Er-Razak(Furnizuesi)
إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلرَّزَّاقُ ذُو ٱلۡقُوَّةِ ٱلۡمَتِينُ
Në të vërtetë, Allahu është Furnizuesi, i Fuqishmi (dhe) i Forti.1
ٱلرَّزَّاقُ Er-Rrazaku është një ndër emrat e bukur të Allahut. Kjo fjalë rrjedh nga rrënja رزق dhe si mbiemër ajo është në shkallën sipërore dhe jep kuptimin e intensitetit, dendurisë dhe shkallës së lartë të furnizimit. Sipas leksikut të njohur “Akrebul Mevarid” ٱلرَّازِقُ (er-Rāzik) and ٱلرَّزَّاقُ (er-Razāk) i takojnë vetëm Allahut të Plotfuqishëm, sepse vetëm Ai e furnizon krijesën e Tij dhe vetëm Atij i takon fuqia për të dhuruar nga dispozitat e dukshme dhe të fshehura.
Kuptimi leksikor
Fjala الرِّزْقُ er-Rizku (furnizimi) i referohet çdo sendi që sjell dobi, fitim e mbarësi, i cili i jepet në mënyrë të vazhdueshme sipas caktimit të Allahut. Nga fjala “rizku” kuptojmë sendet që përdoren si ushqim nga njeriu. Kjo fjalë ka edhe kuptimin e nafakës dhe fatit. Rizku ndahet në dy kategori:
- Furnizimi lëndor përmes fuqisë dhe lëndëve të tjera të nevojshme për t’u mbajtur gjallë dhe për t’u zhvilluar.
- Furnizimi shpirtëror përmes dijes, njohurisë dhe ndërgjegjes.
Përdorimi në Kuranin Famëlartë
Emri er-Rrazaku është përdorur vetëm një herë në Kuranin Famëlartë. Në të besimtarëve u thuhet se, nëse kanë besim të sinqertë në Allah dhe i mbështeten vetëm Atij, nuk duhet të kenë frikë nga varfëria e uria. Derisa kafshët dhe zogjtë nuk mbeten pa ushqim, është e papranueshme që njeriu, i cili është krijesa më e lartë e Zotit, të vuajë nga uria, sidomos kur është i përgatitur për të flijuar gjithçka për hir të Tij. Allahu thotë:
كَأَيِّنْ مِنْ دَابَّةٍ لَا تَحْمِلُ رِزْقَهَا اللَّهُ يَرْزُقُهَا وَإِيَّاكُمْ وَهُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ
E sa shumë gjallesa ka që nuk mbartin me vete ushqimin e tyre! Allahu i ushqen edhe ato, edhe ju. Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.2
Në një vend tjetër, Allahu thotë:
وَمَا مِنْ دَابَّةٍ فِي الْأَرْضِ إِلَّا عَلَى اللَّهِ رِزْقُهَا
Nuk ka ndonjë gjallesë në tokë, përveçse Allahu ka marrë përsipër ushqimin e saj.3
Pyetjen e kahershme të njerëzve, Kurani e trajton në këtë mënyrë:
قُلْ مَن يَرْزُقُكُم مِّنَ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۖ قُلِ ٱللَّهُ ۖ
Pyet (mohuesit): Kush ju ushqen nga qiejt dhe toka? Thuaju (vetë): “Allahu!”.4
Atributi “Furnizues” në hadith
Në hadithin e mëposhtëm, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka përshkruar mënyrën se si Allahu i furnizon robërit e Tij.
Hazret Ebu Dheri r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka përcjellë nga Allahu se Ai ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe midis jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Jeni të gjithë të humbur, përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, andaj kërkomëni udhëzimin dhe Unë do t’ju udhëzoj. O robërit e Mi! Ju të gjithë jeni të uritur, përveç atyre që Unë i kam ushqyer, prandaj kërkomëni mjetet e nevojshme dhe Unë do t’ju furnizoj. O robërit e Mi! Ju të gjithë jeni të zhveshur, përveç atyre që i kam veshur, prandaj kërkomëni dhe Unë do t’ju vesh. O robërit e Mi! Ju bëni mëkate ditë e natë, dhe Unë jua fal ato, prandaj kërkomëni falje se Unë do t’ju fal. O robërit e Mi! Nuk mund të më bëni asnjë dëm, edhe nëse doni, dhe nuk mund të më sillni asnjë dobi, edhe nëse dëshironi. O robërit e Mi! Nëse secili nga ju, të parët apo të fundit, njerëzit tuaj apo xhindet, të gjithë të bëhen aq të drejtë, sa është më i drejti nga ju, kjo nuk do të shtojë asgjë në sovranitetin tim. O robërit e Mi! Nëse të gjithë paraardhësit tuaj dhe pasardhësit tuaj dhe secili nga njerëzit dhe xhindet tuaj, t’i përngjanin njeriut më të lig në mesin tuaj, kjo prapëseprapë nuk do të ndryshonte asgjë në pushtetin tim. O robërit e mi! Nëse ju të gjithë, nga i pari (i njerëzimit) deri tek i fundit, dhe secili nga xhindet dhe njerëzit të tuboheshin në një fushë të hapur dhe secili prej tyre të më kërkonte diçka dhe Unë të plotësoja secilën kërkesë, kjo nuk do të pakësonte nga sundimi im, as aq sa është uji që mbetet në vrimën e gjilpërës, në krahasim me oqeanin. O robërit e Mi! Unë shkruaj vetëm veprat tuaja dhe pastaj ju shpërblej për to. Andaj, nëse dikush gjen mirësi, le të madhërojë e lavdërojë Allahun, ndërsa ai që gjen diçka tjetër (e jo mirësi), le të fajësojë veten e vet”.5
A është rizku i paracaktuar?
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Përgatitjet e (nevojshme) për krjimin e njeriut bashkërenditen në barkun e nënës për 40 ditë në formën e spermës dhe pastaj bëhet ajo si një ngjizje gjaku për një periudhë të ngjashme. Pastaj ajo kthehet në një copëzë mishi për një periudhë të ngjashme. Pastaj Allahu dërgon një engjëll, i cili edhe e urdhëron atë për të shkruar katër gjëra. Atij i jepet ky urdhër “Shkruaji veprat e tij, rizkun e tij, kohën e vdekjes së tij, si dhe nëse ai do të jetë i mirë, apo i keq”. Pastaj atij i fryhet shpirti. (Mos harro) dikush nga ju, mund të ketë bërë vetëm vepra (të mira) derisa midis tij dhe xhenetit të ketë mbetur vetëm 1 krah distancë, por i del përpara caktimi (i tij) dhe ai nis të bëjë veprat e banorëve të xhehenemit. Ai vazhdon të bëjë (mëkate) derisa midis tij dhe xhehenemit, nuk mbetet veçse një krah (distance), por atij i del përpara caktimi i tij dhe ai edhe një herë nis të bëjë veprat e banorëve të xhenetit.6
Çështja e paracaktimit (kaderit) është një nga gjashtë shtyllat e besimit në Islam, megjithatë mbetet mjaft e keqkuptuar dhe koklavitur. Ndër muslimanë, ka njerëz që besojnë verbërisht në kader, pra çdo çështje e madhe apo e vogël qoftë, është e paracaktuar nga Zoti, dhe njeriu nuk zotëron asnjë fuqi mbi rrethanat dhe ngjarjet. Gjithçka ndodh sipas një plani madhështor të Zotit. Ky koncept është mjaft problematik, pasi na përballon në mënyrë të pashmangshme me çështjet, si: krim, dënim, ndëshkim e shpërblim. Nëse njeriu nuk gëzon vullnet apo zgjedhje të lirë, ai nuk meriton as dënim, apo shpërblim për veprat e tij. Si ana tjetër e medaljes, ka muslimanë që besojnë se paracaktimi (kaderi) nuk luan asnjë rol në gjithçka që njeriu mendon, apo realizon.
Allahu është i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëpranishëm, i cili qëndron jashtë kohës dhe hapësirës. Allahu thotë:
فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَىٰهَا۞ قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّىٰهَا۞ وَقَدْ خَابَ مَن دَسَّىٰهَا ۞
“Ai (në gjenezën e tij) shpalli çfarë është e shtrembëta dhe e drejta për të. Pa dyshim, fitoi ai që e pastroi atë, dhe humbi ai që e shkeli atë”.7 Pra, Allahu ka pajisur natyrën njerëzore me aftësinë për të dalluar të keqen nga e mira, dhe i ka dhënë vullnet të lirë dhe mjete të duhura për të vepruar me ndershmëri, druajtje e çiltërsi. Allahu thotë:
سَبِّحِ ٱسْمَ رَبِّكَ ٱلْأَعْلَى۞ ٱلَّذِى خَلَقَ فَسَوَّىٰ۞ وَٱلَّذِى قَدَّرَ فَهَدَىٰ۞
“Përmende shenjtërinë e emrit të Zotit tënd të Lartësuar, që krijoi dhe rregulloi; që përcaktoi (elementët), më pas udhëzoi”.8
Këtu lind pyetja: Derisa Allahu e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, madje edhe atë që njeriu do të zgjedhë për veten, atëherë pse të mos besojmë se Ai na detyron të marrim një vendim të caktuar në kushte të caktuara? Hazret Mirza Tahir Ahmedi r.a., kryetar i 4-t i Xhematit Musliman Ahmedia e ka trajtuar këtë çështje bukur. Njëherë dikush e pyeti: “Çfarë është paracaktimi? Nëse çdo çështje është e paracaktuar, a i mbetet ndonjë kuptim jetës njerëzore?” Ai iu përgjigj:
“Së pari duhet të sqarojmë çështjen e paracaktimit. Një njeri lind në rrethana të caktuara, në një familje të caktuar dhe në një vend të caktuar, me disa avantazhe e epërsi dhe disa disavantazhe e humbje. A është ai në gjendje të ndryshojë diçka prej tyre? Ky është caktimi (kaderi), ose një ndër format e caktimit. Ky është një ndër llojet e paracaktimit (kaderit). Nganjëherë, disa çështje janë të ndërlidhura, në të cilat paracaktimi dhe përpjekja njerëzore janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Megjithatë, është vetëm në dijen e Zotit se njeriu, ose do të kontribuojë përfundimisht për të çuar fatin e tij në shkatërrim e rrënim, ose në zhvillim e mbarësi.
Nuk është absolutisht njohuria paraprake e Zotit, e cila përcakton rezultatin përfundimtar, përkundrazi është vullneti i lirë i njeriut që përcakton çështjen themelore të rrjedhojës. Ndonëse Zoti është në dijeni paraprake për atë që do të ndodhë, mirëpo kjo nuk ndikon në rrjedhën e ngjarjeve, pasi dija e Tij varet nga veprat e njeriut. Kjo është pjesa më e ndërlikuar, të cilën njerëzit shpesh nuk arrijnë të kuptojnë. Unë mundohem t’ua sqaroj këtë pjesë me anë të disa shembujve. Për mua, kjo është një çështje e thjeshtë, që nuk mban asnjë vështirësi. A e mbani mend, çfarë keni bërë sot në mëngjes? Edhe pse ju e dini tashmë atë që keni bërë sot në mëngjes, ju nuk mund të ndryshoni absolutisht asgjë. Kështu, dija nuk ka të bëjë asgjë me pandryshueshmërinë e të kaluarës suaj. Por, dija juaj është gjithashtu e pandryshueshme, sepse faktet janë të pandryshueshme. Tani, cila vjen përpara: faktet i paraprijnë dijes, apo dija u paraprin fakteve? Sigurisht, faktet i paprijnë dijes. Edhe në lidhje me të ardhmen, dija paraparake e Zotit vepron krejtësisht në të njëjtin mënyrë. Ai zotëron dijen paraprake, sepse ngjarjet e rrethanat do të rrjedhin absolutisht në përputhje me të, përndryshe Ai nuk do të kishte dijen paraprake, madje dija e Tij do të ishte e mangët dhe e gabuar. Ky është paracaktimi (i Zotit) ose një ndër llojet e tij”.9
Ajeti i mëposhtëm gjithashtu i vë kapak kësaj çështjeje. Allahu thotë:
وَلِلَّهِ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ لِيَجْزِىَ ٱلَّذِينَ أَسَٰٓـُٔوا۟ بِمَا عَمِلُوا۟ وَيَجْزِىَ ٱلَّذِينَ أَحْسَنُوا۟ بِٱلْحُسْنَى
“E Allahut është gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në tokë, që ata, të cilët bënë të këqija, Ai t’i ndëshkojë për veprat e tyre, dhe t’i shpërblejë në mënyrën më të mirë ata që bënë të mira”.10
Për çështjen e rizkut, gjejmë një hadith të ngjashëm.
عَنْ عُمَرَ بْنِ الْخَطَّابِ، قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم “ لَوْ أَنَّكُمْ كُنْتُمْ تَوَكَّلُونَ عَلَى اللَّهِ حَقَّ تَوَكُّلِهِ لَرُزِقْتُمْ كَمَا تُرْزَقُ الطَّيْرُ تَغْدُو خِمَاصًا وَتَرُوحُ بِطَانًا ”
Hazret Omer ibn Hattabi r.a. ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Nëse ju i mbështeteni Allahut, ashtu siç kërkon mbështetja e Tij, Ai do t’ju furnizojë ashtu siç furnizohet një zog, i cili del i uritur në të gdhirë dhe kthehet i ngopur ndaj të ngrysur”.11
Si besimtar, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm për marrëdhënien e ndërlikuar mes mbështetjes tek Allahu dhe përpjekjes në konceptin e kërkimit të riskut. Nëse mendojmë se mbështetja tek Allahu bazohet vetëm në bindje dhe risku (nafaka) vjen vetvetiu pa përpjekje, do të jetë një kuptim i mangët. Megjithatë, nëse bën të kundërtën, pra vetëm përpjekje të nevojshme, pa kërkuar mbështetjen tek Allahu, do të jetë sërish një metodë e gabuar, e cila do ta çojë njeriun në një përfundim të padëshiruar.
Si mund të shtojmë riskun tonë?
Për shkak të nevojave të shumta dhe të ardhurave të kufizuara, nganjëherë përballemi me dilemat dhe sprovohemi për shkallën e besimit tonë. Në kësisoj rrethanash, shejtani na pëshpërit dyshime në mendje dhe na cyt për të investuar, apo angazhuar në veprime të ndaluara në Islam. Allahu thotë:
ٱلشَّيْطَٰنُ يَعِدُكُمُ ٱلْفَقْرَ وَيَأْمُرُكُم بِٱلْفَحْشَآءِ ۖ وَٱللَّهُ يَعِدُكُم مَّغْفِرَةً مِّنْهُ وَفَضْلًا ۗ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ
“Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron shthurjen, kurse Allahu ju premton falje dhe bekime prej Tij dhe Allahu është Zgjerues, i Gjithëdijshëm”.12
Derisa Allahu është Furnizuesi dhe çdo risk vjen prej Tij, andaj mbështetja tek Ai dhe nënshtrimi ndaj urdhrave të Tij është çelësi i çdo begatie. Përveç kërkimit të metodave të lejuara e hallall, besimtari duhet t’u përmbahet mësimeve të Kuranit dhe të hadithit. Disa prej tyre janë si më poshtë:
1. Namazi
وَأْمُرْ أَهْلَكَ بِٱلصَّلَوٰةِ وَٱصْطَبِرْ عَلَيْهَا ۖ لَا نَسْـَٔلُكَ رِزْقًا ۖ نَّحْنُ نَرْزُقُكَ ۗ وَٱلْعَٰقِبَةُ لِلتَّقْوَىٰ
Porosit familjen tënde për namazin dhe ji i qëndrueshëm në të. Ne nuk të kërkojmë ushqimin. Ne të ushqejmë ty. Fundi i përket druajtjes (ndaj Zotit).13
Kjo tregon që namazi, i cili në vetvete është simboli i bindjes ndaj Allahut, është çelësi i çdo suksesi në jetë, si dhe burimi kryesor i furnizimit moral e shpirtëror.
2. Lutja
Hazret Ume Selema r.a. ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte këtë lutje për namazin e sabahut:
عَنْ أُمِّ سَلَمَةَ، أَنَّ النَّبِيَّ ـ صلى الله عليه وسلم ـ كَانَ يَقُولُ إِذَا صَلَّى الصُّبْحَ حِينَ يُسَلِّمُ “ اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ عِلْمًا نَافِعًا، وَرِزْقًا طَيِّبًا، وَعَمَلاً مُتَقَبَّلاً ”
“O Allah! Të kërkoj dituri të dobishme, nafakë të pastër dhe punë të pranueshme”.14
عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ، أَنَّ رَجُلاً، قَالَ يَا رَسُولَ اللَّهِ سَمِعْتُ دُعَاءَكَ اللَّيْلَةَ فَكَانَ الَّذِي وَصَلَ إِلَىَّ مِنْهُ أَنَّكَ تَقُولُ ” اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي ذَنْبِي وَوَسِّعْ لِي فِي رِزْقِي وَبَارِكْ لِي فِيمَا رَزَقْتَنِي ” . قَالَ ” فَهَلْ تَرَاهُنَّ تَرَكْنَ شَيْئًا ”
Hazret Ebu Hurejra r.a. rrëfen: Një njeri pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Mbrëmë ju kam dëgjuar që po bënit një lutje”. Ajo që më ka mbetur prej asaj është se patët thënë: ‘O Allah! Më fal gjynahun, më zgjero në risk (nafakën time) dhe më beko në atë që më jep Ti”. Profeti s.a.v.s. e pyeti: “A shikon se ajo (lutje) të ketë lënë diçka?”15
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i lutej Allahut gjithmonë për furnizim e nafakë, edhe pse ishte robi më i dashur i Allahut. Prandaj edhe ne duhet t’i drejtohemi vazhdimisht er-Rrazakut (Furnizuesit) për çdo kërkesë dhe nevojë.
3. Druajtja ndaj Allahut
Nëse druajtja ndaj Zotit mbizotëron në të gjitha çështjet e besimtarit dhe ai mundohet t’i përballojë vështirësitë me bindje e besnikëri, Allahu e premton për furnizim të paimagjinueshëm. Ai thotë:
مَن كَانَ يُؤْمِنُ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْـَٔاخِرِ ۚ وَمَن يَتَّقِ ٱللَّهَ يَجْعَل لَّهُۥ مَخْرَجًا ۞ وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لَا يَحْتَسِبُ ۚ وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى ٱللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُۥٓ
“…për çdokënd që beson në Allah dhe në Ditën e Ahiretit; dhe ai që i druhet Allahut, (Allahu) i gjen ndonjë rrugëdalje, dhe e ushqen nga atje që ai nuk e imagjinon dot. Dhe një që mbështetet tek Allahu, (ta dijë se) Ai është i mjaftueshëm për të”.16
4. Kërkimi i faljes (Istikfari)
Surja Nuh rrëfen historinë e Hazret Nuhut a.s., i cili e predikoi popullin e tij ditë e natë dhe u kujtoi mirësitë dhe dhuntitë e Zotit. Ai u tregoi se, nëse do të madhëronin Zotin dhe t’i kërkonin falje për gabimet e tyre, do të tërhiqnin mëshirën e Zotit. Kurani thotë:
فَقُلْتُ ٱسْتَغْفِرُوا۟ رَبَّكُمْ إِنَّهُۥ كَانَ غَفَّارًا۞ يُرْسِلِ ٱلسَّمَآءَ عَلَيْكُم مِّدْرَارًا۞ وَيُمْدِدْكُم بِأَمْوَٰلٍ وَبَنِينَ وَيَجْعَل لَّكُمْ جَنَّٰتٍ وَيَجْعَل لَّكُمْ أَنْهَٰرًا۞
“Dhe u thashë: Kërkojini falje Zotit tuaj, sigurisht, Ai është shumë Falës; Ai do të dërgojë qiellin që do t’ju reshë, do t’ju ndihmojë me pasuri e fëmijë, do të bëjë për ju pemishte dhe do të bëjë (edhe) lumenj”.17
5. Të shpenzuarit në rrugën e Allahut
Nëse një besimtar shpreh mirënjohje ndaj Allahut duke shpenzuar pasurinë për hir të Zotit në dobi të krijesës së Tij, Zoti e premton për lehtësi në jetë:
فَأَمَّا مَنْ أَعْطَىٰ وَٱتَّقَى۞ وَصَدَّقَ بِٱلْحُسْنَىٰ۞ فَسَنُيَسِّرُهُۥ لِلْيُسْرَىٰ۞ وَأَمَّا مَنۢ بَخِلَ وَٱسْتَغْنَىٰ۞ وَكَذَّبَ بِٱلْحُسْنَىٰ۞ فَسَنُيَسِّرُهُۥ لِلْعُسْرَىٰ۞
“Andaj, ai që dhuroi (në rrugën e së vërtetës) dhe pati druajtje (ndaj Zotit), dhe vërtetoi më të mirën (duke e pranuar atë), Ne patjetër do t’ia mundësojmë lehtësinë. Kurse ai që u tregua koprrac dhe shpërfillës, dhe e quajti gënjeshtër më të mirën, Ne patjetër do ta shtrëngojmë”.18
SHËNIME
- Kurani Famëlartë 51:59.
- Kurani Famëlartë 29:61.
- Kurani Famëlartë 11:7.
- Kurani Famëlartë 34:25.
- Sahihu i Muslimit, kitab 45: el-Birr, ues-Siletu uel Adab, bab 15: Tahrimudh-Dhulmi, hadith numër 2577a.
- Sahihu i Buhariut, Kitab: 59 Bede’ul Khalk, bab 6: Dhikrul-Melaiketi, hadith numër 3208.
- Kurani Famëlartë 91:9-11.
- Kurani Famëlartë 87:2-4.
- Nga seanca pyetje-përgjigjesh, e mbajtur më 14 prill 1996.
- Kurani Famëlartë 53:32.
- Xhami et-Tirmidhiu, kitab: 36 ez-Zuhd, bab: fit-Tevekul al-Allah, hadith numër 2344.
- Kurani Famëlartë 2:268.
- Kurani Famëlartë 20:133.
- Sunen Ibn Maxha, kitab: Ikametus Selati ues-Sunetu fiha, bab: ma jukalu b’adet-teslim, hadith numër 925.
- Xhami et-Tirmidhi, kitab: ed-D’avatu ar-Resulillahi s.a.v.s., hadith numër 3500.
- Kurani Famëlartë 65:3,4.
- Kurani Famëlartë 71:11-13.
- Kurani Famëlartë 92:6-11.