Zyra e kryetarit të Ferizajt priti në takim zyrtarë nga Xhemati Musliman Ahmedia

Më datë 15 mars 2022, zyra e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, priti në takim përfaqësues nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës. Në takim ishin të pranishëm Shefi i Kabitetit të Kryetarit z. Albion Sherifi, UD Drejtore e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Ferizaj znj. Adelina Rexhepi dhe Udhëheqësja e sektorit të mirëqenies sociale në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS) në këtë komunë znj. Emira Sallahu.
Në mungesë të Kryetarit z. Agim Aliut i cili ishte për vizitë zyrtare jashtë Kosovës, takimin e udhëheqi shefi i kabinetit të tij z. Albion Sherifi. Ai u njoftua në lidhje me Xhematin Musliman Ahmedia në botë dhe në Kosovë, për aktivitetet e Kalifit (Udhëheqësit) të Pestë të Mesihut (Allahu e ndihmoftë) për vendosjen e paqes në botë, Simpoziumin Kombëtar të Paqes në Angli si dhe në fund për organizimin e Simpoziumit Vjetor (Xhelsa Salana) të 10-të Vjetor në Kosovë.
Po ashtu shefi i kabinetit, UD drejtore e QPS-së dhe zyrtarja e DShMS-së u njoftuan për organizatën humanitare “Humanity First” të Xhematit Musliman Ahmedia, aktivitetet e saj humanitare në Kosovë dhe nëpër botë, duke u fokusuar në aktivitetet e sektorit të shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe arsimit. Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës u informuan rreth nevojave dhe kërkesave që përballet kjo komunë për t’i ofruar mirëqenie kategorive të ndryshme të qytetarëve ferizajas.
Të dyja palët në fund të takimit u dakorduan që të gjejnë mënyra adekuate për të filluar bashkëpunimin në një të ardhme të afërt në fushat që u diskutuan gjatë takimit.