Mufessirët (komentuesit) thonë se një nga xhaxhallarët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. quhej Abduluzza, dhe ngaqë ngjyra e tij ishte shumë e kuqe dhe e bardhë, kunja e tij ishte Ebu Leheb. (el-Bahrul-Muhit, Surja el-Leheb). Andaj, sipas tyre, Kurani i Shenjtë në suren el-Leheb ka përmendur kundërshtimet e tij.
Por duhet mbajtur mend se për nga kundërshtimi, Ebu Xhehli, kunja e të cilit ishte Ebul-Hakem, ishte shumë më i madh se Abduluzza. Dhe nga i gjithë Kurani i Shenjtë kuptohet se emri i përveçëm i ndonjë armiku të veçantë apo i ndonjë hipokriti nuk është përmendur në Kuranin e Shenjtë. Përkundrazi, nëse është përmendur ndonjë armik, është përmendur në mënyrë të tërthortë, me fjalë të përgjithshme dhe cilësuese, të cilat mund të zbatohen mbi njerëz të ndryshëm.
Për shembull, armiku i Ademit a.s. është përmendur me dy emra përshkrues: njëri është شَيْطَان “shejtan” dhe tjetri إِبْلِيس “iblis”. (shih: Surja el-Bekare, 2:31-40; el-A’raf, 7:12-26; TaHa, 20:117-129), domethënë ai ishte larg së vërtetës dhe i dëshpëruar nga mëshira e Allahut. Në të njëjtën mënyrë, një kundërshtar i ashpër i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i cili i nxiste njerëzit për luftë kundër tij, është përmendur me fjalën “shejtan”, por emri i tij i vërtetë nuk është përmendur. (el-Enfal 8:48). Edhe në këtë sure nuk ka fjalë që tregojnë për një person të veçantë; përkundrazi, kjo temë mund të zbatohet mbi shumë njerëz.
Duke pasur parasysh këtë mënyrë të shprehjes dhe duke parë se Abduluzza, i cili ishte xhaxhai i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ishte më i butë në kundërshtim se shumë armiq të tjerë, mund të themi se në këtë sure, për aq sa lidhet me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., është përmendur një grup armiqsh që i nxisnin njerëzit për luftë kundër tij. Dhe ajo që komentuesit thonë, se në këtë sure bëhet fjalë për një xhaxha të tij, fytyra e të cilit ishte e kuqe dhe e bardhë, nuk duket e saktë.
Fjala “Ebu Leheb” (babai i flakës) tregon se ai person ndizte zjarr. Edhe ajeti وَامْرَأَتُهُ حَمَّالَةَ الْحَطَبِ “Edhe gruaja e tij, si mbartëse e lëndës djegëse,” tregon se këtu bëhet fjalë për ndezjen e zjarrit, jo për bardhësinë apo skuqjen e fytyrës. Nëse dikush është quajtur Ebu Leheb për shkak të bardhësisë së fytyrës, ç’kuptim ka që gruaja e tij mbart dru dhe i hedh në zjarr? Drutë që i sillte ajo, a ia shtonin vallë bardhësinë e fytyrës Ebu Lehebit! Pra, realiteti është se në këtë sure përmenden ata armiq të ashpër që vazhdimisht ndiznin zjarrin e sherrit kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe është paralajmëruar se ata do të dështojnë.
Por duke pasur parasysh renditjen e sureve (e cila ka rëndësinë më të madhe në tefsir), kjo sure flet për epokën e fundit dhe për një popull që do të ndezë zjarr të madh kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ose kundër Islamit. Është parashikuar se ai grup do të orvatet të bashkojë me vete popujt fqinj, të cilët do të veprojnë porsi duart e tij, domethënë do të jenë ndihmësit e tij.
Ne shohim se në këtë kohë ekzistojnë dy grupe të tilla që janë të bashkuara kundër Islamit ose kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: një grup përbëhet nga disa fuqi perëndimore dhe një tjetër nga fuqitë lindore dhe aleatët e tyre. Në këtë kohë, me Ebu Lehebin nënkuptohen këto dy grupe. Ata janë Ebu Leheb edhe në kuptimin e jashtëm, sepse ngjyra e tyre është e kuqe dhe e bardhë; dhe janë Ebu Leheb edhe në kuptimin e brendshëm, sepse përgatiten për luftë zjarri dhe po prodhojnë bomba atomike dhe hidrogjeni; dhe gjithashtu janë Ebu Leheb në kuptimin që disa prej tyre vazhdojnë të prodhojnë literaturë kundër Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe të veprojnë kundër shteteve islame.
Gjithashtu, ka edhe një grup që punon shumë kundër Zotit dhe përhap ateizmin, domethënë grupi lindor, i cili ka shkatërruar shtete të mëdha islame, duke i marrë nën kontrollin e tij pjesët si Samarkandi, Buhari dhe rajonet e Sinkiangut, dhe duke bërë vazhdimisht plane kundër Turqisë, Irakut dhe Iranit. Pra, këto dy fuqi, për shkak të masave të tyre të jashtme dhe kundërshtimit fetar, meritojnë të quhen Ebu Leheb.
Kjo sure parashikon se popujt që meritojnë emrin Ebu Leheb dhe që do të shfaqen në kohën e fundit, Allahu do t’i bëjë të dështojnë, si ata ashtu edhe ndihmësit e tyre. Se cilët janë dy mbështetësit e fuqisë lindore që e ndihmojnë në veprimet e tij ushtarake dhe cilët janë dy mbështetësit e demokracisë perëndimore që e ndihmojnë në fuqinë e tij ushtarake, kjo është një çështje politike në të cilën nuk duam të hyjmë. Megjithatë, është e qartë se nga njëra anë, demokracia perëndimore po shton aleatët e saj dhe, nga ana tjetër, fuqia lindore po shton aleatët e saj, dhe të dyja janë të angazhuara në përgatitje për luftë. Kjo sure tregon se ata do t’i quajnë këto grupe si “alenca”. Pikërisht këto “duar” mbi të cilat ata mbështesin shpresat, Allahu do t’i paralizojë.
Pastaj thotë se përveç popujve të tjerë që janë si duart, edhe brenda këtyre vendeve do të gjenden grupe që do t’i nxisin qeveritë e tyre për luftë kundër Allahut dhe kundër Profetit Muhammedit s.a.v.s.. Është e qartë se grupe të tilla gjenden si në vendet perëndimore ashtu edhe në ato lindore. Këto grupe, për shkak se janë të brendshme, kjo sure i quan si اِمْرَاَتٌ domethënë “gruaja”. Pra, kur thotë se gruaja e Ebu Lehebit gjithashtu do të shkatërrohet, nënkupton që edhe grupet, të cilat duke hedhur dru vazhdimisht nxisin fuqinë e zjarrit të qeverive të tyre, gjithashtu do të dobësohen dhe do të pësojnë humbje.
Me “hedhjen e druve” këtu nënkuptohet se ata i nxisin qeveritë që të bëjnë veprime të tilla. Ashtu si në vendet perëndimore ka njerëz që shkruajnë literaturë kundër Islamit dhe i nxisin këto vende për mbështetjen e Izraelit; po kështu në Lindje ka njerëz që e nxisin popullin dhe qeveritë e tyre në përkrahje të mohimit dhe i përgatisin për luftë kundër Njëshmërisë së Allahut.
Nga kjo sure kuptohet se në fund Allahu do t’i largojë këto dy fitne. As njerëzit nxitës në demokracinë perëndimore nuk do të shpëtojnë, as ata në fuqinë lindore kundërshtare nuk do të shpëtojnë.
Pastaj thotë se, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për t’u shpëtuar, ata do të përfshihen në një luftë me flakë të mëdha. Allahu na ruajtë! Nga kjo kuptohet se ndoshta në një kohë mund të ndodhë luftë me bomba atomike dhe hidrogjeni. Por nëse Allahu do, siç kuptohet nga ajetet e Kuranit të Shenjtë, dënimet mund edhe të shmangen. Nëse këta njerëz kthehen tek Allahu dhe veprojnë me pendim të sinqertë duke bërë istigfar, ky dënim mund të shmanget. Nuk është e domosdoshme që të vijë në këtë formë; është e mundur që kjo profeci të përmbushet në formën e përplasjes së parimeve dhe kundërshtimit ideologjik, në vend të bombave atomike.