Edukimi i fëmijëve | Metoda praktike për edukimin e hershëm të fëmijës suaj
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
edukimi i femijeve metodat e edukimit te femijes

[Në vijim, ju sjellim vetëm një pjesë të vogël të fjalimit të Hazret Kalifit të Dytë të Xhematit Musliman Ahmedia, të cilin ai e mbajti më 27 dhjetor të vitit 1925, në Xhelsa Salanën e Kadijanit, Indi. Ky fjalim më vonë u botua me titullin “Minhaxhut-Talibin”, kurse në anglisht “Way of The Seekers”.]

Metodat e edukimit të fëmijës

[Në kapitullin paraardhës, autori flet për ligësitë që fëmija i trashëgon nga prindërit dhe për hapat që prindërit duhet të marrin për t’i larguar ato, përpara se t’u lindë fëmija. Më pas, ai vijon:]

Tani do t’ju tregoj metodat e edukimit të fëmijëve pas lindjes së tij.

1) Kur lind fëmija, hapi i parë i edukimit të tij është thirrja e ezanit. Këtë e kam sqaruar më sipër.

2) Fëmija duhet të mbahet i pastër. Urina e jashtëqitja duhen pastruar menjëherë nga ai. Ata që thonë se kjo është vetëm punë e grave, e kanë gabim. Më së pari këtë vëmendje duhet ta kenë burrat, që edhe gratë e tyre të veprojnë njëlloj. Burrat duhet t’i shpjegojnë gratë e tyre që fëmija që nuk mbahet i pastër, nuk mund të zhvillojë mendime të pastra. Por, zakonisht kjo gjë nuk merret parasysh.

Gratë nganjëherë kanë neglizhencë të rëndë në këtë drejtim. Gjatë angazhimeve të tyre e lënë fëmijën të me rroba me jashtëqitje dhe as nuk u intereson t’ia ndërrojnë. … Nëse nuk do të keni kujdes për pastërtinë e jashtme të fëmijës, si mund të arrihet pastërtia e tij e brendshme?! Por, nëse fëmija mbahet i pastër nga jashtë, kjo do të ndikojë pozitivisht tek ai dhe ai do të bëhet i pastër edhe nga brenda, sepse ato mëkate që lindin nga papastërtia e trupit, nuk do t’i afrohen.

Mjekësia e ka provuar që e keqja vjen në mendjen e fëmijës në radhë të parë për shkak të papastërtisë në trup. Kur organet gjenitale i ka të papastra, ai i kruan herë pas here. Kjo i jep një qetësi, pra një kënaqësi të fshehtë, dhe ai njihet me epshet para kohe. Por, nëse ai mbahet i pastër dhe që nga fillimi atij i mësoni duke thënë se këto pjesë të trupit duhen pastruar, atëherë ai deri në një shkallë të konsiderueshme, shpëton nga mëkatet që lindin nga epshet. Edhe kjo metodë e edukimit duhet praktikuar që nga dita e parë.

3) Fëmijën duhet ta ushqeni në kohët e caktuara. Kjo do t’i mësojë fëmijës t’i rezistojë dëshirat e tij, shprehi e cila do ta mbajë larg atë nga shumë mëkate. Vjedhja, rrëmbimi dhe shumë vese të kësisoj rrënjosen te njeriu për shkak se ai nuk arrin t’i frenojë dot dëshirat e tij të këqija, pasi ai nuk ka forcë për t’i rezistuar emocionet. Njëra prej arsyeve është që atij nuk i është dhënë një gjë e tillë që nga fëmijëria.

Nuk duhet që sapo të qajë fëmija, nëna menjëherë t’i jep qumësht, por t’i japë në kohët e caktuara. Ndërsa fëmijët më të rritur duhen mësuar të hanë bukë në kohët e caktuara. Kjo do ta ndihmojë fëmijën të fitojë këto veti:

(a) Do të ndërgjegjësohet për zbatimin e kohës.

(b) Do të mësojë të rezistojë dëshirat.

(c) Do të gëzojë shëndetin.

(ç) Do të mësojë të bashkëpunojë me të tjerët, sepse fëmija që ha bukë me gjithë të tjerët në kohën e caktuar, nuk do të jetë egoist.

(d) Nuk do të jetë ekstravagant. Kjo sepse fëmija që ha vend e pa vend, nuk mund të hajë gjithë ushqimin çdo herë, andaj, do të çojë dëm një pjesë të ushqimit. Kurse ai që ha bukë në kohën e duhur, e konsumon gjithë ushqimin. Në këtë mënyrë, fëmija do të mësojë të përdorë gjërat aq sa duhet dhe do të fitojë aftësi për të plotësuar dëshirat e tij me gjërat që ka në dispozicion.

(dh) Do të mësojë të luftojë lakminë. Në treg, për shembull, nëse fëmijës nuk i jepni çdo gjë që kërkon, ai do ta rezistojë dëshirën e tij, dhe kur arrin në moshën e pjekurisë, do të ketë si shprehi luftën kundër lakmisë

Po kështu, kur keni diçka për të ngrënë në shtëpi dhe fëmija e kërkon orë e çast, duhet t’i thoni që ajo do t’i jepet në kohën e bukës. Edhe kjo e aftëson të durojë dëshirat e tij.

(4) Edhe për të dalë në banjë, fëmija duhet të mësohet që të shkojë në kohë të caktuar. Kjo është mirë edhe për shëndetin e tij. Por gjëja më e madhe që ai fiton nga kjo veti është që organet e tij mësohen me zbatimin e kohës. Zorrët e tij do të mësohen që të nxjerrin jashtëqitjen në kohë. …

Fëmijët që janë mësuar me zbatimin e orarit, më vonë shumë lehtë mund të mësojnë të falin namazet në kohët e caktuara, të agjërojnë, etj., dhe nuk do të përtojnë kur vjen puna për të kontribuuar në çështjet shoqërore a kombëtare.

Veç kësaj, kjo e ruan fëmijën nga nervozizmi i panevojshëm, sepse një ndër arsyet kryesore të nervozizmit të shpeshtë e të panevojshëm është të mësuarit me parregullsi në orar, sidomos në vaktet e ushqimit. Për shembull, fëmija është duke lozur, ndërkohë vjen koha e bukës dhe nëna e thërret, por ai nuk vjen. Dhe kur vjen, nëna i thotë – Prit sa të ta bëj gati bukën. Por tani që ai është tepër i uritur, fillon të qajë e të nervozohet tejmase. Sepse ai ka ardhur për bukë atëherë kur nuk e duron dot më urinë. Prandaj, qan dhe bërtet.

5) Po kështu, ushqimin duhet t’i jepni në masë të caktuar. Kjo e mëson fëmijën me vetëmjaftueshmërinë dhe ia largon lakminë.

6) Duhet t’i jepni ushqime të llojllojshme. Jepni mishi, perimet e frutat, sepse ushqime të ndryshme sjellin morale ose karaktere të ndryshme te njeriu. Po, në fëmijëri, mishin duhet t’i jepni më pak dhe perimet më shumë, pasi mishi shkakton plogështi, të cilën njeriu gjatë fëmijërisë duhet ta ketë sa më pak.

7) Kur fëmija të rritet pak, duhet të mësoni punë të ndryshme në formë lojërash. Për shembull mund t’i thoni – Sille gotën. Çoje këtë atje. Jepja këtë filanit. etj.. Pra, në këtë mënyrë, mund të ngarkoni me punë të ndryshme. Por, atij duhet t’i jepni kohë për të lozur edhe vetë.

8) Fëmijës duhet t’i mësoni besueshmërinë. Për shembull, ka diçka para tij që ai e kërkon, por t’i thoni – Jo tani, do ta marrësh më vonë. Dhe nuk duhet t’ia fshihni atë. Sepse duke ju parë kështu, edhe ai ashtu do të mësojë, rrjedhimisht i krijohet vesi për të vjedhur.

9) Nuk duhet ta puthni shumë fëmijën. Puthje e lëpirje të tepërta shkaktojnë shumë vese të këqija tek ai. Kudo që shkon ai, do të kërkojë që njerëzit ta duan atë dhe kjo krijon në sërë dobësish morale tek ai.

10) Prindërit duhet të sakrifikojnë për hir të fëmijës. Për shembull, nëse fëmija është i sëmurë dhe nuk duhet të hajë dhe diçka të caktuar, atëherë edhe prindërit nuk duhet ta hanë dhe nuk duhet ta sjellin atë ushqim në shtëpi. Madje, duhet t’i thonë –Meqë ti nuk duhet ta hash, edhe ne nuk do ta hamë atë. Në këtë mënyrë edhe fëmija mëson të sakrifikohet për të tjerët.

11) Gjatë kohës kur fëmija është i sëmurë, duhet shumë kujdes. Sepse frika, kokëfortësia, nervozizmi, egoizmi, mospërmbajtja e emocioneve dhe shumë vese të tilla krijohen te fëmija shpesh për shkak të sëmundjeve të gjata.

Ka njerëz, për shembull, që janë shumë të afrueshëm në natyrë dhe kënaqen kur rrijnë me të tjerët, por ka edhe të tillë që nervozohen ashpër edhe sikur t’u kalojë njeri pranë tyre dhe i bërtasin duke thënë –  Largohu! Mos je qorr! etj.. Këto dobësi zakonisht vijnë për shkak të sëmundjeve të gjata. Gjatë sëmundjes së fëmijës, prindërit bëjnë çdo gjë që fëmija të ndihet i rehatshëm dhe vjen një kohë kur ai rehatinë e konsideron si ekskluzivitet për veten e tij.

12) Fëmijëve nuk duhet t’u tregoni përralla të frikshme, sepse ata mund të bëhen frikacakë dhe kur të rriten, nuk mund të bëjnë punë të guximshme. Nëse fëmija është bërë frikacak, duhet t’i tregoni përralla për trimërinë dhe ai duhet të shoqërohet e të luajë me fëmijët që kanë guxim.

13) Fëmijën nuk duhet ta lejoni që ai vetë të zgjedhë shokët e tij, por prindërit duhet t’ia zgjedhin shokët, duke marrë parasysh se shokët e tij duhet të kenë virtyte të larta. Kështu do të përfitojnë edhe prindërit, sepse shikojnë se fëmijët e kujt janë më të mirë moralisht.

Së dyti, në këtë mënyrë do të fillojë një bashkëpunim midis fëmijëve e prindërve, sepse kur prindërit kujdesen për përzgjedhjen e shokëve të fëmijës së tyre, ata detyrimisht do të kenë vëzhgim mbi moralet e të gjithë fëmijëve.

14) Në bazë të moshës së tij, fëmijës duhet t’i jepni disa punë me përgjegjësi, në mënyrë që ai të bëhet i përgjegjshëm.

Në një tregim të famshëm thuhet se ka qenë një njeri që kishte dy fëmijë. Njëherë ai i thirri që të dy dhe njërit prej tyre i dha një mollë duke thënë ta hante bashkë me vëllain. Fëmija e mori mollën dhe tek po largohej, e pyeti babai: “A e di se si duhet ta ndash mollën?” “Jo”, iu përgjigj djali.

“Ai që e ndan, do të marrë më pak për vete dhe tjetrit duhet t’i japë më shumë”, i tha babai. “Atëherë, jepja vëllait që ta ndajë mollën”, iu përgjigj fëmija.

Duket sikur fëmija e këtij tregimi tanimë kishte krijuar një ves, por ai gjithashtu ishte i vetëdijshëm që nëse i jepet një përgjegjësi, tjetrit duhet t’i japë përparësi. Për të zhvilluar këtë moral te fëmija, disa lojëra, si futboll etj., janë shumë të dobishme.

Megjithatë, duhet të vëzhgoni që gjatë lojës fëmija nuk duhet të marrë vese të tjera. Zakonisht shohim që prindërit e mbështesin fëmijën e tyre, kurse fëmijën e tjetrit e detyrojnë që të bindet. Ky gjest i tyre ua bën fëmijën më kokëfortë dhe ai mësohet të mos tërhiqet, derisa tjetri nuk i bindet atij.

15) Te fëmija duhet të krijoni mendimin se ai është i dëlirë dhe i mirë. Profeti Muhammed s.a.v.s. na ndriçoi këtë aspekt. Ai tha:

“Mos shani fëmijën, sepse kur e shani, engjëjt luten duke thënë: “ashtu qoftë!”, dhe ai ashtu bëhet.”

Kuptimi i këtij hadithi është që engjëjt shkaktojnë rezultatin e veprave të njeriut. Kur fëmijës i thoni: “Je i keq”, ai krijon përshtypje në mendjen e tij se me të vërtetë është i keq dhe, më pas, ai ashtu bëhet. Prandaj, nuk duhet ta shani fëmijën, përkundrazi, duhet t’i mësoni morale të mira dhe duhet ta përgëzoni atë.

Sot në mëngjes ime bije erdhi dhe më kërkoi para. Kur po ia jepja, ajo zgjati dorën e majtë. – Nuk është mirë të marrësh me dorën e majtë, i thashë. Më tha – “Po, gabova, nuk do ta bëj herën tjetër.” Në këtë rast, kur i kam bërë vërejtje, ajo u ndërgjegjësua menjëherë.

(16) Duhet të përpiqeni që fëmija nuk duhet të zhvillojë vesin e kokëfortësisë. Nëse fëmija tregohet kokëfortë për të marrë ndonjë gjë të caktuar, zgjidhja e këtij problemi është ta angazhoni fëmijën në ndonjë punë tjetër dhe, më pas, të zbuloni se përse ai u tregua kokëfortë dhe ta largoni arsyen.

(17) Fëmijës duhet t’i flisni me edukatë. Fëmija imiton çdo gjë. Nëse do t’i drejtoheni me fjalë të rënda, edhe ai kështu do t’ju drejtohet më vonë.

(18) Përpara fëmijës nuk duhet të gënjeni, nuk duhet të tregoheni mendjemadh dhe nuk duhet të flisni fjalë të rënda, sepse ai këto gjëra do t’i mësojë prej jush.

Zakonisht prindërit janë ata që i mësojnë fëmijës të gënjejë. Për shembull, nëna bën ndonjë veprim përpara fëmijës, por kur vjen babai, i thotë – nuk e kam bërë. Fëmija menjëherë mëson se si duhet të gënjejë. Nuk e kam fjalën që prindërit mund të gënjejnë në mungesë të fëmijës, por e kam fjalën që ata që nuk mund të ruhen dot nga këto vese në çdo kohë, të paktën të ruhen para fëmijëve të tyre, në mënyrë që vesin e tyre të mos ua japin brezit të ardhshëm.

(19) Fëmijën duhet ta ruani nga çdolloj lënde dehëse. Lëndët dehëse ua dobësojnë shumë muskujt fëmijëve. Po ky ves ua jep edhe vesin për të gënyer. Një njeri që përdor lëndë dehëse, mësohet të ndjekë verbërisht tjetrin.

Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. kishte një djalë në fisin e tij, i cili drogohej dhe nuk kishte asnjë lidhje me fenë. Ai solli një ditë një shok të tij dhe i tha Kalifit

– Këtë djalë do ta bëj siç jam unë.

– Po ti vetë je i prishur, pse do ta prishësh edhe këtë?! I tha Hazret Kalifi i Parë r.a.. Por ai nuk u tërhoq.

Më vonë, Kalifi r.a. e thirri shokun e tij dhe i tha

– Thirri mendjes! Pse rri me këtë njeri? Mëso ndonjë zanat!

Fjalët e tij ndikuan tek ai dhe ai u largua prej tij.

Por pas një kohe, ai solli edhe një djalë tjetër dhe i tha Hazret Kalifit të Parë r.a. – Po ma prishe edhe këtë, do të ta dijë vlerën!

Pra, sipas tij prishja ishte të ndaje atë djalë prej tij. Hazret Kalifi i Parë r.a. edhe atë e këshilloi shumë, madje tha – Të jap para, merri dhe mëso ndonjë zanat! Por ai nuk u përmirësua dot. Më në fund, Hazret Kalifi i Parë e thirri atë djalë dhe e pyeti

– Çfarë i ke bërë këtij?

– Këtij i jap drogë dhe për këtë arsye ai nuk ka fuqi as të më kundërshtojë, iu përgjigj ai.

Shkurt, lëndët dehëse ia heqin njeriut tërësisht vullnetin e mirë.

Gënjeshtra është sëmundja më e keqe, sepse ajo mund ta kapë fëmijën në mënyra shumë të imëta. Andaj, duhet të përpiqeni ta ruani fëmijën veçanërisht nga gënjeshtra.

Ka disa shkaqe, që e krijojnë këtë ves te fëmija në mënyrë të vetvetishme. Për shembull, truri i fëmijës ka një forcë të madhe krijimtarie. Çdo gjë që dëgjon fëmija, fillon të krijojë një realitet të saj konkret në mendjen e tij. Motra ime në fëmijëri çdo ditë na tregonte ndonjë ëndërr të gjatë. Ne çuditeshim se si mund të shikonte ajo ëndrra të tilla përditë. Në fund kuptuam që çdo mendim që i vinte para se të flinte, ajo e quante ëndërr. Pra, fëmija çdo gjë që mendon, krijon një realitet të saj dhe, edhe kështu, me kalimin e kohës mësohet të tregojë gjëra të paqena.

Prandaj, duhet që t’i thoni herë pas here fëmijës që mendimi është gjë tjetër dhe realiteti është gjë tjetër. Nëse fëmija vetëdijsohet se çfarë është mendimi e çfarë është realiteti, do të përpiqet të ruhet edhe nga gjërat e paqena.

(20) Fëmijët duhet t’i ndaloni të luajnë të mënjanuar.

21) Fëmijët nuk duhet t’i lini të zhveshur.

22) Duhet t’i edukoni fëmijët që gjithmonë të pranojnë fajin. Metodat e kësaj pune janë:

a) Mos mbuloni fajet tuaja përpara tyre.

b) Nëse fëmija bën ndonjë gabim, tregoni dhembshurinë ndaj tij dhe bëjeni që të kuptojë se ai i ka shkaktuar humbje të madhe vetvetes, dhe për këtë arsye ju po tregoheni të dhembshur ndaj tij. Pra, duhet t’ia mësoni butësisht se gabimi i tij i shkaktoi këtë humbje.

(c) Për të parandaluar gabime të tilla në të ardhmen, bisedoni me fëmijën në atë mënyrë që ai të kuptojë se gabimi i tij i futi në vështirësi prindërit. Për shembull, për humbjen që ka shkaktuar fëmija, jepini paratë që ai ta paguajë para jush. Kjo do ta bëjë atë që të mësohet se gabimet kanë pasoja dhe ato nuk janë të mira. Shlyerja është një doktrinë shumë e keqe, por sipas meje, për të edukuar fëmijën në raste të tilla, është shumë e nevojshme.

ç) Fëmijën kur ta qortoni, qortojeni duke e marrë diku tjetër vetëm për vetëm.

23) Fëmijën duhet ta bëni “pronar” të një “pasurie”. Kjo do t’i japë fëmijës këto virtyte:

a) Ai do të mësojë të japë lëmoshë.

b) Do të mësojë të kursejë.

c) Do të mësojë të ndihmojë të afërmit. Për shembull, jepni fëmijës 30 lekë, e thuajini – Bli diçka me 10 lekë dhe haje duke ndarë me shokët; bli një lodër me 10 lekë dhe 10 lekë të tjera jepi lëmoshë!

24) Po kështu, fëmijët duhet të kenë një “pasuri” të përbashkët. Për shembull, jepuni ndonjë lodër dhe thojani – Kjo është për ju të gjithë! Luani bashkë dhe mos e prishni. Kjo e mëson fëmijën të ruajë pasuritë kombëtare.

25) Herë pas here fëmijës duhet t’i mësoni edukatën, rregullat, kulturën etj..

26) Duhet të kujdeseni që fëmija të bëjë edhe ushtrime fizike e të bëhet i fortë fizikisht, sepse kjo i bën dobi njësoj edhe në zhvillimin material të jetës, edhe në pastrimin e tij shpirtëror.

Sipas përkufizimit të moralit dhe të spiritualitetit që ju kam dhënë më sipër [në kapitullin paraardhës të këtij libri], fëmija i edukuar dhe i pasur me vlera shpirtërore do të quhet ai që do të ketë vetitë e mëposhtme:

1) Të jetë një person me morale dhe që kujdeset për anën shpirtërore të tij.

2) Të jetë i aftë t’i aftësojë edhe të tjerët me këto veti.

3) Të jetë i aftë të ndjekë në bazë të rregullave të Xhematit.

4) Të ketë dashuri të sinqertë me Allahun e Madhërishëm, dashuri e cila të mbizotërojë të gjitha dashuritë e tjera tek ai.

Kriteret për të parë nëse fëmija ka arritur pikën e parë, janë:

a) Kur të rritet, ai të zbatojë Fjalët e Allahut të Madhërishëm pikë për pikë, duke pasur bindje e respekt ndaj tyre.

b) Të jetë i vendosur, në mënyrë që të mos bjerë në sprovë në të ardhmen.

c) Të jetë i aftë për t’u kujdesur për jetesën dhe për të mbrojtur jetën e tij.

ç) Të jetë i aftë të mbrojë pasuritë dhe pronat e tij, dhe të përpiqet në këtë drejtim.

Kriteret për pikën e dytë, janë:

a) Të japë shembullin e tij pozitiv me virtyte e morale të larta.

b) Të marrë pjesë në edukimin e të tjerëve dhe në përçimin e mesazhit te ta.

c) Të mbrojë mjetet e tij që të mos prishen, madje t’i përdorë ato për hir të Islamit dhe të Xhematit.

Kriteret për pikën e tretë, pra për të parë nëse fëmija është i aftë të ndjekë rregullat e Xhematit, janë:

a) Të kujdeset për shëndetin e tij.

b) Të mbrojë pasuritë dhe interesat e Xhematit.

c) Të mos bëjë diçka që u cenon të drejtat të tjerëve.

d) Të jetë i aftë të durojë si shpërblimet, ashtu edhe vendimet kundër tij.

Kriteret për pikën e katërt, janë:

a) Të ketë dëshirë për të mësuar Fjalën Hynore dhe ta respektojë atë.

b) Emri i Zotit të Madhërishëm duhet ta bëjë atë të respektojë dhe të heshtë në çdo situatë.

c) Pavarësisht se jeton në këtë botë, të jetë i ndarë nga bota.

ç) Jeta e tij të tregojë shenja të dashurisë për Zotin.

Pas edukimit të fëmijës, mbetet pyetja: Si mund të largohet mëkati nga ata që tanimë e kanë? Kësaj do t’i përgjigjem në vijim.

(Marrë nga Minhaxhut-Talibin, “Envarul-‘Ulum”, vëll. 9, Kadijan, 2008, f. 201 – 208.)

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp