Shirku, pendesa, sprovat dhe lutja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
darul masih

Këshilla për të sapoanëtarësuarit

[Më 9 mars 1903, disa njerëz erdhën për të marrë pjesë në namazin e Kurban Bajramit dhe bënë bejtin. Hazret Mesihu i Premtuar, Imami i kohës, u ngrit dhe mbajti këtë fjalim. Në shqip jepet një pjesë e këtij fjalimi.]

Hazret Mirza Ghulam Ahmed, Mesihu i Premtuar, Imam Mehdiu a.s. tha:

Më dëgjoni. Dua t’ju them disa fjalë si këshillë të gjithë juve që keni bërë bejt tani dhe të gjithë atyre që e kanë bërë më përpara. Dëgjoni me shumë vëmendje.

Ky bejt juaji është bejti i pendesës. Pendesa (tevbe) bëhet në dy mënyra: (1) të pendoheni nga mëkatet e kaluara dhe ta përmirësoni veten duke e shlyer humbjen që ju ka ardhur për shkak të gabimeve të së kaluarës. Dhe (2) të përpiqeni maksimalisht për t’i ndrequr gabimet dhe për të qenë larg mëkateve, që ta ruani veten nga ky zjarr edhe në të ardhmen.

Është premtimi i Allahut të Madhërishëm që me pendesën ju falen të gjitha mëkatet e mëparshme, me kusht që pendesa të jetë me zemër të sinqertë dhe me synim të pastër dhe të mos jetë asnjë pabesi e fshehur në ndonjë qoshe të zemrës. Ai i di edhe sekretet e fshehta të zemrës. Ai nuk mund të mashtrohet nga askush. Andaj, le të mos bëni përpjekje për ta mashtruar Atë dhe të pendoheni pranë Tij me sinqeritet, e jo me hipokrizi.

Pendesa nuk është një gjë shtesë ose diçka e kotë për njeriun dhe ndikimi i tij nuk është i kufizuar vetëm në ditën e kiametit, madje ajo ia rregullon njeriut të dyja, edhe botën, edhe besimin. Nga pendesa ai gëzon lumturi edhe në këtë botë, edhe në botën vijuese.

Shikoni, Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

pendesa lutjaO Zoti ynë! (Rab-bena!) Na jep të mirat edhe në këtë botë dhe na jep të mirat edhe në botën vijuese dhe na shpëto nga ndëshkimi i zjarrit.

Shpjegimi i fjalës “Rab-bena”

Shikoni, fjala “Rab-bena” i referohet pikërisht pendesës, sepse thirrja “Rab-bena” kërkon që njeriu të mos u japë më vlerë disa “rabëve” të tjerë që ai ka sajuar deri më parë dhe të vijë te Ky Rab. Kjo fjalë nuk mund të burojë nga zemra pa shoqëruar me dhimbje dhe shkrirje të vërtetë të saj. ‘Rab’ do të thotë ai që sjell shkallë-shkallë dikë a diçka të caktuar drejt përsosmërisë dhe që kujdeset për rritjen e tij/saj.

Në të vërtetë, njeriu krijon shumë “rabë”. Kur ai beson shumë në marifetet dhe dinakëritë e tij, ato shndërrohen rabë të tij. Nëse ai mburret për dijen ose forcën e tij fizike, ato bëhen rabë të tij. Nëse ai krenohet për bukurinë ose pasurinë e tij, ato janë rabë të tij. Në këtë mënyrë, mijëra mjete janë të lidhura me njeriun. Derisa ai nuk heq dorë nga të gjitha ato, duke mos i përfill më ato, dhe derisa nuk e ul kokën para Rabit të vërtetë, të Adhuruarit të Vetëm, dhe derisa nuk bie te pragu i Tij duke thënë “Rab-bena” në formë klithmash të dhimbshme e sinqerta të zemrës së tij, deri atëherë ai nuk e ka njohur Rabin e vërtetë.

Kështu që, njeriu e njeh Rabin e vërtetë atëherë, kur pendohet pranë Tij me dhimbje e zemërzhuritje të këtillë, duke pranuar mëkatet e veta, dhe i drejtohet “Rab-bena!”, pra, ‘vetëm Ti je Rabi i vërtetë, por unë gabova që kam vërtitur në një drejtim tjetër; tani kam hequr dorë nga idhujt dhe nga të adhuruarit e rremë dhe me sinqeritet të zemrës të pranoj Ty si Rab dhe vij te pragu Yt’.

Kështu që, pa e arritur këtë gjë, vështirë ta bëni Zotin si Rab tuajin. Për sa kohë që rabë të tjerë dhe vlera e madhështia e tyre nuk largohen nga zemra e njeriut, njeriu nuk e ka pranuar Rabin e vërtetë dhe fuqinë e Tij.

Disa njerëz gënjeshtrën e kanë bërë rab, sepse ata e dinë që nuk mund ta kryejnë dot punën pa gënjeshtrën. Disa të tjerë vjedhjen, plaçkitjen dhe mashtrimin e kanë bërë rab, sepse besojnë se përveç këtyre rrugëve, ata nuk kanë asnjë rrugë tjetër për risk. Prandaj, ato janë rabë të tyre. Shikoni, një vjedhës që ka të gjitha mjetet për të kryer vjedhjen, është në orët e natës, e di se ku është fitimi i tij dhe aty nuk ka as rojë e as ndonjë pengesë tjetër, a mund të dijë ai ndonjë rrugë tjetër për riskun e vet, përveç vjedhjes? Ai vetëm armët e tij do t’i vlerësojë si Zot. Andaj, njerëzit që mbështeten dhe kanë besim vetëm te marifetet e tyre, çfarë nevoje kanë t’i kërkojnë ndihmë Zotit dhe t’i luten Atij? Lutja i nevojitet vetëm atij, të cilit i janë mbyllur të gjitha rrugët dhe asnjë rrugë tjetër përveç rrugës së Zotit, të mos jetë e hapur. Vetëm ai mund të bëjë lutje nga zemra.

Andaj, lutjen “O Zoti ynë! (Rab-bena!) Na jep të mirat edhe në këtë botë dhe na jep të mirat edhe në botën vijuese dhe në shpëto nga ndëshkimi i zjarrit!” mund ta bëjnë vetëm ata, që vetëm Zotin e kanë marrë për Rab të tyre dhe që besojnë me bindje që të gjithë rabët e tjerë janë të rremë para Rabit të tyre.

“Zjarr” nuk do të thotë vetëm ai zjarr që do të bëhet në botën tjetër, por ai që jeton gjatë edhe në këtë botë, sheh se edhe kjo botë ka mijëra zjarre. Njerëzit me përvojë dinë që bota ka lloj-lloj zjarresh. Ndëshkime nga më të ndryshme, frika, brenga, uri, sëmundje, dështime, rënie, poshtërime, pikëllime gjithfarësh, shqetësime nga gruaja, fëmijët etj. probleme me të afërmit, të gjitha këto janë zjarre. Besimtari lutet që Zoti ta shpëtojë atë nga të gjitha këto zjarre, duke thënë: Tani që kam kapur pragun Tënd, më shpëto nga të gjitha gjërat që janë të hidhura për jetën time dhe që përbëjnë një lloj zjarri.

Pendesa e vërtetë

Pendesa e vërtetë është një gjë e vështirë. Pa pasur mundësi dhe ndihmë nga Zoti, është e pamundur të bëni pendesën e të mbeteni të qëndrueshëm në të. Pendesa nuk përbëhet vetëm nga fjalët. Shikoni, Zoti nuk kënaqet me një gjë të vogël. Nëse dikush bën një punë të vogël dhe mendon se ‘kam bërë gjithçka që kisha për të bërë dhe tani jam në gradën e pëlqimit’, ky është vetëm iluzion. Kur nuk kënaqim dot një mbret duke i dhënë një farë të vogël ose një grusht dheu, madje shkaktojmë zemërimin e tij, a mund të kënaqim vallë nga një lëvizje e kotë e jona ose nga dy fjalë goje, Atë që është Gjykatësi i të gjithë gjykatësve dhe Mbreti i të gjithë mbretërve?! Zotit nuk i pëlqen lëvozhga. Ai do bërthamën.

Ndalimi nga shirku

Dëgjoni, Zoti nuk do që ju të barazoni dikë a diçka me Të. Disa njerëz mbajnë një pjesë të madhe për të pëlqyerit e nefsit dhe pastaj edhe Zotit i caktojnë një pjesë. Një pjesë të tillë Zoti nuk e pranon. Ai e do pjesën e pastër. Nuk ka punë më të rrezikshme për të shkaktuar zemërimin e Tij sesa të bësh dikë hisetar me qenien e Tij. Mos bëni punët duke u lënë një pjesë hisetarëve të nefsit tuaj dhe një tjetër Zotit. Zoti i Madhërishëm thotë:

Unë fal çdo mëkat, por shirkun jo.

Mbani mend! Shirku nuk është të adhurosh vetëm idhujt prej guri. Kjo është një gjë shumë e trashë. Këtë e bëjnë vetëm ata që janë shumë naivë, ndërsa një të mençuri i vjen turp nga një gjë e tillë. Shirku është shumë i imët. Ai shirk që shpesh bëhet shkak i shkatërrimit, është shirku i mjeteve, domethënë, të besoni kaq shumë në mjetet, saqë ato të bëhen dëshira dhe qëllimi juaj. Ai që i jep përparësi botës mbi besimin, e bën këtë për arsye se ai mbështetet tek gjërat e kësaj bote dhe mban një shpresë të tillë nga ato, që nuk e mban nga feja dhe besimi. Njerëzit e tillë kërkojnë fitim neto dhe e privojnë veten nga ahireti. Në momentin kur njeriu beson se të gjitha sukseset e tij varen nga mjetet e kësaj bote, ai e pandeh Zotin për një gjë krejtësisht të kotë dhe të padobishme. Ju mos bëni kështu. Ju kini tevekul (mbështetuni tek Zoti).

Çfarë është tevekul?

Tevekul nuk është diçka tjetër veçse, të përdorni sa të keni mundësi mjetet që Allahu i Madhërishëm ka krijuar për të kryer një punë të caktuar e më pas të përqendroheni në lutje duke thënë:

‘O Zot! Ti na mundëso përfundim të mbarë në këtë punë. Kemi qindra vështirësi e mijëra probleme, të cilat mund t’i shkapërderdhin të gjitha mjetet tona. Na shpëto nga ndërhyrja e tyre e gabuar, na mundëso suksesin e vërtetë dhe na çdo drejt destinacionit!’

Pendesa e vërtetë dhe grada e saj e lartë

Tevbe (pendesë) do të thotë të hiqni dorë nga mëkati dhe të ktheheni tek Zoti i Madhërishëm; të braktisni ligësinë dhe të hidhni hap drejt mirësisë. Pendesa kërkon një vdekje, pas së cilës njeriu ringjallet dhe nuk vdes më. Pas pendesës njeriu bëhet i tillë, sikur ka lindur sërish në botë. Ai nuk do të ketë më as sjelljen e mëparshme, gjuhën e as gjymtyrët e mëparshme. Ai i gjithi shndërrohet në një tjetër. Duket sikur ai vepron nën komandën e dikujt tjetër. Shikuesit e dallojnë që ky nuk është ai që ka qenë, por është një njeri tjetër.

Shkurt, më besoni se pendesa ka shpërblime shumë të mëdha. Ajo është burim i bekimeve. Realisht, evlijatë dhe sulahat (të sinqertët) janë ata që bëjnë pendesën dhe më pas mbeten të patundur në të. Ata i largohen mëkatit dhe i afrohen Zotit. Pikërisht ai quhet veli, kutb dhe geuth, i cili bën pendesën e përsosur. Vetëm në këtë gjendje ai bëhet i dashur i Zotit. Pas kësaj gjendjeje, gjëmat dhe vuajtjet largohen.

Urtësia e shqetësimeve që hasin besimtarët dhe profetët

Lind pyetja: përse vuajnë profetët dhe besimtarët? Edhe ata kalojnë nga disa vështirësi, të cilat për ta janë shenja mëshire. Shikoni, sa shumë vështirësi ka pasur në jetë Profeti ynë Hazret Muhammed s.a.v.s.? Të duhet një zemër e fortë edhe sikur t’i numërosh ato. Drithërohesh vetëm duke i kujtuar ato. Gjithashtu, historia është dëshmitare edhe për ato që kanë hequr shokët e Profetit Muhammed s.a.v.s.. A ekziston vallë ndonjë shqetësim që nuk i është shkaktuar Profetit s.a.v.s. dhe sahabëve të tij? Ashtu siç mohuesit nuk lanë diçka të mangët në shkaktimin e vuajtjeve për ta, edhe Zoti i Madhërishëm nuk la diçka të mangët për t’i bekuar ata. Në të vërtetë, shqetësimet e tilla njerëzve të tillë u bëhen shërim. Zoti i Madhërishëm ua hap thesaret e mëshirës së Tij, pikërisht për shkak të këtyre shqetësimeve.

ہر بَلا کیں قوم را حق دادہ است
زیر آں گنج کرم بنہادہ است

Por duhet, që në një kohë të tillë, njeriu të ketë durim të përsosur dhe të mos e paragjykojë Zotin e Madhërishëm. Njerëzit si sahabët e shohin Islamin si bekim të Zotit dhe për këtë arsye gjejnë një kënaqësi edhe në sprova. Gradat e afrimit me Zotin siç mund t’i arrini gjatë sprovës, nuk mund t’i arrini dot me dëlirësi, adhurim dhe ushtrim të zakonshëm, edhe sikur këto t’i bëni për vite. Ata të cilët u bënë shembuj të afrimit me Zotin, të cilëve u ishte dhënë medalje e udhëheqjes së njerëzve dhe që u bënë të dashur të Zotit, secili prej tyre ka pasur në jetë ndonjë kohë kur atij i ranë vështirësi dhe shtrëngime sa një mal. Shembulli i tyre është si qesja e myshkut. Derisa myshku është i mbyllur në të, ai nuk ndryshon nga një gur ose një copë dheu. Por kur ta shtypësh atë ose ta çash me thikë, menjëherë del një aromë prej tij, e cila edhe krejt shtëpinë mund ta parfumojë, madje parfumohet edhe ai që i afrohet. E njëjta është gjendja e profetëve dhe e besimtarëve të sinqertë. Derisa vështirësitë nuk i godasin ata, aftësitë e tyre të brendshme mbeten të fshehura dhe dera e përparimit të tyre mbetet e mbyllur.

 (“Malfuzat”, vëll. 5, f. 187 – 194)

Audio

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp