Përfaqësues nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës vizitojnë Këshilltaren e Kryeministrit të Kosovës
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Përfaqësues nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës vizitojnë Këshilltaren e Kryeministrit të Kosovës

Elizabeth Gowing

Më 9 shkurt 2023, përfaqësues nga Xhemati Musliman Ahmedia i Kosovës takuan Znj. Elizabeth Gowing, Këshilltare e Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, për Çështjet e Komuniteteve, në zyren e saj në ndërtesën e Kryeministrisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, përfaqësuesit i dhanë Znj. Gowing informacione për Xhematin Musliman Ahmedia si në nivel global ashtu edhe brenda Kosovës. Ata diskutuan për aktivitetet e ndryshme javore dhe mujore fetare, kulturore dhe arsimore që zhvillohen në Prishtinë dhe degët e saj në Pejë dhe Mitrovicë. Gjithashtu, përfaqësuesit ndanë informacione për aktivitetet humanitare të organizatës Humanity First në mbarë botën dhe në Kosovë, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre realizohet përmes memorandumeve të mirëkuptimit me komunat përkatëse dhe drejtoritë e tyre. Përfaqësuesit gjithashtu theksuan aktivitetet e ndryshme të Kalifit të Kohës (Allahu e ndihmoftë), duke përfshirë Simpoziumin Kombëtar të Paqes në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe organizimin e Xhelsa Salanës (Simpoziumit Vjetor) së 10-të në Kosovë. Gjatë gjithë takimit, përfaqësuesit përkrahën parimin udhëzues të Xhematit Musliman Ahmedia të “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”.

Gjithashtu, edhe Znj. Elizabeth Gowing i njoftoi përfaqësuesit e Xhematit Musliman Ahmedia të Kosovës me punën e saj tash e disavjeçare në Kosovë, si këshilltare e Kryeministrit të Kosovës për Çështjet e Komuniteteve joshumicë, për Ligjin e fesë dhe lirive fetare në Kosovë, për rëndësinë e dialogut dhe tolerancës ndëretnike, sfidat e së ardhmes në lidhje me edukimin, arsimimin dhe punësimin e pjesëtarëve të minoriteteve joshumicë në Kosovë.

Në fund të takimit, meqë Znj. Gowing është njohëse e mirë e gjuhës shqipe, iu dhuruan këta libra në gjuhën shqipe: “Filozofia e mësimeve të Islamit” – Mesihu i Premtuar a.s., “Jeta e Muhammedit s.a.v.s.” – Kalifi i Dytë i Mesihut r.a., “Kriza botërore dhe rruga drejt paqes” – Kalifi i Pestë i Mesihut (Allahu e ndihmoftë), dhe “Xhemati Musliman Ahmedia – një paraqitje e shkurtër”.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp