Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit el-Musav-vir (Formuesi)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit el-Musav-vir (Formuesi)

Emrat e Allahut - Emrat e Zotit el-Musavvir

Formuesi (El-Musav-vir)

Emrat e Allahut - Emrat e Zotit el-Musavvir

هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ ۖ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ ۚ يُسَبِّحُ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ ۝

Ai është Allahu, Krijuesi, Filluesi, Formuesi. Ai i ka Emrat më të bukur. Atë e kujton gjithçka që është në qiej e (në) tokë. Dhe Ai është Triumfuesi, i Urti.1

Zoti ka krijuar çdo gjë nga asgjëja dhe i ka dhënë asaj një formë të veçantë dhe një trajtë unike që i përgjigjet plotësisht funksionet dhe veprimtaritë e saj. Kjo formë e bën atë të dallueshme nga të tjerët pavarësisht shumëllojshmërisë dhe mjaftueshmërisë së saj.

Kuptimi leksikor

Emri el-Musav-vir المصوّر përdoret si veprues, dhe rrjedh nga folja صوّر يصوّر që do të thotë ai modeloi gjithçka me tiparet e nevojshme.

Ibn Athiri ka thënë:

“Atributi الْمُصَوِّرُ  el-Musav-vir është një prej emrave të Allahut të Madhërishëm. Ai i ka dhënë çdo qenieje të krijuar një formë të përshtatshme dhe i vuri sipas një rregulli. Kështu Ai i dha çdo gjëje një pamje të veçantë dhe një trajtë unike që dallohet nga të tjerat në ndryshueshmëri dhe në shumësin e saj”.

El-Musav-viri është Ai që u ka dhënë krijesave të Tij pamje dhe trajta të ndryshme, të dukshme a të fshehura dhe shqisore apo mendore, të cilat u përgjigjen plotësisht funksioneve të saj. Nuk ekzistojnë dy gjini që t’i ngjajnë njërit-tjetrit e as dy tipa që të jenë të barabarta, madje as dy individë nuk janë të njëjta, pasi secili ka tiparet dhe trajtën e vet specifike që e dallon atë nga të tjerët. Kjo tregon se përsosmëria e krijimit nuk varet vetëm nga pajisja me aftësitë e duhura, por edhe me formën a trajtën e përshtatshme.

Kuptimi ideologjik në Kuran e hadith

Sipas mufesirinëve, tri atributet e Allahut janë të ndërlidhura. Ato janë: الْخَالِق el-Khālik (Krijues), الْبَارِئ el-Bari’ Filluesi dhe الْمُصَوِّر el-Musav-vir (Formuesi). Si Krijues, Zoti krijoi gjithçka nga asgjëja, kur nuk ekzistonte asgjë të ngjashme. Si Fillues, Ai krijoi çdo gjë në mënyrë të përsosur, me një urtësi të thellë, pa ndonjë të metë dhe duke i dhënë asaj veçoritë specifike. Atributi ‘Formues’ është etapa e tretë, përmes të cilit, Allahu i jep çdo gjëje një formë apo trjatë të caktuar.

«هُوَ الَّذِي يُصَوِّرُكُمْ فِي الْأَرْحَامِ كَيْفَ يَشَاءُ»

Është Ai që ju formon në mitra si të dojë. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.2

Mevlana Xhelāl ud-Dīn Muhammed Rūmī shkruan:

هر چه را خوب و خوش و زیبا کنند

از برای دیدهٔ بینا کنند

Çdo gjë që është bërë e bukur, e hijshme dhe mahnitëse, është bërë (kështu) për syrin e atij që e sheh.3

Allahu e ka krijuar njeriun në formën më të përsosur dhe i ka dhuruar fuqitë, veçoritë dhe shqisat e nevojshme. Në tokë jetojnë rreth 7,9 miliardë njerëz dhe secili prej tyre posedon një fytyrë të veçantë.4 Çdo qenie, nga një pikë shiu te një fjollë bore, nga gurët te bimët, nga gjurmët e gishtave te bebëzat, nga milingonat te yjet në qiell dhe nga grimcat te galaktikat, të gjitha këto pasqyrojnë atributin el-Musav-vir me format, trajtat dhe veçoritë e tyre përkatëse.

Shumëllojshmëria e fytyrës dhe tiparet poligjenike (gjatësia, ngjyra e lëkurës, syve dhe të flokëve etj.) e bën çdo njeri të veçantë, unik dhe të dallueshëm nga të tjerët. Këto karakteristika përcaktohen nga gjenet ose ADN, në të cilat mbartet e koduar, informacioni i trashëgimisë, dhe ajo është përgjegjëse për strukturën dhe karakteristikat fizike dhe biokimike për gati të gjitha qeniet e gjalla. Struktura e ADN-së bazohet në 4 nukleotide: Adenina (A), Citozina (C), Timina (T), Guanina (G) që përbëjnë kodin gjenetik të njeriut. Çdo qelizë në trupin tuaj mban rreth 3.2 miliardë nukleotide çifte dhe trupi i njeriut ka rreth 20-25,000 gjene, të cilat përcaktojnë të gjitha karakteristikat dhe funksionet e tij.5

ٱللهُ ٱلَّذِى جَعَلَ لَكُمُ ٱلْأَرْضَ قَرَارًا وَٱلسَّمَآءَ بِنَآءً وَصَوَّرَكُمْ فَأَحْسَنَ صُوَرَكُمْ وَرَزَقَكُم مِّنَ ٱلطَّيِّبَٰتِ ۚ ذَٰلِكُمُ ٱللهُ رَبُّكُمْ ۖ فَتَبَارَكَ ٱللهُ رَبُّ ٱلْعَٰلَمِينَ ‎

Është Allahu Ai që për ju bëri tokën si vendbanim dhe qiellin si bazë (të mbijetesës suaj), ju dha formë, e shumë bukur ju formoi, dhe ju ushqeu me të pastrat. Ky është Allahu, Zoti juaj. Pra, vetëm Allahu zotëron bekimin që është Zoti i botëve!6

P.sh. ujin që pijmë, nëse e ftohim, molekulat e tij fillojnë të tkurren. Por me ftohjen e mëtejshme densiteti i tij nuk zvogëlohet, por për habi zmadhohet gradualisht dhe në pikën e shkrirjes uji ka densitet më të madh se në temperaturën + 4 °C. Kjo mundëson që në temperaturën +4 °C, një shtresë akulli formohet mbi liqene apo oqeane, që e izolon ujin poshtë dhe kështu mbron gjallesat ujore, që ndryshe mund të ishin zhdukur gjatë dimrit.­­7

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Shkruan:

“Allahu është el-Khālik që do të thotë se Ai është Krijuesi. Ai është el-Bari’, d.m.th. Ai i ka krijuar shpirtrat dhe qeniet nga një gjendje asgjëje. Ai është el-Musav-vir, d.m.th. Ai i ka dhënë çdo qenieje formën trupore dhe strukturën që u përgjigjet veçorive të llojit të saj. Në të vërtetë, të gjithë emrat e Tij të bukur manifestohen dukshëm, d.m.th. të gjitha atributet e Tij të përsosura, të cilat arsyeja njerëzore mund të përfytyrojë në bazë të përsosmërisë së natyrës, mishërohen në qenien e Tij”.8

Ky atribut na nxit të reflektojmë mbi forma të ndryshme që na rrethojnë dhe të kënaqemi nga mrekullia e Zotit, sepse ai i krijoi bimët, lulet, frutat, kafshët, zogjtë dhe çdo gjë në formën më të përsosur. Ne duhet të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj Tij, të fokusohemi në aftësinë tonë, të përmirësohemi çdo ditë dhe t’u sjellim dobi të tjerëve. Sepse bukuria e jashtme nuk ka vlerë, nëse i mungon bukuria e karakterit të brendshëm. Prandaj edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lutej:

اَللَّهُمَّ كَمَا أَحْسَنْتَ خَلْقِي, فَحَسِّنْ خُلُقِي

“O Allah! Ashtu siç më ke krijuar në mënyrën më të përsosur, bëji që edhe cilësitë e mia morale të jenë më të mirat”.9

Ne duhet të përdorim aftësitë tona për qëllime të duhura dhe ta adhurojmë vetëm Atë. Gjurmët e këtij autori janë gdhendur në çdo grimcë të universit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpeshherë bënte këtë lutje në sexhden e recitimit:

اللَّهُمَّ لَكَ سَجَدْتُ وَبِكَ آمَنْتُ وَلَكَ أَسْلَمْتُ وَأَنْتَ رَبِّي سَجَدَ وَجْهِي لِلَّذِي خَلَقَهُ وَصَوَّرَهُ وَشَقَّ سَمْعَهُ وَبَصَرَهُ تَبَارَكَ اللَّهُ أَحْسَنُ الْخَالِقِينَ ‏”‏

O Allahu im! Për Ty kam rënë në sexhde, Ty të kam besuar, Ty të jam nënshtruar dhe Ti je Zoti im. Fytyra ime po i bën sexhde Atij që e krijoi, i dha formën, i dhuroi veshët dhe sytë përmes mrekullisë dhe fuqisë së Tij. Vetëm Allahu zotëron bekimin, Krijuesi më i përsosur.10

Shënime

  1. Kurani Famëlartë 59:24.
  2. Kurani Famëlartë 3:7.
  3. Mesnevi, 1-2383.
  4. https://www.businessinsider.com/why-are-human-faces-so-complex-and-unique-2014-9
  5. https://atlasbiomed.com/blog/five-scientific-reasons-why-you-are-totally-unique/
  6. Kurani Famëlartë 40:65.
  7. Wiltse, Brendan, “A Look Under The Ice: Winter Lake Ecology”. Ausable River Association. Vizituar më 23 April 2020.
  8. Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Mektūbāte Ahmed”, vëll. 1, f. 12-13.
  9. Bulūgh el-Merām, libri numër 16, hadith numër 101.
  10. Sunen en-Nesā’i, Libri: et-Tatbik, kapitull: No’un Akharu, hadith numër: 1127.

Lexoni gjithashtu:

EMRAT E ALLAHUT – EMRAT E ZOTIT

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit El-Bari (Filluesi)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp