Jeta pas vdekjes sipas fesë Islame | Xheneti dhe Xhehenemi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Ndonëse vdekja zakonisht konsiderohet si një koncept disi i frikshëm; ka një numër i konsiderueshëm njerëzish që e përqafojnë vdekjen aq trimërisht dhe fisnikërisht saqë të lë me gojë hapur. Ky shkrim synon të analizojë jetën pas vdekjes nga këndvështrimi islamik. Shkrimi niset me përshkrimin e llojeve të vdekjes sipas tanatologjisë (studimi që meret me aspektet mjekësore, psikologjike dhe sociologjike të vdekjes si dhe mënyrat se si njerëzit përballen me të) dhe më pas studion vdekjen në lëmin e feve të ndryshme për të nxjerrë një përfundim me metodat krahasuese. Në vijimësi, shkrimi zbërthen këndvështrimin e Islamit mbi gjendjen e pasvdekjes, mbi gjendjen e shpirtit, parajsën dhe ferrin si dhe mbi mundësinë e komunikimit me të vdekurit sipas asaj që na mëson Islami. Ky artikull gjithashtu jep një paraqitje të shkurtër mbi disa nga ritualet dhe praktikat islamike që kanë të bëjnë me trupat pajetë, ceremoninë e funeralit dhe varrin.

xheneti xhehenemi parajsa ferri

Llojet e vdekjes sipas Tanatologjisë

Sipas tanatologjisë, vdekja mund të ndahet në disa kategori, të cilat janë:

  1. Vdekje klinike ose somatike: Zhdukje e personalitetit në tërësi, si pasojë e humbjes së pakthyeshme të funksionimit dhe pavarësisë së tri sistemeve jetësore; siç janë sistemi i frymëmarrjes, SNQ (Sistemi Nervor Qendror) dhe Sistemi Kardiovaskular. Ajo i përfshin organet në tërërsi. Të gjitha gjurmët e jetës ndërpriten në trup, por vijon të mbetet në komponentët e tjerë siç janë indet dhe qelizat.[1]
  2. Vdekje molekulare: Shpërbërja progresive e indeve të trupit, gjë e cila nënkupton vdekjen e komponentëve të trupit/organeve. Kjo ndodh afërsisht brenda tri ose katër orëve pas vdekjes somatike. Kjo kohë përpjesëtohet me aftësinë e trupit për t’i rezistuar hipoksisë (mungesës së oksigjenit). p.sh.:

Indet nervore – vetëm pak sekonda

Indet muskulare – 3 orë

Kornea – 6 orë

Lëkura – 12 orë[2]

  1. Vdekje e trurit: Ndërprerja e të gjitha funksioneve të trurit. Në disa përqasje, referenca të veçanta i kushtohen vdekjes së aktivitetit të trurit apo të sistemit nervor. Kjo ndodh kur personi nuk ka më asnjë lloj aktiviteti në trurin e tij si dhe ka humbur përgjithmonë aftësinë për të qenë i vetëdijshëm dhe mundësinë për të marrë frymë, por mund të ketë disa funksione në shtyllën kurrizore.[3]

‘Enciklopedia Britanike’ (për vdekjen) e ka përkufizuar vdekjen si ‘ndërprerjen e përhershme të funksioneve jetësore në trupat e bimëve dhe kafshëve’.[4]

Sipas ‘Encyclopaedia of Religion and Ethics’ (Enciklopedisë së Fesë dhe Etikës), vdekja biologjike është ‘Ndërprerja e një organizmi’. Nuk ka asnjë lloj ngatërresë në përdorimin e të njëjtës fjalë për të përshkruar fundin e një individi si dhe të një procesi të pakthyehëm që të çon drejt fundit.[5]

Një vështrim mbi vdekjen si koncept në varësi të feve të ndryshme

Judaizmi

Le të shohim se si perceptohet vdekja në fe të ndryshme. Për sa i përket jetës pas vdekjes, Dhjata e Vjetër nuk është shumë e pasur me detaje. Ajo thotë:

“Shumë prej atyre që flenë nën pluhurin e Tokës do të zgjohen, disa në jetën e pambarim, dhe disa të tjerë në turp dhe përbuzje që zgjat përgjithmonë.”[6]

Sërish në Ezekiel 37:4-6 kemi:

“O ju kocka të thara, duroni fjalën e Zotit. Këto ishin fjalët e Zotit për ato kocka; Kujdes, Unë do të bëj që fryma të hyjë në ty dhe ti do të jetosh: dhe unë do të shtroj nerva mbi ty, dhe do të të mbuloj me mish dhe me lekurë, dhe kur fryma ime të hyjë në ty, ti do të jetosh, dhe do ta dish që unë jam Zoti yt”.[7]

Pikëmapja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Një funeral hebre në Vilnius, në 1824. Pikturë nga Julian Karczewski, Burimi Wikipedia

‘Enciklopedia Hebraike’ duke iu referruar Erobian Talmudit, përshkruan ferrin kështu; “Zjarri i Gehennas (ferrit) nuk i prek mëkatarët hebre sepse ata do ti rrëfejnë mëkatet e tyre përpara portës së ferrit dhe do të rikthehen tek Zoti i tyre”. Duke iu referuar Berkatit, në Talamud thuhet “Heretikët dhe shtypësit romakë do të përfundojnë në Gehenna, dhe i njëjti fat i pret edhe Persianët, shtypësit e hebrejve të Babilonisë”.[8]

Ndërsa për hebrenjtë e ditëve të Sale shprehet kështu:

“Është një opinion gjerësisht i pranuar nga hebrenjtë e sotëm që asnjë person (nga hebrenjtë), qoftë nga të pabesët apo nga cilido sekt tjetër, nuk do të qëndrojë në ferr më shumë se njëmbëdhjetë muaj apo maksikum një vit, përveç Datanit, Abriamit dhe ateistëve (nga hebrenjtë) të cilët do të torturohen aty përgjithmonë”.[9]

“Abriami dhe Datani u ngritën kundër Moisiut dhe u shkatërruan nga Zoti”.[10]

Në ‘Derech Eretz Zuta’, njëri ndër pesëmbëdhjetë traktatet e Talamudit, edhe pse e përpiluar me vonë se të tjerat por që përfshihet në botim, gjenden figura biblike si Enok, Elijah dhe Hiram të cilët së bashku i shpëtuan vdekjes dhe u dërguan direkt në Parajsë.[11]

Krishtërimi

Sipas konceptit të krishterimit “Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, dhe kështu vdekja kaloi mbi çdo njeri, prandaj të gjithë janë mëkatarë”.[12]

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Një varrezë e krishterë

Në librin urdu, ‘Qamusul Kitab’ ne lexojmë :

“Ne duhet ta pranojmë se vdekja erdhi si pasojë e mëkatit të Adamit, dhe ndëshkimi për të rezultoi në vdekje në dy forma, në atë fizike dhe në atë shpirtërore”. Gjithashtu shkruhet: “Vdekja fizike është shenja më e denjë e vdekjes shpirtërore e cila është pasoja e domosdoshme e mëkatit”.[13]

Budizmi

Lidhur me vdekjen Buda ka thënë: “O murg! E shkurtër është jeta e njeriut”. “Jeta me të vërtetë përfundon në vdekje”. Vdekja është thjesht fillimi i një ekzistence të re për ndëshkimin e mëkateve: vdekja dhe ndëshkimi janë sinonime”.[14]

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Djegia e trupit të një murgu budist (pôngyi) në Burmani. SIpas traditave budiste, kur vdes një murg burmanian, ai nuk varroset por gjithmonë digjet.

Lidhur me konceptin e rimishërimit (reinkarnim) lexojmë:

“Në teori budizmi nuk mëson ekzistencën e shpirtit dhe as rimishërimin e tij, por insiston në revolucion apo në “rrjedhën” e ekzistencës. Megjihatë, në influencën e saj konkrete në mendësinë popullore, kjo doktrinë arriti të ketë të njëjtën peshë si çdo doktrinë tjetër të rimishërimit. (…) Në këtë oqean të gjerë rilindjesh, ekzistojnë një numër i pallogaritshëm rrymash, që kushtëzohen nga veprat dhe pasojat e tyre përkatëse, të cilat rrjedhin lirisht jo vetëm në vazhdimësinë e qenies individuale, por edhe në solidaritetin e ekzistencës kolektive”.[15]

Hinduizmi

Në hinduizëm, një trup i vdekur konsiderohet simbol i papastërtisë, e për këtë arsye kontakti fizik me të është minimal. Trupi lahet me ujë të pastër dhe më pas vishet me rroba të reja. Po kështu, disa pika uji nga Ganga e shenjtë mund të derdhen në buzë të të vdekurit, me qëllim që shpirti të fitojë lirinë. Gjithashtu disa gjethe borziloku, që konsiderohet i shenjtë, i vendosen në të djathtë trupit të vdekur. Pas kësaj, të afërmit e të vdekurit e mbajnë shtratin me trupin e pajetë sipër, dhe e shpienë në vendin e caktuar për ta djegur.

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Praktika e djegies së trupit (kremacionit) në një funeral Hindu në Indi. Fotografi nga Donvikro CC BY-SA 3.0

Në hinduizëm, nuk gjendet koncepti i një parajse apo të një ferri të përhershëm. Shpirti hyn në një cikël rilindjesh, nga ku mund të rilidnet si kafshë, njeri ose hyjni. Ky rimishërim vazhdon derisa arrihet lirimi përfundimtar.[16]

Zoroastrianizmi

Në fenë zoroastriane, kur një njeri gjendet në shtratin e vdekjes, dy priftërinj e bëjnë atë të rrëfejë mëkatet e tij. Trupi i vdekur më pas lahet dhe vishet me rroba të pastra, të bardha por të grisura pambuku, të cilat më vonë duhet të shkatërrohen e të mos përdoren më kurrë, pasi i kanë shërbyer qëllimit të tyre.

Procesionin e funeralit drejt ‘tempullit të heshtjes’ apo vendi ku lihet trupi për t’u dekompozuar, e udhëheq një njeri me kupë që mban zjarr. Atë e ndjekin të afërmit dhe miqtë e të ndjerit, trupi i pajetë, priftërinjtë si dhe anëtarë të tjerë të farefisit.

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Vizatim i “Kullave të Heshtjes” ku lihet trupi për t’u dekompozuar, Burimi Wikimedia Commons [CC BY 4.0

Në portat e tempullit arkivoli ulet poshtë dhe fytyra i zbulohet në mënyrë që të pranishmit t’i japin lamtumirën e fundit. Më pas trupi çohet në tempull dhe vendoset në një shtrat prej guri me krye drejtuar Jugut. Trupit i hiqen rrobat, duke e lënë plotësisht lakuriq. Më pas të pranishmit largohen duke ua lënë trupin hutave të uritura, që janë pritje për ta gllabëruar atë. Brenda më pak se dy orëve trupi shndërrohet në një skelet të thjeshtë.[17]

Koncepti i vdekjes në Islam

Sipas Islamit, të gjitha krijesat janë destinuar për të vdekur. Vdekje do të thotë ndarje e përhershme e shpirtit nga trupi. Në Kuranin Famëlartë shkruhet:

“Allahu ua merr shpirtrat në kohën e vdekjes, ndërsa atyre që nuk kanë vdekur (ua merr shpirtrat) në kohën e tyre të gjumit. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i ka caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këtu ka mjaft shenja për njerëzit që mendojnë”.[18]  

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Sipas Islamit, çdo njeri do të shijojë vdekjen dhe do t’i ndahet shpirti përgjithmonë nga trupi. Burimi pexels.com  foto nga Ingo Joseph CC0 License

Kjo tregon se shpirti ka ekzistencën e vet. Një person i gjallë ka si trupin edhe shpirtin. Në kohën e vdekjes, shpirti largohet nga trupi për të mos u kthyer më kurrë. Pas vdekjes trupi nuk mund të përdoret më, prandaj ai varroset.

Më vonë do të diskutojmë se ç’ndodh me shpirtin pas vdekjes, por në fillim lë të kuptojmë se prej nga ai hyn në trup. Duhet të qartësohet se çdo gjë, përfshirë dhe shpirtin, është krijuar prej Zotit. Është një esencë e distiluar nga trupi përgjatë periudhës së ngjizjes.[19]

Zoti thotë në Kuranin Famëlartë:

“A mos vallë, kishit menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne?!” I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! Nuk ka të adhuruar tjetër, përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor![20]

Kjo nuk lë hapësirë për asnjëlloj dyshimi, se njeriu shtë krijuar për një qëllim. Ai nuk zhduket thjesht pasi ka jetuar për disa vjet në këtë tokë. Prandaj, dalim në përfundim se shpirti duhet të ekzistojë edhe pas vdekjes, me qëllim që të arrihet qëllimi më i lartë.

Shpirti pas vdekjes – Berzah – Gjendja e ndërmjetëshme

Çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes? Kurani Famëlartë na përgjigjet kështu:

“Mjerë për njeriun! Sa mosmirënjohës që është ai! Prej çfarë gjëje e ka krijuar Ai? Prej pikës së farës e ka krijuar dhe i ka dhënë përmasa të rregullta. Më pas ia lehtësoi rrugën dhe i shkakton vdekje dhe i cakton një varr, dhe, kur të dojë, Ai e ringjall”.[21]

Kjo tregon se Allahu secilitdo që ndahet nga jeta, i cakton një varr. Këtu nuk bëhët fjalë për varrin e gërmuar nga njërëzit, pasi jo çdo kufomë groposet; disa prej tyre digjen, disa të tjerë gllabërohen nga hutat e disa mbyten. Në Kuranin Famëlartë vendi ku qëndron shpirti pas vdekjes quhet ‘Berzakh’ (ndarëse, kohë e ndërmjetme):

“Derisa kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj ndoshta vepra të mira (në botën) që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen”.[22]

Menjëherë pas largimit nga kjo botë fizike, shpirti pajiset më një lloj trup të ri. Ky trup është një pasqyrim i veprave të njeriut, të mira apo të këqija, gjatë jetës së tij tokësore. Kurani Famëlartë thotë: “ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen”.[23] Natyrisht që keqbërësit do të kenë trupa të nxirë, ndërsa mirëbërësit trupa të bardhë.

Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmedia.s., ka thënë:

“Unë vetë kam eksperiencë në këtë fushë. Shpeshherë më  ka rastisur që në syhaptësi si në vizion të takoj disa persona, të cilët kanë ndërruar jetë. Po kështu, kam parë trupat e disa keqbërësve dhe të devijuarve, aq të nxirë, sikur janë bërë prej tymit”.[24]

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Vjeshtë në Hamburg, Gjermani, foto by Davide Ragusa, burimi Unsplash

Gjendja ‘Berzah’ ose gjendja e ‘varrit’është një gjendje e ndërmjetme, që pasqyron mirësitë e pashtershme të xhenetit apo dënimet e xhehenemit, që i pret çdo shpirt. Kurani Famëlartë na mëson:

“Atyre që do t’u nxihet fytyra, do t’u thuhet: “Vallë, ju mohuat pas besimit?! Atëherë shijoni dënimin për shkak se  ju mohonit!” Kurse ato fytyra që do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut, ku do të qëndrojnë përgjithmonë”.[25]

Pra, bëhet e qartë se çdo person fillon të përjetojë shpërblimin apo dënimin e tij menjëherë pas vdekjes:

“Ata, të cilëve engjëjt ua marrin shpirtin, duke qenë mizorë ndaj vetvetes, do të kërkojnë pajtim (duke thënë): “Ne nuk kemi bërë asgjë të keqe!” (Dhe do t’u thuhet): “Nuk është kështu! Natyrisht që Allahu i di mirë veprat që keni punuar. Hyni në portat e Xhehenemit, ku do të mbeteni për një kohë të gjatë!” Eh, sa vendbanim i shëmtuar është ai për mendjemëdhenjtë!” [26]

Atyre të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër, do t’u thuhet: “Paqja qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”[27]

Profeti i shenjtë s.a.v.s. gjithashtu ka porositur:

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

“Me të vërtetë varri është një nga kopshtet e xhenetit, ose një nga gropat e zjarrit”.[28]

Pas fazës së varrit ose gjendjes së berzahut, radhën e ka faza e ringjalljes së trupit. Kjo mund të përngjasojë me lindjen e një fëmije, ndërkohë që faza e parë e berzahut i ngjan asaj të ngjizjes. Tanimë shpirti i pajisur me një trup të ri, është në gjendje të përthithë njohjen e plotë rreth Krijuesit të tij, dhe tashmë ndien plotësisht shpërblimet e tij, ndërkohë që në gjendjen e berzahut, ai i kishte përjetuar ato  thjesht pjesërisht.

Në të dyja fazat; berzah dhe ringjallje, personit i shfaqen të gjitha gjendjet shpirtërore të kësaj jete, në formë fizike. Në Kuranin Famëlartë thuhet:

“Ai, që në këtë botë ka qenë i verbër, do të mbetet i verbër edhe në botën tjetër dhe më i humbur nga rruga e drejtë”.[29]

Pikëpamja e Islamit mbi jetën pas vdekjes

Bahishti Makbarah, varreza e Xhematit Musliman Ahmedia në Kadijan, Indi, burimi Twitter

Kjo tregon se ata të cilët janë të verbër shpirtërisht në këtë botë, do të jenë të verbër fizikisht në botën tjetër. Duke vepruar si i verbër, duke mos i parë fare të vërtetat hyjnore, personi i tillë do të jetë i verbër fizikisht dhe në botën tjetër. Arsyeja për këtë është se në botën tjetër trupi do të evoluojë si pasqyrim i veprimeve të tij në këtë botë. Derisa shpirti në jetën tokësore përjeton vuajtjet apo rehatinë e trupit, në jetën e përtejme ndëshkimet apo shpërblimet që pëson njeriu do të përjethohen si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.

Kështu, bëhetë qartësisht e kuptuehsme se ndëshkimi nuk është gjë tjetër veçse pasojë e drejtpërdrejtë e veprave të këqija të njeriut. Kurani Famëlartë shprehet qartë në lidhje me të:

“Lexoje librin tënd! Sot ti mjafton për të dhënë llogari kundër vetvetes!”.[30]

Qëllimi i xhehenemit

Në fakt, xhehenemi fare mirë mund të krahasohet me një ‘spital’ në të cilin njerëzit e sëmurë hyjnë për t’u kuruar. Prandaj, çfarëdo dhimbje apo vuajtje përgjatë procesit të shërimit është normale. Nga ana tjetër, një person i shëndetshëm (banor i xhenetit) i cili hyn në spital (xhehenem) për të vizituar një mik, do të vazhdojë të qëndrojë i shëndetshëm. Kurani Famëlartë shpjegon në lidhje me këtë:

“Dhe njëri prej tyre do rrëfeu duke thënë: “Unë kam pasur një shok, i cili më thoshte: “Vallë, edhe ti je nga ata që besojnë se, kur të vdesim e të bëhemi eshtra e pluhur, e akoma do të japim llogari vërtet?!” – Ai tha: “A mund ta shikoni atë?” Dhe kur ai vështroi poshtë, e gjeti (shokun e tij) në mes të Xhehenemit”.[31]

Kështu, ky zjarr me të cilin po shërohet personi i sëmurë, nuk do t’i sjellë asnjë dëm vizitorit, i cili hyn në xhehenem për të takuar mikun e tij.

Duhet ngulitur në mendje se të gjitha “ndëshkimet” e përmendura në shkrimet e shenjta janë thjesht mënyra të ndryshme të shërimit. Për shembull, banuesve të xhehemit do t’u jepet kaktus për të ngrënë.[32] Ne e dimë se kaktusi është një ilaç efektiv që përdoret për të shëruar sëmundje të ndryshme, përfshirë këtu sifilizin.[33]

Gjithashtu kemi shembuj të tjerë si, “Aty nuk do të shijojnë as freski, as pije, përpos ujit të valuar dhe qelbësirave erëkeqe, si dënim i merituar (të veprave të tyre)”.[34] Fjala Arabisht që përdoret për qelbësirat është Ghassak. Është një fakt i ditur se disa vaksina prodhohen nga qelbet. Meqë këta persona nuk i përfillnin aspak të dërguarit e Zotit duke treguar një sjellje të ftohtë, prandaj si “shpërblim” për qëndrimin e tyre, si dhe si shërim, atyre do t’u jepet uji i akullt. Po kështu, për shkak të gjaknxehtësisë së tyre, ata nuk i dëgjonin fjalët e Zotit, prandaj ata do të mjekohen me uji të përvëluar. Meqenëse ata ndiznin kundërshtime ndaj profetëve, prandaj edhe shërimi i tyre do të jetë me anë të ‘zjarrit’ në xhehenem. Ne gjithashtu dimë se metoda e të djegurit përdoret për t’i shëruar plagët.

Tashmë është e qartë arsyeja pse qëndrimi në xhehenem është i nevojshëm për të sëmurët që kanë nevojë për t’iu nënshtruar terapisë atje, në mënyrë që të shërohen dhe më pas të jetojnë një jetë normale, të shëndetshme dhe të hareshme në xhenet. Sipas konceptit islamik mbi Parajsën dhe Ferrin, pasi të kurohen atje, ata do të ‘lirohen’ nga ‘spitali’. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë : “Vërtetë që do të vijë një kohë kur në xhehenem nuk do të ketë asnjë banor, por kjo pasi ata të kenë jetuar atje me shekuj”.[35] Kurani Famëlartë na mëson gjithashtu se xhehenemi nuk do të zgjasë përgjithmonë; “Me të vërtetë, Xhehenemi është në pritë, ai vendkthim i caktuar për keqbërësit, që aty të mbeten për shekuj me radhë”.[36]

Sa më të rënda të jenë sëmundjet e tyre, aq më shumë do të zgjatet periudha e shërimit të tyre. Deri në momentin që kjo do të ndodhë, ata do të vazhdojnë të jenë të padenjë për të jetuar në parajsë, njësoj si një i sëmurë të cilit i nevojitet regjim shtrati deri sa t’i kalojë sëmundja.

Kurani Famëlartë, qëllimin e krijimit të njëriut përshkruan me këto fjalë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”.[37] Fjala e përdorur për adhurim është ‘Ja’budun’, e cila nënkupton kryerjen e ‘ibadetit’. Në Arabisht ‘Ibadet’ do të thotë t’i  nënshtrohesh një disipline rigoroze, që të jesh i denjë për t’i pasqyruar atributet hyjnore në një farë shkallë brenda qenies sate. Kështu, qëllimi i krijimit të njeriut është shumë fisnik, madhështor dhe shpirtëror.

Prandaj, xhehenemi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Një ditë do të duhet të pushojë së ekzistuari. Banorëve të tij, pas shërimit të plotë, do t’u lejohet të jetojnë një jetë normale e të shëndetshme në xhenet. Atje, ata do të fitojnë gjithnjë e më shumë shkallët e afërsisë me Zotin e tyre dhe do të pasqyrojnë atributet e Tij gjithmonë e më shumë. Duke qenë se atributet e Zotit janë të pafund, bie që edhe parajsa të jetë e përjetshme.

Në diskursin fetar lidhur me parajsën, ekziston një keqkuptim te disa njerëz, të cilët kujtojnë se banorët e parajsëm nuk do të bëjnë asnjë punë, veçse do të rrinë, do të hanë e do të pijnë, dhe do të bëjnë muhabete. Ndërdsa në këndvështrimin islam, jeta pa veprim e objektiv është thjesht e pakuptimtë. Lumturia e vërtetë gjendet në veprim dhe zhvillim. Kurani Famëlartë tregon:

“Drita e tyre do të ecë fuqishëm para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për të bërë çdo gjë që dëshiron”.[38]

Kjo do të thotë se banorët e parajsës do të jenë vazhdimisht të angazhuar për të ndjekur dritën që u paraprin atyre, dhe në këtë mënyre do të vazhdojnë të zhvillohen nga ana shpirtërore. Kështu, krahasuar me jetën në Tokë, përpjekjet tona në botën e përtejme do të jenë më të mëdha. Në çdo çast që pasurojmë njohjuritë tona hyjnore, do të zhvillohemi më shumë. Megjithatë, kjo përpjekje e përhershme nuk do të na shkaktojë asnjë lodhje:

“… dhe ata do të thonë: “Lavdia është e Allahut, i Cili e ka larguar hidhërimin nga ne. Vërtetë, Zoti ynë është Falës dhe Falënderues. Është Ai që me mirësinë e Tij na ka zbritur në një shtëpi të veçantë, në të cilën nuk do të lodhemi e nuk do të rraskapitemi”.[39]

Sipas Kuranit Famëlartë, mirësia më e madhe në parasjë do të jetë pëlqimi i Zotit:

“Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, rrëzë të cilave rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe shtëpi të mrekullueshme në Xhenete të përhershme. Por kënaqësia prej Allahut është (shpërblimi) më i madh. Kjo është fitorja madhështore”.[40]

Realiteti i robëreshave të dëlira në xhenet

Tani lë të marrim në kosideratë ‘hyrijet’ (virgjëreshat e dëlira) në xhenet. Kurani Famëlartë thotë, “Po, kështu do të jetë, dhe Ne do t’i shoqërojmë ata me hyri sybukura”.[41] Si dhe, “Atje do të ketë virgjëresha sy ulur, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhinde”.[42]

Këto do të jenë gra të dëlira dhe të devotshme, të cilat do të jenë bashkëshortet e tyre. Bukuria e tyre shpirtërore do të shfaqet edhe në hirësinë fizike. Nëse dikush shkon në xhehenem, dhe bashkëshorti apo bashkëshortja e tij/saj shkon në Parajsë, atëhere ai apo ajo do të bashkohet me një banor të parajsës, i cili/e cila i përngjan më shumë shpirtërisht duke u kurorëzuar kështu në lidhjen e martesës. Është e qartë se një person i cili ka shkuar në xhehenen nuk do të jetë më i përshtatshëm me atë ka shkuar në xhenet. Por, vetëm Zoti e di se kush do të bashkohet më kë në botën e përtejme.

Ne duhet të pranojmë se nuk e kemi aftësinë e nevojshme për të perceptuar tamam-tamam natyrën dhe vetitë e jetës pas vdekjes, ndërkohë që jetojmë në këtë botë materiale e cila ka kufizimet e veta. Prandaj, ky përshkrim shërben vetëm për të dhënë një ide të përgjithshme për jetën pas vdekjes, duke e përqasur me jetën tonë tokësore. Kurani Famëlartë është mjaft i qartë lidhur me këtë çështje. Ai thotë:

“Asnjë frymor nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për të (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”.[43]

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë në lidhje më mirësitë e xhenetit: “Asnjë sy nuk i ka parë, asnjë vesh nuk i ka dëgjuar, dhe asnjë mendje nuk mund t’i përfytyrojë ato”.[44] Ky sqarim shërben njësoj edhe për ndëshkimet në xhehenem.

A është i mundur komunikimi me të vdekurit?

Këtu duket e nevojshme t’i përgjigjemi edhe kësaj pyetjeje të rëndësishme: A është e mundur për ne të komunikojmë me ata të cilët kanë vdekur? Përgjigjia është po, por kjo varet plotësisht vetëm nga vullneti i Zotit. Ndonjëherë ai i lejon robërit të Tij të komunikojnë me njerëz nga bota e përtejme dhe kjo bëhet nëpërmjet Keshfit (vizioneve). Kjo është edhe arsyeja pse, të tjerë që mund të jenë të pranishëm në atë moment, nuk mund t’i degjojnë biseda të tilla.

Njëherë, themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, ndaloi diku gjashtë milje larg Hoshiarpurit gjatë një udhëtimi për në Kadian.Ai zbriti nga karroca dhe tha, “Ky është një vend i këndshëm që ka edhe hije. Le të ndalojmë këtu për pak”. Në atë vend ndodhej varri i një njeriu të shenjtë musliman. Ai shkoi tek ai varr. Dëshmitari i kësaj ngjargjeje, Hazret Abdullah Sanori r.a. thotë:

“Unë e ndoqa atë nga mbrapa, ndërsa Shejh Hamid Aliu dhe Fateh Khani qëndruan në karrocë. Huzuri shkoi afër varrit dhe i ngriti duart për lutje. Ai u lut për pak kohë, dhe më pas u kthye nga unë duke më thënë: “Kur unë i ngrita duart për t’u lutur, banori i këtij varri doli prej tij dhe u ul përpara meje në shenjë respekti. Nëse nuk do të ishit me mua, mund edhe të kisha folur me të. Ai kishte një ngjyrë lëkure disi të errët dhe sy të mëdhenj”. Më pas ai tha, “Shiko rrotull se mos gjejmë ndonjë rojë të varrit që të mund ta pyesim në lidhje me të”. Kështu Huzuri e pyeti rojen i cili tha, “Unë personalisht nuk e kam parë pasi ai ka vdekur rreth njëqind vjet më parë, por kam dëgjuar nga babai dhe gjyshi im se ai ka qenë një shenjtor i madh i kësaj zone”. Kur u pyet për tiparet e tij ai tha, “Ai kishte një ngjyrë lëkure disi të errët dhe sy të mëdhenj”.[45]

Sërish, një një hadith të Muslimit, në librin ‘Kitabul Xheneti uas- sifati Nua’maiha ua ahliha’ Hazret Enes bin Maliku r.a. ka thënë se pas betejës së Bedrit, i Dërguari i Allahuts.a.v.s. shkoi te kufomat e të vdekurve mosbesimtarë dhe u tha, “O filan bij i filanit! O filan bij i filanit! A e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij? Umarir.a. e pyeti: “O i Dërguar i Allahut! Si mund të flisni më këta trupa të pajetë?’ Ai tha “Atë që u them, ata e dëgjojnë më mirë se ju, vetëm se nuk mund të kthejnë përgjigje”.[46]

Kjo tregon se Zoti bëri të mundur që shpirtërat e tyre t’i dëgjonin ato fjalë në Berzah.

Le ta qartësojmë që pretendimet e të ashtuquajturve spiritualistë që shpirtrat e të vdekurve mund të komunikojnë me njerëzit e gjallë nëpërmjet një ndërmjetësi, janë vetëm mashtrime. Shembulli i mëposhtëm do të mjaftojë për të kuptuar të vërtetën.

Në vitin 1924, kur Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi r.a., Kalifi i dytë, kishte bërë një turne nëpër Evropë, ai vizitoi një shoqëri apo klub spiritualist. Spiritualisti e pyeti atë se shpirtin e kujt dontë të thërriste. “Do të doja të thërrisja shpirtin e Profetit Muhammed s.a.v.s.” u përgjigj ai. Pas pak kohe spiritualisti i tha atij se shpirti që kishte kërkuar, tashmë gjendej në dhomë. Kalifi tha, “O i Dërguar i Allahut! Ju lutem, recitoni suren Fatiha”. Përgjigja, nëpërmjet ndërmjetësit (spiritualist) siç parashikohej ishte, “Nuk e di”.[47]

A është e mundur që Profeti Muhammed s.a.v.s. të mos dijë Suren Fatiha? Suren të cilën ua mësoi të tjerëve përgjatë gjithë jetës së tij e të cilën e di përmendësh çdo fëmijë musliman?

Të gjallët mund të komunikojnë me shpirtrat nëpërmjet vizioneve Keshf. Kjo është një dhunti që ta dhuron Zoti dhe nuk mund të fitohet me përpjekjet njerëzore.

Tani të flasim pak për lidhjen e shpirtit me trupin e tij në varr sipas këndvështrimin islamik. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë, “Nuk ka asnjë Profet i cili nuk qëndron në varr dyzetë ditë pas vdekjes”.[48]

Në lidhje me këtë, themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia ka thënë:

“Kjo tregon se sado i shenjtë të jetë njeriu, (shpirti i tij) fillimisht për disa ditë ruan një lidhje me varrin e tij dhe me këtë botë materiale. Dikush (e ruan këtë lidhje) për shkak të dëshirës për t’i shërbyer fesë, ndërsa dikush për ndonjë arsye tjetër. Pastaj kjo lidhje bëhet aq e zbehtë, sikur banor i varrit del prej tij, për ndryshe pas vdekjes shpirti menjëherë paasnjë vonesë vendoset në vendin e tij shpirtëror”.[49]

Duke qenë se shpirti kishte qëndruar në atë trup për shumë vite, andaj ai edhe pas vdekjes e kujton atë dhe ruan një lidhje me të për ca kohë. Por kjo nuk do të thotë se shpirti qëndron në trupin e të vdekurit gjatë kësaj kohe. Kurrsesi, sepse pas vdekjes ai menjëherë shkon në destinacionin e tij, në botën shpirtërore. Me kalimin e kohës, kjo lidhje dobësohet dhe përfundimisht pushon së ekzistuari. Është njësoj me lidhjen e një njeriu me vendlindjen e tij i cili emigron në një vend të ri përgjithmonë. Ai e kujton vendin e tij për pak kohë dhe me kalimin e kohës kjo lidhje zvogëlohet derisa vjen një moment që nuk i bie ndërmend.

Një person shpirtërisht i pastër, mund të kontaktojë të vdekurit vetëm në keshf. Keshfi është një lloj ëndrre që i përket shkallës më të lartë e më të zhvilluar të saj. Ëndërra shihet me sy mbyllur ndërkohë që keshfi me sy hapur. Ashtu sikur shikon dikë në ëndërr, nuk do të thotë se ai person ka ardhur fizikisht te ti, po kështu në Keshf ti e takon të vdekurin ndërkohë që shpirti i tij gjendet në botën e përtejme.

Ritualet dhe praktikat islame gjatë kohës së vdekjes

Kur një njeri është në prag të vdekjes, pranë tij recitohet surja Jasin (kapitulli i 38-të i Kuranit), sepse në këtë sure vdekja dhe jeta pas vdekjes janë trajtuar në mënyrë që i japin qetësi personit. Tekbir dhe shehadeti gjithashtu recitohen në zë të ulët. Kur personi vdes, njerëzit e pranishëm si dhe ata të cilët e mësojnë më vonë lajmin duhet të thonë

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.[50]

Kjo dëshmi shpreh një bindje të patundur në botën e përtejme. Më pas të vdekurit i mbyllen sytë. Goja gjithashtu i mbyllet duke i lidhur një copë rreth kokës. Nuk duhet të ketë vajtime apo ulërime, përkundrazi duhet ruajtur vetëpërmbajtje dhe qetësi.

Duke larë trupi i pajetë, në fillim lahen ato pjesë të trupit që lahen edhe gjatë marrjes së abdesit. Më pas lahet ana e djathtë e trupit duke vijuar me anën e majtë. Pjesët intime duhet të qëndrojnë të mbuluara me një rrobë. Burrat e vdekur duhet të lahen nga burrat si dhe femrat nga femrat. Sigurisht që edhe bashkëshorti mund të lajë bashkëshorten si dhe anasjelltas. Transmetohet se Aliur.a. lau trupin e bashkëshortes së tij Fatimer.a.,[51] ndërsa Ebu Bekri r.a. ishte lartë nga bashkëshortja e tij Asmar.a. dhe djali i tij Abdurrahman duke përmbushur kështu amanetin e tij.[52]

Sa i përket qefinit, parapëlqehet një copë e bardhë. Qefini për burrat përbëhet nga tri pjesë.

  1. Këmisha që duhet të jetë e gjatë prej qafës deri te këmbët.
  2. Izari: një çarçaf i gjatë që mbështjell trupin nga koka deri te thembrat
  3. Lifafi: Është një çarçaf më i gjatë që mbulon gjithë trupin dhe i cili mund të lidhet mbi kokë dhe nën këmbë.

Për femrat, përveç këtyre tri pjesëve, shtohen edhe dy të tjera, një pëlhurë për kraharorin dhe një lidhëse për flokët.

Pas këtyre përgatitjeve trupi vendoset në një arkivol dhe përcillet në vendin ku do të zhvillohet namazi i xhenazes. Trupi vendoset në mënyrë që pjesa e djathtë e trupit të të vdekurit të jetë i drejtuar nga Kibla. Të pranishmit vendosen në rreshta. Nuk është e thënë që numri i rreshtave të jetë patjetër numri tek, pasi edhe Profeti s.a.v.s. gjatë një xhenaze i pati organizuar të pranishmit në dy rreshta.[53]  Imami qëndron përpara besimtarëve,  i pozicionuar në mes të rreshtave, ndërsa trupi i të ndjerit qëndron përpara tij.

Namazi i xhenazes përbëhet nga tri pjesë. Imami fillon namazin duke thënë me zë të lartë, ‘Allahu Ekber’ (Allahu është më i madhi) ndërkohë që ngre duart e tij te veshët apo shpatullat duke i vendosur më pas në kraharor (dorën e djathtë mbi të majtën). Më pas ai reciton Thena në zemër duke vijuar më pas me suren el-Fatiha. Besimtarët bëjnë të njëjtën gjë pas Imamit. Më pas Imami sërish thotë, ‘Allahu Ekber’ për pjesën e dytë të namazit në të cilën i dërgon salavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Më pas thotë ‘Alahu Ekber’ me zë të lartë për pjesën e tretë të namazit. Në këtë pjesë recitohet lutja e mëposhtme:

“O Allah! Fale të gjallin dhe të vdekurin tonë, të pranishmin dhe të papranishmin tonë, të voglin dhe të madhin tonë, mashkullin dhe femrën tonë. O Allah! Këdo që të lësh gjallë nga ne, mbaje gjallë në Islam dhe kujtdo që t’ia marrësh shpirtin nga ne, merrja shpirtin në iman. O Allah! Mos na moho nga shpërblimi i këtij të vdekuri dhe mos na sprovo pas tij”.[54]

Më pas Imami thotë ‘Allahu Ekber’ dhe e kthen fytyrën e tij në të djathtë e pastaj në të majtë duke thënë ‘Es-selamu alejkum ua Rrahmetullah’ secilën herë. Në rast se i vdekuri është fëmijë, shtohet dhe lutja e mëposhtme:

“O Allah! Bëje këtë fëmijë për ne të parë, prijës, thesar, shpërblim, ndërmjetësues dhe të pranuar si ndërmjetësues”.[55]

Tanimë arkivoli përcillet drejt varrezës. Parapëlqehet që besimtarët ta mbajnë atë mbi shpatullat e tyre megjithatë, mund të përdoret edhe ndonjë mjet transporti. Kur varri është gati, trupi ulet në varr dhe recitohet:

“Me emrin e Allahut, me ndihmën e Allahut dhe për popullin e të Dërguarit të Allahut!”[56]

Pas varrimit, bëhet edhe lutja me xhemat dhe më pas të pranishmit largohen.

Kur vizitojmë varrezën duhet bërë kjo lutje:

“Paqja qoftë mbi ju, o banorët e shtëpisë (së ahiretit) prej besimtarëve e prej muslimanëve. Ne, në dashtë Allahu, do t’ju bashkohemi juve. Ju kemi prijës e ne jemi ndjekësit tuaj. I kërkoj Allahut mbarësi për ne dhe për ju”.[57]

Fjalët e lutjes së xhenazes përfshijnë të gjithë umetin musliman- të gjallët dhe të vdekurit, të pranishmit dhe ata të munguarit, të rinjtë dhe të vjetrit, femrat dhe meshkujt. Kjo përshkruan një vllazëri muslimanë universale.

Ndonjëherë, disa dobi shpirtërore apo materiale janë të lidhura drejtpërdrejt me të vdekurin, prandaj disa nga besimtarët luten që komuniteti apo individët të mos privohen nga këto dobi. Ka raste kur vdekja e një njeriu shndërrohet në një vështirësi a pengesë për disa individë, prandaj në lutjen e xhenazet gjithashtu kërkohet që ajo vdekje të mos bëhet sprovë apo shkak i përçarjes për të tjerët.

Le të jetë e qartë se kur një musliman qëndron pranë një varri dhe lutet për të vdekurin, nuk do të thotë se i vdekuri i dëgjon lutjet pasi lutjet i drejtohen Zotit. Sigurisht, me lejen e Zotit edhe i vdekuri mund t’i dëgjojë ato. Kurani Famëlartë është mjaft i qartë në lidhje me këtë temë. Aty thuhet:

“Po ashtu, nuk janë kurrë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre”.[58]

Me një fjalë, shpirti pas ndarjes nga trupi është si një “bërthamë” e mirë apo e keqe, në varësi të veprave të tij të mira apo të këqija në këtë jetë e cila më pas zhvillohet në gjendjen berzah në një trup me një shpirt të pastër. Më pas nga kjo gjendje, evoluohet një person i plotë, i cili shfaqet në ringjallje, e ngjashme me “ardhjen në jetë”. Sigurisht që ky trup i ri do të jetë i shendetdshëm ose i sëmurë, në varësi të veprave të tij në këtë jetë. Kjo na shtyn ne të bëjmë sa më shumë vepra të mira dhe të shmangim ato të këqijat për të qenë sa më të shëndetshëm në jetën pas vdekjes në mënyrë që të fitojmë xhenetin, duke iu shmangur kështu kurimin në “spitalin” e xhehenemit. Jeta në parajsë është e përjetshme, dhe atje vdekja do të gjejë fundin e vet. Sigurisht me vullnetin e Zotit, pas një periudhe jashtëzakonisht të gjatë që mund të konsiderohet ‘e përjetshme’, edhe kjo formë jetese mund të pushojë së ekzistuari.

  • Ky shkrim është botuar për herë të parë në gjuhën angleze në revistën Review of Religions

[1] Dr. Shahbaz Ahmad, Mjekësia dhe Toksiologjia, f. 71.
[2] Si më lartë
[3] Edward Morgan MD, Anesteziologjia Klinike, f. 809.
[4] Enciklopedia Britanike, Botimi i 1951-shit, vëllimi i 7-të.
[5] “Jeta pas vdekjes”, Enciklopedia e Feve dhe Etnive.
[6] Daniel 12:2
[7] Ezekiel 37:4-6
[8] “Gehenna”, Enciklopedia Hebreje}
[9] Wherry, volume I ( 79, kapitulli 2)
[10] Numrat (Kapitulli 16)
[11] Encyclopaedia of Religion and Ethics (Enciklopedia e Feve dhe Etnive)
[12] Romanët 5:12
[13] F.S Khairullah, Kamusul Kitab, Lahore, Masihi Isha’at Khana, 1997, f. 970.
[14] “Vdekja dhe dispozicioni i të vdekurit”, Enciklopedia e Feve dhe Etnive.
[15] “Transmigrimi Budist”, Enciklopedia e Feve dhe Etnive
[16] Kent A. Jacabsen, “Tre funksionet e Ferrit në traditat e Hinduve”.
[17] Enciklopedia e Feve dhe Etnive.
[18] Kurani Famëlartë 39:43
[19] Ahmedia ose Islami i vërtetë, f. 205
[20] Kurani Famëlartë 23:116-117
[21] Kurani Famëlartë 80:18-23
[22] Kurani Famëlartë 23:100-101
[23] Kurani Famëlartë 3:107
[24] Filozofia e mësimeve të Islamit, f. 97
[25] Kurani Famëlartë 3:107-108
[26] Kurani Famëlartë 16:29-30
[27] Kurani Famëlartë 16:33
[28] Tirmidhiu, Kitab sifatil Kijamah, libri 37, hadith nr. 2648
[29] Kurani Famëlartë 17:73
[30] Kurani Famëlartë 17:15
[31] Kurani Famëlartë 37:52-56
[32] Kurani Famëlartë 56:53
[33] Hakeem Muzaffar Husain A’wan, “Thohar”, Kitabul Mufradat
[34] Kurani Famëlartë 78:25-27
[35] “Surah Hud”, Ma-alimut Tanzil, Vëllimi i dytë, Ajeti 109
[36] Kurani Famëlartë 78:22-24
[37] Kurani Famëlartë 51:57
[38] Kurani Famëlartë 66:9
[39] Kurani Famëlartë 35:35-36
[40] Kurani Famëlartë 9:72
[41] Kurani Famëlartë 44:55
[42] Kurani Famëlartë 55:57
[43] Kurani Famëlartë 32:18
[44]Buhariu”, nr. i hadithit 3244
[45] Tarikhe Ahmadiyyat, Vëllimi 1, f. 276.
[46] Muslimi, nr i hadithit 2873
[47] Fjalim i mbajtur nga Hazret Mirza Tahir Ahmedi r.a më 6 Mars, 1994
[48] Kanzul ‘Ummal, Kitabul Fadail, Albabuth Thani
[49] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Izalah Auham, Ruhani Khaza’in, vëll. III, f. 227(fusnotë)
[50] Kurani Famëlartë 2:157
[51] Abu ‘Umar Yusuf, Alisti’ab, Bab Al Nisa wa kunahunna, bab: Alfa, (Beirut: Kutub Al-Islamiyyah)
[52] Muhammad Rada, Al Khulafa’ Al Rashidun (Al Kitab Al’ Arabi)
[53] Hadithet e myslimanëve, Kitabul Janaiz, Bab Fit-Takbir’alal-janazah
[54] Sunen Ebu Daudi, nr i hadithit 3201
[55] Buhariu, nr. i hadthit 1335
[56] Tirmidhiu, nr. i hadithit 1046
[57] Sunen en-Nasai, nr. i hadithit 2040
[58] Kurani Famëlartë 35:23

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp