Engjëjt dhe djajtë | E mira dhe e keqja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
kush jane engjejt? Pse u krijua djalli?

Engjëlli qëndron përherë me njeriun

وَ السَّمَآءِ وَ الطَّارِقِ ۙ﴿۲﴾ وَ مَاۤ اَدۡرٰٮکَ مَا الطَّارِقُ ۙ﴿۳﴾  النَّجۡمُ الثَّاقِبُ ۙ﴿۴﴾ اِنۡ کُلُّ نَفۡسٍ لَّمَّا عَلَیۡہَا حَافِظٌ

Betohem për qiellin dhe për atë që del gjatë natës! E çfarë di ti se çka është ai që del gjatë natës? (Ai) është ylli i ndritur. (Dhe betimi është bërë për shkak se) nuk ka asnjë shpirt që nuk është caktuar një mbrojtës për të.[1]

Ajeti i fundit që thotë “për çdo shpirt ka një engjëll mbrojtës”, tregon se siç janë caktuar engjëjt për trupin e njeriut që nuk i ndahen atij, në të njëjtën mënyrë, janë caktuar engjëjt për mbrojtjen e tij shpirtërore, të cilët mbajnë djallin larg prej tij dhe e shpëtojnë atë nga errësira e devijimit. Dhe është po ky Shpirt i Shenjtë i cili nuk e lejon djallin të mbizotërojë robërit e veçantë të Zotit. Kjo është ajo që thuhet në ajetin:

اِنَّ عِبَادِیۡ لَیۡسَ لَکَ عَلَیۡہِمۡ سُلۡطٰنٌ

“Pa dyshim, ti nuk do të kesh sundim mbi robërit e Mi”.[2]

Sa e qartë pohon ky ajet që engjëlli i Zotit të Madhërishëm qëndron përherë me njeriun duke e mbrojtur atë, pa iu ndarë atij për asnjë moment.

Tani, a mund të mendojë dikush që Zoti ka lënë engjëllin për mbrojtjen fizike të tij, por Ai nuk paska lënë asnjë mbrojtës për mbrojtjen e shpirtit të tij?! Përkundrazi, edhe një i verbër mund të kuptojë se mbrojtja shpirtërore e njeriut është më shumë e nevojshme sesa mbrojtja trupore e tij, sepse lëndimet e trupit janë një shqetësim vetëm i kësaj bote, por gjëma e shpirtit dhe e nefsit është diçka që e shpie atë në xhehenemin e përjetshëm.

Prandaj, Ai Zot Mëshirëbërës dhe Bujar që mëshiron trupin e njeriut, diçka që sot është dhe nesër tretet në dhe, si mund të mendojmë që Ai nuk ka mëshirë për shpirtin e njeriut?! Kështu që, ajeti në fjalë qartazi pohon se Shpirti i Shenjtë, që ndryshe mund të quhet engjëlli i mbrojtjes shpirtërore, qëndron me njeriun e dëlirë, njësoj siç vepron engjëlli për mbrojtjen e tij fizike.

Ka shumë ajete të tjera që mbartin të njëjtën temë dhe që tregojnë se me njeriun qëndrojnë përherë engjëjt që e mbrojnë atë, si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht, madje edhe për të shënuar veprat e tij. Ajetet që vijojnë janë si shembuj:

وَ اِنَّ عَلَیۡکُمۡ لَحٰفِظِیۡنَ

وَ یُرۡسِلُ عَلَیۡکُمۡ حَفَظَۃً

لَہٗ مُعَقِّبٰتٌ مِّنۡۢ بَیۡنِ یَدَیۡہِ وَ مِنۡ خَلۡفِہٖ یَحۡفَظُوۡنَہٗ مِنۡ اَمۡرِ اللّٰہِ

Dhe, sigurisht, ka (shumë) mbrojtës (që qëndrojnë) mbi ju.[3] Ai ju dërgon mbrojtës.[4] Ka rojtarë për (robërit e Allahut), përpara dhe pas tyre, (që) i mbrojnë ata (qoftë së jashtmi, qoftë së brendshmi) me urdhrin e Allahut.[5],[6]

وَ السَّمَآءِ وَ الطَّارِقِ ۙ﴿۲﴾ وَ مَاۤ اَدۡرٰٮکَ مَا الطَّارِقُ ۙ﴿۳﴾  النَّجۡمُ الثَّاقِبُ ۙ﴿۴﴾ اِنۡ کُلُّ نَفۡسٍ لَّمَّا عَلَیۡہَا حَافِظٌ

Përkthimi i këtyre ajeteve është:

Betohem për qiellin dhe për atë që del gjatë natës! E çfarë di ti se çka është ai që del gjatë natës? (Ai) është ylli i ndritur. (Dhe betimi është bërë për shkak se) nuk ka asnjë shpirt që nuk është caktuar një mbrojtës për të.[7]

Pra, për të gjitha shpirtrat që janë krijuar, Zoti i Madhërishëm ka caktuar nga një engjëll, i cili e mbron shpirtin dhe gjithmonë qëndron me të. Fjala arabe që është në këtë ajet është “kul”, që përkthehet “çdo” (shpirt). Kjo provon se çdo gjë që mund të quhet nefs (frymë a shpirt), mbrohet nga engjëjt. …

Shumë pyetje lindin nga këto ajete dhe kemi për detyrë t’u përgjigjemi. Njëra prej tyre është:

A mund të gëzojë mbrojtje nga Shpirti i Shenjtë edhe një njeri mëkatar?

Shpirti i Shenjtë që e gjejnë vetëm ata njerëz që kanë fituar afërsinë me Zotin duke rrugëtuar deri në shkallën e shpëtimit dhe të takimit, si mund të bëhet mbrojtësi i çdokujt tjetër?

Përgjigjja është që është e vërtetë se Shpirti i Shenjtë në mënyrë të përsosur u zbret pikërisht njerëzve të afruar me Zotin, por ndikimin e tij e gëzojnë edhe të tjerët, në bazë të dashurisë dhe të sinqeritetit të tyre. Kur njeriu arrin shkallën e shpëtimit dhe të takimit, dashuria e Allahut bie mbi dashurinë e njeriut dhe atëherë për shkak të bashkimit të këtyre dy dashurive, lind manifestimi i plotë i Shpirtit të Shenjtë në atë mënyrë që të gjitha manifestimet e tjera përpara tij janë asgjë.

Megjithatë, nuk mund të mohojmë edhe ekzistencën e manifestimeve të tjera. Zoti i Madhërishëm nuk lejon të shkojë kot qoftë një grimë dashurie të sinqertë. Dashuria e Zotit zbret mbi dashurinë e njeriut dhe në varësi të përmasave të dashurisë, aty shkaktohet edhe ndriçimi i Shpirtit të Shenjtë.

Ky është një ligj i patjetërsueshëm i Zotit të Madhërishëm që dashuria Hyjnore zbret në varësi të dashurisë që ndihet në anën tjetër. Dhe kur rrjedh një lumë dashurie te njeriu, edhe nga ana tjetër zbret një lumë dashurie. Kur këta dy lumenj bashkohen, krijohet një dritë madhështore, të cilën në terminologjinë tonë e quajmë Shpirti i Shenjtë. Por, për shembull, nëse në njëzet litra ujë, hidhni një gram sheqer, nuk do ta ndieni ëmbëlsinë e sheqerit dhe shija e ujit do të mbetet njësoj siç ka qenë më parë, megjithatë, nuk mund të thoni dot se nuk i keni hedhur sheqer ujit e as nuk mund të thoni dot se uji është bërë i ëmbël. E njëjta gjendje është e atij Shpirti të Shenjtë që zbret i mangët mbi njerëzit e mangët. Zbritja e tij nuk vihet në dyshim, për sa kohë që edhe njeriut më të dobët shpirtërisht, i lind ndonjëherë mendimi mirë. Madje, edhe ai që është i pabindur dhe i pamoralshëm, nganjëherë sheh ndonjë ëndërr të vërtetë. E gjithë kjo ndodh pikërisht për shkak të ndikimit të Shpirtit të Shenjtë, siç na tregon Kurani i Shenjtë dhe hadithet e vërteta. Por kjo sasi e Shpirtit të Shenjtë është thuajse hiç përballë asaj lidhjeje madhështore të tij që gjendet te njerëzit e shenjtë e të afruar me Zotin.

Nëse Shpirti i Shenjtë është i caktuar të mbrojë njeriun nga ligësitë, pse njeriu mëkaton?

Një pyetje tjetër që lind këtu është se nëse Shpirti i Shenjtë është i caktuar të mbrojë njeriun nga ligësitë, ai përse bën mëkate? Pse njeriu përfshihet në mohim, mosbindje e imoralitet? Përgjigjja është që Zoti i Madhërishëm i ka lënë njeriut dy thirrës për ta sprovuar atë: njëri që e thërret drejt mirësisë e që quhet Shpirti i Shenjtë, dhe tjetri që e thërret drejt ligësisë e që quhet djall (shejtan) ose iblis. Që të dy thirrës vetëm e ftojnë njeriun drejt mirësisë apo ligësisë, por nuk e detyrojnë për asgjë. Siç thuhet në një ajet tjetër të Kuranit të Shenjtë:

فَاَلۡہَمَہَا فُجُوۡرَہَا وَ تَقۡوٰٮہَا

Zoti i shpalli (njeriut) edhe ligësinë, edhe mirësinë.[8]

Mjeti për të shpallur ligësinë është djalli, i cili cyt mendime keqbërëse në zemrat e njerëzve, kurse mjeti për të shpallur mirësinë është Shpirti i Shenjtë, që frymëzon mendime të pastra në to. Dhe ngaqë Vetë Zoti i Madhërishëm është Shkaku i të gjitha shkaqeve, në këtë ajet, Ai ia atribuoi Vetvetes të dyja llojet e shpalljeve, sepse Ai është Organizatori i të gjithë këtij sistemi. Përndryshe, çfarë fuqie ka djalli t’i cytë dikujt në zemër diçka të caktuar, dhe çfarë vlere ka Shpirti i Shenjtë që të udhëzojë dikë mbi rrugët e takvasë (të druajtjes ndaj Zotit)!

Zoti i Madhërishëm pse ia ngjiti djallin njeriut?

Kundërshtarët tanë të fesë arja, brahmo dhe të krishterë, nga shkurtpamësia e tyre, akuzojnë mësimin e Kuranit të Shenjtë duke thënë se sipas tij Zoti i Madhërishëm me qëllim ia ngjiti djallin njeriut. Pra, me demek, Ai Vetë deshi t’i devijonte njerëzit.

Por ky është vetëm një mendim i nxituar i kundërshtarëve tanë. Ata duhet ta dinë se në  Kuranin e Shenjtë nuk thuhet se djalli mund ta detyrojë njeriun të hyjë në rrugë të keqe, dhe as nuk thuhet se djalli është krijuar vetëm për ta ftuar njeriun drejt së keqes. Por, sipas Kuranit të Shenjtë, Zoti i ka dhuruar njeriut në mënyrë të barabartë edhe forcën e engjëllit, edhe forcën e djallit, pra një thirrës të mirësisë dhe një thirrës të ligësisë, për ta sprovuar atë, dhe në mënyrë që pas sprovës, të meritojë shpërblimin ose pasojën.

Po të mos ishte kështu dhe nëse të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm do ta bënin njeriun të shkojë vetëm drejt mirësisë, ose nëse natyra e tij do të ishte e tillë që bën vetëm mirësinë dhe asgjë tjetër jo, atëherë nuk kishte asnjë arsye që ai të fitonte afrimin me Zotin për shkak të veprave të mira që do të bënte. Sepse në këtë rast, ai vetë do t’i kishte të gjitha mjetet dhe ndjenjat për të bërë mirësi dhe se në farën e tij nuk do të kishte fare dëshirën e së keqes. Atëherë, pse do të vlerësohej ai për të shpëtuar nga mëkati?!

Për shembull, një njeri që nuk ka epsh që nga fillimi dhe ai nuk ka fare dëshirë ndaj gjinisë së kundërt, nëse u rrëfen njerëzve në një tubim duke thënë – Atë ditë isha mes bukurosheve, por as një herë të vetme nuk i kam parë me epsh dhe ruajta nderin duke i pasur frikë Zotit – atëherë të gjithë do të qeshnin dhe do të talleshin me të dhe do t’i thoshin – O naiv, si mund të krenohesh për diçka që nuk e ke e si mund të shpresosh shpërblim për të?!

Prandaj, kërkimtarit të rrugës shpirtërore në pjesën e tij fillestare dhe në atë të mesme, të gjitha shpresat për të gëzuar shpërblime i lindin për shkak të ndjenjave të kundërta. Dhe gjatë këtij rrugëtimi, nëse kërkimtari nuk ka fare aftësinë për të bërë një ligësi të caktuar, ai nuk meriton as shpërblimin që vjen nga heqja dorë prej asaj ligësie. Për shembull, ne si qeniet njerëzore nuk kemi në trup një helm siç ka akrepi ose gjarpri, andaj, nuk meritojmë ndonjë shpërblim pranë Allahut për të mos helmuar fizikisht sikur helmojnë këto kafshë me kafshimin e tyre.

Kjo analizë tregon se pikërisht ndjenjat negative që lindin te njeriu për ta tërhequr atë drejt së keqes, bëhen shkak i shpërblimit të tij. Sepse kur njeriu i frikësohet Zotit dhe heq dorë nga ndjenjat negative, pa dyshim, meriton lëvdatë pranë Allahut dhe kështu ai e kënaq Zotin e tij.

Për sa i përket atij njeriu që arrin pozitën më të lartë shpirtërore, ai nuk ka më ndjenjat negative në shpirtin e tij. Si të thuash, xhindi i tij i është nënshtruar duke u bërë musliman. Por atij shpërblimet i vijojnë, sepse ai i tejkaloi stacionet e sprovave me burrëri të madhe. Një njeri i dëlirë që bën vepra të mira shumë të mëdha gjatë rinisë së tij, fiton shpërblimin e tyre edhe në pleqëri.

Zoti i Madhërishëm a është nevojtar që të marrë ndihmën e engjëjve?

Një tjetër pyetje që lind këtu është se Zoti i Madhërishëm a është nevojtar që të marrë ndihmën e engjëjve? Mbretëria e Zotit, vallë, a është nevojtare për të pasur administratë, siç punon mbretëria njerëzore? Vallë, edhe Zoti paska nevojë për të pasur ushtri, siç njeriu e ka këtë nevojë?

Përgjigjja:

Zoti i Madhërishëm nuk ka nevojë për asgjë, as për engjëjt, as për diellin, as për hënën, as për yjet. Por Ai kështu deshi krijimin e Tij, në mënyrë që fuqitë e Tij të njihen nëpërmjet mjeteve të ndryshme dhe nga kjo metodë, njeriu të shtojë urtësinë dhe dijen e vet. Po të mos ishte mediumi i mjeteve në mes, nuk do të kishim në botë as shkencën e astronomisë, as fizikën, as mjekësinë, as biologjinë apo ndonjë dije tjetër. Janë pikërisht mjetet që lindën dijen.

Tani, mendoni pak, nëse keni ndonjë kundërshti pse Zoti u merr shërbimin engjëjve, kundërshtia juaj do të jetë edhe në rastin e diellit, të hënës, të yjeve, të bimëve, të sendeve, dhe të elementeve se përse Zoti u merr shërbimin atyre! Ai që gëzon fare pak njohje të spiritualitetit, e di që çdo grimcë vepron në bazë të vullnetit të Zotit të Madhërishëm. Çdo pikë e ujit që hyn në trupin tonë, nuk mund të na ndikojë as për mirë e as për keq, pa lejen e Zotit. E kjo tregon se të gjitha grimcat, të gjithë trupat qiellorë etj., në të vërtetë janë një lloj engjëjsh, që janë në shërbim në çdo çast. Vetëm se disa engjëj i shërbejnë trupit të njeriut, kurse disa të tjerë i shërbejnë shpirtit të tij.

Urtësia absolute e Zotit deshi të krijonte mjete nga më të ndryshmet për rritjen dhe edukimin trupor të njeriut, dhe krijoi ndikues të llojllojshëm të botës lëndore, në mënyrë që ata të bëjnë ndikime në mënyra të ndryshme në trupin njerëzor. Dhe po Ai i Adhurueshmi i Vetëm, i cili edhe në punët e Tij ka njëshmërinë dhe harmoninë, deshi që edhe edukimin shpirtëror të njeriut ta bëjë në të njëjtën formë dhe me të njëjtin lloj sistemi. Ai kështu bëri, në mënyrë që të dyja sistemet, pra sistemi i botës lëndore dhe ai i botës së padukshme, ose sistemi fizik dhe sistemi shpirtëror, me njëtrajtshmërinë dhe harmoninë e tyre të dëshmojnë ekzistencën e Krijuesit të Vetëm dhe të provojnë se Ai është Organizatori që përdor vullnetin e Tij.

Pra, kjo është arsyeja që janë caktuar engjëjt si mjete jo vetëm për rritjen shpirtërore të njeriut, por edhe për jetën fizike të tij. Por të gjitha këto mjete janë si makineri në Dorën e Zotit, të cilën e drejton Vetë Dora e Tij e Pastër. Mjetet vetë nuk kanë as vullnet dhe as kontroll. Njësoj si era që me lejen e Zotit hyn në trupin tonë, me lejen e Tij del prej nesh dhe po me lejen e Tij ndikon te ne. E njëjta është edhe gjendja e engjëjve:

وَ یَفۡعَلُوۡنَ مَا یُؤۡمَرُوۡنَ

“(engjëjt) bëjnë atë për të cilën urdhërohen.”[9]

Prifti Dejanend që ngriti këtë akuzë kundër sistemit të engjëjve që shpjegon Kurani i Shenjtë, po të kishte dije për sistemin lëndor dhe sistemin shpirtëror që ka krijuar Zoti i Madhërishëm, në vend që ta akuzonte Kuranin e Shenjtë, do të habitej nga përsosuritë e tij dhe do të thoshte se me ç’mrekulli paraqitka ky libër pamje të qartë dhe të vërtetë të natyrës![10]

LEXONI:


[1] Kurani i Shenjtë 86:2-5.
[2] Kurani i Shenjtë 15:43.
[3] Kurani i Shenjtë 82:11.
[4] Kurani i Shenjtë 6:62.
[5] Kurani i Shenjtë 13:12.
[6] Hazret Mirza Ghulam Ahmed, “Aine Kamalat-e-Islam”, “Ruhani Khazain” vëll. 5, f. 76 – 80.
[7] Kurani i Shenjtë 86:2-5.
[8] “Ai i shpalli shtrembësitë e tij dhe drejtësitë e tij.” (Kurani i Shenjtë 91:9)
[9] Kurani i Shenjtë 16:51.
[10] Hazret Mirza Ghulam Ahmed, “Aine Kamalat-e-Islam”, “Ruhani Khazain” vëll. 5, fusnota, f. 76 – 91.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp