Shumë dijetarë myslimanë besojnë se Miraxhi dhe Israja kanë ndodhur fizikisht. Por, një lexim i thellë i Kuranit të Shenjtë dhe i haditheve ku përmendet kjo ngjarje, na bind se Profeti Muhamed a.s. nuk ka udhëtuar fizikisht brenda një nate të vetme nga Meka në Jeurasalem, e pastaj edhe në shtatë qiej, dhe më pas edhe është kthyer në të njëjtën natë. Në vijim do t’ju paraqes disa argumente.
Sipas hadithit të Buhariut, Profeti a.s. ishte midis gjumit dhe zgjimit, dhe ndodhej afër Qabes, në Mekë, përpara se të filloi ky udhëtim. A ka lëvizur trupi i tij nga ai vend ku ishte dhe a ka udhëtuar me gjithë trup në skajet e universit dhe është kthyer prapë, pra vajtje-ardhje? Dhe në rastin e Israsë, nga Meka në Jeurasalem, vajtje-ardhje, sërish brenda një nate të vetme?
Si iu përgjigj Profeti kur mohuesit i kërkuan të ngjitej në qiell?
Në Kuranin e Shenjtë, madje pikërisht në suren Isra, përmendet një ngjarje që tregon se mohuesit në Mekë i kërkuan Profetit Muhammed s.a.v.s. të ngjitej në qiell, dhe përmendet gjithashtu edhe përgjigjja e Profetit s.a.v.s.. Sipas Kuranit, mohuesit i thanë:
“Ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh në qiell. Dhe ne kurrsesi nuk do ta besojmë ngjitjen tënde, gjersa të zbresësh mbi ne një libër që ta lexojmë.” Thuaj: I pastër është Zoti im (nga këto gjëra)! A nuk jam thjesht një njeri, i dërguar?!” (Kurani i Shenjtë (surja Isra) 17:94)
Pra, kjo përgjigje e Profetit a.s. e dokumentuar në Kuran, me fjalë të tjera pohon se ngjitja e njeriut fizikisht në qiell pa ato kushte që janë të nevojshme, është kundër ligjeve që ka përcaktuar Zoti, është kundër shenjtërisë së Tij.
Çfarë thotë Kurani i Shenjtë për Miraxhin?
Në Kuranin e Shenjtë ngjarja e Miraxhit përmendet në suren 53, Surja “En-Nexhm”. Pasi përshkruhet ngjitja e Profetit deri në hiden e tejskajshme (sidratul-munteha), Zoti thotë për Profetin s.a.v.s.
“Zemra nuk gënjeu atë që pa.” (Kurani i Shenjtë 53:12)
Pra, këtë udhëtim e përjetoi zemra e Profetit dhe jo syri fizik. Pra, e përjetoi syri i zemrës, syri i shpirtit.
Çfarë është hidja në udhëtimin e miraxhit?
Pastaj, nëse marrim fizikisht na del dhe një pyetje tjetër. Çfarë roli ka pema fizike, hidja atje në qiellin e shtatë, një pemë që as Profeti s.a.v.s. nuk shkoi dot përtej saj? Po të ishte fizike, hidja na dilka më e lartë se sa Profeti a.s. në pozitë. Kjo është qesharake. Realisht, këtu edhe hidja është simbol që tregon ndarjen e arritjes më të lartë të mundshme të njeriut, kufirin maksimal të afërsisë me Hyjnoren, përtej së cilës, njeriu nuk ka kompetenca.
Hidja, ose Ziziphus spina-christi, rritet natyrshëm në Gadishullin Arabik dhe në vendet e ngrohta. Kjo pemë dallohet për drurin shumë të fortë dhe rezistent, frutin e ngrënshëm, si dhe për gjembat e mprehtë që e bëjnë atë një pengesë natyrore shumë efektive. Pikërisht për këto karakteristika, prej shekujsh e deri në ditët tona, hidja në ato vende është përdorur jo vetëm për ushqim, hije dhe ndërtim, por edhe si gardh natyror dhe shenjë kufiri për shtëpi, toka dhe prona.
Dhe Profeti Muhammed s.a.v.s. arriti të shkonte pikërisht deri në kufirin njerëzor. Ky është miraxhi, lartësia shpirtërore e Profetit. Kurse miraxhi i Profetëve të tjerë ishte më poshtë.
Miraxhi dhe Israja u përjetuan në gjendje midis gjumit dhe zgjimit
Në një hadith tjetër, të përmendur në Sahih Buhari, Profeti s.a.v.s. e pa miraxhin në gjendje kur ai ishte midis gjumit dhe zgjimit.[1]
Pas miraxhit dhe Israsë, Profeti a.s. u zgjua
Në një hadith tjetër, sërish nga Buhariu, thuhet se pas gjithë udhëtimit, Profeti u zgjua.
قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم يَا مُوسَى قَدْ وَاللَّهِ اسْتَحْيَيْتُ مِنْ رَبِّي مِمَّا اخْتَلَفْتُ إِلَيْهِ. قَالَ فَاهْبِطْ بِاسْمِ اللَّهِ. قَالَ وَاسْتَيْقَظَ وَهْوَ فِي مَسْجِدِ الْحَرَامِ.
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha – O Musa! Pasha Zotin! Kam turp të shkojë prapë te Zoti sepse kam bërë shumë vajtje-ardhje. (Musai) tha – Atëherë, zbrit me emrin e Allahut. (Profeti ose rrëfimtari) tha: Më pas ai u zgjua, ndërkohë që ishte në Xhaminë e Shenjtë (Qabe).”[2]
Të dyja hadithet tregojnë se përpara udhëtimit, Profeti s.a.v.s. ishte midis gjumit dhe zgjimit, dhe pas udhëtimit, ai u zgjua. Kjo tregon që Israja dhe Miraxhi nuk kanë ndodhur fizikisht, por ishte një përjetim shpirtëror.
Deklarata e Hazret Aishes r.a.
Shikojmë edhe një hadith tjetër nga Buhariu, ku Hazret Aishja r.a. i përgjigjet pyetjes nëse Pejgamberi a.s. e ka parë Zotin fizikisht apo jo. Madje sapo e dëgjoi pyetjen, Hazret Aishja r.a. u shpreh – Më rrëqethet trupi nga kjo pyetje, (sepse është e palogjikshme).
Ajo shton dhe jep argument nga Kurani i Shenjtë, duke thënë:
Kushdo që thotë se Profeti e ka parë Zotin me sy, ka gënjyer,[3] sepse Allahu e tha në Kuran:
“Sytë nuk e arrijnë Atë, por Ai i arrin sytë. Ai është i Mprehti, i Gjithinformuari.” (Kurani i Shenjtë 6:104)
Shikoni këtu edhe metodën e Hazret Aishes r.a.. E merr Kuranin gjykatës për keqkuptimet që dalin. Ky është edhe çelësi që Xhemati Musliman Ahmedia vazhdimisht e paraqet për të zgjidhur problemet brenda Islamit: Kuranin merr si gjyqtar, kurse hadithin në shërbim të Kuranit.
Shumë faktorë dhe elementë të brendshëm tregojnë se Miraxhi dhe Israja nuk ishin fizike
Përveç kësaj, nëse shohim faktorë të tjerë të brendshëm, na del shumë e qartë që nuk bëhet fjalë për ndonjë udhëtim fizik.
Do t’ju rendis vetëm disa:
1) Besimi dhe urtësia nuk janë fizike, po ashtu edhe ena
Profeti tha
– Më erdhën tre engjëj… kishin një enë floriri të mbushur me besimin dhe urtësinë. Ata më çanë kraharorin deri në fund dhe më mbushën me gjithë besimin dhe urtësinë që gjendeshin në tabaka dhe më pas sërish ma qepën kraharorin.[4]
Ka hoxhallarë që ngrenë pyetje – Po pse, engjëjt e Zotit a nuk janë më të zotët se kirurgët e sotëm?” Por pyetja e parë është besimi dhe urtësia, a janë gjëra fizike, që të bëhej një operim i tillë fizikisht? Pra, bëhet fjalë për çështjet shumë të larta sesa trupi fizik. Po kështu, siç ishte përmbajtja, (besimi dhe urtësia), ashtu ishte edhe ena (tabakaja). Pra, ishte shpirtërore. Në enë fizike vendosen gjërat fizike. Në enë shpirtërore, vendosen gjërat shpirtërore.
Në asnjë vend në historinë e Islamit nuk përmendet rreth asaj ene se ku ka shkuar? Profeti s.a.v.s. nuk ua ka treguar as sahabëve e as mohuesve. Ajo duhet të ishte e çuditshme, pasi duhet të ishte bërë vetë prej Zotit ose prej engjëjve, por nuk gjendet asnjë rrëfim se ku shkoi ena.
2) Dy kupa: njëra me qumësht, tjetra me verë
Profeti s.a.v.s. tha
Profetit a.s. i sjellin dy kupa, një me qumësht, një tjetër me verë. Profeti s.a.v.s. e zgjedh qumështin. Xhebraili thotë – Lavdi Zotit që të udhëzoi drejt natyrës më të përshtatshme. Dhe tha, po të kishe zgjedhur verën, populli yt do të devijonte nga rruga e drejtë.[5]
Kështu, edhe këtu, Hazret Xhebraili e interpretoi veprimin. Po të ishte fizike, nuk do të interpretonte, ndoshta do të thoshte – të bëftë mirë, o Profet, dhe do të vijonte udhëtimin.
Bota a ishte shëndrruar në një plakë?
Profeti pa një grua të zbukuruar, që e thërriste dhe donte ta pyeste për diçka. Profeti a.s. nuk i kushtoi rëndësi.
Xhebraili tha – ajo ishte bota, po t’i përgjigjeshe, umeti yt botës do t’i jepte përparësi mbi ahiretin”[6]
Edhe këtu, Xhebraili e interpretoi pamjen. Po të ishte fizike, dhe gruaja të ishte bota, e gjithë bota atë natë duhet të ishte shndërruar në një grua. Kurse realisht nuk ndodhi ashtu. Mekasit aty ishin, edhe muslimanët, edhe mohuesit, edhe shqiptarët, edhe indianët, të gjithë njerëzit që kanë qenë atë natë në këtë planet, nuk u khtyen në grua. Pra, po t’i japësh pamje fizike këtij udhëtimi, do të bëhet qesharake.
Po ne, si myslimanë, a na pa Profeti a.s. në Miraxh?
Po kështu, Profeti pa një grup shumë të madh njerëzish. – Kush janë këta? E pyeti ai. – Umeti i Musait, i tha Xhebraili. Pastaj tha:
“Shiko në anën tjetër!” Plot njerëz “Shiko dhe në atë anë”. – Kush janë këta, e pyeti Profeti a.s.? “Umeti yt”, iu përgjigj Xhebraili. Dhe tha: 70,000 prej tyre do të hyjnë në xhenet po iu kërkuar llogari.[7]
Gjatë kohës kur ndodhi kjo ngjarje, myslimanët numëroheshin në gishta, por këtu Profeti s.a.v.s. nëse pa fizikisht gjithë umetin e ardhshëm, i bie që edhe ne dhe kushdo që është mysliman, të ketë qenë gjallë atë natë në qiell?! E po me këtë besim, do të bien ndesh shumë ajete të Kuranit të Shenjtë me njëra-tjetrën. Sahabët nuk bënë pyetje të tilla sepse ata e dinin se Profeti s.a.v.s. fizikisht nuk ka lëvizur nga vendi i tij.
Po Hazret Bilali r.a., ku ndodhej në natën e Miraxhit? Në Tokë apo në qiell?
Duke iu drejtuar Hazret Bilalit r.a., i Dërguari i Allahut s.a. tha:
Çfarë vlere ke ti o Bilal، sepse kudo që shkoja nëpër qiej, dëgjoja edhe hapat e tu?![8]
Po ku ishte Bilali? Ai patjetër që nuk ishte në qiell. Ndoshta ishte në gjumë, ose duke falur namaz nate.
Po, profetët e tjerë që erdhën në Jerusalem, ishin fizikisht aty?
Gjatë Israsë, përmendet që Profeti s.a.v.s. në Jerusalem drejtoi namazin dhe u bë imam për të gjithë Profetët, të cilën u falën pas tij. [9],[10]
Tani, nëse Profeti a.s. shkoi fizikisht atje, po këta Profetë, duke përfshirë Hazret Isain a.s., Hazret Musain a.s., Hazret Ibrahimin a.s. etj., a ishin fizikisht atje? Jo. Gjithçka ishte shpirtërore. Ata kishin ndërruar jetë. Dhe po këta, Profeti s.a.v.s. i sheh edhe në qiell. Edhe aty, kjo nuk ishte një pamje fizike.
Këtu, dua të shtoj edhe këtë. Kur Profeti pa që Hazret Isai a.s. me Hazret Jahjanë, do të thotë gjithashtu që Hazret Isai a.s. ka ndërruar jetë. As ai nuk ishte fizikisht atje, prandaj ndodhej së bashku me Jahjanë a.s., për të cilin të gjithë e dimë se ka ndërruar jetë. Për këtë temë, që Hazret Isai a.s. ka ndërruar jetë, kam shpjeguar me argumente nga Kurani i Shenjtë në një video.
Allahu ia tregoi sundimin e qiejve dhe të tokës edhe Ibrahimit a.s.
Universin në një mënyrë të ngjashme, sipas Kuranit të Shenjtë, Allahu ia ka treguar edhe një profeti tjetër, edhe atje, qartazi është e nënkuptuar se ia ka treguar syrit të shpirtit, jo të trupit. Konkretisht, për Hazret Ibrahimin a.s., Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin e Shenjtë:
“Po kështu, i kemi treguar Ibrahimit sundimin e qiejve e të tokës, që ai të bëhet ndër (më) të bindurit.” (Kurani i Shenjtë 6:76)
Kështu ka edhe plot argumente të tjera që provojnë bindshëm se udhëtimet i miraxhit dhe i Israsë kanë qenë shpirtërorë dhe jo fizike. Por e lëmë me kaq.
Me çfarë shpejtësie ka udhëtuar Profeti a.s. në natën e Miraxhit?
Shpejtësia më e madhe e njohur në univers është shpejtësia e dritës, rreth 300.000 km në sekondë. Edhe nëse njeriu do të udhëtonte me këtë shpejtësi maksimale, do t’i duheshin miliona vite për të arritur vetëm galaktikat më të afërta. Asnjë trup fizik, sipas ligjeve të fizikës, nuk mund të arrijë apo të tejkalojë këtë shpejtësi, dhe as të përballojë kushtet ekstreme të hapësirës.
Sot një avion i zakonshëm udhëton në një lartësi rreth 10 kilometra mbi nivelin e detit dhe me shpejtësi jo më tepër se 1000 km në orë. Temperatura jashtë tregon -50 ose -60 gradë. Edhe me këtë shpejtësi, në këtë lartësi dhe në atë temperaturë, njeriu nuk udhëton dot pa kabinë të presurizuar, pa izolim termik dhe pa sisteme të projektuara për mbështetjen e jetës.
Dikush mund të pyesë – Pse, Zoti a nuk ka mundësi ta çojë Profetin fizikisht në qiellin e shtatë brenda natës e ta kthejë prapë?
Unë i përgjigjem – Patjetër që po. Ai bën çfarë të dojë. Por fakti që thua se ndodhi fizikisht, pa u bazuar as te Kurani, as te hadithet, e as te shkenca, do të thotë që nuk e ke kuptuar fare as miraxhin e as isranë, përkundrazi, këmbëngulësh që vetëm ngjarja fizike përbëka mrekulli, siç ndodh në përralla. Pra, për sa kohë që thua se ndodhi fizikisht, duhet të kërkojmë edhe kushtet e fizikës, duhet patjetër të përcaktohen:
- hapësira (distanca/vendndodhja)
- koha
- shpejtësia
Natyrisht, edhe kushtet e tjera, sepse, Kurani vazhdimisht ka pohuar se Pejgamberi a.s. është njeri, si të gjithë njerëzit e tjerë. Kurse, argumentet që ju kam treguar nga Kurani dhe hadithet, tregojnë qartazi se Miraxhi dhe Israja nuk kanë ndodhur fizikisht.
A i bie vlera Miraxhit dhe Israsë, nëse nuk do të ndodhnin fizikisht?
Ata që duan ta paraqesin Miraxhin dhe Isranë si një ngjarje fizike, mendojnë sikur nuk ka vlerë nëse e interpretojnë si ngjarje shpirtërore. Ai që mendon kështu, mendimi i tij është i ngjashëm me mendimin e ateistit që insiston ta shikojë Zotin fizikisht, dhe për faktin që nuk e sheh dot fizikisht Zotin, e mohon atë. Zoti shihet me sytë e shpirtit dhe jo me syrin e dobët të trupit, që nuk ka fuqi të shikojë as përtej murit.
Po, Kurani i Shenjtë si zbriti? I gjithë Kurani zbriti në zemrën e Profetit Muhammed s.a.v.s., dhe jo fizikisht nga qielli. E megjithatë, për të gjithë myslimanët sot në botë, ai është thesari më i madh shpirtëror.
Referenca
[1] Sahih Bukhari, hadithi nr. 3207.
[2] Sahih Bukhari, hadithi nr. 7517.
[3] Sahih Bukhari, hadithi nr. 4855.
[4] Sahih Bukhari, hadithi 349.
[5] Sahih Bukhari, hadithi 5576.
[6] Fjalët arabe të hadithit:
فبينما أنا أسير إذا أنا بًامرأة حاسرة عن ذراعيها عليها من كل زينة خلقها الله تقول: يا محمد أنظرني أسألك فلم أجبها ولم أقم عليها، قال: تلك الدنيا أما إنك لو أجبتها لاختارت أمتك الدنيا على الآخرة
(الراوي: أبو سعيد الخدري • البيهقي، دلائل النبوة (٢/٣٩٠) • أمثل إسنادا • أخرجه الحاكم (٤٠٨٧)، وعبد الرزاق (١٧٦٩) بنحوه مختصرا)
[7] Sahih Bukhari, hadithi 5705.
[8] Sahih Bukhari, hadithi 1149; Musned Ahmed, hadithi 2324.
[9] Sunen Nisai, hadithi 450.
[10] Sahih Muslim, kitab “El-iman”, bab “Fi dhikril-Mesih ibni Merjeme vel-Mesihid-Dexh-xhal”, hadithi nr. 403 (172)