Në tefsire të ndryshme janë transmetuar disa emra për këtë sure. Shumësia e këtyre emrave tregon edhe pasurinë e madhe të përmbajtjes së sures. Këta emra janë si vijon:
- Surja et-Tefrid: sepse në këtë sure është hedhur poshtë besimi në trini e besime të tjera të ngjashme, dhe është pohuar se Allahu i Madhërishëm është Një dhe i Vetëm.
- Surja et-Texhrid: sepse në të është shpjeguar se Allahu i Madhërishëm është i Pashoq.
- Surja et-Teuhid: sepse në asnjë libër tjetër nuk gjendet një shpjegim kaq i qartë i teuhidit (i njëshmërisë së Zotit).
- Surja el-Ihlas: sepse ajo krijon sinqeritet në zemrën e njeriut dhe e lidh atë me Zotin e Madhërishëm.
- Surja en-Nexhat: sepse njeriu shpëton duke pasur bindje të plotë se Zoti është Një.
- Surja el-Vilajet: sepse kjo sure, duke u bërë mjet i dijes së plotë, i veprës dhe i njohjes së Zotit, e çon njeriun deri në shkallën e vilajetit (miqësi me Zotin).
- Surja el-Ma’rifet: sepse njohja (ma’rife) e Allahut të Madhërishëm arrihet pikërisht nëpërmjet këtij ligjërimi. Kështu, Xhabiri r.a. transmeton se një person, gjatë namazit, lexoi Suren el-Ihlas. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dëgjoi këtë sure, tha: “Ky njeri e ka arritur njohjen e Zotit të tij.”
- Surja el-Xhemal: në një hadith thuhet: اِنَّ اللہَ جَـمِیْلٌ یُّـحِبُّ الْـجَمَالَ, domethënë Allahu i Madhërishëm është i Bukur dhe e do bukurinë. E pyetën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: Çfarë është bukuria e Allahut? Ai tha: të qenët e Tij “i Vetmi”, “i Pavaruri” “Ai nuk ka lindur (askënd) dhe as nuk është i lindur”.
- Surja el-Mukashkishe: “Mukashkishe” do të thotë ajo që e çliron dikë nga një gjendje e keqe. Kur një i sëmurë shërohet, arabët thonë: تَقَشْقَشَ الْمَرِیْضُ عَـمَّا بِہٖ, domethënë i sëmuri u shërua nga sëmundja në të cilën kishte qenë i prekur. Meqenëse kjo sure e pastron njeriun nga shirku dhe nga hipokrizia dhe e bën atë rob të pastër të Allahut të Madhërishëm, ajo është quajtur Mukashkishe.
- Surja el-Muavvidhe: sepse në hadithe thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi tek Hazret Uthman bin Maz’uni r.a., lexoi suren el-Ihlas, suren el-Felek dhe suren en-Nas, pastaj i fryu atij dhe e këshilloi që përmes këtyre sureve të kërkonte mbrojtjen e Allahut të Madhërishëm.
- Surja es-Samed: sepse në këtë sure përmendet cilësia “Samed” e Allahut të Madhërishëm, përmes së cilës shpjegohet se çdo grimcë e gjithësisë është e varur prej Tij.
- Surja el-Esas: i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: اُسِّسَتِ السَّمٰوٰتُ السَّبْعُ وَالْاَرْضُوْنَ السَّبْعُ عَلٰی قُلْ ھُوَاللّٰہُ اَحَدٌ, domethënë shtatë qiejt dhe shtatë tokat qëndrojnë mbi “Kul huvAllāhu ehad”. Kuptimi i kësaj është se besimi në trini bëhet shkak për shkatërrimin e qiejve dhe të tokës, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
تَکَادُ السَّمٰوٰتُ یَتَفَطَّرْنَ مِنْہُ وَتَنْشَقُّ الْاَرْضُ وَتَخِرُّ الْجِبَالُ
“Qiejt janë gati të pëlcasin nga ajo, toka të çahet dhe malet të shemben duke u dridhur! Që ata pretenduan bir për të Gjithëmëshirshmin!” (Merjem: 19:91-92),
Mund të ketë edhe këtë kuptim: Allahu i Madhërishëm thotë:
لَوْ كَانَ فِيْهِمَاۤ اٰلِهَةٌ اِلَّا اللّٰهُ لَفَسَدَتَا
“Në ato të dyja, po të kishte të adhurueshëm të tjerë përveç Allahut, ato do të shkatërroheshin.” (El-Enbija: 21:23).
Pra, besimi në teuhid është themeli mbi të cilin qëndron rregulli i kësaj bote.
- Surja el-Mani’ah: sepse ajo e mbron njeriun nga dënimi i varrit. Hazret Ibn Abbasi r.a. transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit në Miraxh, Allahu i Madhërishëm i tha:
اَعْطَیْتُکَ سُوْرَۃَ الْاِخْلَاصِ وَھِیَ مِنْ ذَخَائِرِ کُنُوْزِعَرْشِیْ وَھِیَ الْمَانِعَۃُ تَمْنَعُ عَذَابَ الْقَبْرِ وَ نَفَحَاتِ النِّیْرَانِ
“Unë të kam dhënë Suren el-Ihlas. Ajo është nga thesaret e fshehura të Arshit Tim. Ajo është mbrojtëse; mbron nga dënimi i varrit dhe nga valët e flakëve të zjarrit.”
Sepse ai që qëndron i vendosur mbi teuhidin e vërtetë, zjarri nuk mund ta prekë.
- Surja el-Muhdar: sepse kur lexohet kjo sure, engjëjt paraqiten për ta dëgjuar.
- Surja el-Beraet: domethënë, ajo që e mbron njeriun nga zjarri ose nga shirku. Kështu, në hadith thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi një person duke lexuar këtë sure dhe tha:
اَمَّا ھٰذَا فَقَدْ بَرِئَ مِنَ الشِّـرْکِ
“Ky njeri është pastruar nga shirku.”
Pastaj ai tha se kush e lexon këtë sure njëqind herë, qoftë në namaz apo jashtë tij, mbrohet nga zjarri.
- Surja el-Mudhekkire: sepse ajo ia kujton njeriut teuhidin (njëshmërinë) e Allahut të Madhërishëm.
- Surja en-Nur: sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:
اِنَّ لِکُلِّ شَیْءٍ نُوْرًا وَّ نُوْرُ الْقُراٰنِ قُلْ ھُوَ اللّٰہُ اَحَدٌ
Çdo gjë ka një dritë, dhe drita e Kuranit është “Kul huvAllāhu ehad”.
- Surja el-Eman: sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se ai që e pranon teuhidin, hyn në një kala. Dhe meqenëse në këtë sure përmendet teuhidi, ajo është një sure që e mban njeriun në siguri nga dënimi.
- Surja el-Munef-fire: domethënë, ajo që e largon shejtanin.
(Tefsir Kebir i Imam Razit, Surja el-Ihlas)