Në kërkim të pozicionit tim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Libri “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” nga Bujar Ramaj, i paraqitur mbi një tavolinë në një ambient të ngrohtë leximi.

Ideja tronditëse që ndesha, që në leximin e parë të Kuranit, ishte fakti që çdo gjë në qiell dhe në tokë është nënshtruar vetëm për ne njerëzit:

“Dhe Ai nënshtroi për ju atë që është në qiej dhe atë që është në tokë, gjithçka prej Tij. Pa dyshim, në të ka shenja për njerëzit që mendojnë.”[1]

Ajo që mendova e meditova kur lexova këtë ajet në Kuranin e Shenjtë ishte: nëse kjo është e vërtetë, kjo është mrekulli, atëherë pozicioni i njeriut në këtë botë duhet vetëriparuar. Ose njerëzit janë të marrë para mrekullisë, janë të verbër pa dritën e duhur, janë mosmirënjohësit më të mëdhenj të këtij planeti. Cili është mjeti që duhet përdorur për të parë dhe për të dëgjuar këtë të vërtetë?

Ideja se gjithçka në qiell dhe në tokë është e nënshtruar për njeriun m’u bë një ide fikse që më shoqëronte kudo e më ngacmonte përherë. Ky konstatim gati-gati më futi në mendime të thella. Nisa të meditoj e të lexoj shumë argumente nga Kurani. Sigurisht që unë nuk kisha dyshim, pasi ishte thënie kuranore, por vetë Kurani porosit që të meditojmë e të kërkojmë argumentet nga jeta e përditshme dhe në studimet shkencore. Fakti kryesor nga Kurani, janë realizimi i lutjeve, e sidomos të Profetëve dhe të njerëzve të përsosur. A nuk ishte lutja e Nuhut a.s. që Zoti të nënshtrojë gjithçka në qiell e në tokë duke sjellë përmbytjen e madhe? A nuk ishte lutja e Musait a.s. që Zoti të nënshtrojë detin për të përmbytur ushtrinë e Faraonit? Dhe kështu mund të vazhdojmë me gjithë profetët, që me lutjet e tyre u shkaktuan: tërmete, stuhi, epidemi, goditje me meteor apo fundosje toke për popuj të pabindur dhe jo besimtar, ashtu siç pranoi dhe lutje për lartësimin shpirtëror të popujve. Edhe nxjerrja e një populli të tërë nga errësira në dritë, siç ndodhi me popujt arabë, nga lutjet e vulës së profetëve, të Muhameditsavs. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Mesihu i kohës pohon:

“Meqenëse njeriu i përsosur është manifestim i përsosur i gjithë universit, andaj i gjithë universi herë pas here tërhiqet drejt tij. Ai është si një merimangë e botës shpirtërore, ndërsa i gjithë universi është rrjeta e tij. Ky është sekreti i mrekullive.

Në rrjedhën e gjithësisë ndikojnë ata që kanë dijen Hyjnore.
Çfarë mund të shohësh ti vallë në këtë botë, nëse s’e ke parë botën e tyre!”[2]

Në kërkimet e mia për të gjetur argument mbi këtë thënie kuranore tronditëse iu futa për shumë kohë studimit të fizikës dhe astronomisë, por sa më shumë që thellohesha në këto studime, aq më i vërtetë ishte pohimi kuranor se: “Gjithçka në qiell e në tokë i kam nënshtruar për ty o njeri!”

U ndala tek një nga kozmologët dhe fizikani më i madh i kohës, Stiven Hoking (Stephen Hawking). Në librin e tij të fundit të përkthyer në shqip “Një histori e shkurtër e kohës”, ai thekson se ndodhemi përpara disa nga pikëpyetjeve dhe përgjigjeve kyçe që habisin mendjen njerëzore, mbi gjithësinë, hapësirën, kohën dhe raportin e njeriut në këtë pafundësi. Pyetjet që shtrohen nga Hoking në këtë libër janë:

  • Cila është natyra e gjithësisë?
  • Nga e ka prejardhjen gjithësia dhe ku po shkon?
  • A ka fillim gjithësia dhe, nëse po, çfarë kishte përpara saj?
  • Çfarë vendi zëmë ne në të dhe nga vijmë ne dhe gjithësia?
  • Pse gjithësia është e tillë?

Ky shkencëtar është në një dilemë të madhe për rolin e Perëndisë në krijimin e gjithësisë, por nuk mund t’i shmanget asaj. Ai analizon teorinë e krijimit të gjithësisë nga shpërthimi i madh Big Beng, por është në kontradiktë kur thotë se nëse gjithësia ka një fillim në krijim, siç është Big Bengu, ajo ka dhe një Krijues. Por ai bashkohet me pohimin si shumë shkencëtarë të mëdhenj, kozmologë dhe fizikanë mbi parimin e Universit human, që në esencë do të thotë se për të kuptuar proceset e kozmologjisë, gjeologjisë, biokimisë dhe biologjisë duhet të supozohet se universi ynë u konceptua në një gjendje potenciale dhe me ligje të fizikës, që zotëron gjithë elementet e duhur për shfaqjen e jetës dhe qenieve inteligjente. Hoking në libër thotë:

“Toka është një planet me madhësi mesatare që rrotullohet rreth një ylli mesatar në periferi të një galaktike spirale të zakonshme, e cila në vetvete është një nga njëmijë miliardët e galaktikave në gjithësinë e vëzhgueshme. Megjithatë parimi antropik i fortë mbështet mendimin se i gjithë ky konstruksion kolosal ekziston falë ekzistencës sonë”.[3]

Sigurisht, ky koncept ka ngjallur shumë debate në rrethet e shkencëtarëve, por ai vazhdon të jetë dominant, një koncept ky që përputhet me thënien e Kuranit që ne kemi cituar që në fillim se gjithçka në qiell e në tokë është e nënshtruar për ne njerëzit. Pra, një burim transhendente i ka caktuar një rend dhe rregull materies dhe gjithësisë për të sjell zanafillën e jetës.

Biokimisti francez, Zhak Monod (Jacques Monod), mendon se:

“Evolucioni kozmik ka shpënë deri tek njeriu një plan universal, ku çdo element duhet të ketë qenë llogaritur me hollësi të veçantë… Nëse gjithësia që ne njohim ekziston, është që pikërisht të lejojë jetën…, gjithësia e dinte që sapo do të vinte ora, njeriu do të dilte në dritë”.[4]

Ndërsa, në vitin 2020, dy shkencëtarë të famshëm amerikanë Robert Lanza dhe Bob Berman, në librin e tyre “Biocentrism” theksojnë se me daljen e mekanikës kuantike dhe biocentrizmit ka shpjegime të tjera:

“Bota duket sikur është projektuar për jetën, jo vetëm në shkallën mikroskopike të atomit, por në nivelin e vet universit. Shkencëtarët kanë zbuluar se universi ka një listë të gjatë trajtash që e bëjnë atë të duket sikur gjithçka që përmban – që nga atomet deri tek yjet – është qëndisur enkas për ne”.[5]

Përfundimi i përbashkët i shumë shkencëtarëve është se e gjithë historia e shkencës nuk është gjë tjetër veçse të kuptuarit progresiv të faktit se ngjarjet nuk zhvillohen në mënyrë arbitrare, por ato pasqyrojnë një rregull të paracaktuar. Le të shprehim diçka nga ato që i shikojmë dhe i studiojmë në mënyrë empirike e që plotësojnë idenë se çdo gjë në qiell e në tokë Zoti e ka nënshtruar për ne njerëzit:

“Është Ai që bëri diellin ndriçues dhe hënën me dritë dhe i përcaktoi destinacione, që të mësoni numrin e viteve dhe llogaritjen. Allahu nuk e krijoi këtë përveçse me vërtetësi. Ai i shpjegon shenjat për njerëzit që dinë.”[6]

Ne shikojmë një diell që lëshon dritë dhe nxehtësi me një masë të caktuar. Kjo do të thotë që, nëse dielli do të lëshonte sadopak nxehtësi më shumë se sa lëshon, toka dhe ne do të vuanim nga thatësira dhe mungesa e ujit, toka do të kthehej në një shkretëtirë gjigante pa bimësi dhe jetë. Ose nëse dielli do të lëshonte më pak nxehtësi sesa lëshon, atëherë ne do të jetonim epokën e akullnajave. Me pasoja do të ishte dhe raporti me planetët e tjerë të sistemit diellor, por edhe me vetë hënën si satelit i tokës. Pra, ky ekuilibër perfekt tregon se Perëndia ka nënshtruar gjithçka në qiell vetëm për ne. Shumë i lehtë është për ne argumenti tjetër që thuhet në shprehjen kuranore:

“Është Ai që krijoi për ju gjithçka që gjendet në tokë.”[7]

Në një vëzhgim të përciptë ne e konstatojmë këtë: deti dhe lumenjtë, burimet dhe malet, fushat dhe kodrat, shiu dhe era, kafshët dhe bimët, pemët dhe frutat, e deri tek shpendët, insektet e mikroorganizmat janë në shërbimin tonë, ose e thënë më shkurt: janë të nënshtruar për ne. Sa pak mendojnë njerëzit për këtë dhe sa pak falënderojnë Krijuesin! Po të bëhemi pak biologë do të habitemi se si u ndërtua dhe funksionon qeliza dhe si u krijua shumëllojshmëria e bimëve dhe kafshëve, të cilat janë në shërbimin tonë e në ruajtjen e ekuilibrit natyror. Shikoj një mizë që quhet bletë dhe ha e shërohem prej saj. Shoh pafundësisht drithëra dhe bimë, ha dhe shërohem me to. Shoh lloj-lloj kafshësh, ha pi dhe më shërbejnë ato.

Po të bëhemi pak kimistë do të habitemi në procesin zinxhiror të ndërtimit dhe zbërthimit të elementeve kimike, si dhe të reaksioneve të pafundme që ndodhin me lëndën dhe materien që na rrethon: që nga uji dhe kripa, nga lloj-lloj lëngjesh, nga metalet dhe aliazhet, ilaçet dhe gjellët, veshjet dhe mjetet shërbyese dhe nga çdo kombinim kimik në dobinë tonë.

Ndërsa po të bëhemi pak fizikanë, do të dorëzohemi totalisht për pafundësinë e efekteve e ligjësive të materies, si në madhësitë më të mëdha e deri në grimcat më të vogla të papërfytyrueshme për mendjen njerëzore, ku përfundimisht të gjitha janë të nënshtruara për ne. Mund të vazhdoj shumë, por po e mbyll me një shprehje nga Kurani:

“Pa dyshim, në qiej dhe në tokë ka shenja për besimtarët.  Edhe  në  krijimin  tuaj,  si  dhe  në gjallesat që Ai përhap, ka shenja për njerëzit që binden.”[8]

Përfundimi im nga përvoja e gjithë librave që lexova në këtë fushë e sidomos i librit “Një histori e shkurtër e kohës” e Stiven Hoking dhe “Biocentrism” e Robert Lanza e Bob Berman është se Perëndia ka nënshtruar gjithçka për njeriun. Nga ky realitet kuptova se qenia jonë është më e vlerësuara në këtë gjithësi ose për ta thënë më bindshëm: njeriu është qendra e krijimit, ku imagjinojmë që qielli, dielli, yjet, toka dhe çka në të është në shërbimin tonë.

A mund të meditojë njeriu për këtë status të veçantë që i ka dhënë Zoti në këtë hapësirë të pafund? Pra, një thërrmije tejet të papërfillshme t’i nënshtrohet kjo pafundësi marramendëse e pakonceptueshme as nga mendja?! Kjo është përtej mrekullisë, përtej habisë dhe arsyetimit racional. Sa mjeranë që jemi kur kuptojmë këtë pozitë që na është dhënë nga Krijuesi? Sa mosmirënjohës, sa egoistë sa të paditur!? O Zot! Na ruaj nga kjo gjendje e na lartëso në statusin që na ke dhënë në këtë konstruksion gjigant të hapësirës së pafundme! Stiven Hoking, në fund të librit të tij, mbetet para dilemës së madhe:

“Pse gjithësia merr mundimin që të ekzistojë…? Pse ne dhe gjithësia ekzistojmë? Nëse gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, ky do të jetë triumfi përfundimtar i arsyes njerëzore: atëherë ne do të kuptojmë se çfarë mendon Perëndia”.

Me këtë pyetje mbyllet dhe studimi i tij në këtë libër. Pra, Hoking nuk kupton cili është qëllimi i krijimit të gjithësisë dhe njeriut. Pikërisht, Kurani e jep këtë përgjigje duke përcaktuar se gjithësia dhe gjithçka në qiell e në tokë është qëllimisht në shërbim të njeriut dhe se njeriu është krijuar me qëllimin e adhurimit të Zotit. Te  nënshtrimi i gjithçkaje në qiell e në tokë qëndron dhe efekti i mrekullive që u jepen profetëve, në lutjet që ata i kanë bërë Zotit.

Referenca

[1] Kurani i Shenjtë, 45:14.

[2] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, “Bekimet e lutjes”, Tiranë 2025, f. 42.

[3] Stiven. V. Hoking, “Një histori e shkurtër e kohës, nga Big Bengu deri te Vrimat e Zeza”, përktheu nga anglishtja: Ylli Popa, botues: “Botimet Toena” dhe “Fondacioni Soros”, Tiranë 1997, fq. 126.

[4]  Jean Guitton, “Zoti dhe shkenca”, përktheu: Ferdinand Leka, botues: “Infbotues”, Tiranë 2005, fq. 48, 57.

[5] Lanza, MD, “Biocentrism”, BenBella Books, Inc. Dallas TX, USA, 2019, f. 83.

[6] Kurani i Shenjtë, 10:6.

[7] Kurani i Shenjtë, 2:30.

[8] Kurani i Shenjtë, 45:4-5.

Keni pyetje?
Shpërndaje
Share via