Natyra e shpalljes | Telepatia, hipnotizimi dhe shpallja – ku qëndron dallimi?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kopertina e librit “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth” nga Mirza Tahir Ahmad, pranë titullit në shqip “Natyra e shpalljes”.

[Ky artikull është pjesë e librit Revelation, Rationality, Knowledge & Truth (Shpallja, racionaliteti, dija dhe e vërteta), i shkruar nga Hazret Mirza Tahir Ahmad, Kalifi IV i Xhematit Musliman Ahmedia.]

Çfarë është shpallja (zbulesa)? A është shpallja thjesht një term që përdoret për të përshkruar eksplorimin e vetëdijshëm ose të pavetëdijshëm të botës së brendshme të njeriut, apo burimi i saj është një Qenie e jashtme, dija e së cilës tejkalon dijen e njerëzve?

Edhe njerëzit që besojnë në shpallje ndryshojnë në mënyrën se si e kuptojnë natyrën e saj. Për shembull, shumica e budistëve, konfucianistëve dhe taoistëve të sotëm i konsiderojnë përvojat e themeluesve të tyre si diçka që ka lindur tërësisht nga mendja e tyre e vetëdijshme ose e nënvetëdijshme. Siç u përmend më herët, ata besojnë se e vërteta ekziston brenda çdo shpirti si pjesë e natyrës. Për ta, frymëzimi është mjeti i kontaktit me burimin e kësaj të vërtete të përjetshme. Fetë e tjera mbajnë pikëpamjen se shpallja është një përvojë që buron nga një burim i jashtëm – nga një Zot i Përjetshëm dhe Urtiplotë.

Nëse e zgjerojmë fushën e studimit tonë, vërejmë se shumë raste autentike të shpalljes raportohen edhe jashtë sferës së fesë. Për shembull, ekzistojnë shumë raste interesante kur disa shkencëtarëve u janë përcjellë nëpërmjet shpalljes informacione tepër komplekse.

Në vitin 1865, një kimist gjerman, Friedrich August Kekulé, po përpiqej të zgjidhte një problem të kimisë që i kishte hutuar të gjithë studiuesit. Një natë, Kekulé pa në ëndërr një gjarpër që e mbante bishtin e vet në gojë. Kjo ëndërr e vuri menjëherë në drejtimin e duhur për të gjetur zgjidhjen e çështjes së ndërlikuar. Kështu u zbulua sekreti i sjelljes molekulare në disa përbërje organike, një zbulim që solli revolucion në të kuptuarit e kimisë organike. Ai e interpretoi këtë ëndërr se në molekulën e benzenit, atomet e karbonit lidhen me njëri-tjetrin duke formuar një strukturë unazore. Kjo njohuri i dha jetë fushës së gjerë dhe shumë të zhvilluar të kimisë organike sintetike, e cila prodhoi një gamë jashtëzakonisht të madhe materialesh të reja sintetike. Industria farmaceutike bashkëkohore është bërë gjithnjë e më e varur nga barnat sintetike. Njerëzimi, në të vërtetë, i detyrohet shumë asaj ëndrre të vetme, nëpërmjet së cilës Kekulé e zgjidhi atë problem.

Elias Howe ishte personi i parë që mekanizoi procesin e qepjes. Edhe ai e mori nëpërmjet një ëndrre përgjigjen e një problemi që e kishte munduar për një kohë të gjatë. Në ëndërr, ai e pa veten të rrethuar nga njerëz të egër, të cilët e kërcënonin se do ta vrisnin nëse nuk projektonte një makinë qepëse. Meqë nuk ishte në gjendje ta bënte këtë, atë e lidhën pas një peme dhe njerëzit e egër filluan ta sulmonin me shigjeta dhe shtiza. Ai u habit kur pa vrima në majat e shtizave të tyre. Pasi u zgjua nga kjo ëndërr, e kuptoi menjëherë zgjidhjen, e cila e çoi në shpikjen e prototipit të makinës së qepjes, që më pas do të revolucionarizonte në mënyrë dramatike industrinë e qepjes. Nëpërmjet ëndrrës ai kuptoi se duhej të mendonte për vendosjen e vrimës së gjilpërës në majën e saj.

Pikërisht kjo ide e ndihmoi të zgjidhte një detyrë që dukej e pamundur. Është e vështirë të përfytyrohet gjendja e mjerë në të cilën do të ndodhej njeriu sot pa bekimin e kësaj ëndrre. Çfarë revolucioni të madh solli vërtet kjo shpallje!

Duke pasur parasysh shumë përvoja të tilla, një prej shpjegimeve të mundshme që të vjen ndër mend është se shpallja është një dukuri që buron nga nënvetëdija. Kur mendja e vetëdijshme lodhet duke menduar për probleme të ndërlikuara para se njeriu të bjerë në gjumë, ajo ia kalon këto probleme nënvetëdijes. Gjatë gjumit, nënvetëdija vazhdon të reflektojë mbi të dhënat që i janë dhënë dhe, në fund, përllogarit zgjidhjen aq të nevojshme. Ndonjëherë zgjidhjet mund të perceptohen nëpërmjet vegimeve dhe ndonjëherë mund të dëgjohen në formën e mesazheve me fjalë. Nëse është kështu, a do të thotë kjo se të gjitha llojet e shpalljes, në çfarëdo forme që shfaqen, janë pa përjashtim mesazhe të nënvetëdijes?

Në rastet e përshkruara më sipër, mund të argumentohet fare mirë se të gjitha pjesët e nevojshme të informacionit për zgjidhjen e atyre problemeve gjendeshin tashmë në mendjen e vetëdijshme dhe se nënvetëdija thjesht u tregua një mjet më i fuqishëm për sintetizimin e këtij informacioni në një mënyrë misterioze. Atëherë, a përbën kjo tërësinë e gjithë përvojës njerëzore të shpalljes së frymëzuar, apo ka forma të tjera që qëndrojnë përtej fushës së proceseve thjesht mendore?

Fetë kryesore të botës besojnë se profetët e tyre, si edhe shumë njerëz të tjerë të shenjtë, morën shpallje nga një burim i jashtëm i quajtur Zot. Të tjerë e konsiderojnë këtë si një përfundim të gabuar dhe nuk i akuzojnë ata për mashtrim të qëllimshëm, sepse, sipas tyre, ata vërtet mund ta kenë ngatërruar një përvojë krejtësisht të brendshme me një mesazh të marrë nga një burim i jashtëm. Por nëse do të ishte kështu, atëherë themelet e të gjitha feve të ashtuquajtura hyjnore do të ishin tepër të lëkundshme. Vërtetësia e pretendimeve të tilla mund të provohej vetëm nëse do të mbështetej nga prova të bollshme të jashtme.

Meqë verifikimi individual i vërtetësisë së të gjithë pretenduesve të tillë do të ishte një detyrë tepër e gjerë dhe e mundimshme, ne do të përpiqemi ta zbatojmë këtë kriter vetëm në rastin e Kuranit të Shenjtë. Themeli i shumicës së feve kryesore mbështetet në besimin se ekziston një Krijues Suprem, i Cili, pasi krijoi njeriun, nuk e braktisi atë kurrë dhe vazhdoi të interesohej për punët e tij. Është Ai që jep udhëzim nëpërmjet të dërguarve të Tij, kurdo dhe kujtdo që dëshiron. Ai i jep njeriut njohuri për ekzistencën e Tij dhe ia shpreh njerëzimit vullnetin e Vet, në mënyrë që njerëzit ta formësojnë jetën e tyre në përputhje me udhëzimin e Tij. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shpallja duhet të trajtohet si një burim i pavarur njohurie, i dallueshëm nga frymëzimi i thjeshtë psikik, ndërsa racionaliteti do të zinte vetëm një vend dytësor në krahasim me të.

Nga këndvështrimi i mendjes njerëzore, shpallja duket si një përvojë e brendshme që zhvillohet brenda sferës së psikikës njerëzore. Për këtë arsye, mesazhet hyjnore mund të ngatërrohen fare lehtë me përvoja të tjera të ngjashme të nënvetëdijes. Pothuajse të gjithë njerëzit, në një fazë ose në një tjetër të jetës së tyre, përjetojnë në njëfarë mënyre veprimtarinë e psikikës. Psikika njerëzore ka një mekanizëm të lindur, i cili mund të krijojë iluzione dhe vegime, ndonjëherë aq të qarta saqë personit që i përjeton i duken reale.

Përvoja të tilla përfshijnë një gamë të gjerë dhe mund të klasifikohen shkurtimisht si ëndrra, mesazhe me fjalë, tinguj muzikorë, imazhe dhe përshtypje. Në rastin e personave me çrregullime mendore ose të atyre, mendja e të cilëve ndodhet në një gjendje eksitimi të fortë, përvojat e tyre mund të jenë aq intensive saqë mund të krijojnë halucinacione të tmerrshme, të cilat mund t’i çojnë drejt çmendurisë. Edhe ethet e forta mund të shkaktojnë gjendje të ngjashme eksitimi mendor. Përveç kësaj, ekzistojnë përvoja të një natyre krejtësisht tjetër, të cilat krijojnë ëndrra dhe vegime të rregullta, qetësuese dhe ngushëlluese, duke e paqësuar mendjen dhe duke e çliruar nga shumë frika e parandjenja të fshehta, prej të cilave njerëzit ndonjëherë vuajnë pa qenë në gjendje ta përcaktojnë shkakun. Ka edhe mesazhe që përcillen me zëra të veçantë dhe të dëgjueshëm qartë, të cilët ndonjëherë shoqërohen me shfaqje njerëzore ose engjëllore, apo dëgjohen në zërat e personave të padukshëm. Nëse edhe këto do të mund të shpjegoheshin si produkte të mendjes dhe të psikikës njerëzore, atëherë të gjitha përvojat shpirtërore do të përfshiheshin në sferën e dukurive psikike!

Ku mbetet atëherë vendi për shpalljen dhe për vegimet e shpallura nga Zoti? Kjo është pyetja më e rëndësishme, e cila duhet trajtuar dhe duhet marrë përgjigje në mënyrë të qartë. Mendja e njeriut është pajisur me të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të marrë ose krijuar përshtypje të tilla. Por edhe Zoti, sa herë që e konsideron të përshtatshme, mund të veprojë drejtpërdrejt mbi këtë mekanizëm psikik. Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje jetike, është e nevojshme që çështja të shqyrtohet më hollësisht – një detyrë që mund të bëhet më e lehtë duke e ndarë atë në nënkategori.

Frymëzimi

Ashtu si mendja e nënvetëdijshme mund të nxisë halucinacione dhe përçartje, po ashtu ajo është e aftë të krijojë vegime dhe mesazhe të rregullta e kuptimplota. Në thellësitë e saj, mendja mund të vazhdojë të përsiatë mbi një temë pa qenë e vetëdijshme për këtë dhe, në fund, të zhvillojë një përgjigje që më parë ishte e panjohur për mendjen e vetëdijshme. Ajo vazhdon të punojë mbi një problem derisa të gjejë një përgjigje, të cilën mund t’ia transmetojë nivelit më të lartë të vetëdijshëm të mendjes nëpërmjet ëndrrave, vegimeve e kështu me radhë. Rezultatet e arritura nëpërmjet këtij procesi janë gjithmonë brenda kufijve të të dhënave të disponueshme, të cilat i janë dhënë më parë mendjes. Për aktivizimin e këtij procesi nuk është domosdoshmërisht e nevojshme ndikimi i ndonjë faktori të jashtëm. Madje edhe një kriminel mund të zhvillojë një plan të zgjuar për kryerjen e një krimi nëpërmjet këtij procesi të frymëzimit të nënvetëdijshëm. Por nuk duhet harruar se rezultatet e frymëzimit janë gjithmonë të lidhura me të dhënat që ka në dispozicion mendja njerëzore dhe nuk mund të shkojnë kurrë përtej tyre.

Përvoja psikike të tjera përveç halucinacioneve

Halucinacionet që shkaktohen nga çmenduria ose përdorimi i drogave krijohen sepse mendja e njeriut eksitohet tepër dhe, si pasojë, vihet në veprim i njëjti mekanizëm i nënvetëdijshëm brenda tij. Në raste të tilla, rezultatet që prodhohen janë të çrregullta dhe të shkëputura nga njëra-tjetra. Në shumicën e rasteve, një vëzhgues i jashtëm mund ta kuptojë lehtësisht se këto vegime janë thjesht pjesë të shpërndara të fantazisë së personit, të përbëra nga përçartje pa lidhje ose vegime të frikshme. Vëzhguesi i jashtëm mund ta dallojë gjithashtu lehtësisht gjendjen e hutimit dhe dëshpërimit të plotë që zakonisht shoqëron çrregullime të tilla. Por, përveç kësaj, është gjithashtu e mundur që mendja e nënvetëdijshme të krijojë imazhe të kuptimshme dhe të organizuara mirë, të cilat kanë një mesazh për të përcjellë. Gjithashtu është e mundur që nënvetëdija të komunikojë me mendjen e vetëdijshme sikur ta bënte këtë me një qëllim të caktuar. Ajo që mbetet për t’u përcaktuar është mundësia që ndonjë faktor i jashtëm të ndikojë mbi mendjen njerëzore duke përdorur mekanizmin e saj të brendshëm.

Kërkimet dhe eksperimentet në shkallë të gjerë të kryera mbi baza shkencore nga parapsikologët kanë provuar se kjo është e mundur. Mendja e një personi mund të aktivizojë mendjen e një personi tjetër dhe ta drejtojë atë që të mendojë në përputhje me urdhrin e tij. Kërkimet mbi dukuri të tilla tani po kryhen në shumë universitete dhe, sipas rezultateve të këtyre studimeve, jo vetëm që kjo është e mundur, por ndodh rëndom në jetën e përditshme: ndonjëherë në mënyrë automatike dhe ndonjëherë nëpërmjet përpjekjeve të vetëdijshme, idetë e një personi mund të transmetohen në mendjen e një personi tjetër pa përdorimin e ndonjë mjeti material.

Hipnotizmi

Një hipnotizues mund të përqendrohet mbi mendjen e të tjerëve dhe të krijojë përshtypje, të cilat në të vërtetë janë vendosur në mendjet e tyre nga vetë hipnotizuesi. Siç vërehet zakonisht në shërimin psikik, qëllimi i hipnotizmit është që sekretet e fshehura të mendjes së një personi të dalin në sipërfaqe, ose që fuqia e mendjes së tij të nxitet për ta shëruar atë.

Shpesh ndodh që një pacient me çrregullime mendore ta ketë humbur guximin për t’u përballur me mendimet e veta shqetësuese. Ai i varros ato thellë, por jo aq thellë sa duhet. Ato qëndrojnë diku midis mendjes së vetëdijshme dhe asaj të nënvetëdijshme, në një gjendje trazimi. Me pak ndihmë nga jashtë, ai më në fund mbledh forcë të mjaftueshme për t’i nxjerrë ato në sipërfaqe dhe për t’u çliruar prej tyre. Kjo dukuri mund të krahasohet me një send të vogël që ka ngecur nën lëkurë dhe që, nëse nuk hiqet, mund të shkaktojë dhimbje dhe shqetësim të padurueshëm. Punën që kryen thika e kirurgut, në rastin e një pacienti psikik e kryen sugjerimi i hipnotizuesit.

Telepatia

Telepatia është një mënyrë tjetër e komunikimit paranormal, e cila nuk përdor asnjë sugjerim. Pa ndërmjetësimin e ndonjë mjeti të njohur shkencor, mendimet e një personi i transmetohen një personi tjetër, pa kontakt verbal ose pamor. Kjo ndodh si me dy pirunë akordues me të njëjtën frekuencë. Nëse njëri vihet në rezonancë, edhe tjetri fillon të rezonojë.

Nëse hipnotizmi dhe telepatia funksionojnë vërtet – dhe ka shumë prova se funksionojnë – atëherë përse Zoti nuk mund ta përdorë të njëjtin mekanizëm për t’ua transmetuar urdhrin e Tij njerëzve? Përse të mos jetë Ai në gjendje ta përdorë të njëjtin mekanizëm për t’ia përcjellë njeriut vullnetin e Tij?

Përvoja të tjera të nënvetëdijes

Ëndrrat janë një dukuri vërtet universale, e përbashkët për njerëzit e të gjitha vendeve dhe të gjitha epokave, por megjithatë ëndrrat nuk i përkasin vetëm një kategorie. Në shumicën e rasteve, ëndrrat janë produkt i psikikës njerëzore. Mënyra se si nënvetëdija përpunon rrjedhën e përditshme të të dhënave pasqyron shqetësimet dhe problemet me të cilat përballet një person i caktuar. Sot, studimi i ëndrrave ka shkuar shumë përtej epokës frojdiane të teorive. Po kryhen shumë kërkime me ndihmën e pajisjeve të përparuara elektronike.

Megjithatë, nga pikëpamja fetare, ekzistojnë dy lloje ëndrrash – ato që krijohen nga faktorë psikikë dhe ato që kanë prejardhje hyjnore dhe mbartin një domethënie më të thellë. Ato mund të paralajmërojnë fatkeqësi të ardhshme ose të sjellin lajme të gëzueshme. Ato mund të zbulojnë informacione për të cilat personi që i sheh nuk kishte kurrfarë dijenieje para asaj ëndrre të veçantë. Ëndrra të tilla e bëjnë edhe më të dukshme mundësinë e ekzistencës së një Qenieje të padukshme, të vetëdijshme, transcendente dhe të jashtme, e Cila, nëse dëshiron, mund të komunikojë me njerëzit për çfarëdo çështjeje që Ai zgjedh.

Mund të citohen prova të mjaftueshme nga përvojat fetare për ta vërtetuar këtë çështje. Por ata që nuk besojnë në fe do ta kenë të vështirë t’i pranojnë prova të tilla si të vlefshme. Kjo ndodh sepse pranimi i pohimit se një Fuqi e Vetëdijshme Mbinjerëzore mund të aktivizojë mendjen njerëzore do të ishte i barasvlershëm me besimin në ekzistencën e Zotit – një fakt ndaj të cilit një numër i madh mendimtarësh dhe shkencëtarësh laikë kanë një kundërshtim të skajshëm.

Problemi i dytë është se në shumicën e feve kjo dukuri përmendet me një frymë kaq të mbinatyrshme, të çuditshme dhe fantastike, saqë shkencëtarët e kanë të vështirë t’i bashkohen një besimi të tillë. Dramatizimi që ndjekësit u bëjnë përvojave shpirtërore të shenjtorëve dhe profetëve të së kaluarës nuk i shërben as çështjes së tyre dhe as çështjes së së vërtetës. Ai vetëm arrin ta errësojë dhe mjegullojë realitetin e këtyre komunikimeve hyjnore deri në atë masë, saqë nuk mund të vihet më një vijë e qartë ndarëse midis thurjes së fantazisë njerëzore dhe realitetit fisnik të përvojave shpirtërore.

Ndër Librat Hyjnorë, Kurani i Shenjtë, për shkak se është i lirë nga ndërhyrjet dhe ndryshimet, i trajton çështjet dhe përvojat shpirtërore në mënyrë të natyrshme dhe racionale, duke refuzuar kërkesën e jobesimtarit për dukuri të mbinatyrshme. Kur studiohen në dritën e rrëfimit kuranor, mrekullitë dhe shenjat nuk i shkelin kurrë ligjet e natyrës.

Për shembull, mrekullia e mirënjohur e Moisiut a.s., ndonëse nga Ithtarët e Librit besohet se kishte karakter të mbinatyrshëm, në Kuran paraqitet me një stil të thjeshtë, racional dhe faktik. Megjithatë, për të kuptuar domethënien e saj të thellë nevojitet më shumë sesa një vështrim kalimtar. Ajo nuk është e fshehtë në formulim, por domethënia e vërtetë u shpëton sidomos atyre që e lexojnë me idenë e paracaktuar se bëhet fjalë për një ngjarje të mbinatyrshme. Këtu po ilustrojmë mënyrën se si Kurani e trajton këtë mrekulli:

قَالَ أَلْقُوا ۖ فَلَمَّا أَلْقَوْا سَحَرُوا أَعْيُنَ النَّاسِ وَاسْتَرْهَبُوهُمْ وَجَاءُوا بِسِحْرٍ عَظِيمٍ  وَأَوْحَيْنَا إِلَىٰ مُوسَىٰ أَنْ أَلْقِ عَصَاكَ ۖ فَإِذَا هِيَ تَلْقَفُ مَا يَأْفِكُونَ فَوَقَعَ الْحَقُّ وَبَطَلَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ

(Musai) tha: “Hidhni!” E kur ata hodhën, i magjepsën sytë e njerëzve, i trembën dhe bënë një magji të madhe. Dhe Ne i shpallëm Musait: “Hidhe shkopin tënd!” Dhe ai (shkop) menjëherë filloi t’i gëlltiste gjithçka që ata kishin sajuar. Pra, u vendos e vërteta dhe ajo që ata bënin, doli e rreme. (Kurani i Shenjtë 7:117-119)

Këtu Kurani flet për një ngjarje në të cilën magjistarët e Faraonit përshkruhen se e hodhën magjinë e tyre jo mbi litarët që hodhën, por mbi sytë e shikuesve, gjë që është një përshkrim i qartë i mesmerizmit. Nuk bëhet fjalë për asnjë shkelje të ligjeve të natyrës. Për t’iu kundërvënë këtij iluzioni mesmerik, Zoti e përdori vullnetin e Tij më të fuqishëm nëpërmjet Moisiut a.s. për të thyer magjinë e hedhur nga magjistarët. Prandaj Kurani nuk pretendon se shkopi i Moisiut a.s. i përpiu vërtet litarët; ai thotë vetëm se shkopi i Moisiut a.s. përpiu atë që magjistarët kishin sajuar, pra imazhet e rreme të litarëve që dukeshin sikur ishin shndërruar në gjarpërinj.

I njëjti episod trajtohet në një sure tjetër, e cila hedh më shumë dritë mbi atë që ndodhi në të vërtetë:

قَالَ بَلْ أَلْقُوا ۖ فَإِذَا حِبَالُهُمْ وَعِصِيُّهُمْ يُخَيَّلُ إِلَيْهِ مِن سِحْرِهِمْ أَنَّهَا تَسْعَىٰ ‏ فَأَوْجَسَ فِي نَفْسِهِ خِيفَةً مُّوسَىٰ ‏ قُلْنَا لَا تَخَفْ إِنَّكَ أَنتَ الْأَعْلَىٰ ‎

(Musai) tha: “Jo! Hidhni ju.” Atëherë nga magjia e tyre papritmas iu duk që litarët dhe shkopinjtë e tyre sikur po vraponin. Musai ndjeu frikë brenda vetes. Ne i thamë: Mos u frikëso! Sigurisht, ti do të jesh mbizotëruesi. (Kurani i Shenjtë 20:67-69)

Në këtë ajet, Kurani flet për vetë Moisiun a.s. që ishte ndikuar nga fuqitë psikike të magjistarëve. Kjo nënkupton se Moisiu a.s. nuk mund ta kishte thyer magjinë e magjistarëve me fuqinë e mendjes së vet, kur hodhi shkopin e tij. Psikologjikisht është e pamundur që mendja ta thyejë magjinë e një mesmerizuesi që tashmë ka arritur ta nënshtrojë atë. Prandaj nuk mund të ketë qenë Moisiu ai që iu kundërvu magjisë së magjistarëve me vullnetin e vet.

Pikërisht ky aspekt i gjithë ngjarjes e shndërroi atë në një mrekulli. Përndryshe, çdo njeri me vullnet më të fortë mund t’i kishte dështuar drejtpërdrejt përpjekjet e magjistarëve. Askush nuk mund ta gjykonte këtë më mirë sesa vetë magjistarët, të cilët ishin në gjendje ta kuptonin se duhej të ishte Dora e Zotit që po vepronte në anën e Moisiut a.s. Ata e kishin parë Moisiun a.s. të binte nën ndikimin e tyre, njësoj si të gjithë shikuesit e tjerë. Atëherë, si mund të çlirohej vetë mendja e tij, si edhe mendjet e shikuesve, nga magjia e magjistarëve? Rastësisht, ky ajet heq gjithashtu perden nga të ashtuquajturat mistere të magjisë. Ajo që prodhuan magjistarët nuk ishin gjarpërinj të vërtetë të krijuar nga litarët dhe shkopinjtë, por vetëm një iluzion i krijuar nga fuqia e tyre psikike.

Shpallja është thjesht një emër tjetër për produktin e psikikës njerëzore, por vetëm atëherë kur ajo urdhërohet dhe kontrollohet nga lart, nga Vetë Zoti. Prandaj mund të arrijmë në mënyrë të arsyeshme në përfundimin se Zoti duhet ta ketë krijuar brenda mendjes njerëzore një sistem marrës kaq të përparuar dhe të ndërlikuar, me qëllimin përfundimtar që të komunikojë me të. Për rrjedhojë, shpallja hyjnore nuk ka në vetvete asgjë të çuditshme apo të panatyrshme.

Çdo mendje njerëzore është pajisur me aftësinë për të komunikuar me qeniet e tjera njerëzore nëpërmjet këtij mjeti jashtëshqisor të perceptimit. Është e rëndësishme që lexuesi të paralajmërohet se aparati i sofistikuar i lindur, për të cilin po flasim, funksionon me besueshmëri dhe siguri në përpjesëtim me shkallën e vërtetësisë së personit në fjalë. Imagjinata e një njeriu të rremë mund të marrë hov pa kufi, duke krijuar imazhe të gjërave joreale dhe pa substancë. Mendimet e tij të dëshiruara mund t’i krijojnë ëndrra të rreme, që janë thjesht produkt i psikikës së tij. Por një person që zakonisht është i drejtpërdrejtë, i ndershëm dhe i sinqertë ka shumë pak gjasa ta lejojë imagjinatën e tij të dalë jashtë kontrollit e të prodhojë vegime dhe tinguj kaotikë. Kjo është arsyeja pse i dërguari i zgjedhur nga Zoti për t’ia përcjellë mesazhin e Tij njerëzimit duhet të jetë absolutisht i sinqertë, i ndershëm dhe i besueshëm. Është integriteti i tij ai që garanton pastërtinë e papërzier të mesazhit. Prandaj, vërtetësia e marrësit luan rolin më jetik në ruajtjen dhe mbrojtjen e pastërtisë së shpalljes. Nuk është për t’u habitur që në të gjithë Librat Hyjnorë të gjithë profetët përshkruhen si mishërim i së vërtetës. Vërtetësia është prova më autentike e vërtetësisë së pretendimit të tyre dhe e vlefshmërisë së mesazhit që ata përcjellin.

Ndonjëherë një përvojë intuitive, pa zë ose vegim, në të vërtetë mund të jetë një lloj shpalljeje të jashtme. Shumë njerëz të shenjtë përshkruajnë përvoja të tilla, në të cilat humbasin vetëdijen për botën rreth tyre dhe zhyten në një gjendje të vetëdijes së brendshme. Më në fund, ata rikthehen në sipërfaqen e realiteteve të jashtme, duke sjellë me vete një mesazh, ashtu si një zhytës perlash del në sipërfaqe me një grusht perlash. Në dukje, në këtë rast personi përjeton nga brenda diçka që, në burimin e vet, nuk ka as fjalë dhe as imazhe. Është thjesht një përvojë e fuqishme dhe ekstazike, e cila, ndërsa del në sipërfaqe, fillon të vishet me petkun e fjalëve.

Megjithatë, ndikimi i saj mbi të është aq i fuqishëm, saqë duket sikur ai kishte dëgjuar dikë t’i fliste drejtpërdrejt dhe qartësisht gjatë orëve të vetëdijshme të zgjimit. Por shpallja e jashtme nuk mund të identifikohet thjesht nga përshtypja e marrësit ose nga mënyra se si ai e përshkruan atë përvojë. Përveç vërtetësisë së verifikuar dhe të mirëpërcaktuar të personit, i vetmi kriter i besueshëm është natyra e përmbajtjes. Nuk mjafton që marrësi të jetë i sinqertë; edhe përmbajtja e shpalljes duhet të mbartë brenda vetes dëshmi për vërtetësinë e saj.

Dallimi i përmendur më sipër ndërmjet përvojave psikike dhe shpalljes së vërtetë që vjen nga lart mund të mos kuptohet qartë nga dikush që nuk është i familjarizuar me këto çështje. Megjithatë, personi që e përjeton shpesh e dallon atë si një mesazh që vjen nga lart, sepse natyra e mesazhit nuk ka fare lidhje me njohuritë e tij personale dhe përvojën e tij psikike.

Por vërtetësia e shpalljes mund të përcaktohet në mënyrë më të besueshme nga njerëzit e tjerë me ndihmën e provave të jashtme. Provat e jashtme mund të jenë në dispozicion të njerëzve bashkëkohës, ose mund të mos jenë në dispozicion të tyre, sepse mund të shfaqen më vonë, kur të ndodhin gjërat që janë parashikuar. Askush nuk mund t’i kishte përfytyruar ato, sepse ato i përkasin një epoke të ardhshme të dijes dhe zbulimeve. Vërtetësia e shpalljeve të tilla në fakt synon t’i bindë njerëzit e epokave të mëvonshme, njohuritë e përparuara të të cilëve dëshmojnë për vërtetësinë e shpalljeve hyjnore të së kaluarës. Prandaj, edhe për vëzhguesit nuk është aspak e vështirë të bëjnë dallimin ndërmjet përvojave psikike, nga njëra anë, dhe komunikimit të vërtetë nga Zoti, nga ana tjetër.

Tani i drejtohemi një profecie të bazuar në shpallje hyjnore, e cila, megjithëse iu drejtua brezave bashkëkohës, përmbante një element befasues edhe për njerëzit e së ardhmes.

Rasti në fjalë mund të ilustrohet duke iu referuar një ëndrre të famshme të një mbreti të Egjiptit, e cila më pas u interpretua nga Profeti Jusuf (Jozef) a.s. Sipas Kuranit, kjo ëndërr iu tregua Jusufit a.s. [për interpretim], ndërkohë që ai po vuante një dënim me burg për një akuzë të rreme. Ishte një ëndërr e çuditshme, e cila i kishte hutuar dijetarët e mëdhenj të oborrit të mbretit, por nuk i paraqiti ndonjë vështirësi Jusufit a.s., i cili e kuptoi saktë mesazhin e saj të fshehtë. Ishte pikërisht ky interpretim i tij i mençur dhe mjeshtëror që më pas u mbështet dhe u vërtetua plotësisht nga ngjarjet e viteve pasuese.

Në ëndrrën e tij, mbreti kishte parë shtatë kallinj të shëndetshëm e të gjelbër dhe shtatë të tharë, në të cilët pothuajse nuk kishte fare kokrra. Ai pa gjithashtu shtatë lopë të dobëta që po përpinin shtatë lopë të tjera, të cilat ishin të fuqishme dhe të majme. Kur ua tregoi këtë ëndërr oborrtarëve të tij dhe kërkoi interpretimin e saj, ata e hodhën poshtë si përçartje të nënvetëdijshme të mendjes së tij, pa ndonjë domethënie.

Ndodhi që një shërbëtor i mbretit, i cili kishte vuajtur një periudhë burgimi së bashku me Jusufin a.s. në të njëjtin burg, ishte i pranishëm në atë rast. Edhe ai, gjatë kohës në burg, kishte parë një ëndërr të çuditshme, të cilën Jusufi a.s. e kishte interpretuar drejt, duke i treguar se së shpejti do të fitonte lirinë dhe do të kthehej përsëri në shërbim të zotërisë së tij, mbretit. Duke shpresuar se Jusufi a.s. mund të ishte në gjendje ta interpretonte edhe ëndrrën e mbretit, ai sugjeroi që ta dërgonin për ta takuar atë. Pasi mori leje, ai shkoi te Jusufi a.s. në burg dhe ia tregoi ëndrrën e mbretit. Jusufi a.s. e kuptoi menjëherë domethënien e saj dhe e shpjegoi atë në një mënyrë aq logjike saqë nuk mbeti asnjë paqartësi.

Kur u kthye te mbreti, shërbëtori ia tregoi interpretimin e Jusufit a.s., i cili ishte si vijon:

Gjatë shtatë viteve që do të fillonin nga koha e ëndrrës, Zoti do t’i derdhte bekimet e Tij mbi Egjiptin në formën e reshjeve të bollshme të shiut, duke sjellë prodhime dhe fruta me bollëk. Pas këtyre shtatë viteve me të korra të jashtëzakonshme do të vinin shtatë vite të dobëta, të shoqëruara nga thatësira. Këto vite do të sillnin një zi shkatërrimtare buke, nëse të korrat e shtatë viteve të mëparshme nuk do të ruheshin dhe të magazinoheshin për të kompensuar humbjet e viteve të thatësirës.

Ky interpretim e impresionoi aq thellë mbretin, saqë ai dha urdhër për lirimin e menjëhershëm të Jusufit a.s. Mirëpo, Jusufi a.s. zgjodhi të qëndronte në burg derisa të zhvillohej një hetim i drejtë dhe akuzat e rreme kundër tij të rrëzoheshin. Vetëm pasi u shpall i pafajshëm me nder dhe fajtorja e vërtetë e pranoi fajin e saj, ai pranoi të lirohej. Mbreti e nderoi në mënyrë të jashtëzakonshme dhe e emëroi ministër të financave dhe të çështjeve ekonomike në qeverinë e tij. Për habinë e të gjithëve, ngjarjet e parashikuara në ëndërr ndodhën pikërisht ashtu siç i kishte interpretuar Jusufi a.s., gjë që jo vetëm i shpëtoi banorët e Egjiptit nga fatkeqësia, por u solli dobi edhe fiseve nomade dhe popullsive të vendeve fqinje. Të njëjtat ngjarje çuan gjithashtu në ribashkimin e Jusufit a.s. me familjen e tij.

Një ëndërr e tillë, e shoqëruar më pas me përmbushjen e saj, në asnjë mënyrë nuk mund të hidhej poshtë si fantazia e një njeriu që kishte ngrënë tepër. Por për ta interpretuar atë, nevojitej një Jusuf a.s. Kjo duhet të mjaftojë për të ilustruar mënyrën se si Zoti e aktivizon mekanizmin e brendshëm psikik me një qëllim të caktuar. Kështu, Ai përcjell një mesazh të qartë dhe kuptimplotë dhe një pjesë nga sfera e së padukshmes transferohet në sferën e së dukshmes. Megjithatë, këtu duhet mbajtur mend se mekanizmi psikik për të cilin po flasim nuk përdoret vetëm nga Zoti ose nga mendja e nënvetëdijshme.

Kurani i Shenjtë përmend edhe një mundësi të tretë:

هَلْ أُنَبِّئُكُمْ عَلَىٰ مَن تَنَزَّلُ الشَّيَاطِينُ.  تَنَزَّلُ عَلَىٰ كُلِّ أَفَّاكٍ أَثِيمٍ .‏ يُلْقُونَ السَّمْعَ وَأَكْثَرُهُمْ كَاذِبُونَ

A t’ju tregoj për atë, të cilit shpesh i zbresin djajtë? Ata zbresin mbi çdo shpifës (dhe) mëkatar të madh. Këta e mbajnë veshin (te djajtë) dhe shumica e tyre janë gënjeshtarë. (Kurani i Shenjtë 26:222-224)

Sipas këtyre ajeteve, njerëzve të rremë dhe gënjeshtarëve të zakonshëm ky mekanizëm mund t’u aktivizohet nga prirja e tyre satanike dhe, në këtë mënyrë, gënjeshtra e tyre, e maskuar si shpallje, i çon në rrugë të gabuar si ata, ashtu edhe ata që i ndjekin. Kjo është kategoria e tretë e funksionimit të mekanizmit psikik. Faktori vendimtar do të jetë gjithmonë vërtetësia ose gënjeshtra e personit që u nënshtrohet përvojave të tilla. Njerëzit e rremë do të kenë shpallje të rreme. Prandaj, në analizën përfundimtare, shpallja e një personi të pavërtetë mund të dallohet gjithmonë nga elementi satanik që përmban dhe nga premtimet e rreme që jepen në të.

Shpërndaje
Share via