Kur konsiderohet kamata bankare e ndaluar në Islam? Interesi bankar sipas Islamit
Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.)
Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht
(Një zonjë e pyeti Hazret Mirza Masrur Ahmedin (aba), Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, lidhur me fitimin e marrë nga bankat shtetërore dhe private, dhe nëse ky fitim hyn në kategorinë e kamatës [arab. “riba”] apo jo. Kalifi i nderuar (aba), në letrën e tij të datës 23 gusht 2021, dha përgjigjen e mëposhtme për këtë çështje).
Vendosja e parave në një bankë ose në një institucion tjetër financiar me kushtin që të merret dividend vetëm me një normë fikse të paracaktuar është një marrëveshje e palejuar, sepse ky fitim hyn në kategorinë e kamatës [arab. “riba”].
Megjithatë, nëse paratë depozitohen në një bankë ose në një institucion financiar me kusht të ndarjes së fitimit dhe të humbjes, siç është rasti me llogaritë PLS (Profit and Loss Sharing – Ndarje Fitimi dhe Humbjeje) në Pakistan, atëherë fitimi i marrë nga një llogari e tillë nuk konsiderohet kamatë dhe personi mund ta përdorë atë për nevojat e tij personale.
Përveç kësaj, duke qenë se bankat dhe institucionet financiare shtetërore e investojnë kapitalin e tyre në projekte me karakter publik për të mirën e të gjithë vendit, përfiton prej tyre jo vetëm individi që depoziton paratë e tij, por edhe të gjithë qytetarët e tjerë. Gjithashtu, investimet e këtyre bankave dhe institucioneve financiare shtetërore çojnë në rritjen e ekonomisë së vendit dhe krijojnë më shumë mundësi punësimi, gjë që sjell rritje të të ardhurave shtetërore.
Në një situatë të tillë, ku këto banka dhe institucione financiare shtetërore ndajnë fitimet e tyre me publikun dhe me individët privatë që depozitojnë para te to, dhe u japin një pjesë të caktuar të fitimit mbajtësve të llogarive, kjo është e lejueshme. Ky fitim nuk hyn në kategorinë e kamatës dhe personi mund ta përdorë atë për nevojat e tij personale.