Dashuria e pafund e Profetit Muhamed a.s. për Allahun | Shembuj dhe lutje të veçanta nga jeta e Profetit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Dashuria e pafund e Profetit Muhamed a.s. për Allahun | Shembuj dhe lutje të veçanta nga jeta e Profetit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hytben e kaluar përmenda disa çështje nga jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Sot do të paraqes disa aspekte të tjera të jetës së tij që lidhen posaçërisht me dashurinë e Allahut të Madhërishëm ndaj tij. Mundet që disa prej këtyre temave jua kam treguar më parë në mënyrë të shkurtër, por këtu do të trajtoj me më shumë hollësi.

Ne shohim se në këtë aspekt të jetës së tij shfaqet edhe dashuria e Zotit të Madhërishëm për të. Pra, nuk është vetëm dashuria e tij për Allahun, por edhe dashuria e Allahut për të. Dhe pas kësaj shfaqjeje të dashurisë së Allahut ndaj tij, Allahu e udhëzoi atë dhe pastaj, duke qenë i kredhur dhe i zhytur në këtë dashuri, Profeti s.a.v.s. e edukoi dhe e udhëhoqi umetin e tij.

Dashuria për Allahun dhe dashuria për njerëzit

Mësimin që Allahu i Madhërishëm zbriti mbi Profetin s.a.v.s., ai e përcolli tek umeti në mënyrë të tillë që ata të udhëzoheshin. Për këtë ai kishte një dhembje të thellë në zemër; madje ishte pikërisht kjo dhembje që bëri që Zoti i Madhërishëm ta udhëzonte, sepse ai më pas duhej të udhëzonte edhe umetin. Ose mund të thuhet se, nga njëra anë, në zemrën e tij po përvlonte dashuria për Allahun e Madhërishëm, dhe nga ana tjetër, ai kishte edhe dhembjen e dashurisë për njerëzit, pra për robërit e Allahut, dhe kishte dëshirë të zjarrtë për t’i shpëtuar ata nga shkatërrimi.

Zoti thotë në Kuranin e Shenjtë, në suren ed-Duha:

وَوَجَدَكَ ضَالًّا فَهَدَىٰ

Dhe kur Ai të pa të përhumbur në shqetësimin për popullin tënd, të tregoi mënyrën e drejtë për përmirësimin e tyre.

Nga këndvështrimi i dashurisë së Allahut, ky ajet ka edhe këtë kuptim: Allahu i Lartësuar thotë se Unë të pashë thellësisht të tronditur në dashurinë Time dhe përfundimisht të tregova rrugën, duke e ndjekur të cilën, ti arrite tek Unë.

Në Tefsirin Kebir të Imam Raziut, në shpjegimin e ajetitوَوَجَدَكَ ضَالًّا فَهَدَىٰ  nga surja ed-Duha, shkruhet se fjala “dalal” ka edhe kuptimin e dashurisë, sikurse Allahu i Madhërishëm diku tjetër në Kuranin e Shenjtë e përdor këtë fjalë me këtë kuptim, ku thuhet:

إِنَّكَ لَفِي ضَلَالِكَ الْقَدِيمِ”,

(“Ti qenke në dashurinë tënde të vjetër”) (Kurani i Shenjtë 12:96)

Në këtë ajet, fjala “dalal” nënkupton dashuri. Në këtë aspekt, kuptimi i ajetit të sures Ed-Duha do të jetë: ti je i dashuruar. E më pas, Unë të udhëzova drejt atyre rrugëve, përmes të cilave, duke i shërbyer të Dashurit tënd, të mund t’i tejkaloje stacionet për të ardhur drejt afrimit me Mua. Pra, në këtë mënyrë, Allahu i Madhërishëm e certifikoi Profetin s.a.v.s, duke thënë – ti ke rënë në dashuri me Allahun.

Shfaqjen e kësaj dashurie ne e shohim në transmetime të ndryshme: pra, shfaqjen e dashurisë së Allahut për Profetin s.a.v.s., dhe të dashurisë së Profetit për Allahun e Madhërishëm.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë në një vend:

“Ai që i njeh mirë stilet e shprehjes së Kuranit të Shenjtë e di se, Allahu i Madhërishëm, që është tejet Bujar dhe Mëshirëbërës, ndonjëherë përdor për robërit e Tij të zgjedhur, fjalë që në dëgjim të parë duken të rënda, por në nëntekst ato janë shumë të lavdërueshme dhe fjalë vlerësimi.”

Pra, nëse kjo fjalë përdoret në kuptimin e zakonshëm, duket sikur nuk është e përshtatshme, sepse “dal” zakonisht do të thotë i humbur. Por jo; kur Allahu i Lartësuar e përdor atë për shërbëtorët e Tij të veçantë, kuptimi i saj ndryshon.

“Ashtu siç Allahu i Lartësuar tha për Profetin e Tij të dashur s.a.v.s.:

“وَوَجَدَكَ ضَالًّا فَهَدَىٰ

Dihet që kuptimi i parë i fjalës “dal”, sipas leksikografëve është “i humbur, i devijuar”. Sipas këtij kuptimi, ajeti do të nënkuptonte se Allahu i Lartësuar, o i Dërguar, të gjeti të humbur dhe të udhëzoi.”

Ky është kuptimi që japin njerëzit e zakonshëm. Por ai thotë:

“Por Profeti Muhammed s.a.v.s. kurrë nuk ka qenë i humbur, dhe kushdo që, duke qenë musliman, beson se Profeti Muhammed s.a.v.s. ka bërë ndonjëherë ndonjë vepër të devijuar gjatë jetës së tij, ai është jobesimtar, i pafe dhe meriton ndëshkim sipas sheriatit. Përkundër kësaj, ky ajet duhet kuptuar në përputhje me kontekstin e ajetit. Dhe ky kuptim është se Allahu i Madhërishëm fillimisht, në lidhje me Profetin s.a.v.s., thotë:

أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيمًا فَآوَىٰ  ۔ وَوَجَدَكَ ضَالًّا فَهَدَىٰ ۔ وَوَجَدَكَ عَائِلًا فَأَغْنَىٰ

A nuk të gjeti jetim dhe të strehoi? Dhe të gjeti ‘dal’, domethënë “të përhumbur në dashurinë e Allahut, atëherë Allahu të udhëzoi ty drejt Vetes, të gjeti në nevojë dhe të pasuroi. (Kurani i Shenjtë 93:7-9)

Profeti s.a.v.s dhe mësimi i tij janë pasqyrë e plotë e cilësive të Zotit

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në pastërtinë e brendshme, në hapjen e kraharorit, në dëlirësinë dhe në turpin, në vërtetësinë dhe në çiltërsinë, në mbështetjen dhe besnikërinë ndaj Allahut dhe në të gjitha aspektet e dashurisë për Allahun, Porfeti Muhammed s.a.v.s., ndër të gjithë profetët e tjerë, ishte më i larti, më madhështori, më i përsosuri dhe më i qarta, për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm atë e bekoi më së shumti nga të gjithë, me aromën e përsosmërive të veçanta.

Ajo zemër, që ishte më e qarta, më e pastra, më e mbrojtura nga gabimi dhe më e ndritshme se të gjitha zemrat e të parëve dhe të mëvonshmëve, ishte e denjë të priste shpallje të tillë, e cila, në krahasim me shpalljet e të parëve dhe të mëvonshmve, do të ishte më e fortë dhe më e plotë, më e lartë dhe më e pastër dhe më pasqyruese e të gjitha cilësive hyjnore.”

Pra, në këtë pasqyrë, ne shohim edhe cilësitë e Allahut të Madhërishëm dhe çdo aspekt të qenies së Tij; këto na bëhen të dukshme si në vetë qenien e Profetit Muhammed s.a.v.s., ashtu edhe në mësimin e tij.

Përsosmëria e Kuranit të Shenjtë mbi të gjitha shkrimet e mëparshme

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Pikërisht për këtë arsye Kurani i Shenjtë zotëron përsosmëri aq të larta, saqë përballë rrezeve të tij të fuqishme dhe shkëlqimit të tij të ndritshëm, çdo shkëlqim i librave të mëparshëm shuhet plotësisht.

Pra, të gjithë librat e mëparshëm dhe ndriçimi i fjalëve të tyre nuk kanë asnjë peshë përballë tij.

Asnjë mendje nuk mund të nxjerrë një të vërtetë që të mos jetë tashmë e përfshirë në Kuranin e Shenjtë.

Çdo gjë gjendet në Kuranin e Shenjtë dhe nuk ka asnjë çështje që njeriu ta shpikë ose ta zbulojë e që të mos jetë tashmë e pranishme në të. Po, ka nevojë ta kuptosh atë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s vijon:

Asnjë mendim nuk mund të paraqesë një argument racional, që Kurani të mos e ketë paraqitur tashmë. Asnjë fjalim nuk mund të ketë një ndikim aq të fuqishëm mbi një zemër, sa ndikimin e fuqishëm dhe bekues që Kurani i Shenjtë ua transmeton miliona zemrave nëpër botë.

Kurani i Shenjtë është, pa dyshim, një pasqyrë jashtëzakonisht e pastër e cilësive të përsosura të Allahut të Lartësuar, në të cilën gjendet gjithçka që i nevojitet një kërkimtari për të arritur shkallët më të larta të njohjes hyjnore.

Përsosmëria e mësimit hyjnor dhe e qenies së Profetit s.a.v.s.

Prandaj, mësimi që zbriti mbi Profetin Muhammed s.a.v.s. ishte edhe ai aq i pastër sa i tejkalonte të gjitha gjërat, i tejkalonte të gjitha mësimet dhe ishte më i larti se të gjitha shkrimet e mëparshme. Kurani i Shenjtë është një mësim i plotë dhe i përkryer.

Për këtë arsye, edhe vetë qenia e Profetit s.a.v.s. që ishte bartëse e këtij mësimi, ishte e plotë dhe e përkryer. Këtë e dëshmoi Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Pra, libri që iu shpall Profetit Muhammed s.a.v.s., iu shpall pikërisht sepse qenia e tij ishte më e përkryera ndër të gjithë njerëzit dhe sepse ai është ai njeri i përsosur, në gradën e të cilit askush nuk mund të arrijë.

Rruga për të fituar dashurinë e Allahut: ndjekja e Profetit s.a.v.s.

Po, Allahu i Madhërishëm ka thënë: ai është shembull për ju; përpiquni ta ndiqni atë.

Pikërisht për këtë arsye, Allahu i Madhërishëm në shpalljen e Tij e urdhëroi Profetin të deklaronte:

قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ

“Thuaj: Nëse e doni Allahun, më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë gjynahet tuaja. Allahu është shumë Falës, shumë Mëshirëbërës.” (Kurani i Shenjtë 3:32)

Prandaj, edhe metodat për të fituar dashurinë e Allahut duhet të mësojmë pikërisht nga shembulli i Profetit Muhammed s.a.v.s..

Lutjet e Profetit s.a.v.s. për dashurinë e Allahut

Në hadithe lexojmë shumë raste që shfaqin rrezatueshëm dashurinë e tij për Allahun. Në disa transmetime thuhet se Profeti Muhammed s.a.v.s., duke kërkuar dashurinë e Zotit të tij, lutej kështu:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ حُبَّكَ، وَحُبَّ مَنْ يُحِبُّكَ، وَالْعَمَلَ الَّذِي يُبَلِّغُنِي حُبَّكَ اللَّهُمَّ اجْعَلْ حُبَّكَ أَحَبَّ إِلَيَّ مِنْ نَفْسِي وَأَهْلِي وَمِنَ الْمَاءِ الْبَارِدِ.

“O Allah! Të kërkoj dashurinë Tënde; dashurinë e atij që Ti e do; veprën që më sjell te dashuria Jote! O Allah! Dashurinë Tënde bëje për mua më të dashur sesa vetja ime, pasuria ime, familja ime dhe uji i ftohtë!”

Kjo është ajo lutje që sot duhet ta bëjë çdo njeri që pretendon se e do Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe që dëshiron të bëhet edhe vetë i dashur për Allahun, në mënyrë që Allahu ta bekojë atë.

Kthimi i çdo dhurate dhe sprove në mjet afrimi me Allahun

Po ashtu, në një transmetim tjetër thuhet se Hazret Abdullah bin Jezid Khatmi Ensari r.a. rrëfen se Profeti Muhammed s.a.v.s. lutej kështu:

“O Allah! Dhuromë dashurinë Tënde, dashurinë e atij, dashuria e të cilit më bën dobi pranë Teje. O Allah! Atë që më ke dhuruar dhe që e dua, ktheje në forcë për mua për të fituar atë që Ti e do. Atë që Ti ma largon prej meje dhe që e dua, zëvendësoje me atë që Ti e do.”

Pra, ai lutej që gjërat e dashura që Allahu i jep, të bëhen burim force për të arritur gjërat që Allahu i do më shumë dhe për të fituar më tepër dashurinë e Tij. Dhe ai lutej gjithashtu që, nëse Allahu e ndan nga gjërat që ai i konsideron të dashura, qofshin ato sende apo njerëz, kjo ndarje të mos shkaktojë dëshpërim, por t’i japë forcë për të arritur ato gjëra që Allahu i do dhe i pëlqen.

Kjo ishte shprehja e thellë e dashurisë së Profetit Muhammed s.a.v.s. për Allahun e Madhërishëm.

Përulësia dhe istigfari i vazhdueshëm i Profetit Muhammed s.a.v.s.

Po kështu, Hazret Aisheja r.a. tregon se, pas zbritjes së sures idha xha’e nesrullahi vel fet’hu”, Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk falte asnjë namaz pa thënë në të:

“Subhaneke Rabbena ue bihamdike, Allahumme’gfir li”

“I pastër je Ti nga çdo e metë, o Zoti ynë, me lavdinë Tënde. O Allah, më fal!”

Lutja e Profetit s.a.v.s. në sexhde gjatë natës

Hazret Aisheja r.a. rrëfen një ngjarje që lidhet me dashurinë e Profetit s.a.v.s. për Allahun:

Një natë po flija pranë Profetit s.a.v.s., por kur u zgjova nuk e gjeta pranë vetes. Në errësirën e natës e kërkova me dorë dhe dora ime preku këmbët e tij. Ai ishte në sexhde dhe po lutej kështu:

“Kërkoj mbrojtjen e përlqimit Tënd nga mospëlqimi Yt; të faljes Tënde nga ndëshkimi Yt. Nuk mund ta përmbledh lavdërimin Tënd. Ti je ashtu siç e ke përshkruar Veten Tënde!”

Domethënë: unë nuk jam në gjendje të të lavdëroj aq sa Ti e ke lavdëruar Vetveten; ai lavdërim është i përsosur.

Përkushtimi i thellë i Profetit s.a.v.s. dhe mësimi për largimin nga dyshimi

Hazret Aisheja r.a. tregon gjithashtu se një natë, kur ishte radha e saj, ajo ra në gjumë dhe Profeti s.a.v.s. doli në heshtje nga shtëpia. Ajo mendoi se ndoshta kishte shkuar te ndonjë prej bashkëshorteve të tjera. E shtyrë nga ndjenja e xhelozisë, ajo doli pas tij, por e gjeti Profetin të  shtrirë në tokë në sexhde, i përkulur si një rrobë e palosur. Ajo thotë – E dëgjova që po lutej:

سَجَدَ لَكَ سَوَادِي وَخَيَالِي، آمَنَ بِكَ فُؤَادِي، رَبِّ هَٰذِهِ يَدِي وَمَا جَنَيْتُ عَلَىٰ نَفْسِي، يَا عَظِيْمُ تَرْجِعُ لِكُلِّ عَظِيْمٍ فَاغْفِرِ الذَّنْبَ الْعَظِيْمَ.

“O Allah, për Ty janë në sexhde trupi dhe shpirti im; zemra ime beson në Ty. O Zoti im, këto janë duart e mia të shtrira përpara Teje dhe çdo padrejtësi që kam bërë ndaj vetes sime është para Teje. O i Madhërishëm, prej të cilit pritet çdo gjë madhështore! Më fal çdo mëkat të madh!

Edhe pse Profeti s.a.v.s. ishte njeriu më i përsosur, që në jetën e tij nuk gjen dot veçse vepra të mira, ai përsëri shprehej me përulësi duke thënë se kishte bërë padrejtësi ndaj vetes dhe kërkonte falje nga Allahu.

Hazret Aisheja tregon se Profeti s.a.v.s. e ngriti kokën nga sexhdeja dhe e pa atë. Ai e pyeti:

“Çfarë të nxori jashtë? Pse dole, kur ishe duke fjetur?”

Ajo u përgjigj se e kishte shtyrë mendimi që ai mund të kishte shkuar te ndonjë bashkëshorte tjetër.

Profeti s.a.v.s. i tha –  Pa dyshim, disa paragjykime janë mëkat. Më paske dyshuar!  dhe e pyeti nëse kishte dyshuar për të, sepse dyshimi është mëkat. Ai e këshilloi që, në raste të tilla, njeriu duhet të kërkojë falje nga Allahu dhe të ruhet nga dyshimi i keq.

Pastaj i shpjegoi duke thënë: Xhebraili a.s më  kishte ardhur ma kishte mësuar këtë dua për ta bërë në sexhde, andaj, edhe ti bëje edhe ti këtë dua në sexhdet e tua. Ai tha se kush e bënë këtë dua me këto fjalë me besim të plotë dhe duke kryer edhe vepra të mira, Allhu do ta falë atë, përpara se ai të ngrejë kokën nga sexhdeja. Kjo nuk vlen për atë që nuk kryen vepra të tjera të mira dhe vetëm i lexon këto fjalë formalisht.

Vizita e Profetit s.a.v.s. në Xhenetul-Beki dhe mësimi për lutjen për të vdekurit

Në një transmetim tjetër, i përmendur me hollësi në Sahih Muslim, Hazret Aisheja r.a. tregon:

“Një natë Profeti s.a.v.s. u kthye në shtëpi, vendosi mantelin, hoqi këpucët dhe u shtri. Kur mendoi se unë kishte fjetur, u ngrit në heshtje, mori mantelin, veshi këpucët, hapi derën me kujdes dhe doli, pastaj e mbylli derën qetësisht.

Edhe unë u çova, mora shaminë dhe mbulesën e sipërme dhe e ndoqa deri sa ai arriti në varrezat Xhenetul-Beki. Aty qëndroi gjatë në këmbë dhe ngriti duart tri herë, pastaj u kthye. Ai eci shpejt dhe unë gjithashtu eca shpejt pas tij. Profeti filloi të ecte më shpejt, edhe unë u shpejtova. Më pas mbërritëm te shtëpia dhe unë hyra para tij dhe u shtriva.

Kur Profeti s.a.v.s. hyri, më pyeti – Çfarë ke o Ajshe? Pse të është rënduar frymëmarrja?

Pra, Profeti s.a.v.s. e ndjeu që asaj i ishte rënduar frymëmarrja. Hazret Ajshja vijon:

I thashë – Asgjë nuk ka ndodhur. U përpoqa ta shmangia përgjigjen, por ai më tha se ose do t’i tregoja vetë, ose Allahu i Gjithëdijshëm do t’ia tregonte.

U flijofshin prindërit e mi për ty, o Profet! I thashë.

“A ti paske qenë para meje, se unë pashë një hije që po ecte?” Më pyeti Profeti s.a.vs..

Po, iu përgjigja.

Profeti vendosi dorën në gjoksin tim që unë e ndjeva. Mandej më tha – A mendove se Allahu dhe i Dërguari i Tij do të të bëjnë ty padrejtësi?

Hazret Ajshja i tha – Disa njerëz fshehin gjërat, por Allahu ua di gjithçka, andaj, edhe unë po ta tregoj gjithçka.

Profeti s.a.v.s. i shpjegoi duke thënë: Xhebraili a.s. më kishte thirrur mua. Ngaqë këtë ai e kishte mbajtur të fshehtë për ty, edhe unë nuk ta tregova. Allahu më urdhëroi të shkoja te banorët e Bekiut për të kërkuar falje për ta. Unë nuk të zgjova, nga frika se mos ndiheshe e vetmuar.

Pra, po ta zgjonte Profeti atë, ajo do t’i thoshte – Jam vetëm.

Hazret Aisheja e pyeti – O i Dërguari i Allahut! A mundet që edhe unë të marr pjesë në këtë vepër të mirë? Si mund të lutem për ta?

Atëherë Profeti s.a.v.s. më mësoi këtë lutje:

“Paqja qoftë mbi banorët e këtij vendi, prej besimtarëve dhe muslimanëve. Allahu i mëshiroftë ata që kanë shkuar para nesh dhe ata që do të vijnë pas nesh. Dhe, nëse Allahu do, edhe ne do t’ju bashkohemi.”

Dashuria e thellë e Profetit Muhammed s.a.v.s. për Allahun në adhurimin e natës

Në një transmetim tjetër, dashuria e Profetit Muhammed s.a.v.s. për Allahun përshkruhet kështu. Atau rrëfen:

Unë, së bashku me Hazret Abdullah ibn Omerin dhe Ubejd ibn Umejrin, shkuam tek Hazret Aisheja r.a. Hazret Ibn Omeri i tha asaj:

“Na trego diçka nga ajo që ke parë tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. që ka qenë më e dashura dhe më e jashtëzakonshmja.”

Rrëfimtari thotë se, sapo e dëgjoi këtë pyetje, Hazret Aisheja u emocionua tejet shumë dhe filloi të qante. Pastaj tha:

“Çdo gjë e tij ishte e dashur dhe e jashtëzakonshme.”

Më pas Hazret Aisheja r.a. i tha:

Një herë, në natën që ishte radha ime, Profeti s.a.v.s. erdhi tek unë. Kur u fut nën mbulesë dhe e afroi trupin e tij pranë trupit tim, që unë e ndjeva. Atëherë ai më tha:

“O Aishe, nëse më jep leje, do të doja që pjesën e mbetur të kësaj nate ta kaloj në adhurim ndaj Zotit tim.”

“Kam shumë të dashur afrimin me ty, por kam shumë respekt edhe për dëshirën tënde. Ajo që dua më së shumti është që dëshirat e tua të plotësohen.”

Kështu, Hazret Ajshja r.a. e lejoi Profetin ta adhuronte Zotin.

Pas kësaj, Profeti s.a.v.s. shkoi drejt një ene me ujë që ndodhej në shtëpi dhe mori abdes. Ai nuk hodhi shumë ujë. Pastaj u ngrit në këmbë, filloi të lexojë Kuranin dhe filloi të qante, derisa pashë se lotët i rridhnin deri në këmishën e tij. Më pas u mbështet në anën e djathtë, vendosi dorën e djathtë nën faqe dhe vazhdoi të qante, derisa pashë që lotët i ranë në tokë.

Hazret Ajshja vijon:

Mandej erdhi Hazret Bilali r.a. për ta njoftuar për namazin e sabahut. Kur e pa Profetin s.a.v.s. duke qarë, i tha:

“O i Dërguari i Allahut, pse po qan, kur Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e kaluara dhe të ardhshme?”

Profeti s.a.v.s. u përgjigj:

“A nuk duhet të jem rob mirënjohës?”

Kjo është një tjetër shfaqje e thellë e falënderimit dhe mirënjohjes së tij ndaj Allahut. Një ngjarje të tillë ju kam treguar edhe në hytben e kaluar.

Frika dhe dashuria ndaj Allahut gjatë shenjave natyrore

Në një transmetim tjetër, Hazret Aisheja r.a. tregon se sa herë që Profeti s.a.v.s. shihte re ose erë të fortë, Profeti shqetësohej në atë mënyrë që shqetësimi dukej i qartë në fytyrën e tij. Ajo i tha:

“O i Dërguari i Allahut, njerëzit zakonisht gëzohen kur shohin re, sepse shpresojnë për shi, ndërsa unë shoh se sa herë që ti sheh re, në fytyrën tënde shfaqet shqetësim.”

Ai u përgjigj:

“O Aishe, kush mund të më sigurojë se në to nuk ka ndonjë ndëshkim?”

Unë nuk e njoh të fshehtën. Çfarë mund të më sigurojë se në to nuk ka dënimin e erës, siç u ndodhi popujve të mëparshëm?”

Ai shpjegoi se disa popuj, kur panë retë që po afroheshin, thanë se ishin re që do t’u sillnin shi, ashtu siç përmendet edhe në Kuranin e Shenjtë, por ato u sollën ndëshkim. Prandaj, nga frika dhe dashuria për Allahun që kishte në zemër.

Në një transmetim tjetër, Hazret Aisheja r.a. tregon se kur Profeti s.a.v.s. shihte re në qiell, ai hynte në shtëpi dhe dilte, dhe fytyra e tij ndryshonte. Vetëm kur fillonte shiu normal, shqetësimi i largohej. Kur ajo e pyeti për shkakun, ai u përgjigj se kishte frikë se mos ishin ato re për të cilat populli i Adit kishte thënë se po u sillnin shi, ndërsa në të vërtetë ato u sollën ndëshkim.

Mirënjohja për shiun si dhuratë nga Allahu

Në një transmetim tjetër, Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon se Profeti s.a.v.s. dhe shokët e tij e zbulonin kokën për të pritur pikat e para të shiut. Profeti s.a.v.s. thoshte se kjo ishte një dhuratë e freskët nga Zoti i tyre dhe një nga bekimet më të mëdha të Tij. Pra, kur binte shi i zakonshëm, Profeti s.a.v.s. vepronte edhe kështu.

Përndjekjet dhe mbrojtja e Profetit s.a.v.s. për hir të dashurisë ndaj Allahut

Urue ibn Zubejri tregon se e pyeti Hazret Abdullah ibn Amr ibn el-Asin se cili kishte qenë trajtimi më i rëndë që idhujtarët mekas i kishin bërë Profetit s.a.v.s. Ai tregoi se një herë, ndërsa Profeti s.a.v.s. po falej pranë Hatimit të Qabesë, Ukbe ibn Ebi Mu’iti erdhi dhe ia hodhi rrobën në qafë, duke u përpjekur ta mbyste.

Në atë moment erdhi Hazret Ebu Bekri r.a., e kapi Ukben nga supi dhe e largoi nga Profeti s.a.v.s., duke thënë:

A doni ta vrisni këtë njeri vetëm sepse thotë: ‘Zoti im është Allahu’?

Ai është i zhytur plotësisht në dashurinë për Allahun dhe po e adhuron Atë, ndërsa ju doni ta vrisni.

Dëshmia e dashurisë së Profetit s.a.v.s. për Allahun në sytë e njerëzve

E gjithë jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte e zhytur në dashurinë hyjnore. Duke parë këto shenja të dashurisë së tij për Allahun, edhe banorët e Mekës vetvetiu thoshin:

إِنَّ مُحَمَّدًا عَشِقَ رَبَّهُ

“Muhammedi është dashuruar me Zotin e tij.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte dashuruar me Një Zot të vetëm dhe fitoi atë që askush tjetër në botë nuk arriti ta fitonte. Ai kishte një dashuri aq të thellë për Allahun, saqë edhe njerëzit e zakonshëm thoshin:

عَشِقَ مُحَمَّد عَلَىٰ رَبِّهِ

Muhammedi është dashuruar me Zotin e tij.”

Diku tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sahabët kishin parë fytyrën e këtij njeriu të sinqertë, për dashurinë e të cilit ndaj Allahut dëshmonin vetvetishëm edhe jobesimtarët kurejshë. Duke parë lutjet e tij të përditshme, sexhdet e tij plot dashuri, gjendjen e tij të shkrirjes së plotë në bindje, shenjat e dukshme të dashurisë së thellë në fytyrën e tij dhe dritën hyjnore që rrezatonte prej saj, ata thoshin:

عَشِقَ مُحَمَّد عَلَىٰ رَبِّهِ

Muhammedi është dashuruar me Zotin e tij.

Madje, sahabët nuk e panë vetëm këtë vërtetësi, besnikëri dhe dashuri që buronte nga zemra e tij porsi një lumë i furishëm, por dëshmuan edhe dashurinë e Allahut për Profetin, e cila shfaqej në formën e mbështetjeve të jashtëzakonshme hyjnore. Atëherë nuk u mbeti asnjë dyshim se vërtet ekziston një Zot, saqë zemrat e tyre proklamuan se Ai Zoti qëndron me këtë burrë.

Në këtë mënyrë, sahabët panë kaq shumë mrekulli hyjnore dhe kaq shumë shenja qiellore, saqë atyre nuk u mbeti asnjë dyshim që me të vërtetë ekziston një Qenie e Lartë, emri i së cilës është Zot, në dorën e të cilit është çdo gjë dhe për të cilin asgjë nuk është e pamundur.

Pikërisht për këtë arsye, ata treguan sinqeritet, pastërti dhe sakrifica të tilla që njeriu nuk mund t’i bëjë, përveçse kur i zhduken plotësisht të gjitha dyshimet dhe paqartësitë. Kur sahabët panë me sy se Ai Zot i Shenjtë pëlqen që njeriu të hyjë në Islam dhe të ndjekë me trup e me shpirt të Dërguarin e Tij të nderuar s.a.v.s., vetëm pas kësaj bindjeje të plotë, ata rrëfyen sakrificat dhe përkushtimin në mënyrë flijuese përpara Profetit. Kjo nuk mund të ndodhte, pa përvojë dhe dëshmi të drejtpërdrejtë.”

Parimet themelore të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s. sipas rrëfimit të Hazret Aliut r.a.

Hazret Ali r.a. rrëfen se ai e pyeti Profetin Muhammed s.a.v.s. për mënyrën e jetesës së tij, duke i thënë:

“Cila është rruga jote, cili është parimi yt në jetë?”

Profeti s.a.v.s. u përgjigj:

Njohja (ma’rife) është kapitali im.

Domethënë, kur Profeti  u pyet se mbi çfarë gjëje është mbështetur jeta e tij, ai tha se njohja e Allahut, njohja e së vërtetës, është pasuria e tij kryesore, kapitali dhe pasuria e tij e vërtetë. Këtë njohje ia ka dhuruar Allahu dhe kjo është pasuria e tij më e madhe.

Ai vazhdoi:

Arsyeja është thelbi i fesë sime.

Pra, tha se Allahu i ka dhënë mendje dhe ai e përdor atë në dashurinë e Allahut, duke ndjekur parimet që Allahu ka përcaktuar. Kjo është baza dhe themeli i fesë së tij, tha.

Dashuria për Zotin është themeli i jetës sime.

Dëshira për të përparuar në rrugën e Allahut është mjeti im i udhëtimit.

Pra, tha se dëshira e tij është që vetëm të vazhdojë përpara në dashurinë për Zotin, gjë e cila është si mjet udhëtimi i tij, duke përdorur të cilin, ai përpiqej dhe bënte vepra të mira. Mandej tha:

Përkujtimi i Allahut është miku dhe ngushëlluesi im.

Pra, tha se Allahu është miku dhe ngushëlluesi i tij, të cilin Profeti e përkujtonte përherë dhe Atij i lutej. Pastaj tha:

Mbështetja tek Allahu është thesari im.

Ai mbështetet dhe i beson vetëm Allahut, dhe kjo mbështetje është thesari i tij i vërtetë.

Qëndrimi ndaj vështirësive dhe pasuria shpirtërore

Ai vazhdoi duke thënë:

Brenga është shoqëruesja ime.

Kur Profetin e prekte ndonjë brengë ose goditje, ai e ndjente atë si pjesë të jetës dhe nuk merakosej për të, sepse Allahu ishte me të. Më pas tha:

Dija është arma ime.

Allahu ka urdhëruar – Përvetësoni dijen! Sepse dija ta ndriçon mendjen, dhe kjo më pas ta shton njohjen e Allahut. Kurse Profetit ia jepte dijen vetë Allahu. Dhe çfarë arme mund të jetë më e fuqishme sesa dija që vjen nga Allahu? Me këtë armë ai përparonte vazhdimisht.

Edhe dijen për botën lëndore, Allahu i kishte dhënë Profetit dije të veçantë. Siç ju kam shpjeguar në hytbet e mëparshme, duke përshkruar luftërat që atij iu desh t’i bënte. Shohim që Profeti s.a.v.s. gjithmonë ishte strategu më i mirë. Gjithashtu, edhe dija shpirtërore e Profetit s.a.v.s. ishte e pakufishme, gjë që të gjithë e dëshmojmë. Më pas Profeti tha:

Durimi është rroba ime.

Pra, durimi ishte veshja e tij dhe mburoja e tij. Pastaj tha:

Pëlqimi i Allahut është fitimi im.

Ai ishte i kënaqur me çdo vendim të Allahut dhe këtë e konsideronte fitimin e tij më të madh.

Skamja është krenaria ime.

Nëse në pamje të jashtme ka mungesë pasurie ose gjendje të thjeshtë, ai krenohet me këtë, sepse pavarësisht se nuk kishte materialen, por pasuri shpirtërore kishte pa masë.

Asketizmi (vetëpërmbajtja) është zanati im.

Ai përpiqej të arrijë përmbajtjen, devotshmërinë dhe largimin nga tepricat e kësaj bote.

Bindja e plotë është forca ime.

Besimi i palëkundur në Allahun i jepte atij forcë.

E vërteta është ndërmjetësuesja ime.

Ai nuk ka thënë kurrë një fjalë të pavërtetë dhe e vërteta është ajo që do të ndërmjetësojë për të.

Nënshtrimi ndaj Allahut është e mjaftueshme për mua.

Ai zbatonte çdo urdhër të Allahut me bindje të plotë.

Xhihadi (pra, përpjekja në rrugën e Allahut) është morali im.

Qoftë përpjekja fizike, qoftë përpjekja shpirtërore, qoftë përpjekja për të përmbushur detyrimet ndaj njerëzve, kjo ishte morali i tij. Pastaj tha:

Qetësia e syve të mi është në namaz.

Megjithëse të gjitha këto cilësi ishin pjesë e jetës së tij, qetësia e vërtetë e zemrës dhe e syve të tij gjendej në namaz, në afrimin me Allahun, në adhurimin e Tij dhe shfaqjen e dashurisë për Të.

Në një hadith tjetër, Profeti ka thënë:

“Fryti i zemrës sime është përkujtimi i Allahut dhe pasioni im është Zoti im.”

Ndikimi i këtij shembulli dhe vazhdimësia e tij tek Hazret Mesihu i Premtuar a.s.

Ky ishte shembulli i Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe modeli i dashurisë së tij për Allahun, nga i cili ju solla vetëm disa shembuj. Pikërisht ky shembull shkaktoi një revolucion të jashtëzakonshëm tek sahabët dhe i ngriti ata në një shkallë që më parë ishte tërësisht e paimagjinueshme, sikurse e thotë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., që ju kam cituar më herët.

Ky pikërisht është ai mësim i përsosur dhe i plotë që e ka ndjekur shërbyesi i tij i vërtetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Ai tha se Allahu e ka bekuar atë vetëm për shkak të bindjes dhe të ndjekjes ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s..

Ai rrëfen se Zoti më ka treguar në ëndërr dy herë dy vargje në gjuhën penxhabe. Njëri ishte ai:

جے تو میرا ہورہیں سب جگ تیرا ہو

“Nëse ti bëhesh i imi, e gjithë bota është jotja.”

Kurse një herë tjetër, ai pa një fushë të gjerë dhe një njeri i zhytur në dashurinë hyjnore po vinte drejt meje. Kur m’u afrua, ai recitoi këtë varg:

عشق الٰہی وسے منہ پر ولیاں ایہہ نشانی

“Miqve të Allahut u shfaqet në fytyrë dashuria hyjnore.”

Pra, do të thotë se ai e pa dashurinë dhe dritën e Allahut në fytyrën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë gjithashtu:

“Gjithçka që kam arritur, e kam arritur përmes ndjekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s..”

Pra, i tillë ishte modeli i tij dhe pikërisht për ta ndjekur këtë model, ai themeloi Xhematin.

Përgjegjësia jonë sot

Sot, kur ne pretendojmë se jemi ndjekës të vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe kemi bërë betimin e besnikërisë në dorën e shërbëtorit të tij të sinqertë, Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe kemi ripërtërirë zotimin se do ta rregullojmë jetën tonë sipas urdhëresave të Allahut, atëherë duhet të reflektojmë thellë.

Duhet të përpiqemi që çdo vepër ta bëjmë vetëm për Allahun dhe të ecim përpara në dashurinë e Tij. Vetëm atëherë do të bëhemi trashëgimtarë të vërtetë të bekimeve të Allahut, do të bëhemi pjesë e denjë e umetit të Profetit Muhammed s.a.v.s., do ta përmbushim të drejtën e betimit ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe do të numërohemi ndër ndjekësit e tij të vërtetë.

Allahu na dhëntë të gjithëve këtë mundësi!

Lutje për ahmedianë në Pakistan dhe për të gjithë të shtypurit

Në këtë kohë, bëni dua për ahmedianët në Pakistan. Prej dy ditësh, atje është shpallur vendimi në një çështje gjyqësore që po zhvillohej kundër z. Mubarak Thani. Një gjykatës sesioni i ka dhënë dënim me burgim të përjetshëm, me akuzën se ai mbante Kuranin e Shenjtë, e lexonte dhe ua mësonte edhe të tjerëve. Kjo është sot gjendja e gjykatave atje. Çfarë të mire mund të presësh nga to?

Për këtë vendim kanë shkruar edhe të tjerët jashtë Xhematit, duke thënë se është një vendim qesharak. Edhe pse disa hoxhallarë, në përgjithësi, po e lavdërojnë shumë këtë vendim dhe po e vlerësojnë gjykatësin, njerëzit e drejtë dhe të paanshëm që shkruajnë, kanë thënë – madje disa edhe me ironi – paska bërë një krim të madh, paska mbajtur Kuranin në shtëpi që e lexonte dhe ua mësonte edhe fëmijëve.

Ky është, në fakt, realiteti i këtyre të ashtuquajturve dijetarë fetarë dhe ithtarëve të tyre. Nëse edhe qeveria dhe administrata shtetërore ecin pas këtyre hoxhallarëve dhe, në disa vende, veprojnë sipas dëshirave të tyre, atëherë situata bëhet edhe më e rëndë.

Ne lutemi që Allahu t’i kapë shpejt ata dhe të përgatisë mjetet e ndëshkimit të Tij për ta. Me bekimin e Allahut, ndëshkimi i Tij do të vijë shpejt mbi ta, dhe shenjat e kësaj tashmë po duken. Por ne duhet të shqetësohemi që, për shkak të mungesës në lutjet tona ose për shkak se nuk po i përmbushim siç duhet detyrimet tona në vepra dhe në ibadet, të mos shkaktojmë vonesë në zbatimin e këtij ndëshkimi. Këtë frikë duhet ta kemi ne, ashtu siç Profeti Muhammed s.a.v.s., nga kjo frikë, ndonjëherë lutej edhe kur shihte retë.

Prandaj, është shumë e nevojshme t’u kushtojmë vëmendje të madhe lutjeve. Po ashtu, lutuni edhe për të gjithë të shtypurit në botë. Allahu i Madhërishëm t’i dhurojë paqe secilit kudo dhe ta mbrojë njerëzimin nga çdo fitne dhe rrëmujë!

Njoftim për dy xhenaze ghaib pas namazit

Pas namazit, do të fal dy xhenaze ghaib.

Xhenazja e parë: Mevlana Xhelaludin Nejir Sahib

Njoftimi i parë është për Mevlana Xhelaludin Nejir Sahib, ish-president i Sadr Anxhuman Ahmedia dhe ish-president i Mexhlisit Tahrik-e-Xhedid në Kadijan. Ai ndërroi jetë ditët e fundit. Inna lillahi ue inna ilejhi raxhiun.

Babai i tij, H. Husein Sahib, gjatë Luftës Botërore punonte si nëpunës në ushtri. Gjatë asaj kohe, në Basra, në vitin 1922, ai pranoi Xhematin ahmedia dhe më pas u emërua redaktor i revistës së xhematit Satjeduten, që botohej nga Kerala. Ai ishte nga Kerala e Indisë dhe, pas shërbimit ushtarak, u kthyen atje.

Në vitin 1950, duke iu përgjigjur thirrjes së Hazret Musleh Maudit r.a. për vendosjen në Kadijan, ai mori gjithë familjen dhe u vendos në Kadijan. Megjithatë, brenda një viti nga ardhja e tyre në Kadijan, ai ndërroi jetë.

Nëna e Mevlana Xhelaludin Nejir Sahibit, zonja Zubejda Sulltana, më pas u martua me Çaudhri Abdul Hak Sahibin, i cili ishte dervish. Ai mori nën përkujdesje fëmijët e saj dhe u kujdes për ta.

Arsimi fillestar i Mevlana Xhelaludin Nejir Sahibit u zhvillua në Kadijan dhe, në vitin 1963, ai u diplomua për Molvi Fazil. Më pas u emërua në Anxhuman, fillimisht si inspektor i Bejtul-Malit, ku shërbeu për një kohë të gjatë. Ai udhëtonte nëpër xhemate në të gjithë Indinë dhe, me shumë mund dhe dashuri, i përfshiu anëtarët e xhematit në sistemin e sakrificave financiare. Për këtë arsye, kishte lidhje personale me ahmedianët në të gjithë Indinë.

Për rreth gjashtëdhjetë e tre vjet, ai pati nderin t’i shërbente xhematit. Pas detyrës si inspektor i Bejtul-Malit, shërbeu si auditor, më pas si arkëtar dhe, për një periudhë të gjatë, si Nazir i Bejtul-Malit. Për shtatë vjet shërbeu edhe si president i Sadr Anxhuman Ahmedia Kadijan dhe, për aq kohë sa e lejoi shëndeti, ishte edhe president i Mexhlisit Tahrik-e-Xhedidit. Po ashtu, shërbeu edhe në organizatat ndihmëse.

Ai ishte i përkushtuar në adhurim, i rregullt në namaz dhe agjërim, dhe ishte ndër të parët që zbatonin çdo udhëzim të Kalifit të kohës. Ishte gjithashtu sportist dhe atlet, dhe në këtë aspekt organizoi shumë aktivitete. U martua në një familje nga Kashmiri. Bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë më herët. Ai la pas dy djem dhe një vajzë, të cilët po i shërbejnë xhematit.

Allahu i Madhërishëm e faltë dhe e mëshiroftë!

Xhenazja e dytë: Mir Habib Ahmed Sahib

Njoftimi i dytë për xhenazen gaib është për z. Mir Habib Ahmed Sahib, i biri i Mir Mushtaq Ahmed Sahibit. Ai ndërroi jetë ditët e fundit, në moshën tetëdhjetë e nëntë vjeçare. Inna lillahi ue inna ilejhi raxhiun.

Ai ishte njeri shumë i butë, shoqëror dhe thellësisht i përkushtuar ndaj Kalifatit. Me bekimin e Allahut, kishte bërë edhe vasijat. Familja e tij hyri në Xhemat përmes gjyshit të tij, Babu Abdul Rahim Sahib, i cili kishte bërë bejat në vitin 1903, përmes Hazret Mir Kasim Ali Sahibit r.a., redaktor i revistës “Faruk”.

Hazret Mir Kasim Ali Sahibi r.a. e kishte marrë në birësi babanë e Mir Habib Sahibit, Mir Mushtaq Ahmed Sahib, pasi ai vetë nuk kishte fëmijë.

Mir Habib Ahmed Sahibit përfundoi FSc dhe BSc në Government College Lahore dhe më pas mori edhe diplomën Masterit në fizikë. Më pas udhëtoi edhe jashtë vendit.

Shërbimet e tij në xhemat janë si vijon: nga viti 1970 deri në 1971, shërbeu si mësues në Kolegjin Talim-ul-Islam. Nga viti 1973 deri në 1976, nën skemën Nusrat Xhehan, shkoi në Sierra Leone, ku shërbeu si mësues i fizikës në Freetown. Në vitin 1976 u kthye në Pakistan, por po atë vit u dërgua përsëri në Nigeri, ku punoi në një shkollë shtetërore deri në vitin 1987.

Në vitin 1987, ndërsa ndodhej në Afrikë, ai e dedikoi jetën për Xhematin duke bërë vakf-e-zindagi. Po atë vit, Hazret Kalifi i Katërt e emëroi si drejtor të Shkollës së Mesme Ahmedia në Hamrasha, ku shërbeu deri në vitin 1991. Më pas u kthye në Pakistan dhe vazhdoi shërbimet në Xhemat. Në vitin 1992, u dërgua në Sierra Leone për të vlerësuar një institut teknik, dhe mbi bazën e raportit të tij profesional u realizuan disa përmirësime.

Në vitin 1996, u emërua nën Nazaretin e Arsimit në Akademinë Nusrat Xhehan, Rabwah, ku dha mësim për fizikë deri në pensionim. Po ashtu, shërbeu edhe në Zyrën e Sadr Umumit dhe si vullnetar në Komitetin e Reformës së Përgjithshme.

Bashkëshortja e tij shkruan se ai ishte shumë i përkushtuar në namaz dhe agjërim, kishte natyrë shumë të butë dhe kurrë nuk kërkonte diçka për vete. Ishte shumë i dhënë pas leximit dhe ishte njeri i dijes. Kur dikush e pyeste se çfarë dhurate dëshironte, ai thoshte: “Më sillni libra.” Lexonte libra shkencorë dhe kishte dashuri të veçantë për librat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Kurrë nuk fliste gënjeshtra; nëse nuk donte të fliste, heshtte, por nuk thoshte fjalë të pavërteta.

Edhe vajza e tij ka përmendur të njëjtat cilësi. Edhe unë e kam njohur personalisht: ishte njeri shumë i ndershëm, i qetë dhe i përkushtuar, dhe e përmbushi dedikimin me besnikëri të plotë.

Ai ishte martuar me mbesën e Mir Is’hak Sahibit, me zonjën Sejda Lubna, vajzën e Major Seid Ahmed Sahibit. Hazret Mir Muhamed Is’hak Sahibi ishte i biri i Hazret Mir Nasir Nawab Sahib, personalitet i njohur në xhemat, dhe përkthimi i tij i Kuranit të Shenjtë në urdu është i njohur në xhemat.

Allahu i Madhërishëm e faltë dhe e mëshiroftë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via