“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?” | Mbështetja e Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?” | Mbështetja e Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshehudit, teauz-it, tesmijes dhe sures El-Fatiha, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Ilhami në ditën e ndërrimit jetë të babait të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Duke përmendur bekimet e Allahut të Lartësuar që nga fillimi i jetës së tij, mënyrën si Allahu u soll me të dhe mbështetjen e tij tek Allahu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Kanë kaluar rreth tridhjetë vjet nga koha kur babai im, Zoti e mbuloftë me mëshirën e Tij, u sëmur në fund të jetës së tij. Ditën kur ishte caktuar të ndërronte jetë, në mesditë më erdhi kjo shpallje:

وَالسَّمَاءِ وَالطَّارِقِ

‘Betohem për qiellin dhe për atë që del gjatë natës!’” (Kurani i Shenjtë 86:2)

Duke e shpjeguar këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Njëkohësisht, më lindi në zemër se kjo ishte një shenjë që babai im do të ndërronte jetë. Kështu, kuptimi i tij është: betohem për qiellin dhe betohem për atë ngjarje që do të ndodhë në kohën e perëndimit të diellit.

Kjo ishte ngushëllim nga Allahu i Lartësuar për robin e Tij. Atëherë kuptova se babai im do të ndërronte jetë pas perëndimit të diellit. Për këtë ilham (shpallje) u njoftuan edhe disa njerëz të tjerë.

Betohem në Allahun e Lartësuar, në dorën e të Cilit është jeta ime, dhe për të Cilin të gënjesh është punë e djallit dhe e të mallkuarit, se pikërisht kështu ndodhi.

Atë ditë, sëmundja kryesore e babait tim, që ishte dhimbja e veshkave, i ishte larguar. Kishte vetëm pak diarre, por edhe ajo nuk ishte e tillë që t’i kishte shkaktuar ndonjë dobësi të madhe. Ai shkonte vetë në tualet, pa mbështetjen e askujt.

Kur perëndoi dielli, ai u kthye nga tualeti dhe u ul në krevat. Sapo u ul, filloi ajo gjendje e rëndë e daljes së shpirtit, kur frymëmarrja vjen me ndërprerje dhe dëgjohet ai zë i njeriut në prag të vdekjes.

Në po atë gjendje, ai më tha:

‘E pe çfarë është kjo?’

Pastaj u shtri.

Më parë nuk më kishte ndodhur kurrë të shihja dikë që të mund të fliste në atë gjendje, madje të fliste qartë e me qëndrueshmëri në çastet e fundit.

Pastaj, pikërisht në kohën kur dielli perëndoi, babai im u largua nga kjo botë e përkohshme. Kjo ishte shpallja e parë dhe profecia e parë që Zoti më shfaqi. Në mesditë, Zoti më njoftoi se kjo do të ndodhte, dhe në kohën e perëndimit të diellit kjo profeci u përmbush.

Për mua është vend krenarie dhe nuk do ta harroj kurrë se në kohën e ndërrimit jetë të babait tim, Allahu i Lartësuar më ngushëlloi dhe u betua për ndërrimin jetë të babait tim, ashtu siç u betua për qiellin.

Ata njerëz në të cilët është ndezur fryma djallëzore do të habiten e do të thonë: si mund të ndodhë që Zoti t’i japë dikujt një madhështi të tillë, sa ta quajë ndërrimin jetë të babait të tij një goditje të madhe dhe të betohet për të?

Por unë përsëri betohem në Zotin e Plotfuqishëm se kjo ngjarje është e vërtetë. Ishte vetë Zoti që më njoftoi për ta ngushëlluar dhe tha:

وَالسَّمَاءِ وَالطَّارِقِ

Dhe pikërisht sipas kësaj ndodhi.”

“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Kur m’u dha lajmi se babai im do të ndërronte jetë pas perëndimit të diellit, unë, sipas natyrës njerëzore, u preka shumë nga ky lajm. Sepse nga natyra njerëzore robi shqetësohet.

Shumica e mjeteve të mia të jetesës ishin të lidhura me jetën e babait tim. Ai merrte pension nga qeveria angleze dhe, përveç kësaj, merrte edhe një shumë të madhe si shpërblim, e cila ishte e kushtëzuar me jetën e tij.”

Domethënë, disa të drejta që i ishin dhënë nga qeveria i kishte vetëm sa të ishte gjallë.

“Prandaj më erdhi mendimi: çfarë do të ndodhë pas vdekjes së tij? Në zemër më lindi një frikë se ndoshta mua do të më vinin ditë të vështira. I gjithë ky mendim kaloi në zemrën time si një vetëtimë, për më pak se një sekondë.

Në atë çast më kaploi një gjendje si përgjumje dhe Zoti më dërgoi këtë shpallje të dytë:

أَلَيْسَ اللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ

‘A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!’ (Kurani i Shenjtë 39:37)

Me këtë shpallje hyjnore, m’u forcua zemra aq shumë, sikur një plagë shumë e dhimbshme të shërohej përnjëherë me një balsam.

Në të vërtetë, është provuar shumë herë se në shpalljen hyjnore ka një cilësi të veçantë për t’i dhënë qetësi zemrës. Rrënja e kësaj cilësie është bindja që krijohet ndaj shpalljes hyjnore.”

Domethënë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte bindje se kjo ishte fjala e Allahut të Lartësuar dhe se Allahu i Lartësuar kishte thënë: Unë jam i mjaftueshëm për ty. A nuk është Zoti i mjaftueshëm? Tani kam bindje. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Nuk ka pse të shqetësohem për askënd. Tani mbështetja ime është vetëm tek Allahu i Lartësuar.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Pra, kur më erdhi shpallja:

أَلَيْسَ اللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ

‘A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!’ (Kurani i Shenjtë 39:37)

unë e kuptova menjëherë se Zoti nuk do të më lërë të humbas.

Atëherë ia shkrova këtë shpallje një hindu khatri, me emrin Mulavamal, banor i Kadijanit, i cili është ende gjallë. Ia tregova edhe gjithë ngjarjen dhe e dërgova në Amritsar, që përmes Hakim Molvi Muhammed Sherif Kalanorit ta gdhendte në një gur unaze dhe të më sillte një unazë vulë.

E zgjodha këtë hindu për këtë punë vetëm që ai të bëhej dëshmitar i kësaj profecie madhështore, dhe që edhe Molvi Muhammed Sherifi të bëhej dëshmitar.

Kështu, përmes Molvi Sahibit të lartpërmendur, ajo unazë u përgatit për vetëm pesë rupi dhe më mbërriti mua. Ajo unazë është ende tek unë.”

Dhe me bekimin e Allahut, ajo është e ruajtur deri më sot.

“Kjo shpallje kishte ndodhur në atë kohë kur gjithë jetesa ime varej vetëm nga disa të ardhura të kufizuara të babait tim. Nga njerëzit e jashtëm, askush nuk më njihte. Isha një njeri i panjohur, i strukur në një humbëtirë, në një fshat të shkretë si Kadijani.

Pastaj, pas kësaj, Zoti, sipas profecisë së Vet, bëri që një botë e tërë të kthehej drejt meje. Ai më ndihmoi financiarisht me fitore të vazhdueshme, aq shumë sa nuk kam fjalë për ta shprehur falënderimin.

Duke parë gjendjen time, unë nuk kisha as shpresën se mund të më vinin edhe dhjetë rupi në muaj. Por Allahu i Lartësuar, i Cili i ngre të varfrit nga pluhuri dhe i përplas mendjemëdhenjtë në pluhur, më ndihmoi në një mënyrë të tillë, sa mund të them me bindje se deri tani kanë ardhur afërsisht treqind mijë rupi, ndoshta edhe më shumë.

Për ta kuptuar këtë të ardhur, mjafton të mendohet se për shumë vite, vetëm shpenzimi i langarit (i kuzhinës) ka arritur deri në një mijë e pesëqind rupi në muaj, mesatarisht. Pastaj ka edhe degë të tjera shpenzimesh: medreseja, botimi i librave e të tjera, që janë më vete.

Pra, duhet parë se kjo profeci:

أَلَيْسَ اللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ

‘A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!’ (Kurani i Shenjtë 39:37)

u përmbush me çfarë qartësie, fuqie dhe madhështie!”

Një avokat joahmedian dëshmoi për qëndrueshmërinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në të vërtetën

Edhe të tjerët e pranonin mbështetjen e Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu i Lartësuar dhe qëndrueshmërinë e tij në të vërtetën. Kështu, i nderuari Malik Salahuddin rrëfen:

Në një mbledhje, një person filloi të fliste kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Atëherë Molvi Fazl Din Sahibi, i cili ishte avokat joahmedian dhe kishte qenë avokat i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në çështjen e tentativës për vrasje, u ngrit me shumë zjarr dhe tha:

“Unë jam i bindur për personalitetin madhështor të Mirza Sahibit dhe për përsosmërinë e tij morale. Kam parë shumë njerëz të mëdhenj e të mirë që, pas këshillave ligjore, e kanë ndryshuar deklaratën e tyre. Vetëm Mirza Sahibin e kam parë të tillë që nuk lëvizi asnjë hap nga e vërteta.

Në çështjen e Martin Klarkut, unë përgatita një deklaratë ligjore dhe i thashë se deklarata e të akuzuarit nuk jepet nën betim. Mirza Sahibi e lexoi deklaratën dhe tha:

‘Por kjo deklaratë është gënjeshtër. Allahu i Lartësuar nuk ka dhënë leje që i akuzuari të gënjejë.’

Unë i thashë:

“Ju po e futni veten me dashje në telashe.”

Atëherë Mirza Sahibi tha:

‘Të hyj me dashje në telashe do të ishte atëherë kur të jepja një deklaratë ligjore, të përfitoja padrejtësisht prej saj dhe ta zemëroja Zotin tim. Kjo nuk mund të ndodhë nga unë, çfarëdo që të ndodhë.’”

Ky është një avokat joahmedian që tregon:

“Në atë kohë, në fytyrën e Mirza Sahibit kishte një madhështi dhe një zjarr të veçantë. Mirza Sahibi tha:

‘Unë kurrë nuk kam menduar se do të kem dobi nga avokatia juaj. Mbështetja ime është te Zoti, i Cili ma sheh zemrën. Tek Ai mbështetem unë. Ai di çdo gjë.

Deklarata ime do të jetë më e fuqishme se deklarata juaj ligjore. Këtë mbajeni mend. Unë jam mbështetur tek Allahu, prandaj mbajeni mend se deklarata që do të jap unë do të ketë më shumë ndikim se kjo deklaratë ligjore që keni përgatitur ju.

Edhe nëse, në sytë e botës, përfundimi nuk do të jetë i mirë, domethënë edhe nëse më jepet dënim, unë do të jem i lumtur që nuk e kam kundërshtuar Zotin tim.’”

E çuditshme është fuqia e Zotit! Mirza Sahibi u shpall i pafajshëm pikërisht me deklaratën e tij.

Ai avokat thotë:

“Unë e konsideroj atë plotësisht të drejtë dhe në zemrën time kam një respekt shumë të madh për të.”

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e tha hapur se avokatia është një mjet i kësaj bote dhe duhet përdorur, por mbështetja ime është vetëm te Zoti im. Prandaj nuk mund të shkel asnjë urdhër të Allahut të Lartësuar.

Ai tha me bindje se vendimi do të ishte në favor të tij. Edhe një njeri jashtë Xhematit nuk mundi të mos ndikohej nga kjo.

Qytetërimi i vërtetë është mbështetja tek Allahu dhe pastërtia e zemrës

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahibi shkruan se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Sipas njerëzve të sotëm, kulturë do të thotë që njeriu të bëhet krimb i dynjasë, ta harrojë Zotin dhe të merret me adhurimin e mjeteve të jashtme. Por, sipas Zotit të Lartësuar, kulturë është që njeriu të arrijë mbështetje të plotë tek Allahu i Lartësuar, madhështia dhe frika e Tij të zënë vend në zemër, dhe zemra të fitojë pastërti të vërtetë.”

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahibi jep edhe një shembull të kësaj mbështetjeje tek Allahu dhe të kësaj pastërtie të vërtetë, dhe thotë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vetë e zbatonte këtë në praktikë.

Kur njerëzit bënin bejatin në dorën e tij, ai zakonisht i këshillonte ata. Një herë tha, madje shpesh thoshte, duke i këshilluar ahmedianët:

“Pasi të hyni në këtë Xhemat, së pari duhet të sillni ndryshim në jetën tuaj. Krijoni ndryshim brenda vetes, që besimi te Zoti të jetë i vërtetë dhe Ai t’ju ndihmojë në çdo vështirësi.

Pastaj urdhrat e Tij të mos i shihni me shpërfillje. Mos i quani të zakonshëm urdhrat e Allahut të Lartësuar. Përkundrazi, nderoni çdo urdhër dhe jepni provë të këtij nderimi me vepra.”

Dhe prova me vepra është kjo: të veprohet sipas urdhrave të Allahut të Lartësuar.

“T’u përulesh plotësisht mjeteve, të ulësh kokën para tyre, të mbështetesh vetëm tek ato dhe të heqësh dorë nga mbështetja tek Zoti, kjo është shirk dhe në njëfarë mënyre mohim i qenies së Zotit.”

Këtë këshillë ai ia jepte çdo njeriu që bënte bejat.

Ai tha:

“Përdorimi i mjeteve duhet të jetë deri në atë masë sa kjo të mos të çojë në shirk. Feja jonë nuk na ndalon nga përdorimi i mjeteve, por na ndalon të mbështetemi te to.

دست در کار دل با یار

Duart në punë, zemra me të Dashurin.”

Pra, dora duhet të jetë duke punuar, ndërsa zemra duhet të jetë e zënë me përmendjen e Allahut. Kështu duhet të jetë.

Mjetet duhen përdorur, por mbështetja duhet të jetë vetëm te Zoti

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Ju nuk jeni të ndaluar të përdorni ilaçe dhe masa praktike. Jeni të ndaluar vetëm të mbështeteni tek ato. Në fund do të ndodhë vetëm ajo që do Zoti.

Nëse dikush ka fuqi, le ta dijë se shkalla e mbështetjes tek Allahu është më e lartë se çdo shkallë tjetër.”

Pastaj tha:

“Allahu i Lartësuar ka vendosur në disa ilaçe veti të veçanta për shërimin e sëmundjeve. Ilaçet kanë veti për shërimin e sëmundjeve. Edhe në hadithin e nderuar vjen se ilaçet kanë ndikime dhe se sëmundjet trajtohen me to.

Por të mbështetesh tek këto mjete dhe të mendosh se shpëtimi dhe suksesi do të vijnë pikërisht prej tyre, kjo është shirk i rëndë dhe kufr. Kurrsesi nuk duhet të mbështetemi te mjetet. Mënyra e drejtë është që, pasi t’i sigurojmë mjetet, të mbështetemi te Zoti: nëse Zoti do, Ai do t’i bëjë këto mjete të dobishme.

Pastaj duhet t’i lutemi përsëri Atij, sepse vetëm Ai është që i lidh rezultatet me mjetet. Pikërisht kjo është mbështetja tek Allahu.”

Kur mjekët dorëzohen, lutja hap rrugë të re

Në një takim po flitej për disa sëmundje. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Për shërimin e sëmundjeve përmes lutjes, besimi im është i tillë sa nuk mund ta shpreh plotësisht atë që kam në zemër.”

Pra, ato mendime që kam në zemër, nuk mund t’i shpjegoj dot plotësisht.

Ai tha:

“Mjeku ecën deri në një kufi dhe aty ndalet.”

Pra, mjeku apo ai që trajton sëmundjen shkon deri në një kufi, pastaj ndalet dhe humb shpresën. Edhe sot, shumë njerëz shkruajnë letra se mjekët janë dorëzuar dhe kanë thënë se nuk ka më shpresë.

“Por përtej atij kufiri, Zoti hap rrugë përmes lutjes. Njohja e Zotit dhe mbështetja tek Zoti është pikërisht kjo: kur shpresa të lindë përtej kufijve që njerëzit kanë caktuar. Përndryshe, në atë gjendje njeriu vdes për së gjalli.

Pikërisht nga ky vend fillon njohja e Zotit të Madhërishëm.”

Ajo që u përmend në takim ishte botuar në “El-Hakam”. Ndërsa në “Badr” ka edhe një fjali shtesë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Besimi im themelor është ky: edhe nëse të gjithë mjekët e botës humbin shpresën dhe japin vendimin e vdekjes, përsëri, nëse sigurohen mjetet shpirtërore dhe lind përqendrim i mjaftueshëm, lutja mund të pranohet dhe robi mund të shërohet.”

Sëmundja e Hazret Molvi Abdul Kerim Sahibit dhe mbështetja tek Allahu

Lidhur me sëmundjen e Hazret Molvi Abdul Kerim Sahib Sialkotit, Shejh Jakub Ali Sahib Irfani, duke përmendur madhështinë e mbështetjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu, thotë:

“Në të vërtetë, pikërisht këto janë çaste kur sprovohet dashuria e vërtetë dhe sinqeriteti i dikujt. Gjithashtu, shihet se sa besim ka ai në fuqinë e Zotit të Lartësuar dhe çfarë lidhjeje ka me Zotin.

Në gjendje kaq delikate, sidomos kur edhe mjekët janë të pashpresë, askush nuk mund të qëndrojë i palëkundur, përveç atyre që Allahu i Lartësuar i ka pastruar me dorën e Vet.

Në sëmundjen e Molvi Abdul Kerim Sahibit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregoi një shembull të përsosur dashurie, sakrifice, besimi të plotë dhe mbështetjeje të plotë tek Allahu i Lartësuar. Për një njeri largpamës, kjo është provë e mjaftueshme.”

Kjo është provë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte nga ana e Allahut, se kishte lidhje të vërtetë me Zotin e Lartësuar dhe se, nëse dikush sot dëshiron të shohë në Umet shembullin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nuk mund të gjejë askënd më të lartë se Hazret Mirza Ghulam Ahmed Sahibi i Kadijanit, edhe sikur ta kërkojë në gjithë botën.

Edhe pse Hazret Molvi Abdul Kerim Sahibi ndërroi jetë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vazhdoi të lutej për të deri në fund. Pastaj, kur erdhi koha, ai u pajtua plotësisht me vendimin e Allahut të Lartësuar.

Mbështetja tek Allahu kërkon përdorimin e mjeteve dhe lutje të vazhdueshme

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Mbështetja tek Allahu është kjo: mjetet që Allahu i Lartësuar ka caktuar për arritjen e një qëllimi, përpiqu t’i përdorësh sa të mundesh. Pastaj përkushtoju lutjeve dhe thuaj: ‘O Zot! Vetëm Ti mund ta përfundosh këtë punë me mbarësi.’

Ka qindra fatkeqësi dhe mijëra sprova që mund t’i shkatërrojnë dhe t’i përmbysin edhe këto mjete. Prandaj na ruaj nga goditja e tyre dhe na çoj drejt suksesit të vërtetë dhe drejt qëllimit që synojmë.”

Ai thotë:

“Në të vërtetë, njerëzit kanë rënë në dyshime. Prandaj nuk ruhen nga mëkati. Në secilin mbetet diçka nga pakujdesia. Prandaj tani Zoti do që këta njerëz të kuptojnë.

Ashtu si në kohën e Nuhut, djali i tij tha: ‘Do të strehohem mbi një kodër’, po kështu këta njerëz thonë”, dhe këtu Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po flet për kohën e murtajës, ‘ne do të strehohemi te vaksina kundër murtajës’.

Gjëja më e domosdoshme është bindja në qenien e Zotit. Pa këtë bindje, veprat nuk fitojnë kurrë bekim.”

Ai tha:

“Nëse njerëzit që sot do të qëndronin mbi teuhidin, kjo fatkeqësi do të largohej po sot. Zoti shikon veprat e njeriut: a janë ata të qëndrueshëm në teuhid apo jo?

Shumë vepra janë kundër mbështetjes tek Allahu dhe kundër teuhidit. Edhe nëse njeriu thotë në çfarëdo mënyre ‘La ilahe il-lAllah’, ai është gënjeshtar në këtë pretendim. Pikërisht kjo është mosbindje.

Sot mbështetja te mjetet është aq e madhe, sa nuk gjejmë shembull të tillë në kohët e mëparshme. Edhe pse edhe atëherë kishte mëkate e prishje, në zemra kishte edhe frikë nga Zoti.”

Gjatë murtajës, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. përdorte mjetet, por mbështetej tek Allahu

Hazret Sejjid Zejnul-Abidin Shah Sahibi rrëfen:

“Më kujtohet shumë mirë se sapo murtaja shfaqej në zonë ose në qytet, Huzuri jo vetëm urdhëronte pastrimin e shtëpisë së tij”, pra po përdorte mjetet, “por kujdesej edhe për pastrimin e konvikteve. Po kështu, i urdhëronte të gjithë miqtë që të përdornin në shtëpitë e tyre squfurin, aakun, fenolin dhe gugulin.”

Guguli është një pemë prej së cilës del rrëshirë dhe ajo përdoret për tymosje, si mjet dezinfektues.

Pra, ai thoshte që të përdoren këto mjete dhe të bëhet përgatitje për shkatërrimin e mikrobeve. Përdorini këto gjëra për të vrarë mikrobet. Bëni tymosje, përdorni fenol, spërkatni vendin.

Huzuri thoshte:

“Të përdorësh mjetet është gjithashtu një mënyrë për të falënderuar Allahun e Lartësuar për mirësinë e Tij dhe është njësoj si t’i bindesh urdhrit të Tij. Braktisja e mjeteve është kundër Kuranit të Shenjtë. Shkalla e mbështetjes tek Allahu vjen pas kësaj.”

Domethënë, mjetet duhen përdorur, por nuk duhet të mbështetemi te to. Njohja e vërtetë është që pas mjeteve të shihet dora e Zotit të Lartësuar.

Të përdoren të gjitha mënyrat, pastaj të shihet se pas tyre është Allahu i Lartësuar. Ky duhet të jetë mendimi dhe ky duhet të jetë besimi.

Pastërtia në ditët e murtajës dhe përdorimi i mjeteve parandaluese

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi rrëfen se Doktor Mir Muhammed Ismail Sahibi i kishte treguar:

“Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte shumë kujdes për pastërtinë. Sidomos në ditët e murtajës, kujdesej aq shumë sa e treste fenolin në një ibrik uji dhe shkonte vetë, për ta hedhur me dorën e tij në tualetet dhe kanalizimet e shtëpisë.”

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi thotë:

“Unë shtoj se ndonjëherë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. urdhëronte të grumbullohej në shtëpi një sasi e konsiderueshme lëndë djegëse dhe të ndizjej zjarr, që mikrobet e dëmshme të ngordhnin.

Ai kishte sjellë edhe një mangall shumë të madh prej hekuri. Në të vendosej qymyr, pastaj squfur e gjëra të ngjashme, dhe ndizhej brenda dhomave. Gjatë kësaj kohe dyert mbylleshin. Nxehtësia bëhej aq e madhe sa, edhe shumë kohë pasi mangalli ishte ftohur, kur hapej dhoma, ajo ende digjte nga brenda si furrë.”

Pastaj Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi thotë:

“Unë them se Profetët kanë një madhështi të çuditshme në karakterin e tyre. Nga njëra anë, ata i marrin parasysh mjetet në atë masë, sa një njeri që i sheh mund të mendojë se, sipas tyre, e gjithë çështja e kaderit qenka në dorën e këtyre mjeteve dhe, nëse nuk u kushtohet rëndësi, puna nuk mund të bëhet.

Por nga ana tjetër, ata kanë një mbështetje të tillë te Qenia e Zotit, sa mjetet i konsiderojnë si diçka të vdekur. Një njeri sipërfaqësor, kur e sheh këtë gjendje, mbetet i habitur.

Por e vërteta është se, sa shumë rëndësi që t’u japin mjeteve, ata nuk e bëjnë këtë sepse mendojnë se çelësat e kaderit janë në duart e atyre mjeteve. Ata e bëjnë këtë sepse mjetet janë krijuar nga Zoti, dhe respekti ndaj Zotit kërkon, madje është urdhër i Zotit, që mjetet që Ai ka krijuar të përdoren me gjithë kujdesin e duhur.”

Pra, duke qenë se profetët qëndrojnë në shkallën më të lartë të bindjes ndaj urdhrave të Allahut të Lartësuar, ata duken më të dalluar edhe në përdorimin e mjeteve. Por mbështetja e tyre e vërtetë nuk është te asgjë tjetër përveç Qenies së Zotit.

Në të vërtetë, kjo është ajo pikë e teuhidit për të cilën dërgohen Profetët. Po të mendohet thellë, kjo nuk është një shkallë e lehtë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe iman shumë të fortë.

Zakonisht, kur njerëzit përdorin mjetet, harrojnë se çfarëdo fuqie dhe ndikimi që kanë ato mjete, të gjitha u janë dhënë nga Zoti. Në vetvete, ato nuk kanë vlerë as sa një insekt i ngordhur.

Kjo dobësi, deri diku, gjendet edhe tek ata njerëz që pretendojnë se e pranojnë Zotin jo vetëm formalisht, por se besojnë tek Ai vërtet e realisht, me dritën e zemrës. Me gojë thonë pikërisht këtë, por në gjendjen e imanit të tyre ka dobësi.

Secili le të shikojë brenda zemrës së vet, dhe atëherë do ta kuptojë nëse ka vërtet iman të vërtetë apo e ka këtë dobësi. Në vështirësi, a mbështetemi te mjetet, apo kemi mbështetje të plotë tek Allahu i Lartësuar, ndërsa përdorimi i mjeteve është vetëm përpjekje e jashtme sipas urdhrit të Allahut.

Pra, kjo është ajo gjë që çdo besimtar duhet ta shohë.

Dy qëndrime të gabuara ndaj mjeteve

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi shkruan:

“Me fjalë, imani gjendet në zemrën e çdo besimtari. Por janë të paktë, shumë të paktë, ata njerëz zemrat e të cilëve ndriçohen në praktikë nga realiteti i gjallë i këtij imani.

Zakonisht ndodh që disa njerëz i braktisin mjetet duke thënë: ‘Çfarëdo që duhet të ndodhë, do të ndodhë.’ Kështu, duke mos i respektuar mjetet që Zoti ka krijuar, bëhen shënjestër e pakënaqësisë së Zotit dhe pësojnë humbje.

Disa të tjerë u bien mjeteve në atë mënyrë, sikur Zoti të mos ekzistonte fare dhe sikur gjithçka që duhet të ndodhë, do të ndodhë vetëm përmes këtyre mjeteve.

Të dyja këto grupe janë larg rrugës së drejtë dhe të mbuluar nga perdja e errësirës. Në të vërtetë, është në rrugën e drejtë vetëm ai që, duke ndjekur traditën e profetëve, i përdor plotësisht mjetet, por zemra e tij mbetet e mbushur me këtë iman të gjallë: pas këtyre mjeteve është edhe një Fuqi tjetër, me shenjën e së cilës funksionon gjithë ky sistem, dhe pa Të të gjitha këto mjete janë krejt të vdekura dhe pa ndikim.

Por kjo shkallë e imanit arrihet vetëm pas një përpjekjeje të madhe shpirtërore, dhe edhe qëndrimi në këtë shkallë kërkon përpjekje të vazhdueshme.”

Robërit e afërt të Zotit i përdorin mjetet, por zemra e tyre mbështetet vetëm te Zoti

Mbështetja e robërve të afërt të Zotit ka një madhështi të veçantë. Nga njëra anë, ata i përdorin mjetet në atë mënyrë, sa një njeri i dhënë pas dynjasë mund të mendojë se ndoshta e gjithë mbështetja e tyre është vetëm te mjetet. Por ndonjëherë ata i lënë mjetet mënjanë në atë mënyrë, sikur të mos kishin fare nevojë për to.

Këtë madhështi të mbështetjes tek Allahu e shohim edhe në jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Hazret Musleh Maudi r.a. tregon:

“Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dy a tre vjet para se të ndërronte jetë, pati një kollë shumë të fortë. Në atë kohë unë isha afërsisht shtatëmbëdhjetë vjeç dhe unë isha i ngarkuar me detyrën t’i jepja ilaçet.

Natyrshëm, njeriu të cilit i besohet një punë, fillon ta quajë edhe ndërhyrjen në atë punë si të drejtë të vetën.”

Domethënë, kur i ishte besuar puna për t’i dhënë ilaçet, ai mendonte se mund të ndërhynte edhe në gjëra të tjera që lidheshin me sëmundjen.

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

“Edhe unë, duke qenë si një lloj ndihmësi mjekësor, e quaja të drejtën time që të jepja ndonjë mendim edhe për ushqimin dhe pijet e tij. Prandaj, herë pas here, i thosha si këshillë: këtë mos e ha, atë mos e ha.”

Detyra e tij ishte t’i jepte ilaçet, por ndonjëherë ndërhynte edhe në çështje të tjera, duke thënë se kjo gjë e shton sëmundjen, ndërsa ajo gjë e pakëson.

Recetat e Hazret Kalifit të Parë r.a. përgatiteshin dhe përdoreshin, dhe përdoreshin edhe ilaçe angleze, por kolla ishte që vetëm i shtohej.

Kjo ngjarje është e vitit 1907. Abdul Hakimi, i cili ishte bërë renegat, pasi lexoi për shqetësimin e kollës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kishte shkruar se Mirza Sahibi, Zoti na ruajt, do të prekej nga sëmundja e tuberkulozit dhe do të ndërronte jetë prej saj. Domethënë, do t’i krijoheshin plagë në mushkëri, do të prekej nga tuberkulozi dhe do të vdiste nga kjo sëmundje.

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

“Prandaj ne kishim edhe këtë shqetësim, që ai njeri të mos gjente, qoftë edhe gabimisht, ndonjë shkak për t’u gëzuar. Për këtë arsye unë bëja shumë kujdes dhe ia përmendja vazhdimisht gjërat që duheshin pasur parasysh.

Por kolla e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte shumë e fortë. Ndonjëherë i vinte një krizë aq e gjatë kollitjeje, sa dukej sikur do t’i ndalej fryma.”

Kjo ishte gjendja e dhimbjes dhe e sëmundjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Në një gjendje të tillë, thotë Hazret Musleh Maudi r.a., para meje erdhi një mik nga jashtë dhe solli fruta si dhuratë. Zakonisht njerëzit sillnin fruta për të sëmurët, kështu edhe ai solli fruta si dhuratë.

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

“Unë ia paraqita Huzurit dhe i thashë se filan mik i kishte sjellë këto. Ai i pa dhe tha: ‘Thuajini xhezakallah.’

Pastaj mori një prej tyre, që ndoshta ishte banane. Meqenëse unë i jepja ilaçet, ndoshta për të më dhënë një mësim, më pyeti:

“A bën kjo për kollën?”

Unë i thashë: “Jo, nuk është e mirë për kollën.”

Ai buzëqeshi, nuk dha asnjë përgjigje, vetëm buzëqeshi, e qëroi dhe filloi ta hante.

Unë i thashë: ‘Kolla është shumë e fortë dhe kjo gjë nuk është e mirë për kollën.’

Ai përsëri buzëqeshi dhe vazhdoi ta hante.

Nga padituria ime, unë ngula këmbë përsëri dhe i thashë se nuk duhej ta hante.

Atëherë ai përsëri buzëqeshi dhe tha:

‘Zoti sapo më dërgoi shpalljen se kolla më është larguar.’”

Kështu, që nga ai çast kolla u largua. Në atë kohë nuk u përdor asnjë ilaç dhe nuk u mbajt asnjë regjim. Përkundrazi, nga ana e regjimit u bë pikërisht ajo që normalisht konsiderohej e papërshtatshme, por kolla u largua.

Ndërkohë, më parë kishte vazhduar trajtimi për një muaj dhe kolla nuk po largohej.

Kjo është ndërhyrja e Allahut të Lartësuar. Në përgjithësi, moskujdesi mund të shkaktojë sëmundje dhe trajtimi mund të sjellë shërim. Por kur Allahu i Lartësuar dëshiron, Ai ndërhyn.

Pikërisht për këtë Allahu i Lartësuar ia ka mësuar njeriut armën e lutjes: që njeriu të shkojë para Zotit të Lartësuar dhe të thotë:

“Unë nuk dua pavarësi. Jam lodhur nga gjendja ime. Të lutem, ndërhy në punët e mia.”

Edhe Allahu i Lartësuar sheh se robi është bërë njeri që mbështetet tek Ai dhe dëshiron që Allahu të ndërhyjë në punët e tij. Atëherë Ai ndërhyn, kur njeriu mbështetet plotësisht tek Allahu i Lartësuar.

Lidhur me këtë temë, inshallah, do të flas më tej në të xhuma tjetër.

Përmendja e disa të ndjerëve dhe namazi i xhenazes së tyre

Tani dua të përmend disa të ndjerë, namazin e xhenazes së të cilëve do ta fal pas namazit.

1. I ndjeri Muhammed Ataur-Rahman Sahib nga India

I pari është i nderuari Muhammed Ataur-Rahman Sahib nga Bharatpuri, Bengali Perëndimor, Indi, i cili ndërroi jetë ditët e fundit në moshën 76-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

(Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun
Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.)

I ndjeri, me bekimin e Allahut të Lartësuar, kishte bërë vasijatin, (pra, testamentin). Ka lënë pas bashkëshorten, një vajzë dhe tre djem. Njëri prej djemve të tij, Mufizur Rahman Sahib, është misionar i Xhematit në Bosnje. Një tjetër djalë, Shah Nur Rahman Sahib, është mual-lim në Indi. Po ashtu, dhëndri i tij, Sabir Ali Sahib, është gjithashtu misionar i Xhematit. Pra, mund të thuhet se është një familje të dedikuarish të jetës.

Djali i tij, Mufizur Rahman Sahib, misionar i Xhematit, për shkak se ishte me shërbim, nuk mundi të merrte pjesë në xhenazen dhe varrimin e babait të tij.

Ai shkruan se Xhemati Ahmedia hyri në familjen e tyre në kohën e Hazret Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar r.a., kur gjyshi i tij, Muavviz Kasid Sahib, bëri bejat dhe u bashkua me Xhematin. Ai ishte një personalitet me ndikim dhe me pozitë në zonën e tij. Por pasi pranoi Xhematin, iu desh të sakrifikonte për hir të Xhematit pozitën e tij në shoqëri dhe lidhjet e tij të vjetra.

Nën administrimin e tij ishte një xhami e madhe. Ai ua dorëzoi atë joahmedianëve dhe ndërtoi një xhami tjetër, e cila njihet si xhamia e parë e Xhematit në Bengalin Perëndimor, me emrin Bejtulevel.

Pasi e pranoi Xhematin, familja e tyre u përball edhe me kundërshtime. Vetë i ndjeri tregonte se njerëzit përreth u ndaluan të blinin prej familjes sonë edhe gjërat e përditshme. Pra, babai i Mufizur Rahman Sahibit, i cili tani ka ndërruar jetë, kishte shkruar se kundërshtimi u bë aq i ashpër, sa njerëzit u ndaluan edhe të bënin tregti me ne. Ahmedianëve u shkaktoheshin vështirësi në mënyra të ndryshme.

Për të siguruar gjërat e domosdoshme, ata detyroheshin të udhëtonin me varkë rreth 40 ose 50 kilometra në lumë dhe prej andej sillnin ushqime e sende të nevojshme. Megjithë këto sprova të rënda, Allahu i Lartësuar e mbajti familjen tonë të palëkundur në besim.

I ndjeri ishte i përfshirë edhe në veprimtari politike. Pra ishte pjesë e një partie politike. Por më pas i lindi mendimi për t’i shërbyer fesë, e la veprimtarinë politike dhe shkoi në Kadijan. Atje mori arsim dhe edukim për disa vite dhe pati edhe mundësinë të shërbente për disa muaj në Xhaminë Mubarak.

Gjatë shërbimit në Darul-Mesih dhe në Xhaminë Mubarak, pa edhe disa ëndrra të bekuara. Që nga ditët e Kadijanit, dashuria e thellë për Kuranin e Shenjtë, përulësia në adhurim, rregullsia në tehexhud dhe zakoni i lutjeve u bënë pjesë e pandarë e jetës së tij, dhe ai vazhdoi t’i mbante deri në frymën e fundit.

Çdo punë të Xhematit e kryente me mbështetje tek Allahu, me lutje dhe me gatishmëri të plotë. Nuk i merrte parasysh as udhëtimin, as motin, as vështirësitë e tjera. Allahu i Lartësuar i dha bekim të jashtëzakonshëm në tabligë. Përmes përpjekjeve të tij u themeluan disa xhemate. Disa të rinj ia kushtuan jetën shërbimit të fesë.

Ndonjëherë, nga paratë e veta, kujdesej edhe për biletat e tyre dhe për nevojat e familjeve të tyre. Shumë prej njerëzve që ai edukoi sot janë të angazhuar në shërbim të Xhematit.

Gjatë udhëtimeve të tabligës, çfarëdo shume që merrte nga Xhemati për shpenzime ose për udhëtim, ai përpiqej të kursente duke ulur shpenzimet e veta personale dhe pastaj i përdorte ato para për njerëzit e varfër që ishin nën tabligë ose për familjet e reja ahmediane.

Në udhëtimet e largëta, shpesh i duhej të kalonte net jashtë shtëpisë. Në raste të tilla, për të kursyer para, në vend që të qëndronte në ndonjë bujtinë ose hotel, e kalonte natën në stacion treni ose në stacion autobusi, mbi stola. Paratë që kursente në këtë mënyrë ua shpenzonte njerëzve në nevojë.

Hazret Kalifi i Katërt r.a., në një letër të tij, duke përmendur shërbimet e tij në tabligë, i shkroi:

“Ju, mashallah, jeni i angazhuar në këtë punë të mirë me shumë përkushtim, vëmendje, urtësi dhe metodë të bukur, dhe po i shtoni kapituj të artë historisë së davetit ilallah të Xhematit Ahmedia.”

Ai kishte shumë kujdes për nderin e Xhematit dhe të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Një herë, gjatë një udhëtimi për tabligë, pati një bisedë me një person. Gjatë prezantimit doli se familjes së atij personi i ishte bërë një nder i veçantë nga gjyshi i të ndjerit. Ai person e ftoi në shtëpinë e tij dhe përgatiti një mikpritje të veçantë. Gjatë bisedës u përmendën edhe lidhjet e vjetra familjare dhe ato të mira.

Ai tregonte se sapo kishte marrë kafshatën e parë, mikpritësi përmendi Hazret Mesihun e Premtuar a.s. me një ton tallës. Menjëherë ai e vendosi kafshatën përsëri në pjatë dhe, pa u shqetësuar për askënd, u ngrit dhe u largua prej andej.

Në vitin 1991, me rastin e ardhjes së Kalifit të Katërt r.h. në Kadijan, ai mori pjesë në Xhalsa bashkë me familjen e tij. Në atë kohë, në praninë e Hazret Kalifit të Katërt të Mesihut të Premtuar r.h., ofroi edhe një pjesë të tokës së trashëguar për qëllime të Xhematit. Sot aty është ndërtuar një shtëpi për misionar.

Misionar sahibi thotë:

“Kur ne largoheshim prej tij, pasi e takonim dhe ktheheshim në vendin tonë të shërbimit, jashtë vendit, ai gjithmonë më thoshte: ‘Unë ju kam flijuar në rrugën e Allahut. Mos u shqetësoni për ne. Thjesht përqendrohuni te puna dhe shërbimi juaj.’”

Dhe shpesh, pas ardhjes në Bosnje, më telefononte dhe më thoshte:

“Unë po lutem për ty. Puno me përkushtim dhe përpiqu ta kryesh shërbimin që Allahu i Lartësuar të ka besuar.”

Ai thotë:

“Unë e kam parë babanë tim si një njeri që mbështetej tek Allahu, që ishte gati të bënte çdo lloj sakrifice për misionin e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe për të dashurin e tij të sinqertë, prijësin tonë, Hazret Mesihun të Premtuar a.s.; si njeri që përpiqej ta zbatonte çdo urdhër të Kalifit të kohës, në kuptimin e vërtetë, sikur të ishte urdhër i Zotit; si njeri që e jetoi jetën duke i dhënë përparësi fesë mbi dynjanë; si njeri me zemër të pastër, i dhembshur, që përpiqej t’i ruante lidhjet farefisnore sa të mundej, mikpritës, ndihmues për të afërm e të huaj, me dashuri të sinqertë për çdo pjesëtar të Xhematit Ahmedia, i zgjuar dhe lutës.”

Allahu i Lartësuar e faltë dhe e mëshiroftë!

2. E ndjera Khadixha Siddika Ponto Sahiba nga Indonezia

Përmendja tjetër është për të nderuarën Khadixha Siddika Ponto Sahiba nga Indonezia. Edhe ajo ndërroi jetë ditët e fundit në moshën 81-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

(Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun
Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.)

Me bekimin e Allahut të Lartësuar, ajo ishte pjesëtare e sistemit të Vasijjetit. Allahu i Lartësuar i kishte dhuruar pesë fëmijë: tre djem e dy vajza.

Ajo pati mundësinë të shërbente tri herë si kryetare kombëtare e Laxhna Imaillah Indonezi. Që nga mosha e re deri në çastet e fundit të jetës, ajo i shërbeu Xhematit me gjithë zemër e shpirt.

Kishte dashuri të thellë për Kalifatin. Njihej për sinqeritetin, ndershmërinë, përulësinë dhe besnikërinë e saj. Zelli dhe pasioni i saj në shërbim të Xhematit nuk u zbeh kurrë.

Ajo u rrit në një familje të mbushur me shpirtin e shërbimit, dhe e gjithë familja e saj ishte shërbyese e Xhematit. Babai i saj i nderuar, Sadruddin Jahja Ponto Sahibi, ishte njeri i mirë dhe shërbyes i fesë. Edhe pse ishte diplomat i Indonezisë, pra kishte një detyrë të kësaj bote, ai e vendosi fenë mbi dynjanë.

E ndjera ishte gjithmonë në vijën e parë për t’u shërbyer mysafirëve të Xhematit. Kur Hazret Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar r.h. vizitoi Indonezinë, ajo pati mundësinë t’i shërbente gjithë karvanit.

Një ish-kryetare e Laxhna Imaillah atje, Haxhije Sherifatun-Nisa, thotë po të njëjtën gjë: se ajo kishte dashuri shumë të thellë për Kalifatin. Gjithmonë e ndiqte Kalifatin me bindje të plotë dhe kishte nderim të jashtëzakonshëm për të.

Ishte e përulur, me moral të mirë, e shoqërueshme dhe sillej njësoj me të gjithë. Kur shihte se pjesëtaret e Xhematit, sidomos anëtaret e Laxhnas, ishin zhytur shumë në biseda, ua kujtonte me butësi që të bënin istigfar.

Nëpër xhalsa dhe mbledhje, kur ndonjëherë disa fillonin të bisedonin, ajo shkonte me shumë dashuri dhe u thoshte që, në vend të bisedave, të bënin istigfar dhe të përmendnin Allahun.

Sa herë që dikush i tregonte për ndonjë vështirësi, ajo menjëherë e këshillonte që t’i shkruante Huzurit, Kalifit të kohës, për lutje.

Kur ishte kryetare, ose kur mbante ndonjë detyrë tjetër në Laxhna, ajo i jepte shumë rëndësi këshillimit dhe nuk vendoste vetëm. U jepte mundësi të tjerëve të shprehnin përvojat e tyre dhe u thoshte të tjerëve: edhe ju mësoni prej tyre.

Zafarullah Ponto Sahib, misionari i Xhematit, thotë:

“E ndjera ishte kushërira ime, por unë e konsideroj si motrën time të vërtetë. Ajo ishte shumë e mirë me të afërmit. Ishte e rregullt dhe e disiplinuar, dhe shumë e dhembshur. Përpiqej të merrte pjesë jo vetëm në programet e Xhematit, por edhe në ceremonitë publike dhe në programet e të afërmve.”

Pra, ajo kishte jetë shumë sociale.

Një mik më tregoi se një herë e kishte pyetur:

“Pse e thërrisni të afërmin tuaj murabbi (misionar), Mansur Ahmed Bamin, ‘Meulana, ndërkohë që ai është i afërmi juaj? Ju mund ta thërrisni edhe xhaxha ose me ndonjë emër tjetër farefisnor.”

Ajo u përgjigj me një mendim të thellë. Tek ne, disa njerëz i respektojnë murabbit vetëm sepse janë murabbi. Por ajo kishte një mendim tjetër. Ajo tha:

“Unë e thërras ‘Meulana’ për dy arsye. Së pari, është detyra jonë ta respektojmë sistemin e Xhematit. Unë e thërras kështu për shkak të respektit ndaj Xhematit, jo për shkak të ndonjë cilësie të veçantë personale.

Së dyti, që atij t’i kujtohet vendi dhe përgjegjësitë e tij. Kur unë e thërras ‘Meulana’, po i kujtoj se njerëzit nuk po të nderojnë thjesht si person, por se Allahu të ka dhënë një pozitë dhe ke përgjegjësi. Përgjegjësia e shërbimit të fesë që Xhemati të ka vendosur mbi supe duhet të kryhet prej teje, dhe ti duhet ta ndiesh këtë përgjegjësi.”

Ajo thoshte se e thërriste ashtu pikërisht për t’ia kujtuar këtë përgjegjësi. Kjo ishte mënyra e saj e të menduarit.

Edhe unë e kam parë se ishte një grua shumë e sinqertë, me lidhje të veçantë me Kalifatin dhe me Xhematin. Ka ardhur disa herë këtu në Xhalsa dhe shprehte sinqeritet të madh.

Allahu i Lartësuar e mbuloftë me mëshirën e Tij.

3. I ndjeri Abdul-Xhelil Sahib nga Indonezia

Përmendja tjetër është për të nderuarin Abdul-Xhelil Sahib nga Indonezia. Edhe ai ndërroi jetë ditët e fundit në moshën 76-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

(Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun
Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.)

Me bekimin e Allahut të Lartësuar, ai ishte pjesëtar i sistemit të Vasijjetit. Pas vetes ka lënë dy djem dhe dy vajza. Djali i tij i madh, Danan Indijana Sahib, është emir rajonal i Xhavat Perëndimore.

Ai thotë se i ndjeri kishte shumë pasion për tabligë. Xhematin Burnai Mulia, në Sumatran Jugore, e themeloi pikërisht ai. Ai ishte ndër të parët që punoi për këtë xhemat.

Para se të themelohej xhemati lokal, për pesëmbëdhjetë vjet ai e falte namazin e xhumasë në shtëpi bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e tij të vogël.

Përpjekja e tij për themelimin e Xhematit Burnai Mulia nuk ishte e lehtë. Një herë, një drejtor shkolle i krishterë dhe një prift u ankuan kundër tij te autoritetet. Në atë zonë ka më shumë të krishterë. Si pasojë, ai u arrestua, e nxorën në publik si ndëshkim dhe u burgos në stacionin e policisë Keruxhon, ose ky mund të jetë emri i vendit, Keruxhon. Atje u mbajt në një qeli bashkë me dy kriminelë.

Gjatë burgimit hasi vështirësi për të falur namazin, sepse komandanti ushtarak i distriktit ishte i krishterë dhe e kundërshtonte. Ky kundërshtim kishte nisur pas një bisede fetare që ishte zhvilluar më parë mes tyre rreth vdekjes së Hazret Isait a.s.

Megjithatë, doli edhe një oficer ushtarak dashamirës. Ai i dha fshehurazi disa gazeta, që t’i shtronte në qeli dhe të falte namazin mbi to.

Pavarësisht nga sëmundja, i ndjeri e ruajti deri në fund pasionin dhe zellin për tabligën. Gjithmonë ishte i angazhuar në shërbim të mysafirëve. I respektonte shumë murabbitë (misionarët). I kushtonte rëndësi të veçantë edukimit moral dhe shpirtëror të familjes së tij. Nuk ishte se kujdesej vetëm për edukimin e të tjerëve; ai i këshillonte vazhdimisht edhe fëmijët e vet.

Gjatë gjithë jetës u konsiderua një personalitet shembullor në shoqërinë e tij. Njerëzit shpesh këshilloheshin me të për të zgjidhur çështje të ndryshme.

Çdo ditë ndante kohë për leximin e Kuranit të Shenjtë dhe për studimin e librave të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Ahmed Nuruddin Isa Sahib, i cili është ish-misionar, shkruan:

“I ndjeri ishte themeluesi i Xhematit Burnai Mulia. Kur arrita në Burnai Mulia, ai dhe bashkëshortja e tij i ftuan të afërmit e tyre që të dëgjonin mësimet e Xhematit. Atëherë zhvilluam një takim tablige, i cili vazhdoi deri në mesnatë. Në fund, falë përpjekjes së tij, njëzet persona e pranuan Xhematin.”

Edhe më parë ai kishte bërë një punë fillestare me ta.

I ndjeri, siç e përmenda edhe më parë, i dhuroi Xhematit edhe një copë tokë për xhami. Më vonë, mbi atë tokë u ndërtua një xhami me përmasa dhjetë metra me dhjetë metra.

Abdul-Vehab Sahib, mësues në Xhamian e Indonezisë, thotë se i ndjeri bëri shumë punë në Xhematin Burnai Mulia dhe luajti rol të rëndësishëm në organizimin e tij.

Një cilësi tjetër e tij ishte se, përveç pesë namazeve të përditshme, falte rregullisht edhe namazin e tehexhudit. Ishte i rregullt edhe në pagesën e çandas. Ndihmonte fqinjët dhe ishte i angazhuar në shërbim të njerëzve.

Shamsul-Bahrejn Sahib, punonjës i MTA Indonezi dhe djali i të ndjerit, thotë:

“I ndjeri ishte një shembull i jashtëzakonshëm sakrifice për Xhematin, si në sakrificë financiare, ashtu edhe në shërbim personal.

Një herë tregoi se kur shkoi për herë të parë në Sumatra, në atë zonë nuk kishte asnjë anëtar tjetër të Xhematit. Mjetet e udhëtimit dhe të komunikimit ishin të kufizuara. Prandaj ai e mblidhte çandën e tij veçmas në një kuti të posaçme dhe një herë në vit, kur shkonte në qendër për Xhalsa Salana, e dorëzonte atë.”

Po kështu, Nasrun Ahmed Sahib, misionar rajonal, thotë:

“Në dy vitet e fundit të jetës, kur ishte shumë i sëmurë dhe i shtrirë në shtrat, ai më thërriste dhe vazhdimisht më pyeste për përparimin dhe gjendjen e Xhematit. Gjithmonë e kujtonte vdekjen dhe më kërkonte të luteshim për të.”

Allahu e faltë dhe e mëshiroftë!

Shpërndaje
Keni pyetje?
Share via