E padukshmja, enigma që na mundon
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Libri “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” nga Bujar Ramaj, i paraqitur mbi një tavolinë në një ambient të ngrohtë leximi.

Kjo përvojë nga bota e padukshme më fuste në meditime dhe shpesh arsyeja ngelej peng në to. U binda se e padukshmja ishte krejt një palosje tjetër e kësaj jete. Nisa ta kërkoj Zotin, Krijuesin, por nga errësira e diturisë në këtë fushë prej së cilës vija, nuk dija si ta kërkoja. Përdora mendjen për ta kërkuar, por ajo më fuste në shumë labirinte të pafundme, dhe në fund dilja prapë si kisha hyrë. Fillova me arsye, por dhe ajo më fuste në disa pyetje të pafundme ku ngelesha peng i vetvetes. Në të gjithë këtë kërkim në gjetjen e Zotit, ishte ndjesia që më qetësonte, që më ëmbëlsonte, që më afronte ngadalë-ngadalë tek një qenie e padukshme me plot mister. Por përpjekja ime drejt një imazhi të padukshëm më vuri në shumë sprova. Testi bëhet shumë i vështirë kur duhet të bindesh për një gjë që nuk e sheh, kur ndeshesh me të padukshmen:

“Qenia e Zotit është e mbërthyer në fshehtësi dhe gjendet mbrapa perdeve të misterit. Mendja njerëzore nuk e zbulon dot atë vetëm me aftësi vetjake, si dhe asnjë argument shkencor a mendor nuk mund të jetë i mjaftueshëm për ekzistencën e Tij, sepse e gjithë shtrirja dhe kufiri i arsyes të përçon vetëm deri këtu se duke përsiatur mrekullitë e gjithësisë, ai të ngjall nevojën e një Krijuesi. Por, ndjeshmëria ndaj një nevoje është tjetër gjë, ndërsa besimi që të shpie deri në atë shkallë është tjetër gjë, kur zbulohet Ai Krijues, nevoja e qenies së të cilit ishte ndier thellë. Meqë metoda e arsyes është e mangët, e paplotë dhe e dyshimtë, çdo filozof nuk mund të njohë Zotin vetëm me anë të logjikës, madje shumica e atyre që mundohen të njohin Zotin përmes arsyes, përfundojnë duke u bërë ateist, dhe vetëm përsiatja dhe studimi i qiejve dhe i tokës nuk i shërbejnë asgjë”.[1]

Gjithë jeta e njeriut dhe e qytetërimeve është një përpjekje e vazhdueshme e të dukshmes me të padukshmen. Njeriu, që në fillimet e jetës në këtë tokë dhe që nga lindja ka tentuar dhe tenton të zbulojë gjithmonë atë që nuk e shikon, të ecë drejt misterit me guxim dhe me sakrificë. Është kjo përpjekje e tij që ka shpënë në perfeksionimin e dijes, krijimin e mirëqenies dhe zbulimin e shumë të rejave që ka çuar përpara si mendimin, shkencën, artin dhe qytetërimin në përgjithësi.

E padukshmja është në të gjitha përpjekjet e artit dhe të shkencës. Të gjitha kryeveprat botërore në fushën e artit, që nga: Homeri, Eskili, Leonardo da Vinçi, Shekspiri, Gëte, Bet’hoven, Pikaso etj., janë frymëzuar nga një shkëndijë e padukshme brenda shpirtit të tyre, duke i dhënë njerëzimit kryevepra tronditëse e me vlera të mëdha. Të gjithë këta artistë të mëdhenj nuk e kanë zbuluar dot se nga u erdhi ky inspirim, kjo frymë e padukshme, që nxit për të bërë të tillë monumente të rralla të njerëzimit.

“Edhe para fshehtësisë më të madhe ai (njeriu) sillet me vetëbesim e mendjemadhësi. Ai nuk e sheh enigmën dhe pikërisht këtu vërehet dimensioni kolosal i paditurisë dhe i paragjykimit të tij… E keqja nuk qëndron në përgjigje boshe. E keqja është se bashkëbiseduesi ynë konsideron të ketë dhënë ndonjë përgjigje në përgjithësi, me një fjalë, se eliminon enigmën që është dhe kushti i parë i hulumtimit dhe i arritjes të së vërtetës… Teorinë e përgjithshme të relativitetit e kemi në sajë të faktit se Einsteini (Ajnshtajni) pa enigmën aty ku të tjerëve u dukej çdo gjë e qartë.

Më në fund, qëllimi i tërë i artit, i filozofisë dhe i religjionit është që njeriut t’ia përkujtojnë enigmat, fshehtësitë, pyetjet; ky është zgjimi i vetëdijes sonë, mbase jo gjithmonë në drejtim të diturisë e të njohjes, porse kah shndërrimi i paditurisë sonë, për të cilën s’jemi të vetëdijshëm, në padituri për të cilën jemi të vetëdijshëm. Dhe ky fakt përmban atë dallim të pakufishëm që e ndan të marrin nga i urti.

Në këtë pikë lidhen religjioni e meditimi. Është gjendja kur pajtohet fryma. Injorimi i fshehtësisë është njëri nga aspektet e rëndësishme të ateizmit praktik. Jeta e njeriut-masë karakterizohet me mungesën e meditimit. Ky tip njeriu nuk sheh gjëkundi enigma, fshehtësi. Ai nuk habitet, nuk mrekullohet, nuk ndjen frikë para të panjohurës. Me një fjalë, ai s’jeton me frymën”.[2]

E gjithë përpjekja e shkencës është përpjekje për zbulimin e së padukshmes që nga eksperimentet e vogla e deri tek ato më gjigantet. Pa këtë përpjekje, ne do të ishim sot pa këtë teknologji, do të ishim pa këtë komunikim, do të ishim pa këtë zhvillim të mjekësisë, do të ishim pa shfrytëzimin e energjisë, nuk do të dinim asgjë mbi gravitacionin dhe energjinë atomike, mbi ligjet e gjithësisë, do të ishim pa dijen e qelizës dhe elektronit, pa gjenetikën dhe astronominë, pa jetën virtuale, pa kompjuterin dhe celularin… Shkenca është një produkt i së padukshmes, është maja e shpatës e përpjekjes njerëzore për grisjen e perdes së të padukshmes.

Sikur të krijohej mundësia dhe njeriun, që ka jetuar jo shumë, por treqind vjet më parë, ta zgjonim nga varri dhe t’i bënte një vizitë në këtë botë që ne jetojmë. Ai do të gjendej para një të papriture të madhe, do të shikonte gjëra që nuk i kishte parë asnjëherë, si: teknologji e pakonceptueshme, ndërtime madhështore të larta, makina, trena, avionë, mjete të komunikimit, televizor, radio, telefona, kompjuterë. … Ai, për një çast, do të mendonte se ishte në një ëndërr të bukur, pasi në kohën kur ai ka ikur nga kjo botë nuk ka patur as makina, as avionë, as televizor dhe as celular, as kompjuterë, as ndërtime shumëkatëshe, as fabrika, uzina, spitale, porte dhe aeroporte. Mund  të përmendim në pafundësi edhe shumë gjëra të tjera, që për këtë njeri do të ishin një habi e vërtetë. Pra, thjesht këto kanë qenë të padukshme në periudhën kur ai ka jetuar.

Përshkuam gjithë këtë udhëtim imagjinar për të treguar se e padukshmja për një brez është e dukshme, sepse spiralja e gjithë kësaj jete është udhëtim drejt të padukshmes. Ne vijmë në këtë botë nga e padukshmja, kërkojmë gjithë jetën të zbulojmë të padukshmen dhe vdesim duke shkuar drejt të padukshmes.

Shpesh qenia njerëzore lëviz në një absurd bosh, brenda ciklit të një shoqërie që shumë pak beson tek e padukshmja, pavarësisht se shumë të panjohura pa i parë i ka pranuar, si: gravitetin, elektromagnetizmin, lëvizjen e valëve elektromagnetike, rrezatimin, atomin dhe qelizën, shpirtin, egon, dashurinë, dhimbjen etj. Sot, kur teoria kuantike ka pushtuar mendjet e fizikanëve, studiuesve dhe filozofëve, përherë e më tepër po hiqet dorë nga ideja mbi nocionin tradicional të materies, që ajo është e prekshme, e dukshme, konkrete dhe e ngurtë, duke kaluar në nocionin e ri se materia themelore nuk është e dukshme, ajo përbëhet prej grimcave dhe valëve që mund të kuptojmë cilësitë dhe natyrën e tyre me mundim e që i afrohet më shumë shpirtit sesa materies. Pak nga pak po kuptojmë që realja është e mbuluar me një vello, është e paarritshme dhe mezi perceptojmë hijet e tipareve të saj.

Fjalët e para kur fillon ta lexosh Kuranin e Shenjtë janë: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit”, pra i drejtohesh të padukshmes. Ky fenomen është prezent gjatë tërë leximit të tij, madje që në fillim ai vë një kusht:

Ky është Libri. Nuk ka mëdyshje në të. Është udhëzim për ata që kanë druajtje, që besojnë në të padukshmen …”.[3]

Të kuptuarit e të vërtetës është enigma që ka mbërthyer njeriun që nga krijimi. Raporti iluzion ~ e vërtetë është dhe sot në kulmet e shkencës dhe të filozofisë, një debat i pafundmë. Shkenca detyrën kryesore ka patur të heqë iluzionin e të zbulojë të vërtetën, të heqë vellon e misterit e të hamendësisë. Në fillim, njeriu mendonte se toka ishte qendra dhe dielli rrotullohej rreth tij. Kjo ishte iluzion. Shkenca më vonë e vërtetoi se toka rrotullohet rreth diellit. Ne dukemi sikur nuk lëvizim. Kjo është iluzion. Shkenca sot ka zbuluar se ne ecim në hapësirë me disa dhjetëra kilometra në sekondë:

“Ti sheh malet dhe mendon se ato janë të palëvizshme, kurse ato po lëvizin sikur lëvizin retë. Është mjeshtëria e Allahut, i cili nguliti fort çdo gjë. Pa dyshim, Ai është i Gjithinformuar për atë që bëni ju.”[4]

Ne shikojmë hapësirën diell ~ tokë dhe e konsiderojmë një boshllëk. Por shkenca ka vërtetuar se është një fushë si një rrjet ku forca gravitacionale e forca të tjera mbushin këtë boshllëk. Ne qëndrojmë mbi dy këmbë, por nuk e dimë se qëndresa është forca tërheqëse e tokës. Ne shikojmë qiellin si hapësirë mbi ne dhe nuk e dimë që ai është çatia jonë mbrojtëse me shtresat e padukshme që mbështjellin tokën ku meteorët gjigantë shkrihen sa e përshkojnë atë. Ne shikojmë materien që na rrethon, por nuk kuptojmë se tulla fillestare e kësaj materie është një grimcë në pafundësi e vogël, gati si valë, shumë e lëvizshme në një boshllëk gjigant midis bërthamës dhe hapësirës që e rrethon, që vetëm fizika kuantike e shpjegon. Ne shikojmë një film dhe jetojmë si në një realitet iluzion me plot emocione, kur e dimë që janë vetëm valë që lëvizin në hapësirë. Ne jetojmë në këtë jetë dhe harrojmë që kjo jetë është një iluzion, një përjetim mashtrues në një kohë zero para përjetësisë. Kurani i Shenjtë pohon:

“… jeta e kësaj bote është vetëm një përfitim i përkohshëm (dhe) mashtrues.”[5]

Pjesa më e madhe e njerëzve udhëhiqen nga egoja, instinktet, epshet, pasionet duke i kthyer në zot. Njerëz të shumtë mendojnë se rruga e vërtetë është rruga e realizimit të dëshirave, feja thotë të kundërtën, është përsosja shpirtërore duke adhuruar Krijuesin.

“A ke parë atë që dëshirën e vet e bën idhull?”[6]

Njerëzit harrojnë se e vërteta është nënshtrimi para Zotit. Ne e jetojmë, e shikojmë të dukshmen që është një iluzion i së padukshmes që është e vërteta. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e kuptojnë që e vërteta është Zoti. Ne jetojmë dhe vdesim kryesisht në një botë iluzive, bëjmë një jetë të gënjeshtërt, krijojmë ide iluzive, shkojmë drejt të pavërtetës, pra drejt errësirës. Neuroshkencëtari amerikan i ditëve tona, Donald Hoffman, thotë:

“Realiteti që ne vështrojmë është iluzion dhe se mendja jonë fsheh realitetin e vërtetë, sepse ky realitet do të ishte i papërballueshëm për qenien njerëzore”.[7]

Paradoksi më i madh është se ne analizojmë procesin e së padukshmes me mjetin më të padukshëm që është mendja. Mendja është mjeti që ne përdorim për të lidhur gjërat e dukshme me ato të padukshme në kohën dhe vendin e duhur. Kështu nëse shikojmë se një mollë bie nga pema, ne shikojmë mollën, por jo forcën tërheqëse të tokës që e tërheq atë. Mendja është ajo që e bën këtë lidhje midis të dukshmes dhe të padukshmes. Mendja është çelësi që na shpie në portat e të panjohurave, të padukshmeve.

Në raportin midis trupit dhe shpirtit, njeriu i kushton shumë rëndësi të dukshmes, pra trupit, duke harruar se ai është veshja, mbështjellja, korniza, ndërsa njeriu është personi i vërtetë, shpirti, uni që komandon gjithçka. Ai është krejt i padukshëm, por është qenia e vërtetë jona. Pra, ndodhemi para absurdit kur një gjë që ka një shtrirje në hapësirë dhe kohë jo më tepër se 90 vjet siç është trupi, kujdesemi kaq shumë për të sa kapërcejmë çdo cak, ndërsa për atë që jeton dhe do të jetojë në përjetësi, që është shpirti dhe qenia jonë e padukshme, nuk i kushtojmë fare rëndësi. Sikur qenia njerëzore të meditojë mbi të padukshmen do të kuptojë se në tërësinë e saj është shumë herë më me vlerë se e dukshmja. Kujtojmë këtu: Zotin, përjetësinë, engjëjt, ajrin, gravitetin, shpirtin, fushat elektrike dhe elektromagnetike, gjenin, atomin, mendjen, rrezatimin…

Të gjithë profetët nuk i kanë kuptuar, pasi ata flisnin për të padukshmen. Prandaj dhe turma i thërriste “të çmendur”, “të marrë”, “të kapur nga djajtë”, ndërsa kur shikonin mrekulli prej tyre, u thoshin magjistarë. Sa i mundimshëm paska qenë misioni i tyre që të flisnin për të padukshmen! Kur profeti Muhammed a.s.  u foli mekasve për mbretërinë qiellore dhe botën e përtejme, që të gjithë qeshën me të madhe. Ata, jo vetëm që filluan të talleshin me të, por edhe ta ofendonin, duke hedhur plehra mbi të. Në Kuranin e Shenjtë, në kaptinën e tetëmbëdhjetë me radhë “El-Kehf (Shpella)” tregohen tri histori, të cilat arsyeja jonë nuk i koncepton dot pasi janë jashtë ligjeve natyrore, por në esencë aty flitet për të padukshmen.

E thamë më sipër që Kurani përfshin gjithçka. Nuk ka dije të mos ketë përgjigje në të. Ai është burimi i së vërtetës. Njeriu mban brenda vetes së tij misterin, enigmën për të njohur këtë botë dhe veten e tij. Sa më shumë që ai njeh botën, tenton të njohë dhe veten, dhe sa më shumë që njeh veten e tij, i afrohet edhe më shumë Krijuesit. Pra, enigma, e cila është mbjellë brenda vetes sonë, mbin e zhvillohet me moshën dhe kushtet që njeriu kulturohet, kur ai arsimohet e kupton jetën. Rruga për të zbuluar enigmën është bindja e plotë se ka një Krijues dhe ky Krijues është universal, i Gjithëdijshëm, Gjithëpërfshirës, Zotërues i gjithçkaje në qiej dhe tokë. Por, Ai është i Padukshmi, Dritë mbi dritat, siç thotë Kurani i Shenjtë. Nëse një njeri e pranon këtë Krijues, ai ka zbuluar enigmën e jetës dhe në duart e tij ofrohen çelësat e së padukshmes. Ai largohet nga iluzioni dhe nga e pavërteta, duke njohur vetëm të vërtetën.

Për të arritur këtu duhen përpjekje, guxim, durim, fat e dituri. Kjo lëvizje për ta zbuluar, pranuar dhe takuar Krijuesin, ngjan me përpjekjen që bën anija kozmike për t’iu shkëputur forcës tërheqëse të tokës, deri sa del në hapësirë. Kur njeriu shkëputet nga tërheqja tokësore, ai lundron i lumtur në hapësirën e së vërtetës absolute. Këtë përpjekje mund ta paraqesim me një piramidë të ndarë në tri nivele:

Niveli i parë përfshin nisjen dhe përpjekjen e njeriut në formën natyrore të tij. Kjo përpjekje është e lidhur ngushtë me jetën tokësore, si: plotësimi i nevojave dhe instinkteve, prirja për pasuri, fëmijë, famë, mburrje dhe kënaqësi, ku tërheqja tokësore është maksimale. Në këtë nivel është shumica e njerëzve. Ata që nuk e kalojnë nivelin e parë, mbeten nën ndikimin e tokës dhe nuk dalin prej saj.

Niveli i dytë përfshin njerëzit që dolën nga niveli i parë. Ata që e kanë kuptuar raportin e tyre me Krijuesin dhe vazhdojnë të ngrihen moralisht. Por ka nga ata që nuk e kalojnë këtë nivel dhe bien pre e tërheqjes së tokës dhe ka të tjerë që kalojnë në nivelin e tretë dhe të fundit, ku njeriu është i lidhur ngushtë me Krijuesin dhe është gati për të kaluar në përjetësi.

Kushti kryesor që duhet të realizojë qenia njerëzore për nivelin e tretë në këtë botë është besimi tek e fshehta, e padukshmja dhe  bindja e thellë në përjetësi. Vetëm ata që janë plotësisht të bindur mbi botën e përtejme, bëjnë shkëputje në oqeanin hapësinor pa ndikimin e tërheqjes tokësore, duke iu përkushtuar tërësisht udhëtimit drejt Krijuesit të Madhëruar. Kurani, kur u drejtohet të gjithë njerëzve, i thërret me shprehjet: “O ju njerëz!” ose: “O popull!” që i takon nivelit të parë, ndërsa nivelit të dytë i drejtohet me shprehjen: “O ju që besuat!”, ndërsa nivelit të tretë i drejtohet me shprehjen: “O robërit e Mi!”, pra ata që i janë nënshtruar plotësisht Zotit të Madhëruar.

Nëse do të bënim një krahasim: ne kemi hipur në një anije kozmike me emrin “Tokë”, e cila lëviz 29.8 km/s në hapësirë. Të gjithë janë të lirë në këtë anije dhe kanë kushte të përsosura, si: ajër, ujë, ushqim, fruta, dritë, ekuilibër (imagjinoni se sa miliona dollarë harxhojnë njerëzit për përgatitjen e një anijeje kozmike që niset për në hapësirë dhe me sa vështirësi sigurohen të gjysmuara kushtet e jetesës për tre a katër persona), dhe liria jonë është e kushtëzuar me dy rrugë: të sillesh sipas dëshirës e qejfit, ose të ndjekësh udhëzimet e Krijuesit me qëllimin final përfitimin e përjetësisë që është finalja e finaleve të të gjithave të padukshmeve. Pra, ne si njerëz jemi krijuar me vullnetin e lirë në zgjedhje, kur gjithçka në qiell e në tokë është e nënshtruar ndaj Krijuesit, përfshi dhe engjëjt. Çfarë grade e lartë për njeriun, por dhe sprovë e rëndë! E dhimbshme që njeriu nuk është mirënjohës për këtë të vërtetë!

Shpesh më bëjnë pyetjen: “Kush e ka krijuar Zotin?” Është një pyetje naive, së cilës unë i përgjigjem shkurt: Zoti është shkaku i të gjitha shkaqeve. Mendja njerëzore nuk ka kapacitetin e duhur që ta imagjinojë atë, është njësoj si unë të të them ty: “Më koncepto pafundësinë e hapësirës që është një aksiomë e pranuar nga shkenca”, ose “Më thuaj si e koncepton fillimin e kohës, si e përfytyron pafundësinë?” Po Ai që e ka krijuar pafundësinë si mund të konceptohet nga mendja jonë?!

Në një shpallje të Profetit të Islamit Muhammedit s.a.v.s., Allahu i Lartmadhëruar i thotë:

“Unë isha një thesar i fshehur. Kam dëshiruar të njihem, andaj e kam krijuar njeriun”. (el-Axhluni)

Pra, qëllimi i njeriut është ta zbulojë këtë thesar që quhet Zot.

Dy janë rrugët kryesore që të çojnë te ky thesar. E para, feja, e cila zbulon ligjësitë shpirtërore nëpërmjet shpalljeve, inspirimeve, ëndrrave të vërteta, lutjeve dhe ndjenjave. E dyta, shkenca, e cila zbulon ligjësitë e lëndës duke grisur perdet e së padukshmes, nëpërmjet dijes, eksperimentit dhe zbulimit. Ndërsa feja e ka marrë të gatshme, shumë përpara në kohë, rrugën për te Thesari, shkenca vetëm në këto pesëqind vjet e ka zbuluar me studime dhe eksperimente këtë Thesar, por pa u bindur plotësisht. Ajo është mjaftuar me mrekullitë, fuqinë dhe bukurinë e botës lëndore.

Në kërkim të këtij thesari, që quhet Zot, midis dy rrugëve shpesh ka një përplasje për të marrë monopolin e së vërtetës. Një herë pretendon njëri dhe një herë tjetri. Kjo përplasje shpesh sjell inkuizicion dhe herë braktisje ose të religjionit, ose të shkencës, pa kuptuar se në fund këto dy rrugë të çojnë te Krijuesi. Por, ndërsa feja e pranon direkt Krijuesin, shkenca kërkon eksperiment. Në pamundësi të krijimit, por vetëm të zbulimit, përpjekjet e saj të fundit në zbulimin e themeleve të materies e kanë afruar shumë në pohimin e plotë të këtij Thesari që quhet Zot, duke hasur në vështirësinë e kufirit grimcë-valë e të indeterminizmit. E rëndësishme është ta gjejmë këtë thesar dhe të bëhemi të Zotit, siç thotë Imami i Kohës:

“Nëse bëheni të Zotit, dijeni se Zoti është juaji. Zoti është një thesar i bukur. Çmojeni Atë, sepse Ai është Ndihmësi juaj në çdo hap të jetës. Pa Atë, ju jeni asgjë dhe as planet dhe mjetet tuaja nuk mund të bëjnë ndonjë gjë”.[8]

I lumtur është ai që përpiqet ta gjejë këtë Thesar të fshehur që e ka emrin Zot.

Referenca

[1] Mirza Ghulam Ahmad, “Ruhani Khazain”, vëllimi 22, “Hakikatul Uahji”, Londër 1984, fq. 120.

[2] Alija Izetbegoviç, “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit”, botimi i pestë, e përktheu nga boshnjakishtja: Eqrem Kryeziu, botues: “Logos-A”, Shkup 2009, fq. 53-54.

[3] Kurani i Shenjtë, 2:3-4.

[4] Kurani i Shenjtë, 27:89.

[5] Kurani i Shenjtë 57:21.

[6] Kurani i Shenjtë, 25:44.

[7] Sajti: https://www.ted.com/talks/donald_hoffman_do_we_see_reality_as_

    it_is qasja e fundit: 25.10.2019, ora: 20:05.

[8] Mirza Ghulam Ahmad, “Kashti-e Nuh”, “Ruhani Khazain”, vëll. XIX, fq. 21-22.

Shpërndaje
Keni pyetje?
Share via