El-Fatiha ju mëson se si mund të arrini kënaqësinë në namaz
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
kurani leximi i kuranit

Sureja El-Fatiha

el-fatiha namazi

  1. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
  2. Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve;
  3. të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit;
  4. Sunduesit të ditës së gjykimit.
  5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
  6. Na udhëzo në rrugën e drejtë.
  7. Në rrugën e atyre që i bekove, që nuk tërhoqën zemërim dhe që nuk devijuan. (El-fatiha 1-7)

Kënaqësia në adhurim

Shumë miq nga vende të ndryshme shpesh më bëjnë pyetje se si mund të arrihet kënaqësia gjatë adhurimit apo gjatë namazit? Disa prej tyre e bëjnë thjesht për ta shuar etjen e tyre të dijes dhe kështu, pa asnjë druajtje, vazhdimisht më pyesin në letrat e tyre, ndërsa disa, me sa duket, vërtet janë nën një presion të madh, të cilët, pra, përpiqen dhe mundohen shumë por prapë nuk e gjejnë dot kënaqësinë e adhurimit. Disa janë edhe të tillë, të cilët, si duket kanë arritur deri te dera e jashtme e adhurimit dhe, duke mos gjetur kënaqësinë e vërtetë, janë gati ta braktisin adhurimin. Sikur ata më bëjnë një kërcënim të fundit: “a ke mundësi të na shpëtosh, duke shpjeguar sesi mund ta arrijmë kënaqësinë gjatë adhurimit, se po u kthyem mbrapa nuk do ta kemi fajin ne?”

Këtyre miqve të mi unë shkurtimisht u jep përgjigje. Por kjo temë është kaq e rëndësishme që edhe pse unë e kam shtjelluar më përpara, mendoj se duhet ta shpjegoj herë pas here para xhematit, duke sjellë aspekte të ndryshme të saj.

Në fjalimin e sotëm, këtë çështje do ta shpjegoj në raport me Suren El-Fatiha. Në fakt, keni zgjidhje për të gjitha pyetjet në El-Fatiha. S’ka ndonjë problem që nuk e zgjidh kjo sure. Prandaj ajo quhet El-Fatiha, d.m.th. ajo që hap çdo gjë. Nëse do ta studioni mirë suren El-Fatiha, mund të gjeni çelësin për çdo problem që ka kjo botë. Do t’ju bëj një paraqitje të shkurtër të kësaj sureje.

El-Fatiha gjithashtu quhet “Umul Kitab” d.m.th. “Nëna e Kuranit të Shenjtë”. Pastaj ka edhe shumë emra të tjerë. Ajo ka shtatë ajete dhe flet për shtatë tema.

Çdo njëri, në çdo rekat të namazit të tij, e përsërit suren El-Fatiha. Kjo është ajo sure që përmban zgjidhjen për çdo problem. Edhe kjo është një çështje, për të cilën shpesh bëjnë pyetje se nëse ne do ta përsërisim të njëjtën sure vazhdimisht, çdo ditë, do të lodhemi. Të njëjtat fjalë, pa asnjë ndryshim! Ndërsa të krishterët vetëm një herë në javë, d.m.th. të dielave shkojnë në kishë dhe dëgjojnë (fjalët e Biblës). Kurse muslimanët çdo ditë, në çdo namaz të pesë vakteve, e madje në çdo rekat të tyre e përsërisin suren El-Fatiha. Njeriu lodhet nëse ha të njëjtin ushqim çdo ditë. […]

Kurani i Shenjtë e quan suren El-Fatiha si “Nëna e Librit (e Kuranit)” dhe si “Shtatëvargjshi i përsëritur”. Pikërisht për këtë arsye Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. i obligoi muslimanët që ta përsërisin suren El-Fatiha në çdo rekat të çdo namazi.

7 temat e përmendura në suren El-Fatiha

Tani do t’jua tregoj se si është e mundur që kjo sure e përsëritur të përmbajë përgjigjet e të gjitha pyetjeve. Duke u nisur nga kjo pikëpamje, kërkon shumë kohë që ta komentoj këtë sure. Por do të përpiqem t’ju bëjë shkurtimisht një paraqitje të saj, në mënyrë që ju vetë të mendoni pastaj për këtë dhe të fitoni kënaqësinë e saj.

Ndër ato shtatë tema që janë përmendur në suren El-Fatiha, katër janë atributet e Zotit të Madhërishëm, ka një betim të adhurimit ndaj Tij dhe një kërkesë për ndihmë prej Tij dhe gjithashtu një kërkesë tjetër për udhëzimin. Këto janë shtatë gjëra që janë përmendur në të.

El-hamdulil-lahi Rabb-il-Alemin. Err-Rrahman. Err-Rrahim. Maliki Jeumiddin. D.m.th. (“Lavdia është e Allahut, Zotit (Rab) të botëve; të Gjithëmëshirshmit (Rrahman), Mëshirëbërësit (Rrahim); Sunduesit (Malik) të Ditës së Gjykimit.” (E-Fatiha)

Lavdërimi

Fjala “El-hamd” që është përmendur këtu ka lidhje me të gjitha temat. Atributet e Zotit janë katër, por lavdërimi është lidhur shumë ngushtë dhe për gjithmonë me ato atribute. Madje ai lidhet edhe me temat e tjera që vijojnë më pas. Kështu që, vetë lavdërimi është, si të thuash, një ngjyrë e sures El-Fatiha. Për këtë arsye ajo gjithashtu quhet sureja “El-Hamd”(d.m.th. Lavdërimi).

Lavdërimi kryhet çdoherë kur ne falënderojmë dikë. Prandaj kurdoherë ne duam të falënderojmë Zotin përdorim “El-Hamd”. D.m.th. kur ne duam të themi “O Zot, ne jemi shumë mirënjohës ndaj Teje, Ti na bëre një mirësi shumë të madh”, vetvetiu shprehim “El-Hamdulillah!” Pra, lavdia dhe falënderimi janë bërë sinonime, dhe me përdorimin e shpeshtë, fjala “lavdërim” (El-Hamd) fitoi kuptimin e falënderimit.

Kështu që, gjëja e parë që mësohet nga kjo sure është lavdërimi, i cili është lidhur me të gjitha temat e tjera. Nëse lavdërimin do ta bëjmë pa e kuptuar mirë, atëherë të gjitha temat e tjera do të ngelen bosh. Sepse, nëse nuk do të hyni nga dera e lavdërimit në suren El-Fatiha, nuk mund t’i kuptoni kurrë temat e tjera, dhe as nuk mund t’i shijoni ato.

Pra, këshilla e parë është që të qëndroni pak kur do të thoni fjalën “El-Hamdu” dhe ta mendoni mirë, se çka po thoni ju. “El-hamdulillah” do të thotë të gjitha lavdërimet, çdo lloj lavdërimi, lavdërimi i plotë e i përsosur i takon vetëm Zotit.

Zoti i Madhërishëm duhet të jetë “kibla” (drejtimi) e kënaqësive tuaja

Një njeri që nuk gjen kënaqësi në namaz, në fakt, ai ka kible të tjera.[1] Kënaqësitë e tij ndodhen në rrugë të tjera. Para tij ndodhet ndonjë mik apo i dashur ose ndonjë gjë tjetër që kërkon ai, me të cilën e lidh lavdërimin e tij.

Pra, kënaqësi mund të gjeni vetëm atje ku e keni përcaktuar kiblenë e kënaqësisë suaj. Nëse kibla juaj ndodhet në një drejtim tjetër ndërsa fytyra juaj është në një drejtim tjetër, atëherë patjetër që do të lodheni, mërziteni dhe nuk do të gjeni përqendrimin dhe kënaqësinë. Prandaj, është shumë e nevojshme që të mendoni në fjalët “El-Hamd”.

Një mënyrë e thjeshtë për këtë punë është që të bëni një analizë të vetvetes suaj. Pra, në radhë të parë, me drejtësi e me takva (druajtje ndaj Zotit), njoftojeni mirë vetën se cilat janë pëlqimet tuaja? Cilat janë ato gjëra që i doni shumë. Nëse do t’i lidhni ato gjëra me namazin, atëherë edhe namazi do t’ju pëlqejë. Në të vërtetë, për të menduar në këtë temë, njeriu duhet t’i shqyrtojë imtësisht dhe gjerësisht gjithë jetën e tij dhe të gjitha qëllimet e tij. Dhe kur ai do të ketë arritur të përcaktojë se sipas tij këto gjëra i pëlqejnë atij dhe këto janë për t’i lavdëruar, atëherë ai do kuptojë fjalët “El-hamdulillah” me një këndvështrim të ri.

Njeriu duhet  të mendojë për gjërat e tij të pëlqyeshme se çfarë ka bërë fati i Zotit për t’i zbukuruar ato? Nëse do Zoti ato do të mbeten të pëlqyeshme, dhe nëse do, Ai edhe mund t’i prishë. Dhe bukuria e tyre, në fakt, nuk është e përjetshme. Nganjëherë, një gjë na pëlqen vetëm për një kohë të caktuar. Shtëpia e re duket shumë e bukur. Pronarit i pëlqen shumë ajo. Por kur kalojnë pesëdhjetë, gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vite, kur ajo prishet dhe muret fillojnë të çahen, kur shtëpia mbushet plot me insekte dhe me baktere, atëherë e njëjta shtëpi e mërzit atë. Nuk e lavdëron më atë.

Kur njeriu e do shumë dikë ose diçka për shkak të bukurisë së saj, ai natyrisht do të tërhiqet pas saj. Por kur i zbehet bukuria, ai ose fillon ta urrejë dhe t’i shmanget asaj, ose besnikëria e tij e detyron të jetë i lidhur me të, nëse ai është besnik. Por ajo dashuri që i vinte vetvetiu për shkak të bukurisë së saj, patjetër do të pësojë ndryshim. Në fakt, ky është dallimi midis besnikërisë dhe jobesnikërisë. Nëse ekziston bukuria, atëherë nuk diskutohet për besnikërinë dhe as nuk shfaqet jobesinikëria. Por nëse zhduket bukuria ose fillon të shuhet ajo, atëherë dalin këto dy çështje, dhe njeriu besnik vazhdon të jetë i lidhur me atë që ka humbur bukurinë, ndërsa ai jobesinik fillon të largohet nga ajo.

Nëse do të mendoni rreth këtyre gjërave, edhe në këtë mënyrë mund t’i kuptoni më mirë fjalët “El-hamdulillah”. Mendoni për çdo gjë që ju pëlqen. Bukuria e saj nuk është e përhershme. As kënaqësia që fitohet prej saj nuk është e përhershme. Madje, vetëm nëse ju do të ngopeni nga kënaqësia e saj ndërsa ajo le ta ketë shijen apo bukurinë më tepër, ju nuk do ta vlerësoni ashtu siç e vlerësonit më përpara. Ushqimi sado i shijshëm të jetë dhe i gatuar me bollëk dhe le të jetë mu ashtu siç e dëshironit, por kur do të ngopeni, nuk do të mbetet më ndonjë lavdërim për të. Nëse dikush jua jep prapë, në fillim ju do të përpiqeni ta refuzoni duke thënë ­– Jo! Jo! Bollë hëngra! Nuk e dua më – por, nëse ai jua jep me forcë ndoshta do të dëshironi të grushtoheni me të.

Fëmijët zakonisht nuk kanë druajtje, ata kur nuk duan të hanë diçka i thonë nënës me shumë zemërim se nuk do të hanë. Pra, disa herë lavdërimi nuk bëhet për një gjë edhe nëse ajo do të ketë bukuri ose shije. Por është një qenie që është shkaktari i të gjitha bukurive dhe që vetë ajo ka bukurinë personale. Kur ju do të mendoni këto gjëra, atëherë çdo kible juaja fillon t’ju tregojë Zotin. Dhe kibla nuk do të ketë ndonjë rëndësi në vetvete. Edhe Galibi (poeti i famshëm indian) këtë tregon në një poezi të tij. Pavarësisht se ai nuk e lidh strofën e tij me suren El-Fatiha, por ai kishte një shije sufiste. Prandaj, nganjëherë fliste bukur. Ai thotë:

el-fatiha namaziVendndodhja e sexhdesë sime është përtej kufijve të objektit
Kiblenë të mençurit e quajnë kible-treguese

D.m.th. ne fizikisht drejtohemi drejt kiblesë, por në fakt vendi ku bëjmë sexhde ndodhet përtej kësaj kibleje. Pra, kibla në vetvete nuk është vendi për të bërë sexhde. Njerëzit largpamës kiblenë e quajnë si kible-treguese. Kështu që, nëse ju do të shikoni gjithësinë me këtë sy, atëherë çdo gjë që ekziston, kërkon një lavdërim duke u bërë kible-treguese drejt Zotit për ju. Nuk janë vetëm ato gjëra që ju pëlqejnë, por bëhet fjalë për çdo gjë që ekziston. Asnjë gjë nuk mbetet pa u lavdëruar.

Menjëherë pas fjalës El-hamd Allahu thotë: “lillahi Rrabbil Alamin”. Atributi Rrab([2]) ka një lidhje shumë të ngushtë me lavdërimin. Nuk është e mundur që të shpjegoj fjalën “hamd” duke lidhur me të gjitha shtatë temat që janë përmendur në suren El-Fatiha, por po ju jap një shembull, që ju të mendoni kështu dhe t’i mbushni këto shtatë enët me lëngun e kënaqësisë suaj.

Çdo gjë e kësaj gjithësie e lavdëron Zotin

Lidhjen e lavdërimit që ka atributi Rrab është shumë e thellë dhe e fortë. Unë ju kam treguar shembullin e ushqimit. Dikush mund të thotë se ushqimi, pasi të tretet, pjesa tjetër shndërrohet në mbeturina që mban një erë shumë të keqe, atëherë si mund të mbetet më i lavdërueshëm. Në këtë rast, duhet të mendoni më thellë. Atributi Rrab është lidhur fort edhe me një gjë kaq të pistë. Ato gjëra që janë të pista për ne, në gjithësinë e Zotit janë bekime për disa krijesa të tjera. Pleh organik mund të jetë shumë i qelbur, as nuk mund të kaloni dot nga atje ku gjendet ai. Por i njëjti pleh është bekim për bimët. Me atë çelin lule të bukura, dalin erëra të këndshme, pastaj me të del edhe ushqimi që hamë ne dhe kështu prapë ju e lavdëroni atë.

Pra, lavdërimi i Rabit (Zotit) të botëve është një temë shumë e gjerë Asnjë gjë në gjithësi nuk është e tillë që edhe nëse konsumohet tërësisht mund të humbasë lavdërimin e Zotit. Ajo përfundon nga njëra anë dhe lind nga ana tjetër. Zoti Rrab kujdeset me këtë atribut për një krijesë të Tij dhe kur ajo ngopet, një krijesë tjetër bëhet gati për të përfituar nga ky atribut.

Kështu, kur ju do të hidhni një vështrim mbi gjithësinë, do të kuptoni se nuk ka asnjë grimcë në këtë botë që nuk po bëhet shkaktar i lavdërimit të dikujt. Fjala “Alemin” (i botëve) tregon se ju nuk duhet ta vlerësoni Zotin siç e vlerësoni veten tuaj. Kur e lavdëroni Atë ose kur kërkoni lavdërim për qenien e Tij, atëherë duhet ta kërkoni duke menduar se Ai është Zoti i botëve. Nëse do të mendoni mirë sistemin e atributit Rab, vërtet do të mahniteni. Edhe nëse do të shfrytëzoni çdo çast të jetës suaj, prapë nuk mund t’ju mbarojë kjo temë. Është e pamundur!. Dhe s’ka aspak ekzagjerim në këtë që po ju them.

Të gjitha llojet e substancave apo të thërrmijave që ekzistojnë në tokë dhe në një shtresë të saj të atmosferës që është pjesa e tokës, të gjitha ato vazhdimisht po ndryshojnë formën e tyre. Nëse konsumohen në një mënyrë, bëhen gati për t’u shndërruar në një formë tjetër. S’ka mbeturina. Në asnjë mënyrë nuk ekziston koncepti i mbeturinave. Ne nuk kemi fare mundësi që të zhdukim asnjë thërrmijë nga kjo tokë dhe nga e gjithë atmosfera e saj. Sepse ajo riciklohet prapë. Merreni me mend sesa i jashtëzakonshëm është ky ekuilibër që e gjithë kjo tokë dhe gjithë kjo atmosferë ekzistojnë, por nuk ka mbeturinat. Si të doni mund të përdorni diçka ose le ta prishni tërësisht bukurinë e saj. Forma e saj që do të dalë, prapë do të jetë e bukur për dikë tjetër. Nëse ajo është helm për dikë, për dikë tjetër bëhet shërim.

Kështu që, duke recituar fjalët “El-hamdulil-lahi Rabbil alemin”, nëse ju do të ndaleni pak dhe të mendoni për madhështinë dhe lartësinë e Zotit dhe kur do të shikoni që në çdo anë lavdërohet vetëm Ai, atëherë a është e mundur që ju të kryeni vetëm detyrën e recitimit të “El-Hamdulillahi Rabbil Alamin”, edhe sikur ta recitoni surenë El-Fatiha tërë jetën? Në asnjë mënyrë nuk është e mundur!

Atëherë, si mund të thuhet se kjo “sure e ripërsëritur” dhe “Nëna e Librit” mund t’i shkaktojë lodhje e mërzitje njeriut! Kurrsesi. Atij i vjen mërzitja vetë nga brendia e tij. Nëse ai nuk e di se si dashurohet, atëherë ai do të mërzitet nga çdo gjë. Edhe gjëja më e bukur nuk mund t’i duket e bukur përgjithmonë. Prandaj, nëse doni të largoni mërzinë nga namazi, atëherë mësoni mënyrën e të dashuruarit.

Ju mund të shikoni se disa njerëz asnjëherë nuk kënaqen. Çfarëdolloj gjëje t’ua jepni, ata thonë: “Jo, është e kotë!” Ata kritikojnë çdo gjë. Kudo që shkojnë, i shqetësojnë të tjerët vetëm duke kritikuar. Jo sepse nuk gjendet bukuria në gjithësinë e Zotit ose nuk gjenden njerëz të mirë në këtë botë ose janë zhdukur të gjitha vetitë e mira nga kjo botë, por, vetë ata janë kaq të ftohtë, saqë nuk gjendet asnjë pikë dashurie te ta.

Pra, nëse do të keni shikim të dashurisë, domethënë, të keni aftësi për të parë bukurinë dhe për të përfituar nga ajo, atëherë vetëm lavdërimin e Zotit ju do ta gjeni kaq shumë në të gjithë universin, saqë edhe nëse do të zbrisni në zemrën e një thërrmije, do të zbuloni një botë të re të lavdërimit të Zotit në të.

Rahman dhe Rahim

Pastaj, Zoti është Rahman, edhe Rahim si dhe Maliki Jeumidin. Kur të lidhni lavdërimin me këto atribute të Zotit, atëherë do të shikoni se ç’forma të bukura të kësaj gjithësie do të shfaqen përpara jush. Dhe në çdo formë të saj lidhet koncepti i qenies së Zotit. Do të shikoni se është Zoti Ai që i dhuron bukuri çdo gjëje të bukur. Kështu që, si është e mundur që ai namaz të mbetet pa ndonjë kënaqësi, në të cilin recitohet El-Fatiha, e cila shpalos bukuri të papërshkrueshme në një çast përpara jush, megjithëse ju duke mos gjetur kohë ose duke mos patur aftësinë e të menduarit, e kaloni shpejt. Kjo do të jetë zgjedhja juaj, ndërsa El-Fatiha është në të vërtetë aq e thellë, saqë mund të mendoni vetëm një fjalë të kësaj sureje duke zbuluar kuptimet më të reja, gjatë gjithë jetës pa u lodhur.

Nëse nuk kryhet lavdërimi, nuk mund të kryhet as adhurimi

Pastaj vjen “Ijake na’budu ve ijake nestain” (d.m.th. “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”) Lavdërimi (hamd) ka lidhje shumë të thellë me adhurimin. Nëse e para nuk kryhet, nuk mund të kryhet as e dyta. Dhe pohimi: “Vetëm Ty të adhurojmë” është një pohim shumë i madh, që ngelet komplet i gënjeshtërt, nëse nuk e prek temën e lavdërimit.

Njeriu nuk mund ta adhurojë Zotin në mënyrë të përkryer derisa të mos pohojë me gjithë sinqeritetin e zemrës së tij se të gjitha lavdërimet i takojnë Zotit. Nëse ndonjë pjesë të lavdërimit ai nuk e ka për Zotin dhe e ka për dikë tjetër, atëherë edhe adhurimi i bërë prej tij do të ketë një boshllëk. Kjo është si një ekuacion matematik që as nuk mund të ndryshojë dhe as nuk mund ta thyejë asnjeri në botë.

Hadret Profet Muhammedi s.a.v.s. kishte një status kaq të madh që ai kishte tejkaluar jo vetëm çdo gjë të këtij universi, por edhe çdo profet që kishte ardhur në këtë botë. Atij iu dha kjo pozitë pikërisht sepse lavdërimet e bëra prej tij, pa asnjë përjashtim, ishin vetëm për Zotin. Prandaj ishte vetëm ai njeri, i cili kur pohonte: “Vetëm Ty të adhurojmë”, ishte tërësisht i vërtetë dhe i drejtë në pohimin e tij, pasi çdo lavdi që bënte ai, i takonte vetëm Zotit.

Pastaj edhe fjalët “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” gjithashtu kanë një lidhje shumë të thellë me pohimin “Vetëm Ty të adhurojmë”. Kur Zotit i kërkojmë ndihmë, përpara kësaj pohojmë se “O Zot! Ne të adhurojmë Ty dhe vetëm Ty.” Çdo adhurues do të ketë këtë mendim, dhe askush nuk ka të drejtë të kritikojë tjetrin. Por një gjë që është e vërtetuar plotësisht është se këtë detyrë, në mënyrë të plotë, e kishte kryer vetëm Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe pas tij, mund ta kryejë vetëm ai që mund të jetë shërbëtor i tij i përsosur.

Mos e bëni adhurimin pa lavdërim!

Pra, si përfundim doli që adhuruesi i vërtetë nuk e adhuron askënd përveç Zotit, atëherë ai patjetër duhet t’i kërkojë ndihmë vetëm Atij, pasi askush nuk i mbeti për ta ndihmuar atë. Kur u zhduken zota të tjerë, s’ka ku të shkojë ai. Personat para të cilave njeriu e përkul tërë qenien e vetë, realisht janë të adhuruarit e tij, sepse ata janë më të mëdhenj sesa çdokush tjetër për të. Pra, vetëm kur t’ju zhduken qeniet të tjera të adhuruara, nuk do t’ju mbetet asnjë derë për të trokitur e për t’i kërkuar ndihmë. Prandaj, çështja e përmendur në fjalët “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” lind vetvetiu nga pohimi “Vetëm Ty të adhurojmë”.

Por ajo lind vetëm aq sa i vërtetë do të jetë edhe pohimi “vetëm Ty të adhurojmë”, dhe jo më shumë. Prandaj, adhurimin që i bëni Zotit do të jetë i kruspulluar nëse është i zbrazët nga lavdërimi ose kur lavdërimin ia bëni dikujt tjetër, pavarësisht se ju nuk e adhuroni fizikisht atë. Njerëzit e thonë me gojë që “O Zot, vetëm Ty të adhurojmë”, por adhuruesi i vërtetë, në fakt, edhe e kupton këtë, dhe ai i lutet “O Zot, unë dua të adhurojë vetëm Ty dhe askënd tjetër”. Ai e ndjen që lavdërimin që bën ai është i shpërndarë gjithandej, dhe shumë njerëz janë bërë kible, në vend që të bëheshin kible-treguesë për të.

Duke u nisur nga ky fakt, sa më shumë të zbrazet adhurimi nga lavdërimi, aq më shumë ai bëhet i kruspulluar, si një trup i paralelizuar që ka një dorë, por pa fuqi dhe të lëshuar kot. Në të njëjtën mënyrë skeleti i adhurimit mund të ekzistojë, por nëse ai do të jetë pa lavdërimin, atëherë është pa jetë, pa shpirt dhe pa asnjë fuqi. Dhe në varësi me këtë, gjithashtu dobësohet lutja tjetër që është “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.

Kontrolli i Zotit nuk është i verbër, madje ai është aq i mprehtë, saqë i shikon edhe ato gjëra të njeriut që vetë njeriu nuk mund t’i shikojë. Cili i përgjigjet lutjes “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë? Caktimi i Zotit. Por, ai së pari e kontrollon sesa hapësirë ka kërkuesi në enën e tij. Prandaj, një njeri që bën adhurim të paktë, edhe kërkesës së tij për ndihmë aq i përgjigjet. Nuk ka padrejtësi në këtë çështje.

Kur ju i thoni Zotit se “vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” mund t’ju jepet përgjigje – ti i kërkon ndihmë edhe filanit, edhe atij tjetrit. Filanin ti e vlerëson kaq shumë që kur vjen koha për të treguar të vërtetën, nga frika e tij, ti e fsheh të vërtetën dhe përulet para tij. Kurse filanin ti e vlerëson kaq shumë, saqë për t’i kërkuar ndihmë ti arrin të bësh çdo punë që të ndalon Zoti!

Pra, kjo është një temë shumë e gjerë dhe nëse dikush, duke qenë i vetëdijshëm, do të mendojë kështu për jetën e tij të përditshme dhe për vetë qenien e tij, do të tronditet. Nëse do të kërkoni thelbin nga adhurimet që keni bërë gjatë gjithë jetës suaj, do ta gjeni aq pak, saqë do t’ju duket vetja si ai që kërkon diçka nga hiri i shtëpisë së tij të djegur.

Andaj, adhurimet që do jenë të tilla, ç’ndihmë mund t’i kërkojnë Zotit? Pas çdo lutjes caktimi i Zotit do t’i thotë: Jo jo, mos fol kështu! Ti adhuroje edhe persona ose gjëra të tjera, edhe pse jo fizikisht. Kur të vinte koha për të kërkuar ndihëm, ti dikë tjetër e mendoje si të plotfuqishëm dhe atij ia trokisje derën. Prandaj, më mirë tregohu i vërtetë dhe pranoje faktin. Në të vërtetë ti nuk je fare i denjë për ta trokitur derën Time. Shko tek ai dhe kërkoji ndihmë vetëm atij, që e lavdëron zemra jote dhe që ti e adhuron në të vërtetë!

Vetëm ajo lutje pranohet që është e denjë për t’u pranuar

Pra, këtu është ndryshimi kur shikojmë se disa lutje pranohen dhe disa jo. Vetëm lotët nuk ia vlejnë. Disa njerëz më bëjnë pyetje në letrat e tyre: “Si mund të gjejmë kënaqësi gjatë adhurimit? Ne shpesh i lagim sexhadet duke qarë, por nuk na jepet ajo që kërkojmë?” Këta njerëz nuk e kuptojnë se ata dikë tjetër e kanë marrë si zot… Sepse ajo gjë ose ai person kur iu është bërë kaq i dashur saqë u bë kiblja e tyre, dhe lavdërimi i Zotit u ka mbetur vetëm në fjalë, atëherë edhe kur qan te pragu i Zotit, ai nuk qan për ta lavdëruar Zotin, por thjesht sepse nuk po i përmbushet kërkesa. Një i sëmurë kur qan, qan nga dhimbjet. Kjo nuk do të thotë që rënkimet e tij do ta shërojnë atë. Shërimi gjendet atje ku do të zbulojë ilaçin.

Në këtë kuptim, edhe adhurimi ose lutja është një shkencë. Vetëm ajo lutje pranohet që është e denjë për t’u pranuar. Nganjëherë ajo pranohet edhe pa derdhur lot, madje mund të pranohet edhe atëherë kur ende nuk do të jetë formuar si lutje. Sekreti i kësaj është që ju të kuptoni suren El-Fatiha dhe çështjen e lavdërimit ta lidhni me të katër atributet e Zotit. Pastaj kur do të thoni “Vetëm Ty të adhurojmë” atëherë duhet ta kontrolloni veten se lavdërimi që bëni ju ku është bosh dhe ku është i mbushur.

Shqyrtojeni jetën tuaj të përditshme, atëherë kur do të thoni “Vetëm Ty të adhurojmë” do të kuptoni se vetëm ky pohim është i tillë që do të ndaleni dhe nuk do të ecni përpara, pa fituar kuptimet më të reja nga ai. Asnjë nga temat e suresë El-Fatiha nuk është e tillë që mund ta përfundoni studimin e saj, edhe nëse do ta mendoni për të gjatë gjithë jetës. Tani më thoni se si mund të mërziteni nga kjo sure? Mërzitje apo lodhje do të keni vetëm atëherë, kur ju jepet e njëjta gjë vazhdimisht në të njëjtën formë.

Rreth Allahut të Madhërishëm ne lexojmë në Kuranin e Shenjtë:

el-fatiha namaziel-fatiha namazi“Kul-le jeumin Hua fi sha’n. Fabi ej-ji alai Rab-bikuma tukedh-dhiban.”
Çdo ditë, Ai ka një madhështi të re. Atëherë, cilën e cilën prej mirësive të Zotit tuaj do të mohoni? (Kurani Famëlartë 55:30-31)

Kjo do të thotë se qenia e Zotit është e tillë që madhështia e tij në çdo çast merr një shkëlqim të ri. Atëherë, si mund të mërzitet njeriu nga Ai? Ai që ka sytë për të parë shkëlqimet apo fuqitë më të reja të Tij, Zoti asnjëherë nuk vjetrohet për të. Dhe nga syzet e suresë El-Fatiha, mund t’i shikoni shkëlqimet më të reja të Zotit. Kjo sure është një aparat. Ai mund të funksionojë edhe si një mikroskop, edhe si dylbi. Disa gjëra dallohen vetëm atëherë kur do t’i shikoni me një aparat dhe në një mënyrë të caktuar, nga afër ose nga larg.

Në të njëjtën mënyrë, njeriu i mençur dhe largpamës mund ta përdorë suren El-Fatiha për t’i studiuar atributet e Zotit dhe për t’i parë shkëlqimet dhe fuqitë e Tij më të reja. Megjithëse në suren El-Fatiha janë përmendur vetëm katër nga atributet e Zotit, por në fakt këto katër i përfshijnë të gjitha atributet e Tij.

Shikoni pra, se kjo sure e vogël është quajtur si “Nëna e Librit” dhe në Kuranin e Shenjtë flitet për të gjitha atributet e tjera. Nuk mund të quhej ajo “Nëna e Librit” nëse këto katër atribute nuk do t’i përfshinin atributet e tjera të Zotit. Pra, në fakt këto katër atribute janë si nëna e të gjitha atributeve. Këtë ju mund ta vëreni atëherë, kur do ta shikoni sesi shfaqen ato atribute duke vepruar me njeri-tjetrin.

Çdo veprim i njeriut mund bëhet adhurim

Kështu që, “Nëna e Librit” nuk do të thotë vetëm kaq se ajo ka shumë kuptime. Çdo fjalë që është përmendur në të ka statusin e nënës. Katër atributet e Zotit janë nënë për atributet e tjera. Tema e adhurimit duke iu lidhur me Zotin është nënë për çdo temë tjetër, pasi vetëm kjo është ajo rrugë, nëpërmjet së cilës mund të lidhemi me Zotin. Pa adhurim asnjë gjë nuk mbetet. Duke u lidhur me Zotin kur ju bëni ndonjë punë në çfarëdo sferë të jetës suaj, qoftë namaz qoftë diçka tjetër, ajo në fakt është adhurim.

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. na e sqaroi këtë temë duke thënë:

“Nëse i fut gruas tënde një kafshatë në gojë, duke menduar se kështu do të kënaqet Zoti, pasi Ai të urdhëron që të kujdeset për të, atëherë edhe ky veprim bëhet adhurim ndaj Zotit.”

Shikoni sesi na dha Profeti Muhammed s.a.v.s. çelësin për t’i shndërruar të gjitha veprimet tona në adhurim! Pra, lidhja juaj me Zotin nuk bëhet vetëm me anë të namazit, por në çdo çast dhe në çdo veprim mund krijoni lidhjen me Zotin, duke e adhuruar në këtë mënyrë. Nga çdo ngjarje që ndodh në jetën e njeriut, ai edhe mund t’i afrohet Zotit edhe mund t’i largohet.

Kështu që, fjalët “Vetëm Ty të adhurojmë” janë si nënë për sa i përket krijimit të lidhjes me Zotin. Ky pohim me fjalë të tjera do të thotë:

“O Zot, ne Të adhurojmë Ty dhe vetëm Ty dhe askënd tjetër”

dhe gjithashtu do të thotë:

“O Zot, ne do të Të adhurojmë Ty dhe vetëm Ty dhe nuk do të adhurojmë askënd tjetër në të ardhmen”.

Ky pohim është shpirti për çdo lloj lidhjeje që krijojmë me Zotin. Sa më shumë ta zgjeroni këtë temë, aq më shumë do të përfitoni nga kuptimet e saj të thella.

Në suren El-Fatiha na mësohet lutje: “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, ndërsa në jetën tonë të përditshme ne u kërkojmë ndihmë edhe të tjerëve. Fëmija u kërkon shumë gjëra prindërve. Një shok i kërkon diçka shokut tjetër. Cili është ndryshimi midis kësaj kërkese dhe asaj që është përmendur në fjalët “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”? Duhet të mendoni edhe për këtë pyetje.

Në fakt, prindërit, miqtë, fëmijët etj. nëse pozicionet e tyre qëndrojnë në vendin e tyre dhe nuk ndeshen me pozicionin e Zotit, atëherë është në rregull. Pra, zhdukja ose humbja e tyre nëse nuk shkakton ndonjë luhatje në pozitën e Zotit që keni në zemrën tuaj, madje bukuritë dhe kënaqësitë e tyre i shikoni gjithmonë në pasqyrimin e bukurisë apo kënaqësisë së Zotit, atëherë që t’u kërkoni ndihmë atyre kurrë nuk bie ndesh me pohimin “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. Madje, kjo është mënyra për t’ia kërkuar ndihmë Zotit. Të kërkoni prej tyre nuk do të ketë më kuptimin që ju po u kërkoni ndihmë zotave të tjerë. Por, nëse do të ndryshojnë pozitat e tyre, dhe ata ndeshen me pozitën e Zotit, atëherë po këta do të bëhen mjete të shirkut.

Kur do t’ju shtohet njohja e vërtetë (irfani) do keni edhe kënaqësi në namaz

Pra, kjo është bërë e qartë kur kiblenë e quajtëm kible-treguese, Kur një adhurues drejtohet drejt kiblesë, ai asnjëherë nuk konsiderohet së po bën shirk. Përpara mund të jetë një pallat, por kurrë nuk i shkon mendja te ai, sikur pallati nuk ekziston atje. Kjo është sepse ai synon të adhurojë Allahun, para të cilit ai e ul kokën. Duke u nisur nga kjo ide e adhurimit, kur do të mendoni edhe rreth temës së lavdërimit, atëherë do të kuptoni se të gjitha gjërat e bukura që ju rrethojnë në botën tuaj nuk do të kenë vlerën e tyre vetjake. Gjendet vetëm bukuria e Zotit tonë.

Pastaj, kur do t’u kërkoni ndihmë atyre njerëzve, nuk do të ketë ndonjë vlerë të madhe në kërkesën tuaj që u bëni. Edhe nëse nuk ju përmbushet ajo, nuk do të pësoni ndonjë zhgënjim. Ai që i bën kërkesë dikujt në këtë mënyrë, asnjëherë nuk qëndron i varur nga dikush apo diçka, pasi ai nuk e ul veten para tij. Ai e di shumë mirë që Zoti është Ai që mundëson. Nëse ky njeri nuk do të më plotësojë kërkesën time, dhe nëse Zoti ka vendosur të ma japë, Zoti mund të krijojë mijëra rrugë të tjera për mua. Madje, rrugët nëpërmjet të cilave Zoti do të më furnizojë janë të panumërta. Kështu që, sa më shumë do të zgjeroni njohurinë e vërtetë (irfanin) rreth Zotit aq më shumë do të gjeni kënaqësi në namaz.

Për ta zgjeruar njohurinë e vërtetë nuk duhet ndonjë shkollë. Çdo njeri mund të shfrytëzojë dijen e tij për ta zgjeruar njohurinë rreth Zotit. Shikoni se një shkencëtar studion për gjithësinë në mënyrë të detajuar. Por, nëse Zoti nuk ia jep njohurinë e vërtetë rreth Tij, ai kurrë nuk mund ta kuptojë temën e lavdërimit të Zotit. Ndërsa këtë mund ta kuptojë një njeri shumë i thjeshtë, një çoban, një bari, një bujk apo një punëtor i thjeshtë. Mjafton të ketë zemër që tërheq njohurinë e vërtetë. Një njeri i tillë do të shikojë lavdërimin e Zotit edhe në punët e tij të përditshme dhe vetë fillon ta lavdërojë Zotin.

Maliki jeumidin – Koha e vërtetë e lavdërimit është koha e frikës dhe e humbjes

Pra, me anë të dijes padyshim që rritet edhe lavdërimi, por edhe pa studimet njeriu mund të fitojë njohurinë e vërtetë. Nëse njeriu do të kërkojë rreth Zotit, nuk do të jetë asnjë vend ku ai nuk do të shikojë bukurinë e Tij. Ajo bukuri merr formën e lavdërimit, pas të cilit njeriu shpreh vetvetiu “El-hamdulil-lahi Rabil-alemin”. Pastaj janë edhe përvojat e tij të përditshme, gëzime, pikëllime, frikë, të gjitha këto do të ndihmojnë për t’i sqaruar këto shtatë tema (që janë përmendur në El-Fatiha) që ju përmenda.

Disa njerëz thonë se si mund ta lavdërojë Zotin ai, me zemër të sinqertë, të cilit i vdes fëmija ose që pëson ndonjë humbje tjetër? Ata pyesin kështu sepse ata kanë menduar se lavdërimi dhe falënderimi janë të njëjta gjërat. Ata e lavdërojnë Zotin vetëm për ta falënderuar. Ata nuk e dinë se ç’është lavdërimi? Prandaj ata thonë se: ne jemi të tronditur nga kjo tragjedi!

Në këtë kohë të tronditjes apo të frikës si mund ta lavdërojmë Zotin? Por ajo është koha e vërtetë për ta lavdëruar Atë. Ata kanë humbur një gjë me të cilën ata kishin lidhur lavdërimin e tyre. Kur u humbet ajo, atëherë duhet të kuptoni se lavdia e vërtetë i takon vetëm Zotit, pasi ishte Ai që ia kishte dhënë përkohësisht një pjesë nga lavdërimi i Tij. Njeriu duhet të mendojë se Zoti, i cili përkohësisht më kishte dhënë një gjë të bukur, dha ma mori. Por vetë Ai asnjëherë nuk do të më braktisë.

Prandaj, në kohën e fatkeqësisë, njeriu sigurisht që pëson një tronditje, por nëse do të ketë njohjen e Zotit kjo tronditje do të bëhet e përkohshme për të. Nëse ai person e kishte lidhur lavdërimin e tij përgjithmonë me atë ç’ka ka humbur, pra duke krijuar një idhull e adhuronte në zemrën e tij, atëherë edhe pasojat e tij do të jenë të përhershme. Pikërisht në këtë rast ai lavdërimin e përhershëm e kishte lidhur me dikë tjetër përveç Zotit.

Pra, shikoni tani, menjëherë pas një tronditjeje të tillë, njeriu kur falet, në rekatin e parë  të namazit të tij përnjëherë do të kuptojë se ç’ka do thoshte ajeti “Lavdia i takon vetëm Allahut”. Çdo ditë ai e mësonte këtë, çdo ditë vazhdimisht e përsëriste, dhe e dinte shumë mirë që s’ka asnjë qenie tjetër e denjë për t’u lavdëruar. Kur Zoti i mori një gjë njeriut, të cilën Vetë ia kishte dhënë, atëherë duke ia kthyer Zotit, njeriu duhet të falënderojë. Kjo nuk duhet të jetë koha për t’u ankuar.

Nëse ju do t’i jepni dikujt diçka që ai ta përdorë dhe t’jua kthejë prapë, atëherë duke jua kthyer, nëse ai ju shan dhe ju ankohet, çfarë përshtypjeje do të keni për atë person? Ai do t’ju falënderojë, ju nëse ka pak dinjitet. Edhe këtu vetëm ai falënderon Zotin në këto rrethana që e kupton se Zoti është “Maliki Jeumid-din” (d.m.th. Sunduesi i kohës së gjykimit).

Njeriu falënderon atë për të cilin në të vërtetë mendon se ai është padroni apo sunduesi i tij. Nëse sunduesi i tij ia merr diçka që ia kishte dhënë më përpara, atëherë atij nuk i vjen keq. Ishte favor i tij derisa ai e gëzonte atë gjë. Kështu që fjalët “Maliki Jeumid-din” sqarojnë shumë mirë këtë çështje, që njeriu mund të lavdërojë Zotin në çdo rrethanë vetëm atëherë, kur ai do ta kuptojë këtë atribut të Tij. Përndryshe, disa herë ai e lavdëron ndërsa në kohë të vështira, kur i humbet diçka apo i vdes dikush, nuk mund ta lavdërojë Atë, pasi Zoti nuk ishte Sunduesi i kohës së gjykimit për të në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Prandaj, El-Fatiha është kaq e kuptimplote, saqë mund t’i shuajë etjen njeriut në çdo çështje. Nuk është e mundur që një njeri të mendojë për suren El-Fatiha dhe të ngelet i etshëm, ose të mërzitet duke e përsëritur atë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se kur ju i luteni Zotit duke thënë “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” atëherë Ai do t’ju ndihmojë edhe në adhurimin e Tij, dhe gradualisht adhurimi që ju bëni do të arrijë në një nivel më të lartë.

Siç e thashë se kjo temë është shumë e gjatë dhe absolutisht nuk është e mundur ta mbaroj në një fjalim të së premtes. Jam përpjekur që t’ju shpjegoja shkurt se me njohjen e Zotit mund të gjeni kënaqësi në namaz. Dhe për këtë ju duhet të përpiqeni. Nuk është e mundur që namazi juaj të gjallërohet menjëherë pasi t’i kuptoni këto gjëra. Burbuqet nëse janë tharë nuk mund të çelin menjëherë pasi u hidhni ilaçin, edhe pse ato mund të jenë të lidhura me pemë. Kjo punë do kohë dhe përpjekje. Duke iu drejtuar njeriut, Allahu thotë në Kuranin e Shenjtë:

el-fatiha namazi“O njeri, vërtetë ti do të bësh përpjekje të mëdha për t’u takuar me Zotin tënd.” (Kurani Famëlartë 84:7)

Pra, kur Zoti thotë: O njeri, ti po bën përpjekje drejt Zotit, Ai i drejtohet atij që përpiqet për t’u takuar me Zotin. Ti po përpiqesh shumë dhe duhet të përpiqesh shumë. Ne të garantojmë se përpjekjet e tua nuk do të shkojnë kot. Ti patjetër do ta gjesh Zotin tënd për të cilin po përpiqesh dhe mundohesh – është ky mesazhi i këtij ajeti. Prandaj po ju them, mos rrini jashtë derës së adhurimit. Hyni brenda dhe kthehuni te bërthama e adhurimit dhe vazhdoni me përpjekjet tuaja. Lutjuni Zotit vazhdimisht që Ai t’jua japë edhe mundësinë për t’u përpjekur dhe pastaj t’jua dhurojë edhe frytin e tyre, derisa namazet tuaja të bëhen mjete për ta arritur kënaqësinë tuaj e mos t’ju shkaktojnë më mërzi e lodhje.

(Fjalimi i së xhumasë, i Hazret Kalifit të Katërt të Xhematit Musliman Ahmedia,
i mbajtur më 30 nëntor 1990)


[1] Kible do të thotë drejtimi. Në terminologjinë islame ajo nënkupton drejtimin nga Qabja, Shtëpia e Zotit, kah e cila, besimtarët muslimanë drejtohen gjatë faljes së namazit, kudo qofshin në botë.
([2]) Rrab është atribut i Zotit që do të thotë Ai që krijon diçka, pastaj e zhvillon dhe e shpien shkallë-shkallë drejtë përsosmërisë. (Mufradati i Imam Ragibit dhe Lane)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp