Zbulimi i së padukshmes dhe Kurani Famëlartë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

(Komentimi i Kuranit)

“Kur varret do të zhvarrosen.” (El-Infitar 5:82)

Sikundër patë, që ajeti (vargu) i sures (kapitullit) El-Zilzal, flet haptas për nxirjen e thesareve të fshehura prej tokës, ky ajet i sures El-Infitar tregon për zbulimin e monumenteve arkeologjike.

Por nuk është vetëm ky ajet që hedh dritë mbi këtë temë. Ne e zgjodhëm këtë për shkak të natyrës së tij profetike, përndryshe, ka shumë ajete të tjera në Kuranin Famëlartë që, në mënyrë të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejtë, tërheqin vëmendjen e njeriut për shumë qytetërime dhe civilizime të varrosura e të lashta. Ato nxisin njeriun që t’i zhvarrosë të mbeturat e tyre dhe të studiojë shkaqet që ua sollën shkatërrimin e tyre përfundimtar.

profecia

Dy ajetet e para të sures El-Takvir të poshtëshënuara, parashikojnë që Islami do të ketë pësuar rënie, para se të fillojë epoka e re:

“Kur dielli do të paloset. Dhe kur yjet do të errësohen.” (El-Takvir 81:2-3)

Duhet të kemi parasysh se dielli dhe yjet që janë përmendur në këto ajete, simbolizojnë Islamin dhe njerëzit e tij të mëdhenj. Kurani i Madhërishëm e quan Profetin Muhammeds.a.v.s. سِرَاجًا مُّنَیْرًا “Siraxhan munira”, që fjalë për fjalë do të thotë “dielli ndriçues”, gjithashtu, duke iu referuar es-habëve të tij që përfituan nga drita e tij, Profeti Muhammed s.a.v.s. i quan yjet, të cilët, në mungesën e diellit, hedhin dritë të mjaftueshme për udhëzimin e të humburve:

اَصْحَابِیْ کَانُّجُوْمِ فَبِاَیِّھِمُ اقْتَدَیْتُمْ اِھْتَدَیْتُمْ

“Es-habët e mi janë si yje. Cilindo do të ndiqni, do të gjeni rrugën e drejtë.”[1]

Pra, kur është fjala për ndërprerjen e dritës së diellit, do të thotë rënia e Islamit, sepse Profeti Muhammed s.a.v.s. është shëmbëlltyra e tij e gjallë. Në të njëjtën mënyrë, edhe errësimi i yjeve, flet për kohën kur dijetarët e fesë islame nuk do të jenë më të aftë për ta përhapur dritën e Islamit. Ajetet që vijojnë, e mbështesin fuqimisht këtë komentim. Njëkohësisht, në mënyrë të pandryshueshme, ato parashikojnë edhe zhvillimet shkencore, politike dhe shoqërore të kësaj kohe. Nëse pjesën e parë të kësaj sureje do ta marrim në mënyrë josimbolike, atëherë pjesa e dytë ndesh në kundërshtim me të parën dhe jep një pamje të paqartë.

Pra, parashikimi i këtyre zhvillimeve të jashtëzakonshme, në fushën e dijes, do të bëhet bashkë me paralajmërimin e palosjes së diellit dhe errësimit të yjeve. Këto janë dy gjëra të ndara që aplikohen për zhvillimet e ardhshme në dy sfera të ndryshme. Me pak fjalë, pjesa kryesore e kësaj sureje, në njërën anë, flet për zhvillimin material të botës së krishtere, që historikisht do ta pasonte zbulimin e Amerikës, ndërsa në anën tjetër, dy ajetet e para japin një pamje krejtësisht kontraste që i përket fatit të fesë Islame. Pyetja që shtrohet është: Pse Islami do të fillojë të bjerë vetëm pas zbulimit të Amerikës? Nëse do ta gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, do të jetë e mjaftueshme për mbështetjen e interpretimit tonë rreth ajeteve të lartpërmendura.

Viti 1492, siç e kemi theksuar edhe përpara, është gur kufiri më i rëndësishëm që  ndan botën e vjetër nga ajo e re. A mund të provojmë gjithashtu se edhe rënia e Islamit kishte arritur në kulmin e saj pikërisht në atë vit, në mënyrë që, çdo lexues të mund ta dallojë fare lehtë lidhjen midis të dyjave? Po, ne mund ta provojmë dhe gjykimi nuk është i yni, as i ndonjë myslimani tjetër. Gjykimi është i faktit historik, që u dëshmua vetë nga historianët e krishterë. “The Chronicle of the World” (“Kronika e botës”) nënvizon faktin më dallues të atij viti lidhur me fenë islame si më poshtë:

“Pas një fushate dhjetëvjeçare, Granada, i vetmi shtet islamik që kishte mbetur në Spanjë, ka rënë në duart e ushtrisë kastiliane. Rrethimi i qytetit po festohet nga të krishterët si “dita më e shënuar dhe më e bekuar në tërë historinë e Spanjës”. Ndërkohë, myslimanët e quajtën si katastrofa më e llahtarshme që i erdhi Islamit.”[2]

“Granada, qyteti i fundit i Perandorisë myslimane të Spanjës, që i bëri ballë për dy vjet mësymjes së të krishterëve, më në fund u pushtua nga Ferdinandi dhe Isabella.”[3]

Këtu mori fund mbretëria myslimane që qeveriste Spanjën, vazhdimisht prej shtatëqind vitesh.

Pas mbarimit të sundimit politik mysliman, në vitin 1492, Kisha filloi një fushatë të organizuar për ta shfarosur Islamin. Ndonëse dominimi mysliman mbaroi në mënyrë të beftë pas një sundimi të zgjatur për më shumë se pesëqind vjetësh, ndikimi që Islami kishte ndërtuar gjatë këtyre pesë shekujve të mëparshëm, nuk mund të zhbëhej brenda një ose dy vitesh. Kishte një numër të madh Maoresh, që ishin të përhapur gjatë gjithë terrenit kodrinor jugor të Andaluzisë, që siguronin zona shumë të izoluara për Islamin. Kishte edhe një numër më të madh spanjollësh të konvertuar në Islam, që ishin jo pak të sinqertë dhe të përkushtuar në praktikimin e Islamit se sa pushtuesit e tyre nga Arabia dhe Afrika. Ishin pikërisht ata më shumë se çdo të mbetur të fesë së tyre, që provonin një irritim jo tolerant ndaj klerit të krishterë, që ishte dëshpëruar gjatë viteve për t’i shkatërruar ata ose besimin e tyre.

Ishte Khemenies apostulli më në zë i Kishës Militante, i cili,

“do të shpëtonte shpirtrat e këtyre “të pafeve” nga zjarri i ferrit, pavarësisht nëse ata e donin apo jo.”[4] 

Ai fiksoi

“në mendjen e shenjtë të Isabellës, doktrinën intriguese që për ta mbajtur besimin me të pafetë po thyente besimin me Zotin.”[5]

Ai ishte

“… jo një njeri që të tërhiqej i lehtë nga qëllimi i tij. Ai nxiti Mbretëreshën të përhapte një dekret me anë të të cilit Maorëve u ishte dhënë e drejta e zgjedhjes të pagëzoheshin ose të mërgonin. Atyre iu kishin kujtuar që të partë e tyre dikur kishin qenë të krishterë dhe kjo nga pikëpamja e origjinës, ata vetë kishin lindur në kishë dhe duhet të pohonin në mënyrë të natyrshme doktrinën e saj.”[6]

Kështu filloi fillimi i fundit të Islamit në Spanjë, të cilit iu desh dyqind vjet të përshkonte rrugën e tij të vdekjes.

“Xhamitë u mbyllën, dorëshkrime të panumërta që përmbanin rezultate epokash të mësimeve maore u dogjën nga kardinali i pamëshirshëm, dhe “të pafetë” e trishtuar u kërcënuan dhe u rrahën në Paqen e Ungjillit sipas mënyrës të aprovuar tashmë nga Madhëritë e tyre katolikë, në lidhje me çifutët jo më pak të mjerë. Shumica, sigurisht u dhanë, duke e parë më të lehtë për të shpëtuar fenë e tyre dhe shtëpitë e tyre; por një shkëndijë e shpirtit të vjetër maor mbeti duke çliruar dritë midis njerëzve të kodrave të Alpuxarras …”[7]

“ … sundimtarët e Spanjës nuk ishin as të zgjuar as të ndershëm në tratativat e tyre me Maorët, ndërsa koha kalonte, ata u bënë për herë e më shumë mizorë dhe të rremë. “Të pafetë” u urdhëruan të linin kostume të tyre karakteristike dhe të mbanin kapelat dhe shiritat e të krishterëve, të hiqnin dorë nga larja dhe të adaptonin pisllëkun e pushtuesve të tyre, të linin gjuhën, zakonet, ceremonitë madje edhe emrat e tyre dhe të flisnin spanjisht, të silleshin në mënyrë spanjolle dhe të merrnin emra spanjolle.”[8]

“Ishte rezervuar për Filipin e Dytë të vinte në praktikë ligjin tiranik të cilin i ati tij, e kishte lënë mënjanë me maturi. Në vitin 1567, ai futi me forcë udhëzimin e urryer për gjuhën, zakonet etj. dhe për të siguruar vlefshmërinë e ndalimit të larjes, filloi duke rrafshuar banjat e bukura të Al-Hambrasë.”[9]

“Në dimrin e vitit 1569-70 ai (Don Gjoni) filloi fushatën e tij dhe në muajin maj kushtet e dorëzimit ishin rregulluar. Muajit midis kësaj periudhe, ishin njollosur me një lumë të skuqur gjaku. Motoja e Don Gjonit ishte “asnjë lagje”; burra, gra, fëmijë u theren me urdhër të tij dhe para syve të tij fshatrat e Alpuxarras u kthyen në kasaphanë njerëzore.”[10]

 “Shumë të mërguar fatkeq, vdiqën gjatë rrugës nga uria, lodhja, ekspozimi në natyrë, të tjerët arritën Afrikën, ku mund të lypnin lëmoshë por nuk mund të gjenin tokë për të jetuar…”[11]

Është deklaruar se jo më pak se tre milion Maorë u dëbuan që nga koha e rënies së Granadës deri në dekadën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Kronikani arab, me pikëllim kujton këtë goditje vendimtare: ‘I Plotfuqishmi nuk u lut t’iu siguronte atyre fitore, kështu që ata u kapën dhe u therën nga të gjitha anët, deri sa më në fund u vunë përpara nga toka e Andaluzisë, katastrofa e të cilëve erdhi deri në ditët tona, në vitin 1017 Hixhri. Sigurisht Zotit i përkasin tokat dhe zotërimet dhe Ai iu jep atyre, të cilët Ai i dëshiron.’”[12]

“Maorët u dëbuan; për pak kohë Spanja e krishtere ndriçoi, si hëna, me dritë të huazuar, pastaj erdhi eklipsi dhe në këtë errësirë, Spanja po endet e sikletosur prej kohësh.”[13]

Kështu, Stanley Lane-Poole nxjerr përfundimin në historinë e tij të The Moors in Spain (“Maorët në Spanjë”). Dielli i dominimit politik mysliman në Spanjë që kishte perënduar në vitin 1492, i lënë pas, ai dukej një muzg i zymtë i përgjakur, të cilit iu desh dy shkuj që të davariste dritën e Islamit nga qielli i Spanjës dhe ta kthente atë në një natë pa yje.

Sa për iluminizmin sekular i sjellë në Spanjë nga përhapja e qytetërimit mysliman, nuk vazhdoi gjatë.

Kështu që, viti 1492 hapi dy porta njëherësh, nga njëra prej tyre, e ardhmja dominuese e krishterimit hyri me një madhështi brohoritëse në botë, ndërsa nga tjetra, doli kokëvarur e kaluara madhështore e Islamit, çdo hap i kthimit të të cilës, i shkaktonte vuajtje të padurueshme.

Ajeti i katërt flet për lëvizjen e maleve nga një vend në një vend tjetër:

“Dhe kur malet do të lëvizen.” (El-Takvir 81:4)

Në terminologjinë islamike, malet simbolizojnë fuqitë e mëdha të botës. Ka shumë ajete të tjera në Kuranin Famëlartë që flasin për malet më të njëjtin konotacion. Kështu që, me ajetin  konkret, që flet për lëvizjen e maleve, ne do të fillojmë të njohim çfarë do të ndodhte në ditët e vona. Menjëherë pas rënies së Islamit, do të binte një natë pa yje, për të pasuar agimi i një dite të re, që nuk do të ishte e Islamit. Superfuqitë materiale jo vetëm që do të ngriheshin, por do të përhapnin influencën e tyre nga një territor në një territor tjetër; nga një kontinent në një kontinent tjetër, duke mbuluar kështu shtet pas shteti. Malet lëvizen në sensin e tyre vetëm në këtë mënyrë dhe ato, me të vërtetë, kanë lëvizur.

Lëvizja e maleve mund të ketë edhe një kuptim tjetër, por për këtë temë do të flasim më vonë. Tani, meqë kemi nisur të rishikojmë ndryshimet e mëdha, të cilat sipas kësaj sureje të Kuranit Famëlartë, ishin destinuar të ndodhnin në atë kohë, ne do të shtjellojmë temën shkallë-shkallë, sipas renditjes së ajeteve të Kuranit.

Lidhur me temën e lëvizjes, kuptimi i ajetit të pestë është mjaft i qartë. Ajeti thotë:

“Dhe kur devetë, dhjetë muajsh shtatzëna, do të braktisen” (El-Takvir 81:5)

Në këtë kontekst, profecia e braktisjes së deveve shpjegon qartazi, se mjetet më të shpejta e më të fuqishme të transportit do të shpikeshin në atë kohë. Skenari i lëvizjes së maleve nga një vend në një vend tjetër, domethënë përhapja e influencës së superfuqive nga një kontinent në një kontinent tjetër, lidhet drejtpërdrejt me çështjen e braktisjes së deveve.

Duhet të kemi parasysh se lëvizja e maleve nënkupton edhe transportimin e ngarkesave shumë të mëdha, si dhe përhapjen e influencës së superfuqive politike në botë. Të dyja këto, detyrimisht kërkojnë mjetet më të avancuara të transportit sesa devetë. Derisa njeriu nuk do të kishte gjetur të tilla mjete të reja transporti, do të ishte budallallëk nëse ai do t’i braktiste mjetet e tij të vjetra, sado të dobëta të ishin ato. Duke braktisur devetë, ai në asnjë mënyrë nuk mund të mbartte ngarkesa aq të mëdha si male mbi shpinën e vet.

Pra, i vetmi konkluzion që del nga ky ajet është, se mjetet shumë më të shpejta mekanike do të shpikeshin, duke i lënë jashtë përdorimit kafshët si mjet i transportit.

Mos ta harrojmë se, devetë mund të simbolizojnë vetëm mjetet tokësore të transportit. Dikush mund të thotë se përse nuk u përmendën edhe anijet, varkat, etj? Çfarë zbulimi të madh bëri Kurani, për sa i përket parashikimit të mjeteve detare? Këtyre pyetjeve do t’u përgjigjemi pak më vonë. Hëpërhë, dëshirojmë ta shohim ajetin vijues që flet për grumbullimin e të gjitha llojeve kafshëve:

“Dhe kur egërsirat do të grumbullohen.” (El-Takvir 81:6)

Përmendja e grumbullimit të kafshëve, menjëherë pas braktisjes së deveve, është mjaft interesante. Kjo është një tjetër dëshmi që devetë nuk do të braktisen pavarësisht nga dobitë e tyre. Grumbullimi i kafshëve, realisht, e mbështet më tej të njëjtën ide, atë të shpikjes së mjeteve revolucionare të transportit. Sigurisht, të gjitha kafshët e egra nuk mund të transportoheshin mbi shpinën e devesë. Askush nuk mund të imagjinojë dot elefantët, rinoqerontët, gjirafat, krokodilët, balenat e kaltra, oktapodët gjigantë etj, duke udhëtuar me deve. Transportimi i tyre mund të ishte i mundur vetëm nga shpikja e mjeteve të transportit të epokës sonë. Ajeti që vijon e shtjellon akoma më shumë temën e transportit:

“Dhe kur detet do të derdhen fort (njërin mbi tjetrin).” (El-Takvir 81:7)

Fjala arabe “suxh-xhirat” që është përmendur në këtë ajet, sipas fjalorit “Lane”, mund të përkthehet në tri variante të mëposhtme:

Dhe kur detet do të mbushen.

Dhe kur detet do të derdhen fort njërin mbi tjetrin.

Dhe kur deteve do t’u vihet zjarr.

Për sa i përket kuptimit të parë, detet do të mbushen do të thotë, ato do të mbushen me enët. Në këtë mënyrë, ky ajet gjithashtu mbart të njëjtin profeci që u përmend në ajetet e mëparshme. Këtë interpretim do ta shtjellojmë më shumë kur do t’i rikthehemi temës.

Momentalisht, ne do të marrim kuptimin e dytë nga tri kuptimet e lartshënuara, që flet për bashkimin e deteve. Këtë profeci e sqarojnë më shumë dy ajetet e Kuranit që vijojnë:

“Ai ka lëshuar dy dete që të takohen (një ditë),  por, midis tyre ka një pengesë (tani) që nuk mund ta kapërcejnë.” (Er-Rrahman 55:20-21)

“Është Ai që ka lënë të lira dy dete, njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, në mes të tyre (tani për tani) ka një pengesë e kufi të prerë.” (El-Furkan 25:54)

Këto dy pjesë të Kuranit janë marrë nga sure të ndryshme. Secila prej tyre paralajmëron ngjarje të ndryshme të bashkimit të dy deteve. Pikërisht kështu ndodhi në kohët moderne, kur bota ka dëshmuar përmbushjen e këtyre profecive në atë mënyrë që kurrsesi nuk mund t’i shkonte ndër mend njeriut të kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s. Kjo u realizua nga gërmimi i Kanalit Suez gjatë viteve 1859-1869, si dhe ai i Kanalit Panama gjatë viteve 1903-1914.

Kuptimi i tretë që jep skenarin e deteve me zjarr nuk është më pak interesant sesa i pari. Edhe këtë, në asnjë mënyrë nuk mund ta përfytyronte dot njeriu i katërmbëdhjetë shekujve të mëparshëm. Kjo ide mund t’i lindte vetëm njeriut të asaj kohe kur kishin filluar luftërat detare, në të cilat do të shkëmbeheshin sulme të forta prej zjarri. Çuditërisht, gjatë luftërave detare të kohës moderne, anijet përdoren aq shumë saqë ato sikur mbushen në det dhe të japin po atë pamje që është kuptimi i parë i ajetit konkret.

Kuptimi i tretë, pra ai i vënies së zjarrit në dete, sot realizohet me të vërtetë. Nga fuçitë e saj, nafta derdhet në det në një sasi të madhe dhe asaj, zakonisht i vihet zjarr, në mënyrë që të mos kërcënohet jeta e peshqve në ujë. Në raste të tilla, në kuptimin e plotë të fjalës, mijëra km2 të detit pushtohet nga zjarri.

Ajeti tjetër nga sureja El-Takvir na çon edhe më tej, duke mbartur përsëri të njëjtën ide. Kësaj radhe nuk flitet për grumbullimin e kafshëve, por mesazhi qendror i ajetit vijues është se do të bashkohen njerëzit:

“Dhe kur njerëzit do të bashkohen.”(El-Takvir 81:8)

Edhe ky ajet mund të ketë tri kuptime njëherazi:

Kur njerëzit ose popujt do të bashkohen nëpërmjet lidhjeve (traktateve) të ndërsjella.

Kur do të bashkohen popujt e të gjithë botës.

Kur bashkimi i popujve do të jetë i mundur fal mjeteve më të shpejta të transportit.

Secili nga këto kuptime është realizuar qartas. Vetëm në epokën tonë, traktatet ndërkombëtare praktikisht i bashkojnë të gjitha vendet e botës, pa përjashtim. Ndaj, ky interpretim është vërtetuar shumë qartë dhe nuk ka nevojë të shpjegohet më.

Në të njëjtën mënyrë, themelimi i Ligës së Kombeve, që më vonë u zëvendësua me Kombet e Bashkuara, gjithashtu është një bashkim përparimtar dhe përfundimtar i botës, siç ishte parashikuar.

Për sa i përket kuptimit të tretë të kësaj profecie, pak më lart folëm për mjete të reja të transportit që me të vërtetë tërë botën e zvogëluan në një qytet.

Para se të vazhdojmë më tej, do të jetë e udhës të ndalemi këtu për të përmendur një profeci tjetër, e cila gjithashtu ka lidhje me bashkimin e popujve. Ajo profeci flet për kthimin e Bijtë e Izraelit në Tokën e Premtuar në ditët e vona:

“Dhe pas tij, u thamë Bijve të Izraelit: “Vendosuni në këtë tokë; dhe kur të arrijë (koha e) premtimit të ditëve të vona, do t’ju sjellim të grumbulluar.”(El-Isra 17:105)

Në vitin 70 e.s., shteti i hebrenjve mori fund me shkatërrimin e Jerozalemit nga romakët. Që atëherë, hebrenjtë u shpërndanë në botë, duke u shpërngulur nga njëri vendi në tjetrin. Pikërisht kësaj diaspore unanime i referohet ajeti i Kuranit Famëlartë, kur deklaron se një ditë hebrenjtë do të grumbullohen nga gjithë bota duke u mbledhur edhe një herë në Tokën e Shenjtë. Ky është një premtim i Zotit që do të plotësohet. Deri tani, ne kemi parë se në ç’masë u plotësua ky premtim, një ngjarje e tillë nuk ishte shënuar më parë. Në asnjë periudhë të historisë hebraike, nuk ka ndodhur më parë, siç ndodhi gjatë kohëve të fundit që ata përsëri u grumbulluan nga të gjitha vendet pas një diaspore, duke krijuar shtetin izraelit.

Kthehemi sërish te sureja El-Takvir, nga e cila u larguam për pak. Le të marrim ajetin nëntë që është në vijim. Edhe ky, si dhe ajeti dhjetë na japin skicë të së njëjtës epoke, së cilës iu referuan ajetet e mëparshme nga këndvështrime të ndryshme.

“Dhe kur foshnja-femër e varrosur për së gjalli do të pyetet: për çfarë faji ishte vrarë?” (El-Tekvir 81:9-10)

Nga injoranca e tyre, disa arabë ndiheshin tepër të poshtëruar kur u lindte vajzë dhe nga turpi, kishte raste që edhe e kishin varrosur për së gjalli. Shoqëria nuk kishte asnjë të drejtë të ndërhynte në rrethana të tilla, sepse i ati gëzonte fëmijët e tij sikur të ishin pasuri.

Sipas këtij ajeti, në epokën e ditëve të vona do të sundojë ligji dhe në këtë ajet, flitet në veçanti për të drejtat e grave. Pra, Kurani nuk e parashikon vetëm një sundim të përgjithshëm të ligjit, sepse për të, mjaftonte një fjali e thjeshtë lidhur me zbatimin e ligjit. Ndërsa ajeti i Kuranit sqaron diçka më tepër, e cila nuk mund t’i shpëtojë lexuesit pa vënë re. Burrat nuk mund të kenë mundësi për të luajtur me të drejtat e grave, ky është mesazhi i fortë i këtij ajeti. Në asnjë kohë të njerëzimit, të drejtat e grave nuk morën kaq shumë rëndësi sa në epokën tonë.

Të gjitha veçoritë e ditëve të vona të zhvilluara sistematikisht nga ky kapitull i Kuranit kanë një renditje kaq harmonike, sikur të ishte një pikturë e ndonjë mjeshtri. Realisht, zhvillimet e vazhdueshme shkencore që janë përmendur në këto ajete, do të kishin lidhje shumë të ngushtë me shoqërinë dhe teknologjinë e ditëve të vona. Ajeti i tetë (të sures El-Tekvir) fliste për grumbullimin apo mbledhjen e njerëzve nëpërmjet mjeteve të ndryshme.

Edhe ajeti i njëmbëdhjetë, pas përmendjes së zhvillimeve shoqërore dhe politike, flet për të njëjtën temë, por duke iu referuar mjeteve që do të bashkonin njerëzit në mënyrë akoma më të fortë, ato janë botimet e shumta të literaturës, gazetave, revistave etj. Sigurisht, të gjitha mjetet e transportit, që kemi përmendur më lart, luajtën rolin e tyre shumë efektiv për bashkimin e njerëzve në të gjithë botën, por roli i shtypit nuk mund të zëvendësohet me asnjë mjet tjetër për të bashkuar njerëzit. Nëse do ta eliminoni rolin dhe impaktin e shtypit nga kjo botë, pavarësisht nga shkurtimi i rrugëve, njerëzit edhe një herë do të izolohen tërësisht. Ajeti në vijim parashikon pikërisht për mjetet e shtypit, botimet masive dhe median:

“Dhe kur librat do të publikohen dhe shpërndahen.” (El-Takvir 81:11)

Ky ajet gjithashtu bën profeci për shpikjen e shtypit modern, pa të cilin dorëshkrimet nuk mund të publikoheshin në mënyrë aq të gjerë dhe as nuk mund të shpërndaheshin.

Veç kësaj, botimi kolosal i librave gjithashtu shënon një epokë të përhapjes së dijes, shkencës dhe hulumtimit. Kurani Famëlartë thekson kaq shumë rolin e fuqishëm të pendës saqë, ia atribuon drejtpërdrejt Zotit për t’i mësuar njeriut si të shkruajë. Ajetet që po shënojmë më poshtë janë pikërisht nga sureja (kapitulli) e parë që iu shpall Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe që prerazi deklaron:

“Lexo! Dhe Zoti Yt është më i Nderuari, i Cili me anë të penës ia mësoi; ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (EL-Alak 96:4-6)

Ajetet e mësipërme, nëse lexohen në kontekst me ajetet që kemi në diskutim, na del qartë që epoka e ditëve të vona do të jetë epoka e zhvillimit dhe përparimit të dijes, epoka e institucioneve arsimimi, si shkollat, kolegjet dhe universitetet.

Ajeti i parë i Kuranit, duke bërë një hyrje, na prezanton Zotin si më i Nderuari, sepse Ai i mësoi njeriut me anë të penës, gjë që në lë të nënkuptojmë se pena do të jetë burimi i të gjithë diturisë, radhazi dija do të jetë burimi i të gjithë madhështisë dhe nderit. Këtu, nuk duhet të harrojmë se këto shpallje i kanë ardhur atij njeriu që kurrë nuk kishte mësuar të përdorte penë në jetën e tij. Ishte pena e Zotit që shkroi veprën e Kuranit, e jo pena e Muhammedit s.a.v.s. Një tjetër kuptim që del nga ky ajet është se dija do të bëhet mjeti i përftimit të fuqisë dhe se ajo do të dalë më e mprehtë se shpata.

Ajeti vijues i sures El-Takvir parashikon se dija e njeriut do ta përshkojë edhe qiellin:

“Dhe kur qielli do të zhvishet”. (El-Takvir 81:12)

Ky ajet paraqet një krahasim tragjik midis gjendjes së Islamit në atë kohë dhe ngritjes së fuqive të krishtere materiale, kur drita e diellit të Islamit do të zbehet dhe yjet e qiellit të myslimanëve do të errësohen. Ndërkohë, bota materiale jomyslimane, do të fillojë të ngjitet në lartësitë qiellore për të zbuluar sekretet e gjithësisë.

Ky skenar na kujton edhe disa ajete të tjera të Kuranit Famëlartë, që gjithashtu parashikon një epokë, në të cilën, do të ketë qarkullim edhe në hapësirë. Më poshtë do t’i shënojmë ato ajete:

“Për qiellin plot me rrugë”. (Edh-Dharijat 51:8)

“Dhe për ato që dërgohen njëra pas tjetrës. Dhe për ato që lëvizin me shpejtësi, sikur janë shtrëngata të shpejta. Dhe për ato që propagandojnë propaganda të shkëlqyera. Dhe për ato që bëjnë dallim dhe diskriminim (midis mikut dhe armikut)”. (El-Murselat 77:2-5)

Këto dhe kësisoj shumë ajete të tjera japin një tablo të qartë të një qielli që do të përdoret gjerësisht për qarkullimin ajror. Qielli që do të ketë rrugë, në të cilin mesazherët do të mund të fluturojnë nga një vend në një vend tjetër. Do të jetë koha e propagandës ajrore, aq gjerë saqë njeriu do të mund të fluturojë me anë të krahëve të ajrit. Pasi t’i ketë përmbushur atij ëndrra e fluturimit, njeriu patjetër do të dëshirojë ambicie të larta, do të lançojë stacione dhe posta në hapësirë për të monitoruar e mbikëqyrur çdo gjë që ndodhë në gjithësi rreth tij. Ajeti që vijon, e ilustron akoma më qartë këtë fazë të zhvillimit të njeriut në fushën e shkencës dhe teknologjisë, nëpërmjet të cilave, ai do të mund të shohë hapësirë të pafund të gjithësisë.

“Ata nuk e përgjojnë dot dhomat hyjnore të larta, dhe qëllohen nga të gjitha anët. Zmbrapsje!  Për ta do të kenë vuajtje të përhershme”. (Es-Saf-fat 37:9-10)

Lidhur me ambicien e njeriut për ta nënshtruar hapësirën deri në skajet e saj, Kurani i bënë këtë sfidë që është përmendur në ajetin që vijon.

Para së ta shënojmë ajetin përkatës, është e nevojshme të sqarojmë natyrën ligjërimore të tij. Përkthimi i tij: “O shoqëri të xhindeve dhe njerëzve” nuk bën drejtësi të duhur me mesazhin që përcjell ajeti. Fjala “xhind” nuk shënon ndonjë qenie të përbindshme, ndryshe nga njerëzit. Sikundër e kemi sqaruar më parë (në kapituj të tjerë të librit), kjo fjalë përdoret shpesh nga Kurani për njerëzit e shtresës së lartë, karshi fjalës “en-nas” që përdoret për njerëzit e thjeshtë. Prandaj, domethënia e vërtetë e këtij ajeti do të përcillet më mirë, nëse ai do të përkthehet kështu: “O shoqëri të fuqive kapitaliste dhe o shoqëri proletariate”.

Tani, do ta shënojmë ajetin dhe përkthimin e tij që kemi marrë nga përkthimi i Kuranit, të Maulavi Sher Aliut:

“O company of Jinn and men! If you have power to go beyond the confines of the heavens and the earth, then do go. But you cannot go save with authority.” (Përkthimi i ajeteve 55:34, nga Maulavi Sher Ali)

“O shoqëri të xhindeve dhe njerëzve, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një autoritet.” (Er-Rrahman 55:34)

Me modesti, ne do të sugjerojmë që një përkthim më i mirë i pjesës së fundit të ajetit mund të ishte “përveçse me anë të logjikës deduktive më të fortë”, që do të thotë se njeriu mund të përshkojë skajet e gjithësisë me anë të dijes së tij, edhe pse ai nuk mund të shkojë fizikisht. Kemi argumentet e mëposhtme në mbështetjen e konkluzionit tonë:

Në fakt, përkthimi në anglisht që thotë “save with authority” (përveçse me një autoritet) mund të shtrembërojë e të devijojë edhe mesazhin kryesor që mbart ajeti Kuranor. Në arabisht është fjala “sultan”, që nuk do të thotë vetëm “autoritet”, por ajo ka edhe kuptimin “mbret”, “argument i pathyeshëm” dhe “logjikë e fortë”. Kështu që, ky ajet ka kuptimin se njeriu mund të përshkojë kufijtë e gjithësisë nëpërmjet logjikës didaktike të fortë.

Ajo që është mohuar tërësisht në këtë ajet, nuk është një a dy hedhje të shkurtra në hapësirë. Por, mohohet mundësia e arritjes së njeriut deri në kufijtë e gjithësisë me trupin e tij fizik. Përveç kësaj, rreziqet që u dalin anijeve kozmike janë përmendur edhe në ajetin që vijon:

 “Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tym dhe ju nuk do të ndihmoni dot veten”. (Er-Rrahman 55:36)

Ky ajet, me të vërtetë, jep një pamje shumë të qartë të rrezeve kozmike, e jo të flakëve të zakonshëm të zjarrit.

Pas shpjegimit të ajetit të dymbëdhjetë të sures El-Takvir bashkë me ajetin sures Er-Rrahman, le t’i kthehemi sërish sures El-Takvir.

Është një koincidencë e çuditshme që sapo komentuam ajetet e sures Er-Rrahman që alarmojnë për sulme të vazhdueshme zjarri, dhe pikërisht e njëjta temë na parashtrohet nga ajeti i trembëdhjetë i sures El-Takvir, që është në vijim:

“Dhe kur xhehenemi do të flakërojë”. (El-Takvir 81:13)

Në këtë ajet zjarri i xhehenemit nënkupton ato luftëra që të japin përshtypje sikur u hapën portat e xhehenemit. Realisht, ky ajet është një alarm dhe ky është i vetmi komentim i mundshëm brenda kontekstit të ajeteve që komentuam dhe që japin paralajmërime më të rëndësishme të kësaj kohe. Përndryshe do jetë absurde që njeriut t’i thuhet që në një kohë të caktuar, kur do të ndodhin kësisoj ndryshimesh në këtë botë dhe në të njëjtën kohë zjarri i xhehenemit të flakërojë në ndonjë botë tjetër.

Pra, rendi i profecive, në këtë mënyrë, arrin në përfundimin e tij të logjikshëm. Zhvillimi material, sado masiv të jetë, nuk mund t’i sjellë asnjë dobi njeriut, nëse ai i fiton ambiciet materiale duke paguar pëlqimin e Zotit. Ora e ndëshkimit duhet të vijë dhe ta godasë njeriun, pavarësisht nga i gjithë përparimi i tij material. Asnjë fatkeqësi natyrore nuk do të vijë nga qielli për ta ndëshkuar kaq rëndë, saqë xhehenemi i ndezur vetë prej tij. Egoizmi i tij do t’i krijojë tensione të tilla botërore, që medoemos përfundojnë në një ferr luftërash.

Pas vëzhgimit mbi historinë e dy Luftërave Botërore, ky interpretim nuk duket më thjesht një zbërthim i hamendshëm, por kërcënim i një rreziku vërtet të rëndë. Ky shkallëzim i deritanishëm e dallon shkoqur kontrastin midis rënien tragjik të Islamit dhe ngritjen e forcave jomyslimane. Ajeti që është në diskutim, përshkruan sheshit se pushtimi global i materializmit nuk do të zgjasë përjetësisht. Rënia e të gjitha fuqive jomyslimane do të shkaktohet nga rritja e armiqësisë së tyre të ndërsjellë, që do të arrijë në kulm duke sjellë katastrofa të lemerishme, të shkaktuara vetë prej tyre. Luftërat do të pasojnë njëra pas tjetrës, herë duke u ndezur, herë duke u shuar dhe do t’i shndërrojnë në hi superfuqitë e botës e t’i bëjnë ato që të shkrumbohen vetë.

Dy Luftërat e para Botërore kanë shtypur tashmë madhështinë e pasfidueshme të këtyre superfuqive, ndërsa kombet e dobëta e të varfra relativisht kanë dalë me mendimin për të gjetur diçka nga dinjiteti i tyre të humbur. Ekuilibri ende është i mbajtur për të mos shkaktuar ndonjë fazë kritike. Por, edhe pse ngadalë, koha sigurisht që është duke ecur drejt një revolucioni global. Pikërisht ai revolucion parashikohet në Kuran që të jetë edhe revolucioni përfundimtar i Islamit. Që t’i mos mendojë dikush këto thënie si të stërzmadhuara dhe të pabaza, në kapitullin vijues, ne do të sjellim disa dëshmi të forta që do të heqin dyshimet e tilla.

Në bazë të shumë ajeteve të Kuranit Famëlartë, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. paralajmëroi haptas rezultatin përfundimtar të përplasjes botërore që do të ndodhte në ditët e vona. Këtë paralajmërim, ai e jep në kuadër të shfaqjes së Dexhxhalit, anti-Krishtit. Por, në fillim duhet të sqarojmë se figura e Dexhxhalit, siç na përcillet në hadithet (thëniet) e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., me të vërtetë nuk është aq përrallore siç mund të duket në pamje të parë. Ai e përshkruan Dexhxhalin sikur të përbëhej nga fuqia dhe madhështia e kombeve shumë të fuqishme.

Në të vërtetë, e gjithë epoka e ditëve të vona, sipas Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., është epoka e anti-Krishtit. Të gjitha shenjat janë përmendur duke iu referuar atij. Njëra ndër shenjat e tij, në mënyrë specifike lidhet me mjetet e transportit të kohës moderne, për të cilat, njeriu i mëparshëm as nuk mund të imagjinonte dot. Një studim i hollësishëm i përshkrimit të Dexhxhalit, sqaron mjaft qartë se të gjitha paralajmërimet që i referohen, nuk flasin për një personalitet të vetëm.

Termin Dexhxhal që përdori Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. është një metaforë që simbolizon fuqitë madhështore të kohës moderne dhe arritjet e tij, që realisht janë një sërë kombesh të krishtere shumë të përparuara e të fuqishme në botë. Por, epërsia e tyre nuk do të zgjasë përjetësisht. Gjithashtu, me fjalë jo të paqarta, është paralajmëruar edhe rënia përfundimtare e anti-Krishtit, që i simbolizon ato kombe të epërme. Pikërisht nga gërmadhat e botës së materializmit, do të lindë përsëri dielli i Islamit duke zbuluar bukurinë e saj të ndritur dhe duke hequr perdet e dyshimit e mosbesimit, të cilat e kishin mbuluar për disa shekuj të zymtë.

Tani do të flasim përsëri për temën e mjeteve revolucionare të transportit, por kësaj radhe do të diskutojmë duku iu referuar thënieve të Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. Për shenjat e tjera të anti-Krishtit, sidomos ato që kanë rëndësi fetare, do të flasim gjerësisht, por veçmas, në një kapitull tjetër.

Mjetet e transportit qofshin tokësore, detare apo ajrore, të gjitha pa përjashtim janë përmendur në atë mënyrë që përkojnë plotësisht me komentimin e ajeteve të Kuranit që paraqitëm pak më parë. Madje, edhe çështja e lëvizjes së maleve sqarohet në mënyrë që do t’i kujtohen lexuesit vetvetiu, ajetet përkatëse të Kuranit Famëlartë. Përshkrimi që i bëri Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. anti-Krishtit dhe gomarit të tij tipik, me të cilin ai do të udhëtojë, duhet të ketë qenë shumë i çuditshëm për njerëzit e kohës së tij. Kështu duhet të ndodhte, sepse ai vazhdimisht i referohej një gomari, ndërkohë asnjë nga cilësitë e zakonshme të gomarit nuk gjenden në të. Por, të gjitha mjetet e transportit të kohës moderne, i përgjigjen në mënyrë të përsosur këtij përshkrimi.

Vetia e përbashkët e këtyre mjeteve të transportit është se ato lëvizin përmes motorit me djegie, duke marrë energji prej zjarrit. Edhe motorët me djegie të jashtme, si lokomotivat me avull, gjithashtu varen nga zjarri. Sigurisht, kjo është vija e prerë dhe ndarëse midis mjeteve të transportit prej kafshësh dhe mjeteve revolucionare të kohës moderne, të kohës së anti-Krishtit, që njëkohësisht do ta zbulojë se ai nuk është një kafshë, por diçka jo e gjallë. Ne do t’i adresohemi me përemrin “ai”, vetëm sepse në paralajmërim, në kuptimin e plotë të fjalës, ai është përshkruar si një hajvan. Realisht, ai mund të identifikohej vetëm nga kjo shenjë. Nëse do ta njihni gomarin e anti-Krishtit, ju do të zbuloni mjetet e transportit të kohës moderne, përndryshe, do të ktheheni përsëri në epokën e gomarëve. Më poshtë, do të jepet një prezantim i përbërë që është marrë nga hadithet (thëniet e Profetit s.a.v.s.):

Ashtu si gomari i tij, edhe anti-Krishti do të jetë kaq masiv dhe gjigant, për të cilin, as në përrallat nuk duhet të ketë dëgjuar. Ai do të jetë kaq i gjatë, saqë koka e tij do të përshkojë edhe retë. Ai do të jetë kaq i fuqishëm, saqë gjithë botën mund ta nënshtrojë vetëm.[14]

Pavarësisht nga aftësitë e tij të jashtëzakonshme fizike, ai do të ketë një cen, do të jetë krejtësisht qorr me syrin e tij të djathtë.[15]

Gomari nuk do jetë vetëm mjeti personal i anti-Krishtit, por ai do të jetë në shërbim të gjithë njerëzit si një mjet i transportit. Njerëzit do të futen në barkun e tij, përmes hyrjeve të posaçme që ai do t’i ketë anash tij.[16]

Barku i tij do të jetë mjaft i ndriçuar dhe i pajisur me ndenjëse të rehatshme.[17]

Gomari do të lëvizë me shpejtësi të jashtëzakonshme duke bërë edhe rrugë të gjata vetëm në disa ditë ose orë, që mjeteve kafshore do t’u duhen disa muaj për t’i bërë.[18]

Gjatë rrugës, ai do të ketë ndalesa të rregullta. Në çdo ndalesë, do të ftojë njerëzit që të futen në të dhe të ulen para se ta rinisë udhëtimin e tij dhe gjithashtu, për çdo nisje do të njoftohen me zë të lartë. [19] Shkurt, ky gomar simbolik do të udhëtojë vazhdimisht nga vendi në vend duke iu shërbyer njerëzve si një mjet i shpejtë dhe i rehatshëm i transportit.

Pasagjerët që do të ulen në barkun e tij, nuk do t’i prekë zjarri me të cilin ushqehet gomari. [20] Kjo tregon që kabinat që do të ketë në barkun e tij, do të jenë të izoluara mirë nga zjarri.

Ky gomar do të mund të udhëtojë edhe në det dhe do të kalojë nga një kontinent në një kontinent tjetër, duke lundruar përmes valëve të detit.[21]

Gjatë lundrimit të tij në det, ai do të zmadhohet aq shumë, saqë mund të transportojë mbi shpinën e tij edhe malet me ushqim. Shpesh, ai do të jetë i përcaktuar për t’u sjellë furnizime të mëdha të ushqimit atyre kombeve të varfra që do t’i nënshtrohen vullnetit të anti-Krishtit.[22] Do t’ju kujtojmë se transporti i ngarkesës madhështore të ushqimeve ishte përmendur në ajetin Kuranor që flet me metaforë për një kohë kur malet do të lëvizin.

Ky gomar i çuditshëm di edhe të fluturojë, sepse për të është përmendur se mund të hedhë hap nga Lindja në Perëndim. Është përshkruar se një hap i këtij hajvani do të jetë në Lindje dhe hapi tjetër do gjendet në Perëndim.[23] Kjo distancë midis dy hapave të tij, tregon qartazi se ai do të ngrihet nga një kontinent dhe do të zbresë në kontinentin tjetër.

Gjatë fluturimit, ai do të lundrojë mbi retë.[24]

Në ballin e tij, ai do të bartë hënën.[25] Hëna simbolizon qartazi fenerët që shumica e mjeteve moderne e kanë.

Pas leximit të këtij përshkrimi të gjallë të gomarit të anti-Krishtit, të cilin ai do ta përdorë për pushtimin e tij në mbarë botën, do të çuditeshim nëse lexuesi ende kërkon shpjegime për ta zbuluar se kush është ai!

Me të vërtetë, kombet e krishtera të superfuqishme që janë përmendur me titullin Dexhxhal,[26] do të sundonin tërë botën një ditë. Gomari i lëvizshëm prej zjarri, që herë luan rolin e aeroplanit, herë të anijes dhe herë të trenit, duke lëvizur me shpejtësi të jashtëzakonshme, do të luante rolin kyç për pushtimin e superfuqive të krishtere në gjithë botën. Përveç spikatjes së përparësisë së shpejtësisë, në kuadër të luftës ndërkombëtare për epërsi, edhe avantazhi i peshëngritjes është përmendur në Kuran:

“Pastaj, sa i përket atij, pjatat e të cilit do të peshojnë shumë, ai do të ketë një jetë të këndshëm.” (El-karia 101:7-8)

Ato kombe, sa më shumë të shtohen në peshë dhe sa më shumë të jenë të shpejta, aq më i pashmangshëm do të bëhet pushtimi i tyre në botë. Pra, vetëm pesha dhe shpejtësia e lëvizjes do të kenë përparësi në këtë rrugë drejt triumfit.

Këto profeci janë aq unike, saqë është e vështirë të gjeni shembullin e tyre në paralajmërimet hyjnore të ndonjë feje tjetër.

Përshkrimi i këtyre profecive është aq i qartë, i gjallë dhe i saktë, saqë të jep përshtypje të një piktori, i cili, me panelin e tij, paraqet atë që sheh. Pikërisht në këtë mënyrë, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. na e paraqiti me fjalë piktoreske atë që u zbulua para syve të tij.

Me këtë, do të mbyllim diskutimin mbi serinë e profecive që përmban sureja (kapitulli) El-Tekvir i Kuranit Famëlartë. Tani, do t’ju paraqesim disa profeci akoma më të rëndësishme, që tregojnë karakteristika të tjera interesante të kësaj epoke. Secila nga ato profeci, lidhet me një temë të ndryshme specifike dhe që janë shpalosur në sure të ndryshme të Kuranit Famëlartë.

(Mirza Tahir Ahmad “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth” (“Shpallja Hyjnore, arsyetimi, dija dhe e vërteta”)  f. 586-612, UK, 1998)

Holokausti bërthamor – Profeci e Kuranit

[/su_box]


[1]. Mishkatul Masabih, vol. 1, kapitulli III, Kitab El-Menakib, Bab Menakibus sehabah, botuesi “El-Mektabul Islami”, Beirut.
[2]. “Chronicle of the World”, (1989) “Chronicle Communications Ltd. and Longman Group UK Ltd., f. 436.
[3]. “Chronicle of the World”, (1989) “Chronicle Communications Ltd. and Longman Group UK Ltd., f. 436.
[4].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 270.
[5].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 270.
[6].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 270-271.
[7].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 271.
[8].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 273.
[9].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 273.
[10].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 278.
[11].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 279.
[12].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 279.
[13].  LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 280.
[14]. Allama Ala-ud-din Ali El-Muttaki (1480-1567), “Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 604 e 613, Beirut, 1979.
[15].  Imam Muslim Bin El-Hajjaj Bin Muslim El-Kushairi El-Naisapuri, (821-875)“Sahih Muslim”, Kitab-ul-Fitan, Bab Dhikrid-Dexhxhal ua Sifatihi ua ma ma’ahu.
[16].  Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[17].  Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[18].  Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.
[19].  Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[20].  Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[21].  Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.
[22].  Imam Muhammad Bin Ismail El-Buhari (810-870), “El-Sahihul Buhari”, Kitabul Fitan, Bab dhikrid dexhxhal.
[23]. Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.
[24]. Allama Ala-ud-din Ali El-Muttaki (1480-1567), “Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 613, Beirut, 1979.
[25].  Allama Ala-ud-din Ali El-Muttaki (1480-1567), “Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 613, Beirut, 1979.
[26].  Imam Muslim Bin El-Hajjaj Bin Muslim El-Kushairi El-Naisapuri, (821-875)“Sahih Muslim”, Kitab-ul-Fitan, Bab Dhikrid-Dexhxhal ua Sifatihi ua ma ma’ahu.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp