Mësime nga Lufta e Tebukut, ushtria e Usames dhe devotshmëria e sahabëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Mësime nga Lufta e Tebukut, ushtria e Usames dhe devotshmëria e sahabëve

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 05.12.2025)

Përmendja e ngjarjes së Ka‘b bin Malikut dhe pakujdesia e disa sahabëve në Tebuk

Në hytben e kaluar u përmend rasti i Hazret Ka‘b bin Malikut dhe i disa sahabëve të tjerë që mbetën pas në Ekspeditën e Tebukut, si edhe pakënaqësia e shfaqur nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për këtë veprim të tyre. Në lidhje me këtë, edhe Hazret Muslih Meudi r.a. ka folur dhe, në këtë kontekst, i ka dhënë xhematit një këshillë. Ai thotë:

Në hadithe transmetohet se tre besimtarë nuk morën pjesë në këtë luftë. Prej tyre, njëri ka një rrëfim të gjatë të përmendur në hadithe. Ai thotë, pra ai sahab, se kur shkova tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pas kthimit të tij, pyeta njerëzit se a kishte ardhur dikush tjetër prej atyre që kishin mbetur pas dhe çfarë arsyetimesh kishin paraqitur, si edhe si ishte trajtuar secili prej tyre? Ata më treguan se njerëzit vinin, jepnin justifikime dhe thoshin: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., lute Allahun të na falë”, dhe ai lutej për ta. Ka‘bi thotë: m’u duk sikur edhe unë duhej të jepja një justifikim dhe të shpëtoja nga qortimi, por pastaj më erdhi një mendim tjetër. Pyeta sahabët se cilët ishin paraqitur. Ata përmendën disa emra dhe të gjithë ishin munafikë (hipokritë). Vetëm dy besimtarë u përmendën, për të cilët thanë se nuk kishin paraqitur asnjë arsyetim, por kishin pranuar gabimin e tyre.

Atëherë thashë me vete: “Pse të përfshihem mes hipokritëve? Është më mirë që, në vend të paraqitjes së justifikimeve që në të vërtetë nuk quhen justifikime, të them hapur se kam gabuar; bëni me mua çfarë të dëshironi.” Me këtë mendim, vendosa të pranoja fajin tim dhe kështu Allahu më shpëtoi nga përfshirja mes hipokritëve. Shkova dhe i thashë hapur të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: “Ishte neglizhenca dhe plogështia ime që nuk mora pjesë në këtë ekspeditë; nuk kam patur asnjë justifikim të vërtetë.” Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Deri sa të vijë urdhri i Allahut në lidhje me ty, njerëzit do të ndërpresin lidhjet me ty.”

Emri i këtij sahabi ishte Ka‘b bin Malik. Ai rrëfen se ky urdhër na solli shumë vështirësi, sepse në Medinë të gjithë ishin muslimanë dhe as ndokush prej munafikëve nuk guxonte t’u fliste atyre. Këtë rrëfim e dhashë në formë të përmbledhur, sepse detajet i kam përmendur në hytben e kaluar. Hazret Musleh Maudi r.a. e ka përmendur këtë në hytbe dhe pastaj, siç thashë, e ka përdorur këtë rast për t’i këshilluar anëtarët e xhematit. Ai thotë:

Këshilla e Muslih Meudit r.a. lidhur me sjelljen ndaj të ndëshkuarve

“Këtu kam parë,” thotë ai, duke iu referuar Kadijanit rreth vitit 1936, “që disa njerëz, ndaj të cilëve është ndaluar të flitet (sepse janë nën ndëshkim), prapëseprapë shkojnë nëpër shtëpitë e anëtarëve të Xhematit nëpër lagje, dhe banorët e lagjes, nuk di si, sikur flenë gjumë e nuk e kuptojnë as fare. Disa ahmedianë këtu rrisin “gjarpërinj”, por le ta dinë se këta “gjarpërinj” as Allahun nuk mund ta pickojnë, as të Dërguarin e Tij dhe as Kalifin e kohës. Ata do të pickojnë vetëm ata që i rrisin. Ne jemi, me bekimin e Allahut, të mbrojtur, sepse atë që e merr Allahu në mbrojtje, kush mund ta dëmtojë? Ata “gjarpërinj” do t’i pickojnë ata që munden t’i pickojnë, dhe është për të ardhur keq që, megjithëse shohin veprimet e këtyre “gjarpërinjve”, disa njerëz rrinë symbyllur.”

Në atë kohë kishin dalë disa fitne, dhe për këtë arsye atij iu desh të thoshte kështu.

Izolimi i tre sahabëve dhe sprova e tyre

Ai vazhdon: “Në Medinë, asnjë hipokrit nuk guxonte t’u fliste.” Ka‘b bin Malik r.a. tregon se disa ditë pas këtij urdhri u mësua se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte urdhëruar që edhe bashkëshortet e tyre të largoheshin prej tyre. Njëri prej tre sahabëve ishte i moshuar. Gruaja e tij shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., im shoq është plak; nuk ha, nuk fle, është i pafuqishëm dhe i nevojitet ndihmë në çdo moment. Për sa i përket marrëdhënieve bashkëshortore, ai tashmë nuk është në gjendje për to. Nëse më lejoni, do të kujdesem vetëm për ushqimin dhe pijet e tij.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Mirë, vetëm kaq, të lejohet.”

Ka‘bi thotë: “M’u duk se edhe unë duhej të kërkoja një leje të tillë për veten time, por pastaj mendova se ai ishte plak, ndërsa unë i ri; për mua nuk ishte e përshtatshme. Kështu i thashë gruas sime:

‘Shko te familja jote, që të mos ndodhë që unë të të thërras e ti të më përgjigjesh.’

As nuk mendoja se dikush tjetër mund të fliste me mua. Po, për shkak të dashurisë dhe dhembshurisë së të Dërguarit s.a.v.s., më vinte në mend se kur ai të shihte dhimbjen time, do të më mëshironte. Prandaj shkoja në tubimet e tij dhe i thosha me zë të lartë:

‘Esselamu alejkum’,

dhe shikoja nëse buzët e tij lëviznin apo jo, por ai nuk më përgjigjej. Unë, i shqetësuar, ngrihesha e largohesha, dhe kujtoja se ndoshta buzët i ishin lëvizur, por unë nuk i kisha parë. Pastaj kthehesha sërish, jepja selam me zë të lartë dhe shikoja buzët e tij. Ngrihesha e ulesha disa herë, por ai nuk më përgjigjej; vetëm herë pas here më shikonte me bisht të syrit.”

Ka‘bi rrëfen se, pasi kaluan shumë ditë, shkoi te kushëriri i tij, me të cilin gjithmonë hante, pinte dhe e kishte shumë të afërt. Ai po punonte në pemishten e vet. I thashë:

“O vëlla, ti je besniku im. Ne kemi qenë gjithmonë bashkë dhe nuk kemi patur asgjë të fshehtë nga njëri-tjetri. Ti e di mirë se unë jam musliman i sinqertë dhe nuk kam asnjë grimë hipokrizie në vete. Kam ardhur i shqetësuar të të pyes: a jam unë hipokrit?”

Por ai nuk dha asnjë përgjigje, vetëm ngriti shikimin nga qielli, duke nënkuptuar se këtë e di më së miri Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Ka‘bi thotë: “Kur vëllai im, që ishte besniku im, më dha këtë përgjigje, ndjeva se toka u ngushtua për mua. U trondita dhe u largova nga pemishtja, duke kapërcyer murin dhe u nisa me nxitim drejt qytetit.”

Kur arriti pranë qytetit, një njeri iu afrua dhe e pyeti: “A je filani?” Ai u përgjigj: “Po.” Njeriu i dorëzoi një letër dhe tha se e kishte dërguar një mbret. Ai ishte një mbret i krishterë arab, nën sundimin romak.

Ka‘bi thotë: “E hapa letrën dhe aty shkruhej: ‘Ne kemi dëgjuar se ti je ndër fisnikët e Arabisë, e Muhamedi (s.a.v.s.) nuk të ka vlerësuar siç duhet, megjithëse ti meriton nderim. Nëse vjen te unë, do të të trajtoj me nderimin që të takon.’”

Ka‘bi vazhdon: “Pasi mora atë përgjigje nga kushëriri im, zemra më ishte trazuar shumë. Edhe në atë moment isha tejet i shqetësuar. Duke parë atë letër, mbeta i shtangur. Mendova: ‘Ky është sulmi i fundit i djallit; mos ndodhë të më shtyjë dhe unë të rrëshqas.’

I thashë atij dërguesit: ‘Eja pas meje.’ Në një vend, një njeri po ndizte një furrë. E grisa letrën, e hodha në zjarr dhe i thashë:

‘Thuaji mbretit tënd se kjo është përgjigjja ime.’

Këto ishin çastet e fundit të sprovës dhe të vuajtjes së tyre. Përfundimisht, Allahu bëri mëshirë dhe i Dërguari i Tij s.a.v.s. mori shpalljen se gabimi i tyre ishte falur.”

Mësimet që nxirren nga ngjarja e Ka‘b bin Malikut

Hazreti Muslih Meud r.a. në një vend tjetër thotë:

“Sa mësimdhënës është rasti i Ka‘b bin Malikut! Ai kishte marrë pjesë në të gjitha betejat bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., madje edhe në Çlirimin e Mekës, por në Tebuk mbeti pas nga neglizhenca. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dënoi aq rëndë sa as selamin nuk ia kthente. U ndalua që njerëzit të flisnin me të, madje edhe gruaja e tij u largua prej tij. Në këtë gjendje, një i dërguar i mbretit të Ghasanit i solli një letër, ku shkruhej: ‘I zoti yt nuk të ka vlerësuar; eja tek unë.’ Ka‘bi e quajti këtë si ‘sulm të fundit të djallit, dhe e hodhi letrën në furrë, duke e djegur.”

Pastaj ai shton:

“Sot, disa njerëz në xhemat mendojnë se, nëse pyeten për ndonjë gabim, thonë: ‘Shërbimet tona nuk u vlerësuan; nuk ka kanë çmuar.’ Duhet mbajtur mend se administrata është një gjë tjetër, ndërsa puna është një gjë tjetër. Për të ruajtur rendin, kushdo që bën një gabim duhet pyetur, kushdo qoftë ai.”

Këshilla për sinqeritet dhe moskërkim lavdie në shërbim

“Prandaj,” thotë ai, “nën urdhrin e Allahut, përpiquni për fenë në mënyrë të tillë që ta largoni djallin. Mos punoni që të lavdëroheni. Mos mendoni se, sepse keni bërë punë, nuk do t’ju kërkohet llogari për gabimet. Mos punoni sikur i bëni nder Allahut me veprat tuaja; mos punoni me qëllim që t’ia hidhni dikujt në sy. Shërbejeni islamin me të gjitha mjetet. Mos bëni mirësi për t’u dukur, por shërbeni me të gjitha aftësitë tuaja. Ky duhet të jetë motivi, pra pëlqimi i Allahut.

Kjo ishte një pjesë nga hytbet e fillimit të periudhës së kalifatit të tij, kurse ajo pjesë e mëparshmja i përket vitit 1936.

Udhëtimi i Tebukut dhe ndikimi i tij në mbarë Arabinë

Udhëtimi i Tebukut u shfaq si një udhëtim me plot urtësi dhe plot bekime, saqë në të gjithë rajonin e Arabisë u forcua pozita e muslimanëve, dhe pak kohë më pas, në të gjithë gadishullin filloi të valëvitej flamuri i Islamit. Në lidhje me këtë, edhe Hazret Muslih Meudi r.a. thotë:

“Pas kthimit nga Tebuku, edhe njerëzit e Taifit erdhën dhe pranuan bindjen ndaj Profetit s.a.v.s., dhe pas tyre, fise të tjera të Arabisë erdhën një nga një dhe i kërkuan të hynin në shtetin Islam. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, në gjithë Arabinë filloi të valëvitej flamuri i Islamit.” (Jeta e Muhammedit s.a.)

Ekspedita e Hazret Khalid bin Uelidit drejt Nezhran-it

Pas kthimit nga Tebuku, ndodhi një ekspeditë (sërije), e njohur si ekspedita e Hazret Khalid bin Uelidit, e cila u dërgua drejt Nexhranit, tek fisi Benu Abdil-Medan, që ishin nga Benu Harith bin Ka‘b. Abdil-Medani, nga i cili rridhte emri i fisit, ishte stërgjyshi i tyre, dhe emri i tij ishte Amr bin Jezid.

Sipas Ibn Sa‘d, kjo ekspeditë ndodhi në Rabijul-Evel të vitit të dhjetë hixhri; ndërsa sipas Ibn Hisham-it, në Rabijul-Ahir ose Xhemdel-Euel të të njëjtit vit. Në veprën “Sirat Hatemen-Nebijjin”, Hazret Mirza Bashir Ahmadi r.a. ka përmendur se data e ekspeditës së Hazret Khalidit drejt Nezhran-it ishte Rabijul-Euel i vitit të dhjetë.

Sidoqoftë, detajet e kësaj ekspedite janë si vijon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e urdhëroi Hazret Khalidin që, para se të luftonte, t’i ftonte tri herë në Islam njerëzit tek të cilët ishte dërguar. Nëse ata e pranonin Islamin, aq më mirë; në të kundërt, të luftonte. Domethënë, edhe nëse ata kërkonin të luftonin, ti prapë t’i ftoje tri herë në Islam. Nëse pastaj dëshironin të luftonin, atëherë të bëhej luftë me ta.

Hazret Khalidi veproi pikërisht kështu, dhe të gjithë ata njerëz e pranuan Islamin. Ai qëndroi mes tyre, pra u mor me predikim; nuk pati luftë, dhe të gjithë u bënë muslimanë. Ai filloi t’u mësonte Islamin, Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ashtu siç e kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Letra e Hazret Khalidit drejtuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Pas kësaj, Hazret Khalidi i dërgoi një letër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., me këtë përmbajtje:

“Drejtuar Hazret Muhammedit, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nga Khalid bin Uelidi. Esselamu alejke, o i Dërguari i Allahut, dhe mëshira e Tij dhe bekimet e Tij qofshin me ty! Lavdëroj Allahun, përveç të cilit nuk ka të adhurueshëm tjetër. E më pas: O i Dërguari i Allahut, Allahu derdhtë mëshirën e Tij mbi ju! Ju më keni dërguar tek Benu Harith dhe më keni urdhëruar t’i ftoja tri ditë rresht në Islam. Nëse e pranonin, të qëndroja mes tyre dhe t’u mësoja urdhëresat e Islamit, Kuranin e Shenjtë dhe Sunetin. Nëse nuk e pranonin, atëherë të luftoja me ta.”

Në disa vende, detajet nuk përmenden, ose përzihen me përshkrime të tjera, por mësimi i Islamit nuk është që t’i detyrosh njerëzit ta pranojnë fenë. Qëllimi i urdhrit ishte: të mos bëni marrëveshje me ta para se t’i thërrisni; dhe nëse ata këmbëngulin në luftë, atëherë keni leje të luftoni. Hazret Khalidi vazhdon në letër:

“Unë shkova te ta dhe sipas urdhrit tuaj, i ftuam për tri ditë në Islam. U çova kalorësit e mi dhe u thamë: ‘O Benu Harith, pranoni Islamin që të jeni të sigurt.’ Ata e pranuan Islamin dhe hoqën dorë nga lufta.”

Pra, meqë ata nuk bënë asnjë hap drejt luftës, siç tregohet qartë, dhe se muslimanët nuk kishin shkuar për të luftuar, por për të bërë thirrje drejt Islamit.

Ai shton: “Tani unë jam mes tyre, dhe po u shpjegoj urdhëresat dhe ndalesat e fesë. Për çdo urdhër tjetër që do të vini ju, do të veproj sipas tij. Esselamu alejke, o i Dërguari i Allahut, dhe mëshira e Tij dhe bekimet e Tij qofshin me ty!”

Përgjigjja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. letrës së Hazret Khalidit iu përgjigj kështu:

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Nga Muhammedi, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), drejtuar Khalid bin Uelidit. Paqja qoftë mbi ty. Lavdëroj Allahun, përveç të cilit nuk ka të adhurueshëm tjetër. E më pas: Letra jote, së bashku me të lajmëtarin, na mbërriti dhe mësuam se Benu Harith e kanë pranuar Islamin dhe para luftës kanë dhënë dëshmi se ‘nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij’. Kjo është udhëzimi i Allahut, që Ai ua dhuroi atyre. Prandaj jepu lajmin e mirë të shpërblimit Hyjnor dhe frikësoji nga ndëshkimi i Allahut. Pastaj merr disa prej tyre me vete dhe paraqitu këtu tek ne. Paqja dhe mëshira e Allahut dhe bekimet e Tij qofshin me ty.”

Delegacioni i Benu Harithit para të Dërguarit s.a.v.s.

Hazret Khalidi mori disa prej anëtarëve të fisit dhe i solli para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Emrat e tyre ishin: Kajs bin Husajni, Jezid bin Abdil-Medani, Jezid bin Me‘xheli, Abdullah bin Keradi, Shedad bin Abdullahu dhe Amr bin Abdullahu.

Kur ata hynë në praninë e të Dërguarit s.a.v.s., ai tha: “Kush janë këta njerëz? Duken si indianë.” U tha se: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., këta janë nga Benu Harith.”

Ata i dhanë selam të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe thanë: “Dëshmojmë se ju jeni i Dërguari i Allahut dhe se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut.” I Dërguari s.a.v.s. tha: “Edhe unë dëshmoj se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij.”

Pastaj ai tha: “Ju jeni ata njerëzit që, sa herë përballeshit me armikun, e detyronit të ikte.” Ata heshtën, dhe asnjëri nuk foli. I Dërguari s.a.v.s. e përsëriti edhe një herë, por ata prapë heshtën. Edhe herën e tretë ai e përsëriti, dhe sërish heshtën. Më në fund, herën e katërt, ai e përsëriti: “Ju jeni ata që e detyronit armikun të largohej.”

Atëherë Jezid bin Abdil-Medani tha:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., po, ne jemi ata që, kur luftonim, e bënim armikun të arratisej.” Ai e përsëriti këtë katër herë: “Ne ishim luftëtarë të fortë dhe shumë trima, por tani ka ndryshuar puna.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Po të mos më kishte shkruar Khalidi se ju e keni pranuar Islamin, unë do t’i kisha bërë kokat tuaja t’ju shtroheshin nën këmbë.”

Jezid bin Abdil-Medani tha: “Ne nuk jemi mirënjohës as ndaj jush, as ndaj Khalidit.” (Ishte i ri në Islam.)

I Dërguari s.a.v.s. tha: “Atëherë kujt i jeni mirënjohës?”

Ai tha: “Ne i jemi mirënjohës Allahut, që na udhëzoi përmes jush.”

I Dërguari s.a.v.s. tha: “Ke thënë të vërtetën.”

Pastaj ai tha: “Më tregoni pse, në kohën e injorancës (para Islamit), ju dilnit fitimtarë ndaj kundërshtarëve?”

Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ne luftonim të bashkuar.”

Pra, ata mendonin se ne, duke qenë një trup i vetëm, do të fitonim patjetër, prandaj askush nuk arrinte t’i nënshtronte dot. Kur erdhi Islami dhe i bashkoi të gjithë fiset në një, dhe fiset e ndryshme u bënë një zemër, ata e kuptuan se edhe muslimanët janë më të bashkuar, prandaj e panë të arsyeshme të mos luftonin kundër tyre, madje ta pranonin Islamin, sepse e panë që pikërisht kjo është feja e vërtetë.

Emërimi i emirëve të Benu Harithit dhe afërsia me vdekjen e të Dërguarit s.a.v.s.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. caktoi Kajs bin Husajn-in emir të Benu Harithit dhe, në fund të muajit Sheval ose në fillim të Dhul-Kadeh-it, i lejoi ata të ktheheshin. Katër muaj pasi ata arritën në popullin e tyre, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë.

Beteja e fundit dhe ekspedita e fundit e Profetit s.a.v.s.

Beteja e fundit e Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte Beteja e Tebukut, dhe ushtria ose sërijja e fundit që ai dërgoi ishte Ekspedita e Usames. Detajet rreth Ekspeditës së Usames janë përmendur më parë në lidhje me jetën e Hazret Usames dhe të Hazret Ebu Bekrit r.a., megjithatë këtu po i përmend shkurtimisht, së bashku me një sfond.

Lajmërimi i dëshmorëve të Mu’tes dhe “shpata e Allahut”

Në një transmetim të Buhariut, Hazret Enes bin Malik r.a. rrëfen se Pejgamberi i nderuar s.a.v.s. paralajmëroi njerëzit për vdekjen e Hazret Zejdit, të Hazret Xhaferit dhe të Hazret Abdullah bin Revahes, para se t’u arrinte njerëzve ndonjë lajm tjetër për ta. Ai tha: “Zejdi mori flamurin”, (bëhet fjalë për një ushtri tjetër që kishte dalë përpara ekspeditës së Usames) “ai e mori flamurin dhe u bë dëshmor. Pastaj e mori Xhaferi dhe u bë dëshmor. Pastaj Ibn Revahja mori flamurin dhe u bë edhe ai dëshmor.” Në atë çast, nga sytë e Pejgamberit s.a.v.s. rridhnin lot. “Më në fund, një nga shpatat e Allahut”, pra Khalid bin Uelidi, “mori flamurin, derisa Allahu i dha atij fitore mbi kundërshtarët.”

Rreziku nga Roma (Bizantët) pas Haxhit të Lamtumirës dhe urdhri për Ushtrinë e Usames

Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. u kthye nga Haxhxhi i Lamtumirës dhe arriti në Medinë, në anën jugore nuk kishte më rrezik për banorët e Medinës, por nga ana veriore ende ekzistonte rreziku nga romakët, sepse këta të krishterë mburreshin ende me fuqinë e tyre dhe në çdo çast mund të sulmonin. Po ashtu, ishte i pambyllur edhe çështja e hakmarrjes për dëshmorët e Mu’tes, sepse në atë luftë, falë aftësisë së Hazret Khalid bin Uelidit, ushtria e muslimanëve arriti të kthehej në Medinë.

Pas përfundimit të haxhit, nuk kaloi shumë kohë që Pejgamberi s.a.v.s. të ishte kthyer në Medinë, dhe pas disa ditësh ai urdhëroi që, nën komandën e Hazret Usame bin Zejdit, të përgatitej një ushtri për të bërë sulm në drejtim të Shamit. Përgatitjet e Ushtrisë së Usames u përfunduan të shtunën, dy ditë para vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe fillimi i këtyre përgatitjeve kishte nisur që para sëmundjes së tij.

Udhëzimet e Profetit ndaj Usames, birit të Zejdit r.a. për mënyrën e luftës

Në fund të muajit Safar, ai urdhëroi përgatitjen për luftë kundër romakëve. Thirri Hazret Usamen dhe i tha:

“Nisu drejt vendit ku u bë dëshmor babai yt.”

Aty ku ishte bërë dëshmor Hazret Zejdi në luftën e parë, ai tha: “Shko atje dhe kalojini ata me kuaj (domethënë armikun) nën thundrat e kuajve. Unë të kam caktuar emir të kësaj ushtrie.”

Në një transmetim tjetër thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. tha:

“Shkelini me kuaj Bilkaun dhe Darumin.”

Bilkau është një krahinë në vendin e Shamit, mes Damaskut dhe Vadil-Kurasë. Darumi është një vend në Palestinë, pas Gazës, në rrugën për në Egjipt. Duke urdhëruar nisjen në drejtim të Shamit, Profeti s.a.v.s. tha:

“Pastaj, në mëngjes herët, sulmojini banorët e Abnaut.”

Abna është një vend në Shamin e sipërm, nga ana e Bilkaut.

Profeti s.a.v.s. tha: “Udhëtoni shpejt, që të arrini para se t’u vijë lajmi për ju. Nëse Allahu ju jep fitore, mos qëndroni gjatë atje. Merrni me vete udhërrëfyes dhe dërgoni përpara lajmëtarë dhe përgjuës.”

“Vetë mos e dëshironi përballjen me armikun!”

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. i lidhi Usames me duart e tij një flamur dhe i tha:

“Nisuni me emrin e Allahut, bëni xhihad në rrugën e Tij dhe luftoni kundër atij që e mohon Allahun. Mos tradhtoni. Mos i vrisni fëmijët dhe gratë dhe vetë mos e dëshironi përballjen me armikun.”

Edhe kjo shprehje tregon se, lufta do të bëhej vetëm nëse armiku do të sulmonte i pari, dhe tha – ju vetë nuk duhet të dëshironi përplasjen me armikun.

Pastaj tha: “Sepse ju nuk e dini, ndoshta do të sprovoheni për shkak të kësaj. Por lutjuni Zotit: ‘“O Allah, na mjafto kundër tyre ashtu siç dëshiron Ti, dhe largoje luftën e tyre nga ne.’”

Ai ua mësoi edhe këtë lutje, që tregon se lufta nuk ishte objektivi, andaj, ta shmangnin, nëse mundej.

“Nëse ndodh përballja e tyre me ju”, pra, përfundimisht nëse bëhet luftë, “dhe ata mblidhen bashkë e bërtasin, atëherë mbi ju është detyrë që të ruani dinjitetin dhe heshtjen. Luftoni me qetësi dhe me dinjitet dhe mos u grindni mes vete, se përndryshe do të bëheni frikacakë dhe do t’ju zhduket ndikimi dhe frika që ushqen armiku ndaj jush. Ruani unitetin mes jush dhe thoni:

‘O Allah, ne jemi robërit e Tu dhe ata janë robërit e Tu. Balluket tona dhe balluket e tyre janë në dorën e fuqisë Sate, dhe vetëm Ti mund të na mjaftohesh kundër tyre.’

Dhe dijeni se xheneti është nën hijen e shpatave.”

Të gjithë, përfshij edhe sahabët kryesorë, u vunë nën komandën e Hazret Usames

Hazret Usama, duke marrë flamurin e lidhur me dorën e të Dërguarit s.a.v.s., doli dhe ia dorëzoi flamurin Hazret Burejde bin Hasibit, dhe në vendin e quajtur Xhurf, e grumbulloi ushtrinë. Xhurfi është një vend tri milje në veri të Medinës.

Nuk mbeti asnjë nga personalitetet e muhaxhirëve dhe të ensarëve pa u thirrur për këtë luftë. Mes tyre ishin Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri, Hazret Ebu Ubejde bin Xherrah, Hazret Sa‘d bin Ebi Uekasi, Hazret Seid bin Zejd, Hazret Katade bin Nu‘mani, Hazret Seleme bin Eslemi. Të gjithë u vunë nën komandën e Hazret Usames.

Kundërshtimet ndaj komandës së Usames r.a. dhe qëndrimi i Profetit s.a.v.s.

Disa njerëz filluan të flisnin dhe thanë:

“Ky djalosh po caktohet emir mbi muhaxhirët e parë. Ndër ta ka sahabë të mëdhenj, e megjithatë, këtë djalë e bënë emir mbi ta.”

Kur këto fjalë arritën te Hazret Profeti s.a.v.s., ai u zemërua shumë. Ai e kishte kokën të lidhur me një shami dhe kishte hedhur mbi vete një rrobë. Doli në minber, e lavdëroi Allahun dhe pastaj tha:

“O njerëz, fjala që disa prej jush kanë thënë në lidhje me emërimin e Usames emir më ka arritur. Nëse ju keni kundërshtuar emërimin e Usames si emir, atëherë edhe më parë keni kundërshtuar kur e caktova babain e tij emir. Betohem në Allah se edhe babai i tij ishte i denjë për të qenë emir dhe, pas tij, edhe i biri është i denjë për të qenë emir. Ai ishte prej atyre që më ishin më të dashurit, dhe me siguri për të dy mund të mendohet vetëm mirësi. Prandaj mbajeni mirë këtë këshillë për Usamen, sepse ai është prej më të mirëve ndër ju.”

Lëvizjet e Usames r.a. gjatë sëmundjes së fundit të Profetit Muhammed s.a.v.s.

Muslimanët që po niseshin me Hazret Usamen shkonin, merrnin lamtumirën nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe pastaj bashkoheshin me ushtrinë në Xhurf. Sëmundja e Profetit s.a.v.s. u rëndua, por ai vazhdonte të theksonte:

“Dërgojeni Ushtrinë e Usames, ajo patjetër do të shkojë.”

Të dielën dhimbja e Profetit s.a.v.s. u shtua edhe më shumë. Hazret Usama u kthye nga ushtria dhe shkoi tek Profeti. Profeti s.a.v.s. ishte pa ndjenja.

Kur sëmundja u rëndua edhe më tepër, Usames i erdhi lajmi (për gjendjen e tij), dhe ai u kthye përsëri. Atë ditë, njerëzit i kishin dhënë ilaç Profetit s.a.v.s. Hazret Usama i uli kokën dhe e puthi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Profeti nuk ishte në gjendje të fliste, por ngriti duart drejt qiellit dhe i vuri në kokën e Usames. Hazret Usama thotë:

“E kuptova që ai po lutej për mua.”

Pastaj ai u kthye te ushtria.

Të hënën, Hazret Usama erdhi përsëri tek Profeti s.a.v.s., ndërkohë ai ndihej pak më mirë. Ai i tha Usames: “Nisu, me bekimin e Allahut.” Hazret Usama u përshëndet me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe u nis drejt ushtrisë së tij. I dha urdhër ushtrisë të niseshin. Ai sapo kishte bërë nijet për nisjen, kur një person, me porosi të nënës së tij, Hazret Ummu Ejmenit, solli lajmin se dukej se ishin momentet e fundit për Profetin Muhammed s.a.v.s..

Atëherë Hazret Usama shkoi sërish tek Profeti i nderuar s.a.v.s. dhe me të ishin edhe Hazret Omeri dhe Hazret Ebu Ubejde. Profeti s.a.v.s. ishte në agoni. Pas pak çastesh, ai ndërroi jetë. Për shkak të kësaj, ushtria e muslimanëve u kthye nga Xhurfi në Medinë, dhe Hazret Burejde bin Hasibi solli flamurin e Usames dhe e nguli te dera e Profetit s.a.v.s.

Sipas një rrëfimi tjetër, vdekja e Profetit s.a.v.s. ndodhi kur ushtria e Hazret Usames ishte në Dhu-Husheb. Dhu-Hushebi është një luginë në rrugën e Shamit, një natë udhëtim larg Medinës. Sidoqoftë, ata u kthyen.

Vendosmëria e Hazret Ebu Bekrit r.a. për të dërguar Ushtrinë e Usames pas vdekjes së Profetit s.a.v.s.

Pas largimit nga kjo botë të të Dërguarit s.a.v.s. dhe pas kryerjes së bejatit me Hazret Ebu Bekrin r.a., ai urdhëroi Hazret Burejde bin Hasibin që të merrte flamurin dhe të shkonte në shtëpinë e Usames, që ai të nisej për në destinacion. Hazret Burejda e çoi flamurin në vendin ku më parë ishte grumbulluar ushtria.

Numri i kësaj ushtrie përmendet që ishin tre mijë veta, prej të cilëve një mijë ishin kalorës. Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Usame bin Zejdi u dërgua drejt Shamit me shtatëqind veta.

Në një rrëfim thuhet se, ditën e dytë pas vdekjes së Profetit s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri shpalli se misioni i Usames do të vihej në vend. Asnjë njeri nga ushtria e Usames nuk do të mbetej në Medinë; të gjithë duhej të shkonin e të bashkoheshin me ushtrinë në Xhurf.

Qëndresa e Hazret Ebu Bekrit r.a. për dërgimin e Ushtrisë së Usames

Hazret Muslih Meudi r.a. thotë:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë, thuajse e gjithë Arabia u bë renegate (murted). Edhe njerëz trima si Hazret Omeri dhe Hazret Aliu u tronditën duke parë këtë fitne. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., pak para vdekjes së tij, kishte përgatitur një ushtri për të sulmuar territoret romake dhe Hazret Usamen e kishte caktuar komandant të saj. Kjo ushtri ende nuk ishte nisur, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë.

Me vdekjen e tij, kur arabët u bënë renegatë, sahabët menduan se, në një kohë të tillë rebelimi, nëse dërgohet ushtria e Usames për sulm në territoret romake, atëherë në Medinë do të mbeten vetëm pleqtë, fëmijët dhe gratë, dhe nuk do të mbetet asnjë mjet për mbrojtjen e Medinës. Prandaj ata propozuan që një delegacion i sahabëve më të mëdhenj të shkonte te Hazret Ebu Bekri r.a. dhe t’i kërkonte që ai ta ndalonte përkohësisht këtë ushtri deri sa të shuhej rebelimi.

Kështu, Hazret Omeri dhe sahabë të tjerë të mëdhenj shkuan tek ai dhe ia paraqitën këtë kërkesë: që ushtria të ndalej deri në shuarjen e rebelimit.

Kur Hazret Ebu Bekri dëgjoi këtë, ai, shumë i zemëruar, u tha: ‘A doni që, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., puna e parë që të bëjë i biri i Ebu Kuhafes, (domethënë vetë Ebu Bekri), të jetë ndalimi i asaj ushtrie që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka urdhëruar të nisej?’

Pastaj tha: ‘Betohem në Allah, se edhe nëse ushtritë e armikut futen në Medinë dhe qentë tërheqin trupat e grave muslimane rrugëve, unë prapë nuk do ta ndal këtë ushtri, të cilën i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka vendosur ta dërgojë.’

Hazret Ebu Bekri pati këtë guxim dhe trimëri pikërisht sepse Allahu ka thënë: Muhammedur-Resulullah, uel-ledhine meahu eshidda’u alel-kuffar (“Muhammedi, i Dërguari i Allahut, si dhe ata që janë me të, janë të ashpër ndaj mohuesve …”).”

Ashtu si një tel i zakonshëm, po të lidhet me rrymën elektrike, fiton një forcë të madhe, po kështu, në saje të lidhjes me Muhammedin, të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., edhe pasuesit e tij u bënë të denjë për fjalët “eshidda’u alel-kuffar” (janë të ashpër ndaj mohuesve).

Përshkrimi i ushtrisë së Usames nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në lidhje me nisjen e Ushtrisë së Usames, në veprën e tij të çmuar “Sirrul-Khilafah”, thotë:

“Ibn Ethiri ka shkruar në librin e tij të historisë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë dhe lajmi i vdekjes së tij arriti në Mekë dhe te guvernatori i saj Atab bin Esid, Atabi u fsheh dhe Meka u drodh (u trondit), dhe banorët e saj ishin gati të bëheshin renegatë. Më tej, ai ka shkruar se arabët u bënë renegatë (apostatë).

Nga çdo fis, si njerëzit e thjeshtë ashtu edhe paria, u bënë renegatë. Hipokrizia doli hapur, dhe hebrenjtë e të krishterët filluan të ngrejnë kokat e tyre dhe të shikonin situatën, domethënë po vrojtonin se, ‘tani që muslimanët janë dobësuar, mund t’i sulmojmë.

Ndërsa muslimanët, për shkak të vdekjes së Profetit të nderuar s.a.v.s., si edhe për shkak të pakësisë së tyre dhe shumicës së armikut, ishin porsi delet dhe dhitë në një natë shiu.

Pra, siç delet në këtë situatë janë të lagura, të paafta për t’u lëvizur, kështu ishin muslimanët.

Në këtë gjendje, njerëzit i thanë Ebu Bekrit se kundërshtarët vetëm Ushtrinë e Usames e konsiderojnë si ushtrinë e muslimanëve, dhe, siç po e shihni, arabët janë ngritur kundër nesh. Prandaj nuk është e përshtatshme që ju ta ndani prej vetes këtë grup të muslimanëve.

Për këtë, Hazret Ebu Bekri tha: ‘Betohem në Atë, në dorën e të cilit është jeta ime, se edhe nëse jam i sigurt se egërsirat do të më copëtojnë, unë prapë do ta dërgoj Ushtrinë e Usames, sipas urdhrit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Vendimin që ka dhënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. unë nuk mund ta shfuqizoj.’

Me pak fjalë, ai e mbajti dhe e zbatoi urdhrin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ashtu siç duhet. Ai urdhëroi që sahabët që ishin pjesë e Ushtrisë së Usames të ktheheshin përsëri në ushtri. Ai tha:

Çdo njeri që më parë ishte pjesë e Ushtrisë së Usames dhe që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte urdhëruar të ishte pjesë e saj, assesi nuk duhet të mbetet prapa. Unë nuk do t’i jap leje askujt të mbetet pas; qoftë edhe nëse duhet të shkojë në këmbë, ai patjetër duhet të shkojë.

Kështu, asnjë nga ata nuk mbeti pas; të gjithë u nisën.

Nisja e Ushtrisë së Usames pas bejatit me Ebu Bekrin r.a.

Për sa i përket dërgimit të kësaj ushtrie nga Hazret Ebu Bekri, është shkruar se, kur, sipas urdhrit të tij, Ushtria e Usames u grumbullua në Xhurf, Hazret Ebu Bekri vetë shkoi atje. Ai, pasi mbërriti, e kontrolloi ushtrinë dhe e organizoi.

Përmendet gjithashtu që në këtë moment Hazret Ebu Bekri i tha Hazret Usames:

“Nëse e sheh të përshtatshme, lëre (Hazret) Omerin të qëndrojë me mua për të më ndihmuar në punët e mia,” sepse edhe Hazret Omeri ishte pjesë e kësaj ushtrie.

Hazret Usama dha leje për këtë. Pas kësaj ngjarjeje, sa herë që Hazret Omeri takonte Hazret Usamen, madje edhe pasi u zgjodh Kalif, e përshëndeste duke i thënë: “Esselamu alejke, o emir!” dhe Usame i përgjigjej: “Ghafarallahu lekum.” (Allahu ju faltë!)

Hazret Ebu Bekri, bashkë me udhëzimet e veta, i tha Hazret Usames edhe këtë:

“Gjithçka që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të ka urdhëruar të bësh, bëje. Në zbatimin e urdhrave të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. mos trego asnjë lloj neglizhence.”

Detajet kësaj lufte jua kam treguar më parë, prandaj po i lë mënjanë. Kjo ushtri, ashtu siç kishte prashikuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s., u kthye e suksesshme. Armiku ose u vra, ose u bë rob. Në këtë luftë, asnjë musliman nuk pësoi humbje jete. Sipas disa transmetimeve, kjo ushtri u kthye në Medinë pas dyzet deri në shtatëdhjetë ditësh qëndrimi jashtë.

Dashuria e Hazret Ebu Bekrit r.a. për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.

Dashuria e Hazret Ebu Bekrit për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ishte e tillë që, për flamurin e Usames, të cilit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia kishte lidhur me dorën e tij nyjën, Hazret Ebu Bekri tha: “Si mund të ndodhë që i biri i Ebu Kuhafes t’ia zgjidhë nyjën atij flamuri, të cilit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ka lidhur vetë me dorën e tij?” Prandaj, pas kthimit të Ushtrisë së Usames, nyja e atij flamuri nuk u zgjidh, dhe ai flamur më pas mbeti në shtëpinë e Hazret Usames deri në vdekjen e tij.

All-llahumme salli ‘ala Muhammedin ue ala ali Muhammed.

Mbyllja e përshkrimit të betejave

Këtu përfundoi përshkrimi i betejave të Profetit s.a.v.s.. Në të ardhmen, inshaAllah, do të shqyrtoj disa aspekte të tjera të jetës së tij.

Përmendja e dy të ndjerëve dhe lutja për ta

Në këtë moment, dua të përmend dy të ndjerë dhe më pas, inshaAllah, do të fal xhenazen për ta.

Përkujtimi i të ndjerit, i nderuari Azizur-Rahman Khalid sahib, misionari i xhematit

I nderuari Azizur-Rahman Khalid sahib ndërroi jetë këto ditë, në moshën tetëdhjetë e nëntë vjeçare, në SHBA. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun. Gjyshi i tij nga nëna ishte Hazret Mian Rang Ali sahib r.a., që ishte sahab i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Rasti i pranimit të Azizur-Rahman Khalid sahib në Xhami‘a ishte si vijon: Ai rrëfen se kur ishte në klasën e shtatë, një ditë, gjatë mbledhjes së mëngjesit në “Talimul-Islam High School”, erdhi Hazret Maulana Kazi Muhammad Nadhiri dhe mbajti një ligjëratë për nevojën dhe rëndësinë e dedikimit të jetës. Kjo ligjëratë pati ndikim të madh tek shumë nxënës. Pas përfundimit të saj, në zemrën e të ndjerit u zgjua dëshira për të dedikuar jetën dhe ai shkoi drejt e në Xhami‘a. Pas një interviste të shkurtër, në vitin 1960, e pranuan, dhe në vitin 1969 ai u diplomua si “Shahid” nga Xhamia.

Pas diplomimit, gjatë viteve të studimit kishte ndodhur edhe një aksident me tren në të cilin pësoi shumë plagë, dhe për shkak të tij humbi dy vite të studimeve, duke e zgjatur periudhën e Xhami‘as në nëntë vjet. Por ai nuk u dorëzua dhe i mbijetoi këtij aksidenti. Ai thoshte se ishte falë lutjeve të Hazret Kalifit të Tretë r.a., që i shpëtoi jeta.

Pas emërimit si misionar, ai shërbeu jashtë vendit në Sierra Leone, Nigeri, Ganë, Tanzani dhe Zanzibar. Në Pakistan shërbeu si misionar në vende të ndryshme. Pas kthimit, u caktua në Tehrik-e-Xhedid në Vakalat-e-Isha’at në Rabvah.

Një nga nipërit e tij, Hamza Ubejdullah, që gjithashtu është misionar, thotë: “Azizur-Rahman sahibi tregonte shpesh se në Afrikë kishte periudha kur ziente orizin dhe i hidhte pak kripë dhe e hante, sepse nuk kishte gjellë ose ushqim tjetër. Madje kishte ditë ku as oriz i zier nuk gjendej dhe detyrohej të rrinte pa ngrënë për ditë të tëra.”

Këto ishin sakrificat e misionarëve të parë, të cilat misionarët e sotëm duhet t’i kenë parasysh.

Djali i tij, Enisur-Rahman Enesi, thotë se babai i tij nuk e linte kurrë ushqimin të hidhej. Në ditët e xhelsës, shpeshherë, në vend që të merrte ushqim nga shpërndarja, ai mblidhte copat e bukës së mbetura mbi tavolina dhe i hante, duke thënë: “Nëse Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka ngrënë thërrimat e bukës, pse mos t’i hamë edhe ne?”

Qysh në rini ishte namazli i rregullt i tehexhudit. Ishte i sjellshëm, i dashur, i mëshirshëm, i ndershëm, punëtor dhe besnik. Kishte lidhje të thellë me Kalifatin. Kishte bërë edhe vasijat.

Edhe kur kam qenë në Ganë, ai ishte me mua. Ai punoi me besnikëri, thjeshtësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Punoi pa egoizëm. Lë pas dy djem e tre vajza, si edhe shumë nipër e mbesa. Allahu e faltë, e mëshiroftë dhe e ngrittë në grada!

Përkujtimi i të nderuarit Edi Humaidi sahib (Indonezi)

I ndjeri tjetër është Edi Humaidi sahibi, nga Indonezia, pas kryerjes së umres më 22 nëntor, u sëmur papritur dhe si pasojë, në moshën shtatëdhjetë e shtatë vjeçare, ndërroi jetë në Medinë. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun.

Familja e tij hyri në Xhemat në rreth viteve 1930, kur daja i tij, Muhammad Rauf sahib, bëri bejat përmes Hazret Maulana Rehmat Ali sahibit r.a. Pas tij, edhe gjyshi dhe nëna e të ndjerit bënë bejat.

Dhëndri i të ndjerit, Besuki Ahmed sahibi, që është misionar i Xhematit, thotë se Edi Humaidi sahibi kishte dëshirë të fortë për të bërë tabligë ditë-natë, dhe gjithmonë shprehte dëshirën që të jepte jetën në rrugën e tabligës. Sa herë që takoheshin, tema e tij kryesore ishte tabliga, dhe mënyra e tij e predikimit ishte frymëzuese për shumë misionarë.

Edhe vajzat e tij shkruajnë:

Para ezanit shkonte në xhami dhe kalonte kohë në dhikër. Çdo ditë lexonte Kuranin e Shenjtë, me përkthim e tefsir, dhe nënvizonte ajetet e nevojshme për tabligë. Kurrë nuk e linte namazin e tehexhudit. Edhe në moshën shtatëdhjetë e gjashtë vjeçare, udhëtonte me motor për të bërë tabligë.

U thoshte fëmijëve: Mos kurseni në sakrifica financiare; ky është detyrimi ndaj Allahut. Mundohuni të sakrifikoni sa më shumë dhe kurrë mos prekni asnjë qindarkë nga pasuria e xhematit, sepse për të do të jepni llogari.

Udhëheqësi i grupit gjatë umres thotë se gjatë gjithë kohës së umres ai thoshte: Kur të kthehem, do të bëj tabligë dhe do t’u tregoj njerëzve se anëtarët e Xhematit Ahmedia kryejnë haxh në Mekë.

Kur u sëmur, mjeku që e mjekoi tha: Allahu është kënaqur me veprat e tij të mira, prandaj i dha nderin që të varrosej në Xhenetul-Beki.

Ai ndërroi jetë atje dhe edhe varrimi i tij u bë në varrezën Xhenetul-Beki.

Tani këtu, në Pakistan, ahmedianëve nuk u lejohet të varrosin njerëzit e tyre në varrezat e muslimanëve të tjerë. Madje, u thonë mos u afroni varreve tona! Por Allahu e nderoi këtë njeri duke e bërë që të varrosej në Xhenetul-Beki. T’i nxjerrin tani eshtrat e tij prej andej! Ku e kanë fuqinë? Këta hoxhallarë do të arrijnë shpejt fundin e tyre, inshaAllah!

Sekretari i tabligës së Indonezisë, Banaun Verdi sahibi, thotë:

I ndjeri ishte një thirrës i suksesshëm dhe shumë entuziast, i cili e kishte bërë pjesë të jetës së tij parimin: Asnjë ditë pa tabligë. Kishte një motor të vjetër dhe me të udhëtonte nëpër fshatra të largëta. Shkonte edhe në zona ku kishte kundërshtime ndaj xhematit, dhe si rezultat i tabligës së tij, qindra njerëz e pranuan xhematin dhe bënë bejat.

Gjithashtu, ai kishte dashuri të jashtëzakonshme për Kalifatin. Me bekimin e Allahut, kishte bërë edhe vasijat. La pas katër vajza dhe dhjetë nipër, dhe, siç ju thashë më herët, njëri nga dhëndurët e tij është misionar.

Allahu e faltë, e mëshiroftë dhe e lartësoftë në grada!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via