirinë e hamendësuar. Nëse dikush është i bindur plotësisht mbi përjetësinë, gjë që është një nga përpjekjet më të mëdha njerëzore, ai gëzon një liri absolute. Ndërsa, ai që nuk beson në përjetësi është peng i lirisë së kufizuar.
Kurani e ndan jetën njerëzore në tri nivele: niveli i parë është jeta tokësore, të cilën e kalojmë nga fëmijëria deri në ndërrimin e jetës, apo çasti i vdekjes që në Kuran quhet “zbulimi i së vërtetës”, pasi qenia njerëzore kupton se jeta vazhdon në një dimension tjetër. Kjo jetë tokësore është një periudhë me një distancë kohore shumë të vogël, gati e papërfillshme me dy të tjerat: me jetën e ndërmjetme dhe jetën e përjetshme.
Niveli i dytë në Kuranin e Shenjtë është quajtur Berzah, i cili është jeta e ndërmjetme që fillon pas vdekjes e përfundon me ditën e Kiametit ose të Gjykimit.
Niveli i tretë në Kuranin e Shenjtë njihet me emra, si “Çasti”, “Ora” “Dita e Gjykimit”. Ky pasqyrohet si momenti më i dhimbshëm që kalon nga faza shkatërrimtare e gjithçkaje deri në rikrijimin e ri.
Figuracioni i përshkruar në Kuranin e Shenjtë për ditën e Kiametit kalon çdo përfytyrim njerëzor.
Duke qenë se përshkruhet në disa faqe, po e përmbledh me fjalët e mia:
Kur të vijë oshtima, njeriu nuk do të dijë ku të shkojë. Qielli do të copëtohet e vaji do të derdhet si llum. Toka dhe malet do të bëhen pëlhurë. Detet do të marrin zjarr dhe vlojnë. Yjet do të përplasen me njëri-tjetrin dhe shuhen duke perënduar. Planetët do të thithen tutje si mirazh. Dielli do të humbasë shkëlqimin e do të shuhet. Në atë kohë, fëmijët do të thinjen. Gratë do të nxjerrin foshnjat nga barqet e tyre. Njerëzit nuk do të dinë ku të shkojnë si të dehur. Të vdekurit do të dalin nga varret, si të ishin tufa karkalecash të shpërndarë. Pastaj, toka do të shndrijë në dritën e Zotit dhe, në këtë moment, do të fillojë gjykimi. Çdo person do të shikojë “videon” e jetës së tij. Do të vijnë profetët e dëshmitarët. Do të gjykohet me drejtësi absolute. Disa do të mbulohen me dritë e disa do të nxihen… Pas këtij momenti, fillon përjetësia.
Të gjithë profetët e Zotit sollën mesazhin, idenë, skicën dhe projektin për botën që ne nuk e shikojmë me këto mjete që na ka dhënë Zoti, madje as edhe me mjetet më moderne të kohës. Për shembull, Jezusi ose Hazret Isai, thotë:
“Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!”[3]
Ishte mesazhi i Krishtit që solli një revolucion të tërë në të gjitha fushat e jetës, sidomos në: religjion, art, letërsi, filozofi e shkencë. Profeti Muhammed a.s., nëpërmjet Kuranit, detajoi idenë dhe i bëri më të qarta duke treguar rrugët konkrete të parajsës dhe të ferrit. Ai, Nëpërmjet mesazheve të tij, qoftë juridike, sociale, morale dhe spirituale, tregoi rrugët se si arrihet në përjetësi.
Bindja për botën e përtejme apo për përjetësinë është tema më e theksuar që vazhdon të tronditë mendimin njerëzor. Pikërisht për këtë mesazh, Isai a.s. dhe Muhammedi a.s. u persekutuan, u quajtën “gënjeshtarë, të marrë, magjistarë dhe të inspiruar nga demonët”. Kundërshtarët e Profetit Muhammed a.s. në Mekë, kur ai filloi të fliste për botën e përtejme dhe përjetësinë, i bënë atij ofendimin më të rëndë duke e goditur dhe hedhur mbi fytyrën dhe trupin e tij plehrat më të qelbura. Në Kuranin e Shenjtë pothuajse nuk ka asnjë kapitull ku përjetësia të mos theksohet ose të përsëritet disa herë:
“Dijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, dëfrim, zbukurim, mburrje ndërmjet njëri-tjetrit dhe garë për t’u shtuar në pasuri e (në) pasardhës; ajo është si shiu, gjelbërimi i të cilit i mahnit bujqit, më pas ai thahet dhe ti e sheh të zverdhur, dhe më pas bëhet pluhur. Në ahiret ka edhe ndëshkim të rëndë, edhe falje e pëlqim prej Allahut; kurse jeta e kësaj bote është vetëm një përfitim i përkohshëm (dhe) mashtrues.”[4]
“Ata që nuk besojnë ahiretin, Ne ua zbukurojmë punët, andaj, ata vërtiten (në kotësi).”[5]
Në pranimin po ose jo të Krijuesit e të besimit në përjetësinë ndahen dy grupimet më të mëdha: të atyre që besojnë në këtë Krijues, në përjetësinë dhe në projektin e Tij dhe të atyre që nuk e pranojnë Krijuesin dhe projektin e Tij, e as përjetësinë, ose më shkurt, grupi i besimtarëve dhe grupi i jobesimtarëve. Në projektin madhor të Zotit, na ka veçuar neve si qenie njerëzore, me një liri zgjedhjeje për dy rrugët e projektuara:
“Ne e drejtuam në udhë; le të jetë mirënjohës ose mosmirënjohës.”[6]
Këto dy rrugë e kanë zanafillën që në krijimin e njeriut: Ademi dhe Hava. Zoti i vendosi ata në parajsë. Aty ata ishin të mbuluar nga dashuria për Zotin, dashuria për njëri-tjetrin, si dhe nga dashuria për gjithë realitetin e parajsës. Zoti i kishte urdhëruar të bënin çfarë të donin, por të mos i afroheshin pemës. Kjo ishte pema e ndalimeve, e shkeljeve të porosive të Zotit.
Djalli i mashtroi dhe injektoi tek ta lakminë, duke u thënë se do të fitonin përjetësinë. Ata e shijuan pemën. Parajsa u shndërrua në një vend të çrregulluar. Zoti e urdhëroi Ademin të largohet prej andej, duke i dhënë udhëzimin: kush pranon udhëzimin Tim, do të jetë i shpëtuar, dhe kush mohon këto udhëzime dhe mashtrohet nga djalli, do të jetë i humbur. Pra, njeriu mbi këtë tokë, ka vetëm dy rrugë: ose të jetë besimtar duke e shijuar dhe sakrifikuar këtë botë për përfitimin e përjetësisë, ose të jetë jobesimtar e të besojë vetëm në këtë botë duke humbur përjetësinë në zjarrin e ferrit.
Rruga e jobesimtarëve është shumë e lehtë. Qëllimi i tyre është: bindja se ka vetëm një jetë, kjo jetë është materiale, prandaj duhet luftuar për kënaqësi maksimale duke fituar para dhe pasuri, kënaqësi e plotësim të të gjitha dëshirave, pasi kjo është e vetmja jetë e shkurtër ku fundi është gosti krimbash. Të gjithë ata që nuk besojnë në botën e përtejme janë jobesimtarë dhe aktiviteti i tyre i përditshëm dhe në jetë është preokupimi për këtë botë. Ata hamendësojnë për çdo gjë, për të sotmen dhe për të nesërmen dhe janë të lidhur marrëzisht pas jetës materiale. Idhujt e tyre janë: pasuria, paratë, etja për pushtet dhe lavdi, dëshirat instinktive, adhurimi i fëmijëve, krenaria dhe mburrja. Filozofia e tyre është e lidhur vetëm me këtë jetë, një filozofi materialiste, ku ekonomia është faktori përcaktues. Nëse atyre u pakëson të mirat materiale, ata preokupohen në ekstrem, egërsohen, stresohen dhe bëhen të padurueshëm. Madje, janë gati të përqafojnë çdo mënyrë sjelljeje, mjafton që të kenë përfitim material deri edhe në ndryshimin e personalitetit të tyre. Për ta ligjësuar sjelljen e tyre, ata shpikën: sisteme të ndryshme ekonomike e shoqërore, ligje, rregulla, zakone e kanune, të cilat janë të pafundme në të shkruara, të pamundura në të zbatuar nga drejtësia njerëzore e që i shpie shpesh në vetëvrasje kolektive, siç janë luftërat.
Në grupimin e atyre, që nuk besojnë në përjetësinë, janë shumica. Ata punojnë, përpiqen, sakrifikojnë, shpresojnë dhe hamendësojnë vetëm për këtë jetë. Ka prej tyre, të cilët i kanë rrënjët në: krim, pabesi, korrupsion, mafie, sadizëm, padrejtësi, shfrytëzim, shtypje, humbje të respektit për prindërit dhe mëshirën për krijesat, pushtim nga lakmia, zilia, urrejtja, rebelim dhe dhunë, bërja pesimist gjer kur vdekja u troket.
Ata, që janë të bindur plotësisht mbi përjetësinë, janë shumë pak, por janë të qetë, të devotshëm ndaj Krijuesit. Ata luten dhe lumturohen në gjetjen e kënaqësisë për atë çka i pret. Udhëzimi i tyre ligjor dhe moral janë librat hyjnorë. Ata nuk lënë pas asgjë nga kjo jetë, por njëkohësisht këtë jetë e përdorin për të fituar përjetësinë. Ata i janë nënshtruar fatit e janë të devotshëm për misionin e tyre, duke bërë të gjitha përpjekjet në këtë botë dhe janë të bindur se përfundimi është në duart e Krijuesit, e përpjekja në duart e tyre.
Shumica më e madhe e njerëzve nuk beson në të padukshmen dhe në përjetësinë. Ata i kushtojnë vëmendje të madhe pjesës së dukshme. Pra, ata kujdesen vazhdimisht për trupin, ushqehen disa herë në ditë, lahen, vishen dhe bëjnë kozmetikë, kujdesen pa pushim gjatë gjithë jetës, ndërsa për pjesën tjetër të padukshme, që është shpirti e që është personi i vërtetë, kujdesen shumë pak. Absurditeti zmadhohet në përmasa të frikshme nëse do të kuptoni se trupi juaj, për të cilin ju kujdeseni aq shumë, ka një jetë disavjeçare. Ndërsa shpirti, për të cilin kujdeseni aq pak, që jeni ju vetë, jeton me miliarda vite drite, pra në infinit! A nuk e kuptoni se, duke mos e ushqyer shpirtin, ju e lini atë të vogël brenda vetes, ndërsa ai duhet të zmadhohet me përmasat e përjetësisë?
Ju mund të thoni: “Si ta ushqejmë shpirtin?”
Pikërisht, Kurani i Shenjtë na ka treguar se shpirti, duke qenë krijim i Krijuesit, ushqehet vetëm duke u vënë në kontakt me Krijuesin nëpërmjet lutjeve që në Islam janë pesë herë në ditë. Ushqimi tjetër i shpirtit, duke qenë se ai është një dritë misterioze, është dija dhe urtësia, që janë të lidhura me Krijuesin, sepse lidhen ngushtë edhe me dritën. Mosushqimi i shpirtit është problem madhor i kësaj bote, burimi i të gjitha të këqijave. Ky ushqim i shpirtit të shpie me shpejtësi drejt lumturisë, e cila është një synim i pakapshëm në këtë botë. Lumturia nuk vjen as nga ngrënia dhe pirja e tepërt e as nga plotësimi i gjithë epsheve, ose zotërimi i pasurive. Lumturia është përmasë hyjnore. Këtë aftësi e ka vetëm shpirti, prandaj ushqejeni atë duke u vënë në kontakt me Zotin, duke u ndier mbretër të lirë të qiellit e jo skllevër e krimba të kësaj bote. Me lumturinë lidhet edhe qëllimi që Zoti i ka vënë njeriut për ta adhuruar Atë, pasi sa më shumë adhuron Zotin, aq më shumë lidhesh me Të, lidhje që të çon në përmasa hyjnore të spiritualizmit, të paqes dhe të lumturisë.
Duke qenë se Krijuesi është i lidhur në konceptin njerëzor me qiellin, me dritën, me të dukshmen dhe të padukshmen, me fillimin dhe mbarimin, me hapësirën dhe kohën, me shpirtin dhe krijimin, Ai dërgon dritë mbi grupimin e besimtarëve duke i orientuar drejt së vërtetës. Ndërsa grupimi i jobesimtarëve bëjnë një cikël të mbyllur, duke mos kuptuar që janë në errësirë dhe të paorientuar, ata i mundon shpresa. Janë pengu i veprimeve dhe hamendjeve të tyre. E gjithë dituria e tyre e grumbulluar është e kufizuar brenda kësaj bote dhe për këtë botë. Ata vetëm hamendësojnë, bien në pesimizëm, rebelohen ndaj gjithçkaje dhe mbulohen nga trishtimi dhe mundimi në shtegun pakrye për gjetjen e së vërtetës duke u mashtruar nga drita djallëzore e errësirës. Jobesimtarët janë brenda një cikli të mbyllur dhe pa rrugëdalje. Kurani i Shenjtë përshkruan:
“Dhe ata që mohuan, veprat e tyre janë si një mirazh në shkretëtirë, të cilin i eturi e mendon për ujë. E kur mbërrin tek ai, nuk gjen asgjë; aty e gjen Allahun, atëherë, Ai ia jep llogarinë e tij plotësisht. Allahu është i shpejtë në llogari.”[7]
Referenca
[1] Kurani i Shenjtë, 30:8.
[2] Kurani i Shenjtë, 27:66-68.
[3]Dhiata e Re, Ungjilli i Mateut, kapitulli 5, citati 3.
[4] Kurani i Shenjtë, 57:21.
[5] Kurani i Shenjtë, 27:5.
[6] Kurani i Shenjtë, 76:4.
[7] Kurani i Shenjtë 24:40.