Parathënie
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
testamenti

Testamenti është shkruar në dhjetor të vitit 1905. Në këtë libër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përmendur shpallje e paralajmërime, të cilat tregojnë se vdekja e tij ishte afër. Gjithashtu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke paratreguar për tronditjen që pëson një popull fill pas vdekjes së profetit të tij, i jep zemër e kurajë Xhematit dhe e njofton për praktikën e hershme të Zotit dhe thotë se pas vdekjes së tij, Zoti do të vendosë manifestimin e dytë të fuqisë së Tij, pra sistemin e Kalifatit në Xhemat. Duke ia dhënë këtë sihariq Xhematit, ai thotë:

“Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju”.

Në këtë libër, përveç këshillave dhe mësimeve të pastra që janë dhënë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., me udhëzimin e Zotit të madhërishëm, nisi një sistem të qëndrueshëm financiar për përhapjen e fesë Islame dhe të mësimeve të Kuranit, sistem ky që do të shquhej me emrin Testament (El-vasijat) dhe që parashikohet të bëhet një sistem i ri në sistemet financiare të botës. Në bazë të këtij sistemi, ai që dëshiron të hyjë në të, të kontribuojë të paktën me një të dhjetën e pasurisë së tij për përhapjen e fesë Islame. Gjithashtu, testamentbërësi duhet t’u përkushtohet mësimeve të fesë Islame duke qenë i sinqertë ndaj Zotit dhe i pastër nga të gjitha gjërat e palejueshme. Hazret Mesihu i Premtuar a.s., me udhëzimin e Zotit, propozoi një varrezë të veçantë për testamentbërësit e tillë dhe tha:

“Lutem që Zoti ta bekojë këtë tokë dhe ta bëjë atë Bahishti Makberah[1]. Aty u prefshin njerëz zemërpastër të këtij Xhemati, të cilët me të vërtetë fesë i dhanë përparësi përpara botës dhe duke hequr dorë nga kënaqësia e kësaj bote, u bënë të Zotit, sollën një ndryshim të pastër në qeniet e tyre dhe treguan shembullin e besnikërisë dhe të së vërtetës, ashtu  si i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe es-habët e tij! Amin, o Zot i botëve”.

Ka edhe një shtojcë me librin, në të cilën janë përmendur gjerësisht parimet për t’u varrosur në këtë varrezë, rregulla këto që janë vënë nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Në fund të librit është dhënë gjithashtu edhe protokolli i mbledhjes së parë të Sadr Enxhumanit të Xhematit Ahmedia të Kadianit, që ishte zhvilluar më 29 janar të vitit 1906, në të cilin gjithashtu janë përmendur parimet e testamentit.

Çdo ahmedian që dëshiron të hyjë në sistemin e testamentit, më së pari duhet ta lexojë këtë libër. Zoti na mundësoftë t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e testamentit, të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Kalifatin dhe duke qenë nën urdhrin e Hazret Mesihut të Premtuara.s., ta përhapim emrin e Profetit Muhammed s.a.v.s. në mbarë botën. Amin

Libri Testamenti tashmë është përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Në shqip, atë e përktheu z. Samad Ghori, ndërsa shërbimet e redaktimit i kryen z. Rexhep Hasani dhe z. Muhamet Peci. Allahu i shpërbleftë me të mira.

Munir-ud-Din Shams

Additional Vakilut-Tasnif

(Drejtor i botimeve)

3 gusht 2011

SHËNIM

Në librin Online, për arsye të ndarjes së librit nëpër kapituj, redaksia ka shtuar disa nën tituj, pa prekur tekstin origjinal të librit. Andaj, për referencë, të përdoret libri në formatin PDF ose i botuar.


[1] Varrezë e xhenetlinjve [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp