Metoda efikase për tabligë, për të ftuar njerëzit drejt Islamit
ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ ۖ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ۚ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِمَن ضَلَّ عَن سَبِيلِهِ ۖ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ
“Thirr drejt rrugës së Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë dhe argumentojua në atë mënyrë që është më e mira. Sigurisht, është Zoti yt Ai që di më së miri atë që devijoi nga rruga e Tij dhe po Ai i di më së miri ata që janë të udhëzuar.” (Kurani i Shenjtë 16:126)
Parimi i tabligës sipas Kuranit të Shenjtë
Në Kuranin e Shenjtë, Allahu i Madhërishëm, në këtë ajet dhe në shumë ajete të tjera ku urdhëron për tabligë, ka dhënë udhëzim që tabliga të bëhet në mënyrën më të bukur dhe ka nxitur këshillimin e mirë, në mënyrë që të ketë ndikim te të tjerët dhe të sjellë dobi. Ata që veprojnë sipas këtij parimi, tabliga e tyre gjithmonë jep fryte dhe sjell rezultate. Me bekimin e Allahut, ata korrin sukses në veprimtarinë e tyre. Prandaj, ky parim duhet të mbahet gjithmonë përpara syve.
Sfidat e tabligës në kohën e mediave sociale
Sot, për shkak të rrjeteve sociale, njerëzit mendojnë se tabliga është shumë e lehtë. Ata që kanë dëshirë për tabligë përpiqen ta bëjnë këtë punë me shumë entuziazëm. Ka edhe të tillë që shkojnë në vende publike, aty ku në disa shtete kjo lejohet; ndërsa në Pakistan, për shembull, as leje nuk ka dhe, në përgjithësi, tabliga publikishit nuk lejohet. Kështu, ata që kanë dëshirë për tabligë, përpiqen ta shprehin atë në këto forma.
Kjo është një gjë e mirë, por edhe tabliga ka kushtet dhe etikën e vet, të cilat duhen pasur gjithmonë parasysh; përndryshe, ndodh e kundërta dhe efekti bëhet negativ. Ashtu siç ka thënë Allahu i Madhërishëm në këtë ajet. Prandaj, kjo çështje duhet kuptuar mirë dhe vetëm pastaj të bëhet tabliga.
Pasojat e tabligës pa urtësi dhe pa përgatitje
Disa njerëz, përmes mënyrës së tyre të tabligës, lënë ndikim negativ te të tjerët, dhe në vend që të ketë efekt pozitiv, ndodh e kundërta. Ndonjëherë, kjo u jep jomuslimanëve mundësi të bëjnë kritika ndaj xhematit dhe ndaj mësimit të xhematit, kritika që janë larg realitetit.
Ka edhe njerëz që sapo hyjnë në këtë fushë dhe mendojnë se kanë argumente shumë të forta; por kur në të vërtetë nuk i kanë ato argumente, ose nuk arrijnë t’i bindin kundërshtarët, apo nuk janë në gjendje të japin prova të forta, atëherë bien në dëshpërim. Ndërkohë, nuk ka vend për dëshpërim, sepse me bekimin e Allahut, ne kemi argumente. Çështja është se ndonjëherë dikush nuk ka dijen e mjaftueshme për to ose nuk di t’i shpjegojë.
Xhemati Ahmedia, me bekimin e Allahut, flet gjithmonë me urtësi dhe me argumente, dhe këtë e bën sipas mësimit që Allahu i Madhërishëm i ka dhënë Profetit Muhammed s.a.v.s. në Kuranin e Shenjtë, dhe sipas asaj që vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. e ka zbatuar në praktikë.
Udhëzimi i Mesihut të Premtuar a.s. për tabligën
Prandaj, duhet pasur gjithmonë parasysh se tabliga që bëjmë duhet të jetë në formën më të bukur. Një herë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në lidhje me tabligën, ka dhënë një udhëzim shumë të rëndësishëm. Ai ka thënë:
“Më është bërë pyetja se çfarë duhet bërë për përhapjen e mësimit të Islamit në Amerikë dhe në Evropë. A është e përshtatshme që disa muslimanë që dinë anglisht, të shkojnë në Evropë dhe në Amerikë dhe, përmes predikimit dhe thirrjes publike, t’ua paraqesin njerëzve qëllimet e Islamit? Ata e dinë gjuhën, le të bëjnë tabligë.”Ai thotë: “Por unë, jo gjithmonë i përgjigjem me “po” kësaj pyetjeje.”
Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Siç ka thënë ai, njohja e një gjuhe, apo të qenët i arsimuar në një gjuhë të huaj, nuk do të thotë automatikisht njohje e fesë. Për këtë të fundit nevojiten edhe shumë kushte të tjera. Ka nevojë për thellim të dijes, ashtu siç u përmend edhe më parë.
Edhe këtu, në vende të ndryshme, njerëzit bëjnë tabligë, por nuk janë në gjendje t’u japin kundërshtarëve përgjigje të plota, sepse nuk kanë dije të plotë. E njëjta gjë ndodh edhe në rrjetet sociale, siç u përmend më herët.
Nevoja për përgatitje dhe rritje të dijes te ai që thërret drejt Allahut (da’i)
Prandaj, çdo thirrës drejt Allahut ((da’i ilellah) dhe çdo njeri që ka dëshirë për tabligë, duhet së pari ta shtojë dijen e tij. Duhet t’i mbledhë kundërshtimet; përgjigjet për to, zakonisht, gjenden në literaturën e Xhematit. Nëse nuk i gjen dot aty, ta kontaktojë ekipin e tabligës që është formuar në atë vend dhe të mësojë prej tyre., duke marrë ndihmë nga ata që kanë dije.
Siç ka thënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s.: “Unë nuk do të përgjigjem me ‘po’ kësaj pyetjeje.” Më tej, ai thotë:
Unë aspak nuk e shoh të përshtatshme që njerëz që nuk janë plotësisht të njohur me mësimet e Islamit, që janë krejtësisht të pavetëdijshëm për bukuritë e tij të larta, dhe që nuk kanë zotërim të plotë mbi përgjigjet ndaj kritikave të kohës së sotme, dhe që nuk janë të mësuar nga Shpirti i Shenjtë, të shkojnë si përfaqësues tanë.
Kjo është një çështje shumë e rëndësishme: predikuesi duhet të ketë edhe lidhje të fortë me Allahun e Madhërishëm dhe të jetë i mësuar nga Shpirti i Shenjtë, në mënyrë që Allahu pastaj ta ndihmojë.
Mesihu i Premtuar a.s. thotë: “Nuk mund të ndodhë që njerëz të tillë të shkojnë si përfaqësues tanë.”
Ai shton: “Sipas mendimit tim, dëmi i një veprimi të tillë është më i madh dhe më i shpejtë se dobitë e tij, përveçse nëse Allahu dëshiron ndryshe.”
Domethënë, në përgjithësi, përfitimi është i vogël, ndërsa dëmi më i madh; ndonëse, në raste të rralla, mund të ndodhë edhe ndonjë dobi.
Prandaj, një misionar dhe një thirrës drejt Allahut duhet ta ketë gjithmonë parasysh se tabliga ka shumë kërkesa dhe kushte që duhet të plotësohen. Vetëm atëherë tabliga mund të bëhet në mënyrën e duhur dhe mund të japë rezultate të vërteta.
Parimi themelor i tabligës në Islam
Sa i përket tabligës, pra përhapjes së fesë Islame, gjëja e parë që duhet ta kemi gjithmonë parasysh është se Islami është feja e vetme, dhe Profeti Muhammed s.a.v.s. është Profeti i vetëm që ka sjellë në botë mesazhin e Allahut për mbarë njerëzimin. Allahu i Madhërishëm e ka dërguar atë si përgëzues dhe paralajmërues për të gjithë njerëzit, për të gjitha kombet dhe për të gjithë botën.
Megjithatë, nëse e shohim historinë deri më sot, konstatojmë se edhe sot numri i muslimanëve në botë është më pak se një e katërta e popullsisë së botës. Cila është arsyeja për këtë? Arsyeja është se tabliga, pra thirrja drejt Allahut, nuk është bërë me urtësi dhe mesazhi nuk është përcjellë në mënyrën e duhur.
Shumë muslimanë mendojnë se përmes xhihadit do ta përhapin mesazhin e Islamit, ndërkohë që leja për xhihadin me armë u dha vetëm atëherë kur armiku sulmon. Kur muslimanëve iu lejua xhihadi dhe ngritja e shpatës, kjo ndodhi vetëm në atë kohë kur jobesimtarët dhe jomuslimanët sulmuan Islamin me qëllim që ta shkatërronin dhe ta asgjësonin atë. Atëherë Allahu i Madhërishëm, në Suren el-Haxh, tha:
اُذِنَ لِلَّذِينَ يُقَاتَلُونَ بِأَنَّهُمْ ظُلِمُوا وَإِنَّ اللّٰهَ عَلٰى نَصْرِهِمْ لَقَدِيرٌ
Domethënë: “Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Njëmend, Allahu është i Plotfuqishëm që t’i ndihmojë ata,” (Kurani i Shenjtë 22:40)
Sa premtim i madh është ky! Pastaj, historia është dëshmitare se Allahu i Madhërishëm i ndihmoi ata. Pra, leja për luftë u dha vetëm për shkak të padrejtësisë. Ndërsa sot, koha nuk është koha e një xhihadi të tillë; sot nuk po zhvillohen luftëra në emër të fesë. Edhe nëse ndaj muslimanëve po bëhen padrejtësi në disa vende me justifikime të ndryshme, shkaku nuk është thjesht feja.
Allahu i Madhërishëm dhe vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. xhihadin nëpërmjet Kuranit të Shenjtë e kanë cilësuar si xhihadin e madh (xhihad el-ekber).
Përgjegjësia e muslimanëve dhe e atyre që kanë bërë bejat
Kjo është gjendja e përgjithshme e muslimanëve, për shkak të së cilës edhe sot muslimanët përbëjnë më pak se një të katërtën e popullsisë së botës. Këtë fakt duhet ta kemi gjithmonë parasysh dhe të kuptojmë përgjegjësitë tona.
Ne që kemi bërë bejat me Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe kemi lidhur besëlidhje me të, kemi detyrimin që:
- të krijojmë lidhje të fortë me Allahun e Madhërishëm,
- të përvetësojmë mësimet e Allahut,
- dhe duke vepruar sipas tyre, t’ia përcjellim këto mësime edhe botës.
Ka njerëz që punojnë me qëllim të mirë, siç ju thashë më herët, por ose nuk kanë dije të mjaftueshme, ose nuk e kanë arritur atë nivel të lidhjes me Allahun që duhet ta ketë një thirrës drejt Allahut (da‘i ilallah), dhe si pasojë, dëshpërohen. Kjo duhet pasur gjithmonë parasysh.
Udhëzimet profetike për mënyrën e tabligës
Profeti Muhammed s.a.v.s. ka dhënë udhëzime të qarta për tabligë, për të thirrur të tjerët drejt Islamit. Në transmetime gjenden shumë hadithe. Një rrëfim vjen nga Hazret Ibn Abbasi r.a., i cili thotë:
Na është urdhëruar që t’u flasim njerëzve sipas nivelit të mendjes së tyre.
Gjëja e parë është kjo: njerëzve duhet t’u flasësh sipas aftësive të tyre mendore, sipas dijes, natyrës dhe fesë që ndjekin. Për shembull, nëse do t’u flisni muslimanëve për ardhjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., këtë duhet ta bëni përmes Kuranit, haditheve dhe librave të dijetarëve të tyre.
Në lidhje me ata që bëjnë tabligë, pra që thirrin të tjerët drejt Islamit, Profeti s.a.v.s. ka theksuar edhe një pikë tjetër shumë të rëndësishme në një hadith të gjatë. Tha:
“Ruhu nga mallkimi i të shtypurit.”
Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ata që ftojnë të tjerët në Islam. Morali i tyre duhet të jetë gjithmonë i lartë dhe standardi i respektimit të të drejtave të njerëzve të jetë i tillë që ata kurrë të shkaktojnë mallkimin e një të shtypuri, por gjithmonë të jenë ata që marrin lutjet e tij. Atij që merr lutjet e të shtypurve, Allahu i Madhërishëm ia bekon punët. Sepse, siç është thënë, mes lutjes së të shtypurit dhe Allahut nuk ka pengesë. Këtë parim duhet ta kemi gjithmonë parasysh.
Fjalët “këshillë të mirë” dhe shpjegimi nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s.
Duke shpjeguar shprehjen mau‘idhatul-hasene (“këshillë të mirë”) në ajetin e përmendur, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë në një vend:
Allahu na ka bërë obligim që akuzat e rreme të kundërshtarëve t’i largojmë me urtësi dhe me këshillë të mirë, dhe Allahu e di se ne, duke u dhënë përgjigje kundërshtarëve, kurrë nuk kemi hequr dorë nga butësia dhe qetësia.
Ai shpjegon gjendjen e tij dhe thotë se gjithmonë është përgjigjur me butësi dhe maturi, dhe se ky ka qenë gjithmonë parimi i tij. Thotë: Allahu është dëshmitar për këtë.
Kufijtë etikë në tabligë dhe keqkuptimi i “ashpërsisë”
Ky është pra, metoda që duhet ta ndjekim për tabligë, pra për të ftuar të tjerët drejt Islamit. Ata që gjatë thirrjes fillojnë të përdorin gjuhën e kundërshtarit, ndonjëherë nga zemërimi, duhet ta mbajnë mend se biseda jonë për tabligë duhet të qëndrojë brenda kufijve të moralit. Kundërshtarët përdorin gjuhë të padenjë sepse nuk kanë argumente; por nëse edhe ne përdorim gjuhë të padenjë, do të thotë se as ne nuk kemi argumente.
Disa thonë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përdorur edhe gjuhë të ashpër. Së pari, siç u shpjegua, ai nuk ka përdorur gjuhë të padenjë. Dhe aty ku ai ka përdorur fjalë të forta, ai vetë ka shpjeguar se:
“Vetëm në raste të veçanta, kur nga ana e kundërshtarëve janë botuar shkrime jashtëzakonisht të këqija dhe nxitëse të fitnes, kam përdorur njëfarë ashpërsie të mençur, vetëm me qëllimin që njerëzit, duke marrë një përgjigje të tillë, të qetësojnë vrullin e tyre të egër.”
Pra, edhe këtu qëllimi ishte i mirë.
“Kjo ashpërsi nuk ishte as nga vrulli personal, as nga zemërimi, por u përdor thjesht si një strategji prej urtësie, duke vepruar sipas ajetit:
“Ue xhadilhum bil-letī hije ahsen” (“dhe argumentojua në atë mënyrë që është më e mira.” Kurani i Shenjtë 16:126).
Ai shpjegon se kjo nuk ishte për shkak të ndonjë mllefi personal, por për të dhënë mësim dhe për të frenuar reagime të dhunshme, në mënyrë që muslimanët të mos merrnin hapa të gabuar. Ai thekson se kjo ndodhi vetëm atëherë kur kundërshtarët kaluan çdo kufi duke përdorur gjuhë fyese dhe të ndyrë ndaj Islamit dhe Profetit Muhammed s.a.v.s., deri në atë masë, sa rrezikohej prishja e rendit publik.
Kështu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i ndaloi anëtarët e Xhematit nga përdorimi i gjuhe të ashpër dhe i këshilloi të flasin me butësi, siç veproi edhe vetë, me përjashtim të disa rasteve, kur për shkak se kundërshtarët kaluan çdo kufi. Edhe në ato raste, ai nuk përdori gjuhë fyese, por iu referua vetëm historisë dhe fakteve të kundërshtarëve.
Parimi kuranor për debat me ithtarët e feve të tjera
Në shpjegimin e këtij ajeti, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë gjithashtu se për ne në Kuranin e Shenjtë ekziston urdhri:
وَلَا تُجَادِلُوا أَهْلَ الْكِتَابِ إِلَّا بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ
Kjo Përmendet në Suren El-Ankebut. Domethënë: “Debato me ithtarët e Librit vetëm me (argumentin) më të mirë” (Kurani i Shenjtë 29:47)
Dhe më tej ai përmend edhe ajetin:
اُدْعُ اِلٰی سَبِیْلِ رَبِّکَ بِالْحِکْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُمْ بِالَّتِیْ هِیَ اَحْسَنُ
Kuptimi është se edhe me të krishterët duhet të debatosh me argumentin më të mirë, në mënyrë të dobishme, me urtësi dhe me këshillë të sinqertë, në mënyrë që t’u sjellësh dobi. Ky është parimi për çdokënd që dëshiron të bëjë tabligë (pra, që dëshiron të ftojë të tjerët drejt Islamit), pavarësisht nëse ka përballë hebrenj, të krishterë, hindu, apo edhe ata muslimanë që sot nuk e pranojnë Hazret Mesihun e Premtuar a.s..
Kurse metoda që të provokojmë të tjerët ose të bëjmë nxitje fetare, qoftë duke përdorur mjetet ligjore apo shtetin, është metodë e gabuar dhe nuk i shërben aspak qëllimit tonë të vërtetë. Kjo metodë u përket materialistëve që luftojnë dhe konfliktohen për këtë botë, metodë të cilën, ata muslimanë që janë njohës të vërtetë të Zotit, nuk e pëlqejnë kurrë, sepse kjo metodë nuk mund të shkaktojë dot dobi dhe udhëzim për njerëzimin.
Shpjegimi i fjalëve “Thirr drejt rrugës së Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë” sipas Hazret Musleh Maudit r.a.
Hazret Musleh Maudi r.a. (Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit) e ka shpjeguar edhe në Tefsir Kebir ajetin që thotë “Thirr drejt rrugës së Zotit tënd me urtësi (hikmeh) dhe këshillë të mirë”. Ai thotë se, sipas gjuhës dhe fjalorëve të ndryshëm, fjala hikmeh ka disa kuptime. Një prej tyre është hilm, domethënë durim dhe qetësi, si dhe të flasësh me butësi dhe duke përdorur arsyen. Allahu i Madhërishëm thotë se ai që nuk vepron kështu, nxehet shpejt, zemërohet dhe humb kontrollin, dhe një njeri i tillë nuk mund t’ia shpjegojë tjetrit temën siç duhet.
Një kuptim tjetër fjalës hikme, sipas fjalorit, është edhe profetësia. Sipas këtij kuptimi, domethënia e ajetit është që të ftosh njerëzit drejt fesë me ndihmën e fjalës Hyjnore. Pra, të përdorësh fjalën që Allahu i Madhërishëm ka dhënë dhe argumentet që vetë Kurani i Shenjtë i ka paraqitur. Nuk duhet trillosh apo të shpikësh gjërat nga vetja. Ai e tha këtë me shumë keqardhje, duke shprehur se, sikur muslimanët ta kishin kuptuar këtë sekret, do ta kishin mposhtur judaizmin dhe krishterimin.
Ai thotë se arma jonë është Kurani i Shenjtë, për të cilin Allahu i Madhërishëm thotë: ue xhahid-hum bihi, pra, me këtë Kuran dil për xhihad ndaj botës. Por për fat të keq, sot muslimanët i kanë në dorë shumë gjëra të botës: pasuri, tregti, shumë shtete, madje pesëdhjetë e katër vende janë shtete islamike, por pikërisht shpatën e Kuranit nuk e kanë, për të cilën Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar ta përdornin, domethënë, shpatën e argumenteve të Kuranit për tabligë. Me këtë mënyrë, xhihadi që duhej bërë për të përhapur mësimin e Islamit, nuk është bërë ashtu siç duhej.
Hikmeh si mjet për largimin e padijes
Hazret Musleh Maudi r.a. shton se, sipas gjuhës arabe, një kuptim tjetër fjalës hikmeh është që të largosh padijen. Sipas këtij kuptimi, domethënia e ajetit është që të flasësh në një mënyrë që tjetri ta kuptojë dhe atij t’i largohen keqkuptimet. Pra, fjala jote duhet të jetë e tillë që ta zhdukë padijen dhe të jetë në përputhje me nivelin e të kuptuarit të bashkëbiseduesit.
Në hadith thuhet gjithashtu:
Na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. që t’u flasim njerëzve sipas nivelit tyre mendore.
Këtë hadith, jua përmenda edhe më herët. Disa njerëz mbajnë ligjërata dhe përdorin terma të rëndë e fjalë të mëdha për të krijuar përshtypje. Me këto fjalime, ndoshta krijohet njëfarë frike apo madhështie te njerëzit e thjeshtë, por realisht ata nuk përfitojnë asgjë. Kështu ndodh rëndom. Kur flasin me të të tjerët, ose ndonjëherë edhe me dijetarë, përdorin këtë lloj gjuhe. Por nëse flasim kështu, është e mundur që as ata të mos përfitojnë, ndërsa masa e gjerë nuk e kupton aspak thelbin, sepse humbin vetëm në lojë fjalësh.
Nëse gjërat shpjegohen me gjuhë të thjeshtë, ka shumë mundësi që mes dëgjuesve të ketë njerëz që ta kuptojnë më lehtë dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje asaj që thuhet.
Hikmeh si përputhje me të vërtetën
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë gjithashtu se, sipas fjalorit, fjala hikmeh gjithashtu do të thotë fjala që është në përputhje me të vërtetën. Sipas këtij kuptimi, domethënia e ajetit është që të thuash atë që është e vërtetë dhe që është në përputhje me faktet. Disa njerëz, me mendimin se po thërrasin drejt fesë së vërtetë, thonë edhe gjëra të pasakta. Duke bërë tabligë, hiperbolizojnë gjërat. Ndërkohë, në tabligë nuk ka nevojë për asnjë lloj ekzagjerimi.
Duhet të paraqesësh mësimet e Kuranit të Shenjtë, hadithet dhe fjalët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe të bësh tabligë të saktë dhe pastaj çështjen t’ia lësh Zotit. Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit thotë se është mënyrë e gabuar të thuash gjëra të pasakta. Përballë kundërshtarit, duhet të thuash gjithmonë të vërtetën. Duke dashur udhëzimin e tjetrit, vetë nuk duhet të devijosh nga rruga e drejtë.
Allahu i Madhërishëm thotë:
لَا يَضُرُّكُم مَّن ضَلَّ إِذَا اهْتَدَيْتُمْ
“Nuk mund t’ju dëmtojë ai që devijoi, nëse e keni marrë udhëzimin.” (Kurani i Shenjtë 5:106)
Domethënë, largimi i tjetrit nga udhëzimi nuk të sjell ty dëm, nëse ti qëndron në udhëzim. Andaj, ruajeni veten. Mos thuaj diçka që është mëkat ose që është gënjeshtër, me justifikimin se do të udhëzosh tjetrin. Kur përplaset udhëzimi yt me udhëzimin e tjetrit, atëherë duhet të mendosh për udhëzimin tënd dhe udhëzimin e tjetrit t’ia lësh Zotit, sepse Zoti nuk e pëlqen që një besimtar të bëhet jobesimtar, në këmbim që një jobesimtar të bëhet besimtar me mjete të gabuara. Ai dëshiron t’i udhëzojë njerëzit në mënyrë të drejtë.
Fjala hikmeh si përshtatje me vendin dhe kohën
Duke shpjeguar më tej fjalën hikmeh, Hazret Musleh Maudi r.a. përmend edhe një kuptim tjetër nga fjalorët: kuvendo sipas vendit. Sipas këtij kuptimi, domethënia e ajetit është se gjatë tabligës duhet folur me maturi dhe në mënyrë të përshtatshme.
Nëse ekziston rreziku që një argument i caktuar yti, e provokon kundërshtarin dhe e zemëron atë, ekziston frika se ai nuk do ta dëgjojë fjalën tënde, atëherë nuk është e përshtatshme ta nxitësh pa nevojë. Sill argumente të tjera, të cilat ai mund t’i dëgjojë me qetësi. Pra, para se të flasësh, duhet të njohësh natyrën dhe temperamentin e tjetrit. Nëse e provokon pa arsye, një tabligë e tillë nuk do të sjellë asnjë dobi.
Vetëm për të treguar veten, për të thënë se ne jemi të vërtetë, se Mesihu i Premtuar a.s. është i vërtetë, se Islami është i vërtetë dhe se Profeti Muhammed s.a.v.s. është me të vërtetë Profet për gjithë botën, nëse këto thuhen pa argumente, ato vetëm sa do të shkaktojnë reagim. Duhet folur me hikmeh, që njerëzit edhe ta kuptojnë atë që dëshiron ta thuash.
Përmbledhja e parimeve të tabligës
Kjo është pra bukuria e këtij udhëzimi që Allahu i Madhërishëm, me shumë pak fjalë, ka përmbledhur të gjitha parimet e tabligës. Kjo është metoda që, nëse ata që bëjnë tabligë e ndjekin, atëherë, inshaAllah, do të shohin edhe sukses.
Fjalët “el-meu‘idhatul-hasene” do të thotë ajo fjalë që i zbut zemrat dhe lë gjurmë të thella te to. Me këtë këshillë, muslimanëve u është tërhequr vëmendja që të mos mjaftohen vetëm me argumente të thata. Sot, kjo është detyra e xhematit ahmedia që ta përcjellë në botë mesazhin e Islamit jo thjesht me argumente të thata.
Me këdo që flisni, qoftë si kundërshtar apo bashkëbisedues, t’i shpjegoni se feja nuk përbëhet vetëm nga argumente të thata, por ka edhe shumë aspekte dhe këshilla praktike që duhen zbatuar.
Më pas, Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë: Duhen përdorur edhe fjalë që prekin ndjenjat, por gjithmonë së bashku me hikmeh (urtësi) dhe meu‘idhatul-hasene (këshillë të mirë), dhe se përdorimi i fjalës hasene tregon se nuk duhet të ngjallen ndjenja të rreme, siç bëjnë sot disa dijetarë të paditur, të cilët i nxisin njerëzit pa arsye kundër së vërtetës.
Fjalët “ue xhadil-hum billetī hije ahsen” (dhe argumentojua në atë mënyrë që është më e mira. Kurani i Shenjtë 16:126), tregojnë se, edhe gjatë debatit, duhet pasur parasysh që nga të gjitha argumentet, të vendosësh në qendër atë që është më i forti dhe më themelori, ndërsa argumentet dytësore t’i përdorësh si argumente mbështetëse. Sepse, nëse një argument dytësor bie, kjo nuk e dobëson argumentin kryesor; por nëse pika qendrore është e dobët, edhe argumentet mbështetëse më të forta nuk sjellin dobi.
Më pas, Allahu i Madhërishëm thotë
إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِمَن ضَلَّ عَن سَبِيلِهِ ۖ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ
“Sigurisht, është Zoti yt Ai që di më së miri atë që devijoi nga rruga e Tij dhe po Ai i di më së miri ata që janë të udhëzuar” (Kurani i Shenjtë 16:126)
Kjo tregon se detyra jonë është të vazhdojmë tabligën, pra përhapjen e mesazhit në mënyrë të mirë. Nëse njerëzit nuk e pranojnë, nuk do të thotë medoemos që nuk dini të bëni tabligë dhe si pasojë të dëshpëroheni. Mundet që në tabligën tonë të mos ketë asnjë mangësi, por zemra e bashkëbiseduesit të jetë e mbuluar nga një ndryshk i tillë i mëkateve, saqë Allahu i Madhërishëm të mos ia hapë derën e udhëzimit.
Prandaj, duhet të jemi të përkushtuar vazhdimisht në tabligë. Kjo është thelbësore. Detyra jonë është të bëjmë tabligë, ndërsa rezultati dhe ndikimi te tjetri janë punë të Zotit të Madhërishëm.
Përputhja mes fjalës dhe veprës në tabligë
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se shumë mullahë dhe njerëz që e quajnë veten dijetarë, ngjiten në minbere dhe, duke e konsideruar veten zëvendës të Profetit dhe trashëgimtarë të profetëve, mbajnë predikime. Ata flasin kundër mendjemadhësisë, mburrjes dhe veprave të këqija, por për gjendjen e tyre dhe për veprimet që vetë i bëjnë, mjafton të shikohet se deri në çfarë mase fjalët e tyre ndikojnë në zemrat e njerëzve. Sa ndikim kanë ato te njerëzit me natyrë të mirë?
Prandaj, nëse fjalët e këtyre mullahëve nuk kanë ndikim në zemrat tuaja, atëherë shikoni gjendjen tuaj. Nëse edhe ju flisni në të njëjtën mënyrë, çfarë ndikimi do të kenë fjalët tuaja? Nga kjo kuptohet se, nëse dikush dëshiron të bëjë tabligë (pra, të përhapë mesazhin e Islamit), ai duhet së pari të rregullojë veprat e tija dhe të krijojë lidhje të fortë me Allahun. Vetëm atëherë thirrja e tij do të jetë e drejtë, e suksesshme dhe e dobishme.
Predikimi pa vepra nuk ka asnjë dobi
Më tej, ai thotë se, po të kishin këta njerëz edhe fuqi praktike dhe po të vepronin vetë përpara se të flisnin, atëherë pse do të kishte nevojë që Allahu të shpallte në Kuranin e Shenjtë ajetin:
لِمَ تَقُولُونَ مَا لَا تَفْعَلُونَ
“Pse thoni atë që nuk e bëni?” (Kurani i Shenjtë 61:3)
Vetë ky ajet tregon se në botë kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë edhe në të ardhmen njerëz që flasin, por nuk veprojnë.
Kjo është dëshmi se ka njerëz që, kur bëjnë tabligë (pra kur predikojnë për fenë Islami), i bindin të tjerët me argumente, por kur njerëzit shohin veprat e tyre, largohen prej tyre. Prandaj, nëse dëshironi të bëni tabligë, duhet të barazoni fjalën me veprën; vetëm atëherë tabliga do të jetë e suksesshme dhe do të ketë bekime prej Zotit.
Shembulli i Profetit Muhammed s.a.v.s.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu thotë: Mbajeni mirë mend këtë fjalë: nëse fjala juaj nuk buron nga zemra dhe nuk ka forcë praktike, ajo nuk do të ketë ndikim. Pikërisht nga kjo kuptohet vërtetësia e Profetit Muhammed s.a.v.s., sepse suksesi dhe ndikimi në zemra që arriti ai, nuk ia gjen dot shembullin në historinë e njerëzimit. Kjo ndodhi sepse mes fjalës dhe veprës së tij kishte përputhje të plotë.
Prandaj, nëse duam të bëjmë tabligë të suksesshme dhe ta përcjellim mesazhin e Islamit siç duhet, këtë rrugë duhet ta ndjekim, sipas mësimit të Profetit të veprojmë dhe të krijojmë lidhje të veçantë me Zotin e Madhërishëm.
Njëngjyrësia e besimtarit dhe ndjekja e sahabëve
Duke shpjeguar më tej fjalën “pse thoni atë që nuk e bëni”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë në një vend tjetër:
Besimtari nuk duhet të jetë dyfytyrësh. Gjithmonë mbajeni fjalën të njësuar me veprën. Ashtu si sahabët që treguan këtë në jetën e tyre, edhe ju duhet të ecni në gjurmët e tyre dhe të shfaqni shembuj të sinqeritetit dhe besnikërisë. Vetëm atëherë do të ketë tabliga juaj do të sjell bekime.
Pra, nuk mjafton të thuash: sot ngaqë kemi media, mund të bëjmë tabligë, sepse me këtë mënyrë nuk dalin rezultate të vërteta.
Mënyra e të folurit sipas “ue xhadilhum billetī hije ahsen”
Duke shpjeguar shprehjen “ue xhadilhum billetī hije ahsen”, ai thotë se këshillimi duhet bërë me gjuhë. Një e njëjta ide, e shprehur në një mënyrë, mund ta bëjë dikë armik, ndërsa e shprehur në një mënyrë tjetër, mund ta bëjë mik. Fjalët janë të njëjta, çështja është e njëjtë, por mënyra e shprehjes ndryshon rezultatin. Nëse flitet ashpër, krijohet armiqësi; nëse flitet me butësi, krijohet miqësi.
Prandaj, duhet vepruar sipas “ue xhadilhum billetī hije ahsen”. Pikërisht këtë mënyrë të të folurit Allahu e ka quajtur hikmet. Dhe për këtë Ai thotë:
يُؤْتِي الْحِكْمَةَ مَن يَشَاءُ
“Ai ia jep urtësinë kujt të dojë”. (Kurani i Shenjtë 2:270)
Shembulli praktik si mbrojtja më e fortë e Islamit
Ai thotë gjithashtu:
Për mbrojtjen e Islamit dhe për shfaqjen e së vërtetës së tij, gjëja e parë dhe më e rëndësishme është që të tregoni shembullin e muslimanëve të vërtetë. Kjo është pika e parë. Nuk është ndonjë meritë e veçantë që kemi bërë tabligë ose që kemi përcjellë mesazhin. Krahas përcjelljes së mesazhit, duhet të shikojmë edhe se çfarë ndryshimi kemi sjellë në gjendjen tonë.
Nuk mjafton vetëm të thuash se jemi pjesë e xhematit ahmedia, se kemi bërë tabligë dhe se emri ynë është përfshirë mes thirrësve drejt Allahut (da‘i ilallah). Jo. Ai thotë se gjëja e parë është të tregoni shembullin e muslimanëve të vërtetë, dhe e dyta është të përhapni bukuritë dhe përsosmëritë e këtij mësimi në botë.
Pra, kur të bëheni vetë shembull, atëherë përhapeni mesazhin. Atëherë do të shihni se çfarë ndryshimesh ndodhin. Ndryshime që njerëzit e pasur nuk kanë mundur t’i sjellin, do t’i sillni ju.
Qëndrueshmëria dhe durimi në tabligë
Ai thotë gjithashtu se ata që bëjnë tabligë për disa ditë dhe pastaj mendojnë se nuk ka dalë ndonjë rezultat, duhet ta kuptojnë se, kur të flasin, të flasin shkurt dhe qartë, duke thënë gjërat thelbësore. Shumë debate nuk sjellin dobi. Ndonjëherë, një fjali e shkurtër, e thënë në momentin e duhur, hyn drejtpërdrejt në vesh dhe lë gjurmë. Pastaj, kur të vijë rasti, mund të vazhdohet përsëri.
Pra, në këtë mënyrë, tabliga është e vazhdueshme. Mesazhi e së vërtetës ta përcjellësh gradualisht dhe nuk duhet të ndihesh i lodhur. Detyra jonë është të mos lodhemi. Nuk mjafton që një ditë të hapim një stendë apo kamp dhe pastaj ta quajmë të mbaruar punën. Jo.
Vështirësitë e kohës dhe nevoja për urtësi
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Sot dashuria për Allahun dhe lidhja me Të konsiderohet çmenduri. Nëse sahabët do të jetonin sot, njerëzit do t’i quanin të marrë dhe do t’i akuzonin për qafirë. Shumë fjalë, shkujdesje dhe shqetësime të tepërta për këtë dynja ia ngurtësojnë zemrën njeriut dhe atëherë fjala jote ndikon me shumë vonesë.
Sot, njerëzit janë shumë më të zhytur në botë sesa në kohën kur ka folur Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Prandaj, nuk duhet të mendojmë se qëllimi ynë është të bindim filanin hoxhë ose filan dijetar, duke u polemizuar me të. Qëllimi ynë është që mesazhi i Islamit të vërtetë të arrijë në botë dhe që bota të bindet se, në këtë kohë, ardhja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte e caktuar dhe ai ka ardhur.
Në vend që të humbasim kohë me debate dhe pyetje-përgjigje të gjata, duhet të përqendrohemi te tabliga dhe të shohim se si mund t’ua përcjellim mesazhin e së vërtetës sa më shumë njerëzve dhe t’i ndihmojmë në përmirësimin e tyre. Kështu vepruar edhe sahabët e nderuar.
Por sot nga njerëzit janë të zhytur thellë në shqetësime të dynjasë, është bërë e vështirë t’i bindësh. Andaj, duhet të bësh me shumë urtësi këtë punë. Nëse paraqesim modelin personal, vetvetiu njerëzit do të interesohen për ne. Pra, sërish na duhen vepra personale.
Një shembull nga përvoja personale e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Duke dhënë një shembull nga jeta e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se një taksambledhës debatonte vazhdimisht me të. Ai e këshillonte, ndërsa tjetri vetëm e tallte. Por ai thotë se nuk e la; vazhdoi ta këshillonte dhe i thoshte se nuk do ta linte pa e këshilluar. Ndoshta ai kishte parë te ky person diçka pozitive.
Ai thotë se, duke e këshilluar vazhdimisht, erdhi një kohë kur ai njeri filloi të qante me dënesë para meje dhe më kërkoi falje. Ai që më parë tallej dhe përqeshte, tani kishte filluar të qante. Nga kjo ai nxjerr mësimin se ndonjëherë një njeri që duket i prapë, në të vërtetë është i mirë, por duhet të kërkosh qasje të duhur.
Ai thotë se duhet mbajtur mend se për çdo dry ka një çelës; edhe për fjalën ka një çelës, dhe ai është mënyra e përshtatshme e të folurit. Ashtu siç ilaçet janë të ndryshme për sëmundje të ndryshme, po ashtu edhe fjala e shprehur në një mënyrë të caktuar mund të jetë e dobishme për një person të caktuar. Nuk është e drejtë që të gjithëve t’u flasësh njësoj.
Ai thotë se ai që flet duhet të mos mërzitet nga fjalët e këqija të të tjerëve, por të vazhdojë punën e vet dhe të mos lodhet. Natyra e njerëzve të pasur është e ndjeshme dhe ata shpesh janë të zhytur në botë; ata nuk mund të dëgjojnë shumë fjalë. Andaj, atyre duhet t’u japësh ndonjë këshillë në një moment të përshtatshëm e me shumë butësi. Këshilla duhet t’u jepet të gjitha shtresave, si të pasurve ashtu edhe të varfërve.
Në këtë kontekst, ai përmend edhe shembullin e Hazret Ibn Arabiut, i cili shkruan se pse Allahu e urdhëroi Hazret Musain a.s. t’i fliste me butësi Faraonit. Sekreti ishte se Allahu e dinte se në fund ai do ta pranonte besimin. Dhe vërtet, në çastet e fundit të jetës së tij, pra, kur po mbytej, nga goja e tij doli fjala: “Unë besova.”
Shembulli i Hazret Jusufit a.s. dhe urtësia në tabligë
Hazret Musleh Maudi r.a., në lidhje me tabligën, (pra predikimin), sjell shembullin e Hazret Jusufit a.s. Ai tregon se kur Hazret Jusufi a.s. u fut në burg, u futën edhe dy të burgosur të tjerë. Hazret Jusufi a.s. përdori një urtësi të veçantë për t’i tërhequr ata drejt vetes dhe për t’i predikuar. Meqë ekzistonte rreziku që nëse ai do t’u bënte thirrje drejt Zotit, ata do të kishin frikë, Hazret Jusufi së pari i qetësoi duke u thënë se nuk do t’ua merrte shumë kohën, por se do t’i lironte përpara se të vinte ushqimi. Ai e bëri këtë që ata të mos shqetësoheshin dhe ta dëgjonin me vëmendje.
Duket se Hazret Jusufi a.s. nuk gjente shpesh mundësi për të bërë tabligë. Ai e konsideroi si një mundësi pyetjen e të burgosurve lidhur me shpjegimin e ëndrrave dhe kuptoi se, po të bënte tabligë përpara se t’ua plotësonte nevojën, ata do ta dëgjonin patjetër.
Shembulli i Profetit Muhammed s.a.v.s. për krijimin e mundësisë së tabligës
Më pas, Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit sjell edhe shembullin e Profetit Muhammed s.a.v.s. Në fillim, kur Profeti a.s. bëri deklaratën, deshi t’u bënte tabligë banorëve të Mekës. Por, ata shmangeshin dhe nuk dëgjonin. Atëherë, Profeti a.s. organizoi një darkë. Profeti Muhammed s.a.v.s. deshi të bënte tabligë pasi t’i kishte ushqyer, por pas buke, ata u ngritën dhe u larguan. Atëherë Profeti s.a.v.s. përdori një mënyrë tjetër. Sërish organizoi një darkë, por kësaj here së pari i predikoi, se të shtrohej buka. Ata nuk kishin rrugë tjetër përveçse të rrinin ulur duke pritur ushqimin dhe kështu ai gjeti mundësinë që t’ua përcillte mesazhin.
Kështu, ky ajet i Kuranit na tregon metodën e predikimit të Profetëve. Prandaj, duke i ndjekur ata, gjatë predikimit dhe këshillimit duhet pasur gjithmonë parasysh që prediko, pa u bërë barrë për të tjerët, pa krijuar vështirësi për ta. Ky është parimi. Të thuash fjalën tënde të drejtë, por në atë mënyrë që të mos ta rëndosh tjetrin. Prandaj duhet të predikosh me urtësi dhe kjo është ajo që gjithmonë të kemi parasysh.
Përhapja e mesazhit në Evropë dhe kuptimi i xhihadit në këtë kohë
Në një kohë kur as që mund të mendohej se Evropa do ta pranonte Islamin, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i përktheu shkrimet e tij në anglisht dhe i shpërndau në Evropë. Kur Allahu i Madhërishëm i dha xhematin, ai i udhëzoi se xhihadi është një pjesë përbërëse e Islamit dhe nuk mund të braktiset kurrë. Ashtu si namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati janë urdhra të Islamit që duhet të zbatohen në çdo kohë, po ashtu edhe xhihadi është prej atyre veprave që duhet të zbatohet në çdo kohë.
Kjo është pra mënyra e xhihadit. Në këtë kohë, muslimanët e tjerë na akuzojnë se nuk bëjmë xhihad. Ne bëjmë xhihad, por mënyra ka ndryshuar. Pra, muslimanët jo-ahmedianë na akuzojnë se nuk bëjmë xhihad, dhe qenkemi mohues të xhihadit, ndërkohë që ajo që ne po bëjmë është pikërisht xhihadi: ne po përcjellim mesazhin e Islamit përmes tabligës, përmes argumentit. Në botë po bëjmë tabligë për Islamin dhe ahmediatin dhe, përmes Xhematit Ahmedia, po ua tregojmë njerëzve mësimin e vërtetë të Islamit.
Ne kemi misione në Afrikë, Evropë, Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut, Australi dhe edhe në ishuj. Për çfarë janë këto? Ky është pikërisht xhihadi që ne po bëjmë. Prandaj të thuhet se ne nuk besojmë në xhihad është e gabuar. Po, siç ju thashë më herët, mënyra e xhihadit ka ndryshuar.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë se tani xhihadi juaj është xhihadi me penë; majat e penave tuaja janë majat e shpatave. Prandaj, bëni xhihad me këtë. Kjo është puna e përhapjes së fesë dhe kjo është koha e saj, dhe për këtë është e domosdoshme. Prandaj gjithmonë duhet të jemi të angazhuar në xhihadin përmes argumentit, përmes penës.
Qëllimi: dominimi i mesazhit të Islamit në botë
Duhet t’u themi muslimanëve të tjerëve që na kritikojnë duke thënë se nuk mund të vinte kështu Mesihu i Premtuar, ose se deklarata e Mesihut tonë të Premtuar është e pavërtetë, që kjo është metodë e gabuar. Duhet t’u tregojmë nga Kurani dhe hadithet që ju vetë po prisni ardhjen e Mesihut dhe të Mehdiut, dhe njëkohësisht edhe po e mohoni. Pra, në vend që të flasim me logjikë, nëse hyjmë në debate gjuhësore dhe polemike, nuk do të kemi asnjë dobi.
Duhet t’u themi se qëllimi ynë i vërtetë është që Islami të ngadhënjejë në botë, sepse Profeti Muhammed s.a.v.s. ka ardhur si Profet dhe i Dërguar për gjithë botën. Sot numri i muslimanëve është më pak se një e katërta e popullsisë së botës. Derisa ta sjellim botën nën flamurin e Islamit, si mund të themi se kemi bërë shumë punë? Sot puna jonë është që të bëjmë këtë lloj xhihadi; vetëm atëherë xhihadi ynë do të jetë i suksesshëm. Përndryshe, xhihadi që duan të bëjnë disa muslimanë, a është i dobishëm? A po del ndonjë rezultat? Nuk po del asgjë.
Prandaj ky është xhihadi që çdo anëtar i Xhematit tonë duhet ta bëjë, për të cilin Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na ka udhëzuar, jo xhihadi me armë, i cili nuk po sjell asnjë rezultat për muslimanët. Muslimanët me xhihadin me armë kudo po pësojnë vetëm poshtërim. Ndërsa ne duhet të përdorim mjetet e tabligës me argument dhe me urtësi, dhe njëkohësisht të krijojmë kontakt me Zotin.
Përgjegjësitë e misionarëve dhe përgatitja e një “ushtrie” për këtë xhihad
Edhe misionarëve u takon që, duke bërë tarbijet (edukim) të anëtarëve të xhematit, të përgatisin një “ushtri” që ta kryejë këtë xhihad me argument. U them misionarëve se mbi ta është një përgjegjësi shumë e madhe. Ata nuk duhet të mjaftohen vetëm me edukimin e xhematit, por bashkë me këtë, duhet t’i lidhin anëtarët me Zotin e Madhërishëm. Kur ta bëjnë këtë, atëherë t’ua shtojnë edhe dijen dhe t’i përgatisin për këtë xhihad. Vetëm atëherë ata do të arrijnë të përmbushin betimin e tyre.
Këshilla e Hazret Musleh Maudit r.a. për murabbitë
Hazret Musleh Maudi r.a., duke i këshilluar misionarët, një herë ka folur se si duhet ta bëjmë tabligë dhe si duhet të jetë një misionar. Madje, në disa raste ai ka dhënë këto këshilla. Ato janë të gjata. Nëse krijohet mundësia, do t’jua tregoj ndonjëherë tjetër. Për momentin po paraqes një përmbledhje të shkurtër të pikave të domosdoshme.
Gjëja e parë është që një misionar duhet të bëjë është pastrimi shpirtëror. Ai duhet të përpiqet për pastrimin e vet shpirtëror dhe pastaj të përpiqet që edhe në xhemat anëtarët të angazhohen në pastrimin e nefsit. Misionari duhet ta ketë shprehi namazin e tehexhudit dhe t’i nxisë anëtarët e xhematit për ibadet. Vetë duhet ta studiojë thellë Kuranin e Shenjtë dhe edhe anëtarët t’i drejtojë drejt studimit.
Kur të përgatisë thirrës drejt Allahut (da‘ij ilallah), atëherë stili duhet të jetë i tillë që misionari vetë t’i kushtojë vëmendje dhikrit të Allahut dhe ta drejtojë edhe xhematin drejt kësaj detyre. Hazret Kalifi i Dytë r.a. vuri në dukje se edhe biblioteka personale është shumë e rëndësishme për misionarin, sepse prej saj lind dëshira për lexim.
Edhe pse leximi i librave fizikë është pakësuar, në faqen alislam gjenden në formë elektronike shumë libra dhe shumë literaturë e xhematit. Ata që nuk kanë mundësi të blejnë libra ose nuk u krijohet shpejt ky interes, të paktën t’i kushtojnë vëmendje kësaj ane dhe të caktojnë një kohë të rregullt për studim.
Pastaj, mbështetjen tek Allahu duhet ta ketë shumë të fortë. Nuk duhet të kërkosh pëlqime nga njerëzit, por ta shohësh Allahun si burim të çdo gjëje, sepse përmes Tij na vjen çdo e mirë.
Duhet të forconi marrëdhëniet me njerëzit. Pra, PR-i ynë është i dobët, për shkak të të cilit fusha e tabligës mbetet e kufizuar. Edhe kësaj ane misionarët t’i kushtojnë vëmendje. Ka shumë pak misionarë që punojnë për t’i zgjeruar kontaktet. Kur të forcohemi në këtë drejtim dhe të krijojmë edhe ekipin tonë për të ecur përpara, do të hapen gjithnjë e më shumë fusha të reja të tabligës.
Gjithashtu, misionari duhet të ketë guxim për ta kundërshtuar të keqen me vendosmëri. Edhe kjo është një cilësi e rëndësishme që duhet ta ketë misionari dhe që duhet ta krijojë atë edhe në xhemat. Qëndrueshmërinë duhet ta ketë shprehi. Nuk duhet të ndodhë që për katër ditë të bëjë vepra të mira, të shfaqë një entuziazëm për tabligë ose për ibadet, dhe pastaj ta harrojë. Përkundrazi, ashtu si misionari vetë duhet të jetë i qëndrueshëm në këto gjëra, ai duhet ta krijojë këtë frymë edhe te anëtarët e xhematit.
Kur vetë misionarët do të veprojnë, kjo frymë do të lindë edhe brenda xhematit. Atëherë do të përgatiten thirrës drejt Allahut (da‘ij ilellah) që do të jenë në gjendje t’u japin përgjigje të sakta njerëzve dhe nuk do të jenë në gjendje të dështojnë. Siç ka thënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., vetëm mësimi i gjuhës nuk e sjell mënyrën e tabligës. Gjëja kryesore është ta fitosh dijen për Xhemat.
Edhe meditimin dhe reflektimin duhet ta ketë shprehi, po kështu, edhe lidhje me Zotin. Ka shumë gjëra që duhet të jenë te një misionar dhe ai duhet të përpiqet t’ia mësojë edhe xhematit. Nëse kjo ndodh, atëherë mund të sjellim një revolucion të madh. Vetëm atëherë do të jemi të aftë ta ngremë flamurin e Profetit Muhammed s.a.v.s. në të gjithë botën dhe vetëm atëherë do t’i njohim muslimanët me realitetin që Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu ka ardhur dhe t’i ftojmë drejt bejatit me të.
Prandaj ka shumë përgjegjësi, të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje. Dhe në këtë, misionarët kanë një rol shumë të madh. Allahu i Madhërishëm u dhëntë të gjithëve këtë mundësi dhe u dhëntë thirrësve drejt Allahut (da‘ijve ilallah) mundësinë që të fitojnë dijen e saktë, të krijojnë lidhje me Allahun dhe ta çojnë mesazhin e Islamit dhe Ahmediatit në çdo cep të botës!