Kryetari i Hani i Elezit priti në takim zyrtarë nga Xhemati Musliman Ahmedia

Më datë 14 mars 2022, Kryetari i Komunës Hani i Elezit, z. Mehmet Ballazhi, priti në zyren e tij përfaqësues nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës. Në takim ishin të pranishëm edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (ShMS) e Komunës Hani i Elezit znj. Kimete Kuka dhe Drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) i Komunës Hani i Elezit z. Amir Bushi.
Kryetari z. Ballazhi u njoftua më gjerësisht në lidhje me Xhematin Musliman Ahmedia në Kosovë si dhe në botë, u njoftua në lidhje me aktivitetet e Udhëheqësit (Kalifit) të Pestë të Mesihut (Allahu e ndihmoftë) për vendosjen e paqes në botë, Simpoziumin Kombëtar të Paqes në Mbretërinë e Bashkuar si dhe organizimin e Tubimeve Vjetore (Xhelsa Salana).
Po ashtu Kryetari i Komunës, Drejtoresha e ShMS-së dhe Drejtori i QPS-së u njoftuan për organizatën humanitare “Humanity First” të Xhematit Musliman Ahmedia, aktivitetet e saj humanitare nëpër botë dhe Kosovë, duke u fokusuar në aktivitetet e sektorit të mirëqenies sociale, shëndetësisë dhe arsimit. Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës u informuan rreth nevojave dhe kërkesave më urgjente që përballet kjo komunë, për t’i ofruar mirëqenie kategorive të ndryshme.
Në fund të takimit, të dyja palët u dakorduan që të gjejmë mënyra adekuate për të filluar bashkëpunimin.