Namazi i Imam Mehdiut a.s. | Shembull praktik i adhurimit dhe i përkushtimit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Namazi i Imam Mehdiut a.s. | Shembull praktik i adhurimit dhe i përkushtimit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Adhurimi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.: ndjekja më e lartë e sunetit të Profetit s.a.v.s.

Shembujt më të dalluar të ndjekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s. në këtë kohë ne i shohim te shërbyesi i tij i vërtetë, Hazret Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.

Adhurimi i Profetit s.a.v.s. ndaj Zotit dhe, në këtë kuadër, këshillat e tij për ndjekësit e tij, mënyrat e faljes së namazit dhe mënyrat e përmendjes së Allahut, janë përmendur në hytbet e kaluara. Sot do të paraqes ato vepra të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. që ai i bëri në ndjekje të Prijësit të tij, Muhammedit s.a.v.s., dhe që kanë arritur deri tek ne.

Ibadeti i përditshëm i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Hazret Mirza Bashir Ahmad sahib transmeton se Mirza Muhammed Din sahib, banor i Langarvalit, Gurdaspur, i kishte shkruar atij:

Që nga fëmijëria ime e kam parë Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe për herë të parë e kam parë gjatë jetës së Mirza Ghulam Murtaza sahibit (babait të tij), ndërkohë unë isha fëmijë i vogël.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e kishte shprehi që natën, pas jacisë, flinte herët dhe pastaj rreth orës një të natës ngrihej për tehexhud. Pasi falte tehexhudin, vazhdonte me leximin e Kuranit të Shenjtë. Pastaj, kur bëhej ezani i sabahut, falte sunetet në shtëpi dhe për namazin shkonte në xhami dhe e falte me xhemat.

Nganjëherë e drejtonte vetë namazin dhe ndonjëherë e drejtonte Mian Xhan Muhammed, imami i xhamisë. Pasi kthehej nga namazi, pushonte për pak kohë. Unë nuk e kam parë atë të falte sunetet në xhami. Sunetet i falte në shtëpi.

Agjërimi i fshehtë dhe përvoja shpirtërore

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke folur për adhurimin e tij, ka thënë se Allahu i Lartësuar i ka dhënë atij forcë për adhurim në një mënyrë të veçantë, por ai tha se kjo nuk është për secilin. Ai tha se secili duhet të veprojë sipas fuqisë së vet dhe madje të përpiqet të bëjë përtej fuqisë së vet, por jo siç e ka bërë ai sepse ai tha:

Mua Allahu i Madhërishëm më ka dhënë një fuqi të veçantë.

Sidoqoftë, ai përshkroi gjendjen e tij në këtë mënyrë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Unë kurrë nuk kam bërë ushtrime të posaçme asketike dhe as nuk e kam futur veten në përpjekje të rënda si disa sufi të kohës së sotme, as nuk kam bërë izolim të posaçëm duke u mbyllur për dyzetditë, dhe as nuk kam bërë ndonjë veprim monastik në kundërshtim me sunetin, për të cilin fjala e Allahut më ndalon.

Përkundrazi, unë gjithmonë kam qenë i larguar nga ata shejhlerë që janë të zhytur në lloje të ndryshme bidatesh.”

Pastaj ai tha:

“Po, në kohën e babait tim, kur koha e vdekjes së tij ishte afër, njëherë ndodhi që në ëndërr m’u shfaq një burrë i moshuar me pamje të dëlirë dhe ai më tha se duhet të agjëroja për një kohë për të ndjekur dritat qiellore të Allahut, sepse agjërime të tilla janë suneti i familjes Profetike. Kështu, më bëri shenjë që ta zbatoj këtë sunet të Ehli Bejtit të Profetit.”

Pra, Allahu i Madhërishëm me një shenjë në ëndërr e njoftoi atë se Allahu do t’ia jepte një pozitë të tillë. Sidoqoftë, ai vijon:

“Andaj, e konsiderova të përshtatshme të agjëroja për një kohë, por njëkohësisht mendova se është më mirë që këtë ta bëja në mënyrë të fshehtë. Për ta realizuar këtë zgjodha një metodë: e sillja ushqimin nga shtëpia në dhomën e burrave dhe pastaj atë ushqim ua jepja fshehurazi disa jetimëve, të cilëve u kisha dhënë më parë udhëzim të paraqiteshin në kohë të caktuar, dhe kështu e kaloja gjithë ditën në agjërim dhe përveç Allahut askush nuk dinte për këto agjërime.

Pastaj, pas dy ose tre javësh, kuptova se nga këto agjërime, në të cilat një herë në ditë haja bukë sa për t’u ngopur, nuk ndieja fare vështirësi. Mendova se është më mirë ta pakësoja ushqimin.

Prandaj, që nga ajo ditë e pakësova ushqimin gjithnjë e më shumë, derisa arrita që gjatë gjithë ditës dhe natës të mjaftohesha vetëm me një pite. Dhe vazhdova ta pakësoja ushqimin derisa ndoshta vetëm pak gramë bukë në 8 pjesë të ditës.”

Pra, në 24 orë ai hante vetëm një sasi shumë të vogël të bukës. Më tej thotë:

“Ndoshta për tetë ose nëntë muaj vazhdova kështu dhe, megjithë këtë pakësim kaq të madh të ushqimit, që as një foshnjë dy-tre muajshe nuk ushqehet kaq pak, Allahu i Madhërishëm më mbrojti nga çdo fatkeqësi dhe nga çdo sëmundje.

Dhe ndër mrekullitë e atyre agjërimeve që unë përjetova, ishin zbulesat e holla shpirtërore (vizionet, keshfet) që m’u shfaqën në atë kohë. Ndodhi që u takova me disa nga Profetët e kaluar, gjithashtu me shumë nga evlijat e lartë të këtij umeti që kanë kaluar. Një herë, në gjendje plotësisht zgjuar, pashë Profetin e nderuar, të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., që qe i shoqëruar me Hasanin e Husejnin r.a., me Aliun r.a. si dhe me Fatimen r.a. Dhe kjo nuk ishte ëndërr, por një lloj gjendjeje në zgjim.

Me pak fjalë, ndodhën shumë takime me persona të shenjtë, përmendja e të cilëve do ta zgjaste shumë këtë temë.

Përveç kësaj, përjetova që drita shpirtërore në formë simbolike si shtylla të gjelbra dhe të kuqe, në mënyrë aq të bukur dhe magjepsëse, më shfaqeshin saqë përshkrimi i tyre është tërësisht përtej fuqisë sime. Ato shtylla drite që ngriheshin drejt qiellit, domethënë nga toka lart, disa prej tyre të bardha të ndritshme dhe disa të kuqe, kishin një lidhje të tillë me zemrën saqë duke i parë, zemra merrte kënaqësi të madhe. Në këtë botë nuk mund të ketë ndonjë kënaqësi të tillë si ajo që ndiente zemra dhe shpirti duke i parë ato.

Mendoj se ato shtylla u shfaqën në formë simbolike nga bashkimi i dashurisë së Allahut me dashurinë e robit. Domethënë ishte një dritë që dilte nga zemra dhe një dritë tjetër që zbriste nga Lart, dhe nga bashkimi i tyre formohej një shtyllë.”

Domethënë ato shtylla formoheshin nga drita që ngrihej nga poshtë lart dhe nga ajo që zbriste nga lart poshtë, dhe bashkoheshin në një formë të vetme.

“Këto janë çështje shpirtërore që bota nuk mund t’i njohë, sepse janë shumë larg syve të botës, por në botë ka edhe të tillë që marrin dijeni për këto çështje.”

“Me pak fjalë, gjatë asaj periudhe të agjërimeve, mrekullitë që m’u shfaqën ishin lloje të ndryshme vizionesh shpirtërore. Një përfitim tjetër që mora nga këto përpjekje ishte se e gjeta veten të aftë që, në kohë nevoje, të përballoja urinë me durim.

Kam menduar disa herë se nëse një njeri i shëndoshë dhe i fortë, madje edhe mundës, detyrohet të agjërojë me mua, para se mua të më kapë nevoja për ushqim, ai do të vdesë.

Gjithashtu, mësova se deri çfarë mase njeriu mund të përparojë në përballimin e urisë, dhe jam i bindur se derisa trupi i njeriut të mos bëhet i aftë për të përballuar vështirësi të tilla, ai që është i dhënë pas rehatisë nuk mund të jetë i denjë për nivele shpirtërore.

Jo çdo asketizëm është i dobishëm

Por ai tha:

“Unë nuk i këshilloj të tjerët të veprojnë kështu, madje edhe unë nuk e bëra këtë thjesht me dëshirën time, por për mua ishte një urdhër nga Allahu.

Kam parë disa dervishë të paditur që bënë përpjekje të rënda shpirtërore dhe në fund, për shkak të tharjes së trurit, u çmendën, ose kaluan pjesën tjetër të jetës në marrëzi, ose u sëmurën me sëmundje si tuberkulozi.

Forcat mendore të njerëzve nuk janë të njëjta. Prandaj ata që i kanë të dobëta forcat natyrale, nuk arrijnë të bëjnë ushtrime të tilla trupore dhe bien shpejt në ndonjë sëmundje të rrezikshme.”

Sidoqoftë, Islami është një fe e përmbledhur dhe e ekuilibruar, kurse në agjërimet e Mesihut të Premtuar a.s. ka edhe përkrahjen e veçantë të Allahut; prandaj ai tha se jo çdokush duhet ta bëjë atë që bëri ai. Ai vijon:

“Nuk duhet që njeriu vetë, sipas mendjes së vet, të fusë veten në vështirësi të rënda, por të zgjedhë rrugën e zakonshme të fesë. Po, nëse nga ana e Allahut ka ndonjë frymëzim (ilham) dhe ajo nuk është në kundërshtim me sheriatin e Islamit, atëherë është e domosdoshme ta zbatojë atë.

Por shumica e dervishëve të paditur të sotëm që sajojnë përpjekje të rënda, përfundojnë keq; prandaj duhet të ruheni prej tyre.”

Edhe sot disa njerëz thonë bëni këtë dhe bëni atë. Nuk duhet të prnaoni fjalët e tyre. Madje sot këto gjëra jepen edhe në programe televizive. Njeriu duhet të shohë se cila është rruga e mesme për të dhe atë ta zgjedhë ai, dhe sa të ketë fuqi, të përpiqet të përmbushë të drejtat e Allahut dhe të drejtat e njerëzve, dhe të përpiqet patjetër të arrijë mënyrat e adhurimit dhe standardin minimal që Profeti Muhammed s.a.v.s. ka treguar, dhe pastaj të përparojë gradualisht.

Përparimi vjen ngadalë, por Islami ka ndaluar vështirësitë e panevojshme dhe këtë gjë edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e ka ndaluar.

Adhurimi i Allahut që nga fëmijëria | Imam Mehdiu a.s.

Që nga fëmijëria, si ishte gjendja e tij? Në një transmetim thuhet se Mistri Fekir Muhammed sahib tregon:

“Babai im, i cili quhej Xhiva, më tregonte se një herë Mirza sahibi [kur ishte i vogël] ra nga çatia dhe u lëndua rëndë. Kur morëm vesh se Mirza sahibi kishte rënë nga çatia, shkuam për ta vizituar. Kur ai erdhi në vetëdije, pyetjen e parë që bëri ishte kjo:

A ka hyrë koha e namazit?

Kaq shumë dashuri kishte për namazin. Unë isha i vogël kur, babai im ma tregonte këtë ngjarje.”

Tehexhudi dhe vitri i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Mirza Bashir Ahmad sahib ka transmetuar një rrëfim nga Hazret Doktor Mir Muhammed Ismail sahibi.

“Në vitin 1895, kur pata rastin ta kaloj muajin e Ramazanit në Kadijan, gjatë gjithë muajit e fala namazin e tehexhudit, domethënë teravihun, pas Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Ai kishte shprehi që vitrin e falte në fillim të natës, kurse tehexhudin e falte në pjesën e fundit të natës, 8 rekate, dy nga dy. Çdo herë, në rekatin e parë lexonte Ajetul Kursinë, domethënë nga “Allahu la ilahe il-la hu” deri te “ve huvel alijjul azim”. Dhe në rekatin e dytë lexonte Suren el-Ikhlas.

Në ruku dhe në sexhde lutej:

“Ja Hajju ja Kajjum, bi rahmetike estegith.”

(O i Gjallë, O i Qëndrueshëm! Në saje të mëshirës Sate po të përgjërohem!)

Këtë lutje ai e bënte me një zë, që edhe unë mund ta dëgjoja, domethënë me zë të qetë, as shumë të lartë e as shumë të ulët.

Syfyri i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Përveç kësaj, ai syfyrin gjithmonë e hante pas namazit të tehexhudit dhe kaq shumë e vononte, saqë disa herë duke ngrënë e dëgjonim ezanin dhe ai vijonte të hante derisa të përfundonte ezani.

Duke sjellë këtë rrëfim, Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shton:

“E vërteta është që syfyrin mund ta hani derisa të dallohet sabahu i vërtetë në horizont. Ezani nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë, sepse koha e ezanit të sabahut është caktuar në bazë të shfaqjes së agimit të vërtetë. Prandaj njerëzit zakonisht e lidhin fillimin e ezanit me përfundimin e syfyrit.”

Ai jep edhe shembullin duke thënë:

“Në Kadijan ngaqë ezani i sabahut thirrej menjëherë pas shfaqjes së sabahut të vërtetë, dhe nganjëherë, nga pakujdesia ose gabimi, mundet edhe më herët, andaj në raste të tilla, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk shqetësohej për ezanin dhe e vijonte syfyrin derisa të dallohej sabahu i vërtetë, ashtu siç e thotë edhe vetë Kurani i Shenjtë.

Kurani i Shenjtë në këtë pikë nuk thotë që të hani syfyrin vetëm derisa të vërtetohet shkencërisht se ka lindur sabahu, por që kur bardhësia e mëngjesit të bëhet e dukshme për njerëzit e zakonshëm, atëherë të lihet ushqimi. Andaj, fjala “tebejjena” d.m.th. “të dallohet”, e vërteton këtë gjë.

Edhe në hadith thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Mos e mbyllni syfyrin me ezanin e Bilalit, por me ezanin e Ibni Mektumit.”

Ibni Mektumi ishte i verbër dhe ai nuk e thirrte ezanin derisa njerëzit bënin zhurmë se ‘ka hyrë sabahu’.”

Sidoqoftë, sot jetojmë në një kohë të përparuar dhe me pajisje moderne dihet koha e saktë e agimit të vërtetë. Prandaj zakonisht kufiri i fundit përcaktohet me ezanin. Bëhen përpjekje që të jetë i saktë, megjithëse ndonjëherë mund të ndodhë gabim.Nëse ezani jepet pak më herët për shkak gabimi, atëherë zbatohet parimi i përmendur më lart.

Meqë do të fillojë Ramazani, ju solla këtë udhëzim. Megjithatë, njerëzit nuk duhet të bëhen aq të lirshëm sa të presin derisa të shohin nëse dita ka zbardhur apo jo. Koha e ezaneve dhe oraret tona janë caktuar me llogaritje të sakta dhe metoda të përpikta. Dhe meqë kjo kohë është më moderne se ajo e mëparshme, mundësia e gabimit është zakonisht më e vogël. Prandaj duhet ndjekur kalendari i caktuar dhe duhet vepruar sipas tij, i cili përgatitet sipas kohës së çdo vendi dhe rajoni.

Tehexhudi, lutja për shi dhe përqendrimi i plotë në namaz

Hazret Mirza Bashir Ahmad sahib ka transmetuar se Mufti Muhammed Sadik sahib ka thënë:

“Në kohën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., një herë u fal namazi i istiskasë (lutja për shi), në të cilin mori pjesë edhe vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe ndoshta, namazin e drejtoi i ndjeri Maulvi Muhammed Hasan sahib.

Njerëzit në atë namaz qanin shumë, por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte vetëpërmbajtje të jashtëzakonshme, prandaj unë nuk e pashë atë duke qarë. Më kujtohet se shumë shpejt pas kësaj u shfaqën retë dhe ra shi, madje ndoshta po atë ditë ra shi.”

Megjithatë, askush të mos mendojë nga kjo se ai nuk qante gjatë namazit. Në ndjekje të Prijësit të tij, Profetit Muhammed s.a.v.s., për adhurimin e tij ka transmetime se në gjendje sexhdeje nga gjoksi i tij dilnin zëra sikur të valonte një poçe. Ai ishte në sexhde dhe qante me dhimbje të thellë.

Hazret Mirza Bashir sahib transmeton nga Hazret Amma Xhan, Nusret Jehan Begum sahibja [bashkëshortja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.], e cila thotë:

“Hazret Mesihu i Premtuar a.s., përveç pesë namazeve farz, zakonisht falte dy lloje namazesh nafile:

  1. Njëri ishte namazi i ishrakut, dy ose katër rekate, që e falte ndonjëherë, por jo rregullisht.
  2. Tjetri ishte namazi i tehexhudit, tetë rekate, të cilin e falte gjithmonë, përveçse nëse ishte shumë i sëmurë.

Edhe në raste kur ishte shumë i sëmurë, në kohën e tehexhudit, edhe i shtrirë në shtrat, ai bënte lutje. Në fund të jetës, për shkak të dobësisë, zakonisht e falte tehexhudin ulur.”

Hazret Maulvi Jakub Ali sahibi shkruan:

“Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkonte për ndjekjen e çështjeve gjyqësore, shkonte për të përmbushur detyrën e bindjes ndaj babait të tij. Atje kujdesej që gjatë procedurave gjyqësore asnjë namaz të mos i kalonte pa u falur dhe asnjëherë nuk i ka lënë namazet pa i falur.

Po kështu, ai nuk ishte i pakujdesshëm ndaj detyrimeve që lidhen me të drejtat e Allahut.Edhe në mes të gjykatës, me hyrjen e kohës së namazit, ai angazhohej në namaz sikur të mos kishte asnjë punë tjetër. Shpesh ndodhte që ai ishte në namaz dhe ndërkohë bëhej thirrja për çështjen, por ai vazhdonte me qetësi të plotë në namaz.”

Njëherë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Njëherë unë shkova në Batala për ndjekjen e një çështjeje dhe hyri koha e namazit, kështu që fillova të fal namazin. Shërbyesi i gjykatës thirri, por unë isha duke falur namaz.

Pala tjetër u paraqit dhe u përpoq të përfitonte nga mungesa ime, duke kërkuar që të merrej vendim në mungesë. Ata këmbëngulën shumë për këtë, por gjykata nuk u kushtoi vëmendje dhe vendosi kundër tyre, duke më dhënë mua vendimin në favor.

Kur mbarova namazin dhe shkova, mendova se ndoshta gjykatësi e kishte parë mungesën time sipas ligjit, sepse ligji thotë se nëse njëra palë mungon, vendimi jepet kundër saj. Por kur u paraqita dhe thashë se isha duke falur namazin, ai tha:

Unë tashmë e kam dhënë vendimin në favorin tuaj.

Këto janë edhe bekimet e ibadetit, që Allahu i Madhërsihëm më bëri mirësinë në këtë mënyrë.”

Ibadeti i përditshëm i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Hazret Mirza Bashir Ahmad sahib ka transmetuar një tjetër rrëfim nga Hazret Amma Xhan. Ai shkruan:

“Hazret Mesihu i Premtuar a.s., kur në shtëpi e drejtonte namazin e akshamit, shpesh lexonte atë ajet të sures Jusuf ku vijnë fjalët:

“Innama eshku beth-thi ve huzni ilallah” “Unë e qaj hallin dhe brengën vetëm tek Allahu”.”

Hazret Mirza Bashir Ahmad sahibi thotë:

“Dua ta theksoj se zëri i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. kishte shumë dhimbje dhe mallëngjim, dhe leximi i tij ishte me valëzim të veçantë.”

Namazi i natës; ibadeti i natës i Imam Mehdiut a.s.

Po ashtu, I nderuari Mirza Muhammed Din ka treguar:

“Hazret Imam Mehdiu a.s. falte namazet farze në xhami, ndërsa sunetet dhe nafilet i falte në shtëpi. Pas namazit të jacisë flinte, pastaj pas gjysmës së natës zgjohej dhe falte namaz nafile. Pas kësaj lexonte Kuranin e Shenjtë. Ai ndizte një kandil balte dhe vazhdonte leximin deri në ezanin e sabahut.”

Një tjetër biograf ka shkruar

“Hazret Imam Mehdiu a.s. kishte dashuri të thellë për Kuranin e Shenjtë dhe për sunetin e të Dërguarit s.a.v.s., dhe të gjitha adhurimet e tij nuk dilnin kurrë jashtë kufijve të Kuranit dhe sunetit.

Përveç pesë namazeve farze, ai kishte përkushtim të madh për tehexhudin. Namazin e ishrakut e falte ndonjëherë, por tehexhudin e donte shumë.

Në namaz, përqendrimi i tij ndaj Allahut ishte aq i fuqishëm dhe zhytja e tij aq e thellë, sa dukej sikur nuk ishte në këtë botë. Në tehexhud, Suren el-Fatiha e lexonte me shumë dhimbje dhe përqendrim, dhe bënte shumë lutje.”

Recetë për të arritur përqendrimin në namaz

Në fillim, ndonjëherë nëse në namaz nuk arrinte përqendrim, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e përsëriste namazin disa herë dhe thoshte:

“Këtë mësim e kam marrë nga një pijanec.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. sqaroi:

“Një herë, duke mos arritur përqendrim të zemrës në namaz, u nisa drejt një pylli që të falesha atje. Rrugës kaloja nga tregu dhe atje një hindu po i thoshte një shoku të tij: ‘Mbrëmë pimë një gotë raki, por nuk u dehëm; pimë një të dytën, por prapë nuk u dehëm; pastaj pimë një të tretë, dhe vazhduam kështu derisa u dehëm.’”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Duke i dëgjuar ata, mendova: Edhe unë do ta përsëris namazin derisa të dehem shpirtërisht.”

Farzet natyrisht nuk mund të përsëriten, por vëmendja ishte te nafilet; prandaj për nafilet ai tha se do t’i përsëris derisa të arrij “dehjen”, domethënë përqendrimin e plotë të zemrës.

Përveç namazit, punët e tij ishin leximi i Kuranit, salavate mbi Profetin dhe istigfari

“Përveç namazit, virdi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte leximi i Kuranit të Shenjtë, salavate mbi Profetin s.a.v.s. dhe istigfari. Ai kishte dashuri të thellë për Kuranin. E lexonte ditë e natë, duke u ngritur, duke u ulur dhe duke ecur, ndërkohë qante me dënesë.”

Siç u përmend më parë, fakti që në një rast nuk u pa duke qarë nuk do të thotë se nuk qante; ai qante shpesh dhe edhe gjatë leximit të Kuranit të Shenjtë ai mallëngjehej shumë.

“Salavatet i dërgonte me shumicë dhe duke i ndier, dhe me aq dhimbje sa ndonjëherë qante me dënesë.”

Rasti i mjaltit dhe shembulli praktik

Një herë, duke përmendur namazin e ishrakut, ai foli për rëndësinë e mjaltit. Po diskutohej nëse mjaltin duhet apo jo ta kunsumojë ai që vuan nga diabeti. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Kam vuajtur shumë nga diabeti dhe mjekët ma kishin ndaluar rreptësisht ëmbëlsirën. Mendova se sheqeri i tregut prodhohet shpesh nga njerëz gjynahqarë dhe nëse ai dëmton, nuk është çudi. Por mjalti përgatitet me frymëzimin e Allahut, prandaj vetia e tij nuk mund të jetë si e ëmbëlsirave të tjera. Nëse do të ishte si ato, nuk do të thuhej për të “shifaun linnas” (shërim për njerëzit), por do të thuhej për çdo ëmbëlsi.

Kjo veçanti tregon për dobinë e mjaltit. Meqë përgatitja e tij është me frymëzim, bleta që merr nektarin nga lulet sigurisht zgjedh përbërës të dobishëm. Me këtë mendim, përzieva pak mjaltë me kevra dhe e piva. Pas pak kohe ndjeva shumë përmirësim, madje ndjeva veten të aftë të ecja e të lëvizja.”

Më parë kishte pasur dobësi të madhe për shkak të diabetit.

“Pastaj mora njerëzit e shtëpisë dhe shkova deri në pemishte dhe atje fala dhjetë rekate namaz ishraku.”

Hazret Mufti Muhammed Sadik sahibi thotë:

“Një herë ra një tërmet shumë i fortë. Shtëpitë dhe sendet filluan të lëkundeshin. Njerëzit u tronditën dhe u frikësuan. Në atë kohë, gjendja e Mesihut të Allahut ishte për t’u parë, sepse në hadithe lexojmë se Profeti s.a.v.s. në ngjarje qiellore e tokësore shfaqte frikë të thellë ndaj Allahut; edhe me shfaqjen e një reje të vogël ai bëhej i shqetësuar, herë dilte jashtë, herë hynte brenda. Ashtu edhe këtu, u vërtetua fjala persiane

ہر کہ عارف تر است ترساں تر “Her keh arif ter est, tersan ter est”,

“Sa më i njohur i Allahut të jetë njeriu, aq më shumë druajtje ka prej Tij.”

Me fillimin e tërmetit, ai u angazhua me familjen dhe fëmijët në lutje para Allahut dhe ra në sexhde. Për një kohë të gjatë qëndruan në kijam, ruku dhe sexhde, e gjithë familja me shërbyesit, duke u dridhur nga frika para madhështisë së Allahut.”

Rëndësia e namazit me xhemat

Hazret Musleh Maudi r.a., duke folur për rëndësinë e namazit me xhemat, përmendi:

“Sot njerëzit jetojnë larg dhe e kanë të vështirë të vijnë në xhami, prandaj disa e falin namazin në shtëpi veçmas.”

Ai thotë:

“Namazi nuk duhet falur veçmas në shtëpi, por me xhemat. Një mënyrë është që burri të mbledhë gruan dhe fëmijët dhe ta falë namazin me xhemat në shtëpi.”

Ai tha se për shkak të largësive është krijuar zakoni i namazit individual dhe rëndësia e xhematit është zbehur në zemrat e njerëzve. Prandaj ky zakon duhet braktisur dhe duhet krijuar zakoni i namazit me xhemat. Edhe sot, aty ku ka mangësi, njerëzit duhet të falin namaz me fëmijët në shtëpi, që edhe fëmijët të mësohen me namazin.

Ai dha shembullin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., se kur nuk mund të shkonte në xhami, e organizonte xhematin në shtëpi dhe rrallë, për shkak të ndonjë detyrimi, falte namaz vetëm. Shpesh e përfshinte edhe nënën tonë dhe anëtarë të tjerë të familjes në xhemat.

“Qofsha e flijuar për emrin e tij!”

Hazret Sejjid Zain el-Abidin Veliullah Shah transmeton:

Në vitin 1935 shkova në Sialkot dhe atje takova një grua shumë të moshuar, Mai Hayat Bibi, bijë e Fazl Din sahibit dhe nënë e Hafiz Muhammed Shafi sahib recituesi i Kuranit.

Ajo ishte ulur në prag të shtëpisë së saj. Ne nuk e njohëm, por ajo na njohu dhe tha: Ejani këtu. Ajo ishte 105 vjeçe. Ajo tregoi se në kohën e trazirave, kur u dogjën zyrat dhe gjykatat, ajo ishte e re. Gjatë bisedës tha se e njihte Mirza sahibin, domethënë Hazret Mesihun e Premtuar a.s., që nga koha kur ai erdhi për herë të parë në Sialkot dhe punonte atje. Ajo tha se atëherë mosha e tij ishte e tillë që mustaqet sapo i kishin dalë dhe mjekra ende nuk i ishte rritur plotësisht. Pas ardhjes në Sialkot, Hazret Mirza shaibi (Hazret Mesihu i Premtuar a.s.) shkoi në shtëpinë e babait tim dhe i tha:

“Mian Fazl-ud-Din sahib, më jepni shtëpinë tuaj tjetër për banim”.

Babai im hapi derën dhe ai hyri brenda. I sollën ujë, një shtrat dhe një sexhade. Babai im solli edhe sendet e tij. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte zakon që kur kthehej nga gjykata, së pari thërriste babain tim dhe me të hynte në shtëpi. Shumicën e kohës e kalonte me babain tim.

Ushqimi i tij gatuhej te ne dhe babai im ia çonte. Ai hynte brenda, mbyllte derën dhe në oborr lexonte Kuran. Babai im tregonte se ai, duke lexuar Kuranin, ndonjëherë binte në sexhde dhe bënte sexhde të gjata, dhe qante aq shumë sa lotët e lagnin tokën.

Mai sahibja, duke folur për Hazret Mesihun e Premtuar a.s., disa herë u shpreh:

“Qofsha e flijuar për emrin e tij!”

Këtë dëshmi ajo e dha në prani të djalit të saj.

Dashuria për Kuranin e Shenjtë dhe përulësia e plotë në adhurim

Hazret Shejh Jakub Ali Irfani ka transmetuar një rrëfim nga Maulvi Mir Hasan sahibi, i cili ishte mësuesi i doktor Allama Ikbalit. Ai tregon:

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. fillimisht banonte me qira në lagjen “Kashmirian”, në shtëpinë e një kashmirasi me emrin Umra, që ishte shumë afër shtëpisë së këtij mëkatari të varfër (siç e përshkruan ai veten e tij me përulësi).

Kur kthehej nga gjykata, ai merrej me leximin e Kuranit të Shenjtë. E lexonte ulur, në këmbë dhe duke ecur. Ai qante me zë të lartë dhe shpesh qante me dënesë. E lexonte me një përulësi dhe përqendrim të tillë sa nuk ia gjej dot shembull të ngjashëm.

Nuk bënte ndërhyrje të padrejtë, edhe pse ishte me pozitë

Më tej, ai vijon:

“Sipas zakonit të kohës, njerëzit që kishin punë me gjykatën, vinin tek ai për çështje gjyqësore dhe ndërmjetësime, siç shkohet te zyrtarët, me shpresë që çështja e tyre të zgjidhej në favor të tyre.”

Kjo është zakon i njerëzve: shkojnë për ndërmjetësim tek dikush që punon në gjykatë. Edhe tek ai vinin njerëz.

“Pronari i shtëpisë Umra kishte një vëlla të madh me emrin Fazl Din, i cili respektohej në lagje. Një herë, duke parë njerëzit të ulur pranë tij për çështje gjyqësore, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e thirri Mian Fazl Dinin dhe i tha:

“Mian Fazl Din, shpjegoju këtyre njerëzve që të mos vijnë këtu; as të mos humbasin kohën e tyre, as të mos ma humbasin kohën time. Unë nuk mund të bëj asgjë. Unë nuk jam gjykatës. Çfarë pune kam lidhur me çështjet e mia, e kryej në gjykatë.”

Mbante shënime gjatë leximit të Kuranit

Mian Fazl Dini u shpjegonte njerëzve dhe i largonte.

Një munshi jo-ahmedi nga Patiala, Z. Abdul Vahid, përshkruan për leximin e Kuranit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. se ai, në moshën 14 ose 15 vjeç, e lexonte gjithë ditën Kuranin e Shenjtë dhe shkruante shënime anash librit.

“Moj! Lutju që Allahu të ma dhurojë namazin!”

Hazret Musleh Maudi r.a. shkruan për Hazret Mesihun e Premtuar a.s. duke thënë

“Që në fëmijëri, gjatë jetës së babait të tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pa një shembull të hidhur nga bota, saqë zemra e tij u ftoh ndaj saj. Edhe kur ishte shumë i vogël, të gjitha dëshirat e tij ishin të përqendruara në kënaqësinë e Allahut.

Biografi i tij, Z. Shejh Jakub Ali, shkruan një ngjarje të çuditshme nga fëmijëria e tij: kur ishte shumë i vogël, ai i thoshte një vajze të moshës së tij, me të cilën më vonë u martua:

“Moj! Lutju që Allahu të ma dhurojë namazin!”

Nga kjo fjali e thënë në moshë shumë të vogël kuptohet se çfarë ndjenjash valëzonin në zemrën e tij dhe si qendra e dëshirave të tij ishte vetëm Allahu. Njëkohësisht, kjo tregon mençurinë e tij që nga fëmijëria, sepse nga kjo fjali kuptohet se ai e shihte Allahun si përmbushësin e të gjitha dëshirave dhe e dinte se mundësia për të bërë ibadet varet prej Allahut.

Të dëshirosh namazin, ta dish se vetëm Allahu e jep këtë mundësi, dhe ta thuash këtë në një shtëpi ku të mëdhenjtë e të vegjlit e kishin bërë botën si zot të tyre, është diçka që mund të dalë vetëm nga një zemër e pastër nga ndotja e botës dhe e përkrahur nga Allahu për të sjellë një ndryshim të madh në botë.”

Si çdo frut ka shije të veçantë, çdo ibadet ka kënaqësi të veçantë

Hazret Mufti Muhammed Sadik sahibi tregon se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Që nga fëmijëria jam mësuar me agjërim. Njëherë në fëmijëri mbajta agjërim dhe u sëmura, por më pas mbajta njëzet e nëntë agjërime të plota dhe nuk pata vështirësi. Kjo për mua ishte një Bajram i gëzimit. Agjërimi ka bekime të veçanta. Si çdo frut ka shije të veçantë, ashtu çdo çdo ibadet ka kënaqësi të veçantë. Në këto adhurime ka shpirtëri që njeriu nuk mund ta përshkruajë.

Nëse ka dëshirë të zjarrtë, dhimbjet dhe vështirësitë pakësohen. Duhet që në adhurim shpirti i njeriut të bëhet shumë i hollë dhe si uji të rrjedhë e të bashkohet me Allahun.”

Lideri i njohur Zafar Ali Khan sahib, babai i tij Maulvi Sirajuddin sahib, duke folur për periudhën e qëndrimit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në Sialkot, shkruan:

“Në vitin 1877 patëm nderin të ishim mysafirë një natë në Kadijan. Edhe në ato ditë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte aq i zhytur në ibadet dhe në virde, sa me mysafirët fliste pak.”

Hazret Mirza Bashir Ahmad sahib transmeton një tjetër rrëfim:

“Hazret Bhai Abdul Rahman sahib Kadijani tregon se një ditë para Bajramit të Kurbanit të vitit 1900, që ishte dita e haxhit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha Hazret Maulvi Nuruddin sahibit, pra Hazret Kalifit të Parë i tha, se dëshiron ta kalojë atë ditë në lutje të veçanta; prandaj kushdo që dëshiron të bëjë kërkesë për lutje, t’i dërgojë emrat dhe një listë.

Atë ditë, nëpërmjet Hazret Maulvi Nuruddin sahibit, arritën shumë kërkesa për lutje, dhe disa njerëz i dërguan edhe drejtpërdrejt. Meqë në atë kohë për Bajram vinin edhe shumë miq nga vende të tjera për ta falur namazin dhe për të takuar Hazret Mesihun e Premtuar a.s., edhe ata u bashkuan në këtë nxitje që e bëri Zoti. Ajo ditë në Kadijan kaloi me lutje të veçanta, me përgjërime të jashtëzakonshme dhe me bekime të mëdha.

“Asgjë nuk më pikëllon më shumë sesa mosfalja e namazit me xhemat”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke përshkruar gjendjen e tij ndaj namazit me xhemat, tha në një mbledhje:

“Edhe sot nuk jam mirë nga koka. Kam marramendje. Kur vjen koha e namazit me xhemat, më shkon mendja se të gjithë do të jenë në xhemat dhe unë nuk do të jem. Kjo më pikëllon. Prandaj, edhe me vështirësi, duke u ngritur e duke rënë, erdha në xhami. Duke u përpjekur arrij në xhami.”

Pra, kështu i ndodhte shumë herë siç i ndodhi atë ditë. Edhe në ditët e sëmundjes përpiqej ta falte namazin me xhemat.

Hazret Maulvi Abdul Karim sahib Sialkoti thotë:

Vendi i takimit me Hazret Mesihun e Premtuar a.s. zakonisht ishte xhamia. Nëse nuk ishte i sëmurë, i falte rregullisht pesë namazet me xhemat dhe e theksonte shumë rëndësinë e namazit me xhemat. Shpesh thoshte:

“Asgjë nuk më pikëllon më shumë sesa mosfalja e namazit me xhemat.”

Maulvi sahibi më tej shkruan:

“Mbaj mend se në kohët kur kishte pak vizitorë, ai shprehte dëshirë të madhe që të kishte një xhemat të vetin për të falur pesë kohët bashkë. Ai thoshte se është i angazhuar në lutje dhe shpreson se Allahu do ta pranojë. Kur Maulvi sahib e shkroi këtë, tha se me bekimin e Allahut numri i namaztarëve ishte tetëdhjetë ose nëntëdhjetë.”

Sot, me bekimin e Allahut, në çdo vend kemi xhami, prandaj duhet të përpiqemi t’i gjallërojmë xhamitë tona dhe ta falim çdo namaz me xhemat.

Maulvi sahibi shkruan se pas faljes së farzit, ai shkonte menjëherë në shtëpi dhe merrej me shkrim. Pas namazit të akshamit rrinte në xhami dhe e hante edhe ushqimin me miqtë atje. Pas namazit të jacisë sërish shkonte në shtëpi.

Namazi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe ndikimi i tij i thellë mbi zemrat

Hazret Abdul Sattari tregon se para deklaratës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kur ishte ndërtuar xhamia e vogël “Mubarak”, ai drejtonte namazet e xhematit, të drekës, të ikindisë, të akshamit dhe të jacisë. Ne ishim vetëm tre veta që faleshim pas tij: Mian Gulab, Abdul Sattar dhe Mian Xhan Muhammed ishim xhematlinj.

Mënyra se si ai e falte namazin më është fiksuar në mendje. Çdo namaz e falte në kohë. E falte me përulësi, thyerje zemre dhe përgjërim, ashtu si një fëmijë që qan para prindërve për të kërkuar diçka. Një namaz i tillë kishte ndikim shumë të madh në zemrat tona që faleshim pas tij. Ky ishte mësimi i parë që morëm.

Kur ai përfundonte namazin dhe ulej, ne shikonim fytyrën e tij, e cila ishte e ndritshme dhe tërhiqte shumë zemrat tona.

Namazi i xhenazes sipas sunetit dhe kënaqësia shpirtërore në lutje

Pir Siraxhul Hak Numani tregon:

Çfarë namazi të xhenazes falte Hazret Mesihu i Premtuar a.s.! SubhanAllah! Sa mbresëlënës qe namazi i tij dhe sa i përpiktë me sunetin e Pejgamberit s.a.v.s.! Subhanallah! Qindra herë kam pasur rastin ta shoh atë duke falur namazin e xhenazes, qoftë në prani apo në mungesë të xhenazes, dhe të falem pas tij.

Njëherë, Mian Xhan Muhammed Kadijani ndërroi jetë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi bashkë me xhenazen. I ndjeri ishte ndër ndjekësit e tij të përkushtuar dhe ishte i flijuar për të. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu e donte shumë Mian Xhan Muhammedin. Edhe kur ishte shumë i zënë, kur ai vinte, i linte të gjitha punët dhe e takonte.

Kur xhenazja arriti në varreza, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e fali vetë namazin e xhenazes si imam. Namazi zgjati aq shumë sa këmbët tona filluan të na dhembnin nga qëndrimi dhe duart nga mbajtja e lidhur. Për të tjerët nuk them çfarë përjetuan, por për vete them se gjendja ime u përkeqësua duke qëndruar në këmbë, asnjëherë nuk më kishte ndodhur diçka e tillë. Kjo sepse ne ishim mësuar që namazi i xhenazes të përfundonte për dy minuta.

Pastaj erdha në vete dhe kuptova se ky ishte namazi i vërtetë. Pas kësaj u bëra i qëndrueshëm dhe filloi të lindte një kënaqësi dhe gëzim i brendshëm në shpirt. Madje dëshiroja që namazi të zgjaste edhe më shumë.”

“A lodhet ai që lyp!”

Pra, kështu Hazret Mesihu i Premtuar a.s. krijoi edhe te shokët e tij shijen e tillë të namazit, saqë edhe ata kanë ndier kënaqësinë e tij, për të cilën ata edhe dëshmuan. Ai vijon:

“Kur përfundoi namazi i xhenazes, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u nis drejt shtëpisë. Një person tha:

“Huzur, namazi zgjati aq shumë sa ne u lodhëm. Si ka qenë gjendja juaj?”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. iu përgjigj:

“Çfarë lidhje kam me lodhjen? Unë po i lutesha Allahut, po lypja falje për këtë të ndjerë. A lodhet ai që lyp! Ai që lodhet nga të kërkuarit, mbetet pa gjë. Ne jemi lypës dhe Zoti është Dhënësi. Këtu nuk bëhet fjalë për lodhje! Kur robi ka edhe pak shpresë, nuk largohet prej atje dhe nuk resht së kërkuari. Kurse shpresat tona që të gjitha janë te pragu i Allahut të Madhërishëm. Ai është Dhuruesi, Bujari i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëbërësi, më pas është edhe Sunduesi dhe i Plotfuqishmi. Si mund të imagjinohet lodhja përpara Tij!”

Allahu na japë edhe neve aftësinë t’i falim namazet me këtë mendim. Ne kemi bërë bejat ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s. me zotimin se do t’i falim namazet sipas urdhrit të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.v.s., do t’i kemi parasysh mirësitë e Allahut, dhe namazet t’i falim duke e falënderuar Atë për to. Allahu na mundësoftë ta përmbushim këtë zotim!

Dy njoftime për namaz xhenaze (në mungesë)

Pas namazit do të fal dy xhenaze në mungesë.

E para është e nderuara Umatush Sharif, bashkëshortja e të nderuarit Mahmud Ahmed Butt nga Derianvala, Naroval. Ajo ndërroi jetë në moshën tetëdhjetë e katër vjeçare. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun. Me bekimin e Allahut kishte bërë vasijatin. Ishte vajza e sahabiut të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., Hazret Maulvi Umar Din r.a., nga Shadiwal, distrikti Guxharat. Ai kishte bërë bejatin në dorën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në vitin 1903 gjatë udhëtimit në Xhehlem, bazuar në një ëndërr.

Ajo la pas bashkëshortin, gjashtë djem, pesë vajza, nipër dhe mbesa. Një nga djemtë e saj, i nderuari Asif Mahmud Butt, është misionar i xhematit në Dar es Salam, Tanzani, dhe për shkak të detyrës nuk mundi të marrë pjesë në xhenaze dhe varrim. Një nga nipërit, Usama Butt, është misionar këtu, po ashtu edhe një nga dhëndurët e saj është misionar. Ka shumë të dedikuar në familjen e saj.

I biri, Asif Mahmud Butt, misionari i Xhematit, shkruan se nëna e tij kishte shumë cilësi, më e spikatura ishte lidhja me Allahun. Shpesh merrte lajme të vërteta në formë ëndrrash që përmbusheshin qartë. Kishte dashuri të jashtëzakonshme për Kuranin e Shenjtë, trashëguar nga babai i saj. Çdo ditë pas namazit të sabahut u mësonte Kuranin fëmijëve ahmedianë dhe joahmedianë të lagjes. I pëlqente shumë ta lexonte dhe ta dëgjonte Kuranin. Thotë se edhe prej meje dëgjonte, dhe nëse ndalesha për ta provuar, ajo vazhdonte menjëherë ajetin tjetër. Pothuajse e kishte mësuar përmendësh Kuranin. Thoshte se në moshë të shtyrë gjithçka e kishte harruar, por Kuranin e Shenjtë, me bekimin e Allahut, e mbante mend.

Kishte lidhje të veçantë me librat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe gjithmonë kishte ndonjë libër në lexim. Po ashtu kishte dashuri të madhe për librat “Durre Themin” “Kelam-e-Mehmud” dhe poezinë e Hazret Kalifit të Katërt të Mesihut të Premtuar r.a., dhe shumë poezi i dinte përmendësh. Një nga dhëndurët e saj tregon se kur shkoi në Kadijan, ajo i tha:

“Ec sa më shumë në këmbë, sepse në këto rrugë ka ecur Hazret Mesihu i Premtuar a.s.”

Allahu e mëshiroftë dhe ia pranoftë lutjet për fëmijët e saj!

Xhenazja e dytë është e të nderuarit Sheikh Bashir Ahmed nga Lahore, i cili ndërroi jetë në moshën nëntëdhjetë e shtatë vjeçare. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun. Me bekimin e Allahut kishte bërë vasijatin. Ai la pas tre djem dhe pesë vajza. Ishte djali më i vogël i Sheikh Muhammed Din sahibit, Mukhtare Aam i Sadr Anjuman Ahmedia. Ishte vëllai më i vogël i Sheikh Mubarak Ahmed sahib, ish Amir dhe misionar në Afrikën Lindore, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, si dhe i Sheikh Nur Ahmed sahibit, misionar në vendet arabe.

Ishte falës i rregullt i tehexhudit, i përpiktë në agjërim dhe namaz, i sjellshëm dhe me moral të lartë. Ishte punëtor i sinqertë i xhematit të Lahores. Ishte anëtar aktiv i amiles nën drejtimin e Çaudhry Asadullah Khan sahibit dhe Çaudhry Hamid Nasrullah sahibit. Për më shumë se njëzet vjet shërbeu si sadr i lagjes së tij. I kryente punët e xhematit me përpikëri dhe luajti rol të madh në ndërtimin e xhamisë dhe në blerjen e pronave të tjera të xhematit. Merrte pjesë me zell në thirrjet financiare dhe i nxiste edhe fëmijët e tij. Kishte lidhje shumë besnike me Kalifatin dhe ua mësonte këtë edhe fëmijëve dhe të afërmve.

E kam parë edhe unë që ishte njeri shumë i përulur dhe i sjellshëm me të gjithë.

Vajza e tij, Asifa Saidullah, tregon se pas namazit të sabahut lexonte Kuranin me zë të bukur, gjë që ndikoi shumë në edukimin tonë. Një tjetër vajzë, që jeton këtu, thotë se kur u martua në Rabva, ai i tha:

“Je me fat që po shkon në qendrën Rabva. Allahu të dhëntë aftësinë për t’i edukuar siç duhet fëmijët.”

Edhe pse ishte biznesmen, nuk fliste për botën, por u mësonte fenë fëmijëve. Allahu e mëshiroftë dhe ia pranoftë lutjet për pasardhësit e tij!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via