بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ ١
تَبَّتۡ يَدَآ أَبِي لَهَبٖ وَتَبَّ ٢
مَآ أَغۡنَىٰ عَنۡهُ مَالُهُۥ وَمَا كَسَبَ ٣
سَيَصۡلَىٰ نَارٗا ذَاتَ لَهَبٖ ٤
وَٱمۡرَأَتُهُۥ حَمَّالَةَ ٱلۡحَطَبِ ٥
فِي جِيدِهَا حَبۡلٞ مِّن مَّسَدِۭ ٦
- Me emrin e Allahut, të Gjithë-mëshirshmit, Mëshirëbërësit.
- Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u shkatërroftë (edhe) ai!
- Nuk e ndihmoi dot aspak as pasuria e tij, e as ajo që ai ka fituar.
- Ai do të hidhet pashmangsh-mërisht në një zjarr të flakëruar.
- Edhe gruaja e tij, si mbartëse e lëndës djegëse,
- do të ketë në qafën e saj një litar me fije të përdredhura palme.
Surja el-Leheb është mekase
Surja el-Leheb është një sure mekase dhe për këtë nuk ka asnjë mospajtim. Ibn Mardujeh ka transmetuar nga Hazret Ibn Abbasi r.a., Hazret Aisheja r.a. dhe Ibn ez-Zubejri r.a. se kjo sure ka zbritur në Mekë. (Fet’hul-Kadir, Surja el-Leheb)
Në tefsirin Itkan, Allame Sujuti, në renditjen e zbritjes që e ka përmendur nga transmetues të ndryshëm, e ka vendosur Suren el-Leheb në vendin e pestë. Domethënë, sipas hulumtimeve të tij, së pari ka zbritur Surja [96] el-Alek, pastaj [68] Nun vel-Kalem, pastaj [73] El-Muzzemmil, pastaj [74] El-Muddeththir dhe më pas Surja [111] el-Leheb. (el-Itkan fi ulumil-Kuran, en-neu’ul-evvel fi ma’rifetil-mekki uel-medeni)
Pra, kjo sure bën pjesë ndër suret krejt të hershme. Sipas Uehrrit (Wherry), kjo sure ka zbritur në vitin e pestë ose të gjashtë të profetësisë.
Renditja dhe lidhja
Në një aspekt, Surja el-Leheb është surja e fundit e Kuranit të Shenjtë, sepse sipas renditjes kuptimore që shpjegojmë në këtë tefsir, me të përfundon tema e Kuranit të Shenjtë. Ndërsa në tri suret që vijnë pas saj, është paraqitur përmbledhja e Kuranit të Shenjtë.
Lidhja e sures el-Leheb me suren e parë
Lidhja e kësaj sureje me suren e parë është se në suren e parë, Zoti i Madhërishëm e ngushëlloi Profetin Muhammed, të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se ato fitore që po i jepeshin, nuk do të kufizoheshin vetëm gjatë jetës së tij, por dyert e këtyre fitoreve do të mbeteshin të hapura edhe pas vdekjes së tij, derisa Islami të bëhej dominues mbi botën.
Dhe gjithashtu ishte sqaruar se sa herë që Islami do të ketë nevojë për një person që ta nxjerrë anijen e tij nga vorbulla dhe të mos lejojë që flamuri i tij të ulet, Allahu do të ngrejë një person të tillë dhe do ta ndihmojë umetin e Muhammedit s.a.v.s..
Përmbledhje e temës së sures el-Leheb
Në suren el-Leheb plotësohet tema e sures en-Nasr dhe sqarohet se jo vetëm që pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dyert e fitoreve do të vazhdojnë të hapen dhe Islami do të bëhet dominues, por nëse dikush sulmon Islamin me qëllim që ta zhdukë, Allahu do ta shkatërrojë atë; madje, jo vetëm sulmuesin, por edhe ata që do ta mbështesin atë sulmes.
Ata që do të sulmojnë Islamin, në këtë sure janë quajtur me emrin Ebu Leheb, ndërsa ata që do t’i mbështesin janë përshkruar me fjalën “gruaja”. Pra, me Ebu Lehebin nënkuptohen prijësit e kufrit (mohimit), ndërsa me gruan e tij nënkuptohen pasuesit e tyre; ashtu si me gruan e Ademit a.s. nënkuptohen edhe pasuesit e tij.
Pra, në këtë sure i jepet përgjigje një pyetjeje që lind nga tema e përmendur në suren en-Nasr, e cila është: edhe nëse pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. vijojn të hapen dyert e fitoreve dhe Islami bëhet dominues, çfarë do të ndodhë nëse më vonë shfaqet një armik i fuqishëm që e sulmon Islamin dhe e zhduk këtë dominim? Çfarë dobie do të kishte një dominim i përkohshëm?
Kësaj pyetjeje i jepet përgjigje në suren el-Leheb dhe thuhet: O Muhammed, i Dërguari i Allahut! Mbaje mirë mend se jo vetëm që Islami do të bëhet dominues, por dominimi i tij do të jetë i përhershëm. Nëse ndonjëherë ndonjë armik e sulmon Islamin dhe përpiqet ta zhdukë, Allahu me fuqinë e Tij të madhe do ta shkatërrojë atë armik, do ta largojë dobësinë e Islamit dhe do ta bëjë sërish dominues. Edhe nëse ndonjëherë në Islam shfaqet dobësi, ajo do të jetë vetëm për një kohë të shkurtër; pastaj dielli i Islamit do të fillojë përsëri ta ndriçojë tërë botën.
Kjo sure ka lidhje edhe me suren el-Keuther. Në suren el-Keuther, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. i ishin dhënë dy premtime:
- Premtimi për shumim të umetit
- Premtimi për shkatërrimin e armiqve
Pra, përmbushja e premtimit të parë është sqaruar në suren en-Nasr, ndërsa përmbushja e premtimit të dytë është sqaruar në suren el-Leheb.
Allahu e zbriti këtë sure në periudhën krejt të hershme për t’u dhënë zemër myslimanëve që të mos frikësohen, edhe pse janë të dobët dhe të pafuqishëm. Sepse ndihmësi i tyre është ai Zot i Fuqishëm, nën vullnetin e të cilit lëvizin grimcat e tokës dhe të qiellit. Prandaj, kushdo që do t’i kundërshtonte, do të turpërohej, do të poshtërohej dhe do të përballej me shkatërrim.
Pastaj, nga aspekti i përmbajtjes, kjo sure është vendosur në fund, që brezat e ardhshëm myslimanë të marrin kurajë dhe të mos frikësohen duke parë fuqinë e kufrit në ndonjë kohë. Përkundrazi, ata duhet të kenë bindje se Zoti i Islamit është Zot dominues dhe Ai Vetë do t’i shkatërrojë armiqtë e tij.
Pra, surja en-Nasr dhe surja el-Leheb janë dy mesazhet e fundit për umetin: njëra është për shtimin dhe përparimin e besimit, ndërsa tjetra është për shkatërrimin e mohuesve.