Të vërtetët qëndrojnë të palëkundur edhe në kohë sprovash, sepse ata e dinë se, në fund, Allahu do të jetë gjithmonë përkrahësi i tyre. Unë megjithëse e falënderoj me shumë përulësi Allahun për miqtë e sinqertë që kam, por, jam edhe i bindur se nëse nuk më mbetet asnjë njeri, dhe të gjithë largohen, secili në rrugën e vet, duke më braktisur mua, edhe atëherë unë nuk do të kem asnjë frikë. Unë e di se Allahu i Lartësuar është me mua.
Nëse shtypem e dërrmohem dhe bëhem më i pavlefshëm sesa një grimcë pluhuri dhe nga çdo anë përballem me fyerje, sharje, dhe mallkimet, edhe atëherë përfundimisht unë do të triumfoj. Askush nuk më njeh, përveç Atij që është me mua. Unë kurrë nuk mund të humbas. Përpjekjet e armiqve janë të kota dhe planet e ziliqarëve s’vlejnë për asgjë.
O të pamend e të verbër! Cili nga të vërtetët para meje ka humbur që unë të humbas? Cilin besnik e ka shkatërruar Allahu me poshtërim, që do të më shkatërrojë mua? Mbajeni mend mirë dhe dëgjoni me vëmendje! Shpirti im nuk është i tillë që shkatërrohet. Dhe në natyrën time nuk ka brumë dështimi. Mua më është dhënë forcë dhe vërtetësi e tillë, që edhe malet janë hiç përballë saj.
Unë nuk mbështetem prej askujt. Isha i vetëm dhe s’do të jem i pakënaqur nëse ngelem i vetëm. A do të më braktisë Zoti? Kurrë! A do të më shkatërrojë Ai? Kurrë! Armiqtë do të poshtërohen dhe ziliqarët do të turpërohen. Por Zoti, në çdo fushë, robit të Tij do t’i japë fitoren. Unë jam me Të dhe Ai është me mua dhe asgjë nuk mund ta këpusë lidhjen tonë.
Betohem për nderin dhe madhështinë e Tij se në këtë botë dhe në botën tjetër, nuk kam asgjë më të dashur sesa të shfaqet lartësia e fesë së Tij, të shkëlqejë madhështia e Tij dhe Ai të shquhet gjithkund.
Me bekimin e Tij, nuk frikësohem nga asnjë sprovë, qoftë edhe jo një, por miliona sprova. Në fushën e sprovave dhe në pyllnajën e brengave mua më është dhënë forcë.
Pra, nëse dikush nuk do të më ndjekë, lë të ndahet prej meje. Si e di unë se sa pyje dhe shkurre me gjemba janë akoma që t’i kaloj ato? Pse vuajnë me mua ata që i kanë këmbët të brishta? Ata që janë të mitë nuk do të shkëputen nga unë, as për shkak të vuajtjeve ose të përbuzjeve e as për shkak të sprovave qiellore. Dhe ata që nuk janë të mitë, kot po tregojnë miqësi me mua, sepse shpejt do të ndahen prej meje. Gjendja e tyre e pastajme do të jetë më e keqe se ajo e përparme. A mund të frikësohemi nga tërmetet? Në rrugën e Allahut të Lartësuar, a mund të shqetësohemi nga sprovat? A mund të ndahemi për shkak të ndonjë sprove të Zotit tonë të Dashur? Falë bekimit dhe mëshirës së Tij, jo.
Pra le të ndahen ata që janë për t’u ndarë. Për ta është selami i lamtumirës. Por mbani mend! Nëse dikur prapë do të pendoheni, pasi u keqkuptuat dhe u ndatë, para Zotit nuk mund të fitoni nderimin që do ta fitojnë njerëzit besnikë. Sepse njolla e keqkuptimit dhe e tradhtisë është shumë e madhe.
(Marrë nga “Ruhani Khazain” vëll. 9, “Envarul-Islam” f. 23, 24)