Jeta e thjeshtë e Profetit Muhamed a.s. | Shembuj nga jeta e tij
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e thjeshtë e Profetit Muhamed a.s. | Shembuj nga jeta e tij

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshehudit, teauz-it, tesmijes dhe sures El-Fatiha, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

[Në xhumanë e kaluar], fillova të flisja për jetën e thjeshtë të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. Një aspekt i thjeshtësisë së tij ishte se ndonjëherë shkonte vetë në treg për të blerë gjërat që i nevojiteshin.

Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon:

“Një ditë hyra në treg bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Ai u ul pranë një tregtari rrobash dhe bleu për katër dirhemë një palë pantallona të gjera.”

Në atë kohë ekzistonte një lloj pantallonash të gjera. Disa prej njerëzve tanë e kanë përkthyer këtë fjalë si “shalvare”, por nuk bëhej fjalë pikërisht për shalvaret; ishte një lloj pantallonash të gjera që përdoreshin në atë kohë.

Në treg ndodhej një person që merrej me peshimin e mallrave, sepse në atë kohë edhe rrobat shiteshin duke u peshuar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:

“Peshoji dhe jep pak më tepër.”

Pra, mos u shqetëso edhe nëse pesha del pak më e madhe.

Ai që po peshonte tha:

“Një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar kurrë nga askush.”

Njerëzit zakonisht dëshirojnë që pesha të dalë më e vogël, në mënyrë që edhe çmimi të jetë më i ulët, por Profeti i Shenjtë s.a.v.s. tha se nuk ka problem edhe nëse çmimi del më i lartë; pesha duhet të jetë e plotë dhe e saktë. Madje kujdesi kërkon që, nëse peshorja anon, të anojë nga ana e mallit që po jepet.

Hazret Ebu Hurejra r.a. thotë se i tha atij njeriu:

“Për ashpërsinë dhe mungesën e mirësjelljes në fenë tënde mjafton fakti që nuk e njeh Profetin tënd!”

Kur ai kishte shprehur habinë, mes tij dhe Hazret Ebu Hurejrës r.a. filloi kjo bisedë.

Njeriu e la peshoren dhe u hodh drejt dorës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me qëllimin që t’ia puthte. Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e tërhoqi dorën dhe tha:

“Çfarë është kjo? Popujt joarabë veprojnë kështu me mbretërit e tyre, ndërsa unë nuk jam mbret.”

Ai njeri ishte i huaj dhe Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e kuptoi se qëllimi i tij buronte nga mënyra se si njerëzit e kësaj bote silleshin me mbretërit e tyre. Prandaj, i tha:

“Jo, unë nuk jam mbret. Nuk do të të lejoj të ma puthësh dorën në këtë mënyrë. Unë jam një njeri si ju.”

Pastaj ai e peshoi mallin dhe dha pak më tepër. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i bleu ato pantallona.

Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon:

“Unë dola menjëherë përpara për t’ia marrë dhe për t’ia mbajtur, por Profeti i Shenjtë s.a.v.s. tha:

‘Pronari i një sendi ka më shumë të drejtë ta mbajë vetë atë, përveçse kur është i dobët dhe nuk është në gjendje ta mbajë. Në atë rast, vëllai i tij musliman duhet ta ndihmojë.’”

Hazret Ebu Hurejra r.a. thotë:

“E pyeta: ‘O i Dërguari i Allahut! A i vesh edhe ti këto pantallona?’

Profeti s.a.v.s. tha:

‘Po, i vesh në udhëtim dhe në shtëpi, natën dhe ditën, sepse më është urdhëruar ta mbuloj trupin dhe nuk kam gjetur diçka që e mbulon më mirë se kjo.’”

Pra, ishte një veshje shumë e përshtatshme.

Këngët e vajzave në ditën e Bajramit dhe atmosfera e natyrshme në shtëpinë e Profetit

Transmetohet nga Hazret Aishja r.a. se ajo tregonte:

“Hazret Ebu Bekri r.a. hyri në shtëpinë time. Në atë kohë kisha pranë meje dy vajza nga ensarët, të cilat po këndonin vargjet që ensarët kishin thënë në lidhje me Betejën e Buathit.”

Para Islamit, banorët e Jethribit, pra fiset Eus dhe Hazrexh, ishin në gjendje lufte me njëri-tjetrin. Beteja e tyre e fundit që përmendet në historinë arabe njihet si Beteja e Buathit. Ajo kishte ndodhur gjatë periudhës së profetësisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kur ai ende jetonte në Mekë, pra para se të vinte në Medinë.

Hazret Aishja r.a. thotë se ato dy vajza që ishin ulur pranë saj dhe po këndonin nuk ishin këngëtare profesioniste; ato ishin shoqet e saj.

Hazret Ebu Bekri r.a. tha:

“A po rrini në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me fyellët e shejtanit?”

Kjo ngjarje ndodhi në ditën e Bajramit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Ebu Bekr! Çdo popull ka festën e vet dhe kjo është festa jonë.”

Domethënë, lërini të këndojnë dhe mos i ndaloni. Ishte një atmosferë e thjeshtë dhe e natyrshme. Nuk po thuhej ndonjë gjë që përmbante shirk, prandaj nuk kishte arsye që të ndaloheshin pa nevojë. Kështu, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. i lejoi të këndonin.

Profeti Muhammed përshëndeste i pari edhe fëmijët

Në transmetimin e Hazret Hind bin Ebi Hala r.a., një nga cilësitë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. përshkruhet kështu: cilindo që takonte, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e përshëndeste i pari me selam. Madje, ai përshëndeste i pari edhe fëmijët.

Hazret Enes bin Maliku r.a. transmeton se një herë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë disa fëmijëve dhe u dha selam.

Në një transmetim tjetër, Hazret Enesi r.a. tregon se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkonte tek ensarët, ai u jepte selam fëmijëve të tyre, u përkëdhelte kokën me dorë dhe lutej për ta.

Ishte një atmosferë shumë e thjeshtë dhe e natyrshme, por njëkohësisht edhe sahabët qëndronin brenda kufijve të respektit. Edhe fëmijët silleshin me një respekt të jashtëzakonshëm.

Nëse dikush ulej pranë Profetit të Shenjtë s.a.v.s. ose bisedonte me të për ndonjë nevojë që kishte, ai rrinte me durim me të derisa vetë ai person ngrihej dhe largohej.

Kjo thjeshtësi dhe ky durim i jepnin njeriut që vinte me një nevojë siguri dhe kurajë, në mënyrë që ta shpjegonte çështjen e tij me qetësi. Kjo është një mënyrë sjelljeje që duhet ta përvetësojnë edhe drejtuesit tanë.

Mexhlisi i Profetit: secilit i jepej e drejta dhe askush nuk ndihej më pak i respektuar

Në një transmetim thuhet se Hazret Imam Huseini r.a. tregon:

“E pyeta babanë tim për mënyrën se si ishte mexhlisi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”

Ai tha:

“Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e përmendte Allahun kur ngrihej dhe kur ulej. Kur shkonte në një tubim, ulej aty ku mbaronte radha e njerëzve dhe të njëjtën gjë ua këshillonte edhe të tjerëve.”

Profeti s.a.v.s. i jepte çdo personi që rrinte pranë tij të drejtën që i takonte. Askush nuk mendonte se dikush tjetër që ishte ulur pranë Profetit s.a.v.s. ishte më i nderuar se ai.

Nëse dikush ulej pranë tij dhe i tregonte ndonjë nevojë, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. qëndronte me të derisa ai vetë ngrihej dhe largohej.

Nëse dikush i kërkonte diçka, Profeti s.a.v.s. nuk e kthente pa i dhënë atë që kërkonte ose, nëse nuk mund t’ia jepte, pa i folur me butësi të madhe.

Fytyra e tij e çelur, bujaria dhe sjellja e tij e bukur ishin për të gjithë. Profeti s.a.v.s. ishte për ta si një baba. Për sa u përket të drejtave, të gjithë ishin të barabartë në sytë e tij.

Kuvendi i Profetit të Shenjtë s.a.v.s. ishte një mexhlis dijeje, modestie, durimi dhe besnikërie. Aty nuk ngriheshin zërat, nuk përdhosej asgjë që meritonte respekt dhe nuk përmendeshin dobësitë e njerëzve.

Të gjithë ishin të barabartë me njëri-tjetrin dhe vetëm takvaja i jepte dikujt epërsi ndaj tjetrit. Silleshin me përulësi me njëri-tjetrin, respektonin të moshuarit, tregonin mëshirë ndaj të vegjëlve, i jepnin përparësi nevojtarit dhe kujdeseshin për të huajin.

Poezi, buzëqeshje dhe biseda të zakonshme në mexhliset e Profetit

Thjeshtësia e mexhliseve të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. përmendet edhe në një transmetim tjetër.

Hazret Xhabir bin Semura r.a., duke folur për kuvendet e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., thotë:

“Kam qëndruar në takime me Profetin s.a.v.s. më shumë se njëqind herë. Sahabët recitonin poezi dhe bisedonin mes tyre për disa ngjarje të kohës së xhahilijetit. Profeti s.a.v.s. qëndronte në heshtje dhe ndonjëherë buzëqeshte bashkë me ta.”

Pra, kuvendet e tij ishin shumë të thjeshta dhe të natyrshme.

I huaji nuk mund ta dallonte Profetin mes sahabëve

Në një transmetim tjetër, Hazret Ebu Dherri r.a. dhe Hazret Ebu Hurejra r.a. tregojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ulej mes sahabëve të tij në një mënyrë të tillë që, kur vinte ndonjë i huaj, nuk mund ta kuptonte se cili prej tyre ishte i Dërguari i Allahut s.a.v.s., derisa të pyeste.

Kjo ishte shkalla e thjeshtësisë së tij.

Hixhreti në Medinë: si Ebu Bekri ua tregoi njerëzve kush ishte Profeti

Ngjarjen e hixhretit të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. drejt Medinës e kemi dëgjuar shumë herë. Edhe në këtë ngjarje gjendet një shembull i jashtëzakonshëm i thjeshtësisë së tij.

Hazret Musleh Maudi r.a. e përshkruan kështu:

“Atë ditë ndodhi një gjë që pasqyron bukur thjeshtësinë e skajshme të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Shumica e medinasve nuk e njihnin me fytyrë Profetin s.a.v.s.. Ndërsa vinin njerëzit nga Medina në Kuba, ai ishte ulur nën hijen e një peme, me shumë thjeshtësi. Ebu Bekri r.a. gjithashtu ishte atje. Edhe pse shumë pak më i ri në moshë me Profetin s.a.v.s., ai kishte pak thinja në mjekër dhe, edhe veshjen e kishte më të mirë sesa ajo e Profetit s.a.v.s.. Vizitorët, për këtë arsye, Ebu Bekrin e kujtonin si Profetin Muhammed s.a.v.s., andaj, kur vinin, uleshin me respekt duke iu drejtuar atij. Ai e vuri re se po ndodhte një keqkuptim. Menjëherë u ngrit, mori çarçafin dhe e hapi para Profetit s.a.v.s. duke thënë:

“Po ju pengon dielli o i Dërguari i Allahut. Do t’ju bëj hije”.

Me këtë mënyrë të urtë, ai u tregoi njerëzve ku gabonin.”

(“Jeta e Muhammedit s.a.” Tiranë, 2013 f. 81)

I huaji që nuk mund ta dallonte Profetin mes sahabëve

Duke përshkruar thjeshtësinë e takimeve të Profetit të Shenjtë s.a.v.s., Hazret Enes bin Maliku r.a. tregon:

“Një herë ishim ulur në xhami me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., kur erdhi një burrë hipur mbi deve. Ai e uli devenë në oborrin ose në hapësirën e jashtme të xhamisë dhe i lidhi gjurin. Pastaj i pyeti njerëzit:

‘Cili prej jush është Muhammedi?’

Profeti s.a.v.s. ishte ulur mes tyre, i mbështetur në një jastëk. Dikush prej nesh i tha:

‘Ky burrë i hijshëm me fytyrë të bardhë, që është mbështetur në jastëk.’

Atëherë ai i tha:

‘O biri i Abdul-Muttalibit!’

Profeti i tha:

‘Po të përgjigjem.’

Burri tha:

‘Do të të bëj disa pyetje dhe do të jem i drejtpërdrejtë e i ashpër në pyetjet e mia, prandaj mos u zemëro me mua.’

Ai tha:

‘Pyet çfarë të të dojë zemra.’

Burri tha:

‘Të pyes, duke të vënë përpara betimin në Zotin tënd dhe në Zotin e atyre që ishin para teje: A të ka dërguar Allahu te të gjithë njerëzit?’

Ai u përgjigj:

‘Për Allahun, po.’

Personi i ardhur tha:

‘Të pyes për Allahun: A të ka urdhëruar Allahu që ne të falim pesë namaze gjatë ditës dhe natës?’

Ai tha:

‘Për Allahun, po.’

Personi në fjalë tha:

‘Të pyes për Allahun: A të ka urdhëruar Allahu që të agjërojmë gjatë këtij muaji të vitit, pra gjatë Ramazanit?’

Ai tha:

‘Për Allahun, po.’

Pastaj pyeti:

‘Të pyes për Allahun: A të ka urdhëruar Allahu që të marrësh sadaka nga të pasurit dhe t’ua shpërndash nevojtarëve?’

Profeti s.a.v.s. iu përgjigj:

‘Për Allahun, po.’

Atëherë ai tha:

‘Unë e besova mesazhin që ke sjellë. Jam përfaqësuesi i popullit tim që kam lënë pas. Unë jam Dammam bin Thalaba nga fisi Benu Sa‘d bin Bekr.’”

Ky është një hadith i Buhariut.

Thjeshtësi në veshje: pse u ndaluan ari, mëndafshi dhe luksi i tepërt

Profeti i Shenjtë s.a.v.s. i këshillonte edhe sahabët që të jetonin me thjeshtësi.

Hazret Bera bin Azib r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i urdhëroi për shtatë gjëra dhe i ndaloi nga shtatë të tjera.

Ndër gjërat prej të cilave i ndaloi ishin unaza prej ari, hariri dhe dibaxhi, pra lloje mëndafshi të hollë, istabraku, që ishte mëndafsh i trashë, si dhe rrobat e quajtura kassi, të cilat ishin rroba me vija që silleshin nga Egjipti dhe përmbanin mëndafsh. Gjithashtu, i ndaloi nga përdorimi i mbulesave prej mëndafshi për shalën.

Ndërsa i urdhëroi që të përcillnin xhenazet, të vizitonin të sëmurët dhe t’u jepnin selam njerëzve.

Komentuesi i Sahih Buhariut, Allame Ibn Haxheri, duke shpjeguar arsyet e ndalimit të mëndafshit për burrat, përmend se një prej arsyeve është krenaria dhe mendjemadhësia. Një arsye tjetër është se mëndafshi është veshje luksi dhe zbukurimi, gjë që nuk përputhet me dinjitetin burrëror, ndërsa është më e përshtatshme për zbukurimin e grave. Arsyeja e tretë është ngjashmëria me idhujtarët.

Për ndalimin e mbulesave prej mëndafshi të shalës, ai shkruan se kjo bëhej për të shmangur ngjashmërinë me mënyrën mbretërore të jetesës së popujve joarabë, si dhe për të shmangur shpërdorimin dhe zbukurimin e panevojshëm.

Po ashtu, duke shpjeguar ndalimin e stolive prej ari për burrat, komentuesi shkruan se burrat dhe gratë në Persi dhe në Perandorinë Romake stoliseshin me ar. Kisratë, cezarët dhe njerëzit e pasur e me pozitë mbanin byzylykë ari që ua mbulonin krahët. Ata përdornin gjithashtu varëse, kurora dhe zinxhirë prej ari. Për ta, këto ishin shenja zbukurimi, krenarie, mburrjeje, mendjemadhësie dhe shfaqjeje të madhështisë së tyre para njerëzve.

Ata hanin dhe pinin gjithashtu në enë prej ari dhe argjendi. Edhe faraonët e Egjiptit vepronin shpesh në këtë mënyrë.

Profeti shkonte në këmbë për të vizituar një sahab të sëmurë

Në një transmetim tjetër thuhet se Profeti i Shenjtë s.a.v.s. shkonte me shumë thjeshtësi në shtëpitë e sahabëve për t’i pyetur si ishin.

Hazret Xhabir bin Abdullah r.a. thotë:

“Një herë u sëmura. Profeti s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri r.a. erdhën në këmbë për të më vizituar. Më gjetën pa ndjenja. Profeti s.a.v.s. mori abdes dhe pastaj hodhi mbi mua pak nga uji i abdesit të tij. Atëherë erdha në vete.”

Në jetën e tij nuk kishte kurrfarë shtirjeje. Kishte thjeshtësi të skajshme.

Edhe sahabëve u mësonte që ta përvetësonin këtë thjeshtësi dhe vazhdimisht i edukonte në këtë drejtim.

Hazret Enes r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e çonte vetë kafshën e tij të udhëtimit dhe, pas namazit të sabahut dhe pas namazit të ikindisë, ecte edhe për pak kohë në këmbë.

Në Bedër, Profeti nuk pranoi që sahabët të ecnin në vend të tij

Një aspekt tjetër i thjeshtësisë së tij ishte se jo vetëm jetonte vetë kështu, por ua mësonte këtë mënyrë jetese edhe të tjerëve.

Hazret Abdullah bin Mesudi r.a. tregon se në ditën e Betejës së Bedrit, çdo tre burra ndanin mes tyre një deve dhe hipnin me radhë.

Hazret Ebu Lubaba r.a. dhe Hazret Ali bin Ebi Talibi r.a. ndanin të njëjtën deve me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.

Kur erdhi radha që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të ecte në këmbë, ata të dy i thanë:

“Ne do të ecim në këmbë në vendin tënd.”

Ai u përgjigj:

“Ju të dy nuk jeni më të fortë se unë dhe as unë nuk kam më pak nevojë se ju për shpërblimin.”

Domethënë, edhe unë kam nevojë për sevap. Prandaj, kur është vendosur një rregull, duhet të veprohet sipas tij.

Çfarë pasurie la pas Profeti

Hazret Amr bin Harith r.a. transmeton:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk la pas as dinar, as dirhem, as skllav dhe as skllave. Ai la vetëm mushkën e tij të bardhë, mbi të cilën udhëtonte, armët e tij dhe një tokë që e kishte dedikuar për udhëtarët.”

Hazret Musleh Maudi r.a., duke përshkruar jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., thotë:

“Është vërtetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hante edhe ushqimin më të mirë kur ishte në dispozicion. Por është gjithashtu e vërtetuar se ai kalonte edhe periudha urie dhe ndonjëherë ato zgjateshin aq shumë, saqë detyrohej ta shtrëngonte barkun me diçka. Megjithatë, në çdo gjendje, ai mbetej i thjeshtë dhe mirënjohës.”

Ushqente devenë, arnonte rrobat dhe mbante vetë pazarin në shtëpi

Duke folur për jetën e thjeshtë të Profetit të Shenjtë s.a.v.s., Hazret Ebu Said Hudriu r.a. tregon:

“Jeta e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishte shumë e thjeshtë. Ai nuk e konsideronte asnjë punë si poshtëruese për veten.

E ushqente vetë devenë e tij. Kryente punët e shtëpisë. Riparonte vetë këpucët. Arnonte rrobat. Milte dhinë. E ulte shërbyesin pranë vetes dhe hante bashkë me të. Nëse shërbyesi lodhej duke bluar miellin, e ndihmonte atë.

Nuk ndiente turp që t’i merrte vetë gjërat e blera në treg dhe t’i sillte në shtëpi.

U jepte dorën si të pasurit, ashtu edhe të varfrit. Ishte i pari që përshëndeste tjetrin me selam.

Nëse dikush e ftonte qoftë edhe për disa hurma të zakonshme, nuk e konsideronte atë ftesë të parëndësishme, por e pranonte.

Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ishte jashtëzakonisht dashamirës, i butë dhe i durueshëm. Mënyra e tij e jetesës ishte shumë e pastër dhe e rregullt. I priste njerëzit me fytyrë të çelur dhe buzëqeshja i dukej vazhdimisht në fytyrë. Nuk qeshte me të madhe.

Kishte gjithmonë në zemër frikën ndaj Zotit, por në sjelljen e tij nuk kishte ashpërsi apo ftohtësi.

Ishte shumë i përulur, por në përulësinë e tij nuk kishte as edhe shenjën më të vogël dobësie ose mungese guximi.

Ishte jashtëzakonisht bujar dhe dorëhapur, por gjithmonë shmangte shpenzimin e panevojshëm.

Ishte zemërbutë, mëshirues dhe fisnik. Me çdo musliman sillej me dashamirësi.

Nuk hante aq shumë sa të ngopej tej mase e të fillonte të gromësinte. Kurrë nuk zgjaste dorën drejt diçkaje nga lakmia ose pangopësia. Përkundrazi, ishte i durueshëm, mirënjohës dhe kënaqej me pak.”

Pranonte edhe dhuratën më të vogël dhe ia kthente me një dhuratë

Hazret Aishja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pranonte dhurata dhe u dërgonte dhurata edhe të tjerëve.

Siç është përmendur, ai pranonte edhe dhuratën më të vogël dhe më pas përpiqej t’ia kthente personit me një dhuratë.

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lutej:

“O Allah! Jepi familjes së Muhammedit aq furnizim sa u nevojitet.”

Pra, edhe për familjen e tij dëshironte një jetë të thjeshtë dhe për këtë lutej.

Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon gjithashtu se Profeti s.a.v.s. kurrë nuk e kritikonte ndonjë ushqim. Nëse i pëlqente, e hante; nëse nuk i pëlqente, e linte.

Ndonjëherë njeriut nuk i pëlqen një ushqim. Në një rast të tillë nuk ka nevojë të bëjë komente për të; thjesht mund ta provojë pak dhe pastaj ta lërë në heshtje.

Rroba të ashpra, këpucë të arnuara dhe bukë e trashë elbi

Hazret Enes bin Malik r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vishte rroba prej leshi të ashpër dhe mbante edhe këpucë të riparuara.

Pra, vishte edhe rroba të trasha prej leshi, të cilat përdoreshin për t’u ngrohur gjatë dimrit, dhe mbante këpucë të arnuara.

Ai tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hante ushqim të thjeshtë e të ashpër dhe vishej thjesht.

Kur u pyet se çfarë nënkuptohej me “ushqim të ashpër”, ai tha:

“Bukë e trashë elbi, e cila ishte aq e thatë, saqë pa pirë ujë ishte e vështirë të kalonte në fyt.”

Hazret Enesi r.a. transmeton gjithashtu:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte lënë parzmoren e tij peng në këmbim të elbit. Një herë i çova Profetit s.a.v.s. bukë elbi dhe dhjamë të vjetër, prej të cilit kishte filluar të vinte njëfarë ere.”

Ai thotë:

“E dëgjova duke thënë se familja e Muhammedit nuk kishte për mëngjesin dhe mbrëmjen e saj më shumë se një sa‘ ushqim.”

Një sa‘ ishte një masë drithi që korrespondonte afërsisht me dy kilogramë e gjysmë. Dhe ishin nëntë shtëpi që duhej të ushqeheshin prej kësaj sasie.

Një copë bukë dhe një hurmë: “Ky është zahireja e saj”

Hazret Jusuf bin Abdullah bin Selam r.a. tregon:

“E pashë Profetin s.a.v.s. që vendosi një hurmë mbi një copë bukë dhe tha:

‘Kjo është “gjella” për këtë bukë.’”

Domethënë, po e hante bukën me hurmë si shoqëruese të saj.

Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon se një ditë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu soll ushqim i ngrohtë. Ai hëngri prej tij dhe, pasi mbaroi, tha:

“E gjithë lavdia i takon Allahut! Kishte kaq shumë kohë që nuk kisha ngrënë ushqim të ngrohtë.”

Pra, vetëm pas një kohe shumë të gjatë kishte pasur mundësi të hante përsëri një ushqim të ngrohtë.

Kalonin dy muaj pa u ndezur zjarr në shtëpitë e Profetit

Urve transmeton nga Hazret Aishja r.a. se ajo i tha:

“O biri i motrës sime! Gjendja jonë ishte e tillë që kalonin dy muaj dhe ne shihnim edhe hënën e tretë të re, por në shtëpitë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk ndizej zjarr.”

Urve e pyeti:

“Me çfarë jetonit?”

Ajo u përgjigj:

“Me dy gjërat e zeza: hurmat dhe ujin.

Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte disa fqinjë ensarë që kishin deve qumështore. Ata i dërgonin nga shtëpitë e tyre qumësht të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe ai na jepte të pinim të gjithëve prej atij qumështi.”

Hurma dhe ujë: ushqimi me të cilin familja e Profetit ngopej

Transmetohet nga Hazret Aishja r.a. se Profeti s.a.v.s. ndërroi jetë në një kohë kur ata ngopeshin me el-esvedejn, pra me dy gjërat e zeza: hurmat dhe ujin. Ato gjendeshin me bollëk dhe me to e mbushnin barkun; hanin hurma dhe pinin ujë.

Allame Ibn Haxher Askalani, duke komentuar këtë hadith, shkruan se shprehja el-esvedan, “dy gjërat e zeza”, përdoret për hurmat dhe ujin. Por në të vërtetë ngjyra e zezë i përket vetëm hurmës, jo ujit, sepse uji nuk është i zi. Atëherë, pse Hazret Aishja r.a. tha se ata jetonin me “dy gjërat e zeza”. Arsyeja është se, për shkak të mbizotërimit të njërës prej dy gjërave, e njëjta cilësi u është atribuar të dyjave. Kur dy gjëra përmenden së bashku, ndonjëherë të dyja emërtohen sipas asaj që është më e njohur prej tyre.

Sa më e thellë lidhja me Allahun, aq më pak tepricë në ushqim

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

“Njerëzit që kanë lidhje të thellë me Allahun e Madhërishëm zakonisht hanë më pak. Domethënë, nëse krahasohen me njerëz që kanë të njëjtat kushte, të njëjtën gjendje shëndetësore dhe të njëjtin stomak, ata konsumojnë më pak ushqim.

Kjo nuk do të thotë se, nëse dikush ka probleme me stomakun dhe për këtë arsye nuk mund të hajë shumë, atëherë duhet thënë se ai ka më shumë shpirtshmëri. Kushti është që rrethanat e tjera të jenë të njëjta. Në kushte të njëjta, njeriu që ka më shumë shpirtshmëri do të hajë më pak se tjetri.

Pikërisht për këtë arsye, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se besimtari ha me një zorrë, ndërsa jobesimtari me dhjetë.

Edhe nga studimi i jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kuptohet se ushqimi i tij ishte shumë i pakët.”

Çfarë do të thotë të ngopesh sipas njerëzve të pastër

Duke shpjeguar të njëjtën çështje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Ngopja e njerëzve të mirë dhe të pastër nuk është ajo lloj ngopjeje për të cilën Allahu i Madhërishëm ka thënë se ata hanë ashtu siç “hanë shtazët dhe se Zjarri është vendbanimi i tyre” (Kurani i Shenjtë 47:13).

Nëse ndonjëherë Profeti i Shenjtë s.a.v.s. thoshte se ishte ngopur, ajo ngopje kishte një kuptim krejt tjetër. Nuk mund të krahasohet me ngopjen e atyre njerëzve, qëllimi kryesor i të cilëve është vetëm të shijojnë kënaqësinë e ushqimit dhe vëmendja e të cilëve kufizohet te plotësimi i dëshirave të tyre trupore.

Ngopja ka një kuptim tjetër në terminologjinë e njerëzve të pastër e të shenjtë dhe një tjetër në atë të njerëzve të papastër dhe të dhënë pas barkut.

Njerëzit e pastër quajnë ngopje atë sasi ushqimi me të cilën largohet uria dhe njeriu fiton aq fuqi sa të mund të lëvizë dhe të kryejë detyrat e tij.

Pra, ngopja e besimtarit është që të hajë aq sa trupi i tij të qëndrojë në këmbë dhe të mund të përmbushë detyrimet që ka.

Prandaj, ngopjen e atij që është Zotëria i të gjithë të dërguarve nuk mund ta krahasojmë me ngopjen e njerëzve të zakonshëm. Midis tyre ekziston një dallim shumë i madh.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu thotë:

“… shumë njerëz nuk e kanë kuptuar pozitën e lartë të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe nuk kanë marrë parasysh kontekstin në të cilin përdoren fjalët, prandaj kanë rënë vetë në gabim.

Nëse ndonjëherë Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka thënë: ‘Jam ngopur’, kjo nuk është aspak e njëjta gjë me fjalët që dalin nga goja e njerëzve të kësaj bote, të cilët e kanë bërë ngrënien qëllimin kryesor të jetës.

Pra, veprat dhe fjalët e njerëzve të pastër duhen kuptuar në përputhje me gradën e tyre të lartë. Nuk është e drejtë që gjendjen e tyre ta krahasojmë me atë të të tjerëve. Në të vërtetë, ata janë jashtë kësaj bote, edhe pse në pamje jetojnë brenda saj.”

Edhe buka e elbit nuk gjendej çdo ditë në shtëpinë e Profetit

Hazret Ebu Umama Bahili r.a. thotë se në familjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. buka e elbit nuk tepronte kurrë. Domethënë, përgatitej vetëm aq sa ishte e nevojshme dhe aq sa do të konsumohej.

Në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., buka e grurit dhe sidomos buka prej mielli të imët ishte diçka që kryesisht u takonte njerëzve të pasur dhe gjendej vetëm herë pas here. Gruri nuk kultivohej në atë zonë dhe duhej të sillej nga vende të largëta, si Shami, prandaj ishte mjaft i shtrenjtë.

Për këtë arsye, zakonisht Profetit të Shenjtë s.a.v.s. i gjendej vetëm buka e thjeshtë e elbit, dhe ai e hante atë duke falënderuar Allahun.

Edhe kjo bukë e thjeshtë e elbit bëhej me miell të pasitur. Madje, as ajo nuk gjendej çdo ditë.

Kjo nuk ishte vetëm mënyra e tij e jetesës, por edhe e familjes së tij. Kalonin disa ditë pa pasur as bukë elbi, siç sapo përmenda nga transmetimi i Hazret Aishes r.a., se ata jetonin vetëm me hurma dhe ujë.

Abdurrahman bin Auf qau kur pa bukë dhe mish para vetes

Naufal bin Ijas Fazli tregon:

“Hazret Abdurrahman bin Auf r.a. ulej shpesh me ne dhe ishte një shok shumë i mirë.

Një ditë na mori me vete. Kur hymë në shtëpinë e tij, ai hyri brenda, bëri gusël dhe pastaj doli e u ul me ne.

Na sollën një enë të madhe me bukë dhe mish.

Sapo ushqimi u vendos përpara nesh, Hazret Abdurrahman bin Auf r.a. filloi të qante.

E pyeta:

‘O Ebu Muhammed! Çfarë të bëri të qash?’

Ai tha:

‘I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u largua nga kjo botë pa u ngopur as ai dhe as familja e tij qoftë edhe me bukë elbi.’”

Net të tëra me barkun bosh dhe pa bukë gruri të situr

Duke folur për mosngrënien deri në ngopje, bashkëshortja e bekuar e Profetit s.a.v.s., Hazret Aishja r.a., tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. deri në fund të jetës së tij nuk hëngri kurrë dy herë brenda të njëjtës ditë bukë me vaj ulliri deri sa të ngopej.

Hazret Ibn Abbasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kalonte shumë net radhazi me barkun bosh dhe familja e tij nuk gjente ushqim për darkë. Shumicën e herëve, buka e tyre ishte vetëm bukë elbi.

Ebu Hazimi tregon:

“E pyeta Hazret Sehl bin Sa‘din r.a.:

‘A ka ngrënë ndonjëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. miell të imët?’

Hazret Sehliu r.a. tha:

‘Që nga koha kur Allahu e dërgoi si Profet dhe deri kur e mori pranë Vetes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk hëngri miell të imët.’

E pyeta:

‘A kishit sita në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.?’

Ai tha:

‘Që nga koha kur Allahu e dërgoi si Profet deri kur e mori pranë Vetes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk pa sitë.’

E pyeta:

‘Atëherë si e hanit elbin pa e situr?’

Ai tha:

‘E bluanim dhe pastaj i frynim. Çfarë lëvoreje fluturonte, fluturonte; atë që mbetej e gatuanim dhe e hanim.’”

Aishja qante kur hante dy vakte të plota në një ditë

Mesruku tregon:

“Shkova te Hazret Aishja r.a. Ajo kërkoi të më sillnin ushqim dhe tha:

‘Sa herë që ha dy herë në një ditë deri sa të ngopem, më vjen për të qarë dhe qaj.’

E pyeta:

‘Pse?’

Ajo tha:

‘Më kujtohet gjendja në të cilën i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u largua nga kjo botë. Për Allahun! Ai nuk hëngri kurrë brenda një dite dy herë bukë dhe mish deri sa të ngopej.’”

Hazret Aishja r.a. nuk tha se nuk do të hante vetëm sepse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. nuk kishte ngrënë.

Duhet të falënderojmë Allahun për mirësitë që Ai na jep dhe duhet të hamë nga ajo që na jepet. Përndryshe, edhe refuzimi i mirësive mund të bëhet një lloj mosmirënjohjeje.

Por, në momente të tilla, Hazret Aishes r.a. i kujtohej Profeti i Shenjtë s.a.v.s., i cili nuk kishte ngrënë asnjëherë dy vakte të plota në një ditë.

Pra, çështja kryesore është që njeriu të përfitojë nga mirësitë që i janë dhënë, por njëkohësisht të mos harrojë gjendjen e mëparshme.

Pas varfërisë erdhi pasuria, por sahabët nuk ndryshuan

Hazret Sejid Zejnul-Abidin Valiullah Shah Sahibi, në komentimin e Buhariut, shkruan lidhur me ushqimin e Profetit s.a.v.s. dhe të sahabëve të tij se transmetimet përmendin ato periudha të jetës së sahabëve kur, në fillimet e Islamit, ata përballeshin me uri, varfëri dhe vështirësi ekonomike.

Megjithatë, edhe në atë periudhë, kënaqësia e tyre me atë që kishin dhe tevekkuli i tyre ishin të tillë, saqë ishin të kënaqur me atë që Allahu u jepte.

Më vonë, kur pasuria iu shtua, bollëku i saj nuk solli asnjë ndryshim në kënaqësinë e tyre me pak, në tevekkulin e tyre dhe në mungesën e egoizmit.

Të dyja periudhat e jetës së tyre i kaluan duke falënderuar Allahun, duke vlerësuar mirësitë e Tij dhe duke kujtuar vazhdimisht bekimet që Ai u kishte dhënë.

Buka e butë që e bëri Aishen të shpërthente në lot

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

“Kur Kisra u mund dhe pasuria e luftës ra në duart e muslimanëve, mes sendeve të fituara kishte edhe mullinj me erë, me të cilët mund të bluhej miell shumë i imët.

Përpara kësaj, banorët e Mekës dhe Medinës bluanin drithin me gurë. Pastaj i frynin lëvoret dhe me atë që mbetej përgatisnin bukën.

Kur në Medinë erdhën këta mullinj dhe prej tyre u përgatit miell i imët, Hazret Umeri r.a. urdhëroi që mielli i parë t’i dërgohej Hazret Aishes r.a., në mënyrë që ajo të ishte e para që të hante bukë të butë prej atij mielli.

Sipas urdhrit të tij, mielli iu dërgua Hazret Aishes r.a.

Ajo ia dha një gruaje që ta gatuante dhe të përgatiste bukë.

Kur buka e ngrohtë, e butë dhe e freskët u soll para saj, Hazret Aishja r.a. falënderoi Allahun, këputi një kafshatë dhe e futi në gojë.

Por sapo e futi kafshatën në gojë, lotët filluan t’i rridhnin nga sytë.

Gratë që ishin aty u habitën dhe dikush e pyeti:

‘A je mirë? Kjo bukë është kaq e mirë dhe e butë. Pse po të ngec në fyt?’

Ajo u përgjigj:

‘Kjo bukë nuk më ngeci në fyt për shkak të thatësisë së saj, por për shkak të butësisë së saj.

Ngjarjet e trishta nuk më kanë trishtuar aq sa më ka trishtuar kjo orë gëzimi.

Sot është një kohë gëzimi. Sipas profecive, pasuria po na vjen dhe po na jepen të gjitha këto mirësi.

Por kishte një kohë kur Profeti Muhammedi s.a.v.s. ishte mes nesh. Pikërisht falë tij sot na janë dhënë këto mirësi.

Megjithatë, gjendja e tij ishte e tillë që për periudha të gjata në shtëpinë tonë nuk ndizej zjarr. Edhe kur përgatitej bukë, ne bluanim drithin me gurë, i frynim lëvoret dhe pastaj e gatuanim.

Dhe tani mendoj: Ai, falë të cilit na janë dhënë të gjitha këto mirësi, nuk është sot mes nesh që t’ia paraqesim këtë mirësi dhe t’ia vendosim gjithë këtë pasuri te këmbët.

Ndërsa ne, që nuk kemi pasur ndonjë rol në këto fitore, po përfitojmë prej këtyre mirësive.

Ky mendim më tronditi dhe për këtë arsye edhe kjo kafshatë e butë prej mielli të imët më ngeci në fyt.’”

“Unë ha si një njeri i zakonshëm dhe ulem si një njeri i zakonshëm”

Transmetohet nga Ali bin Ekberi se ai e dëgjoi Hazret Ebu Xhuhejfen r.a. duke thënë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Unë nuk ha duke u mbështetur.”

Domethënë, nuk hante i mbështetur mbrapa në ndonjë mbështetëse.

Lidhur me këtë, Allame Ibn Haxheri ka shpjeguar se përse Profeti s.a.v.s. nuk hante në këtë mënyrë. Ai shkruan se kjo ishte mënyra e njerëzve mendjemëdhenj dhe e atyre që e konsideronin veten të mëdhenj. Në veçanti, kjo mënyrë ishte marrë nga mbretërit joarabë.

Megjithatë, nëse dikush ka ndonjë arsye ose pengesë për shkak të së cilës nuk mund të hajë pa u mbështetur, atëherë nuk ka asgjë të keqe që të veprojë kështu.

Hazret Abdullah bin Ubejd r.a. transmeton se një herë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu soll ushqim.

Hazret Aishja r.a. i tha:

“O Profet i Allahut! Nëse ha duke u mbështetur, do ta kesh më të lehtë.”

Atëherë ai e uli ballin drejt tokës, aq sa pothuajse e preku atë, dhe tha:

“Jo. Unë do të ha ashtu siç ha një njeri i zakonshëm dhe do të ulem ashtu siç ulet një njeri i zakonshëm, sepse unë jam vetëm një rob i Zotit.”

Hazret Musleh Maudi r.a. e ka shpjeguar gjithashtu këtë çështje. Ai shkruan se kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ulej për të ngrënë, ulej i përqendruar drejt ushqimit dhe thoshte:

“Nuk më pëlqen kjo sjellje mendjemadhe e disa njerëzve, të cilët hanë të mbështetur, sikur të duan të tregojnë se nuk kanë fare nevojë për ushqimin.”

Thjeshtësia e Profetit në treg, në rrugë dhe me njerëzit

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. është shembulli i përsosur në çdo aspekt.

Shikoni jetën e tij dhe mënyrën se si sillej me gratë. Sipas meje, ai burrë që sillet ashpër dhe përpiqet të tregojë forcën e tij përballë një gruaje është frikacak dhe pa burrëri.

Studioni jetën e pastër të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe do të kuptoni se sa i sjellshëm ishte ai. Edhe pse kishte një personalitet shumë madhështor dhe autoritar, nëse edhe një grua e moshuar e ndalonte për të biseduar me të, ai qëndronte aty derisa vetë ajo t’i jepte leje të largohej.

Gjërat që i nevojiteshin i blinte vetë dhe i sillte me vete.

Një herë kishte blerë diçka. Një sahab i tha:

‘Huzur, ma jep mua ta mbaj.’

Ai tha:

‘Ai të cilit i përket sendi ka më shumë të drejtë ta mbajë vetë.’”

Megjithatë, nga kjo nuk duhet nxjerrë përfundimi se Profeti i Shenjtë s.a.v.s. shkonte në pyll, mblidhte dru, i lidhte në deng dhe pastaj i sillte vetë mbi kokë. Për punë të tilla të rënda ndihmohej edhe nga të tjerët. Por sendet e zakonshme që blinte në treg, në përgjithësi i mbante vetë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se qëllimi i përmendjes së këtyre ngjarjeve është që të kuptohet thjeshtësia e jashtëzakonshme e Profetit s.a.v.s. dhe fakti se në sjelljen e tij nuk kishte asnjë formalitet të panevojshëm.

Ai ecte edhe në këmbë. Kur ecte me të tjerët, nuk ekzistonte ai dallim formal që shohim sot te disa njerëz të dhënë pas etikës së jashtme, të cilët nuk lejojnë askënd të ecë përpara tyre.

Thjeshtësia e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. ishte aq e madhe, saqë ndonjëherë njerëzit nuk mund ta dallonin se cili prej tyre ishte Profeti.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në Medinë, mjekra e Hazret Ebu Bekrit r.a. kishte flokë të bardhë. Prandaj, disa njerëz menduan se ai ishte Profeti i Zotit. Vetëm kur Hazret Ebu Bekri r.a. u ngrit dhe bëri një shërbim për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., duke ua bërë të qartë në këtë mënyrë se Profeti ishte ai tjetri, njerëzit e kuptuan.

Gara me Aishen dhe shfaqja e abisinëve

Ndonjëherë Profeti i Shenjtë s.a.v.s. bënte edhe gara vrapimi me Hazret Aishen r.a. Një herë ai doli përpara, ndërsa një herë tjetër u ngadalësua, në mënyrë që Hazret Aishja r.a. të dilte përpara, dhe ajo e fitoi garën.

Gjithashtu është vërtetuar se një herë erdhën disa abisinë që po jepnin një shfaqje. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. i dha mundësi Hazret Aishes r.a. ta shikonte atë.

Më vonë, kur erdhi Hazret Umeri r.a., abisinët, sapo e panë, u larguan me vrap.

Pra, kur njeriu e studion me kujdes jetën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., mëson shumë gjëra prej saj.

Por ka edhe disa njerëz të pamend dhe të verbër në zemër, të cilët nuk reflektojnë mbi jetën e tij dhe hapin gojën vetëm për të ngritur kundërshtime. E tillë ka qenë edhe sjellja e disa të krishterëve dhe arjave.

Çdo vepër e Profetit është një shembull për ne

Edhe sot bëhen shumë sulme verbale kundër Islamit dhe kundër Profetit të Shenjtë s.a.v.s.

Megjithatë, pozita e tij është jashtëzakonisht e lartë dhe në çdo vepër të tij gjendet një shembull për ne.

اللّٰهُمَّ صَلِّ عَلَىٰ مُحَمَّدٍ وَعَلَىٰ آلِ مُحَمَّدٍ وَبَارِكْ وَسَلِّمْ إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

“O Allah! Dërgo bekimet e Tua mbi Muhammedin dhe familjen e Muhammedit, bekoji dhe dhuroju paqe. Vërtet, Ti je i Denjë për çdo lavdërim dhe je i Madhërishëm.”

Shpërndaje
Keni pyetje?
Share via