Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit El-Bari (Filluesi)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit El-Bari (Filluesi)

Emrat e Allahut

Filluesi (El-Bari)

Emrat e Allahut - Emrat e Zotit el-Bari

هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ ۖ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ ۚ يُسَبِّحُ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ ۝

Ai është Allahu, Krijuesi, Filluesi, Formuesi. Ai i ka Emrat më të bukur. Atë e kujton gjithçka që është në qiej e (në) tokë. Dhe Ai është Triumfuesi, i Urti.[1]

Kuptimi leksikor

Fjala el-Bāri’ rrjedh nga folja بَرَأَ (krijoi) dhe në fjali shërben si vepruese. Arabët thonë: برأَ الله تعالى عباده يبرؤهم بُرءاً “Allahu i krijoi robërit e Tij”. Nga kjo rrënjë rrjedh kundrina e shprehur nga emri أَلبَرِيّة (el-Berijeh) d.m.th. krijesë.[2] Hazret Aliu zotohej me këto fjalë: “لا، والذي فلق الحبة وبرأ النَّسَمَة” Jo, betohem në Atë që e shpërtheu farën dhe krijoi shpirtrat!”[3]

Sipas gjuhëtarëve rrënja ألباء-ألراء-ألهمزة (el-Ba, er-Ra, el-Hemza) mbartin dy kuptime kryesore. Së pari, për të krijuar, shpikur apo formuar diçka, prandaj Allahu është el-Bāri أَلْبَارِیُ (Krijuesi) dhe krijesa أَلبَرِيّة el-Berijeh. Së dyti, largimi a lirimi nga diçka në kuptimin e zhdukjes. P.sh. thuhet برئت من المرض hoqa një sëmundje. بَرَاءَة berā’etun mbart kuptimin e largësisë, shfajsimit dhe faljes. Në Kuran gjejmë thënien e Ibrahimit a.s.:

إِنَّنِى بَرَآءٌ مِّمَّا تَعْبُدُونَ ۝

Unë përnjëmend jam i distancuar nga ato që adhuroni ju.[4] Nga kjo del që nëse kjo fjalë përdoret për njeriun, në kuptimin e largësisë dhe shmangies, nënkuptohet largësia nga idhujtaria e hipokrizia, distancimi nga mëkatet dhe disiplinimi i karakterit nga vetitë, fjalët dhe sjelljet e ulëta.

Kuptimi ideologjik

El-Bāri’ أَلْبَارِیُ është një prej emrave të Allahut, që do të thotë krijues, nismëtari dhe dhuruesi i jetës, i cili solli çdogjë në ekzistencë nga asgjëja. Atributi el-Bāri’ është sinonimi i emrit el-Khāliq pasi mban kuptimin e krijimit dhe shpikjes, megjithatë ekziston një dallim midis këtyre dy atributeve. I atribuohemi emrit el-Bāri’ kur flasim për krijimin e qenieve të gjalla, ndërsa për krijimin e qenieve joorganike, si qielli dhe toka, i referrohemi atributit el-Khalik. Shejh Sadiu thotë: “El-Bariu shënjon atë, i cili krijoi gjithçka që ekziston. Përmes urtësisë së Tij, Ai e përsosi çdo qenie dhe përmes madhështisë dhe dijes së pakufishme Ai i dha aformën dhe trjatën më të bukur. Ai vazhdon ta ushtrojë këtë cilësi, siç ka vepruar më parë”.

El-Zemakhsheriu ka thënë se Allahu është el-Bāri’, sepse Ai ka krijuar çdo gjë në mënyrë të përsorur dhe pa ndonjë të metë. Siç Ai ka thënë:

ٱلَّذِى خَلَقَ سَبْعَ سَمَٰوَٰتٍ طِبَاقًا ۖ مَّا تَرَىٰ فِى خَلْقِ ٱلرَّحْمَٰنِ مِن تَفَٰوُتٍ ۖم

(Ai) që krijoi shtatë qiej në shtresa. Ti nuk sheh asnjë mospërputhje në krijimin e të Gjithëmëshirshmit.[5]

Ibn Kethiri ka thënë: “Ai nuk ka asnjë ndryshim, asnjë disonancë, asnjë mospërputhje, asnjë mangësi, asnjë çekuilibrim e asnjë çrregullim”. Ebu Aliu ka thënë: “Ai i ka bërë fytyrat që të dallohen nga njëra-tjetra. Prandaj tiparet e Zejdit e dallojnë atë nga Amri dhe një gomar dallohet nga kali. Padyshim, Ai është Krijuesi dhe Filluesi më i mirë”.[6]

Përmendja në Kuran e hadith

Përpos ajetit të sipërpërmendur, Allahu e ka përmendur këtë atribut edhe në dy vende të tjera në Kuran. P.sh.:

وَإِذْ قَالَ مُوسَىٰ لِقَوْمِهِ يَا قَوْمِ إِنَّكُمْ ظَلَمْتُمْ أَنْفُسَكُمْ بِاتِّخَاذِكُمُ الْعِجْلَ فَتُوبُوا إِلَىٰ بَارِئِكُمْ فَاقْتُلُوا أَنْفُسَكُمْ ذَٰلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ عِنْدَ بَارِئِكُمْ فَتَابَ عَلَيْكُمْ ۚ إِنَّهُ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ ۝

Dhe kur Musai i tha popullit të tij: “O populli im! Vërtet ju shkelët veten tuaj, duke e marrë viçin për zot. Kthehuni, pra, të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni veten tuaj (d.m.th. vritni instinktin tuaj që ju nxit për mëkate). Kjo, te Krijuesi juaj, është më e mira për ju”. Pastaj Ai jua pranoi pendesën duke ju mëshiruar. Me të vërtetë, Ai është Pendimpranuesi, Mëshirëbërësi.[7]

Në lidhje me emrin El-Bāri’, kemi një hadith të njohur.

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «إِنَّ لِلَّهِ تَعَالَى تِسْعَةً وَتِسْعِينَ اسْمًا مَنْ أَحْصَاهَا دَخَلَ الْجَنَّةَ هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَه هُوَ الرَّحْمَنُ الرَّحِيمُ — الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ”

– Hazret Ebu Hurejra r.a. përcjell se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka 99 emra. Ai që i ruan ato në kujtesë, do të hyjë në xhenet. Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar (tjetër përpos Tij). Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëbërësi, … Krijuesi, Filluesi, Formuesi…”.[8]

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit el-Khālik (Krijues)

Krijimi i shpirtit

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan: “Fjala e pastër e Zotit na tregon që shpirti vjen në jetë në të njëjtën strukturë, e cila vjen prej spermës dhe përgatitet në mitër. Siç thotë Ai në Kuranin Famëlartë:

ثُمَّ أَنشَأْنَٰهُ خَلْقًا ءَاخَرَ ۚ فَتَبَارَكَ ٱللَّهُ أَحْسَنُ ٱلْخَٰلِقِينَ ۝

Trupin, që përgatitet në mitër, Ne e shndërrojmë në një krijesë tjetër dhe e shfaqim në një qenie, që quhet shpirt. Zoti ka bekime të shumta dhe është Krijues i tillë që asnjëri nuk barazohet me Të.[9]

Kjo që thuhet, “Nga trupi, Ne sjellim një krijesë tjetër”, është një sekret i fshehur që zbulon realitetin e shpirtit dhe që tregon ato lidhje të forta që ekzistojnë midis shpirtit dhe trupit. Ky ajet gjithashtu na mëson se e njëjta filozofi Hyjnore gjendet edhe në gjestet trupore, në thëniet dhe në të gjitha lëvizjet instinktive të njeriut kur ato fillojnë të realizohen për hir të Zotit të Madhërishëm dhe në rrugën e Tij. Me një fjalë, sikundër në spermë, edhe në veprat e sinqerta, që nga fillimi fshihet një shpirt, i cili shkëlqen gradualisht bashkë me formimin dhe përsosmërinë e veprave të njeriut. Kur ky shpirt përsoset, ai përnjëherë ndizet si një dritë me gjithë madhështinë e saj dhe qenia shpirtërore shfaq jetën në mënyrë të plotë. Vetëm kur plotësohet modeli i veprave të njeriut, atëherë brenda tij, si një vetëtimë diç fillon të ndriçohet.”[10]

Shënime:

1. Kurani Famëlartë 59:25
2.Kurani Famëlartë 98:8 إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ خَيْرُ ٱلْبَرِيَّةِ ‎. “Sigurisht, ata që besuan dhe bënë të mira, janë krijesat më të mira.”
3. Ebu Is’haq ez-Zuxhaxh, “Tefsiru Esmaillahil Husna”, f. 38, Darul-Mamun lit-Turath, Damask, 1979.
4. Kurani Famëlartë 43:27.
5. Kurani Famëlartë 67:4.
6. Ebu Is’haq ez-Zuxhaxh, “Tefsiru Esmaillahil Husna”, f. 38, Darul-Mamun lit-Turath, Damask, 1979.
7. Kurani Famëlartë 2:55.
8. El-Beghavī, el-Mishkat el-Mesabih, Kitab: ed-Da’vat, Bab: Esma-ullahi Te’ala, hadith numër 2288.
9. Kurani Famëlartë 23:15 “…pastaj e bëmë atë krijesë tjetër. Pra, Allahu zotëron bekimin, Krijuesi më i mirë nga të gjithë krijuesit!”
10. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s., “Filozofia e mësimeve të Islamit”, f. 37, Islam International Publications Ltd., Tiranë, 2019.

Lexoni gjithashtu:

EMRAT E ALLAHUT – EMRAT E ZOTIT

Emrat e Allahut, atributet e Tij

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp