Inaugurimi i disa projekteve të organizatës “Humanity First” në Kosovë gjatë vitit 2019

Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, organizata humanitare e Xhematit Musliman Ahmedia “Humanity First”, dega e Gjermanisë, gjatë muajit dhjetor 2019 përuroi projektet e saj në disa komuna të Kosovës.
Lyerja e shkollës dhe montimi i sistemit të ndriçimit
Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Pavarësia” në fshatin Siboc të Komunës së Podujevës është një nga shkollat e shumta të kësaj komune që punon me sistemin dy-ndërrimësh të nxënësve, paradite dhe pasdite. Për shkak të problemeve me dritën si dhe errësimin e hershëm gjatë periudhës së dimrit, mbajtja e ndërrimit të dytë ka qenë i pamundur.
Drejtori i shkollës dhuron një zbukurim të punuar nga nxënësit e shkollës
Humanity First iu përgjigj kërkesës së drejtorit të shkollës dhe shfrytëzoi periudhën kur të gjitha shkollat e Kosovës ishin në grevë për 3 javë gjatë muajit janar 2019, për të bërë disa ndryshime, ku janë montuar dritat LED, është lyer e gjithë hapësira e brendshme e shkollës dhe janë mbjellur disa drunj dekorativë.
Më 11 dhjetor 2019 këtë shkollë e vizitoi z. Stefan Härter i cili është menaxher i marketingut dhe përfaqësues i “Humanity First”, dega e Gjermanisë. Ai pati një fjalë rasti gjatë programit të organizuar nga kjo shkollë. Më pas përuroi këtë donacion të dhuruar dhe shpalosi logon e organizatës e cila ishte e vizatuar nga nxënësit e kësaj shkolle.
Drejtori i shkollës “Pavarësia” dhe z. Stefan Härter
Riparimi i kopshtit të fëmijëve
Po në komunën e Podujevës, kopshti i fëmijëve “Engjëjt” kishin kërkuar ndihmë për të riparuar ndërtesën e tij për shkak të kushteve të dobëta me të cilat përballej gjatë procesit të mësimit. Ky kopsht fëmijësh është publik dhe komuna nuk mund të mbulojë rinovimin e ndërtesës së saj për shkak të buxhetit të saj të kufizuar.
Humanity First në gusht të vitit 2019 i erdhi në ndihmë këtij kopshti duke e riparuar me: dyer të reja, shtrim të laminatit, karrige, tapete të reja, ngjyrosje e mureve të brendshme si dhe vendosje e dritave të reja.
Shtrimi i laminatit të kopshtit “Engjëjt”, Podujevë
Është e rëndësishme të përmendet që drejtori dhe stafi i kopshtit të fëmijëve gjithashtu kanë ndihmuar në zbatimin e riparimit duke ngjyrosur muret dhe kanë ndihmuar në gjetjen e gjërave me çmim dhe cilësi të mirë në mënyrë që të mos jetë e nevojshme për të bërë shpenzime të mëtejshme dhe për të përfunduar gjithçka nën buxhet. Përfituesit e përgjithshëm të këtij projekti janë 85 persona duke përfshirë stafin e kopshtit dhe fëmijët.
Fëmijët e kopshtit “Engjëjt” duke ngjyrosur logon e “Humanity First”
Ndërsa më 11 dhjetor 2019 Kosovën e vizitoi përfaqësuesi nga Gjermania i Organizatës “Humanity First”, z. Stefan Härter ku bëri edhe përurimin e donacionit dhënë kopshtit të fëmijëve “Engjëjt”.
Z. Stefan Härter dhe drejtoresha e kopshtit znj. Selvete Mustafa
Pajisja me kabinet të informatikës
“Humanity First” – dega e Gjermanisë ka ndihmuar disa shkolla në Kosovë duke i pajisur me kabinete të informatikës, ku është duke u lehtësuar puna e mësimdhënësve po ashtu është duke u lehtësuar edhe mësimnxënia.
Në fshatin Rastavicë të Komunës së Deçanit, në Shkollën Fillore e Mesme e Ulët “Rexhep Kadrijaj”, drejtori i kësaj shkolle z. Blerim Selmonaj iu është drejtuar “Humanity First” të Gjermanisë me një kërkesë që të pajiset me një kabinet këtu ku kishte mungesë të mjeteve të këtij kabinet. “Humanity First” i është përgjigjur kërkesës dhe ka sjellë këtu disa kompjuterë, një laptop, projektor dhe printer.
Kryetari i Komunës së Deçanit dhe z. Stefan Härter
Më datë 12 dhjetor 2019, kryetari i Komunës së Deçanit së bashku më drejtorin e Arsimit dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë pritur në takim përfaqësuesin e Organizatës “Humanity First” – dega e Gjermanisë, z. Stefan Härter me bashkëpunëtorë.
Drejtori i Arsimit, drejtori i shkollës z. Blerim Selmonaj dhe z. Stefan Härter
Gjatë këtij takimi kryetari Ramosaj i njoftoi me specifikat e komunës së Deçanit, zhvillimet në këtë komunë, ecurinë në realizim të projekteve si dhe planet për të ardhmen në sektorin e Arsimit. Ndërsa drejtori si dhe nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur një program të shkurtër artistik për të përshëndetur donatorët e organizatës.
Drejtori i shkollës z. Blerim Selmonaj gjatë fjalimit përshëndetës në prani të zyrtarëve komunalë, donatorëve dhe stafit të shkollës
Ndërsa po në të njëjtën ditë, në Shkollën Fillore e Mesme e Ulët “Bajram Curri”, në fshatin Dumnicë e Llugës, Komuna e Vushtrrisë, u bë përurimi i kabinetit të informatikës, meqë rast mori pjesë edhe drejtori, stafi dhe nxënësit e shkollës.
Z. Stefan Härter dhe drejtori i shkollës
Kjo shkollë kohë më parë kishte bërë kërkesë për ndihmë për një kabinet të informatikës sepse Komuna e Vushtrrisë nuk kishin mundësi të mbulonin këtë nevojë të shkollës. Kështu që organizata “Humanity First” duke iu përgjigjur kërkesës së kësaj shkolle, ka dhuruar 12 kompjuterë, një laptop, një printer dhe një video projektor, dhe tash ky kabinet plotëson nevojat e shkollës. Stafi dhe nxënësit janë të lumtur për këtë donacion.
Stafi i shkollës dhe përfaqësuesit e “Humanity First”
Dhurimi i printerit me shkrimin Braille për të verbërit
Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve me bazë në Prishtinë, që funksionon me një anëtarësi mbi 600 persona që përfshin komunat: Podujevë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan dhe Skënderaj, kohë më parë kishin bërë disa herë kërkesë te Komuna dhe te Ministria për t’u pajisur me një printer të shkrimit Braille.
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizatën “Humanity First” kishin kërkuar dhe gjetur një printer të tillë që do t’i përmbushte nevojat e këtij komuniteti. Ky lloj i printerit është i domosdoshëm për funksionimin normal të kësaj shoqate, duke qenë se shtypi në alfabetin braille i ndihmon në integrimin më të lehtë në shoqëri. Përveç printimit me shkrimin Braille, ky printer mundëson edhe printimin e vizatimeve dhe artit grafik.
Printeri me shkrimin Braille i dhuruar nga “Humanity First”
Më datë 23 dhjetor 2019, në lokalet e kësaj shoqate, kishte mbërri printeri me shkrimin Braille për të verbërit, dhe në përurimin e këtij donacioni të dhuruar nga “Humanity First” – dega e Gjermanisë, kishin ardhë përfaqëruesi dhe vullnetarë të kësaj organizate, Koordinatori për Projekte dhe Aktivitete nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, drejtori i SHNV z. Ujup Rashica dhe disa anëtarë të kësaj shoqate. Sipas drejtorit të kësaj shoqate:
“Në shtetet e rajonit, si: në Mal të Zi dhe në Shqipëri kanë mungesë të kësi lloj printeri, dhe ne në Kosovës e posedojmë vetëm një printer të vjetër në Pejë që nuk i përmbush kërkesat tona, dhe falë donacionit tuaj, ky printer do të përmbush nevojat tona të kahmotshme”.
Vullnetari nga “Humanity First”, drejtori i shoqatës z. Ujup Rashica dhe Koordinatori për Projekte dhe Aktivitete nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Prishtinës